Sulmet vetvrasëse dhe Islami
Para se të fillojmë të analizojmë sulme vetëvrasëse, është e nevojshme të fokusohemi në dy çështje. Sipas Islamit, njerëzit janë superiorë sepse janë njerëz. Kur’ani e shpreh këtë parim me fjalët: “Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit.” (17:70) Prandaj pavarësisht se a është mashkull apo femër, të rinj apo të vjetër, të zinj apo të bardhë, të gjitha qeniet njerëzore janë të respektuara, të paprekshme dhe të mbrojtura. Islami e ngre lart vlerën e jetës së njeriut. Shumë ajete kur’anore dhe hadithe urdhërojnë që pesë parime të bazë të njohura si: “Zarurijat el hamsa” (pesë kushtet e domosdoshme”, të cilat duhet të mbrohen. Këta kushte janë: jeta, feja, pasardhësit, mendja dhe prona. Prandaj jeta njerëzore nuk duhet të cënohet, nderi nuk duhet të shkelet, pasuria nuk duhet të konfiskohet, njerëzit nuk mund të dëbohen nga shtëpitë dhe tokat e tyre, atyre nuk mund t’u privohet liria dhe e drejta për të praktikuar fenë e tyre lirisht. Meqë Islami e konsideron çdo qenie njerëzore, si më me vlerë se të gjitha llojet e tjera të gjallesave, vrasja e një njeriu konsiderohet si të ishte një masakër e bërë kundër gjithë njerëzimit dhe e kundërta, shpëtimi i jetës së një qenie njerëzore konsiderohet si e njëjtë me shpëtimin e jetës së gjithë njerëzimit. (Maide, 5:32)
Qeniet njerëzore në asnjë fe tjetër apo sistem tjetër besimi, nuk janë aq tepër të lidhur me ndonjë institucion apo komision për të drejtat e njeriut sa janë në Islam. Në Islam nuk është e lejueshme për një person që të kryejë një krim madje as edhe kundër vetvetes. Prandaj marrja e jetëve të cilat vetë Zoti i ka dhuruar është e ndaluar. Asnjë njeri nuk mund t’i marrë jetën tjetrit, askush nuk mund t’i japë fund jetës së vet, domethënë të vetëvritet. Islami kategorikisht e ndalon vetëvrasjen (4:29) dhe gjithashtu në shumë hadithe, Profeti (a.s.) ka deklaruar se vetëvrasja është e paligjshme në Islam.
Paqja është thelbësore në Islam
Islami nënkupton paqe, siguri dhe shëndet. Muslimani i cili e beson dhe e praktikon këtë fe, është një person i cili inspiron besim në çdo njeri dhe në çdo gjë. Një person i tillë nuk e dëmton askënd si në fjalë ashtu edhe në vepra. Në fakt, Islami lufton kundër trazirave, rrëmujave, mosmarrëveshjeve, tiranisë dhe terrorizmit. Siç theksohet në ajete të ndryshme të Kur’anit si në 47:4, 2:208, 4:70, 60:8 etj., dhe në shumë hadithe, paqja është thelbësore në Islam dhe lufta quhet ‘arizi’, domethënë dytësore, jo e natyrshme. Marrëdhëniet e muslimanëve me popujt e tjerë duhet të bazohet në parimet e paqes. Në fakt, në një fe ku siguria dhe fjala paqe janë themelore, lufta dhe mosmarrëveshjet me siguri që do të jenë sekondare. Kjo është e ngjashme me luftën që bën një trup i shëndetshëm, i cili lufton kundër mikrobeve që e kanë sulmuar. Islami në parim, nuk e toleron luftën edhe në rastet kur ekzistojnë rregulla strikte për zhvillimin e saj, pavarësisht se ajo është një realitet i njerëzimit dhe një nga faktet më të spikatura të historisë së tij. Në Islam, koncepti i luftës ngushtohet në një qëllim vetëmbrojtjeje, sipas bazamentit të parimeve të theksuara në Kur’an si “provokimi është më i rëndë se vrasja” (2:191). Lufta është e justifikuar vetëm në rastin kur ajo bëhet me qëllim parandalimin e kaosit (i cili çon në luftë), anarkinë, tiraninë dhe disfatizmin. Me shpalljen e Kur’anit, luftës i janë vënë një sërë kufizimesh për herë të parë në historinë e njerëzimit.
