Rruga e Mesme ne Marredhenien Kader-Vullnet

Në çështjen e kaderit, specifika që i preokupon më shumë mendjet është përputhja mes kaderit dhe vullnetit të njeriut. Nga njëra anë, botëkuptimi determinist i xhebritëve (determi­ni­stëve) mbi kaderin, i cili shkon gjer në kritikën e kaderit, i cili e cilëson kaderin detyrues e shtrëngues dhe njeriun, të dënuar dhe viktimë të kaderit dhe, nga ana tjetër, botëkuptimi liberal determinist-mohues i mutezilitëve që ia atribuon njeriut plotë­sisht edhe kaderin (fatin e vet), edhe krijimin (e akteve të veta), duke qenë qëndrime dhe botëkuptime të skajshme, janë shumë larg vlerësimit të saktë mbi kaderin dhe vullnetin. Kurse e vër­teta mbi kaderin është mu në mes të këtyre dy pikëpamjeve dhe botëkuptimeve. Siç e shpjeguam gjer tani, edhe kaderi ësh­të sundues në jetën e njeriut, edhe njeriu është i pajisur me prir­je, qëllim, mendim, arsyetim, gjykim, krahasim, parapëlqim, zgjedhje si dhe një vullnet për të marrë vendim. Atëherë, çësh­tja duhet trajtuar si të përbëhej prej dy pjatash të një peshoreje duke i mbajtur ato në nivel.

Në dy ajete të njëpasnjëshëm, Kur'ani e ezauron çështjen duke i bashkuar menjëherë të dy pozitat. Ndërsa në ajetet 27 dhe 28 të sures Tekvir thuhet se "ai (Kur'ani) është vetëm kë­shillë për botët... për ata që dëshirojnë të qëndrojnë në rrugë të drejtë", në ajetin 29, duke thënë se "po të mos dëshirojë Alla­hu, Zoti i botëve, ju s'mund të dëshironi", pohohet dhe thekso­het se Allahu është dëshiruesi i gjithçkaje, ndërkaq që kjo dëshi­rë nuk bie në kundërshtim me të drejtën e njeriut për të pasur një prirje dhe dëshirë. Në një ajet tjetër (Saffat, 37:96), duke thënë se "Allahu është krijuesi i juaj dhe i bëmave (akteve) tua­ja", pohohet se krijimi (si akt universal) dhe bërja i përkasin plo­tësisht Allahut, kurse në ajete të tjerë, me anë të pohimeve dhe nxitjeve, si "njeriut s'i përket gjë tjetër veç asaj për të cilën për­piqet vetë", "luftoni në rrugën e Allahut", "vraponi për në xhe­nnet", "kërkoni pretekst nga Allahu", "lexoni, shkruani, mendo­ni", bëhet e ditur se njeriu nuk është para kaderit një i burgosur me duar e këmbë lidhur dhe se duhet ta përdorë vullnetin e vet si një kusht dhe shkak elementar. Në disa ajete kjo është më e qartë: "mbajeni fjalën që më keni dhënë , që edhe unë ta mbaj fjalën që ju kam dhënë" (Bakara, 2:40), "nëse ju e ndihmoni fe­në e Allahut, edhe Allahu ju ndihmon juve" (Muhammed, 47:7), "nëse një popull nuk e ndryshon vetë gjendjen e vet, as Allahu s'ia ndryshon gjendjen" (Rad, 13:11). Atëherë themi se detyrim absolut (determinim) ka për jogjallesat, për bimët dhe kafshët, kurse për njerëzit dhe xhindet ka "detyrim të kushtë­zuar". Ndërkaq, krijimi i vullnetit të pjesshëm dhe i rezultateve të tij janë projektuar nga Allahu qysh në pafillim dhe janë për­caktuar dhe shënuar imtësisht në Librin e Kaderit.

a) Allahu e ka shkruar kaderin duke e ditur që më parë se si do ta përdorim vullnetin tonë.

Siç u sqarua edhe më parë, kaderi nuk e detyron njeriun të sillet dhe veprojë sipas një drejtimi të caktuar, përkundrazi, me­që Allahu e di qysh më parë se si ka për t'u sjellur dhe vepruar njeriu, kaderi i tij përcaktohet i tillë. E thënë ndryshe, kaderi ka karakter informativ (përbëhet prej një grumbulli informacioni të caktuar) dhe s'është vullnet apo fuqi, kurse informacioni është dije, përbëhet prej dijes.

