Dy dinamika që e mbajnë gjallë besimin

Fethullah Gylen: Dy dinamika që e mbajnë gjallë besimin

Pyetje: Thuhet se dy janë pikat kyçe që mbështetet dhe që e mbajnë gjallë jetën fetare; njëra syresh është “urdhërimi për mirë dhe parandalimi i së keqes, ndërsa tjetra është ndjekja e hollë e imtësive. A mund të na i trajtoni pak më gjerë se si duhen kuptuar sot këto dy kritere?

Përgjigje: Urdhërim për mirë dhe parandalim i së keqes do të thotë t’i ftosh njerëzit për të kryer ato që urdhëron feja dhe për t’i ndaluar ata që të kryejnë atë ç’është ndaluar prej saj. Madje, nëse do të shpreheshim duke pasur parasysh qasjen e akides maturidiane dhe jurisprudencës hanefie, me të duhet të kuptojnë urdhërimin e gjërave që mendja njerëzore i cilëson si të mira dhe të mbara dhe parandalimi prej atyre gjërave që po mendja i cilëson si të shëmtuara dhe të papranueshme. Me fjalë të tjera, urdhërimi për mirë dhe parandalimi i së keqes do të thotë të ndihmosh si të mundësh për përhapjen e gjithçkaje të mirë dhe të bukur mes njerëzve dhe t’i mbrosh apo t’i bindësh njerëzit që të qëndrojnë sa më larg gjërave të këqija apo të shëmtuara.

Një detyrë që është farz mbi farzet

Që kjo detyrë të kryhet në një mënyrë sa më sistematike dhe sa më gjithëpërfshirshëm, qysh në kohën e profetësisë së Profetit tonë, Muhamedit (pqmT) janë kërkuar rrugë nga më të ndryshmet, janë mbajtur hutbe të panumërta, janë këshilluar njerëzit me gjithfarë formash, janë krijuar zinxhirë mësimesh të njëpasnjëshme dhe kanë arritur gjer në ditët e sotme duke fituar motive dhe ngjyrime të ndryshme. Më të gjallat dhe më larushanet ndër të cilat kanë qenë teqetë dhe vendet e tërheqjes me qëllim veç adhurimin e Zotit. Sepse njerëzit që e kanë kryer detyrën atje u janë drejtuar njerëzve drejtpërsëdrejti me zërin e zemrës dhe të ndikojnë tek të tjerët më parë me ndërgjegjet e tyre, se sa duke përdorur logjikën apo arsyen. Kanë arritur të depërtojnë deri në ndjesitë më të holla perceptuese të njerëzve, duke u folur atyre me kushedi ç’gjuhë të panjohur dhe të mistershme prej botës së dukshme dhe i kanë mbajtur njerëzit të gjallë nga pikëpamja e besimit duke u dhënë atyre formë sipas emrave, cilësive dhe vetë urdhëresave të Allahut (xh.xh.).

Duke qenë se urdhërimi për mirë dhe parandalimi prej të keqes është një pikë tejet e fortë mbështetëse përsa i përket mbajtjes gjallë të jetës fetare, lënia e saj pas dore ka bërë që të ndihet një zbehje dhe një tëhuajëzim i përgjithshëm ndaj vlerave fetare themelore. Në kohë të caktuara shumë xhamive u është vënë kyçi, ndërsa në të tjera kohë xhamitë e kanë humbur çdo funksion tyrin, duke bërë kësisoj që kursia dhe minberi ta humbasin ndikimin e tyre sepse ligjëratat dhe hutbet e përjavshme i pushtonte aktualiteti. Kështu, një prej pikave më të forta mbështetëse të jetës fetare paketohej dhe nxirrej jashtë përdorimit, sikur t’i thuhej: “Ti, tani, duhet të rrish këtu mënjanë.” Nëse do t’i vështrojmë më veçanërisht këto periudha kur është përjetuar të thatët dhe thatësirat më të rënda, edhe pse mund të themi se sot jemi disi më mirë përsa i përket kryerjes së detyrës së “urdhërimit për mirë dhe parandalimit të së keqes”, krahasuar me ditët e Kohës së Lumturisë dhe fillimet e Perandorisë Osmane, është një e vërtetë e hidhur, por jemi duke u përpëlitur sa andej këtej. Duke qenë se ishte një ndër gjërat e lëna më shumë pas dore, Bediuzamani i nderuar e cilëson “urdhërimin për mirë dhe parandalimin e së keqes” si “farz mbi farze”, pra “detyrim mbi detyrime”.[1] Për rrjedhojë, sot kjo detyrë na është vënë secilit prej nesh mbi supe, si një detyrim mbi detyrime dhe, ç’është e vërteta, kjo është një dinamikë e patjetërsueshme dhe e pazëvendësueshme përsa i përket rilindjes sonë edhe njëherë.

