Fethullah Gyleni si edukator moral
Rruga e shokëve të Profetit
Theksojmë se Fethullah Gylen nuk ka poseduar asnjëherë ndonjë koncept apo pozitë të misticizmit, as si udhëheqës tarikati, as si ekol misticizmi-tasavufi. Po kjo nuk do të thotë se ai bie ndesh me misticizmin. Ndonëse edukimi moral i vetvetes është një nga kushtet e edukimit në Islam, rruga e vetme për arritjen e këtij edukimi nuk është misticizmi. Për hir të sqarimit të temës, e shohim me vend këtu të përsërisim kuptimin e ajetit Kuranor, të cilin e dhamë më sipër, ndërsa flisnim për funksionet e Profetit.
“Ne ju dërguam një Profet nga mesi i juaj, i cili ju lexon e sqaron ajetet (që i janë shpallur e që në gjithësi, faktojnë ekzistencën e Zotit), ju pastron (mendjen tuaj nga paragjykimet e gabimet, zemrën nga mëkatet, mendjen nga bestytnitë e kota dhe jetën tuaj nga çdo lloj papastërtie) ju mëson Librin e Urtësinë (që Unë ju kam shpallur. Kuptimin e atij Libri, Praktikën e tij, kuptimin e vërtetë të sendeve dhe ngjarjeve, si fakt për ekzistencën Time) dhe gjithë çfarë nuk dini.” (Bekare, 151).
Sikurse thuhet qartë edhe në këtë ajet kuranor, një nga funksionet më të rëndësishme të Profetit është pastrimi i mendjes dhe i intelektit të njerëzve nga paragjykimet e bestytnitë e kota, ndërsa u purifikon atyre zemrën dhe jetën nga çdo lloj mëkati e papastërtie. Ajeti në fjalë përmend dy-tre funksione, të cilat jo gjithmonë në histori janë përmbushur nga një person i vetëm. Ndërsa dijetarët kanë marrë përsipër funksionin e arkitekturës së intelektit te masat, mistikët kanë sqaruar fatin, shkaqet dhe prapaskenën e ekzistencës, kurse udhëheqësit shpirtërorë kanë marrë përsipër misionin e pastrimit të zemrës, zgjimit të ndërgjegjes dhe asgjësimit të egos te njerëzit. Në të vërtetë, historia ka shënuar edhe emra udhëheqësish të tillë, që kanë arritur t’i vënë shpatullat secilit prej këtyre misioneve, vetëm se pas shekullit të 16-të, edukimi tërësor i individit nga një institucion i vetëm është bërë pothuajse i pamundur, duke vështirësuar kështu jashtëzakonisht rritjen e një figure që mund të përfshijë që të gjitha këto funksione në vetvete. Këto misione janë ndarë në ekole të ndryshme, të cilat jo rrallë, kanë dëmtuar edhe njëra-tjetrën. Mbledhja e ekoleve nën strehën e medreseve apo të teqeve të ndryshme e ka vështirësuar më tepër përmbushjen e misionit të tyre. Në të vërtetë, Gyleni nuk e mbështet këtë ndarje. Madje ai e kritikon medresenë për lënien pas dore të shkencave natyrore, si dhe teqetë për lënien mënjanë të zhvillimeve shkencore. Por në themel, ai i sheh pozitivisht këto institucione dhe i vlerëson për sa kohë që në histori kanë arritur ta përmbushin misionin e tyre; medreseja duke dhënë edhe edukimin shpirtëror e shkencor dhe teqetë, duke i dhënë rëndësinë e duhur shkencës dhe zhvillimit. Mirëpo në ditët tona rëndësia parësore i takon atij edukimi, i cili përfshin në vetvete pasionin dhe ndërgjegjen e teqesë, akademinë e medresesë dhe kulmin më të lartë të shkencave skolastike, sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrihet më së miri formimi tërësor i njeriut. Prandaj edhe Gyleni nuk e trajton misticizmin sipas kuptimit të ngushtë që i ka lënë atij historia, por sipas rëndësisë së tij reale për të përmbushur edukimin ideal moral që parashtron Islami.
Dijetarët e mendimtarët që nuk pranojnë ndarjen medrese-teqe-shkollë dhe ndarjen intelekt-zemër-shpirt, e trajtojnë çështjen e edukimit moral në dy kategori, Rruga e Evlijave të mëdhenj dhe Rruga e Shokëve të Profetit. Sipas tyre, në Rrugën e Shokëve të Profetit, zemra, mendja dhe shpirti janë të ndërthurur me njëri-tjetrin, madje mund të thuhet se as që ekziston qoftë edhe ndopak ndonjë ndarje mes tyre, sepse njeriu trajtohet si një qenie tërësore. Në këtë aspekt, nuk synohet vrasja e egos me forma adhurimi jo të detyrueshme, po luftohet me teprinë e egos gjatë gjithë jetës, luftë kjo që mundëson maturimin e njeriut. Individi mund të mos jetë aspak i vetëdijshëm për maturimin e lartësimin e tij dhe nuk synon aspak shfaqjen e disa gjendjeve të jashtëzakonshme-keramete. Sidoqoftë, këto nuk përbëjnë një qëllim për të, sepse e rëndësishme këtu është pranimi i çdo normative të Islamit dhe qetësimi i zemrës, dorëzimi i shpirtit, drejtimi i çdo ndjenje në rrugën e Zotit dhe ruajtja e këtij qëndrimi gjatë gjithë jetës. Për shembull, namazi ka 12 kushte. Për sa kohë që këto kushte nuk përmbushen, namazi nuk quhet i falur. Por krahas këtyre kushteve, duhen përmbushur edhe ato kushte morale, të brendshme, siç janë përqendrimi, të ndierit e namazit me shpirt dhe falja e tij në praninë konkrete të Allahut, ku Ai na sheh e ne edhe pse nuk e shohim, jemi të ndërgjegjshëm për praninë e Tij. E njëjta gjë është e vlefshme edhe për format e tjera të adhurimit.
Sërish nënvizojmë se themeli i çdo forme të adhurimit konsiston te pastërtia shpirtërore dhe sinqeriteti. Pra, çdo adhurim duhet bërë vetëm për Zotin, pa pritur as edhe një lloj interesi, thjesht dhe vetëm për të përmbushur urdhrin e Zotit. Përveç kësaj, edhe devotshmëria më e lartë, distancimi material nga gjërat e kësaj bote, synimi i kënaqësisë së Zotit në çdo fjalë e vepër dhe pëlqimi ndaj çdo gjëje që vjen prej Tij. Mandej arritja në pikën më të lartë të besimit, duke kërkuar e medituar çdo fakt që evidenton Zotin dhe duke pranuar me gjithë mendje e zemër çdo çështje të asaj që beson, përvetësimi i çdo virtyti e bukurie morale, janë gjëra themelore të besimit dhe çështje shumë të rëndësishme në emër të edukimit moral.