Islami ka vënë rregulla për balancimin e luftës. Ai e konsideron drejtësinë dhe paqen në botë si një parim duke thënë:
“O ju që besuat. Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut duke dëshmuar të vërtetën dhe mos t’ju shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë. Bëhuni të drejtë sepse ajo është më afër devotshmërisë. Frikësohuni ndaj Allahut se Allahu e di hollësisht atë që veproni”. (Maide, 5:8)
Bashkë me këtë parim, Islami thekson se çdo besimtar ka të drejtë të mbrojë fenë e tij, jetën, pronën, pasardhësit, nderin dhe vlerat e tij të shenjta. Është e drejtë të thuhet se vdekja në mbrojtje të këtyre të drejtave konsiderohet si martirizim. P.sh., i Dërguari i Zotit theksonte se kushdo që vritet duke mbrojtur pronën e tij, është martir; kushdo që vritet duke mbrojtur jetën e tij është gjithashtu martir; po kështu kushdo që vritet duke mbrojtur të afërmit e tij është martir dhe kushdo që vritet duke mbrojtur familjen dhe shtëpinë e tij është martir.
Pasi i hodhëm një sy nga këndvështrimi i përgjithshëm kësaj çështjeje, tani po përqendrohemi në sulmet vetëvrasëse. Sulmet vetëvrasëse duhet të analizohen të ndara në dy grupe: në ato që kryhen në kohë paqeje dhe në ato të kryera në kohë lufte.
A - Sulmet vetëvrasëse në kohë paqeje
Para së gjithash, duhet të theksohet këtu se nuk do të ishte korrekte marrja e ligjeve dhe rregullave që i përkasin gjendjes së luftës, një gjendje të cilën Islami e cilëson si ‘arizi’ jonatyrale, sekondare, ose gjendje situacionale dhe t’i aplikojnë ato në kohë paqeje. Ligjet e luftës zbatohen vetëm në gjendje lufte dhe në kondita luftimi. Në kohë paqeje dhe në jetën civile, Islami ka nevojë për një nivel të lartë morali dhe të gjithë njerëzit të trajtohen me mëshirë dhe me dhembshuri. Islami përpiqet për të vendosur paqen dhe sigurinë në shoqëri (60:8, 45:14). Prandaj nuk është e mundur që Islami të justifikojë sulmet vetëvrasëse të kryera në kohë paqeje në asnjë vend dhe kundër asnjë objektivi civil apo ushtarak, të cilat mund të sjellin humbjen e jetëve të pafajshme.
Kur’ani i cili urdhëroi që të gjithë njerëzit, madje të gjitha krijesat duhet të trajtohen më mëshirë, e barazon “vrasjen e një njeriu padrejtësisht, me vrasjen e të gjithë njerëzimit.” (5:32).
Prandaj, nga sa theksuam më lart, nga këndvështrimi Islam vrasja e një qenieje njerëzore padrejtësisht është e barazvlefshme me vrasjen e të gjithë njerëzve të botës. Kjo sepse vrasja e padrejtë e një personi, nënkupton faktin se ai person vritet pa faj, si dhe është një mosrespekt ndaj të drejtës për të jetuar të gjithë njerëzit. Personi që kryen një krim të tillë i hyn një rruge të tmerrshme në vrasjen e një qenieje njerëzore, një krijesë shumë e vlerësuar nga Zoti. Prandaj krimineli i cili egërsisht vret një qenie tjetër njerëzore, mban mbi vete zemërimin dhe përçmimin e Zotit dhe do të dënohet në botën tjetër si të kishte qenë vrasësi i të gjithë njerëzve.
Kur’ani nuk përmend dënim më të rëndë për asnjë lloj krimi tjetër që kryhet qëllimisht, përveç se për atë që vret dikë të pafajshëm. Deklaratat dhe dënimi janë vërtet tmerruese:
“Kush mbyt një besimtar qëllimisht, dënimi i tij është Xhehenemi, në të cilën do të jetë përgjithmonë. Allahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh.” (4:91)
Dënimi për vrasje të qëllimshme të një besimtari, është zjarri i përjetshëm, me përjashtim të rastit kur Zoti e fal personin (Ibn Abbas dhe disa dijetarë të tjerë e interpretojnë këtë ajet si lajmërim ndaj atyre që vrasin një besimtar me paramendim se do të ndëshkohen dhe do të jenë në zjarr përgjithmonë). Ky komentim i bërë nga autoritetet më të shquara në fushën e tefsirit (komentimit të Kur’anit) meriton të shqyrtohet me kujdes.
Në ajet theksohet se përveç ndëshkimit të zjarrit që do të kenë ata njerëz të cilët vrasin qëllimisht një besimtar, ata gjithashtu janë të dënuar edhe me mallkimin dhe përbuzjen e Zotit. Një dënim i frikshëm është përgatitur për ta. Është shumë e rëndësishme të bëhet e qartë se asnjë mizori apo barbari tjetër nuk përmendet me fjalë aq të frikshme në tërë Kur’anin. Vrasja e një personi është vënë në të njëjtin nivel me shirkun (bërja shok Zotit, mëkati më i madh i cili nuk do të falet kurrë, 25:68, 6:151). Vendosja e këtyre dy akteve së bashku, meriton vëmendje për të kuptuar seriozitetin e kësaj çështjeje.
