Horizonti i profetëve në përballjen me veten – 2

Horizonti i Profetit në përballjen me veten - 2

Edhe në jetën e të Kulluarit të Allahut (xh.xh.), Ademit (alejhis’selam), si për nga koha, ashtu edhe për nga ekzistenca e tij, përballja e ashpër përbrenda me veten dhe lidhja e fortë me Krijuesin janë të pandara nga njëra-tjetra: të jetuarit përherë i drejtuar nga Allahu, duke i parë edhe rrëshqitjet më të vogla si humbjen më të madhe, vajtimet e pareshtura, shfaqja përherë e Tij përmes portave që i hapte Krijuesi në sytë e tij largpamës dhe gjuha i thoshte veç Hu!..

Profeti Adem, barku i mbarë shpirtit njerëzor, që u krijua prej një “balte të ardhur dhe një droçke lëngu” si përmbledhje e mbarë librit të universit, i nderuar me privilegjin e të qenit kible për të gjithë engjëjt dhe engjëllorët, u krijua nga bashkimi i materies, por si një krijesë e ndërgjegjshme, dhe ishte babai fisnik dhe i lartësuar i mbarë botës njerëzore, duke u nderuar edhe me titullin i Kulluari i Allahut... Fara e gjithë brezares së profetëve që do t’i vinin me radhë, njëri pas tjetrit, njerëzimit... bërthamë e gatshme për të dhënë fryte të mrekullueshme, ai ishte një pasqyrë e shkëlqimi hyjnor, duke u krijuar si një krijesë e krijuar në më të mirën e trajtjave, aq sa për t’ua kaluar edhe engjëjve. Por, përveç se ishte pasqyra gjithëpërfshirëse në njëfarë dimensioni, me strukturën e vet të brendshme dhe të jashtme ai ishte pasqyrë e shndritshme e Zotëruesit të dijes së pafillimtë, Fuqisë së pashtershme dhe që nuk buronte nga asfarë fuqie tjetër dhe Vullnetit vendimtar, ai ishte edhe çelësi i thesareve të fshehta e të mistershme të Krijuesit të gjithësisë. Vetëm me leximin mirë të anatomisë fizike dhe shpirtërore të tij do të mund të bëheshin analiza për ta vënë përpara syve të njerëzve mrekullinë e veprave, emrave, cilësive, gjendjeve dhe portave të Allahut, që është vëtë Qashtërsia. Shpirtrat e përkushtuara që do ta lexonin dhe vlerësonin kështu atë do të ecnin në një rrugë të gjerë e të drejtë që zgjatej gjer tek vetë Allahu (xh.sh.), më i Drejti, pa ndjerë as lodhjen më të vogël, me qëllimin e përhershëm të njohjes e dashurisë për Allahun dhe kënaqësinë shpirtërore në kërkimin e Qenies së pashembullt. Ndërsa një varg të gjorësh për nga fati, me zemrat të hapura ndaj çdo sinjali djallëzor, do të pengoheshin rrugëve e nuk do të bënin dot përpara, e kështu ndodhi përgjatë gjithë historisë.

Të gjithë bijtë e Ademit, nganjëherë do t’i rrihnin flatrat, duke e përdorur vullnetin e tyre, për të shkuar drejt më të mirës së shkallëve, saqë do t’i bënin edhe engjëjt që t’i kishin zili, e nganjëherë do të zilepsnin djallin në rrokullisjen e rënies së thepisur më poshtë edhe se kafshët. Te të mëdhenjtë kjo do të shfaqej si një rrëzim dhe ndotje e vogël; zemrat do t’u kishin ngelur të hapura, sadopak, ndaj djallit dhe rëniet e tyre do të kumbonin si heshtje të forta për njerëzit që gjendeshin poshtë tyre. Dhe kështu ndodhi. Të mëdha apo të vogla, rrëzimet kanë qenë pjesë e fatit njerëzor që prej atyre ditëve e gjer më sot; poende, edhe këndej e tutje do të ketë njerëz të privuar nga zemra.

