Feja, terrori, lufta dhe nevoja për etikë globale

Terrori, i cili e paraqet veten si një lloj rebelimi kundër botës njëpolare e cila u shfaq pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik, është bërë një katastrofë globale me ngjarjet e 11 Shtatorit. Fakti që superfuqia e vetme e cila ka marrë përsipër të luftojë terrorizmin e konsideron këtë situatë si një shkak për luftë, jo vetëm që e ka bërë njerëzimin e sidomos Lindjen e Mesme të vihet përballë kërcënimit të luftës edhe një krizë tjetër, por gjithashtu ka çuar në mospërfillje apo në mospranimin e vlerave njerëzore. Për rrjedhojë, parimet e “etikës universale” dhe të “ligjit ndërkombëtar” të cilat janë shtyllat e Kombeve të Bashkuar, si një institucion i cili lindi pas eksperiencave të tmerrshme të dy luftërave botërore, janë shkelur dhe për pasojë janë shfaqur turbullira të përmasave botërore. Përballë këtyre zhvillimeve, vlerat etike dhe fetare kanë rifituar edhe një herë rëndësi të madhe.

Feja

Feja me pak fjalë mund të përcaktohet si tërësia e rregullave dhe parimeve të cilat janë dërguar nga Zoti, për ta udhëhequr njerëzimin drejt lumturisë në këtë botë dhe në botën tjetër.

Historia e fesë fillon që me historinë e njerëzimit. Shpjegimi i parë nga njerëzit në lidhje me atë që ndodhte përreth tyre, afër apo larg, u bazua tek feja. Kjo bëri që feja të luante një rol shumë të rëndësishëm në fushat që njerëzimi ka kultivuar gjatë historisë siç janë shkenca, kultura, arti, ligjet dhe etika.

Feja bën të mundur për njerëzit që të zbulojnë vlerat e larta të cilat janë fshehur në natyrën e tyre dhe kështu të përjetojë një ndriçim të veçantë.

Idetë të cilat në një mënyrë apo tjetër nuk përputhen me fenë, padyshim që mbeten njëdimensionale dhe zvogëlojnë kapacitetin për të shpjeguar ekzistencën si një e tërë. Nga ana tjetër, një fe e cila nuk çon në rezultate që e aftësojnë njeriun të bëhet më i zgjuar, çon në humbjen e vlerave të jetës në vend të pikësynimit të dëshiruar, domethënë hapjes dhe kapërcimit të horizonteve të njerëzve.

Pikërisht, ngaqë njerëzit nuk janë të aftë për të përcaktuar identitetin e tyre, pra një besim fetar, ata nuk munden as të kuptojnë vendin, rolin dhe statusin e tyre në univers. Është një fakt i qartë që specia njerëzore është krijesa më e vlerësuar. Elementi i cili i bën njerëzit që të kenë një rëndësi dhe vlerë të tillë, është struktura jonë shpirtërore dhe ajo fizike. Me vëmendjen në konstruktin fizik, ne bashkohemi në shumë karakteristika me krijesat e tjera. Ashtu si organizmat e tjerë, edhe trupi ynë është i përbërë nga qeliza, gene dhe inde. Por ajo që na bën të veçantë është aftësia jonë e të menduarit, të besuarit dhe e përfitimit të dijeve si dhe fakti që ne jemi të vetëdijshëm për këto aftësi; prandaj thuhet se, njerëzit janë qenie të ndërgjegjshme. Falë kësaj cilësie ne mund të merremi me gjëra abstrakte dhe të formulojmë koncepte të përgjithshme dhe gjithashtu ne jemi të aftë të llogarisim mendimet dhe veprimet. Këto vlera përbëjnë besimin dhe normat.

Ndërtimi shpirtëror dhe fizik (mendja dhe trupi) i qenies njerëzore, formon një qenie të kompletuar. Besimet false dhe ideologjitë e ngurta janë duke u përpjekur që të “grisin” këto qenie; ato ose janë përpjekur t’i bëjnë njerëzit qenie abstrakte që kanë vetëm shpirt, ose t’i kthejnë në qenie fizike të përbëra vetëm nga trupi i tyre. Kjo ka çuar në moskonceptimin e ekzistencës si një e tërë. Qëllimi kryesor i feve hyjnore është që të bashkojë këtë ekzistencë të ndarë me kornizën e “dijeve dhe zgjuarsisë”. Por nganjëherë edhe besimet fetare shmangen nga thelbi i tyre dhe kthehen në dogma; prandaj ato dështojnë në kryerjen me sukses të misionit për të cilin ato janë krijuar. Kur ndodh kjo, feja ose kthehet në një ideologji të ngurtë, ose në një koleksion ritualesh të shenjta.

Sipas dijetarit te njohur islam Imam Shatibi (vd. në vitin 790), shtylla bazë e fesë është përfitimi nga kjo jetë dhe nga jeta tjetër. Prandaj ruajtja e besimit, e jetës, e pasurisë, e pasardhësve dhe e mendjes janë objektivat kryesore të fesë.

Në të gjitha fetë përgjegjësitë në lidhje me specien njerëzore janë vënë për të mbrojtur këto tri gjëra: kërkesat (zaruri), nevojat (haxhi) dhe ato gjëra që përmirësojnë jetën(tahsini).

Kërkesat (zaruri) përmbajnë ato gjëra të cilat janë prezente kur dikush është duke nxjerrë përfitime, si në aspektin fetar ashtu edhe në aspektin sekular të jetës… Kjo është aq e vërtetë saqë nëse ato humbasin, bota nuk mund të funksionojë siç duhet, prishet rregulli i saj, mbretëron anarkia dhe nganjëherë mund të çojë deri në humbjen e jetës. Gjithashtu shpëtimi në botën tjetër nuk arrihet dhe është si një dhuratë që të ikën nga duart. Mospranimi është rezultati përfundimtar.

