Ashku

Ashku është një prej favoreve më të fshehta të dhënë njeriut nga Gjithëmëshiruesi. Si një embrion, si një farë, ashku ndodhet pothuaj te çdo individ. Dhe, me aq sa ta mundësojnë kushtet, kjo farë hedh degë e gjethe si pemët, zgjohet si lulet dhe, ashtu si frutat, plotëson qerthullin e përsosjes duke bashkuar në një të vetëm fillimin me përfundimin.

***

Si një ndjenjë, ashku rrjedh nga të çarat sy, veshë dhe zemër për në botët e brendshme të njeriut dhe, gjersa të arrihet bashkimi, fryhet si një ujëmbledhës, rritet si një ortek dhe e mbështjell njeriun si një flakë gjithandej. Pastaj, kur të finalizohet me bashkimin, çdo gjë nis të shpërbëhet: zjarri shuhet, ujëmbledhësi zbrazet, orteku thërrmohet e mbaron...

***

Ashku, i cili, si një kuptim dhe embrion, përbën një aspekt të rëndësishëm pothuaj të çdo shpirti, ngjyrën dhe tonin e vërtetë e gjen duke u shndërruar në ashk të vërtetë[1] dhe, kur e gjen, fiton përjetësi dhe shkon e kthehet, në prag të bashkimit, në një shije të abstraguar.

***

Te njeriu, lartësia e hapur (e lirë, e mundshme për t'u arritur) për njeriun e shfaqjeve hyjnore është zemra, janë ndiesitë. Kurse treguesi më i hapur i meritimit nga zemrat të këtyre shfaqjeve, për rrjedhojë, të dashurisë së Allahut, është ashku dhe dëshira e ndjerë në to për Krijuesin e Lartë.

***

Më e prera, më e shkurtra dhe më e shëndosha rrugë për të arritur në horizontin e njeriut të përsosur është rruga e ashkut. Eshtë mjaft e vështirë të arrihet në atë horizont me rrugë të pahapura për ashkun dhe dëshirën. Mund të thuhet se, në arritjen e së vërtetës, nuk ka një rrugë të dytë të njëvlershme me ashkun veç rrugës së "thjeshtësisë e përkorësisë, dëshirës e falenderimit".[2]

***

Ashku është një "kalë shale" dhuruar neve nga Zoti në rrugën për gjetjen e parajsës së humbur. Dhe gjer më sot s'ka ndodhur kurrë që dikush nga ata që ia kanë shaluar këtij kali, të mbetet në rrugë. Ndërkaq, mund edhe të rastisë të hasen udhëtarë të cilët, edhe pse të hipur mbi këtë kalë qiellor, të ecin ngadalë si këmbësorë anës rrugës për shkak të dehjes me ngazëllimin e këtij ashku. Megjithatë, kjo ka të bëjë me formën e marrëdhënieve mes tyre e Zotit.

***

Meqë ashku e djeg njeriun dhe e bën hi, atij s'kanë ç'i bëjnë as zjarret e kësaj bote e as të botës tjetër, sepse, duke u mbështetur në parimin se dy siguri dhe dy frikë, dy dëshira dhe dy dhimbje s'mund të ndodhen së bashku në të njëjtin çast te i njëjti njeri, themi se s'mund të mendohet që personat të cilët gjatë gjithë jetës ua kanë hapur zemrat flakëve të ashkut e janë përleshur në botët e tyre të brendshme me zjarret skëterrore, të përjetojnë për herë të dytë të njëjtat ankthe e dhimbje...

***

Ashku, i cili, duke e bërë njeriun ta harrojë qenien e vet, i jep mundësi të bëhet një me qenien e atij që do, është emërtimi i dukurisë së shkrirjes në kërkesat dhe dëshirat e të dashurit duke e dëshiruar, pastërsisht dhe pa interes, vetëm atë, gjë që, me ç'pandeh unë, ky është dhe synimi për t'u bërë njeri.

***

Sipas mjeshtërisë së ashkut, hyrja e të tjerave iluzione në sytë e të dashuruarit është haram (e ndaluar) dhe se, nëse ndodh një gjë e tillë, ashku vdes. Ashku vazhdon të jetojë për sa kohë dhe në atë masë që gjërat që dëgjohen e ndien përreth, të jenë emri dhe cilësitë e të dashurit, karakteristikat e bukurisë dhe eposet e përsosmërisë së tij, ndryshe, shuhet e vdes...

***

Në asnjë çështje i dashuruari nuk mendon t'i dalë kundër të dashuruarit,[3] nuk mundet të mendojë. Sidomos kurrsesi nuk dëshiron që gjëra të tjera t'i bëjnë hije atij, t'i dalin para duke shkaktuar harrimin e tij. Për më tepër, çdo fjalë që nuk flet për të, e quan të kotë e të padobi. Edhe çdo punë që s'ka lidhje me të, i duket si mosmirënjohje e pabesi.