Ndërkaq karakteri informativ i kaderit ka fuqi për t'u bërë realitet. Të dish është tjetër, ta bësh atë që di, domethënë ta shfaqësh, t'i japësh formë asaj që di (asaj që ke në kokë – për rastin tonë) në botën e jashtme, është tjetër gjë. Le të bëjmë sa të duam ne plane në kokë, shumë prej tyre kurrë s'kanë për t'u realizuar. Kurse kaderi i Allahut që është një plan, realizohet me anë të akteve që do të kryejë njeriu me anë të vullnetit të vet. Kjo është si puna e shkrimeve me bojë të padukshme mbi letër që bëhen të dukshme sapo letra të lyhet me lëndën kimike të caktuar që i bën të dukshme. Sapo njeriu merr iniciativë me vullnetin e vet, Allahu vepron mbi shkrimet e padukshme të ka­derit mbi letër me anë të fuqisë dhe vullnetit të vet dhe shkrimet marrin formë dhe trajtë. Ndërkaq, meqë Allahu i di që më parë (në pafillimshmëri) ato që do të bëjë njeriu me vullnetin e vet, i ka shënuar që më parë (në pafillimshmëri) një nga një në librin e vet.

Le të mendojmë një tren që udhëton në linjën e gjatë nga qyteti A në qytetin B. Lëvizja e trenit nga qyteti A në qytetin B është përcaktuar qysh më parë me hollësi në një grafik ku janë shënuar stacionet si oraret e hollësishme (orë, minuta e sekon­da) të nisjes dhe arritjes, shpejtësitë e trenit në vende dhe dista­nca të caktuara të kësaj linje, etj. Krahas kësaj, byroja e plani­fikimit dhe koordinimit të lëvizjes së trenave të asaj linje di edhe shumë të dhëna të tjera në lidhje me këtë tren dhe trena të tjerë të kësaj linje, të cilat ndikojnë mbi lëvizjen dhe planifikimin e saj, si stinët, temperaturat, numri i pasagjerëve, etj. Kështu, me­gjithëse pas hartimit të grafikut të lëvizjes, treni do të lëvizë duke respektuar me korrektesën më të lartë oraret dhe kushtet e tjera të lëvizjes, nuk është grafiku i lëvizjes (kaderi) që e detyron tre­nin të lëvizë ashtu, por janë kushtet më reale dhe të detyrue­shme të lëvizjes (vullneti) që kanë detyruar (përcaktuar) harti­min e një grafiku të tillë. Për shembull, nëse shpejtësia mesatare e trenit e shënuar në grafik është 70 km/orë e jo 250 km/orë, do të thotë se në kushtet e dhëna, treni nuk mund të lëvizë me një shpejtësi mesatare më të madhe se 70 km/orë (50km/orë – 90 km/orë) si dhe në realitet treni do të lëvizë me një shpejtësi bre­nda këtyre caqeve jo se kështu është shënuar në grafik.

Dukuri astronomike të tilla si eklipset, njihen që më parë, prandaj dhe shënohen me hollësi sekondash në kalendare dhe raporte shkencore. Kështu, një eklips i caktuar nuk ndodh sepse ashtu është përcaktuar dhe shënuar në raportet shkencore dhe kalendaret, por shënohet në raportet shkencore dhe kalendaret sepse ashtu ka për të ndodhur. Edhe njeriu nuk sillet apo vep­ron ashtu sepse ashtu ka shkruar Allahu në kaderin e tij, sepse s'e di se ç'ka shkruar; Allahu ashtu e ka shkruar sepse e di se ashtu ka për t'u sjellur dhe vepruar ai njeri. Nëse çdo gjë që ka për të bërë njeriu duke përdorur vullnetin e vet, e shkruar në formë kaderi dhe të fshehtë për njeriun, nuk e pengon njeriun ta përdorë vullnetin e vet, edhe gjërat që ka për të bërë njeriu duke përdorur vullnetin e vet nuk bëhen pengesë që ato të shkruhen qysh më parë në formë kaderi për të (por me kusht që të mbeten të fshehta për të).

b) Nuk mund të bëhet fjalë për një kader të njëan­shëm ku s'llogaritet vullneti.