Finesa: delikatesa e një zemre që dridhërohet

Ndërsa kur vjen çështja tek finesa; ajo është shprehja e të gjitha çështjeve që do t’i bënin zemrat të zbuteshin dhe ta jetonin jetën fetare pa kurrfarë të mete e mangësie, që do ta vinin në lëvizje shpirtin njerëzor, do t’i drejtonin shikimet kah jeta e përtejme, do të ngjallnin shqetësimin më të madh në zemra përsa i përket ditës së gjyikimit dhe peshimit të çdo veprimi dhe, krahas këtyre, do të zgjonin në to sa e sa ndjesi të forta shprese. Nga kjo pikëpamje, finesa është një cilësi e veçantë e besimtarëve që përpiqen të jenë udhërrëfyes për njerëzit e tjerë. Për të, çështjet që kanë të bëjnë me besimin apo Islamin, veçanërisht ato çështje që kanë të bëjnë me fatin përfundimtar të njeriut; për shembull, përballja e njerëzve me engjëllin e vdekjes, varrosja, vuajtjet e varrit, jeta e botës së tij, çastet e gjykimit, llogaridhënia, peshorja dhe ura.

Për shembull, libri i Ebu’l Lejs es-Semerkandit, që titullohet “Paralajmërim të përhumburit”, pranohet si një nga librat më të rëndësishëm përsa i përket çështjes së finesës në të jetuarit e fesë. Në këtë vepër ai trajton kryesisht temat e sinqeritetit, Xhenetit, Xhehenemit dhe peshimit të veprave jetësore. Ndërsa, në kreun e fundit, në të trajtohet përballja e shejtanit me të Dërguarin e Allahut (pqmT). Dhe, ndërsa i trajton këto çështje, ai mund të mos ketë treguar kujdesin e mjaftueshëm për të krijuar lidhje me zinxhirin e finesës së treguar prej Buhariut, Muslimit dhe Nesaiut. Po e njëjta tematikë trajtohet edhe në veprën “Ihja” të Imam Gazaliut. Sepse ata nuk kanë parë kurrfarë të mete a pengese në trajtimin edhe të transmetimeve të dobëta rreth përnxitjes dhe frikësimit të njerëzve.

Imam Kurtubiu i nderuar, që e ka trajtuar poashtu këtë çështje në një nga librat e tij, është treguar më i kujdesshëm dhe më i matur. Pastaj, talenti i Kurtubiut, i cili është një ndër jurisprudentët më në zë të medhhebit Maliki në interpretimin e Kuranit Famëlartë. Një tjetër anë mahnitëse e tij është, që megjithëse ka jetuar në Andaluzi, ka qenë një njohës i jashtëzakonshëm i gjithçkaje që ka qenë shkruar në Lindje. Këtë mund ta dallosh po aq mirë edhe tek Ebu Haj’jani, që vinte gjithashtu nga Andaluzia. Ata, megjithëse jetonin në perëndim të botës islame, kanë arritur të sigurojnë dhe studiojnë edhe veprat e botuara në rajone të tjera islame, siç ishin Lindja e Mesme, Damasku, Egjipti, Medina apo Bagdati. Është e pamundur që të mësosh këtë përpjekje të veçantë në emër të fesë dhe besimit dhe të mos ndiesh nderim gjer në marramendje për ta.