Përdorimi i burimeve Islame për të justifikuar veprime të cilat marrin jetë njerëzish nuk është i mundur. Vetëm muslimanë të papërgjegjshëm mund ta kryejnë një akt të tillë.
B - Sulmet vetëvrasëse në gjendje lufte
Shkurtimisht nënvizuam qëndrimin e përgjithshëm të Islamit rreth sulmeve vetëvrasëse në kohë paqeje. Tani duam të analizojmë sulmet vetëvrasëse të civilëve dhe njerëzve të pafajshëm në vendet ku muslimanët janë në një pozicion të tillë ku atyre u duhet të luftojnë për jetën e tyre, për vlerat e shenjta dhe për vendlindjen nga këndvështrimi i kritikave Islame.
1. “Ata që nuk janë duke luftuar” nuk mund të vriten gjatë zhvillimit të një lufte
Çdo musliman duhet të jetojë jetën e tij në përputhje me parimet e mesazheve të cilat Zoti i Madhëruar i ka shpallur në Kur’an. Muslimanët mendohet se ndërtojnë çdo njësi në jetën e tyre që nga mbretëria e adhurimit e deri në sjelljet shoqërore dhe emocionet në bashkërenditje me rrugët hyjnore. Prandaj ata janë të urdhëruar të aderojnë në këto drejtime, ndërsa janë duke luftuar për mbrojtjen e të drejtave të cilat duhet t’i mbrojnë. Proçesi i luftës nuk e justifikon dhunimin e këtyre parimeve dhe doktrinave. Islami edhe në kohë lufte nuk e aprovon vrasjen e njerëzve të cilët nuk janë të angazhuar në luftë, si të moshuarit, gratë dhe fëmijët. Këta njerëz nuk e kanë statusin e “luftëtarit”. Dhe kjo sjellje e cila konsiderohet si pjesë e “rregullave të luftës”, aktualisht është një parim origjinal i lënë trashëgim në ligjin e luftës nga Islami.
Si parim i përgjithshëm, gjatë zhvillimit të luftës “jo-luftuesit” nuk vriten siç theksohet në Kur’an.
“Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e teprojnë”. (2:190).
Shprehja “ata që ju sulmojnë” në tekstin origjinal të ajetit, është e një rëndësie të veçantë. Për ta shpjeguar atë në terma gramatikore, shprehja në arabisht ka kuptimin “pjesëmarrje” e cila do të thotë: “ata që e kanë statusin e luftëtarit”. Prandaj joluftuesit nuk duhet të cënohen.
Ndalimi i vrasjes së joluftuesve i nxjerrë nga ky ajet, u sqarua nga Profeti (a.s.) si verbalisht ashtu edhe me veprime. Ka mjaft hadithe për këtë çështje. Megjithatë ne do të donim të rrëfenim ca nga ata për të sqaruar problemin.
Në një nga ekspeditat (gazve), u gjet një kufomë gruaje. I Dërguari i Zotit e dënoi këtë ngjarje duke thënë: “Por ajo grua nuk ishte luftëtare, atëherë përse u vra”? dhe pastaj e ndaloi vrasjen e grave dhe fëmijëve.
Në mbështetje të kësaj, i Dërguari i Allahut i paralajmëronte komandantët e ushtarëve që dërgonte në ekspedita: “Luftoni në rrugën e Zotit, luftoni për Zotin; respektoni marrëveshjet e bëra mes jush dhe rivalëve tuaj nëse ka të tilla; mos i tejkaloni caqet dhe mos kryeni ‘musla’ (masakrimi i kufomës), me fjalë të tjera mos bëni gjëra të cilat janë poshtëruese për dinjitetin e njeriut; mos vrisni fëmijë, gra dhe të moshuar dhe ata të cilët kanë gjetur strehim në vendet e adhurimit”.
Pas Profetit, Kalifët e drejtë (4 kalifët e parë) e ndoqën këtë rregullore me kujdes të veçantë, duke e vëzhguar këtë fenomen skrupulozisht. Dhe që nga ajo ditë, shumica e krerëve të shteteve muslimane ua kujtonin këto parime komandantëve kur i dërgoni ata në front, duke u dhënë urdhër të tillë të cilat janë zbatuar me përpikmëri gjatë historisë.