Pas trajtimit të këtyre aspekteve, duhet theksuar edhe njëherë se arritja e edukimit moral dhe distancimi nga negativitetet e egos është i mundur edhe pa hyrë në tarikat. Vetëm se, sikur një edukim e arsimim intelektual i përsosur, që nuk mund të arrihet pa një mësues të kualifikuar, edhe ky edukim i vështirë e i komplikuar për të arritur të përsosurën e mundshme te njeriu, është vështirë të kryhet pa një udhërrëfyes. Edhe Kurani vetë na mëson përmes Sures Fatiha, të cilën çdo mysliman e lexon afro 40 herë në ditë gjatë faljeve të tij, në lutjen “Na udhëheq në Rrugën e Drejtë”, rrugë e cila në të njëjtën sure cilësohet si “Rruga e atyre, të cilët i ke furnizuar me të mira”, duke na e bërë të qartë se në këtë rrugë kemi shembuj e udhërrëfyes. Në një tjetër pasazh kuranor (Nisa, 69), ata të cilët janë furnizuar me të mira sqarohen më tej: ata janë profetët, besnikët- ata të cilët janë besnikë ndaj besimit të tyre dhe kanë një karakter të drejtë, të ndershëm, larg çdo mashtrimi e hileje-, dëshmorët-ata që shohin atë që i përket jetës së përtejme, të panjohurës e që është e pazbuluar për ne, të sinqertët-ata që udhëheqin drejt së mirës, duke qenë të lidhur fort me besimin e drejtësinë, larg të ligave e të këqijave. Ndaj dhe është e vështirë për njeriun të ecë i vetëm, pa një udhërrëfyes të besueshëm në rrugën e besimit, rrugë që synon ngritjen e potencialit njerëzor në përsosmërinë njerëzore. Për këtë nuk duhet doemos një ekol, apo një disiplinë, si ajo e tarikatit, sepse Islami ka shembullin konkret më të përsosur, Profetin Muhamed, katër Kalifët e tij, shokët dhe pasardhësit e tij. Edhe në kohën e tyre, ndonëse kuptimi i tij i mirëfilltë ekzistonte, nuk kishte një ndarje të shpirtit nga trupi dhe nuk njihej misticizmi e tarikati në kuptimin që mbartin sot. Rruga e shokëve të Profetit nuk e ndan njeriun në pjesë të veçanta dhe nuk parashikon përfshirjen nën një disiplinë specifike. Ajo e trajton njeriun në tërësi dhe synon edukimin e tij mes ngjarjeve e jetës. Kjo është edhe rruga të cilën Fethullah Gylen ndjek, duke i dhënë rëndësi të veçantë, në lëvizjen e tij, shembullit dhe udhërrëfimit që mishërojnë shokët e Profetit.
Edukimi moral i njeriut me karakterin e tij ontologjik ose arritja e pjekurisë shpirtërore
Edhe në edukimin moral, Fethullah Gylen e trajton çështjen ashtu si edhe në edukimin intelektual, duke i dhënë rëndësinë parësore njeriut. Sipas tij, njeriu është një qenie e pajisur me një shpirt të mrekullueshëm, virtyte shumë të larta dhe me kapacitet për të përjetshmen. Edhe në shpirtin e njeriut më të mjerë në dukje, gjendet një atmosferë e jashtëzakonshme, e zbukuruar me ylberin e mendimit të përjetësisë, vlerës së virtytit dhe pasionit për të bukurën, e cila mund të dalë në pah në raport të drejtë me zhvillimin e kapacitetit të individit dhe lartësimit të tij drejt së përsosurës. (Kriteret ose Dritat e Rrugës)
Natyrisht që njeriu nuk është një qenie që mund të paraqitet me dy-tre fjali. Sipas Gylenit, ai është një qenie e vështirë për t’u kuptuar nga çdo aspekt i tij. Veçantia e tij vihet re qëkur ai hap sytë në këtë botë. Çdo qenie tjetër, përveç njeriut, vjen në këtë botë sikur të ishte trajnuar më parë, e mësuar me mbijetesën dhe me ligjet që bëjnë të mundur ekzistencën e vet. Vetëm njeriu, ndonëse më i përsosuri ndër krijesa, vjen në këtë botë i pamësuar dhe i paaftë për të qëndruar mbi këmbët e veta. Çdo veti e tij që e tejkalon mekanizmin e tij trupor, zhvillohet në këtë botë si rrjedhojë e mendjes, intelektit, vullnetit, lirisë, sentimentit dhe potencialit të tij. Njeriu arrin në tërësinë e tij duke e ndërthurur shpirtëroren me truporen dhe mund të maturohet vetëm në këtë mënyrë. Njeriu zhvillohet e përsoset vetëm duke mësuar e jetuar me besim dhe vetëm kështu ai bëhet njeri i vërtetë.
Fethullah Gylen i përmbledh mendimet e tij në lidhje me edukimin moral të njeriut gjatë shkrimeve të tij, pak a shumë si më poshtë:
“Njeriut i janë dhënë për përdorim mekanizma të ndryshme në rrugën që ai duhet të përshkojë për t’u bërë njeri i vërtetë. Një nga këta është mekanizmi i unit, ai që i intereson aspektit të tij të lidhur me këtë botë. Kurse një tjetër është mekanizmi i ndërgjegjes. Pikërisht ky mekanizëm është ai që përbën përmasën e tij morale dhe që administron e mban në dorë unin. Mekanizmi i unit përbëhet nga ndjenja e veti si egoizmi, epshi apo zemërimi. Në të vërtetë këto veti i janë dhënë njeriut edhe për të përftuar vazhdimësinë e jetës në botë, edhe për t’u bërë një njeri i vërtetë, i denjë për parajsën, jo vetëm me shpirtin e tij, por edhe me unin. Ndërmjet krijesave të tjera, engjëjve nuk u është dhënë një mekanizëm i tillë. Vullneti që i është dhënë atyre vlen vetëm për të zgjedhur mes mirësisë, atë që është më pranë pëlqimit të Zotit, ndaj dhe pozita e tyre është e fiksuar. Ata nuk maturohen, nuk lartësohen dhe rrjedhimisht nuk e shijojnë as përpjekjen për lartësim dhe as frytet e saj të mrekullueshme. Kurse njeriu është i aftë që me anë të ndërgjegjes, ta orientojë unin e tij nga mirësia dhe ta pozicionojë atë në drejtim të maturimit dhe lartësimit moral. Sepse nëse njeriu nuk e përdor si duhet vullnetin e tij, por e lë nën urdhrin e mekanizmave të unit, siç mund të jenë epshi a zemërimi, atëherë ai pozicionohet në shkallën më të ulët të hierarkisë së krijesave dhe bie në një gjendje që turpëron edhe djallin. Në fakt ky është edhe shkaku kryesor i gjithë problemeve që lindin te individi e te shoqëria. Përkundrazi, nëse ai arrin ta disiplinojë unin me të gjithë vetitë e llojet e ndjenjave që ai përfshin, atëherë ai mundet ta përdorë atë si një mjet për të arritur parajsën. Ai un tashmë bëhet i aftë të përshkojë lloj-lloj lartësish gjatë këtij udhëtimi. Sipas mistikëve, uni shpëton nga vetitë e tij më të këqija, që i urdhërojnë pronarit të tij vetëm ligësi dhe nis e lartësohet shkallë-shkallë, derisa arrin në nivelin e një uni të purifikuar tërësisht që i vlen pronarit të saj më së miri.
Fillimisht uni dhe mekanizmi i tij mund të duken si të pavlefshme, madje të dëmshme për njeriun. Po kur trajtohet në këtë këndvështrim ajo jo vetëm që ndihmon në maturimin e njeriut, po edhe kthehet në një mjet për t’u kënaqur me mirësitë e parajsës. Njeriu që edukon unin e tij e merr shpërblimin në parajsë në formën e kënaqësive që i përkasin unit, siç është të ushqyerit, etj. Ndërsa në botën tonë këto lloj kënaqësish janë të shoqëruara me njëfarë vuajtjeje, vështirësie e dhimbjeje, në parajsë janë krejtësisht të purifikuara, rinovohen vazhdimisht dhe çdo herë shijohen në të tjera përmasa. Pikërisht këtu qëndron edhe arsyeja e ringjalljes si shpirtërore, ashtu edhe materiale të njeriut në botën tjetër. Përndryshe Parajsa do të ishte vetëm vendi i kënaqësive shpirtërore, duke lënë kështu të pjesshëm edhe shpërblimin për njeriun. Nga ana tjetër, heqja dorë në këtë botë prej disa kënaqësive fizike e trupore, me synim edukimin e unit, do të ishte tepër e rëndë për t’u përballur dhe njeriu do ta ndiente veten përballë një padrejtësie.