Deri më sot, ka pasur shumë dijetarë që janë përpjekur ta tërheqin vëmendjen e besimtarëve kah finesa, si një çështje e qenësishme përsa i përket mëkëmbjes së besimit dhe të jetuarit të fesë dhe kanë botuar secili vepra tejet të rëndësishme që e trajtojnë atë. Por ç’e do, se duhet që edhe besimtarët që do t’i lexojnë ato të kenë një besim të shëndoshë, në mënyrë që ato të kenë ndikimin e synuar në zemrat dhe shpirtrat e njerëzve. Sepse njerëzit do të mund t’i pranojnë dhe përvetësojnë këto të vërteta vetëm për aq sa do të mund të jenë thelluar në besim dhe ngjitur në shkallët e njohjes së Zotit të tyre. Për aq sa do të mund të qëndrojnë të mbyllur karshi gjërave të kota të kësaj bote dhe për aq sa do të ndiejnë dëshirë dhe pasion të patjetërsueshëm përsa i përket adhurimit të Tij. Sepse, as që mund të vihet në dyshim që njerëzit, të cilët kanë arritur një ndjeshmëri kaq të lartë ndaj çështjeve të fesë së tyre, kanë për të pasur një sjellje shembullore karshi pikave kryesore mbështetëse të të jetuarit të saj. Në të kundërt, çdo fjalë e artikuluar ka për të shkuar dëm, sikur t’i ishte drejtuar murit dhe s’ka për të pasur kurrfarë ndikimi tek ata që do ta dëgjojnë.

Besimtari i vërtetë, që shqetësohet për fundin e tij

Në këtë pikë, dua që t’ju tregoj disa histori të vërteta që i kam jetuar, sa për t’ju përftuar një ide më të qartë. Kam qenë pesëmbëdhjetë-gjashtëmbëdhjetë vjeç kur kam mbajtur ligjëratën e parë në fshatin tonë. Kur kthehem tek ato ditë dhe mendoj për to, habitem; sa të edukuar, sa të thjeshtë dhe sa të mirë kanë qenë njerëzit në atë fshat! Njerëzit, të cilët kishin moshën e babait apo të gjyshit tim, dëgjonin dikë që ishte aq i ri në moshë, krahasuar me ta. Në ligjëratën e parë u jepja mësim prej “Paralajmërim të përhumburit”, ndërsa në të dytën prej “Brilanteve të ligjëruesit”. Nganjëherë përfitoja edhe prej veprash si ato të Bejdaviut, u interpretoja atyre ajete të ndryshme prej Kuranit dhe nganjëherë u tregoja edhe histori të ndodhura apo jo, por kuptimplota. Ndërsa, në mbrëmje, u shpjegoja atyre çështje të ndryshme rreth të drejtës në Islam prej veprës së titulluar “Gunyetu’l-Mutemel’li fi Sherhi Munjeti’l Musal’li” të dijetarit të nderuar, Ibrahim Halebiut.

Njëherë, pata nisur t’u shpjegoja atyre temën e sinqeritetit prej librit “Paralajmërim të përhumburit”. Xhemati pati nisur të bezdisej aq shumë prej një ndjesie të vazhdueshme dhe tejet të thellë vetëgjykimi, saqë disa syresh patën nisur të thoshin: “Ehu, e kush mund ta jetojë deri në këtë masë këtë lloj jete!” Ata ishin nga brezi i fundmë i osmanëve, të cilët jetonin ende në vitet ’50. Megjithëse bëhej çdo gjë që ata të mos e jetonin siç duhej fenë e tyre dhe megjithëse ishte përdorur çdo lloj arme dhe trysnie që ata të hiqnin dorë njëfarësoj dhe megjithëse kishin jetuar sa e sa trauma njëra pas tjetrës, fakti që ata e përkapnin kësisoj këtë çështje, me këtë lloj botëkuptimi, ishte magjepsës! Pas temës së sinqeritetit, pata nisur t’u flisja për Xhehenemin. Kaloi një ditë, dy, disa nisën të dëgjonin dhe, ndërkohë, të qanin me ngashërim. Një ditë, teksa po dilja prej xhamisë, m’u afruan nja dy vetë, emrat e të cilëve nuk kam për t’i harruar kurrë, që më thanë: “O mësues, për hir të Zotit, po Xhenet nuk ka krijuar Allahu (xh.xh.)? Mbaruam fare!” Megjithëse kanë kaluar më shumë se pesëdhjetë vjet, është e pamundur që ta harroj atë çast, madje kur e kujtoj, më duket sikur më shfaqen pranë ata njerëz. Edhe kur ligjëroja nëpër xhamitë e mëdha, në vitet në vijim, shumë rrallë kam hasur njerëz me një ndërgjegje aq të thellë.

