• Home
  • Veprat
  • Shtamba e Thyer
  • Lëvizja “Hizmet” dhe pretendimet për depërtim brenda shtetit

Lëvizja “Hizmet” dhe pretendimet për depërtim brenda shtetit

Fethullah Gylen: Lëvizja “Hizmet” dhe pretendimet për depërtim brenda shtetit

Pyetje: Për Lëvizjen “Hizmet” janë hedhur shumë akuza, ku ajo akuzohet se “ka depërtuar brenda shtetit”, apo “se ka kapur shtetin”. Edhe pse ata që i janë dedikuar me gjithë zemër shërbimit, dhe ata që i njohin ata së afërmi, e dinë se këto janë veç shpifje, është një e vërtetë e hidhur që ndonjëherë këto akuza mund të shkaktojnë mëdyshje tek shumë e shumë njerëz të tjerë. Cila është sjellja dhe reagimet e duhura ndaj këtyre akuzave?

Përgjigje: Sikur t’u pyetej njerëzve: “çfarë dëshironi ju, njerëz të zotë që e bëjnë punën e tyre siç duhet, pa vjedhur, pa (u) korruptuar, duke u sjellë mirë me bashkëqytetarin; mësues, drejtorë, doktorë, inxhinierë, gjyqtarë, prokurorë, ministra, kryeministra që dallojnë për drejtësinë dhe virtytet e tyre të mira, apo të atillë që nuk u intereson fare puna që u është ngarkuar, që nuk njohin ndarje të së drejtës nga jo e drejta, për më tepër që nuk dinë të kryejnë punën e ngarkuar, por sillen paturpësisht dhe me arrogancën më të madhe me bashkëqytetarin e tyre?” Ma merr mendja, se thuajse çdokush do të zgjidhte alternativën e parë. E ja pra, siç e kanë shprehur edhe me mijëra akademikë, mendimtarë, sociologë, gazetarë dhe arsimtarë, të cilët vijnë nga shtresa nga më të ndryshmet dhe nga shoqëri nga më të ndryshmet, Lëvizja “Hizmet” përpiqet të formojë veç njerëz të cilësive të sipërpërmendura në këtë alternativë. Kështu, sa e sa njerëz të këtillë, të cilët u formuan në ato çerdhe arsimore dhe edukative që u hapën anekënd me ndihmesën dhe mbështetjen e çmuar të njeriut të Anadollit, që kanë fituar zotësitë dhe besueshmërinë më të lartë kudo ku kanë shkuar. E nëse kjo ka bërë që ata të ngjiten deri edhe në postet më të larta institucionale, nuk e di a do të ishte më me vend të quhej “depërtim brenda shtetit” apo “shërbim ndaj popullit, shtetit dhe atdheut”?

Së dyti; t’u bësh thirrje njerëzve drejt dijes, moralit, shpirtërores dhe ndjenjave të mirëfillta fetare; se, feja, morali, dija dhe shërbimi për shpirtëroren ashtu siç nuk mund të jetë monopol i askujt, është pa dyshim një prej detyrimeve më të natyrshme të vlerave ku beson një mysliman i vërtetë. Edhe të dedikuarit e edukimit, të cilët e duan këtë vend dhe këtë popull me një dashuri të rrallë, përpiqen që të komunikojnë me çdo shtresë shoqërore. Nëse në fund të këtyre përpjekjeve, shumë njerëz, përfaqësues të shtresave nga më të ndryshmet i përgjigjen pozitivisht kësaj thirrjeje, nuk e di a do të mund të quhej “depërtim brenda shtetit apo përpjekje për të kapur shtetin”, apo “shërbim ndaj popullit, vendit tënd dhe mbarë njerëzimit”?