Në këtë mënyrë, njeriu, i cili me dheun që formon anën e tij materiale, është i aftë të arrijë gjer në nivelin e engjëjve, të fusë në veprim edhe ndërgjegjen, arrin edhe t`i kalojë engjëjt. Sikur e cilësuam edhe më lart, te engjëjt nuk ka përpjekje. Vullneti i tyre është i kushtëzuar me më të mirën, duke zgjedhur përherë atë që është konform kënaqësisë dhe pëlqimit të Zotit. Në të kundërt, njeriu është i detyruar të zgjedhë gjithmonë me vullnetin e tij të lirë, mes të mirës e të keqes, të veprojë sipas zgjedhjes së vet e të jetë përherë në luftën mes unit, që e tërheq drejt kënaqësive të veta dhe ndërgjegjes, që i tregon rrugën e drejtë. “Mirësia është sipas përgjegjësisë, përgjegjësia, sipas rëndesës së vet”, është parimi i cili e bën njeriun të triumfojë mbi vetveten e të kapërcejë edhe pozitën e engjëjve.
Ndërgjegjja është njëkohësisht orientuesi kryesor i njeriut. Me anë të saj njeriu gjen veten dhe Krijuesin e tij. Kjo është edhe arsyeja pse shumë të mëdhenj të Islamit, si Imam Rabani, Gazali, Mevlana e Bediuzzamani, si dhe shumë mendimtarë të perëndimit, e kanë trajtuar e analizuar konceptin e ndërgjegjes me prioritet, duke mos lënë pas dore instinktin dhe botën e brendshme dhe duke u përpjekur të shpjegonin më së miri funksionin e saj. Ndërgjegjja nuk gënjen. Ajo ka dy aftësi shumë të rëndësishme, aftësia për të kërkuar ndihmë dhe aftësia për t’u mbështetur. Pikërisht këto dy aftësi janë ato që e ndihmojnë njeriun të kuptojë se ai nuk është asgjë, që e shtyjnë të besojë, të mbështetet te Zoti i vet dhe t’i kërkojë ndihmë vetëm Atij. Njeriu, duke mbartur në vetvete ndjesinë e të kërkuarit ndihmë, e cila del në pah më së miri në momentet më vendimtare të jetës, kupton më së miri se ekziston edhe Ai, të cilit i kërkohet ndihmë. Po të mos ishte kështu, kjo ndjesi e njeriut nuk do të kishte asnjë lloj kuptimi. Po në gjithësi nuk ekziston asnjë gjë, e cila nuk e ka një shkak. Aq më tepër te ndjenjat tona, të cilat kanë që të gjitha reciprocitet. Vetëm se realisht ka njerëz, të cilët nuk ia kanë vënë veshin as edhe njëherë zërit të ndërgjegjes së tyre. Për këta është i pamundur konceptimi i një ndjesie të tillë. Instinkti, sado që është një pjesë e konsiderueshme e ndërgjegjes, është i pamjaftueshëm për ta zgjidhur tërësisht atë. Ndërgjegjja e shëndoshë është ajo ku vullneti bashkohet me zemrën dhe me ndjenjën.
Si çdo dëshmitar, që shpall pa pushim ekzistencën e Zotit, edhe ndërgjegjja është një zë që shpall të drejtën e të vërtetën hyjnore pa reshtur. Mirëpo vazhdimësia e këtij zëri dhe perceptimi i tij është i lidhur me ruajtjen e pastër të ndërgjegjes. Zëri i një ndërgjegjeje të marrë nëpër këmbë nga pasionet e egos, bëhet gati i pamundur të dëgjohet. Një tjetër pikë e rëndësishme këtu është kjo: Në veprën e tij të famshme, “Kritika e mendjes së kthjellët” Kanti thotë se Zoti nuk konceptohet me mendimin teorik, po me atë praktik. Shkurtimisht, janë veprat e mira ato që bëhen pjesë e karakterit të njeriut dhe që e lartësojnë atë deri në atë pikë ku njohja abstrakte nuk arrin. Asnjëherë njeriu nuk mund të arrijë me anë të informimit abstrakt dhe njohjes teorike nivelin në të cilin ai arrin me eksperiencë, praktikë e vepër të mirëfilltë. Njerëzit që nuk kanë eksperiencën e të jetuarit, veprën e praktikën, sado të informohen e të mësojnë përmendësh, nuk mund të arrijnë kurrë në atë fazë të kuptimit dhe të koshiencës që i mundëson ta ndiejnë të pastër zërin e ndërgjegjes. Veprat e praktikat janë pikërisht ato që ne dimë, ato që na mëson më së miri besimi ynë. Vënia në punë e ndërgjegjes është e lidhur më së miri me kryerjen e veprave të mira e të dëlira. (Prizma,1-74)
Ecja e njeriut në një rrugë të tillë, duke pasur për qëllim arritjen e maturimit njerëzor, është ajo që quhet edukimi i vetvetes dhe maturimi i shpirtit.
Kjo veprimtari e shtyn njeriun të jetë i vetëdijshëm për çdo veprim që bën. Pikërisht në çastin kur njeriu zgjohet përballë të vërtetave, kupton se është i paplotë ndaj vetvetes, ndaj faktit që ka ardhur në këtë botë jashtë vullnetit të tij, nga prindër që ai nuk i ka zgjedhur dhe në një vend që ndoshta nuk do ta preferonte. Ai ka një ngjyrë, gjini, racë a kombësi jashtë preferencave të veta dhe jeton në një datë që nuk e ka zgjedhur deri në një çast, të cilin nuk e vendos vetë ai. Dhe njeriu e hedh hapin e parë pikërisht në këtë rrugë. Pas këtij hapi ai do ta ndjejë veten të detyruar të kërkojë udhërrëfyesin e vet, atë që do ta mësojë në rrugën drejt Zotit të vet. Duke kërkuar, ai do të mësojë meditimin, do të kërkojë dijen dhe mundësinë për të jetuar atë që di, ashtu si e beson, do mundohet ta bëjë të vlefshme jetën e tij dhe do të përpiqet të jetë i vetëdijshëm për çdo mendim e çdo vepër që bën, mandej do të marrë nën kontroll vetveten, do të përpiqet të shlyejë çdo gabim, do të largohet nga ç’i ndalon Zoti e do të përpiqet të përmbushë ato që Ai i urdhëron, duke vazhduar rrugën e tij, i pajisur me virtyte si drejtësia, ndershmëria, modestia, dashuria, durimi e besimi. Ky është aspekti më i vështirë i edukimit të njeriut, si dhe fusha e betejave më të vështira në jetën e kësaj bote. Ndaj dhe Profeti ynë i nderuar e ka cilësuar këtë betejë si xhadi i madh. (Kalbin Zümrüt Tepeleri,2-235)
Këtë edukim shpirtëror, të cilin Gyleni e trajton pak a shumë si më lart, si dhe rolin e tij si edukator në këtë aspekt, ai parapëlqen ta kryejë më së miri me sjelljen e tij, me mënyrën e tij të të jetuarit, me gjuhën e gjesteve e të syve, duke bërë që te të gjithë ata që e njohin dhe e shohin, të frymëzohen më së miri ndaj një shembulli konkret e të dallojnë te ai mishërimin e lidhjes me Zotin, si dhe të sqarohen më së miri rreth teorisë së këtij edukimi mes shkrimeve e bisedave të tij. Në këto shkrime e biseda, zë vend një sërë literature, si nga si duhet të jetë njohja e Zotit, te dashuria ndaj Tij, nga falja, agjërimi, haxhi, zekati dhe adhurimet e tjera që formojnë boshtin e Islamit, te virtytet e larta si pastërtia shpirtërore, largimi nga të ligat etj, nga ruajtja prej mëkatit e prej kalbëzimeve të tjera morale, te rrugët e distancimit nga vetitë e këqija dhe sëmundjet e shpirtit, si hipokrizia e vetëpëlqimi, e cila përfshin pak a shumë gjithë çështjet e Islamit.
