Intervistë me M. Fethullah Gylen

‘Në Islamin e vërtetë nuk ekziston terrorizmi‘

Muslimanët duhet të thonë:

“Në Islamin e vërtetë, terrorizmi nuk ekziston”.

Sot, më e mira që mund të themi është se Islami nuk njihet edhe aq mirë. Muslimanët duhet të thonë: “Në Islamin e vërtetë terrorizmi nuk ekziston.” Në Islam vrasja e një njeriu është një veprim i cili është i barabartë me mosbesimin. Askush nuk mund të vrasë një qenie njerëzore. Askush nuk mund të prekë një person të pafajshëm edhe në kohë lufte. Askush nuk mund të japë një fetva (shpallje ligjore në Islam) në këtë çështje. Askush nuk mund të jetë një bombardues vetëvrasës. Asnjeri nuk mund të hyjë nëpër turma duke mbajtur bomba në trupin e tij apo të saj. Pavarësisht nga besimi fetar i njerëzve të këtyre turmave, kjo nuk është e lejuar nga ana fetare. Edhe në kohë lufte gjatë së cilës është e vështirë të ruash ekuilibrin, kjo nuk është e lejuar në Islam. Islami shpall: “Mos i prekni fëmijët apo ata të cilët luten nëpër kisha”. Kjo nuk është thënë vetëm njëherë, por është përsëritur herë pas here përgjatë historisë. Ato çfarë tha Profeti Muhamed, ato çfarë tha Ebu Bekri, Omeri dhe Osmani, janë të njëjta me ato çfarë thanë të mëvonshmit si Salahaddin Ejubi, Arpasllani, etj. Më vonë, Sulltan Fatih Mehmeti tha të njëjtat gjëra. Në këtë mënyrë qyteti i Kostandinopojës i cili ishte një katrahurë e qeverisur në mënyrë të çrregullt, u bë Stamboll. Në këtë qytet, grekët nuk i dëmtuan armenët, as armenët nuk i dëmtuan grekët. Gjithashtu muslimanët nuk dëmtuan asnjë popull tjetër. Pak kohë pas marrjes së Kostandinopojës, populli i qytetit vuri një portret gjigand të sulltanit në mur në vend të atij të patriarkut. Është për t’u habitur një sjellje e tillë në atë kohë. Pastaj historia tregon se sulltani e thirri patriarkun dhe i dorëzoi çelësin e qytetit. Edhe sot Patriarkana e kujton me respekt. Por sot, Islami ashtu si shumë gjëra nuk kuptohet siç duhet. Islami gjithmonë e ka respektuar mendimin ndryshe dhe kjo gjë duhet të kihet parasysh në mënyrë që të bëhen vlerësimet e duhura.

Me keqardhje, deklaroj se në vendet ku jetojnë muslimanët, disa udhëheqës fetarë dhe disa muslimanë të papjekur nuk kanë në dorë asnjë armë tjetër përveç asaj të interpretimit fondamentalist të Islamit. Ata e përdorin këtë armë për të rekrutuar njerëz në beteja që u shërbejnë interesave të tyre. Në fakt, Islami është një besim i vërtetë dhe ai duhet të jetohet sinqerisht. Nuk mund të përdoren mënyra jo të sinqerta për të përfituar besim nga të tjerët. Në Islam, vetëm me ndershmëri mund të arrihen objektivat, prandaj vetëm në këtë mënyrë mund të pranohet me të gjitha forcat për t’ia arritur kësaj. Nga kjo pikëpamje, askush nuk mund të fitojë parajsën duke vrarë njerëz të tjerë. Një musliman nuk mund të thotë: “do të vras një njeri që të shkoj në parajsë”. Kënaqësia e Zotit nuk mund të fitohet duke vrarë njerëz. Një nga qëllimet më të rëndësishme për një musliman është fitimi i kënaqësisë së Zotit ndaj tij, një tjetër është të bërit të njohur emrit të Zotit të Gjithëmëshirshëm në gjithësi.