Mbrojtja e kërkesave mund të arrihet në njerëz nga dy rrugët e mëposhtme: e para është qëndrimi i palëkundur mbi themele të forta dhe rezistimi ndaj çdo lloj pengese. Kjo nënkupton qëndresën duke u mbështetur tek ato elementë të cilat tashmë janë prezent në jetë. Rruga e dytë është ruajtja nga mangësitë; domethënë ruajtja e kërkesave duke marrë masa që ato mangësi të mos shfaqen. Për shembull: besimi, dashuria e besimit, dhënia e lëmoshës, haxhi (pelegrinazhi), predikimet dhe mënyrat e tjera të ngjashme të adhurimit, kanë për qëllim mbrojtjen e fesë si fenomen ekzistues. Të ngrënit, të pirët, të veshurit, të besuarit dhe zakone të tjera të ngjashme, çojnë drejt mbrojtjes së mendjes dhe shpirtit, si fenomen ekzistues.

Etika publike është e themeluar në bazë të mbrojtjes së pasurisë dhe pasardhësve; kjo etikë nënkupton mbrojtjen e shëndetit, mendjes dhe shpirtit nëpërmjet vendosjes së disa rregullave që garantojnë sjelljen e mirë në shoqëri. Ndëshkimet të cilat kanë për qëllim nxitjen e punëve të mira dhe parandalimin e punëve të këqija, përbëjnë mbrojtjen me mënyra të tilla që të mbajnë larg realitetit të shoqërisë dhe individit elementë negativë të caktuar. Qëllimet kryesore të sheriatit janë pesë. Ata janë: ruajtja e besimit, jetës, pasurisë, pasardhësve dhe mendjes. Është për t’u theksuar se në të gjitha fetë, këto elemente bazë konsiderohen si të drejta themelore të cilat duhet të mbrohen.

Nevojat (haxhi) janë ato gjëra të cilat janë të nevojshme që të kapërcehen vështirësitë dhe problemet të cilat në përgjithësi shfaqen si rezultat i humbjes së dëshirave të përgjithshme fizike apo metafizike të njerëzve. Nëse këto nevoja nuk plotësohen, atëherë të gjithë personat përkatës mund të vihen përballë vështirësive dhe mund t’u dalin probleme. Por vështirësitë që kam parasysh këtu, të cilat kanë të bëjnë me nevojat tona, nuk janë në të njëjtën linjë degjenerimi të shkaktuara nga padrejtësitë e kryera kundër përfitimeve të zakonshme. Këto gjëra të cilat mund të pozicionohen në grupin e “Kërkesave”, kanë për qëllim mbretërinë e adhurimit, normave, sjellje në të mira dhe ndëshkimit. (Abdesi me dhé, d.m.th. tejemumi) për ata që nuk mund të gjejnë ujë, çlirimin nga detyra e agjërimit për ata që janë në udhëtim, ose të falurit ndenjur të atyre të cilët nuk janë në gjendje të qëndrojnë në këmbë, futet në rrethin e “Nevojave”.

Elementët të cilët hyjnë tek Përmirësimi (tahsini) nga ana tjetër mund të formulohen si adoptimi i zakoneve të mira dhe të përshtatshme dhe qëndrimi larg nga sjelljet e turpshme dhe djallëzore, duke ndenjur me njerëz të arsyeshëm të cilët qëndrojnë larg këtyre gjërave. Të gjitha këto lloj sjelljesh janë klasifikuar si “virtyte morale publike”, prandaj kushtet për të cilat janë të vlefshme dy çështjet e para (kërkesat dhe nevojat) janë gjithashtu të vlefshme edhe për këta të fundit. (Shatibi 2/4)

Kështu që është e pamundur të ketë një koncept feje të plotë, kur njëri nga tre parimet universale të fesë neglizhohet. Por fatkeqësisht, si në të shkuarën ashtu dhe në të tashmen, feja dhe vlerat të cilat janë konsideruar të shenjta, po duken si të lëna pas dore përballë fenomeneve negative si: agresioni, terrori dhe lufta. Në fakt ajo që e dëmton më tepër fenë është ky realitet i hidhur. Në mënyrë që të riparohet kjo situatë negative dhe të shpëtohet feja nga të përdorurit si arsye për armiqësi, udhëheqësit e botës fetare duhet të bashkohen dhe të ndërmarrin hapa drejt paqes ndërfetare, tolerancës dhe dialogut.

Terrori

Terrori është krim kundër njerëzimit. “Feja” dhe “terrori” janë dy koncepte që kurrë nuk mund të vihen së bashku. Terrori në vetvete nuk është vetëm një krim; në të përfshihen pesë krime të tjera. Një terrorist kryen krim kundër Krijuesit, kundër njerëzimit, kundër individëve të veçantë ndaj të cilëve është adresuar terrori, kundër vetvetes dhe kundër komunitetit pjesëtar i të cilit është.

Sipas Islamit, “njeriu është i nderuari i krijesave” (17:70) “është krijuar nga Zoti në formën dhe mënyrën më të bukur” (95:4). Meqenëse “Zoti është Ai që jep jetën dhe vdekjen” (3:156), është e ndaluar të vrasësh. “Mos vrit shpirtin të cilin Zoti e ka bërë të shenjtë, me përjashtim të një kauze të drejtë” (6:151). Askush nuk mund ta marrë jetën të cilën Zoti e ka dhënë. Prandaj “kushdo që mbyt një njeri pa mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa bërë ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë është sikur të ketë mbytur gjithë njerëzimin” (5:32).

