• Home
  • Intervista
  • "Nuk dëgjova një njeri të vetëm, të dalë e të thotë se këto shkolla janë të dëmshme"

"Nuk dëgjova një njeri të vetëm, të dalë e të thotë se këto shkolla janë të dëmshme"

Fethullah Gylen

Në këtë pjesë të katërt të intervistës, mendimtari Gylen shpreh dhimbjen që ndjen teksa shikon përpjekjet për t'i ulur shkollat turke para të tjerëve, por për këtë si edhe për çdo gjë tjetër, kërkon mbrojtje prej vetë Allahut (xh.xh.).

Duke u shprehur se dëshira për të shkatërruar po i tejkalon të gjitha caqet e mundshme, ai shprehet se të mohosh veprimtarinë e tërë atyre njerëzve për të përçuar gjuhën dhe kulturën tonë në të katër anët e botës, është përbuzje dhe mosmirënjohje njëkohësisht. "Nuk mund të mbulohet dielli me shoshë. Çfarëdo që të bëjnë ata, ky popull largpamës i sheh dhe i kupton të gjitha." - u shpreh ai. Ai nënvizon edhe njëherë faktin se heronjtë e shërbimit nuk mund/duhet të kaplohen prej pesimizmit, dhe se të gjitha shërbimet e bëra ndaj njerëzimit do të vazhdojnë ende, me lejen dhe ndihmesën e Allahut (xh.sh.), duke bërë që karvani të përparojë edhe më. Poashtu u ndal tek një vlerësim në lidhje me ngjarjet e Parkut Gezi: "Kërkesat demokratike qenë veçse disa veprime që nisën prej ndjeshmërisë së pafajshme të njerëzve përreth. Mund t'u qaseshin edhe me mirëkuptim. Mund të shkohej e t'u matej pulsi duke biseduar me ta. Por ç'u bë, krejt e kundërta, u përpoqën që t'i bënin të heshtnin nëpërmjet ushtrimit të trysnisë. A ia vlen një qendër tregtare e ndërtuar atje përpara një pike gjaku të derdhur për të?"

Në konferencën e ambasadorëve që u mbajt në Ankara, u tha: "Shkoni e tregojuani këtë organizatë të gjithë personave të interesit në vendet ku kryeni detyrën.", që në njëfarë kuptimi do të thotë dhënie e urdhrit për t'i denoncuar ata përballë autoriteteve të vendeve ku ndodhen. Ç'dëshironi të thoni në lidhje me këtë?

Sa herë që i dëgjoj përpjekjet për të na sulmuar me çdo kusht, përpara çdokujt, hidhërohem sa s'ka, dhe kërkoj mbrojtje veç prej Allahut (xh.sh.). Fatkeqësisht, dëshira për të bërë keq po i sforcon të gjitha kufijtë e (mos)keqardhjes. Të gjitha institucionet janë ngritur me sakrificat e shumta të njeriut të thjeshtë të Anadollit. E pothuajse çdokush në Turqi i ka parë këto shkolla. Si i djathti, si i majti, si nacionalisti, si fetari, si ateisti... Si ithtari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, si i Partisë Popullore Republikane, ashtu edhe ai i Partisë Lëvizjes Kombëtare, BBP-së, Partisë së Mirëqenies apo BDP-së... Thuajse të gjithë individët që e përbëjnë popullin tonë. Nuk dëgjova një njeri të vetëm, që të dalë e të thotë: "Këto shkolla janë të dëmshme, kështu që t'i mbyllim." Pasi është e pamundur që të jesh kundër këtyre shkollave, qoftë me kritere apo argumente arsyetuese, qoftë politike.

Shokët, që i themeluan këto shkolla dhe i vunë mandej në funksion, ia nisën kësaj pune pa pasur kurrfarë interesi material apo shpirtëror. Shkuan në vende të ndryshme, duke marrë me vete edhe dashamirësinë e njeriut të Anadadollit. Çuan mirëkuptimin e tyre. Çuan konceptimin e tyre për vlerat universale. Çuan gjuhën dhe kulturën tonë anembanë botës, prandaj ta shpërfillësh punën e tyre kësisoji është tregues i një mosmirënjohjeje të thellë. Dielli nuk mbulohet dot me shoshë. Çfarëdo që të bëjnë ata, ky popull largpamës i sheh dhe i kupton të gjitha. E për pasojë, pamundësia për t'i penguar, apo për t'u fikur dritën, po i tërbon tej mase. Po përpëliten sepse nuk kanë ku të mbahen. Kjo është diçka që do ditur.