Rregullat e Islamit janë të qarta. Individët nuk mund të deklarojnë luftë. Gjithashtu edhe një grup ose një organizatë nuk mund të deklarojë luftë. Lufta shpallet vetëm nga shteti. Lufta nuk mund të shpallet pa thënë një president apo një ushtri se lufta filloi. Përndryshe ai është një akt terrori. Në këtë rast, lufta katandiset duke mbledhur rreth dikujt një turmë banditësh. Po kështu, dikush tjetër mund të mbledhë të tjerë njerëz rreth vetes. Nëse njerëzit do të lejoheshin të shpallnin luftë individualisht, do të mbretëronte kaosi sepse do të formoheshin fronte lufte edhe nga njerëz mendjengushtë. Të tillë njerëz mund të thonin “Unë i shpalli luftë këtij apo atij person. Dikush që është tolerant ndaj krishtërimit do të akuzohej se ky njeri vepron kështu apo ashtu, ndihmon krishtërimin dhe e dobëson Islamin. Duhet t’i shpallet luftë dhe të vritet”. Për fat, të shpallurit e luftës nuk është kaq e lehtë. Nëse shteti nuk shpall luftë, askush nuk mund të bëjë luftë. Kushdo që e bën këtë edhe nëse janë dijetarë të cilët unë i admiroj, nuk bën një luftë të drejtë; kjo është në kundërshtim me shpirtin e Islamit. Rregullat e paqes dhe të luftës janë të vendosura qartë.

Nuk ekziston realisht një Botë e mirëfilltë Islame

Sipas mendimit tim, nuk ekziston realisht një botë e mirëfilltë islame. Ka vetëm vende ku jetojnë muslimanë. Në disa vende ka më shumë muslimanë, në disa të tjerë më pak. Islami është një mënyrë jetese, një kulturë, nuk është vetëm një besim fetar. Ka muslimanë të cilët e kanë ristrukturuar Islamin në përputhje me mendimet e tyre. Këtu nuk e kam fjalën për radikalët, muslimanët ekstremistë, por për muslimanët e zakonshëm të cilët e jetojnë dhe e shijojnë Islamin. E domosdoshme për Islamin është që një njeri duhet të besojë “realisht” dhe të jetojë në përputhje me parimet e tij. Muslimanët duhet të mbajnë mbi supe përgjegjësitë që rrjedhin nga të qenurit brenda Islamit. Nuk mund të thuhet që ndonjë shoqëri e tillë me këto koncepte dhe filozofi ekziston vërtet në gjeografinë Islame. Nëse themi që ekziston, ne jemi duke shpifur ndaj Islamit. Nëse themi që Islami nuk ekziston, atëherë jemi duke shpifur ndaj njerëzimit. Unë nuk mendoj se muslimanët do të jenë në gjendje të kontribuojnë në ekuilibrin botëror në të ardhmen e afërt. Unë nuk i shikoj administratorët tanë të kenë këtë vizion. Bota Islame nuk është në nivelin e duhur, pavarësisht nga një ndriçim i zbehtë që po vërehet në ditët e sotme. Ne mund ta vërejmë këtë fenomen gjatë haxhit. Ne mund ta shohim këtë gjë të demonstruar nëpër konferenca apo emisione televizive. Ne mund ta vërejmë këtë edhe në parlamentet e tyre në TV. Ata, pra muslimanët e tillë, nuk mund të zgjidhin problemet e botës. Ndoshta kjo mund të arrihet në të ardhmen…

Sot ka një Islam individësh. Ka vetëm disa muslimanë në vende të ndryshme të botës. Një nga një të gjithë janë ndarë nga njëri-tjetri. Unë personalisht nuk shoh ndonjë njeri i cili të jetë musliman perfekt. Përderisa muslimanët nuk janë të aftë të vihen në kontakt njëri me tjetrin dhe të themelojnë një union në të cilin të punojnë për të zgjidhur problemet e përbashkëta, për të interpretuar gjithësinë, për ta kuptuar mirë atë, për ta trajtuar me kujdes në përputhje me Kur’anin, për të shpjeguar më mirë të ardhmen dhe për të bërë projekte për këtë qëllim. Prandaj nuk mendoj se mund të bëhet fjalë për botën islame, çdo njëri vepron individualisht. Mund të thuhet gjithashtu se ka vetëm disa muslimanë me bindjet e tyre personale. Nuk mund të thuhet se ekziston një marrëveshje midis muslimanëve në lidhje me çështjet e mësipërme, e miratuar nga dijetarë të bazuar realisht në Kur’an dhe të provuar në mënyrë të përsëritur. Mund të thuhet vetëm që kultura muslimane (e një vendi të caktuar) është mbizotëruese, dhe jo kultura Islame.