“Mos e humbni kurrë frikën ndaj Zotit nga zemra juaj. Mos harroni kurrë se pa suksesin hyjnor të Zotit nuk mund të bëni asgjë. Gjithmonë kujtoni që Islami është fe e dashurisë dhe e paqes. Kurajoja, trimëria dhe takvaja (devotshmëria) e të Dërguarit të Zotit duhet të jetë lajtmotivi juaj. Mos prisni fushat e mbjella dhe kopshtet me pemë. Tregoni respekt për priftërinjtë dhe murgjit të cilët jetojnë në vendet e adhurimit dhe për ata të cilët i janë përkushtuar Zotit, mos i dëmtoni ata; mos vrisni civilë, mos tregoni mungesë respekti ndaj grave dhe mos i trajtoni të mundurit në mënyrë poshtëruese. Mos pranoni dhurata nga vendasit, mos i strehoni ushtarët tuaj nëpër shtëpitë e vendasve. Kurrë mos lini asnjë nga pesë vaktet pa falur. Frikësojuni Zotit dhe mos harroni se vdekja mund të vijë e t’ju marrë në çdo moment dhe nëse jeni me mijëra milje larg nga fronti i betejës. Prandaj gjithmonë të jeni të përgatitur për vdekjen (M. Fethullah Gylen 2004, 238)
Dijetarët e ligjit Islam kanë rënë dakord unanimisht se vrasja e grave, joluftëtarëve, fëmijëve, njerëzve të moshuar, murgjve dhe të devotshmëve që qëndrojnë në manastire e që janë të angazhuar në adhurim, të verbërve dhe handikapatëve, është e ndaluar në Islam.
Në ajetin që cituam pak më lart (2:190) Kur’ani i urdhëron muslimanët të mos e teprojnë. “Të tepruarit” përkufizohet në komentet e Profetit (a.s.) në dy mënyra: e para “vrasja e joluftëtarëve” dhe e dyta “poshtërimi i të mundurve”. I Dërguari i Zotit e ndaloi masakrimin e kufomave të të vdekurve në luftë dhe gjithashtu vrasjet Sabran (të lidhurit e një personi i cili është ende gjallë dhe bërja e tij tabelë qitjeje me lloje të ndryshme armësh derisa ai të vdesë). Ai e ndaloi këtë praktikë edhe me zogjtë e pulave e jo më tek njerëzit.
Në mbështetje të kësaj, i Dërguari i Zotit i kushton vëmendje faktit që muslimanët janë të detyruar t’i përmbahen një mënyre të përshtatshme luftimi edhe nëse janë duke luftuar kundër armiqve më të egër. “Ata që luftojnë me metoda të mira (duke marrë parasysh vlerat etike dhe humane) janë persona besimtarë”.
Islami ka vënë gjithashtu rregulla etike edhe për therjen e kafshëve, prandaj nuk është për t’u çuditur që ai e ndalon teprimin kur qeniet njerëzore luftojnë kundër njëri-tjetrit. Për shekuj me radhë muslimanët i kanë kushtuar kujdes këtyre rregullave etike kur kanë therur kafshë në kurbanet sipas ritualeve. P.sh., keqtrajtimi i kafshëve dhe mprehjet e thikës para syve të saj është e ndaluar me hadith.
Prandaj nga këndvështrimi i këtij hadithi mund të shihet qartë se sulmet e sotme vetëvrasëse të cilat marrin qindra jetë njerëzish të pafajshëm, nuk përkojnë në asnjë vend me parimet e përgjithshme etike të Islamit.
Objektivat civile nuk mund të sulmohen
Vrasja e njerëzve të pafajshëm në luftë, bie në kundërshtim krejtësisht me parimet themelore të Islamit. As gjatë jetës së Profetit dhe as në kohën e sahabëve, apo të Tabiinëve (brezi i cili pasoi sahabët), e as në periudhat e mëvonshme, nuk ekzistoi një metodë e tillë lufte (domethënë vrasja e civilëve të pafajshëm) e zbatuar nga muslimanët. Nuk ka asnjë precedent për këto veprime. Si kundërargument i deklaratave se “nuk kishin rrugë tjetër”, shërben fakti që sahabet të cilët ishin subjekt i torturave më të egra dhe keqtrajtimit në Mekë, si dhe ata që i pasuan më vonë, kurrë nuk u angazhuan në veprime të tilla.
Pothuajse në të gjitha burimet e ligjit Islam, ekziston një diskutim rreth një rasti të veçantë: a është e lejueshme për një musliman gjatë luftës të sulmojë një njësi armike, duke e ditur se është e sigurtë që ai do të vdesë? Përgjigjja e kësaj pyetje është kjo:
Nëse ai shkakton dëm në anën tjetër (tek armiku) dhe i shërben pozitivisht luftës (domethënë nëse është një aksion i tillë që u rrit moralin dhe u jep zemër muslimanëve gjatë betejës) atëherë është e lejuar për këtë person ta kryejë një aksion të tillë dhe të luftojë deri në vdekje (kjo vetëm në gjendje lufte frontale mes dy palëve). P.sh., në ditën e Betejës së Uhudit, një grup sahabesh e bënë këtë (e sulmuan armikun me qëllim rritjen e moralit të muslimanëve) dhe ata u bekuan nga Profeti. Por nëse një aksion i tillë nuk do të shkaktojë dëme tek kundërshtarët, atëherë ai nuk është i lejuar. Nëse një person do të vazhdonte të sulmonte duke e ditur se kjo nuk u sjell ndonjë justifikim muslimanëve, atëherë ky peron do të bëhej subjekt i ajetit:
“...mos e hidhni veten në rrezik me duart tuaja dhe bëni mirë, sepse me të vërtetë All-llahu i do besimtarët.” (2:195)
Nuk është e mundur të merret ky argument (kur një person sulmon një ushtri) i cili diskutohet në përpilimet e fikhut si bazë për justifikimin e sulmeve vetëvrasëse të kryera me bomba të lidhura në trup dhe të cilët kryhen kundër turmave të pafajshme të njerëzve. Në pjesën e parë, diskutimet në librat e fikhut janë të përqendruara në kohët e luftës dhe në të bëhet fjalë për objektiva ushtarake, ndërsa sulmet vetëvrasëse kryhen kundër objektivave civile, kundër njerëzve të pafajshëm, prandaj këto janë dy çështje plotësisht të ndara nga njëra-tjetra.