Për më tepër sipas ajetit “mos e hidhni veten në rrezik” (2:195), askush nuk ka të drejtë as edhe të vërë veten në rrezik e jo më të drejtën të vrasë dikë tjetër apo vetveten. “Mos e mbytni veten tuaj, sepse vërtetë All-llahu është i Mëshirshëm për ju” (4:29). Prandaj për çfarëdolloj arsyeje në Islam “ndalimi i dëmtimit të vetvetes apo i të tjerëve” është një rregull i përgjithshëm, vrasja e njerëzve të pafajshëm është një krimi i pafalshëm kundër njerëzimit.

Në Islam të drejtat janë të ndara në tre kategori të ndryshme: “të drejtat e Zotit”, “të drejtat e njerëzve” dhe “të drejtat e përbëra”; ku dy të parat luajnë një rol të madh.

Të drejtat e Zotit konsiderohen përgjithësisht besimi në Zot dhe adhurimi ndaj Tij, së bashku me të drejtat të cilat përbëjnë dobinë dhe rregullin e zakonshëm, pa përfshirë ato të individëve apo komuniteteve. Ky koncept mund të shtrihet edhe në përfshirjen e rregullave mbi të gjitha qeniet e gjalla dhe jo të gjalla në të drejtat e Zotit.

E drejta për të jetuar gjithashtu konsiderohet si e drejtë e Zotit dhe jo e drejtë e individit. Për këtë arsye, të drejtat e Zotit nuk mund të bëhen objekt e as të hiqet dorë prej tyre, siç mund të bëhet në të drejtat e tjera. Këto të drejta nuk mund të hiqen apo të ndryshohen nga njerëzit apo qeveritë. Vetëm Zoti mund të bëjë ndryshimin e rregullave të Tij. Aktet e terrorit të kryera në vitet e fundit nganjëherë të konsideruara si një rebelim kundër vlerave moderne, nganjëherë edhe si mënyrë për bërjen të njohur edhe fitimin e audiencës, përmes akteve individuale apo kolektive të vetëvrasjeve, janë që të gjitha të jashtëligjshme në Islam. Për asnjë lloj arsyeje individi nuk ka të drejtë të veprojë në atë mënyrë. Disa nga këto incidente vijnë si pasojë e keqkuptimit apo keqinterpretimit të fesë, ndërsa të tjerat burojnë nga mungesa e ndërgjegjes dhe dijeve fetare.

Megjithatë fakti që këto akte janë bërë të zakonshme, është një çështje e cila duhet të analizohet. Cilido qoftë themeli i këtyre akteve, arsyet që e çojnë një person të kryejë terrorizëm duhet të zbulohen dhe të çrrënjosen; kjo është një detyrë e domosdoshme e njerëzimit. Mbajtja e kësaj situate gjallë, mbyllja e njërit sy para këtyre gjërave për arsye të parëndësishme, apo mbështetjen ndaj atyre që kryejnë akte të tilla, në mënyrë që ata t’i përsërisin prapë ato, duhet të vlerësohet gjithashtu si krim kundër njerëzimit.

Nga ana tjetër, nuk duhet të injorohet fakti që narcizmi dhe ndjenjat agresive luajnë një rol të madh në përcaktimin e sjelljeve të njerëzve. Ndjenja e “dashurisë për veten”, një ndjenjë e cila e aftëson njeriun për të mbrojtur vetveten, kërcënohet në ndonjë farë mënyre dhe rezultati është përgjithësisht një gjendje e tillë, ku personi e ndjen veten të turpëruar dhe të fyer. Kjo e nxit individin të angazhohet nëpër aksione agresive në mënyrë që të vërë nderin e humbur në vend. Për më tepër, “injoranca” apo dijet e gabuara dhe false dhe fanatizmi fetar përgatisin një fundamentalizëm. Ky i fundit i hap dyert terrorizmit. Kur fusha e mbretërimit të injorancës është feja, situata bëhet akoma më e komplikuar. Njerëzit të cilët nuk janë të informuar siç duhet në lidhje me fenë e tyre, nuk mund të vendosin një lidhje të shëndetshme midis vlerave në të cilat besojnë dhe jetës të cilën ata drejtojnë. Rrjedhimisht ata e humbasin lidhjen me jetën dhe fillojnë të adoptojnë sjellje jollogjike ose fillojnë të përbuzin vlerat e tyre dhe të zhvillojnë kompleksin e inferioritetit. Të gjitha këto janë qëndrime të gabuara.

Është e provuar që terrori është rrjedhojë e rrethanave dëshpëruese të cilave nuk mund t’u gjendet zgjidhja. Rrethanat dëshpëruese burojnë nga injoranca ndërsa pazotësia nga mosposedimi i mjeteve të nevojshme. Individët, shoqëritë e të cilëve nuk janë të pajisur në mënyrë të mjaftueshme me zgjuarsi dhe edukim intelektual, prodhojnë probleme në vend të zgjidhjeve dhe ato janë më të hapur ndaj abuzimit me të nga të tjerët. Për më tepër, problemet e shfaqura nga dështimi i përdorimit të plotë të burimeve që kanë në dispozicion, çojnë në paaftësi e cila i hap rrugë agresionit.

Fakti që koncepti i Xhihadit përdoret në aktet e terrorit, akte të cilat kanë marrë popullaritet në botën Islame falë arsyeve të ndryshme si ato që theksuam më lart, e ka bërë këtë koncept një çështje shumë të diskutuar sot.

