Modestia e profetit tonë

I dërguari i Zotit ishte një njeri me një modesti të jashtëzakonshme. A nuk është modestia simboli i madhështisë të të mëdhenjve, sikur është mburrja e vetëpëlqimi simbol vogëlsie te të vegjlit?[1] Ai rritej në raport të modestisë së tij. Po, ai ishte madhështor, ndaj dhe ishte modest. “Zoti lartëson atë që sillet modest dhe e rrëzon atë që mburret!”[2] urdhëronte e thoshte dhe këtë e tregonte së pari me mënyrën e vet të jetesës. Gjithkush shihte modestinë e tij të pacak, e kuptonte kështu se ç’ishte madhështia. Gjithmonë, Allahu ruan një fund të dhimbshëm për mburravecët e prepotentët. Ja Karuni, ja Tha’lebe, ja Faraoni, Nemrudi e gjithë diktatorët… Kurse të thjeshtin, modestin që vë fytyrën mbi tokë, Allahu gjithmonë e lartëson. Ja Musai, ja Isai, ja Ibrahimi dhe ja i Përzgjedhuri, profeti Muhamed… Thjeshtësia te ai ishte në thellësi marramendëse. Ditë e natë ai adhuron Allahun, e adhuron dhe nga ana tjetër ruan vendosmërinë në rrugën e drejtë dhe masën e drejtpeshimin në gjithçka. Ai urdhëron kështu: “Mos u ndani nga e drejta, ruani masën dhe drejtpeshimin në çdo gjë dhe afrohuni ashtu te e drejta!”[3] Edhe në adhurim madje, rruga e profetit ishte e mesmja e artë, as teprimi dhe as mangësia. Ai ishte njeriu i më të mirës së mundshme dhe i vendosmërisë në rrugë të drejtë. A nuk është rruga e drejtë ajo që çdo besimtar i kërkon Zotit pesë herë në ditë në namazet e veta? Ajo rrugë, që është rruga e Profetëve, e besnikëve dhe e dëshmorëve. Kushdo që dëshiron të jetë bashkë me ta në botën e përtejme, duhet që në këtë botë të ecë në rrugën që ecën ata. Në shpirtin e besimit qëndron lehtësia. Kushdo që mundohet ta vështirësojë atë, dorëzohet vetë i pari, duke e sjellë besimin në një pirg përgjegjësish të papërballueshme. Kurse besimi i përjetuar në rrethin e rrugës të drejtë optimale, është lehtësia vetë. Kjo temë preket në një hadith të shenjtë tjetër, ku profeti urdhëron kështu: “Padyshim që kjo fe është lehtësi. Kushdo që e vështirëson, do të mundet para besimit”.[4] Mënyra se si e jetoi profeti besimin dhe si këshilloi që të jetohet, është edhe mënyra e jetesës që njeriu është i aftë të përballojë. “Ta dini se asnjë prej jush nuk mund të shpëtojë me veprën e vet!” Një njeri, edhe po ta kalojë ditën e natën me adhurim, edhe po të shpalosë një mënyrë të tillë përkushtimi e adhurimi si Esved bin Jezidi, en-Nehai, Mesruku apu Tavusi, këto vepra mund të jenë të pamjaftueshme për shpëtimin e tij në botën tjetër.

Sa herë që dëgjojnë hadithin e mësipërm, sahabeve u vjen menjëherë parasysh profeti. Sepse profeti është për ta edhe një shembull, çdo vepër e të cilit përbën një normë që duhet zbatuar, por edhe siguri, njëkohësisht, sepse veprat e tij, e mënyra e tij e jetesës, është ajo më e sakta, më e përsosura drejt shpëtimit. Ndaj dhe menjëherë e pyesin: “Po ti, o i Dërguar i Allahut, (as ti nuk shpëton me veprën tënde)?”

Ja modestia, ja sjellja që duhet të shpalosë robi para Zotit të vet, ja përgjigja e thjeshtë e sinqertë, që tregon madhështinë e tij: “As unë, po të mos më mbrojë Zoti me mëshirën e mirësinë e Tij…”[5]

Folëm për modestinë. Ja, kaq e thellë, kaq e rrënjosur është modestia te ai. Ndaj dua ta përsëris edhe njëherë se ai ishte shëmbëlltyra e thjeshtësisë dhe e modestisë, për të kaluar te përmasat e thellësisë së adhurimit të tij. Në një hadith, ai urdhëron e thotë: “Ndërmjetësimi im te Allahu për mëshirë, do të jetë për ata njerëz të popullit tim, që kanë bërë mëkate të mëdha”.[6]

