Njeriu

Njeriu është një qenie e pajisur me ndjenja të larta, e aftë për virtyt, e shtënë pas përjetësisë. Edhe në shpirtin e një njeriu në dukje si më i mjeri, madje, është e pranishme një klimë si ylber e formësuar prej idesë së pavdekësisë, pasionit për të bukurën dhe ndjenjës së virtytit, prandaj edhe lartësimi i tij gjer në arritjen e pavdekësisë varet prej zhvillimit dhe daljes në shesh të këtyre dhuntive në natyrën e tij.

***

Njerëzorja te njeriu duhet kërkuar jo në trupin67 e tij shtazor e të vdekshëm, por në shpirtin e tij të shtënë e të pasionuar pas të përjetshmes. Prandaj ka ndodhur që, kur njeriu është trajtuar vetëm si trup duke iu mohuar ana shpirtërore, assesi nuk ka arritur të ngjitet në pikën e ngopjes dhe kurrë nuk ka mundur të kënaqet.

***

Njeriu më fatbardhë e i lumtur është njeriu me ndërgjegjen gjithënjë të dehur me dëshirën dhe ashkun për përtej. Ata që e kalojnë jetën në errësirën e kufizuar, të ngushtë e mbytëse të trupit, edhe nëse ndodhen në saraje, në fakt janë në errësirë...

***

Detyra e parë dhe numër një e çdo njeriu është ta zbulojë dhe njohë veten dhe, në saje të këtij zhvillimi cilësor, të orientohet kah Zoti i vet. Fatkeqët që nuk e njohin veten, pra, s'e dinë se ç'janë, për çka edhe nuk munden të krijojnë lidhje me Krijuesin e Lartë, jetojnë si hamallët që bartin, por nuk e dinë se ç'bartin dhe, po ashtu si ata, ikin nga kjo botë pa kuptuar gjë!

***

Eshtë e vërtetë se njeriu në vetvete është një qenie e dobët, por është gjithashtu e vërtetë se, në saje të mbështetjes te Fuqia e Pafundme, zotëron një pushtet të jashtëzakonshëm. Sigurisht, është në saje të kësaj mbështetjeje që njeriu është një pikë uji e bëhet përrua, është një molekulë e bëhet diell, është një lypës e bëhet mbret!..

***

Në atë masë që njeriu të bëhet i afërt me ekzistencën dhe librin e ndodhive e të njësohet me ta, në atë masë shfaqen në botën e tij të brendshme vezullimet e urtësisë. Për rrjedhojë, ai njeh esencën e vet, arrin aftësinë për ta njohur dhe ndjerë Zotin e, më tej, shkon e bashkohet me Të! Mjafton që kjo ecuri e ky udhëtim që kërkohet të realizohet në planin ideor, të mos jetë i varur nga mohimi dhe ateizmi!

***

Njerëzit e vërtetë, aktet e përbashkëta me kafshët, vazhdimin e llojit dhe brezit, i kryejnë dhe plotësojnë me vetëdijen e detyrës dhe brenda kufijve të domosdoshmërisë. Kurse ata që jepen pa masë pas kënaqësive trupore, e ngushtojnë distancën mes tyre e qenieve të tjera dhe i cënojnë kufijtë njerëzorë!

Pin It
  • Publikuar më .
© 2022 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.