Xhihadi

Nga pikëpamja gjuhësore, fjala xhihad ka kuptimet e mëposhtme: përpjekje, mund, sprovë, përballim i diçkaje, nxjerrja e gjalpit nga qumështi dhe e fundit të ndjerit i uritur. Në një betejë përdoret forca dhe bëhen përpjekje, prandaj duke u nisur nga kjo, xhihadi gjithashtu nënkupton edhe një luftë aktive. Sido që të interpretohet, kur shqyrtohen të gjitha kuptimet e ndryshme të tij, dalin në pah katër dimensione të xhihadit:

a) Dimensioni mbrojtës: Ky koncept zakonisht shoqërohet me termin “xhihad”, “gaza” dhe “harb”. Megjithëse fjala “xhihad” në formë të ndryshme të lakimit është përmendur 34 herë në Kur’an, vetëm katër prej tyre përdorimi i referohen direkt luftës (9:41, 9:73; 25:52; 66:9). Megjithatë, meqë shumica e ajeteve të cilët përmbajnë fjalën “xhihad” gjenden në fragmente që kanë të bëjnë me subjektin e luftës, ky kuptim i veçantë ka tendencën të marrë mënyrën e mësipërme të interpretimit.

b) Dimensioni psikologjik: Mendimtarët Islamë e veçanërisht sufistët përdorin termin “muxhahede”, të rrjedhur nga e njëjta rrënjë në mënyrë që të shprehin dimensionin shpirtëror të xhihadit. Ky term ndahet në tre kategori: muxhehede kundër armikut është Xhihad; muxhahede kundër djallit është takva (devotshmëri): kurse muxhahede kundër dëshirave trupore (nefsit) është rijadha (ashpërsi). Dhjetë ajete që përmbajnë fjalën xhihad në Kur’anin e shenjtë kanë lidhje me kategorinë e tretë, pra me rijadhan. (22:78; 9:24; 9:88; 2:218; 3:140; 49:15; 5:35; 5:95; 29:6; 60:1).

c) Dimensioni intelektual: Këtu shprehet nga termi ixhtihad (interpretim) dhe tetahkur (mendim i thellë). Ixhtihadi nënkupton bërjen e përpjekjeve të mëdha për të arritur një objektiv të vështirë. Juristët Islamë e përkufizojnë termin ixhtihad kështu: Përpjekjet e bëra nga një jurist për të arritur në një urdhëresë fetare bazuar në çështje që rrjedhin nga supozime dytësore. Kjo nënkupton përpjekjen e një dijetari Islam për të arritur në një vendim, duke përdorur të gjitha aftësitë e tij intelektuale në çështjet fetare dhe ato jofetare (9:122).

d) Dimensioni social: Ky nënkupton shërbimin ndaj gjithë komunitetit dhe luftës kundër padrejtësive. Nga kjo pikëpamje, fjala “xhihad” nënkupton ndihmën ndaj njerëzve dhe luftë për parandalimin e veprimeve të padrejta. (5:54; 9:19; 8:72; 16:110; 29:6; 29:8; 31:15).

Ka shumë hadithe të cilat janë të përqendruara në aspektin psikologjik të “xhihadit”. Transmetohet se pas kthimit nga një betejë Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të) tha: “Erdhëm nga Xhihadi i vogël në atë të madhin”.1 Gjithashtu Profeti (a.s.) ka thënë: “Muxhahid është ai që bën xhihad kundër dëshirave të tij trupore (nefsit)”.2 Hadithi në vijim e bën të qartë në aspektin social të xhihadit: “I Dërguari i Allahut e pyeti njërin nga shokët e tij i cili donte të merre pjesë në xhihad (në sensin e luftës) se a i kishte prindërit gjallë. Pasi mori përgjigjen pozitive, Profeti i tha këtij njeriu që të bënte Xhihad për ta (domethënë t’u shërbente atyre në vend që të shkonte në luftë).3

Profeti (a.s.) një herë tha: “Ata që punojnë për vejushat dhe të varfërit, janë sikur ata që bëjnë xhihad për Zotin”.4 Gjithashtu ai ka deklaruar se: “Xhihadi më i madh është të folurit fjalë të vërteta dhe të drejta ndaj një ligjvënësi tiran”.5 Duke u përqendruar tek aspekti intelektual i Xhihadit, ka një mori hadithesh të cilat vlerësojnë të thelluarit në mendime e kërkime, si dhe fitimin e dijes si atë fetare, ashtu edhe atë jofetare.

Siç shihet, në Islam dimensioni social, intelektual, psikologjik dhe ai human i Xhihadit janë më të përmendura sesa dimensioni i cili ka lidhje me luftën. Në literaturën islame nuk nënkuptohet domosdoshmërisht lufta. Kjo fjalë ka filluar të përdoret në vend të fjalës luftë thjesht vetëm nga fakti sepse njerëzit përdorin të gjitha energjitë dhe forcat e tyre, kur bëjnë luftë ndaj armikut. Në Kur’an vërehet se ka fjalë të tjera të cilat nënkuptojnë drejtpërsëdrejti luftën, siç janë fjalët kital, harb, muharaba dhe maaraka. Siç ka theksuar dijetari i njohur Islam Muhammed Hamidullah, luftërat të cilat nuk janë në përputhje me qëllimet për të cilat Zoti i ka legjitimuar ato, janë të ndaluara në Islam. Luftërat në të cilat mori pjesë Profeti (a.s.) ishin luftëra të cilat kishin për qëllim mbrojtjen, ndëshkimin e atyre që bënë aleancë me ata që luftuan kundër muslimanëve, apo që tradhtuan komunitetit Islam, duke shkelur marrëveshjet e lidhura më parë, ose kishin për qëllim ruajtjen e tokave Islame. Për këtë arsye, bazat e luftërave të muslimanëve, kurrë nuk kanë qenë agresioni, grabitja dhe plaçkitja. Përkundrazi, qëllimi i këtyre konflikteve ka qenë gjithmonë krijimi i një mjedisi në të cilën njerëzit të mund të zgjedhin lirisht sistemin e besimit që duan të ndjekin. Për rrjedhojë, “pushtuesit” Islamë i lanë të lirë popujt e vendeve të tjera. Dhe këto ishin ata që zgjidhnin lirisht të konvertuarit në muslimanë, apo të jetuarit nën ligjin Islam, duke iu nënshtruar sistemit të tatimit për frymë (xhizjes), i cili është një alternativë ndaj zekatit dhe sadakasë të cilat janë taksa që qytetarët muslimanë janë të detyruar t’i paguajnë.