“Problemi më i madh i njeriut të ditëve tona është mungesa e relacionit me Zotin. Prandaj dhe duhet të përpiqemi disa herë në ditë të gjejmë shkas e rrugë për të rigjallëruar këtë relacion; qoftë edhe kult a faltore gjëja që e pengon këtë relacion, nuk duhet të ngurrojmë të heqim dorë prej saj”, thotë Gyleni dhe vendos një kriter origjinal në relacionin e njeriut me Zotin. Sipas tij, njeriu në këtë relacion as duhet të pikëllohet për ato që humbet, as të ngazëllehet për ato që fiton. Si humbja, edhe fitorja nuk janë veçse mjete sprove. Aq më tepër që ne nuk mund ta kuptojmë se cila prej tyre është më e dobishme për ne në botën tjetër. Ku i dihet, ndoshta ato çastet e pikëllimit e të trishtimit mund të jenë më të shpërblyera se çastet e ngazëllimit në kriteret e botës tjetër! Prandaj e rëndësishme është që në çdo gjë që bëjmë, të kemi për qëllim pëlqimin e Zotit dhe të veprojmë pro tij, duke e rezervuar ngazëllimin për veprat që mendojmë se e meritojnë kënaqësinë e Tij. (Fasıldan Fasıla, 3-33)
Rëndësia e adhurimit për të konceptuar njësinë e Zotit
Fethullah Gyleni e trajton lidhjen e individit me Zotin si çështjen parësore të Islamit. Kjo lidhje konsiston në përshtatjen e çdo fjale e veprimi me pëlqimin hyjnor dhe në koshiencën e mirësisë së Tij në çdo moment, duke u lidhur me Të në kuptimin më të lartë të fjalës. Për të formuar më së miri këtë lidhje, Gyleni nënvizon rëndësinë parësore të adhurimit dhe e pranon atë si kushtin kryesor për këtë lidhje. Sipas Gylenit, njohja e Zotit konsiston nga njëri aspekt në nivelin e arritur me anë të adhurimit. Vetëm me në të adhurimit njeriu mund të arrijë që të njohë Madhështinë Hyjnore. Në lidhje me këtë temë ai thotë:
“Nuk mund të jetojmë një jetë të tërë me kënaqësinë e qetësinë e pasqyrimit hyjnor që rrezaton pasqyra jonë e shpirtit, kur e kemi kthyer atë një herë të vetme nga Zoti. Ndaj duhet ta mbajmë vazhdimisht atë pasqyrë andej, të hapur për të pasqyruar mirësinë dhe mbështetjen e Tij.
Nuk ndodh ndonjëherë që njeriut të rritur t’i mjaftojnë ato gjëra që ka pasur edhe kur ishte fëmijë e të arrijë të ngopet me to. Kështu është edhe bota shpirtërore dhe niveli intelektual i njeriut. Kërkesat e tyre janë gjithmonë në rritje dhe ngopja e tyre mund të arrihet vetëm kur ata ushqehen sipas nivelit që kanë.
Adhurimi është një temë që duhet të trajtohet tejet gjerësisht. Praktikimi i faljes është adhurim, agjërimi është adhurim, pelegrinazhi është adhurim, gjithë ç’bëhet në emër të bindjes dhe dashurisë ndaj Zotit, çdo vepër që Islami e ndërgjegjja njerëzore e pranon si të drejtë, është adhurim.” (Fasıldan Fasıla, 1-30)
Në një tjetër pasazh, Gyleni na fton të mendojmë:
“Njeriu është besimtar me besimin që ka në zemër, jo me pirgjet e njohurive që transporton në kokë. Ndaj edhe nuk hedh dot as edhe një hap nëse nuk tejkalon atë nivel që ka arritur me praktikën dhe eksperiencën e tij të jashtme e të brendshme. Patjetër që individi duhet që t’i hedhë të gjitha këto pas krahëve e të vazhdojë rrugën e tij drejt përsosjes nën rrezet e ndritshme të Kuranit dhe nën ndriçimin e mendjes dhe të shpirtit. Vetëm në këtë mënyrë ai do të arrijë në shkëlqimin që kërkon. (Fasıldan Fasıla, 2:27)
Ndërsa shpjegon me pasion e origjinalitet që të gjitha llojet e adhurimit, faljen, zekatin, duke e trajtuar atë në një aspekt më të gjerë të ndarjes së pasurisë dhe kanalizimit të saj për vepra të mira, agjërimin e haxhin, Gyleni ndalet në mënyrë të veçantë në disa veçori të përbashkëta të këtyre adhurimeve. Sipas tij, njeriu duhet të ruajë edhe gjatë adhurimit kontrollin dhe vetinspektimin, ashtu sikur duhet t’i ruajë këto edhe në çdo mendim e vepër që kryen në jetë; ai duhet të jetë i ndërgjegjshëm për atë që bën dhe për atë që braktis dhe duhet të jetë i kujdesshëm që të mos e humbë as edhe për një çast të vetëm pastërtinë shpirtërore dhe qëllimin e veprës së tij. edhe në veprën më të dëlirë e më të përsosur, ka mundësi që të zërë vend një nuancë djallëzore e një rrëshqitje e njeriut, ndaj dhe është e domosdoshme që ai të jetë i kujdesshëm e ta ketë parasysh këtë fakt. Në këtë pikë Gyleni është i kujdesshëm dhe përmend edhe një tjetër aspekt shumë të rëndësishëm. Kjo përpikëri e ky sy kritik që duhet të mbajë gjithmonë të gjallë njeriu, vlen për veprat e tij personale. Për sa u përket veprave të të tjerëve, asnjëherë nuk duhen trajtuar me kriticizëm e me të njëjtat kritere. Për të tjerët, mirësia, paragjykimi pozitiv dhe toleranca duhet të jenë gjithmonë në plan të parë.
“Nëse trajtojmë e vlerësojmë veprat e të tjerëve me të njëjtat kritere që vlerësojmë veprat tona, duke paramenduar se diku ka ndërhyrë egoja, apo se ata po veprojnë sa për sy e faqe, atëherë, Zoti na ruajttë, po një helm vdekjeprurës është ai që i kemi hedhur mendjes dhe i pafalshëm është gabimi që bëjmë. Ku i dihet, ndoshta ai tjetri, e ka arritur me kohë atë që ne ka kohë që e ndjekim dhe as që e kuptojmë dot.”