***

Ashku është interesimi i zemrës, prirja e vullnetit dhe dëshirës, zhveshja dhe pastrimi i ndjenjave prej elementëve të huaj si dhe gjendja në të cilën të gjithë receptorët e lartë e të brishtë njerëzorë të mos kapin gjë tjetër veç ëndrrave dhe iluzioneve mbi të dashurin duke mundësuar që në çdo sjellje të të dashuruarit të përshndrisë një ide e re mbi të dashurin dhe, atëherë, zemra të rrahë me dëshirë vetëm për atë, gjuha të pëshpërisë vetëm për atë, sytë të hapen e mbyllen vetëm për atë...

***

Në erën që fryn, në shiun që bjen, në lumin që buçet, në pyllin që uturin, në mëngjesin që zbardh dhe natën që errëson, ashku gjithë po erën karakteristike të të dashurit ndjen e gjallërohet, sheh bukuritë e tij të reflektuar mjedisit dhe ngazëllohet, ndien në çdo fryrje frymët e tij dhe mbushet me hare, po kështu, vende-vende parandjen qortimet e tij dhe rënkon...

***

Të dashuruarit që zgjohen në agimin e shenjave të të dashurit, e gjejnë veten me buzët të kuqe gjak, me një tufan flakësh në zemër, brenda një qerthulli të zjarrtë. Dhe s'duan të dalin më jashtë prej këtij ferri plot kënaqësi...

***

Njëvlerësimi i ashkut me dashurinë epshore të perversëve është i gabuar si dhe flet për mosnjohjen e dashurisë së vërtetë. Në fakt, ka ndodhur ndonjëherë edhe që dashuritë e figurshme[4] të shndërrohen në dashuri apo ashk të vërtetë, mirëpo kjo s'do të thotë aspak se dashuria e figurshme përfaqëson një vlerë individuale, në të kundërt, kjo argumenton se ajo është e mangët dhe e paperspektivë.

***

Për shkak të sëmundjes së ashkut që i zë ashikët e vërtetë, botët e tyre të brendshme u rënkojnë vazhdimisht e janë tërë tym e flakë si një vullkan. Për ata që arrijnë t'i kuptojnë, rënkimet e tyre që u këputen nga gjokset janë lavë të tilla që djegin aty ku bien e shkaktojnë zjarr...

***

Tregimi i ashkut me fjalë është mjaft i vështirë, madje i pamundur. Prandaj, pjesa e madhe e gjërave që thuhen për dashurinë, s'janë më shumë se shenja të reflektuara prej saj jashtë, sepse dashuria është një përjetim dhe gjuha që mund ta shprehë atë është vetë ai përjetim.

***

Ashiku, dashnori është një i dehur që, duke e bërë rrugë dashurinë për Zotin, e ka stisur jetën me habi, mahnitje dhe ndjenja pëlqimi ndaj të dashurit, kështu, pra, një i dehur i tillë që, me sa duket, mund të vijë në vete vetëm me borinë e kiametit...

***

Ashiku është si një fontanë, vazhdimisht zjen nga brenda...

***

Eshtë vetëm një gjë që do ta heshtte dhimbjen e vdekshmërisë, që do ta shuante zjarrin e ankthit të shpirtrave që jetojnë me vjeshtën, ashku i vërtetë. Po, shpëtimi i vetëm dhe shërimi i vetëm për të gjitha hallet, për sëmundjet e pandehura si të pashërueshme, për drojtjet dhe frikërat, për grindjet dhe vorbullat tona prej vitesh, vetëm ashku ka qenë!

***

Nëse në zemrat e brezave që përpiqen të ripërtërihen me dije e kulturë si dhe me kulturën e ditës, nuk lëshojmë qoftë edhe pak nga shkëndiat e ashkut, ata do të mbeten vazhdimisht të mangët dhe kurrsesi nuk do të mundin ta kapërcejnë natyrën materiale në vetvete...


[1] Që këtu e tutje autori do të nis të bëjë fjalë për ashkun hyjnor, ose për dashurinë pasionante për Zotin që, sipas misticizmit islam, është ashku i vërtetë.

[2] Në origjinal: "acz u fakr, şevk ü şükür".

[3] Në turqishte, ku s'ka gjini të emrave të përgjithshëm dhe mbiemrave, fjalët "i dashur, i dashuruar" përdoren për të dyja gjinitë, prandaj autori e ka të lehtë të bëjë një karakterizim të përgjithshëm pa e cilësuar se për kë po flet dhe për çfarë ashku po bën fjalë. Megjithëse ai në esencë e ka fjalën për ashkun hyjnor, siç u sqarua edhe në shënimin diku më sipër, lexuesi mund të vërë re me lehtësi se përshkrimet e autorit vlejnë edhe për ashkun, dashurinë njerëzore mashkull-femër.

[4] Në origjinal: mecazî aşk.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.