Pika më e ndjeshme, "jetike", e çështjes së kaderit është kjo: ndërsa Allahu e shkruante Librin e Kaderit duke e ditur çdo gjë që më parë në sajë të dijes së tij të pafundme, akti i njeriut ose vullneti i tij që e krijon aktin e tij, nuk është lënë jashtë këtij shkrimi ose nuk është përjashtuar. Pjesa që i takon njeriut është "ta shtypë butonin" (të dëshirojë dhe të iniciojë), kurse pjesa që i takon Allahut, ta krijojë aktin që dëshiron dhe inicion njeriu, të krijojë rezultatin e dëshiruar. Ja, pra, kësaj i themi "kader": për­caktimit dhe shënimit të njëkohshëm të këtyre dy faktorëve.

Mendoni një orë në dhomën pranë, që s'e shihni dot, por që ia dëgjoni tiktakun. Po ju pyetën nëse punon apo jo, ju përgji­gjeni pa ngurrim "punon", sepse ia dëgjoni tiktakun. Në këtë mes, ju s'keni aspak dyshim që të gjitha detajet e orës, ingrana­zhet me dhëmbëza, akrepët, lavjerësi, nëse ka, funksionojnë dhe lëvizin. Pra, vetëm dëgjimi i tiktakut ju mjafton për të arritur në përfundimin se ora punon. Edhe e kundërta, po qe se keni para një orë që s'i dëgjohet ose s'ia dëgjoni dot tiktakun, por vetëm ia shihni akrepin e sekondave tek lëviz, vetëm lëvizja e tij ju bind se ora punon. Po si kjo, po pati kader, ka edhe vullnet ose, nëse duam ta trajtojmë vullnetin, mund ta trajtojmë vetëm bashkë me kaderin.

Në këto kushte, njeriu nuk është para kaderit një robot me duar e këmbë të lidhura. E shprehur ndryshe, njeriu nuk është një merimangë e mbështjellë në pezhishkën e kaderit të vet, nuk është një i dënuar me vdekje me vendimin të varur në qa­fë, me duart dhe këmbët të lidhura me pranga, ose një i dënuar i mjerë, i hedhur në det për t'u mbytur, me të cilin, për më te­për, ekzekutorët e tij tallen duke i thënë të ketë kujdes se mos laget! Sigurisht, jo vetëm kaderi s'është ky, por edhe njeriu s'ë­shtë një gjethe e thatë që e vërvit era nga të dojë. Në çdo çë­shtje të Islamit ka masë (oportunitet) dhe orientim. Për shem­bull, nëse zemërimi në çdo vend dhe për çdo gjë është një te­prim në të djathtë, pra, një sjellje dhe qëndrim intolerant, edhe heshtja dhe urtësia para çdo sjelljeje dhe veprimi janë një te­prim në të majtë, pra, një sjellje indiferente, një tolerancë e pa­nevojshme dhe e gabuar. Siç është qëndrim i skajshëm mohimi i femrës dhe ndenjja pa u martuar fare, është qëndrim i skaj­shëm edhe mendimi për të përfituar prej çdo femre që të del para! Nëse totemizimi i kapitalit është një qëndrim ekstrem, edhe mohimi i kapitalit është një qëndrim ekstrem në anën tje­tër. Edhe në çështjen e kaderit, t'ia atribuosh gjithçka njeriut dhe të thuash se "njeriu e krijon vetë aktin e tij" (racionalizmi i mutezilitëve, fraksionistëve racionalistë), është qëndrim i skaj­shëm; gjithashtu, ta bësh njeriun të paralizuar para kaderit duke thënë se "njeriu nuk ka pjesë fare, nuk ka asnjë funksion në aktin e tij" (determinizmi i xhebritëve, deterministëve) është qëndrim i skajshëm në anë të kundërt. Kurse sunnitët, për pikë­pamjet e të cilëve u përpoqëm të bëhemi interpretë gjatë gjithë trajtimit të çështjes, duke mbajtur, edhe në këtë çështje, rrugën e mesme të së vërtetës, thonë: "Vullneti dhe iniciativa janë të njeriut, kurse krijimi i aktit të dëshiruar dhe iniciuar prej njeriut, është i Allahut".