Shpëtimi nga hipokrizia dhe zemra e pastër
Në këtë aspekt pika ku Gyleni ndalet më tepër dhe tërheq më shumë vëmendjen është hipokrizia dhe aktiviteti sa për sy e faqe. “Çdo njeri mund të jetë pré e hipokrizisë, një herë në fillimet e tij. Edhe adhurimi madje, ashtu si shumë vepra të tjera, ka raste që mund të bëhet pré e saj. Po adhurimi nuk mund të vazhdojë bashkë me hipokrizinë. Individi lartësohet duke e humbur hipokrizinë dhe në momentin kur ai arrin pastërtinë e plotë shpirtërore, atëherë në zemrën e tij nuk ka as edhe një gjurmë të hipokrizisë”, thotë Gyleni dhe tregon si më poshtë mënyrën për të shpëtuar prej hipokrizisë:
“Pa njohur hipokrizinë dhe kuptimin e saj, te njeriu nuk ka si të lindë dëshira për të arritur një pastërti shpirtërore absolute. Nëse njeriu nuk ndërgjegjësohet se vepra e tij ka nuancë hipokrizie, atëherë ai asnjëherë nuk mund ta arrijë përsosjen morale. Ashtu sikur ndërgjegjësimi ndaj unit dhe vetvetes, që është një derë drejt njohjes së Zotit, ashtu edhe hipokrizia është një negativitet që bën të dalë në pah pozitivja: pastërtia shpirtërore. Njeriu kalon nga ajo derë dhe ngjitet shkallë-shkallë drejt të mrekullueshmes. Ka raste që njeriu fillimisht shumë gjëra i bën sa për sy e faqe, vetëm artificialisht, pa e kuptuar brendinë e sensin e tyre, po thjesht për të përmbushur një urdhër. Ndaj edhe në hapat e parë mund të takojmë edhe të tilla sjellje që mund të cilësohen si artificiale e hipokrite. Po më pas, ai hyn në një tjetër rrugë. Ndoshta se e njeh më mirë Zotin dhe atributet e Tij, ndoshta për një tjetër shkak, por më vonë njeriu e hedh tej artificialitetin dhe bëhet një udhëtar i rrugës së pastërtisë shpirtërore dhe fiton vetëkontrollin e nevojshëm për të. Atëherë ai vazhdimisht kërkon, ajo që gjen nuk i mjafton e vazhdon të kërkojë pa lodhje. Në këtë mënyrë gjer në fund të jetës së tij ndoshta kapërcen pesëdhjetë nivele të pastërtisë shpirtërore dhe sinqeritetit, por prapë nuk i mjafton; ai prapë kërkon absoluten. Lutja e tij është vetëm pastërti shpirtërore, edhe nëse lutet për tjetër gjë, ai prapë fokusohet te pastërtia shpirtërore, si ai që vrapon për të kaluar nën ylber dhe ylberin s’e kap dot. Ja, e tillë dashuri, i tillë pasion është adhurimi! Sa më shumë afrohesh, aq më shumë rrugë të hapet para. Zoti mos na privoftë nga kjo rendje!”
Nga ana tjetër, Gyleni shprehet se epoka jonë është epoka e hipokrizisë. “Që në ditën e saj të krijimit, vështirë se bota ka parë kaq hipokrizi e artificializëm përnjëherë. Aq më tepër që në ditët tona faktorët që të detyrojnë hipokrizinë janë shtuar kaq shumë. Kushdo e gjen një shkak për të qenë hipokrit; dikush me laps, dikush me fjalë, dikush me librat e bibliografitë që shfleton e dikush me njohjet dhe rrethin e vet. Pastaj trofetë e shpërblimet që pasojnë... çmime, tituj, duartrokitje, lëvdata, krenari personale e kombëtare... Në fushat e tjera mrekullitë, gjendjet e jashtëzakonshme, parandjenjat e parathëniet... e sa e sa të tjera. Aq shumë, sa të duket se askush nuk po e llogarit ndopak Zotin. Të gjithë harrojnë se suksesi e fama thjesht të jepen, ndërsa njeriu kujton se i arriti vetë këto triumfe e suksese, duke u kapardisur me një ndjenjë krenarie që nuk i takon.”
Në një tjetër pasazh, Gyleni na e tërheq vëmendjen kështu:
“Në fakt, çdo vepër e fjalë hipokrizie nuk është veçse një gënjeshtër. Zoti u çon njerëzve mirësi pa fund, e ata, në vend që të përpiqen për t’ia përhapur njerëzve këto mirësi, hiqen sikur ajo është vepër e tyre dhe bëhen perde mes njerëzve e Zotit. Por, jo; gjithë sa posedojmë në emër të suksesit dhe aftësisë nuk është veçse nga Zoti. Janë njerëzit ata, që me egoizmin e mosmirënjohjen e tyre i përdorin këto për të harruar Zotin. Përkundrazi, njeriu edhe në mirësinë më të vogël, duhet të mrekullohet e të ndërgjegjësohet menjëherë duke thënë: “Prej Teje është, o Zoti im, prej Teje.”
Një tjetër çështje, së cilës Gyleni i jep një rëndësi të veçantë për një jetë shpirtërore të konsoliduar, është njëllojshmëria e fjalës me veprën. Pasi ai kujton frikën më të madhe që kishte Profeti ynë i nderuar për popullin e tij, e cila ishte demagogjia e hipokritit dhe hipokrizia e dijetarëve, Gyleni vazhdon: “Myslimani nuk merret me dialektikë. Ai përpiqet të jetë si një libër më shumë, me sjellje e vepra se me fjalë e ligjërata. As Profeti ynë i nderuar dhe as Pasardhësit e tij të urtë nuk janë përpjekur t’i mbushin mendjen njerëzve me fjalë e me lajle-lule, po janë bërë shembull konkret me sjelljen e tyre dhe me mënyrën e përsosur të jetesës. Një tjetër përmasë e njëllojshmërisë së fjalës me veprën është njehsimi i fillimit me fundin. Dua të theksoj me këtë; Profeti ynë i nderuar, atë sjellje modeste e të urtë që shfaqi në fillim, atë ruajti gjer në fund të jetës së tij. Ai nuk ndryshoi asnjëherë dhe as bashkudhëtarët e tij. Të gjithë ata që i vihen kësaj rruge të shenjtë, duhet të jenë shumë të kujdesshëm e të mos keqpërdorin as edhe më të voglën e mirësive dhe bujarive që u dhurohen për shkak të kësaj rruge. Edhe mbjelljen e një peme në kopshtin e vet si përfitim nga ky ideal, nuk duhet ta shohin veçse si tradhti. Pikërisht si Profeti ynë i nderuar, edhe shokët e tij, duhet të largohen nga kjo botë ashtu siç kanë ardhur, sepse vetëm kështu mund ta realizojnë njehsimin e fillimit me fundin.” (Fasıldan Fasıla, 1-59)
Në emër të një jete të konsoliduar shpirtërore, Gyleni i jep rëndësi të veçantë edhe pastërtisë e kthjelltësisë së zemrës. Këto vargje kuranore e tregojnë më së miri rëndësinë e një zemre të pastër: “Atë ditë as pasuria dhe as bijtë nuk kanë vlerë. Po vetëm ata që vijnë te Zoti me një zemër të pastër” (Shuara, 88-9) “Një zemër e pastër është ajo që nuk përçon asnjë gjë përjashta, edhe nëse plas fare. Zemërmirësia, mendimi pozitiv për çdo njeri dhe relacioni i përhershëm me mëshirën janë ato që e bëjnë një zemër të tillë pa dyshim. Mjafton që ne të jemi në atë rrugë”, thotë Gyleni dhe vazhdon duke theksuar: “Njeriu asnjëherë nuk duhet ta vërë re të metën e tjetrit. Ai duhet të sillet si një prokuror me vetveten e si një avokat me të tjerët. Mjafton të shihni atë moral hyjnor, që edhe atyre që e mohojnë, i jep të drejtën për të jetuar dhe i furnizon më së miri, pa dallim. Vëreni mëshirën e Tij në botën tjetër, që ndonëse mëkatarë, ua fal mëkatet atyre që peshorja e veprave të mira u rëndon më shumë. Kjo filozofi është shumë e thjeshtë: “Edukojeni moralin personal sipas moralit hyjnor.” Vetëm atëherë do të arrijmë të dallojmë vetëm anët e mira të njerëzve, do të mësohemi të mos i vëmë re të metat e tyre, edhe nëse kanë dhe do të bëjmë kështu një rrugë të konsiderueshme për të pasur një zemër të pastër. (Fasıldan Fasıla, 1-64)
Mbrojtja nga humbja e besimit dhe shqetësimi për të ardhmen
Fethullah Gyleni shpesh nënvizon rëndësinë që ka te njeriu shqetësimi i vazhdueshëm rreth faktit të besimit në momentet e fundit të jetës së tij. Kjo është një çështje që i intereson të gjithë njerëzve në përgjithësi dhe myslimanëve në veçanti. Ai vazhdon:
“Nga faktet mësojmë se edhe nga shokët e pesë profetëve më të mëdhenj (Profetëve Muhamed, Isa, Musa, Ibrahim dhe Nuh) ka pasur prej atyre që e kanë humbur besimin. E kur kjo gjë ka ndodhur edhe mes atyre njerëzve që kanë ndarë të njëjtën atmosferë me këta profetë e janë ngjyrosur, si të thuash me bojën e tyre, është larg mendsh që të pretendohet se sot, mes njerëzve kaq larg asaj atmosfere e klime profetike, besimi nuk humbet. Kjo është arsyeja që çdo njeri duhet të jetë i kujdesshëm dhe i shqetësuar për të ardhmen e tij. Si zgjidhje për t’u ruajtur nga humbja e besimit, Gyleni shpjegon:
“Duhet të ruhemi maksimalisht nga të trajtuarit e vetes si i shpëtuar dhe duhet të mbajmë gjithmonë shqetësimin për të ardhmen. Duhet të kemi shumë frikë e respekt ndaj Zotit.