Një tjetër i ashtuquajtur argument i cili përdoret për të justifikuar sulmet vetëvrasëse është çështja e teterrus-it e cila përmendet në përmbledhjet e fikhut, lejohet në rastet e teterrus-it domethënë kur armiku përdor pengje lufte muslimane, gra dhe fëmijë si mburoja njerëzore, që muslimanët të sulmojnë armikun por duke marrë në mbrojtje jetën e pengjeve me aq sa ka mundësi. Por prapëseprapë kjo çështje i përket luftës në proces, prandaj ajo nuk mund të përdoret si justifikim për sulme vetëvrasëse kundër civilëve dhe kundër joluftëtarëve të pafajshëm.
Fjala “irhab” siç theksohet në Kur’an dhe terrori
Siç dihet nga muslimanët, fjalët lavdëruese në Kur’an zënë një vend të konsiderueshëm. Veçanërisht fjalët që përdoren vetëm në kontekstin e lavdërimit dhe nderimit kanë një domethënie shumë të veçantë. Fjala irhab është një shembull i fjalëve të tilla. Ajeti në të cilën përdoret kjo fjalë në Kur’an është ai në vijim:
“E ju përgatituni sa të keni mundësi, forcë e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me ta frikësoni armikun e Allahut, armikun tuaj dhe të tjerët të cilët ju nuk i dini e Allahu i di ata. Çfarëdo që të shfrytëzoni në rrugën e Allahut, ajo do t’ju kompensohet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtësi”. (8:60)
Prandaj ata që besojnë në Kur’an dhe që e kanë atë si pikë orientimi, duhet t’i përmbahen kësaj fjale me respekt dhe me dinjitetin që ajo kërkon. Kuptimi letrar i fjalës irhab i përmendur në ajete është “frikësimi”. Megjithatë kjo është një frikë natyrore e cila shfaqet ndaj mundësisë së cënimit dhe e cila shkakton një formë frenuese e ajo nuk është cënimi i vetvetes.
Mufesirët (dijetarët muslimanë të cilët janë komentues të aftë të Kur’anit) e kanë interpretuar fjalën irhab të theksuar në ajetin e mësipërm në kuptimin e të qenurit të pajisur me armët e nevojshme (si kuajt e luftës) kundër armikut në mënyrë që të krijojnë një forcë frenuese në përputhje me rrethanat e rastit.
Rashid Ridha thekson se fjala irhab nuk do të thotë të shpallësh luftë, por përkundrazi, të parandalosh luftën; prandaj ajo nënkupton mbrojtjen e shoqërisë dhe jo shkatërrimin e saj. Ai gjithashtu e interpreton ajetin e lartpërmendur si “përgatitje e armëve të luftës në shkallën më të lartë të mundshme në mënyrë që të parandalohen armiqtë (të njohur ose jo) të shpallin luftë ose të sulmojnë”.
Në hadithe, irhab nënkupton frenim, përmbajtje dhe në komentimet e haditheve është e interpretuar si e tillë. En-Nihaja i cili grumbulloi fjalët jo të zakonshme të haditheve (garib), e shpjegon fjalën irhab si fuqizimin e dikujt, saqë ai të jetë i aftë të pengojë armikun nga sulmi që ai ka vendosur të bëjë dhe ta frenojë atë plotësisht.
Sahabet e interpretuan këtë ajet si një përgatitje për luftë dhe të pasurit e një fuqie të ngushtë. P.sh., gjatë kalifatit të Omerit kishte 40.000 mijë kuaj arabë të stërvitur të cilët mbaheshin në gatishmëri në një fermë pranë Medinës; këta kuaj nuk shkuan në luftë edhe pse pati konfrontime në fronte të ndryshme. Gjithashtu mbi 40.000 kuaj të tjerë u mbajtën në gatishmëri afër Sirisë. Këta kuaj të cilët ishin një nga armët më të rëndësishëm të luftës, u mbajtën si forca rezervë edhe në këtë rast.