Së treti, ka diçka që duhet thënë medoemos. Fatkeqësisht, ngase në ditët ku jetojmë një sërë sjelljesh, si dhënia e rryshfetit, korrupsioni apo nepotizmi, të cilat bien ndesh me çdo lloj kuptimi të së drejtës dhe me çdo lloj morali, janë kthyer në gjëra krejt të natyrshme e normale; nëpunësit civilë që përpiqen të punojnë dhe ta vlerësojnë pagën që marrin duke punuar, që pajtohen me ligjet dhe rregullat e vendosura, që nuk bien pre e vjedhjeve, korrupsionit apo rryshfetit, fillojnë të mos pëlqehen e të mos duhen më prej të tjerëve përreth tyre. Po, kryerja e detyrës denjësisht e brenda rregullave, duke e lidhur çdo veprim të tyre veç me moralin dhe virtytet e mira e një grupi njerëzish, mund të bëhet shkak që disa të tjerë, që mund të gjenden në pozita edhe më të larta, të cilat i shohin si porta të fitimeve të tyre të majve, të ndihen të rrezikuar. Mirëpo, çfarë duhet të bëjnë njerëzit që duan ta kryejnë siç duhet detyrën e tyre? Të mos e kryejnë atë drejtësisht dhe në përputhje me ligjet vetëm se disa të tjerë që nuk e njohin ç’është ligji mund t’u kanosen? Me fjalë të tjera, vallë mund të quhet kryerja e detyrës e bazuar veç në vlerat njerëzore dhe rregullat e ligjit si një “përpjekje për të depërtuar brenda shtetit” ose “përpjekje për të kapur shtetin”?

Psikologjia e fajit dhe reflektimi

Kur ç’është e vërteta, çdo individ i këtij vendi, - pa dyshim që mes tyre edhe unë dhe të dedikuarit e shërbimit - jemi nga një qytetar të shtetit tonë. Unë jam mirëfilli një bir Anadolli. Nuk jam racist i dhënë pas gjakut, palcës, damarëve apo përmasave të kafkës së kokës, e jam plotësisht kundër një mendësie të këtillë. Mirëpo e dua thellësisht vendin tim. Nga kjo pikëpamje, si mund të damkoset me “depërtim brenda shtetit” përpjekja e një individi për t’u bërë pjesë e një institucioni në atdheun e tij apo nxitja edhe e të tjerëve për të dhënë kontributin e tyre? Në fakt, “depërtimi” është punë e atyre që veprojnë në kundërvajtje me ligjin dhe drejtësinë, ose që i përdorin shërbimet e shtetit për interesa të ngushta të vetat. Ndoshta, për të fshehur veten, janë pikërisht këta që nisin të akuzojnëçdokënd tjetër veç vetes me fajësime të tilla.

S’ka dyshim qëçdo individ i këtij kombi gëzon të drejtën për të qenë profesionist dhe i vlerësuar për punën e tij, e kësisoj edhe të japë kontributin e tij publik në një prej institucioneve shtetërore, pavarësisht në cilën pjesë të hierarkisë shtetërore. Mirëpo, ç’e do që një sërë njerëzish kanë zënë vendet më jetike, që në një mënyrë apo një tjetër janë të lidhura drejtpërsëdrejti me fatin e vendit; nëse këta kanë ardhur dhe kanë zaptuar hipofizën, kanë marrë në dorë sistemin nervor të të shikuarit të njerëzve dhe ua pengojnë me çdo kusht shikimin, atëherë do t’i interpretojnë veprat tuaja nëpërmjet paranojave të tipit: “Shikoni, këta duan të depërtojnë brenda shtetit.”

Sepse kështu duan që t’ju shfaqin në sytë e njerëzve. Janë kapur aq fort pas kësaj gjendjeje psikologjike të paranojës, saqë sikur të trokasë apo të bjerë zilja ndonjë portë diku, ata do të ngrihen e do të thonë menjëherë “depërtim”. Se me “depërtimin” në mendje gdhijnë e ngrysen, çka i bën që të thellohen edhe më në gjendjen e tyre paranojake.

Është edhe e drejtë edhe përgjegjësi

Ndërkohë që asnjë individ i cilësdo shoqëri nuk ka nevojë që të depërtojë në institucionet që ekzistojnë pikërisht për shoqërinë në të cilën ai bën pjesë; kjo është e drejtë e tij, që të hyjë; mund të hyjë në institucionet financiare, në sistemin e drejtësisë, në punët e jashtme. E pse nuk mund të hyka secili prej bijve të një populli në institucionet e vendit të vet? Mos doni ta lidhni njeriun e Anadollit veçse me kurset e Kuranit? Vetëm atje duhet t’i nxisim njerëzit? T’u themi njerëzve, që vetëm në kurset e Kuranit, ose në medrese mund të shkoni? Jo, e kam thënë edhe dje, edhe më parë, e them sërish edhe sot, e do ta them edhe për aq kohë sa të kem jetë: çdo njeri i Anadollit, çdo qytetar i këtij shteti, ka të drejtë të aplikojë dhe të hyjë kudo. Ta privosh atë prej një të drejte kaq elementare është haptazi padrejtësi, është shkelje dhe mëkat. Mirëpo më duhet të shtoj, se t’u mbyllësh njerëzve dyert e institucioneve në vetë vendin e tyre, vjen një ditë që ky pretendim shkakton një jehonë aq të fortë në ndërgjegjje, sa zë të të klithë: “Nëse i padrejti ka padrejtësinë, i shkeluri ka Allahun/Dridhja sot popullit, e lehtëështë/nesër, në gjyqin e të Drejtit e shohim.”