Kjo do të thotë se mënyra se si i receptojnë njerëzit gjërat është tejet e rëndësishme. Nëse nuk e përkapni kësisoj këtë çështje, atëherë kjo do të thotë se gjendeni ende diku në anë të saj. Nga kjo pikëpamje, në mënyrë që çështjet, të cilat kanë të bëjnë me finesën në të jetuarin e fesë, të lënë ndofarë gjurme te njerëzit, duhet që ai t’i dëgjojë dhe t’i përvetësojë ato që thuhen sikur të ishin duke iu thënë atij vetë personalisht. Për shembull, ndërsa flitet për Xhenetin, ai të mendojë se mund të jetë edhe ai fati i tij; kur tema të shkojë te Xhehenemi, të mendojë se mund të jetë edhe ky fati i tij i kobshëm dhe të rrënqethet nga frika; kur tema të shkojë te sinqeriteti, t’i kalojë edhe njëherë nëpërmend të gjitha veprimet e tij dhe të mendojë se mos ka rënë në hipokrizi, që, nganjëherë, mund të bëhet fjalë edhe për shirk[2] dhe të dridhet frike. Në të kundërt, nëse disa do të llomotisin sikur të ishin duke rrëfyer histori nga më të ndryshmet dhe disa të tjerë do të dëgjojnë sikur të ishin duke dëgjuar anekdota a gojëdhëna të bukura dhe nuk do të shihen kund shenjat e të menduarit rreth çështjesh të qenësishme, siç është ajo e të treguarit të finesës në të jetuarit e fesë.

Ebu Bekri i nderuar (r.a.) është modeli i një njeriu që ka besuar me të vërtetë. Ai trembej gjithnjë se cili do të ishte fundi që e priste. Po njësoj shqetësohej mjaft edhe Omeri i nderuar (r.a.) se cili do të ishte fati i tij në fund. Po ashtu, edhe Esued ibni Jezid en-Nehaiu, i cili ka qenë një prej imamëve më të rëndësishme të shkohës nehaie në Kufe, kishte aq shumë frikë teksa po jepte shpirt, saqë në fytyrë pati nisur t’i shfaqeshin shtrembërime muskulore dhe ai kalonte nga një gjendje në tjetrën, duke marrë njëherë një ngjyrë e njëherë një tjetër. Akame ibni Kajsi që po i rrinte te koka e pati pyetur: “Ç’ke kështu, ke frikë prej mëkateve?” Mirëpo, shihni se si i përgjigjet ai: “Për çfarë mëkatesh e ke fjalën? Unë kam frikë mos vdes si mosbesimtar.”[3]

Vdekja, e cila e bën të dhimbshme çdo lloj kënaqësie

Edhe lidhja me vdekjen është një nga çështjet e domosdoshme që duhet trajtuar medoemos kur bëhet fjalë për finesën. Me lidhje me vdekjen kemi parasysh të menduarit rreth vdekjes dhe ç’vjen pas saj, sjelljen ndërmend të vuajtjeve dhe vetmisë së varrit, kujtimin e rreziqeve që e presin njeriun në rrugëtimin e pasvdekjes drejt amshimit dhe të jetuarin pa u ndarë asnjëherë prej mendimit se vdekja mund të vijë nga çasti në çast. Thënë me fjalë të tjera, lidhja me vdekjen nuk do të thotë assesi të mendosh “Hajt, se unë jam ende i ri. Tani jam ende njëzet vjeç, sido që të jetë do të kem edhe gjashtëdhjetë e kusur vite jetë. Se njerëzit po jetojnë gjer te të tetëdhjetat.” Përkundrazi, ta shohësh vdekjen si një mik që nuk dihet se kur do të mbërrijë dhe vetëm të përgatitesh për të. Siç e shpreh edhe një poet arab: “Vdekja të vjen e të godet kur s’e pret/e në vdekje gjithë ç’ke bërë të pret.”[4] Kështu që, gjithë ç’ka bërë, njeriu ka për ta marrë atje me vete si pajë.