Duhet të unifikojmë karakterin tonë me atë që Zoti kërkon prej nesh, duhet të bashkojmë lutjen gojore me lutjen e kryer me anë të veprës. Nuk duhet t’i afrohemi të ndaluarës dhe as atmosferës së mëkatit, po duhet të jemi vazhdimisht të zënë me adhurim e vepra të mira.
Duhet të dimë e të lexojmë-jo thjesht përmendësh-sa më shumë vepra e shkrime në lidhje me besimin.
Nuk duhet të zgjedhim vetminë. Përkundrazi, duhet të formojmë një hallkë të fortë me miqtë tanë, nën parimin “Rrini bashkë me besnikët”.
Jashtë okupimit tonë zyrtar, duhet të shpenzojmë të paktën gjysmën e ditës me shërbim ndaj Zotit e me vepra të mira.
E më e rëndësishmja, duhet të jemi robër besnikë të Derës të së Vërtetës. Atyre besnikëve në atë derë nuk iu vihen re mëkatet. Ndaj edhe ata që shqetësohen prej mëkatit, duhet të rendin në shërbim të Tij. padyshim, ky është më i madhi kërkim faljeje, më i madhi pendim. Po kështu, edhe ata që i druhen ambientit që i rrethon, duhet ta kërkojnë sigurinë në shërbim të Zotit.” (Fasıldan Fasıla,1-121)
Kriteret e vetëkontrollit, të adhurimit të vërtetë dhe të jetës së mirë shpirtërore
Në lidhje me jetën shpirtërore dhe me adhurimin e përsosur, Gyleni parashtron disa kritere shumë të vlefshme, origjinale dhe tepër të sakta. Disa prej tyre janë:
“Një personi, i cili kishte ndërtuar një shtëpi me dy kate, Omeri i thotë: “Vdekja është më pranë teje!” Sa domethënie duhet të ketë për ne kjo fjalë!
Njeriu është i detyruar të fitojë në këtë botë, për Zotin, për vete dhe për ata të cilët i ka nën përgjegjësinë e vet. Po ai nuk duhet t’ia falë zemrën kësaj bote dhe nuk duhet të ruajë më tepër se i duhen për nevojat e veta.
Gjithë ç’na tepron nga nevojat tona, para, pasuri e gjithë ç’kemi, nuk duhet të ngurrojmë ta shpenzojmë si lëmoshë në rrugën e Zotit, për të varfrit, për shoqërinë e për atdheun.
Duhet ta konceptojmë më së miri vlerën e çdo mirësie që na dhurohet nga Zoti, deri edhe të hijes së një peme në një ditë të nxehtë vere dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që ajo mirësi na ngarkon. Çdo dobi që përfitojmë nga këto mirësi, duhet të jetë njëkohësisht edhe një alarm për atë që duhet të bëjmë.
Njeriu vjen vetëm njëherë në këtë botë dhe mundësia për të kryer detyrat e tij i jepet vetëm njëherë. Ja, në këtë mundësi të vetme, ai ose fiton, ose humb. E nëse kjo mundësi i shpëton nga duart, as e qara dhe as “sikur”-et nuk do të kenë vlerë, ashtu si nuk do të ketë edhe një kthim prapa.”
Gyleni rendit edhe principe të tjera për sa i përket vetëkontrollit dhe ndërgjegjësimit të individit:
“Çdo adhurim duhet të kryhet me vetëdije.
Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se edhe adhurimi më perfekt që kemi bërë -sipas nesh-, ka të metat e mangësitë e tij.
Duhet ta shohim veten të vogël e të ulët mes njerëzve. Madje nganjëherë aq të vogël, sa duhet të falënderojmë Zotin vetëm që nuk jemi ateistë, jo tjetër.
Zakonisht, oratorët dhe ata që kanë një standard atraktiv jetese, trajtohen me tolerancë e dashamirësi nga masat. Edhe në këtë pikë është shumë e rëndësishme që njeriu t’ia mbushë mendjen vetes se nuk është ndonjë gjë. Përndryshe, njeriu do të besojë se u bë dikushi, gjë që është akoma më e rrezikshme.”
Kurse disa nga kriteret që Gyleni përmend në lidhje me llogarinë ndaj vetvetes janë këto:
“Njeriu duhet të jetë gjithmonë i ndjeshëm ndaj nuancave të krenarisë dhe të vetëpëlqimit dhe duhet të ushtrohet më së miri ta mundë unin e tij me kërkesë llogarie dhe me vetëkontroll. Për mendimin tim, rruga më e shkurtër për këtë është ndërgjegjësimi se çdo gjë që kemi, çdo lloj mirësie e pozitiviteti, i përkasin Zotit, pastaj edhe pranimi e pohimi kudo e çdo çast i kësaj të vërtete.
Krenaria është një zbrazëti e njerëzve të vegjël, që ende nuk e kanë gjetur vetveten. Në jetën sociale është një dritare, nga e cila secili kërkon të duket sa më shumë. Trupshkurtrit, për t’u dukur, shkelin në majë të gishtërinjve, e kështu kuptohet menjëherë se sa të shkurtër janë. Kurse ata të gjatët, kërrusen e bëhen dyfish për të mos rënë në sy. Kështu është, për të mëdhenjtë, simboli i madhësisë është të dukesh i vogël, për të vegjlit, simbol i vogëlsisë, është të dukesh i madh.
Njerëzit e rëndomtë janë ata që kanë komplekse. Edhe dukja si i madh, nuk është veçse një derivat i këtyre komplekseve. Kurse njerëzit besimtarë nuk duhet të kenë komplekse. As ndjenja e inferioritetit nuk duhet të ketë vend tek ata. E si mund të jetë inferior ai besimtar, që është mbushur me kaq të mira e kaq dhurata nga Ai, Më i Larti? Po kështu, edhe krenaria, vetëpëlqimi e dukja, janë veti që nuk duhet t’i ketë një besimtar” (Fasıldan Fasıla, 2-65)
Netët dhe lotët
Shumë pak edukatorë të shpirtit e kanë theksuar natën dhe lotët, sa Gyleni. Për të, faljet dhe lutjet e natës me sy të përlotur, kanë një rëndësi dhe efekt të veçantë.