Një kuptim tjetër i kësaj fjale është ribat, që do të thotë devocion, dedikim ose caktimi i disa anëtarëve, qofshin njerëz apo kafshë në disa detyra. Është e mundur të interpretohet fjala ribat e theksuar në ajetin e mësipërm si të qenurit të përgatitur dhe të kujdesshëm në mënyra të tilla. Prandaj Kur’ani na e cakton si detyrë dhe na udhëzon të mbrojmë dhe të ruajmë fenë tonë, nderin, reputacionin, dinjitetin, vendbanimin dhe të gjitha vlerat e shenjta, kundër armiqve të cilët kanë qëllime dashakeqe, ai na porosit të marrim të gjitha masat e nevojshme për t’u fuqizuar në mënyrë që t’i bëjmë ata të paaftë për të na dëmtuar dhe të mos u japim asnjë shans atyre.
Dijetarët e legjislacionit Islam gjithashtu e përdorin fjalën irhab në kuptimin e mjetit frenues.
Si rezultat, kur ne e studiojmë strukturën e fjalës irhab, përdorimin e saj si dhe kuptimin që i është dhënë në librat e hadithit, në komentimet në librat e legjislacionit Islam dhe në fjalorë të ndryshëm, dalin në dritë faktet e mëposhtme:
1. Fjala irhab e cila përmendet në Kur’an është e lidhur me çështjen e idad-it; ajo është një fjalë që ka kuptimin e të qenit gati për të mbrojtur vlerat e shenjta të dikujt. Ajo bazohet në parandalimin e shkeljeve, në përballimin e tiranisë dhe në tërheqjen e vërejtjes atyre të cilët kanë prirje kriminale. Kjo çështje është njohur dhe pranuar nga shoqëritë dhe nuk bie në kundërshtim me vlerat njerëzore. Kush mund të mohojë nevojën e frenimit dhe të dekurajimit të kriminelëve, tiranëve, agresorëve dhe pushtuesve armiq?
2. Dijetarët muslimanë përdorin fjalën irhab në veprat e tyre me kuptimin e “dekurajimit të armikut përpara ose gjatë luftës” për t’i demoralizuar shpirtërisht dhe psikologjikisht ata.
Në të kaluarën, këto lloj parandalimesh ose vetëpërmbajtjesh kanë marrë edhe forma të tjera të ndryshme, si moslejimi i veshjes së vetvetes me mëndafsh, lyerjes së flokëve gri me ngjyrë të zezë, i zbukurimit të shpatës dhe këllefit të saj me qendisje ari dhe piktura, i ballafaqimit si i vetëm me një ushtri të tërë, si dhe përgatitja dhe stërvitja e shumë kuajve për luftë në atë kohë.
Përveç këtyre dy formave të cituara në Kur’an, nuk ekziston asnjë kuptim tjetër i fjalës irhab si në Kur’an ashtu edhe në Sunet, si dhe nuk mund të gjendet asnjë i tillë në vepra të tjera të shkruara, të cilat burojnë nga Kur’ani dhe Suneti. Prandaj nuk do të ishte korrekte që fjala irhab e përmendur në Kur’an, të interpretohet si vrasje e njerëzve të pafajshëm në vende publike, në vendosje bombash në trup, me gjakderdhje, me vendosje zjarri, duke shkaktuar dëme në banesa apo prona, në përhapje frike me qëllim vendosjen e kaosit në një shoqëri të caktuar, gjithashtu nuk do të ishte korrekte që të përdorej Kur’ani si argument për mbështetjen e këtyre akteve.
Duke shtuar këtu edhe një fakt domethënës i cili duhet të merret në konsideratë: Të gjithë fjalorët klasikë arabë përmbajnë vetëm fjalën ihafa (frikësim) si përkufizim i fjalës irhab. Megjithatë është vërejtur se në disa fjalorë të përpiluar në gjysmën e dytë të shek. XX, përkushtimi i fjalës irhab është ndryshuar dhe modifikuar.
Me qëllim ose jo, veçanërisht në fjalorët e përgatitur nga jomuslimanët, fjala irhab është përkufizuar si “terrorizëm”. Megjithatë është mjaft e qartë se ka një diferencë të theksuar midis fjalës irhab e cila nënkupton “frikësimin e armikut me anë të një fuqie frenuese përpara angazhimit në luftë” dhe fjalës “terrorizëm” që nënkupton vrasjet, bombardimet, zjarrvëniet, horrorin dhe kryerjen e akteve të dhunshme të cilat e çojnë një shoqëri në kaos.
Një vendim me bazë gjyqësore nuk mund të anashkalohet si një çështje e pasqaruar
Një nga praktikat kryesore të metodologjisë së ligjit Islam është përcaktimi i kufijve të një çështjeje gjë e cila i paraprin vendosjes përfundimtare të gjykimit mbi të. Prandaj nuk është e mundur të merren vendime për një çështje të paspecifikuar e cila nuk ka një kornizë apo kufij të përcaktuar, sepse një veprim i tillë do të çonte në sjellje të këqija dhe në abuzime.