Një ndjesi e këtillë është tejet e rëndësishme përsa i përket përgatitjes për në amshim. Sepse, nëse njeriu nuk ka ecur nëpër një rrugë të sigurt e të drejtë në këtë botë, as që mund të bëhet fjalë për ndofarë sigurie në rrugëtimin që do të nisë për të pas vdekjes. Kështu që ai do të jetë i detyruar që të bëjë një rrugëtim plot të papritura të rrezikshme. Nga ky pikëvështrim, lidhja me vdekjen e bën njeriun që të mos ndahet për as një çast prej vdekjes dhe kjo është diçka e qenësishme, duke qenë se do ta shtyjë vazhdimisht atë që të mendojë për gjithë ç’ka të bëjë me përtej varrit.

Nëse do të marrim parasysh mendimet e trajtuara në shënimin e dymbëdhjetë, duhet t’ju kujtohet se cila ishte ndjeshmëria e Bediuzamanit në këtë pikë para se të niste të shkruante Traktatet e Dritës. Ai nuk lë fjalë pa i thënë egos së vet.[5] Ç’është e vërteta, po të shihen edhe lutjet e përgjëruara të Ebu’l-Hasan esh-Shazeliut, edhe Abdulkadir Gejlanit apo Hasan el-Basriut, ku ata e gjykojnë aq rëndë veten, vërehet se edhe ata kanë treguar po të njëjtën ndjeshmëri.

Siç e dini, i Dërguari i Allahut (pqmT), ka gjasa ngase njerëzit shfaqnin nganjëherë sjellje të pahijshme karshi varreve, ua pati ndaluar besimtarëve vizitimin e varrezave. Mirëpo, kur qasja ndaj tyre pati filluar të ndryshonte, Ai iu qe drejtuar besimtarëve me këto fjalë: “Dikur unë jua pata ndaluar që t’i vizitonit varret. Tani ju them që t’i vizitoni ato, sepse ato do t’ju kujtojnë juve vdekjen.[6]

Si përfundim, kryerja, si e “urdhërimit për mirë dhe parandalimit të së keqes”, si prurja vazhdimisht në qendër të vëmendjes të të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me “finesën” në të jetuarin e fesë, janë si arteriet dhe kapilarët e gjakut në trupin e njeriut. Njësoj siç jeta e trupit njerëzor varet prej tyre dhe venave. Po ashtu, ruajtja e gjallërisë në jetën fetare varet prej realizimit të plotë të këtyre pikave kyçe të jetës fetare. Sepse kësisoj njeriu do të ketë një zemër edhe më të ndjeshme, e cila do të thellohet pandalur në të menduarit rreth fundit të saj, çdo hap do ta hedhë me kujdesin dhe maturinë më të madhe, duke bërë që çdo çast i jetës të kalojë nëpërmjet një ndjenje tejet të fortë vetëgjykimi.

[1] Bediuzaman Said Nursi, Shkrepëtimat, fq. 53 (Shkrepëtima e Dhjetë, Shpulla e Parë) [shën. përk. ~ referenca dhënë sipas botimit në gjuhën turke të marrë parasysh prej autorit.]
[2] T’i atribuosh dikujt tjetër, përveç Zotit, akt të krijimit/mundësimit të diçkaje.
[3] Shih: Ebu Nuajm, Hiljetu’l-eulija 2/103-104; edh-Dhehebi, Sijeru a’lami’n-nubela 4/52.
[4] Ibni Haxher, el-Munebihat, fq. 4.
[5] Shih: Bediuzaman Said Nursi, Shkrepëtimat, fq. 160-162. (Shkrepëtima e Shtatëmbëdhjetë).
[6] Tirmidhi, xhenaiz 60; Ebu Daud, xhenaiz 75.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.