Allahu do t’i japë atij të drejtën për të kërkuar mëshirën e vet (shefaat) për njerëzit dhe ai do ta përdorë në këtë mënyrë. A nuk është një shpresë e madhe kjo gjë? Vërtet që ne bëmë mëkate pa fund, po prapë, me kokën ulur, pohojmë se jemi robtë e tij, skllevërit e tij, që nuk duam lirim dhe shpresojmë se profeti do ta shpalosë shefaatin e tij edhe mbi ne. Po, jemi mëkatarë; por nuk adhuruam askënd tjetër, as nuk njohëm tjetër Zot. Kërkuam vetë të bëhemi rob në derën e Tij dhe e shprehëm këtë ndjenjë, ashtu siç e shpreh Mevlana:

U bëra rob, u bëra rob, u bëra rob,
Dyfish u bëra nën urdhrin Tënd
Kur u falet liria gëzohen robërit gjithnjë,
Unë u gëzova kur rob t’u bëra Ty!

Ndaj dhe besojmë se këto lutje e përgjërime Allahu i dëgjon, i dëgjon e u përgjigjet me mëshirë. Kështu edhe kërkesa jonë do të dëgjohet e plotësohet nga profeti ynë, kur të vijë stina e saj. Me këto ndjenja i trokasim sërish në derë dhe i përgjërohemi:

“Shefaat, ja Resulallah! - Na ndërmjetëso o i Dërguari i Zotit!”

Profeti e shpreh vetë se do të ndërhyjë për faljen e besimtarëve që kanë kryer mëkate. Ndaj dhe ne, që tani, i lëmë atij adresën dhe i lutemi të shënojë edhe emrin tonë. Nuk mund të mendoj se ka edhe ndonjë që nuk e dëshiron një gjë të tillë. Prandaj është e udhës që çdokush të afrohet që tani pranë tij e të lërë emrin te ai. Dhe askush nuk duhet të ketë pikë dyshimi se ai do ta dëgjojë këtë kërkesë. A nuk e vini re se kur e lexojmë Tahijjat’in në namaz, themi “Es-selamu alejke ejjuhen-nebijju ve rahmetullahi ve berekatuhu”, duke iu drejtuar profetit drejtpërsëdrejti. Po të mos dëgjonte, ç’kuptim do të kishte t’i drejtoheshim? Domethënë dëgjon, përderisa Allahu (xh.xh.) na urdhëron t’i drejtohemi direkt atij e ta përshëndesim në çdo namaz. Ja, ky profet, që e mban kaq të gjerë rrethin e shefaatit, në një tjetër hadith, i cili është pikërisht dhe hadithi që dua të theksoj, u drejtohet njerëzve të tij, duke filluar që nga rrethi më i largët, deri te më i afërti, e duke iu drejtuar të gjithë familjeve me emër: “O bijtë e Ka’b bin Murre! Mundohuni të blini shpirtin tuaj nga Allahu, se në botën tjetër unë nuk mund të bëj asgjë për ju! O bijtë e Abdumenafit! Mundohuni të blini shpirtin tuaj nga Allahu, se në botën tjetër unë nuk mund të bëj asgjë për ju! O bijtë e Abdulmuttalibit! Mundohuni të blini shpirtin tuaj nga Allahu, se në botën tjetër unë nuk mund të bëj asgjë për ju!”[7] Këto fjalë të profetit janë shumë domethënëse në emër të modestisë e të thjeshtësisë së tij, sidomos në ato kohë, kur fiset e familjet mburreshin e krenoheshin me poetët apo luftëtarët që dilnin nga mesi i tyre. Ai, që nuk është as poet, as luftëtar, po është i Nderuari i gjithësisë, vula e profetësisë. Por megjithatë, ai u drejtohet atyre fiseve të njohur, duke u thënë se në prani të Allahut, ai nuk do të mund të bënte asgjë, as për ta dhe as për familjet e tyre, duke e asgjësuar kështu që në fillim mundësinë që në të ardhmen, ata të krenoheshin duke thënë: “Profeti doli prej nesh” e duke na kujtuar të gjithëve përgjegjësitë e secilit. E nisi fjalimin duke iu drejtuar fisit më të largët, pastaj i mori me radhë, deri te më të afërmit.