Eshtë Allahu që i krijon edhe orientimin (rrugën e drejtë), edhe çorientimin (rrugën e shtrembër), edhe të mirën, edhe mëkatin. Nëse njeriu dëshiron të shkojë në xhami ose të bëjë një punë të mirë dhe inicion, domethënë priret dhe vë në ve­prim vullnetin e vet në këtë drejtim, Allahu e çon atje ku dëshi­ron, priret dhe përpiqet. Po kështu, nëse njeriu dëshiron të shkojë në pijetore ose të bëjë një punë të keqe dhe inicion, pra, priret dhe vë në veprim vullnetin e vet në këtë drejtim, në këtë rast, Allahu, ose e çon në pijetore, në punë të keqe duke i dhë­në mundësi të humbë, të pësojë disfatë, etj., ose nuk e çon, e pengon nga rruga e keqe dhe e mbron. Një fjalë e shëmtuar e thënë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij mund ta vërë në lë­vizje atributin Mudil (çorientues) të Allahut për t'i dhënë përgji­gjen e merituar thënësit sipas qëllimit të tij të keq, pra, dhe duke mos i bërë padrejtësi. Shkurt, njeriu që zgjedh rrugën e drejtë ose të shtrembër, çohet në atë rrugë dhe bëhet të arrijë në re­zultatin që ka dëshiruar. Prirja, dëshira dhe inicimi janë të njeri­ut, kurse realizuesi i tyre është Allahu. Prandaj dhe njeriu, në botën tjetër, do të shpërblehet ose ndëshkohet sipas llojit të aktit të dëshiruar dhe inicuar prej tij.

c) Kaderi përfaqëson tërësinë unike të shkaqeve dhe shkaktarëve; edhe mjetet në dorë të vullnetit janë të shënuara në Librin e Kaderit.

Pas një aksidenti, pas një vdekjeje, shkurt, pas një ngjarjeje të hidhur, themi, "sikur të mos kish shkuar atje", "sikur të mos e kishte marrë armën në dorë", "sikur të mos kishte ecur me aq shpejtësi", etj., kurse në kader janë shënuar, së bashku me ngjarjen, edhe të gjithë faktorët dhe shkaqet përbërëse duke fi­lluar me vullnetin e njeriut (viktimës apo fajtorit), edhe të gjithë faktorët dhe shkaqet anësore, pra, ngjarja është shënuar me të gjitha hollësitë e jetës në të gjitha çastet dhe aspektet e saj.

Bie fjala, po qe se një njeri ka vrarë një njeri tjetër me armë zjarri duke vepruar me vullnet, kjo gjë është ditur nga dija e pa­fundme e Allahut qysh në pafillimshmëri dhe është shënuar: "Iks person, duke e përdorur me vullnetin e vet armën e zjarrit, do t'ia tërheqë këmbëzën me gishtin e vet dhe, si përfundim, ipsilon person do të vdesë!" Po të mos ishte shkaku, arma e zjarrit nga u hodh plumbi dhe gishti që tërhoqi këmbëzën, si do të realizohej vdekja e personit në fjalë? Ta zëmë se do të vdiste në një aksident automobilistik. Atëherë themi se për të paska qenë e shkruar se do të vdiste në një aksident automobilistik. Ose, nëse shkaku i vdekjes do të ishte një sëmundje, do të tho­shim se për të paska qenë e shkruar se do të vdiste nga një së­mundje, etj.

ç) Si përfundim, kaderi e mbështet vullnetin dhe që të dy shkojnë paralelisht. As kaderi s'e mohon vullne­tin, as vullneti s'e mohon kaderin.

Çështjen mund ta shprehim me fjali konkluduese të formulu­ara qartë e prerë.

1. Në gjithësi sundon një kader dhe program hyjnor, kurse te njeriu ka prirje dhe vullnet.

2. Meqë Allahu zotëron dijen e pafundme, të shkuarën, të ta­shmen dhe të ardhmen i sheh dhe i di si një moment të vetëm.

3. Allahu i shënon dhe shkruan si libër të gjitha ngjarjet që do të ndodhin në të ardhmen.

4. Ne bëjmë diçka jo pse ashtu e ka shkruar Allahu (sepse s'e dimë se si ka shkruar për ne), kurse Allahu shkruan ashtu sepse e di qysh më parë se si dhe për çfarë do ta përdorim ne vullnetin tonë.

5. Duke e shkruar kaderin tonë, Allahu nuk e përjashton vu­llnetin tonë, por shkruan duke e futur në llogari se si do ta për­dorim vullnetin tonë.

6. Përveç atyre që na favorizon, Allahu na premton xhenne­tin, parajsën, si shpërblim të përdorimit të vullnetit tonë në rru­gën e Tij!

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.