Islami që nga fillimet e tij ka insistuar në trajtimin e mirë të jomuslimanëve që jetojnë në vendet të cilat ishin nën udhëheqjen Islame, pa marrë parasysh nëse këto jomuslimanë ishin banorë të atyre vendeve apo nëse vendoseshin më vonë atje. Veçanërisht u trajtuan mirë të krishterët dhe hebrenjtë, të cilët konsideroheshin si “ithtarë të Librit” (Biblës dhe Ungjillit). Transmetohet se edhe në frymën e fundit, Profeti (a.s.) e porositi popullin e tij t’i trajtonte mirë jomuslimanët. Ai ka thënë se “ata të cilët i trajtojnë keq kristianët dhe hebrenjtë, do të japin llogari në Ditën e Gjykimit”.6; “Ata që i bëjnë padrejtësi hebrenjve dhe kristianëve nuk do të hyjnë në xhenet.”7

Në Islam, edhe në kohë lufte, fushave dhe pemëve nuk mund t’i vihet zjarri dhe as nuk mund të shkatërrohen tempujt dhe ndërtesat. Vrasja e grave, fëmijëve, të moshuarve, të paaftëve dhe e pjesëtarëve të klerit, është e ndaluar. Taksat e mbledhura nga popullsia jomuslimane (xhizja) nuk mund të përdoren për të mbuluar shpenzimet e muslimanëve, ndërsa lëmosha e mbledhur nga muslimanët mund të përdoret për t’u ardhur në ndihmë jomuslimanëve nevojtarë.

Në një dekret të Kalifit Omer i cili iu dërgua Musa el-Eshariut që ishte guvernator i Basras, urdhërohet që të gjithë personat që shkonin për ndonjë nevojë të trajtoheshin njëlloj dhe se të gjithë ata që të cilët u drejtoheshin gjykatave, duhet të qëndronin së bashku në sallën e gjyqit. Gjykatësi duhet të ishte i paanshëm gjatë një gjyqi pa dallim bindjesh fetare. Aty theksohet se: “të pasurit nuk duhet të mendojnë se ju do të gjykoni padrejtësisht dhe të varfërit nuk duhet të mendojnë se ndaj tyre bëhet padrejtësi”.

Lufta e Shenjë dhe Lufta e Drejtë në Krishtërim

Në kristianizëm, i cili e ka paraqitur veten si një fe që është në anën e paqes, koncepti i luftës zë një vend të rëndësishëm. Kristianët të cilët kanë vuajtur shumë sidomos gjatë epokës romake, zgjodhën “rezistencën pasive” si mënyra e tyre për t’i dhënë fund despotizmit romak dhe e anashkaluan luftën si aspekt të kësaj feje. Ata preferuan që t’i kushtojnë vëmendje aspekteve të paqes dhe tolerancës që përmbushin në të.

Duke filluar që nga Marcioni i Sinopit, shkrimtarët e hershëm kristianë donin të vinin në dukje zëvendësimin e asaj që jepej në Dhjatën e Vjetër, që Zotit Jehova dënon me ligjet “krijuese dhe gjykuese”, me atë që jepej në Dhjatën e Re (Ungjill), që “Shpëtimtari, Falësi dhe Zoti i Dashurisë, është Mesihu, Krishti”.

Sipas shkrimeve kristiane, urdhrat më të mëdha që Zoti ka dhënë janë dashuria ndaj Zotit dhe ndaj fqinjit. Ngaqë Jezusi e preferonte këtë temë, ai gjithashtu predikonte që njerëzit duhet ta duan njëri-tjetrin, ashtu siç i donte ai apostujt e tij.

Siç citohet tek Gospelët sipas Mateut, Jezusi tha këto fjalë:

“Unë po ju them që të mos i rezistoni së keqes; por nëse dikush ju qëllon në faqen e djathtë, ju kthejani edhe anën tjetër. Dhe nëse ndonjë njeri do t’ju padisë në gjyq dhe do t’ju marrë xhaketën, jepjani edhe petkun gjithashtu. Nëse dikush ju detyron të ecni 1000 hapa, ju ecni 2000.” (Mateu, 39-40-41).

Ne vërejmë që krahas këtyre mesazheve të dashurisë, mesazhet e luftës zënë një vend të madh në Testamentin e Vjetër.

“Mos mendoni se unë kam ardhur për të sjellë paqe në tokë. Unë nuk kam ardhur për të sjellë paqen por shpatën. Sepse unë kam ardhur për të vënë djalin kundër babait të tij, vajzën kundër nënës së saj dhe vjehrrën kundër së resë së saj” (Mateu 10:34-35).