Ka qenë kështu që nga shekulli V Hixhri (shek XI pas Isait). Kjo filloi në epokën e abasidëve me shfaqjen e selçukëve. Ky fenomen u rrit pas marrjes së Stambollit. Në periudhat që pasuan, dyert e interpretimeve të reja u mbyllën. Horizontet e mendimit u ngushtuan. Shumë njerëz të paskrupullt filluan të shfaqen në botën Islame; njerëz të cilët ishin të lëkundur, të cilët nuk i pranonin të tjerët, të cilët nuk ishin të hapur me të tjerët. Ky ngushtim u përjetua më së miri në strehën e dervishëve. Thuhet se kjo ndodhi edhe nëpër medrese. Dhe sigurisht të gjitha këto doktrina dhe interpretime kërkojnë ndryshim dhe ripërtëritje nga njerëz të aftë në këto fusha.

Rrjeti i Al-Kaedes

Një nga njerëzit që urrej më shumë në botë është Osama Bin Laden, sepse ai ka njollosur fytyrën e ndritur të Islamit. Ai ka krijuar një imazh të fëlliqur. Edhe nëse bëjmë maksimumin për të riparuar dëmin e tmerrshëm që ai ka shkaktuar, do të duheshin vite të tëra.

Ne flasim për perversitetin e tij kudo dhe në forma të ndryshme. Ne shkruajmë libra rreth kësaj çështjeje. Ne themi “ky nuk është Islami”, Bin Laden zëvendësoi logjikën Islame me ndjenjat dhe dëshirat e tij. Ai është një përbindësh, ashtu siç janë edhe njerëzit që qëndrojnë pranë tij. Nëse ka njerëz të tjerë të ngjashëm me ta, kudoqofshin ata, gjithashtu nuk janë asgjë më tepër se sa përbindësha.

Ne e dënojmë këtë qëndrim të Bin Ladenit. Megjithatë, rruga e vetme për të parandaluar këto lloj veprimesh, është që muslimanët që jetojnë në vendet e tyre, të jetojnë Islamin në mënyrë të tillë që të jenë në gjendje të zgjidhin problemet e veta. A thua duhet të mendojnë krejt ndryshe kur zgjedhin udhëheqësit e tyre? Ose a duhet të bëjnë reforma thelbësore? Muslimanët duhet të punojnë për të zgjidhur problemet e tyre në mënyrë që të bëjnë të mundur rritjen dhe edukimin e një brezi të ri të zhvilluar. Dhe jo vetëm çështjet që kanë të bëjnë me terrorin, një mjet i cili sigurisht nuk mund të miratohet nga Zoti, por gjithashtu edhe ato të përdorimit të drogës, cigareve dhe alkoolit të cilat janë ndalimet më të rrepta të Zotit. Mosmarrëveshjet, trazirat civile, varfëria e pafund, fatkeqësia e të qenurit të qeverisur nga të tjerët dhe fyerja që u bëhet nga vendosja e qeverive kukull nga fuqitë e huaja, janë probleme të cilat duhet t’i shtohen listës.

Mehmet Akifi ka thënë: “Skllavëria, grumbujt e të mjerëve, shitja e vetes, pranimi i gjërave jashtë të lejuarës dhe tallja, janë gjëra që i has kudo. Të gjitha këto janë mohim i Zotit, të gjitha këto kanë hedhur rrënjë tek njerëzit tanë. Pavarësisht kësaj, unë mendoj se devotshmëria ndaj Zotit varet nga të qenit një qenie njerëzore e drejtë”.

Përgjegjësia jonë

Është faji jonë, është faji i shoqërisë sonë, është faji i edukimit. Një musliman i vërtetë, një njeri që e kupton Islamin në çdo aspekt, nuk mund të jetë terrorist. Është e vështirë për një person të qëndrojë në Islam nëse përfshihet në terrorizëm. Feja nuk e aprovon vrasjen e njerëzve në emër të arritjes së një qëllimi të caktuar.