E thënë me fjalët e Mehmet Akifit, “ Natyra e tij ishte më e lartë edhe se e engjëjve; tek ai gjendej e shprehur më së miri edhe gjendja jonë, të përfshira në të ishin mbarë botët,” mirëpo edhe atij do t’i ndodhte që të përballej me pengesa që donin t’ia ndotnin zemrën. Por duke qenë se gabimi i tij ishte thjesht një belbëzim në gjykim, thjesht i zbriste shpërblimi nga dy në një. Ishte sërish për t’u shpërblyer. Në fakt, edhe shkaku pse ai u prir për t’ia zgjatur dorën atyre gjërave të mallkuara, ishte se nuk e përcaktoi dot kohën e duhur të çeljes së atij iftari; e për këtë Zoti e qortoi atë ashtu siç qortohen ata që ke më pranë vetes. Ndërsa, nga ana tjetër, nga shndërrimet e forta që i ndodhën brenda shpirtit, ai nuk e kuptoi se po shtyhej për të dhënë sa e sa fryte të tjera aq të bekuara. Siç e thoshte imami i Allvarit: “ Urtësia e pemës së vërtetë, ishte Muhamedi që do të vinte!” Por këto nuk ishte edhe aq e lehtë që t’i shpjegoheshin Ademit. Kësisoj Ai e përjetoi shumë fort këtë rrëzim, ndaj edhe vajtoi gjatë gjithë jetës me ndjenjën se kishte kundërshtuar Krijuesin e tij, që e donte aq shumë.

Po, kjo zemër kaq e afërt me Allahun, vuajti aq shumë nga një ndjenjë e thellë dhe e fortë frike dhe ndrojtjeje karshi Allahut, saqë do të bëhej e pamundur për zemrën që ta duronte. Gjatë gjithë jetës jetoi me kokën të përkulur përpara; nga ndjenja e turpit që e kish kapluar nuk e ngrinte kokën dot drejt qiellit, mirëpo zemra i thoshte veç: “ Zoti ynë! Ne i bëmë padrejtësi vetes sonë; nëse nuk na pranon në thellësitë e dëshirës Sate për të falur, e të na pastrosh me bujarinë Tënde, ne do të jemi ndër të humburit.” [1] Shihni se ç’ndjeshmëri e fortë dhe e thellë për t’u përballur me vetveten dhe për të ruajtur lidhjen me Allahun (xh.xh.)! Ç’është kjo gjendje shpirtërore, me këtë maturi dhe gatishmëri kaq të thellë përballë Allahut (xh.xh.)!..

Mirëpo ka edhe diçka tjetër që na transmetohet nga disa burime të dobëta, që ia qetësonte pak plagët e zemrës: Një ditë prej ditësh, ai i ngriti duart dhe filloi t’i lutej Allahut (xh.xh.): “ O Zot! Falmë mua për hir të të Dashurit Tënd të Mirë, Muhamedit të nderuar! ” Dhe për këtë, nga shkallët më të larta qiellore i pati ardhur një zë frymëzues në shpirt, që i thosh: “Nga e njeh ti Atë?”, ndërsa përgjigja e të Qashtrit të Allahut pati qenë: “ Kur më nxorën nga Xheneti, unë u ktheva dhe e pashë portën nga dola; mbi të ish mbishkruar “Lailahe il’lallah Muhammedun Resulullah”; duke parë se ky emër qëndronte i pandarë prej emrit të Allahut, mendova se Ai duhet të ketë një vend shumë të veçantë pranë Jush, ndaj edhe gjykova që ta përdor emrin e Tij si ndërmjetës për gjendjen ku kam rënë, që Ju të më falni. ” Sulejman Çelebiu, ia thotë kështu, në mënyrë poetike, kësaj situate, në poemën e tij “Ku bashkohet mundësia me domosdoshmërinë”: “Të bëra pasqyrë të vetes Sime/emrin pranë emrit Tënd ta shkrova.” Zaten do të falej; por me këtë përpëlitje të fundit, po e siguronte përfundimisht.