Me lejen e Zotit ky karvan nuk do të ndalet

Nëse ju nuk bëni të mundur që Turqia të mbështetet së jashtmi prej lobish të përbërë prej vullnetarësh, atëherë do të jetë e pamundur që Turqia të mund të qëndrojë më vete, e shkëputur prej një bote në globalizim e sipër. Kjo nuk vlen vetëm për Turqinë, por çdo shtet e ka të pamundur të qëndrojë në këmbë i vetëm. Edhe Turqia ka nevojë për mbështetjen e jashtme, nga të katër anët e botës, prej njerëzish që e duan dhe ndjejnë simpati për të. Që të mund të arrihet një paqe mbarëndërkombëtare, si fillim është e rëndësishme që popujt të njohin dhe ta kuptojnë më së miri njëri-tjetrin.

Mërzitem jashtë mase dhe më hidhëron tej mase fakti që tërë këto shërbime të vyera të shpërblehen me zhdukje, apo me fjalën që ju përdorët, për t'u spiunuar apo denoncuar ndaj të huajve. Megjithatë, pavarësisht të gjithave, ashtu siç kemi bërë edhe herë të tjera më parë, do të veprojmë veç ashtu siç na e kërkon karakteri ynë, duke u sjellë me respekt karshi të gjithëve. Nuk do të ulemi të përdorim fjalë të pahijshme për hir të disa ditëve jetë të kësaj bote, as nuk do të thyejmë zemrën e askujt, por do t'u bëjmë thirrje të gjithëve për dashuri; do t'u bëjmë thirrje duke ndenjur të lidhur fort pas fjalëve të Bediuzaman Said Nursiut përsa i përket marrëdhënieve tona me popullin: "Të gjithë sforcimet dhe mundimet që kam kaluar prej vitesh, të gjitha torturat që më janë bërë, fatkeqësitë me të cilat më është dashur të përballem, u qofshin falë të gjitha! Në këto tetëdhjetë e kusur vjet nuk mbaj mend asgjë në emër të kënaqësisë së kësaj bote. Jeta më shkoi veç në fushëbeteja, në qelitë e pengjeve të luftës apo burgjeve të vendit tim. M'u ndalua të takohesha me njerëz të tjerë. Gjyqet ushtarake më trajtuan sikur të isha katil. Ua kam bërë hallall hakun tim të gjithë atyre që më bënë padrejtësi, që më shëtitën rrethinë më rrethinë, duke dashur të më akuzonin me gjithfarë akuzash, apo duke më përgatitur vend nëpër birucat e burgjeve." Po, duke qenë besimtar, kam dhënë fjalën t'i ndjek një më një këto ndjenja. Nuk do të hidhërohem dhe nuk do t'i mbaj mëri askujt. Sepse jam betuar, që do ta pres vdekjen time duke buzëqeshur dhe se do ta shoh të keqen që më vjen prej padrejtësisë sikur të ishte bukuria e mirënjohjes që të vjen nga njerëzit e afërm.

Megjithatë, shokët tanë, të cilët kryejnë detyrat e tyre në vende të ndryshme nuk duhet kurrsesi që ta lëshojnë veten në pesimizëm. Sepse të gjitha këto shërbime që i janë bërë popullit tonë, madje krejt njerëzimit, për sot apo për nesër, me lejen dhe ndihmesën e Allahut (xh.xh.) do të vazhdojnë dhe karvani do të vazhdojë të ecë edhe më tej. Me lejen dhe ndihmesën e Allahut (xh.sh.), këtë karvan nuk e pengojnë do,t as shpifet, as mashtrimet. Njerëzit që e kanë zemrën dhe ndërgjegjen të kulluar, herët a vonë, me largpamësinë e tyre, do ta kuptojnë të vërtetën e këtyre shpifjeve dhe mashtrimeve.