Por çfarë përpjekje duhet të bëjmë që t’i kthejmë njerëzit në qenie perfekte. Mbi cilat baza duhet të punojmë? Ç’lloj përgjegjësie duhet të marrim ne që t’u ndriçojmë mendjet atyre në mënyrë që të mos angazhohen në akte terroriste?

Njerëzit mund ta ruajnë veten nga përfshirja në terrorizëm me anë të disa virtyteve që e kanë origjinën tek Islami, si frika ndaj Zotit, frika ndaj Ditës së Gjykimit dhe frika nga kundërvënia ndaj parimeve të fesë. Megjithatë, ne nuk e kemi vendosur akoma ndjeshmërinë e kërkuar në këtë fushë. Ka patur disa përpjekje të vogla për t’u marrë me këta sfera të neglizhuara më parë. Por, fatkeqësisht ka patur pengesa të nxjerra edhe nga njerëzit tanë.

Disa thonë se nuk duhet të lejohen disa lloj aktivitetesh për të cilat kemi nevojë. Domethënë, të mësuarit e kulturës dhe moralit duhet të ndalohen në institucione edukuese. Në të njëjtën kohë ne luftojmë që çdo kërkesë e jetës duhet të vendoset në shkolla. Duhet të bëhet edukim shëndetësor nga mjekë. Duhet të flitet gjithashtu nëpër shkolla edhe për jetën në përgjithësi dhe atë në shtëpi.

Njerëzit duhet të udhëzohen se si t’ia dalin mbanë me bashkëshortët e tyre të ardhshëm dhe se si t’i rrisin fëmijët e tyre. Por kjo detyrë nuk mbaron me kaq. Si Turqia ashtu edhe vendet me popullsi muslimane vuajnë nga abuzime të ndryshme dhe korrupsioni. Nuk ka pothuajse asnjë politikan musliman, emri i të cilit të mos jetë përfshirë në disa lloje skandalesh. Ka shumë objektiva të cilat mendohej të arriheshin dhe janë arritur në lidhje me korrupsionin. Megjithatë ende ka shumë objektiva që nuk janë realizuar. Ju nuk mund të pyesni asnjeri me këtë. Ju nuk mund t’i akuzoni njerëzit. Ata janë të mbrojtur, të strehuar, të hequr mënjanë.

Këta njerëz janë rritur në gjirin tonë. Të gjithë janë bijtë tanë. Përse disa prej tyre janë bërë “djem të këqinj”? Përse sillen si tiranë? Përse janë ngritur kundër vlerave njerëzore? Përse ata e shfaqin veten si bombardues vetëvrasës në vendin e tyre?

Të gjithë këta njerëz janë rritur mes nesh. Megjithatë diçka duhet të ketë qenë e gabuar në edukimin e tyre. Kështu duhet të jetë. Sistemi duhet të ketë mangësi, disa pika të errëta të cilat duhet t’i ekzaminojmë. Këto pika të errëta duhet t’i korrigjojmë. Kohët e fundit nuk i është dhënë rëndësi edukimit njerëzor. Prandaj disa breza kanë humbur dhe janë shkatërruar.

Rinia e pakënaqur e ka humbur spiritualitetin e saj. Disa njerëz përfitojnë duke u dhënë atyre një grusht dollarë ose duke i kthyer në robotë. Ata i kanë droguar këta njerëz. Kjo është bërë temë e ditës për të cilën flitet në çdo revistë. Ata abuzojnë me të rinjtë në mënyrë të tillë që të mund t’i manipulojnë më lehtë. Ata i përdorin si vrasës nën pretekstin e disa ideve të çmendura që i kanë bërë këta të rinj të lyejnë duart me gjak. Disa njerëz me mendje djallëzore kanë përfituar për të realizuar synimet e tyre duke abuzuar me këta të rinj.

Këta të rinj kanë qenë kthyer në robotë. Dikur shumë njerëz vriteshin në Turqi. Më 12 Mars 1971 të gjithë u përfshinë në luftime të përgjakshme. Ushtria u detyrua të ndërhynte. Më 12 Shtator 1980 njerëzit u bënë dëshmitarë të një gjakderdhje të re. Gjithsecili vriste atë që i dilte përpara.