Ja, kështu është përballur me veten babai i krejt njerëzimit, duke vajtuar përherë me fjalët: “O Zot, ne i bëmë padrejtësi vetes!”. Nuk e di, a na thonë ndonjë gjë neve kjo sjellje, kjo maturi dhe kjo gatishmëri për t’u përballur me veten?!. Nëse jo, atëherë kjo do të jetë ashiqare se ne jemi kthyer në disa qenie të pandërgjegjshme, të cilat kanë mbetur nën rrënojat e trupit...

Një tjetër fytyrë e rrallë e brezares së smeraldtë të profetëve është edhe Nuhu (alejhis’selam), ai që e kalonte çdo çast të jetës në lutje Allahut (xh.xh.). Ky personalitet madhështor, për vite e vite me radhë vrapoi gjatë gjithë jetës me një frymë vetëm e vetëm që populli i tij të afrohej me Allahun (xh.xh.) dhe t’i besonin Atij. Për këtë nuk mbeti fyerje pa u hedhur në emrin e tij, mori sa e sa kërcënime, mirëpo ai nuk u bezdis dhe nuk u ndrydh për asnjë çast, por vazhdoi që të thoshte veç “Allahu”. Mirëpo as fanatikët e mohimit nuk qëndronin duarbosh; e bënin në çdo rast objekt talljeje atë dhe një grusht njerëzish që qëndronin pranë tij. Përpiqeshin që t’i largonin njerëzit prej tij. Mirëpo asnjë prej këtyre sjelljeve të ndyra nuk e largonte atë nga thirrja e shpirtit; krejt e kundërta, atë e kaplonte një ekzaltim metafizik edhe më i thellë, që ta kryente përgjegjësinë e profetësisë që i ishte ngarkuar në një dimension edhe më gjithëpërfshirës, me një vendosmëri edhe më të fortë, duke ia treguar çdo gjë që ndiente Allahut, sepse donte që t’ia bënte edhe Atij të ditur gjithçka që ndodhte. Dhe, përveç se për këtë flitet gjerësisht në shumë sure të Kuranit Famëlartë, kjo jetë e veçantë është rrëfyer e përmbledhur më gjerësisht dhe më qartë në suren e madhe Nuh.

Zëri i tij ishte përherë i vuajtur... por nuk kishte as pritmërinë më të vogël për ato që bënte, duke shfaqur një shpirt të rrallë të dedikuar Allahut (xh.xh.). Dhe ja se si na e paraqet Kurani ndjenjën e tij: “ Unë nuk dua asnjë shpërblim për këtë shërbim që u bëj njerëzve, se shpërblimi im është Zoti i botëve. [2] Ja, këto fjalë thoshte dhe shfaqi një sjellje aq të pastër të sinqeritetit dhe të mospritmërisë, saqë kjo mbeti një veti e padiskutueshme dhe kusht parësor për të gjithë ata që duan të ecin në udhën e çelur prej profetëve.

Po, i Dedikuari Allahut, e përdori gjithë përgatitjen shpirtërore të tij, atë mençurinë e tij të thellë dhe zgjuarsinë që i karakterizon profetët nga njerëzit e tjerë si argumentin më të fortë për t’i thirrur njerëzit drejt Allahut, më të Drejtit, duke mos pasur as pritshmërinë më të vogël përveç të qenit i dashur prej Allahut (xh.sh.); nuk pati, por u përball edhe me gjithfarë fyerjesh e përndjekjesh nga njerëzit; nuk u lëkund asnjëherë edhe përballë sjelljeve më të ulëta. Mendjen, gjuhën dhe buzët i kishte gjatë gjithë kohës të zëna me dëshirën për t’u mësuar diçka njerëzve, e në të njëjtën kohë, zemra i përpëlitej nga ndrojtja dhe frika prej Allahut (xh.xh.), se mos bënte diçka të pahijshme që do të dëmtonte marrëdhënien e tij me Të. Kur e pa se as vuajtjet e as vajtimet nuk i sillnin ndonjë dobi në ato çfarë donte të arrinte me njerëzit, ia la ato Allahut (xh.xh.) që t’i gjykonte dhe tha “le ta gjejnë prej Zotit atë që kërkojnë”, ndërsa vetë, me urdhrin e Allahut vendosi të ndërtonte një varkë. Sa e sa fyerje e tallje që nuk u gjehej dot as filli e as fundi; nëpërkëmbje të pareshtura.