Nëse sulmet vetëvrasëse shikohen nga ky këndvështrim, shihet qartë se objektivi i sulmeve nuk është i përcaktuar dhe se ata që vriten janë të panjohur. Këto sulme kryhen kudo, në të gjitha vendet të cilat janë të hapura mes jetës publike, si p.sh., në tregje, rrugë, në zona tregtare, në restorante, në stacione etj., ku njerëzit kryejnë aktivitetin e tyre ditor. Gratë, fëmijët, të moshuarit, muslimanët, jomuslimanët, që të gjithë janë nën shënjestër pa dallim. Prandaj orvatjet për të kryer akte të tilla në të cilat objektivat dhe grupet e vëna në shënjestër janë të papërcaktuar, janë në kundërshtim krejtësisht me parimet e përgjithshme të ligjit Islam.
Në Islam parimi është individualiteti i krimit
Në Islam dënimet janë sipas rastësive, të ndryshëm nga njëri-tjetri: cilido që kryen një krim, ai është i vetmi person që thirret si i pandehur dhe i vetmi ndaj të cilit jepet sentenca. Siç theksohet në mënyrë të përsëritur në Kur’an, “asnjë njeri nuk mund të mbartë barrën e tjetrit mbi shpinë” (6:164, 17:15, 35:18). Individualiteti i krimit dhe dënimi i marrë për këtë është një parim i ligjit Islam. Objektivat e sulmeve vetëvrasëse janë civilët e pafajshëm; fakti që këto sulme kryhen mbi njerëz të pafajshëm, nuk është në përputhje me parimet themelore të këtij ligji. Prandaj këto sulme mund të konsiderohen vetëm si të padrejta dhe në kundërshtim me kuptimin Islam të drejtësisë.
Sulmet vetëvrasëse e njollosin identitetin esencial të Islamit i cili është bazuar në dashuri dhe tolerancë
Metodat e përdorura për të arritur përmbushjen e një qëllimi të caktuar, duhet të jenë po aq të ligjshme sa edhe ky qëllim. Siç theksuam më lart, lufta e dikujt për mbrojtjen e vlerave të shenjta, pronës ose kombit, bën pjesë në detyrat themelore të njerëzimit. Përkundrazi, përdorimi i mjeteve të pajustifikueshme për arritjen e këtyre qëllimeve sjell qortimin hyjnor dhe jep ekzaktësisht rezultatin e kundërt, d.m.th., bërjen e gjërave më të vështira se sa janë për të gjithë muslimanët. Megjithatë, i Dërguari i Zotit paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, shokët e tij dhe muslimanët që i kanë pasur ata, si përfaqësues të paqes dhe qetësisë, gjithmonë kanë mbrojtur identitetin e Islamit përgjatë shekujve, si në kohë paqeje, ashtu edhe në kohë lufte dhe nuk e kanë lënë atë t’i bjerë reputacioni. Sot muslimanët barazohen me terroristët prandaj është bërë e domosdoshme për ata që të distancohen sa më shumë që të munden nga çdo sjellje apo veprim i cili mund të përdoret për bërjen e akuzave të tilla të padrejta dhe jo korrekte ndaj tyre. Vetëm nga fakti që ca muslimanë në ca vende kanë përvetësuar këtë rrugë veprimi, apo i përkrahin ata të cilët kryejnë akte të tilla, fjalët Islam dhe terror përdoren të bashkangjitura njëra me tjetrën, duke cënuar imazhin e Islamit. Rruga për ata që duan të sjellin fatkeqësi në Islam është e qartë.
Kur muslimanët në pjesë të ndryshme të botës të lodhur nga dhuna së cilës i nënshtrohen, zgjedhin sulmet vetëvrasëse si mënyra e tyre e vetme e luftimit, ky vendim nuk i prek vetëm ata, por të gjithë muslimanët. Është e pamohueshme që çdo akt vetëvrasës, duke përdorur bombë në cilindo vend qoftë, sjell njollosjen e emrit të Islamit dhe të gjithë muslimanëve.