“Ju mendoni se unë kam ardhur për të vendosur paqen në tokë? Unë po ju them: Jo, përkundrazi, ndarjen. Sepse tani e tutje, pesë veta të një shtëpie do të ndahen, tre kundër dy dhe dy kundër tre. Babai do të ndahet nga djali dhe djali nga babai; nëna do të vihet kundër vajzës dhe vajza kundër nënës; vjehrra kundër së resë dhe e reja kundër vjehrrës”. (Luka 12: 51-53)

Sipas Biblës, aktet e dhunës dhe katastrofat do të ndodhin në kohën e fundit në mënyrë që të përgatisin botën për ardhjen e dytë të Jezusit, i cili me një shufër hekuri do të vendosë rregullin (mbi ata) dhe enët prej balte do të thyhen nga dridhjet. (Shpallja 2: 27-28)

“Dhe engjëlli i katërt oshëtiu, një e treta e diellit u godit ashtu siç u godit një e treta e hënës dhe një e treta e yjeve; kështu që një e treta e tyre u errësua dhe dita nuk shkëlqen në një tretën e saj dhe nata gjithashtu.” (Shpallja 8:12).

Në sondazhet që janë bërë në SHBA, është zbuluar se rreth 30% e popullsisë beson në fe, beson se fundi i botës do të vijë me anë të luftërave të Armagedonit. Grupe fanatike kanë dalë në skenë, disa prej të cilave madje kanë kryer edhe vetëvrasje kolektive. P.sh. Xhim Xhons, lideri i sektit “Populli i Tempullit”, në një nga predikimet e tija më 1978 tha se botës i ka ardhur fundi dhe pastaj foli për Armagedonin e treguar në Bibël. Ai tha: “Dita e Gjykimit është tek këmbët tona, le të shkojmë në të dhe të jemi të parët e turmës”. Siç dihet, 913 njerëz vranë veten për të arritur këtë qëllim. (Holsel 2002, 21). Nga ana tjetër, disa grupe kristiane besojnë se botës po i vjen fundi dhe e ndjejnë se duhet të jenë afër Mesisë, prandaj shkojnë në Jeruzalem për të vdekur. Profesor François Mayer deklaron se që nga viti 1850, shumë njerëz kanë lënë SHBA për të shkuar në Palestinë për këto qëllime.

Kur njerëzit filluan të shtypeshin, si p.sh. Donatasi dhe Donatistët të cilët nuk e pranuan Patriarkun e vendosur nga Kostandini në shekullin e IV (e.s.), ashtu siç bënë edhe Ariusi, Makedoniusi, Nestoriusi dhe pasuesit e tyre, karakteri paqësor i krishtërimit u dëmtua.

Në shekullin e V kur hordhitë barbare terrorizuan Romën, shenjtori i famshëm kristian Shën Agustini tha se lufta duhet të legjitimohej për kristianët në rrethana të tilla dhe ai ishte i pari që shfaqi idenë e “luftës së drejtë”. Në shekullin e XIII, Shën Tomasi e zhvilloi dhe e sistemoi këtë koncept. Sipas tij, për të përkufizuar një luftë si “luftë e drejtë”, duhet të kihen parasysh tre parime:

1. E drejta për të shpallur luftë u takon autoriteteve legjitime.

2. Ajo duhet të bazohet në mbrojtjen kundër agresorit ose në një çështje të drejtë siç është mbrojtja e të drejtave të besimtarëve.

3. Ajo duhet të mbështetet në pavarësinë e së mirës dhe në çrrënjosjen e së keqes.

Duke filluar që nga shekulli X me ripushtimin e Spanjës dhe me Kryqëzatat, në literaturën kristiane të Evropës Perëndimore hyri një koncept i ri, ai i “Luftës së Shenjtë”.

Ky koncept përmbante një argument që nxiste sulmet dhe luftën e legjitimuar duke u mbështetur në arsyetimin: “Zoti ka armiq të cilët duan të shkatërrojnë të gjithë ata që i nënshtrohen Zotit. Armiqtë e Zotit janë ata të cilët janë kundër Krishtërimit, fesë së vërtetë të Zotit, prandaj ata duhet të luftohen dhe të shkatërrohen”.

Në shekullin e XIV, Shën Rajmond Lulle (me origjinë spanjolle) një njeri i cili vazhdimisht përgojonte konceptin e Xhihadit në Islam, tha: “Misionarët të cilët përpiqen të konvertojnë muslimanët në kristianë, para së gjithash duhet të kenë dashuri për parimet e tyre. Ata duhet të përdorin rrugën e Jezusit për ta bërë këtë.

Së pari, duhet t’i lenë të lirë muslimanët të zgjedhin midis krishtërimit dhe fesë së vet në bazë të vullnetit të tyre të lirë. Por nëse ata rezistojnë pasi t’u jetë folur rreth krishtërimit, fesë së vërtetë, atëherë mund të legjitimohet përdorimi i forcës për t’i detyruar ata të pranojnë krishtërimin” (Ramon 1983, 375).

Kryqëzatat të cilat vazhduan për mëse 300 vjet, lanë kujtime të hidhura dhe të pakëndshme, si në shoqëritë perëndimore të cilat i iniciuan atë, po kështu edhe në gjirin e muslimanëve. Për këtë arsye, termi “Lufta e Shenjtë” u mënjanë për ta zëvendësuar me konceptin e “luftës së drejtë” që nënkupton luftën e “së mirës kundër së keqes”.

Me Revolucionin francez dhe me Rilindjen, konteksti fetar i këtij koncepti humbi dhe ai veshi një petk sekular. Në bazë të këtij “petku të ri”, një “luftë e drejtë” është ajo e cila nuk ka për qëllim agresionin, por luftën mbrojtëse. Mund të ketë një grup njerëzish të cilët rebelohen ndaj një qeverie tirane e për këtë arsye dhe vihen përballë tiranisë. Në këto raste mund të bëhet ndonjë ndërhyrje me një autoritet legjitim në mënyrë të kufizuar. Ky koncept është shtruar së pari për diskutim në kohët moderne nga Michael Welzev i cili kundërshtoi luftën e Vietnamit, duke u nisur nga legjitimiteti dhe dimensionet etike të saj.