Derisa, një ditë, erdhi çasti i paralajmëruar dhe fatkeqësia trokiti në dyert e atij populli... çdo anë u përmbyt nga ujërat që rridhnin litar prej qiellit dhe dilnin me revan nga të çarat e tokës... nuk mbeti asgjë pa u mbytur, madje mes tyre qe edhe djali i tij. Por edhe në atë kohë, me zemrën e një babai, ai u lut: “O Zot! Edhe ai ishte nga të mitë dhe ishte premtimi yt!” [3] Ndërsa Allahu (xh.xh.) i iu përgjigj: “O Nuh, ai nuk ishte nga familja jote, sepse ai nuk deshi që të ishte një ndër të drejtët; andaj mos më kërko diçka për të cilën nuk zotëron dije të mjaftueshme; po të këshilloj, që të mos jesh nga ata që nuk e dinë.” [4] Dhe i Dedikuari Allahut, ashtu siç i kish hije atij, iu përgjigj: “ O Zot! Unë veç te Ti mund të kërkoj ndihmë nëse të kërkoj diçka për të cilën nuk di asjgë; nëse nuk tregohesh Ti i mëshirshëm me mua e të më falësh, unë do të jem nga të humburit. [5] Ja pra se si i qe drejtuar Allahut (xh.xh.), edhe njëherë, për t’u përballur edhe me veten me ndihmën e Allahut, pavarësisht se bëhej fjalë për të birin.

Kështu kanë vepruar gjithnjë robërit besnikë dhe përmendoret e njerëzimit që e kanë kthyer në pjesë të natyrës së tyre bindjen ndaj urdhrit hyjnor dhe dorëzimin e plotë karshi tij, kanë frymuar menjëherë drejtimin Allahut në ndjenjat dhe mendimet e tyre për çdo gabim që mund të kenë bërë në gjykim, duke bërë një jetë edhe më të përkorë për ato gjëra që i kanë menduar apo kanë bërë dhe kanë menduar se nuk shkojnë me horizontin kah i cili kanë parë. Ah sikur të gjendej edhe te ne një e njëmijëta e këtij mendimi kaq të epërm dhe e kësaj përballjeje me veten!..

Ma merr mendja, se po të na e hapë Zoti pak largpamësinë e të na falë me mirësinë e Tij një ndjenjë më të thellë për t’u përballur me vetveten, do ta shohim se sa larg janë gjërat që themi nga ato që bëjmë dhe do të na përkulen trupat më dysh nga turpi. Por ç’e do! I kemi të mbyllura portat e zemrës për ta kuptuar këtë vetëdije dhe këtë botëkuptim! I kemi të mbyllura dhe të parët vetëm të vetes na pengon që t’i shohim ato gjëra që janë për t’u parë! Ja, edhe tani kushedi se ç’na duket vetja, se ditkemi disa gjëra. Madje ka edhe ca të tjerë që pandehein se dinë gjithçka dhe shesin mend nga mëngjesi deri në muzg me këtë, por që nuk dinë asgjë prej gjërave që janë për t’u ditur, e shohin botën nga lart, mbyten vetë dhe përpiqen që t’i mbysin edhe masat e pavetëdijshme. Allahu (xh.sh.) u faltë këtyre mbeturinave njerëzore largpamësinë e nevojshme për të dalë prej injorancës së shumëfishtë në të cilën rropaten më kotë, që të largohen nga kafshërorja që i ka mbërthyer, të dalin nga kontrolli i plotë i trupores dhe t’i drejtohen jetës së zemrës dhe shpirtit. Amin!..

Ky artikull botohet këtu i rimarrë prej shkrimit hapës të revistës “Çağlayan”, numri i muajit mars. Tema e tij është vijimësi e shkrimit hapës për numrin e muajit shkurt të kësaj reviste, të cilin mund ta gjeni të botuar në gjuhën shqipe përmes lidhjes: Horizonti i profetëve në përballjen me veten – 1



[1] Araf, 7/23.

[2] Shuara, 26/109.

[3] Hud, 11/45.

[4] Po aty, 11/46.

[5] Po aty, 11/47.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.