Ne do të dëshironim t’ju rrëfenim një incident të ndodhur në shekullin e fundit rreth kësaj çështjeje: Bediuzaman Said Nursiu u regjistrua si vullnetar në një regjiment gjatë luftës së Parë Botërore dhe i shërben popullit dhe atdheut të tij me devotshmëri. Gjatë luftës, guerilasit armenë masakruan gra dhe fëmijë në disa zona dhe si shpërblim, në disa zona të tjera u vranë fëmijë armenë. Mijëra fëmijë armenë u grumbulluan në qytetin ku komandonte Said Nursiu. Ai i urdhëroi ushtarët që “atyre të mos u bëhej asnjë lloj keqtrajtimi”. Më vonë ai i la të lirë këto fëmijë armenë dhe i ktheu ata pranë familjeve të tyre në anën ruse të kufirit. Kjo lloj sjelljeje e Said Nursiut shërbeu si një mësim ekzemplar për armenët dhe solli tek ata admirimin për vlerat morale të muslimanëve. Ata premtuan që të mos vrisnin më fëmijë muslimanë duke thënë se “përderisa Molla Saidi nuk i masakroi fëmijët tanë dhe na i ktheu ata, tani e tutje edhe ne nuk do të vrasim më fëmijë muslimanë”. Falë sjelljeve dhe veprimeve të Nursiut të cilat ishin në përputhje me shpirtin e Islamit, shumë fëmijë muslimanë i shpëtuan masakrimit.
Konkluzion
Muslimanët duhet t’u përmbahen kritereve të fesë së tyre si në kohë paqeje, ashtu edhe në kohë lufte. Ata duhet të kontrollojnë ndjenjat e tyre në përputhje me parimet themelore se sa të vështira janë kushtet apo ashpërsinë dhe kohëzgjatjen e vuajtjeve të cilat duhet t’i durojnë. Ata nuk duhet të marrin pjesë në asnjë lloj veprimi të cilin Islami nuk e miraton. Është një krim i madh kryerja e sulmeve vetëvrasëse në kohë paqeje. Nuk ekziston absolutisht asnjë mundësi që Islami të mbështesë vrasës të tillë gjakftohtë. Gjithashtu nuk është absolutisht e mundur që një musliman i ndërgjegjshëm i cili beson në Zot të kryejë akte të tilla.
Sulmet vetëvrasëse ndaj objektivave civilë në kohë lufte janë të palejueshme sepse ato godasin gratë, fëmijët, të moshuarit si dhe të tjerë persona të cilët nuk marrin pjesë aktive në luftë; persona të tillë Islami i ndalon që të vriten në kohë lufte. Për më tepër vrasja e të pafajshmëve, shkakton terror dhe anarki duke cënuar imazhin e Islamit dhe të të gjithë muslimanëve të pafajshëm.
Edhe pse dihet se muslimanët në të gjithë fushat dhe nivelet vuajnë shumë në disa vende, sulmet vetëvrasëse nuk mund të justifikohen. Kryerja e sulmeve ndaj objektivave të papërcaktuara dhe ndaj njerëzve të paspecifikuar, duke vendosur bomba në trup me qëllimin e vetëm, vrasjen dhe shpërthimin e këtyre lëndëve eksplozive mes një turme njerëzish të pafajshëm, nuk mund të konsiderohet si një sjelljeje Islame. Islami ka vendosur rregulla dhe parime në çështjen “si të vrasësh dhe si të vritesh dhe si të luftohet armiku” gjatë kohës së luftës. Këto rregulla nuk duhet të shkelen pavarësisht egërsisë së luftës. Në Islam nuk ekzistojnë gjëra të tilla si vrasja e grave, e fëmijëve dhe e të pafajshmëve të tjerë të cilët nuk luftojnë aktivisht. Si përfundim, ndërsa ndajmë me vëllezërit dhe motrat tona muslimane dhimbjen e shkaktuar nga varfëria dhe pafuqia e tyre, ne duam të theksojmë se këto mënyra luftimi të cilat kanë adoptuar muslimanët janë të gabuara dhe se Islami dhe të gjithë besimtarët dëmtohen nga mënyrat e gabuara të një pakice e cila ka zgjedhur këtë rrugë johumane si një metodë lufte.
Referencat:
Adhim Abadi. Aun el Ma’bud, Beirut: Dar el Kutub el Ilmijja, 1994.
Bazzar Ebu Bekr, Musned el Bazzar, Bejrut: Muassasat el Ulum el Kur’an, 1998.
Yazir, Elmalili M. Hamdi. Hak Dini Kur’an Dili, Istanbul, 1979.
Gylen Fethullah. Sonsuz Nur, Nil, Izmir, 2003.
Gylen Fethullah, Toward a Global Civilazation of Love and Tolerance, New Jersey: The Light, Inc., 2004.
Hans Wehr. A Dictionary of Modern Written Arabic, Bejrut: Maktabat el Lubnan, 1960.
Ibn el Abidin, Muhammed Emin. Hashijetu Reddi’l Muhtar, Istanbul, 1984.
El Mahajja, 208, 15.02.2004.
Sejjid Bej. El Medhal, Istanbul.
Shatibi, Ibrahim ibn Musa. El Muvafakat fi Usul esh Sheria, Bejrut.
Sharh, el Maan el Asar, Bejrut: Dar el Kutub el ilmijje, Liban, 1987.
Zuhajli, Asar el Harb fil fikh el Islami diraseten ve mukareneten, Siri: Dar el Fikr, 1998.
- Publikuar më .