Paqja e përhershme

Filozofi gjerman Emmanuel Kant, zhvilloi termin “Paqja e përhershme” të shkruar aty nga fundi i jetës së tij. Ai parashtroi aspektet teorike, politike dhe ligjore të idesë së “paqes së qëndrueshme” dhe i shtjelloi ato në shpjegimet e tij rreth mënyrës së ndërtimit të një bote pa luftë. Kanti flet për 6 parime bazë të institucionit të “paqes së qëndrueshme” në Tokë.

1. Asnjë traktat paqeje nuk duhet të konsiderohet i vlefshëm nëse ai heshturazi lë shteg të hapur për një luftë të ardhshme.

2. Asnjë shtet i pavarur, i madh apo i vogël qoftë, nuk duhet të jetë nën dominimin e një shteti tjetër si pasojë trashëgimisë, shkëmbimit, blerjes apo dhurimit.

3. Shërbimi ushtarak me kalimin e kohës duhet të hiqet.

4. Borxhet e jashtme nuk duhet të bëhen shkak për fërkime mes shteteve.

5. Asnjë shtet nuk duhet të ndërhyjë me forcë në Kushtetutën apo qeverisjen e një shteti tjetër.

6. Asnjë shtet gjatë luftës nuk duhet të kryejë akte të tilla armiqësie të cilat mund të bëjnë të pamundur arritjen e paqes siç janë: punësimi i vrasësve, përdorimi i lëndëve helmuese, shkelje të marrëveshjes së kapitullimit si dhe nxitja e tradhtisë në shtetet kundërshtare.

Sipas Kantit, për t’u realizuar “paqja qëndrueshme”, secili duhet të mbajë mbi vete përgjegjësi, prandaj duhet që të kultivohen vlera të tilla si “qëllimet e mira” dhe “etika e detyruar”. Prapa gjendjes së paqes apo të luftës duhet të qëndrojnë çështjet e etikës. Natyra e njerëzimit është garancia më e madhe për propagandimin e paqes; nuk ka asnjë pengesë në këtë rrugë.

Por është fakt që etika dhe politika zakonisht bien në kontradiktë me njëra-tjetrën. Me qëllim lehtësimin e kësaj kontradikte, “trashendentalizmi” i cili është një pikë fillestare në idealizmin e Kantit, duhet të aplikohet në fushën e ligjit universal.

Ideali i Kantit u përpoq të vihej në zbatim me themelimin e OKB-së pas Luftës së Dytë Botërore. Por situata në të cilin kemi arritur sot, të jep përshtypjen se jemi më mbrapa sesa ishin para kësaj lufte. Mënyrë e vetme për ta ndaluar këtë rrjedhë ngjarjesh, është zhvillimi i konceptit të etikës globale.

Nevoja për etikë globale

Fakti që problemi më i madh me të cilën përballohet sot shoqëria moderne nuk është problemi ekonomik, politik apo social, por problemi etik, është tashmë shumë i qartë. Është e pamundur për një shoqëri së cilës i mungojnë shtyllat etike të qëndrojë në këmbë. Lestie Lipson mendon në mënyrë të ngjashme:

Qytetërimi perëndimor ka nevojë më shumë se kurrë për një revolucion etik i cili të jetë në përputhje me humanizmin. Shoqëria perëndimore i është dorëzuar dështimit në gjysmën e parë të këtij shekulli dhe që nga ajo kohë ajo është zvarritur duke shkuar buzë greminës.

Ata të cilët janë fajtorë për këtë, janë shkencëtarët të cilët nuk kanë mbajtur përgjegjësi për rezultatet etike të zbulimeve të tyre, ekonomistët të cilët pretendojnë se prodhimet për qëllime ekonomike nuk janë të lidhura me parimet etike, të diplomuarit për shkenca politike, të cilët e kufizojnë vetveten në formimin e metodave teknike, sistemet e qeverisjeve dhe gjithë të tjerët të cilët nuk bëjnë dallim midis dijeve të mira dhe të këqija, duke mbyllur njërin sy ndaj gjërave të cilat janë më të dëmshmet e shoqërisë.

Perëndimi i cili vuan nga marramendja falë suksesit të tij material, e ka lejuar materializmin dhe superioritetin tregtar që vjen krahas ti, të mbizotërojë mbi çdo gjë tjetër. Sot, adhurimi i viçit të artë (20:88) është zëvendësuar nga adhurimi i produkteve kombëtare të shndërruara në idhuj. Por objektivat duhet të jenë të tjera gjëra. Ato duhet të shihen tek humanizmi, qytetaria e mirë dhe shoqëria e mirë. Në historitë e të gjitha qytetërimeve, në të gjitha fazat e zhvillimit njerëzor, njeriu mund të vihet përballë së keqes. Por ne e kemi damkosur veten me futjen e të këqijave të reja në shekullin XX. Të gjitha këto të këqija vijnë si pasojë e metodave të papërgjegjshme që ne përdorim bashkë me teknologjinë në jetën tonë të përditshme. Ekzistenca e armëve bërthamore, ndotja e mjedisit dhe shkatërrimi i tij i padrejtë, revoltat popullore në vendet ku standartet e jetesës janë të ulëta; janë problemet që nëse nuk zgjidhen, pasojat do të jenë njëra nga dy skenarët e mëposhtme: Ose cilësia e qytetërimit në të gjitha anët e botës do të bjerë duke përfshirë edhe shtresat e pasura, ose planeti do të shndërrohet në një ambient të pakëndshëm për t’u jetuar.