Kështu që, nëse do të më shkonte zëri, do të bëja edhe njëherë thirrje, aq sa të dëgjohej edhe në skajin më të largët të Anadollit: mos i dërgoni fëmijët vetëm në kurset e Kuranit, a thjesht nëpër medrese; ashtu siç mund t’i dërgoni në to, dërgojini edhe që të studiojnë financë, mjekësi, inxhinieri, akademi rendi, në fakultetet e drejtësisë, akademitë ushtarake, etj. Ky shtet është juaji, prandaj duhet që t’u dilni zot institucioneve që e mbajnë atë në këmbë, e kjo për ju është si e drejtë, ashtu edhe përgjegjësi.

Çdokush ndryshe prej tyre është “tjetër”

Në fakt, të gjitha këto pretendime janë veç një ndër argumentet e përdorura disa njerëzve që u pëlqen dhe përfitojnë prej kësaj gjendjeje kaotike, të ngatërruar dhe të zhytur në padrejtësi në të cilën gjendet sot Turqia, jo për hir të shërbimit ndaj njerëzve, por për hir të interesave të tyre, ndaj edhe duan që kjo gjendje të vazhdojë po kështu; e një varg njerëzish që përpiqen me çdo kusht që t’ua pengojnë dhe turbullojnë shikimin njerëzve, në mënyrë që të mos dalë sheshit asnjë prej të vërtetave të vendit; e një sërë njerëzish, që jo vetëm që nuk duan që t’i humbasin postet dhe pozitat që kanë përfituar sajë detyrave të tyre publike, por duan edhe që t’ua lënë ato trashëgim fëmijëve, e pas tyre edhe nipërve dhe mbesave; e disa njerëzve që i tremben jashtëzakonisht demokratizimit të vendit, ndaj edhe luftojnë veç për ta penguar çdo hap drejt demokracisë. Një grup i caktuar njerëzish, që deri dje ishin bashkëpunonin me të tjerë, e sot me të tjerë, të cilët e konsiderojnë përparimin e popullit si rënien e tyre, që e shohin fatin e njerëzve që e bëjnë me dashuri punën e tyre si një rrezik për fatin e tyre, po përjetojnë krizën më të fortë, se do të humbasin përfitimet e tyre të gjertanishme, e ngase i tremben tejmase gjykimit për kolltuqet që kanë zaptuar dhe për batakun e rryshfetit, korrupsionit dhe hajdutërisë ku kanë rënë, nuk ndiejnë problem që të hedhin akuza të kësaj natyre. Ndihen të shqetësuar prej njerëzve të tjerë, jo si ta, sepse mund t’u bëhen pengesë që të vazhdojnë të jetojnë të zhytur në një jetë boheme dhe krejt të zdërhallur me të mirat e popullit. I shohin ata si pengesën më të madhe për të vepruar e për të jetuar sipas qejfit. Mandej, duke u mveshur petkun e mendimit ndjenjave të tyre të djallëzuara, nuk kanë lënë anë pa ngritur në këmbë me gjepurat e llojit: “Ky është grusht shteti; këta kanë hyrë kudo; nuk ka vend ku nuk kanë depërtuar…!” I kanë përsëtitur aq shumë me vete këto fjalë, saqë kanë filluar të kaplohen me të vërtetë prej paranojës, e ajo i bën që ta shohin çdokënd veç vetes armik, të mbërthyer në sëmundjen shpirtërore të të parit tëçdokujt tjetër me syrin e “tjetrit”.