Edhe nëse disa sjellje të paturpshme, të cilat jam përpjekur t'i shpjegoj edhe njëherë tjetër më parë, do të përpiqen të na i bëjnë të pakalueshme rrugën ku po ecim, sa të ketë shpirtra të hapur kah dialogu, njerëz të zemrave, që shpërndajnë veç buzëqeshje anëekënd tyre; ndërgjegje që i njohin mëkatet e veta, shpirtra të penduar për të gjitha gabimet e bëra dhe mendje që duan ta ndërtojnë të ardhmen e tyre mbi arsyen dhe gjykimin e shëndoshë, ne do t'i ringremë e rigjallërojmë edhe njëherë pjesët e lëkundura të shpirtit tonë, duke u përpjekur që t'i lumturojmë sërish njerëzit përreth nesh. Kjo është një detyrë që na bie neve mbi supe për ta kryer.

Në çështjen e parkut Gezi fatkeqësisht...

E shoh si tejet të rrezikshëm kategorizimin e shoqërisë turke në grupe të ndryshme, apo përpjekjen për t'i shtyrë drejt polarizimit disa botëkuptime të ndryshme që mund të ekzistojnë në shoqëri. Kjo është si të luash me zjarrin. A mund t'i nxisë një prind pjesëtarët e familjes së tij kundër njëri-tjetrit, të cilatdo bindjeve qofshin ata? Ne jemi një familje me rrënjët të zgjatura drejt shekujsh të shkuar. E nuk mund t'i kthejmë bindjet apo mendimet tona në mjet lufte karshi sho-shoqit. Çdokush duhet të tregojë respekt për pozicionin e tjetrit. Liria e fjalës dhe mendimit nuk mund të nëpërkëmbet, pavarësisht çdo kushti. Zëri dhe fryma e pakicës është po aq e vyer dhe për t'u vlerësuar po aq sa ç'janë të vyera zëri dhe mendimet e atyre që përbëjnë shumicën. Nëse përpiqeni t'ua shtrëngoni fytin njerëzve në masë, atëherë duhet ta dini se në ekuilibrat e shoqërisë do të keni prurë disa çarje vështirë të riparueshme. E ky është një çmim që nuk mund të merret parasysh për hir të asnjë përfitimi politik.

Fatkeqësisht, kjo qe ajo që ndodhi në ngjarjet e Parkut Gezi. U bënë disa kërkesa demokratike, të cilat nisën në trajtën e pafajshme të ndjeshmërisë ndaj mjedisit, që me fjalët e sotme thuhet ndodhi. Mund t'u ishin qasur me mirëkuptim. Mund të shkonin t'u masnin pulsin dhe të dëgjonin se cili ishte shqetësimi që kishin ata njerëz. Por ndodhi krejt e kundërta, u përpoqën që me çdo kusht t'i bënin të heshtnin. A ia vlente ajo qendër tregtare që do të ndërtohej përpara një pike gjaku të derdhur? A ia vlente sa për një jetë e humbur? E patjetër, që kjo trysni lindi dhunën, e cila nga një çështje lokale, mori trajtën e një ndodhie tejet të rëndësishme për sigurinë e shtetit. U shqetësuam jashtëzakonisht shumë ato ditë, kur në mes të saj u futën edhe qarqet e gatshme ngatërrestare, të cilat ku ta gjenin një rast të këtillë për të prurë sa më shumë moskuptim të ndërsjellë. Shokët tanë nisën lutjet në vende të ndryshme të botës. Falën namaze haxheti. Nuk kaloi shumë, kur, edhe për këtë ngjarje u tha se pas saj kishte gisht Lëvizja. Zoti u dhëntë forcë për të kuptuar dhe ndjerë.

Nuk duhet prishur procesi i paqes dhe qetësisë, mirëkuptimi i ndërsjellë duhet të përfshijë çdo gjë

Si mendoni ju përsa i përket periudhës së zgjidhjes dhe për situatën në të cilën ka mbërritur gjendja?