Disa njerëz po përpiqeshin të arrinin synimet e tyre duke vrarë të tjerët. Secili prej tyre ishte terrorist. Njerëzit e njërit krah ishin terroristë. Por secili e etiketonte aktin e tij me përcaktime të ndryshme. Dikush mund të thoshte: “Unë jam duke e bërë këtë në emër të Islamit”. Një tjetër mund të thoshte: “Unë po e bëj këtë për vendin dhe popullin tim”. Një i tretë mund të thoshte: “Unë jam duke luftuar kundër kapitalizmit dhe shfrytëzimit”. Këto të gjitha ishin fjalë të bukura. Kur’ani flet rreth këtyre “etiketave”. Ato janë gjëra pa vlerë. Por njerëzit vazhdonin me vrasje. Secili vritej në emër të një ideali.

Në emër të këtyre “idealeve” gjakatare shumë njerëz u vranë. Kjo nuk ishte asgjë më pak se sa terror. Secili (jo vetëm muslimanët) ishte duke bërë të njëjtin gabim. Meqenëse çdokush vepronte kështu, këto vrasje filluan të bëheshin “të realizueshme”. Vrasjet u bënë një gjë e rëndomtë. Gjithkush filloi të vriste edhe pse e dinin se vrasja ishte një veprim djallëzor. Një herë, një miku im i dashur vrau një gjarpër. Ai ishte i diplomuar në teologji dhe tani është predikues (hoxhë). Si reagim ndaj këtij veprimi unë nuk i fola atij për një muaj. I thashë: “Ai gjarpër ka të drejtë të jetojë në natyrë. Më ç’të drejtë e vret”?

Por sot, situata është e tillë që nëse 10 apo 20 persona vriten, apo nëse numri i të vrarëve nuk është aq i lartë sa mendonim, atëherë themi: “Jo edhe aq keq, nuk kanë vdekur shumë njerëz”. Kjo dhunë e tmerrshme është bërë e pranueshme nga njerëzit në një shkallë të tmerrshme. “Është gjë e mirë që numri i të vdekurve është vetëm 20-30 vetë” mund të themi. Shkurt, e tërë shoqëria ka filluar ta pranojë këtë fakt si pjesë e jetës së përditshme.

Kjo situatë mund të ishte parandaluar me anë të edukimit. Ligjet e shtetit duhet ta trajtojnë këtë fenomen. Disa grupe anësore të cilat janë duke u bërë flamurtarë dhe për rrjedhojë nuk mund të ndalen, janë duke e ekzagjeruar në gjëra të parëndësishme dhe duke bërë çështjet e rëndësishme të pavlera. Por megjithatë ekziston ilaçi për këtë. Ai është njësimi i së vërtetës drejtpërdrejt. Duhet të bëhet e qartë se muslimanët nuk mund të jenë terroristë. Përse duhet të bëhet e qartë kjo? Sepse njerëzit duhet ta kuptojnë se nëse ata bëjnë një gjë të keqe edhe nëse është e vogël sa atomi, ata do të paguajnë për këtë si në këtë jetë, ashtu edhe në tjetrën (Zelzele 7-8).

Po, vrasja e një njeriu është një gjë e rëndë. Kur’ani thotë se të vrasësh një njeri është njëlloj sikur të vrasësh të gjithë njerëzimin. Ibni Abbas thoshte se vrasësi do të rrijë në ferr përgjithmonë. Ky është i njëjti dënim me atë që u jepet mosbesimtarëve. Kjo nënkupton se një vrasës është i destinuar të ketë të njëjtin dënim me mosbesimtarët. Pra, në Islam, duke pasur parasysh dënime që jepen në Ditën e Gjykimit, një vrasës do të konsiderohet i përbuzur si ai i cili ka mohuar Zotin dhe Profetin (pra ateisti). Meqenëse ky është një parim themelor i fesë, atëherë duhet t’u mësohet të tjerëve gjatë edukimit.


(Kjo intervistë është botuar e plotë në gazetën ‘ZAMAN‘ në prill 2004, e ndjekur pastaj në përkthime në disa gjuhë.)

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.