Bashkësia dhe socializimi

Shpesh, mënyrat moderne të veprimit, nuk marrin në konsideratë një mënyrë të veçantë organizmi të bashkësisë si në të njëjtën linjë me shoqërinë moderne. Arsyeja e këtij veprimi është se ata besojnë që ideologjia e modernizmit, rrit individualizmin. Kjo mund të jetë e vërtetë deri në njëfarë mase. Megjithatë, kjo nuk është një konsideratë e vlefshme apo një shprehi për çdolloj urdhri shoqëror. Ata të cilët e perceptojnë formimin e bashkësive si kundërshtarë të modernizmit, domethënë ata të cilët e konsiderojnë atë një formë shoqërore që ka ekzistuar në periudhën pre-moderne, e trajtojnë edhe individualizmin në modernizëm si një dhunti shoqërore. Në Perëndim, zhvillimi i një individualizmi të ri shihet si një nga arritjet më të rëndësishme të mendimit filozofik modern. Të gjitha llojet e ideve që kanë lidhje me lirinë dhe çlirimin, e vënë theksin mbi individualizmin.

Në praktikë, modernizmi i ka bërë individët më të vetmuar. Individët po lihen të pambrojtur përballë proceseve të natyrshme shoqërore dhe ekonomike. Ky fenomen social-sociologjik, ka përgatitur terrenin për kultivimin e bashkësive të cilat kanë ndërtuar një hapësirë publike për anëtarët e tyre në shoqërinë moderne. Në fakt, fenomeni i shtimit të bashkësive dhe i formacioneve lokale nuk është diçka që i përket vetëm shoqërive të modernizuara tash së fundmi, apo dhe shoqërive që kanë dështuar në përpjekjet e tyre për modernizim. Ai përbën një formë sociale që është mjaft e dukshme në mbarë botën e sotme.

Kur marrim në veçanti rastin e botës islame, vërejmë se ky fenomen ka baza të gjera, të thella dhe të gjata sociologjike dhe historike. Islami është një fe që nxit ndihmën ndaj të tjerëve. Organizimi i veprave të mira, solidariteti dhe bashkëpunimi është i lidhur me parimet e drejtësisë sociale. Islami nxit solidaritetin dhe bashkëpunimin dhe shtron rrugën për organizmin publik rreth këtyre veprave të mira, të bazuara mbi mobilizimin e potencialeve të çdo besimtari për dashamirësi dhe virtyt. Në historinë islame, shumica e institucioneve të shërbimit publik kanë dalë në pah si kombinime të bamirësisë popullore dhe parimeve islame të solidaritetit. Kjo është arsyeja përse koncepti i quajtur lufta e klasave nuk ka qenë kurrë element i historisë islame, duke e bërë analizimin e luftës së klasave në botën myslimane të panevojshëm.

Trajtimi studimor i formimit të bashkësive apo lëvizjeve s’mund të shmanget si i parëndësishëm. Shfaqja e lëvizjeve radikale ka të bëjë më tepër me sektorët e huaj të shoqërisë sesa me formacionet që veprojnë brenda suazës kulturore apo asaj që mbizotëron në aspektin fetar të kësaj shoqërie. Ndjenjat e mohimit të të drejtave të përbashkëta me disa ndjenja të caktuara të kompleksit të përjashtmit nga identiteti shoqëror momental, i kthen këto grupime të vogla në katalizatorë të organizatave periferike. Ndërsa lëvizje të tilla mund të nisin si thjesht opozitare, ato shpesh transformohen në sfida të vërteta politike apo ushtarake. Pjesëtarët aktivë të organizatave të tilla, përçojnë një ndërgjegje organizative tek anëtarët e tyre. Kjo stimulon një ndjenjë shkëputjeje nga përfshirja në proceset sociale. Kur kjo shkëputje synon të jetë radikale në raport me identitetin e përgjithshëm, pra të shfaqet me një psikologji kalorsiake, atëherë nuk ka më kuptim të flitet për jetën individuale; në këtë rast mund të shohim me sytë tanë se çfarë lloj rezultati shfaqet në fund të këtij procesi.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2021 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.