Kultura

Kultura është një burim i rëndësishëm të cilit i drejtohet rregullisht një komb gjatë procesit të zhvillimit dhe përparimit të vet në atë vijë që është e posaçme për atë vetë. Mes harmonisë dhe orientimit të jetës së kombit dhe kthjelltësisë së burimeve të kulturës ka ekzistuar gjithmonë një lidhje e ngushtë.

***

Kultura është tërësia e parimeve të lindura nga ndjenja të tilla si gjuha, edukata, zakonet dhe arti të një shoqërie, të shndërruara, më pas, duke u përpunuar vazhdimisht, në mënyrën e jetesës të asaj shoqërie, tërësia e parimeve, çdo fragment i të cilave është, pothuaj, shumë i rëndësishëm. Të bësh sikur s'i sheh këto parime, është verbëri, kurse përpjekja për ta larguar shoqërinë prej tyre, do të thotë ta hutosh dhe trullosësh atë duke e lënë pa rrugë, pa drejtim.

***

Në përfundim të kontakteve të shumta a të pakta të kombeve me njëri-tjetrin, kultura, në një farë mase, ashtu si dhe qytetërimi, mund të kalojë nga një shoqëri në tjetrën. Ndërkaq, nëse në këtë kalim, distilatorët e shpirtit kombëtar nuk funksionojnë mirë dhe nuk kryhen mirë seleksionimet dhe kompensimet e duhura, si rezultat, amullia dhe depresioni kulturor-qytetërimor bëhet i pashmangshëm.

***

Kultura e vërtetë maturohet në potën ku shkrihen së bashku feja e vërtetë, morali i lartë, virtyti dhe dituritë e përvetësuara. Në atmosferën ku sundojnë pafesia, imoraliteti dhe injoranca, nuk mund të bëhet fjalë as për kulturë të vërtetë, as për përfitim prej këtij burimi nga ana e njeriut të rritur e formuar në atë atmosferë.

***

Shoqëritë që përpiqen për t'i siguruar vazhdimësi ekzistencës dhe përhershmërisë së vet duke u ndërzyer[1] me kulturën dhe qytetërimin e kombeve të tjerë, u ngjajnë pemëve të zbukurimit me fruta artificiale të varura nëpër degë, gjë që është sa qesharake, aq edhe vetëmashtruese!

***

Kultura lind dhe zhvillohet nga natyra e kombit dhe shoqërisë. Ç'të jenë lulet dhe frutat për një pemë, ajo është edhe kultura për një komb e shoqëri. Kombet që nuk kanë mundur ta zhvillojnë dhe maturojnë ose që e kanë humbur kulturën e vet, u ngjajnë pemëve që s'japin fruta ose që u janë derdhur frutat. Ato janë të dënuara që, në mos sot, nesër, të priten për t'u përdorur për lëndë druri.

***

Kultura zë një vend shumë të rëndësishëm në jetën e çdo kombi. Kultura e lidhur ngushtë dhe e njësuar me të kaluarën e kombit dhe rrënjët e tij shpirtërore, hap dhe i ndriçon rrugët e gjallesës e të lartësimit për atë komb. Në të kundërt, zikzaket e vazhdueshme me nga një mendësi dhe ide të re për çdo ditë, e shpërbëjnë kombin, e kalbin dhe e shtrijnë përdhe.


[1] Këtu autori është shprehur me eufemizëm duke thënë "duke hyrë në gjerdek", domethënë, duke u martuar ose, thjesht, duke kaluar "natën e parë", kurse ne menduam t'i biem më drejt duke përdorur shprehjen shqiptarçe "duke u ndërzyer" që, megjithëse mund të duket pak si jo e kulturuar, fundja është më e sinqertë dhe e tregon punën ashtu siç është!

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.