Nga ana tjetër, nuk do harruar, se të gjitha këto akuza janë pjesë e një lufte psikologjike. Disa i shohin shpifjet e natyrës “i këtyre, i atyre” si rrezik dhe përpjekje për të trembur apo për t’u bërë shantazh të parëve të shtetit. Akuzojnë dhe trembin pikërisht ata njerëz që mund të bëjnë punët më të mira për të mirën e vendit, duke i penguar kësisoj që të mund të veprojnë. E kësisoj synojnë t’ua mbyllin plotësisht rrugët bijve të kombit.

Si e njeh botën; si vetja…

Ka edhe disa njerëz të tjerë, që duke i shkelur plotësisht kriteret dhe parimet e demokracisë, kanë hyrë nëçdo venë dhe nëçdo kapilar të shtetit, duke ngritur kësisoj një sundim të plotë mbi popullin. Për t’ia arritur kësaj dite nuk kanë lënë mundësi, të ligjshme të paligjshme, ç’kanë pasur në dorë, derisa kanë depërtuar fshehtazi në disa pika të caktuara të shtetit, duke u ulur tërësej mbi pasurinë e tij. Ja, këta lloj njerëzish shohin përreth veç nga prizmi i tyre; çdo lloj lëvizjeje apo organizimi tjetër, madje edhe lëvizjen më të lehtë ata fillojnë ta vlerësojnë duke e krahasuar me ç’kanë bërë vetë, të keqen që kanë brenda vetes nisin ta shohin edhe tek të tjerët, e kështu bëjnë lehtësisht gjithfarë përcaktimesh për njerëzit dhe punët e kryera prej tyre. Ngaqë kanë “depërtuar” vetë gjithandej, nuk u ngjan për gjë, që ta akuzojnë kështu edhe çdo individ, pjesë e këtij populli, që i ngjit shkallët profesionale me aftësitë dhe meritat e veta.

Ju e dini, që një hajdut kur kalon ndanë ndonjë dyqani, sytë i shkojnë fillimisht tek qepenat, mandej mendja i punon shpejt e shpejt, “se si do ta hapë më lehtë atë qepen, si do të mund ta thyejë kyçin, si do të hyjë brenda dhe për sa kohë i duhet që t’i marrë gjithëç’ka për të marrë.” Me një fjalë, që kur kalon së andejmi, hajdutit i duhet ta imagjinojë krejt vjedhjen, që të përgatisë kushtet për t’ia dalë mbanë. Vetëm me këtë merret, derisa të mbarojë punë. Ndërkohë që, i zoti i dyqanit, kur e mbyll dyqanin në të ngrysur dhe kthehet për në shtëpi, i hedh një sy qepenit dhe mendon, se vallë i ka marrë të gjitha masat karshi ndonjë vjedhjeje të mundshme; mendohet me vete, vallëështë mjaftueshëm i fortë ai kyç që ka përdorur, apo mos vallë duhet ta ndërrojë e të marrë një më të mirë. Hajduti, që e sheh këtë gjendje, por nuk e di se ai është dora vetë i zoti i dyqanit, fillon të mendojë për të: “Edhe ky nga radhët tona qenka, më duket!”

Njësoj si në shembullin e mësipërm, nëse disa i janë vërsulur fatit të vendit njësoj si dyzet hajdutët, kanë kapur institucionet më të qenësishme dhe i kanë ndarë ato ndër vete, s’ka dyshim që do t’i shohin edhe të tjerët, të cilët mund të jenë duke ngarendur në kërkim të përhapjes së virtyteve dhe vlerave më të mira njerëzore, njësoj si veten. Kur ato shpirtra të dedikuara veprojnë me mendimet më të qashtra. Ata as nëëndrra nuk i kanë parë dëshirat e kësibotshme për poste, pozitë dhe pushtet. është e mundur, që njeriu të shohë nëëndërr edhe ato gjëra, të cilat në realitet nuk i pëlqen. Mirëpo, ata janë aq larg të tillash dëshira dhe kërkesa, saqë, edhe pse një pjesë e ëndrrave burojnë prej shtresave të nënvetëdijes, ngase në nënvetëdijen e tyre nuk gjendet asnjë gjurmë kësi mendimesh. Kurse disa njerëz, ngaqë jetojnë vetëm me të tilla ëndrra e të tilla mendime, i vlerësojnë edhe të tjerët sipas kutit të tyre, i interpretojnë ata veç sipas pikëvështrimeve të veta, e si përfundim, përpiqen t’ua zënë atyre rrugën me gjithfarë shpifjesh, akuzash dhe përgojimesh.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.