Prandaj natyrshëm na lind kjo pyetje: Çfarë duhet të bëjmë ne, i gjithë njerëzimi, në mënyrë që t’i shmangemi kësaj rrjedhe ngjarjesh? Sipas mendimit tim ato për të cilat kemi nevojë, janë ndryshimet rrënjësore, të cilat duhet të fillojnë që nga bazat e shoqërisë, pra që nga familjet. Vetëm një ndryshim i plotë dhe radikal mund të na shpëtojë nga katastrofa. Për këtë qëllim nevojiten dy gjëra:

E para kryerja e revolucionit në institucione dhe e dyta në vlerat tona. Nëse qytetërimin duhet ta mbrojmë ose nëse duam që ai të vazhdojë të lulëzojë, këto dy domosdoshmëri duhet të shkojnë dorë më dorë. (Lipson 2000, 298-300).

Mendimtari i famshëm amerikan me orgjinë japoneze, Francis Fukujama, i cili ka tërhequr interes me tezën e tij “Fundi i Historisë”, argumenton se në rrënjët ë zhvillimit të shoqërisë dhe progresit, qëndron ndjenja e besimit, prandaj mirëqenia sociale nuk mund të arrihet pa një ndjejë të tillë.

Ndjenja e besimit varet nga krijimi i një strukture sociale-civile të fortë. Shoqëritë civile kanë një ndërtim kompleks që përfshijnë firmat, institucionet arsimore, OJQ-të, mediat, unionet, organizatat e bamirësisë, klerikët dhe institucionet fetare.

Shoqëria civile është e ndërtuar mbi institucionin e familjes e cila i përcjell vlerat dhe njohuritë që i takojnë kësaj shoqërie nga brezi në brez dhe punon për fitimin e cilësive të cilat e bëjnë individin të aftë të jetojë në një shoqëri më të gjerë. Por një strukturë familjare e fortë dhe e qëndrueshme dhe institucione sociale të tilla që të kenë vazhdimësi, nuk arrihet përmes ligjeve siç ndodh me qeveritë, bankat dhe ushtritë. Një shoqëri civile e suksesshme është e ndërtuar mbi bazën e traditave, zakoneve dhe vlerave etike të individëve.

Në socializimin dhe në përparimin e mirëqenies sociale, forca më e madhe propaganduese është kultura. Për këtë arsye, shoqërive u duhet të bëjnë përpjekje të mëdha për të ruajtur vlerat kulturore të cilat i kanë trashëguar nga paraardhësit. Veprimet e arsyeshme dhe vlerat pozitive nuk mund të vijnë gjithmonë si rezultat i vetëdijes personale; ato duhet të bëhen gjithashtu vlera morale dhe shpirtërore.

Në shekullin XXI ndihet nevoja për masa të cilat do të nxisin mirëbesimin mes shoqërive të ndryshme. Kjo mund të arrihet vetëm nga ndërthurja e kulturave tradicionale me institucionet moderne në mënyrë të qëndrueshme. Aktiviteti ekonomik në botën moderne nuk kryhet nga individë, por nga organizatat të cilat kanë nevojë për bashkëpunimin social të mëtejshëm. E drejta e pronës, kontratat dhe ligjet tregtare, janë një institucion thelbësor për formimin e një sistemi ekonomik me tendenca drejt tregut modern. Por institucione të tilla janë domethënëse vetëm kur çiftohen me kapitale sociale dhe me besim.

“Unë nuk mund të deklaroj se këto norma dhe rregulla sociale nuk janë moderne. Në mënyrë që demokracia moderne të funksionojë, vlerat racionale dhe etike duhet të bashkekzistojnë. Ligjet, kontratat dhe racionaliteti ekonomik, janë elementë për të cilat kemi nevojë për përparimin e shoqërive postindustriale, megjithatë ata nuk janë të mjaftueshme. Vlerat që qëndrojnë tek racionaliteti duhet të jenë vlera të cilat janë të bazuara në zakone, lidhje të ndërsjellta, përgjegjësi etike dhe në detyra si dhe në besim brenda shoqërisë. Këto vlera nuk janë aspak të dala mode. Përkundrazi, ato janë elemente të domosdoshme të suksesit të shoqërive moderne.” (Fukujama 1998)

Një botë e globalizuar më shumë se për çdo gjë tjetër ka nevojë për një etikë të re globale, e cila duhet të jetë e vlefshme kudo. Është e domosdoshme që koncepti i “etikës globale”, i zhvilluar nga intelektualët protestanë si Hans Küng dhe Jozef Kushel, duhet të pasurohen, veçanërisht nga traditat intelektuale të mendimit Islam.

Referencat:

Buhari, el-Xhamiu’s Sahih
Muslim, el-Xhamiu’s Sahih
Tirmidhiu, Sunen
Bejhaki, Sunen
Darimi, Sunen
Darekutni, Sunen
Axhluni, Keshfu’l Hafa
Hatib el-Bagdadi, Tarihu’l Bagdadi
Ibn Rushd, Bidajetu’l Muxhtehid
Ungjilli i Mateut, Lukës dhe Yuhanna-së
Hamidullah Muhammed, Islam Anayasasi Hukuku, Istanbul, 1995
Imam Shatibi, el-Muvafakat, Bejrut
Serahsi, el Mebsut, Kajro
Fukujama, Francis, “The Social Virtues and the Creation of Prosperity”, Free Press, 1995
Halsel Grace, “Forcing God’s Hands”, Washington DC, 1999
Lipson, Leslie, “The Ethical Crises of Civilization, Sage Publications, 1993
Ramon Sugranyes de Franch, L’Apologétique de Raimond Lulle vis-ŕ-vis de l’Islam (Cahier de Fanjeaux, XVIII), Toulouse, 1983.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.