“Lotët janë dëshmia e atij çasti, kur shpirti është mbështjellë ngado me ndjenja hyjnore, respekt, frikë, dashuri e përulje dhe ka flakur tej nga zemra gjithë ato ndjenja pa sens e thellësi…” thotë Gyleni, “Janë lotët brilantet e së përtejmes që ndriçojnë këtë botë, ndërsa shëtisin buzët në kindet e Mëshirës Hyjnore, ku janë lartësuar si grumbuj resh... janë ata, që e kërkojnë Atë duke dëshiruar ta kërkojnë më tepër sa herë ndiejnë misterin në çdo vepër të Tijën e që si Junusi, me zemër të përzhitur e shpirt të zhuritur nga malli, nuk heqin dorë së kërkuari... Pyesin për Të kudo e shkrihen nga ngurtësimi sa e ndiejnë…Shpërthejnë si ujëvara e derdhen si katarakte... Lotët... E cila lumturi mund të jetë më reale, cili ngazëllim më i vërtetë, më i ëmbël se ata?” shkruan Gyleni.
Të derdhësh lotë për ta gjetur e të derdhësh lotë se e ke gjetur... Jo ashtu si derdh lotë jetimi e i pashpresi. Kjo derdhje lotësh ngashërehet duke mos e njohur si duhet, pa e kuptuar në thelb, po duke ndier flladet e asaj Mirësie e Mëshire mu në shpirt. Është e ëmbël, se Mëshirë është ajo që buzëqesh pas saj. Është pa dhimbje... se dëshira për ta bërë të njohur Atë, për t’i treguar gjithkujt për Të janë në rrugën e saj. Të ngashërehesh si ujërat/ Si Ejubi të lotosh/ Vetë shpirti të të qajë/ A vallë nuk do më shohë? (Sizinti, Shtator 1979)
Mund të thuhet se edhe Fethullah Gyleni vetë, i cili përmend rëndësinë e ndjenjës, të lotëve, shpresës e mallit, jo vetëm në shkrimet e tij po edhe në shumë biseda të ndryshme, është vetë një shpirtpërvëluar, të cilit rrallë i thahen sytë dhe që mundohet të shtyjë vetminë e mallin e tij netëve të gjata në prani me Atë, më të Afërtin e kujtdo. Me mënyrat më të bukura të letërsisë, ai e përshkruan natën në shkrimet e tij, i vetmi vend ku shpalos disi shtrëngimin e shpirtit të tij, në këtë mënyrë:
“Të mbushura me tinguj e ndjenja poezish dhe të artit në gjoksin e tyre dhe të afta për t’i gdhendur në ndërgjegjen e kujtdo, me besim, dëshirë, shpresë e bukuri, ndërsa zëri i ujit gurgullon çdo anë e disa drita shndrisin diku, janë netët, ajo botë ku enigma e jetës dhe e ekzistencës derdhet e thellohet nëpër shpirtra bashkë me ngjyrat e tyre, zërat e tingujt e gjallë që i përshkojnë. Mijëra fara që Dora e Gjithëpushtetshme, Drita, Jeta dhe Ekzistenca lëshojnë në gjoksin e natës, zgjohen, zhvillohen e ushqehen në gjirin e natës dhe marrin jetë nga brendia e saj. Për mua, simfonia më e vërtetë e jetës është ajo që kompozohet natën, ajo që merr jetë në nuancat e saj të mistershme dhe që ravijëzohet në format magjepsëse që kur errësira pushton dritën shpalosin si me magji panoramat e mrekullueshme.
Nata është ai konservatori misterioz ku marrin trajtë më të mahnitshmit e zërave, të kompozuar nga ndjenjat e thella të të përmalluarve e të përgjëruarve, që ngrihen e shpojnë deri kubenë qiellore e përnjëherë kapërcejnë në të përtejmen. Po sa e çuditshme është që shumica e atyre që nata i mbështjell me mbulesën e saj, as që i dëgjon ndonjëherë këta zëra e as kupton çfarë ndodh përreth… Edhe po ta dëgjojë nuk arrin ta kuptojë; se vështrimet janë të pabesa, dëshirat të vdekura, mendimet të shtrembëruara dhe idetë të sakatuara. Duhet të jesh gjallë, të jesh i ndjeshëm deri në shpirt që të arrish ta ndiesh e ta kuptosh ekzistencën në thelbin e saj, zemra duhet të jetë e aftë të ndiejë e të përqafojë çdo shpalosje të saj, vështrimi duhet të jetë i zgjuar që të arrijë të kapë panoramat e mrekullueshme të natyrës dhe ndjenja e thelluar aq sa të ndjejë tingujt e gjithësisë e t’i përcjellë deri në thellësitë e veta. Kjo çështje i përket shpirtrave të zgjuar e të stërvitur... atyre shpirtrave që përcjellin me vetëdije çdo ngjarje, që mundohen të perceptojnë çdo sens që ekzistenca shpreh, që vlerësojnë realitetet e të vërtetës në atmosferën e ndritur të ndërgjegjes dhe kështu, rizgjohet mes mahnitjeve të reja në përmasat përherë e më të thella të mendimit, duke arritur kënaqësi të mrekullueshme, të ngjashme me ato të Parajsës. Dhe e gjithë ekzistenca, në sytë e tyre është një tërësi kuptimesh e ndjenjash, një gjuhë që flet, shpjegon, ngazëllen…” (Sizinti, Tetor 1988)
Mbrojtja nga mëkatet
Mbrojtja e njeriut nga mëkati dhe ruajtja e nivelit të arritur shpirtëror është një nga proceset më të rëndësishme që mundëson ecjen përpara në këtë rrugë. Edhe në këtë temë Fethullah Gyleni sqaron e këshillon me stilistikën e tij të veçantë dhe me origjinalitetin e mendimit dhe të fjalës së tij. Ai tërheq vëmendjen në vështirësinë që paraqet në ditët tona jetesa si një mysliman i mirë dhe mbrojtja nga mëkati, duke cituar një hadith të njohur të Profetit tonë të nderuar, ku ai e përngjason këtë mënyrë jetese me ecjen mbi një dysheme prej zjarri ose me mbajtjen e thëngjijve të ndezur në dorë. Nga njëra anë uni dhe dëshirat e ndërfutura në qenien tonë e nga ana tjetër mjedisi ku jetojmë, i cili i favorizon më së miri të gjitha negativitetet, e bëjnë tejet të vështirë mbrojtjen nga mëkati. Por Gyleni këtu nuk ngurron të japë sihariqin: “Ajo që na ngushëllon, është epërsia që do na sjellë përballja me gjithë këto vështirësi. Mirësia e dhuruar nga Zoti është në raport të drejtë me peshën që na është ngarkuar. Dhe kjo na bën të ndihemi të gëzuar. Sepse nëse e kapërcejmë këtë vështirësi, një shpërblim i jashtëzakonshëm na pret.”
Pastaj shkurtimisht ai jep këto këshilla për mbrojtjen nga mëkati:
“Në këtë rrugë kaq të pjerrët e të rrëshqitshme duhet ecur me të njëjtin kujdes që ecim në një fushë të minuar.
Para çdo kontakti me mjediset me mëkate, duhet të bëjmë një përgatitje metafizike ndaj mëkatit, duke kontrolluar rishtazi zemrën dhe ndjenjat e duke bërë mirë llogaritë e vetvetes.
Duhet të përpiqemi të mos rrimë asnjëherë vetëm. Aq më tepër nëse mjedisi është i ngopur me mëkate, duhet të jemi patjetër me miq që mund të na bëhen krah e na mbajnë në këmbë duke na e ndriçuar botën shpirtërore e duke na larguar nga mëkati.
Gjithmonë me vete duhet të kemi një “mburojë” që na ruan nga mëkati, si libra, revista, shkrime, përmbledhje lutjesh e frazash kuranore, të cilat, duke i lexuar, na largojnë nga të ligat.