E kam shprehur sa e sa herë edhe në të shkuarën. Një besimtar është gjithnjë krahas paqes. Dhe sjelljet e tij janë përherë ato që përbëjnë paqen. Atje ka disa probleme të grumbulluara njëra mbi tjetrën. E ata u përpoqën që zgjidhjen e këtyre problemeve ta arrinin me anë të përdorimit të armëve. Ngase ndodhi kështu, ato sa vinte dhe u rënduan më tepër. Tashmë sikur ka nisur një periudhë qetësie dhe paqeje. Kjo nuk duhet shprishur. Në fakt, kjo është një mundësi e përkryer, që që të dyja palët t'i harrojnë armiqësitë, e t'i vlerësojnë gabimet e veta edhe njëherë nga fillimi.

Shteti, para së gjithash, duhet të jetë i drejtë ndaj banorëve të tij. Nuk duhet t'i shohë asnjëherë të drejtat dhe liritë e tyre thelbësore si një mjet tregtimi për hir të disa vlerave të tjera, e aq më pak t'i përdorë si të tilla.

Ende pa nisur kjo periudhë, unë i varfri pata shprehur bindjen time për nevojën e arsimimit në gjuhën amtare. Por nuk u hodh asnjë hap konkret. E ende kjo çështje është duke u zvarritur. Duhen përgatitur një orë e më parë mësues të aftë, që të mund të japin arsim në gjuhën kurde. Kjo nuk është diçka që mund të realizohet vetëm me dëshirën e popullit. Është shteti, që duhet të hedhë hapat drejt realizimit. E ndërsa i hedh këta hapa, duhet t'i largohet fjalëve dhe sjelljes së përftimit të një imazhi prej bujari dhe falësi të gjithë kësaj mirësie. Ajo zonë është e atillë që ka qenë djep qytetërimesh përgjatë gjithë historisë njerëzore, e që për më tepër banohet prej njerëzish mjaft të zgjuar. Poende, Turqia, ashtu siç ndihmon qytetarët kurdë të saj, duke u njohur atyre të drejtat dhe liritë e nevojshme, nuk duhet të privojë nga ndihma e saj edhe kurdët që jetojnë në hapësira të tjera gjeografike. Duhen përforcuar edhe njëherë lidhjet kulturore dhe historike me ata njerëz, aq sa të jenë të palëkundshme për të ardhmen.

Ne kemi tri probleme themelore, të cilat i pati numëruar edhe i nderuari Bediuzaman, padituria, varfëria dhe mosmarrëveshjet (përçarja). E ja ku i kemi në pah të gjitha të këqijat që burojnë prej tyre, pesimizmin, hilet, mashtrimet, shpifjet, mungesa e ndërsjellë e besimit, etj..

Barabartë me të gjithë, qofshin politikë, qofshin civilë...

Këto duhen trajtuar tërësej në një platformë të vetme të përbashkët. Kjo nuk bëhet duke i parë çështjet nga lart, tërë madhështi e mendjemadhësi. Nëse do të ketë një marrëveshje mirëkuptuese, atëherë kjo duhet t'i përfshijë të gjithë, qofshin këta edhe të mendimeve të ndryshme. Nuk do përjashtuar askush nga kjo e drejtë. Do rënë në marrëveshje me këdo, qofshin këta përfaqësues politikë, qofshin civilë. U duhet njohur kohë edhe banuesve të atyre trevave, që edhe ata të nisin t'i zgjidhin vetë disa prej problemeve të tyre. Unë kam frikë, se po vazhdoi të tregohet e njëjta ngathtësi, çështja do të nisë të çalojë. Le të themi të paktën: "Mjafton të mos derdhet gjak..." Por edhe kjo sikur përmban brenda saj njëfarë pragmativizmi. Duhet synuar edhe ajo ç'vjen pas kësaj. Do menduar qetësia, lumturia dhe mirëqenia e banorëve në ato zona; do sendërtuar një atmosferë ku të mund të bashkëjetojnë turku me kurdin, suniti me shiinë, aleviu, arabi dhe i krishteri semit të gjithë bashkë, sepse në fund të fundit janë pjesëtarët e së njëjtës familje.

Nëse do të kërkoni medoemos një mendje më "të epërme", atëherë shihni për mbështetjen e Allahut (xh.xh.)