“O halla e Profetit, Safije! Mundohu edhe ti ta blesh shpirtin tënd nga Allahu, sepse në botën tjetër unë nuk mund të bëj asgjë as për ty!”[8]

Ajo Safije, që ishte motra e Hz. Hamzait. Kur Hamzai bie dëshmor në Uhud, ajo këmbëngul me çdo kusht të shihte trupin e të vëllait, por profeti kërkon ta pengojë, duke menduar se ajo nuk do ta përballonte dot atë pamje të llahtarshme. Po kjo grua trime, kishte këmbëngulur dhe ndoshta për të parë trupin e një shpirti që fluturonte te Zoti, ose ndoshta për t’u frymëzuar e për t’u mbushur me guxim, ia kishte ngulur sytë për një copë herë kufomës së copëtuar të të vëllait. Kaq e fortë, kaq e guximshme, kaq e vendosur ishte kjo grua! Safija, nëna e Zubejrit, të cilin profeti e thërriste “ndihmësi im”.[9] Safija, që ishte gjyshja e Abdullah bin Zubejrit, të rënë dëshmor duke mbrojtur Qaben prej Haxhaxhit të tmerrshëm.[10]

E mbi të gjitha, ajo Safije që ishte halla e profetit… Po megjithatë, profeti i drejtohet asaj me këto fjalë.

Po, profeti ishte njeriu i ekuilibrit e i maturisë; fjalët e tij nuk janë kurrsesi në atë sens që duan t’i japin ca rryma interesante ideologjish, që pretendojnë se profeti do të marrë atë e këtë nën mbrojtjen e tij Ditën e Gjykimit. Madje edhe vajza e tij, më e shtrenjta, fruti i vetëm i ndjenjave të tij në ditët e profetësisë, e nderuara Fatma (r.a), nuk sigurohet se do të jetë nën mbrojtje absolute, ndërsa profeti i drejtohet me këto fjalë: “O Fatma, bija e Muhamedit! (Blije dhe ti shpirtin nga Allahu) sepse as për ty nuk mundem të bëj diçka Ditën e Gjykimit!”[11]

Ajo Fatma, që pa ia çikur mëkati vështrimin e imagjinatën, ishte martuar me Aliun. Madje, pa i mbushur ende të njëzet e pestat, kishte ikur nga kjo botë. Gjithë të zgjedhurit e të dalluarit në përkushtim e gjithë miqtë e Allahut, do të ishin frut i gjeneratës së saj të ndritur. Ajo që ishte rritur në atë shtëpi profeti, ku shpallja vërshonte pa pushim. Ajo, për të cilën profeti kishte urdhëruar: “Fatma është një pjesë e imja!”[12]

Ajo Fatma, që ishte bërë e ditur me shpallje se do të ishte një prej zonjave të parajsës[13]

Po, edhe asaj, po, asaj Fatme, profeti i thoshte: “Mundohu të blesh shpirtin nga Allahu! Hiqe hipotekën që ndodhet mbi atë shpirt!”

Ja, një njeri i tillë, më asketi i asketëve, që nuk ka treguar kurrë asnjë grimcë pavendosmërie në respektin e dashurinë ndaj Allahut, që e ka parë veten si një “hiç” - simbol i madhështisë së Tij, njeriu që nuk e ka lidhur shpresën te vepra e vet e që e di më mirë se kushdo se ç’është Dita e Gjykimit e bota e përtejme, nuk ka sesi të mund të shmanget, si të mund t’i afrohet mëkatit, të pësojë lëkundje e të humbë vijën e vet! Kurrë mos qoftë e thënë!


[1] Bediuzzaman, Lemeat.
[2] Mexhmauz Zevaid 10/325; Kenzul Ummal 3/113.
[3] Buhari, Iman, 29; Muslim, Munafikin, 78.
[4] Buhari, Iman, 29; Nesai, Iman, 28; Musned, 4/422
[5] Buhari, Rikak, 18; Merda, 19; Muslim, Munafikin, 71, 73, 75, 76.
[6] Ebu Davud, Sunne, 21; Tirmidhi, Kijame, 11; Musned, /213.
[7] Buhari, Vesaja, 11, Tefsir, 26/2. Muslim, Iman, 348-352.
[8] Muslim, Iman, 349-350
[9] Havari - Buhari, xhihad, 40-41; Muslim, Fedailus sahabe, 48.
[10] Ibn Haxher, Isabe, 2/309-311.
[11] Buhari, Vesaje, 11. Tefsir (26), 2; Muslim, Iman 348-350.
[12] Buhari, Fedail-ul Ashab, 12, 16,19; Muslim, Fedail-us Sahabe, 93-94.
[13] Buhari, Fedail-ul Ashab, 29; Tirmidhi, Menakib, 30.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.