Kjo është një barrë mjaft e rëndë. Ma merr mendja, se në asnjë periudhë, njerëzit nuk janë përballur me kaq shumë gënjeshtra dhe shpifje. Nëse kanë ndonjë çështje që e dinë më së miri, duhet ta ndajnë medoemos me popullin; por, nëse nuk është kështu, atëherë do të kenë shpifur në emër të besimtarëve. Përgojimi dhe përkeqësimi i emrit ka arritur në atë farë grade, sa çdo ditë përballemi me nga një shpifje dhe gënjeshtër të re të padëgjuar më parë. Dëshirat e pafundme i ashpërsojnë zemrat; aq sa të mos i perceptoni dot më gjërat me kthjelltësi. Fillon ta nënvlerësosh, madje edhe ta nëpërkëmbësh botën shpirtërore; madje edhe mund të tallesh me të. Mirëpo kur zemra ngurtësohet, e kur përqafohesh fort pas kësaj bote për hir të dëshirave që nuk mbarojnë asnjëherë, atëherë fillon të të duket sikur çdo gjë përbëhet veç prej kësaj bote kalimtare. Kështu e thua ç'të të sjellë gjuha menjëherë, pa u shqetësuar fare se mund të zhytesh në mëkate të njëpasnjëshme. Kurani na këshillon që të mos kthehemi në zemërgurë, por të bartim përherë një zemër sa më të butë dhe një shpirt sa më të fisëm. Kur ngurtësia e zemrës i merr peng shpirtrat, njeriu i hyn çdo rruge, qoftë ajo e lejuar apo e ndaluar, vetëm e vetëm që t'ia arrijë qëllimit të parashikuar. Për fat të keq, një prej shkaqeve kryesore të këtyre ditëve kaq të dhimbshme është edhe ngurtësia e zemrës.

Megjithatë, nëse ndokush është në kërkim të ndonjë "mendjeje të epërme" që fshihet pas kësaj Lëvizjeje, ja ku po e them, ajo është ndihmesa dhe mbështetja që Allahu (xh.xh.) i jep këshillimit dhe vëllazërisë. Kjo Lëvizje, e cila nuk mbështetet pas asnjë force kalimtare, i ka arritur rezultatet e saj falë ndihmesës së Allahut (xh.sh.), dhe përsa kohë që të jetë Ai që e mban nën mbrojtjen e Tij, nuk mund ta dëmtojë dot askush. Besimtari është njeri i kujdesit. Nuk i përgojon vëllezërit e tij në bazë të dhënash të gabuara apo të gënjeshtërta, nuk keqpandeh, e as nuk përhap shpifje lart e poshtë. Fatkeqësisht, në axhendat e atyre që ulërasin veç "kjo botë, kjo botë", nuk ekziston ahireti i përjetshëm. Por kjo mund t'i tërheqë njerëzit drejt një çudhëzimi në besim. Janë thënë shumë fjalë, të cilat janë gabim nga pikëpamja e parimeve të besimit, e që për më tepër do ta vinin në një pozitë tejet të vështirë këdo që do t'i artikulonte. Pastaj ishte media që u dha një hapësirë mjaft të gjerë. Të gjitha këto binin ndesh me fenë; por edhe ata që duhet të flasin, janë duke heshtur. Ne mund ta shpëtojmë shpirtin prej shpifjeve dhe ngatërresave të përditshme vetëm duke i rinovuar edhe njëherë ndjenjat dhe mendimet tona. Nëse Islami sa për t'u dukur kthehet në një mënyrë jetese, atëherë njeriu harron përgjegjësitë e tij, duke filluar të përgojojë pareshtur besimtarët e tjerë. Patjetër, që do të vijë një ditë dhe këto ujëra të turbulluara do të kullojnë. Do të vijë dita, që qytetarët e këtij vendi do ta shikojnë sërish njëri-tjetrin në sy. Sidomos njerëzit që kthehen tok nga e njëjta kible, për të kryer adhurimet, cilatdoqofshin kushtet, nuk duhet të përdorin fjalë karshi njëri-tjetrit, për të cilat, në të ardhmen mund t'u vijë turp nga vetja.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.