Pas çdo mëkati a gabimi të mundshëm, duhet të trokasim pa humbur kohë në portën e pendesës dhe nuk duhet të lejojmë për asnjë çast bashkëjetesën e mëkatit pranë nesh. Vonesa në pendim bëhet shkak për errësimin e shpirtit dhe lehtëson rrugët drejt mëkateve të tjera.
Duhet të ngrihemi nga gjumi në orën e tij më të ëmbël dhe duhet të falim faljen e natës, atë që është drita e jetës në varreza, duke iu drejtuar Zotit me përulje e përgjërim e duke kërkuar menjëherë faljen e mëkateve dhe gabimeve tona.
Duhet të përpiqemi që me çdo lloj adhurimi e aq më tepër me namazin, i cili qëndron si kurora jonë e shpëtimit në çdo vakt të tij, të fitojmë kënaqësinë e Zotit e të arrijmë pëlqimin e Tij. (Lëkundjet që solli shekulli, 3:75-80)
Mbrojtja metafizike ndaj përshtatjes
Përshtatja e individit me mjedisin ku jeton e me aktivitetin me të cilin merret, sjell njëkohësisht edhe një ngopje në lidhje me ta. Në këtë pikë Gyleni ofron një sërë masash për ta shmangur këtë ndjenjë pasivizuese për individin dhe aktivitetin. “Përshtatja dhe ngopja me atë që bën, e bën njeriun indiferent ndaj mrekullive që ka përreth dhe nuk e lejon të krijojë relacionin e duhur mes vetes dhe evenimentit. Një eveniment që dëgjohet rishtazi, është interesant e atraktiv, po pas një farë kohe, në mendjen tonë mbesin vetëm linjat e tij të trasha dhe ca foto të zbehura në memorie. Evenimenti e humb atraksionin dhe zemra nuk arrin të dallgëzohet më, emocionet në lidhje me të fashiten, ngazëllimi tretet e për lotët ndër sy, as që bëhet më fjalë. Edhe çështjet më serioze pastaj bëhen pjesë e një rituali formal. Shpirti thahet, pasivizohet dhe njeriu nis të endë lëvozhgën e vet; zemra tashmë është ngurtësuar dhe personi është indiferent.”
Pas këtij shpjegimi, Gyleni thekson se shërbimi ndaj kombit, besimit, atdheut e njerëzimit, është i mbrojtur nga kjo veti vetëm atëherë kur kryhet për kënaqësinë e Zotit. Gjatë këtyre shërbimeve njerëzit do të kenë me vete mbështetjen e Zotit dhe do ta ndiejnë ndihmën e mirësinë e Tij në çdo hap, gjë që do ta mbajë gjallë veprimtarinë e tyre.
Më poshtë Gyleni jep këto këshilla për ruajtjen nga përshtatja dhe mbajtjen gjallë të entuziazmit në këtë aksion.
- Duhet shkatërruar mendimi për “unin” dhe ndjenja e egoizmit.
- Vullneti është dhurata më e çmuar që i është dhënë njeriut, ndaj ai duhet të dijë ta çmojë atë e ta përdorë si duhet.
- Duhet ta njohim sa më mirë Zotin e atë ç’ka Ai kërkon prej nesh, duke mposhtur në këtë mënyrë gjithë negativitetet që na vijnë nga djalli.
- Çdo njeri, çdo ditë duhet të thellohet në dimensionet e mendimit, duke zbuluar thesaret e tij të reja, duke mbledhur si bleta nektarin e njohjes dhe duke ndjekur rrugën që Zoti i ka mësuar profetëve. Çdo hap i hedhur në këtë rrugë, do t’i çelë shpirtit një perspektivë të re e do t’i dhurojë një burim të ri njohjeje. Me bisturinë e Kuranit dhe të Profetit, do të arrijmë të tëharrim çdo ligësi nga bota jonë, ndërsa veprat e udhërrëfyesve, që përmbledhin mënyrat e udhëheqjes shpirtërore nga shekulli në shekull dhe të vërtetat që përmbledhin këto vepra, do të jenë ilaçi më efikas për të na shëruar shpirtin. Për sa kohë që nuk i lëshojmë nga dora këto vepra, shërimi ynë shpirtëror do të dëshmojë rezultatin e vet.
- Një njeri që nuk ka dituri, nuk ka as mundësinë të thellohet në mendim. Njeriu arrin në formime të reja, në raport të drejtë me diturinë e tij. Këto formime janë parathënia dhe mbështetja e dimensioneve dhe normave të reja që ai do të arrijë. Në këtë mënyrë ai përfiton shumë-dimensionalizëm dhe vazhdimësi në botën e tij të mendimit. Ndaj dhe leximi e studimi sistematik janë të domosdoshëm për këtë stad të zhvillimit të mendimit.
- Bota e imagjinatës është reflektimi i pamjeve, vizioneve, zërave e shijeve që ne hasim gatë jetës. Edhe bota e imagjinatës ka rëndësinë e vet në zhvillimin pozitiv të njeriut, ndaj edhe ajo duhet pastruar e ruajtur nga ndikimet e jashtme negative.
- Në një hadith të shenjtë Profeti urdhëron: “Kujtojeni shpesh vdekjen.” Vdekja i bën më të kuptueshme e më të vërteta shumë evenimente të kësaj bote, ndaj dhe nuk duhet ta nxjerrim nga mendja këtë të vërtetë të pashmangshme.
- Duhet të falemi e të derdhim lotë gjatë natës. Profeti ynë urdhëron: “Dy sy janë ata që nuk e shohin ferrin: Njëri, syri që derdh lotë nga dashuria e frika e Zotit, tjetri, syri që rri zgjuar për të mbrojtur atdheun.” Në këtë aspekt, loti është i barasvlefshëm me ujin e bekuar të Keutherit, ndaj dhe Profeti lutet: “O Zoti im, më mbro nga zemra që nuk dridhet e nga syri që nuk loton.” Kurse falja e natës është feneri që ndriçon errësirat.
- Jeta e shokëve të Profetit dhe e të mëdhenjve të besimit duhet studiuar shumë mirë e duhet të përpiqemi të jetojmë si ata.
- Duhet të jemi përherë të kujdesshëm ndaj mëkatit dhe ndaj ligësisë.
- Nuk duhet të jemi të vetmuar. Duhet të kemi shokë që na drejtojnë për mirë, na kontrollojnë e na këshillojnë për së mbari dhe duhet të kalojmë sa më shumë kohë me ta. Kurani na urdhëron që të jemi bashkë me të drejtët, të ndershmit, shkurt, me njerëzit e mirë në çdo aspekt. Së dyti, qëndrimi pranë njerëzve të mirë, kryerja e adhurimeve dhe riteve fetare bashkë me ta dhe lutja së bashku, është shumë e rëndësishme pranë Allahut. Lutjet pranohen e qëndrimi së bashku bëhet shkak për largimin e fatkeqësive e ligësive. Qielli është në relacion të vazhdueshëm me duart e hapura të qiellorëve dhe fytyrat e tyre të drejtuara drejt tij.
- Dëgjimi e zbatimi i këshillave të mira të atyre që na këshillojnë, është gjithashtu një mbrojtje e mirë ndaj mëkatit, një shkak për zbutjen e zemrës dhe për braktisjen e pasivitetit që shkakton përshtatja me aksionin.
- Çdo shqisë tonën duhet ta mbrojmë nga mëkati. Asgjë e keqe nuk vjen nga njeriu që i ruhet mëkatit dhe ky njeri nuk ka asnjëherë humbje, as morale, as materiale.
- Njeriu pa preokupim është i hapur ndaj mëkateve e ndaj ngasjes së djallit. Prandaj nuk duhet ndenjur kot, po duhet gjetur gjithmonë një okupim i përshtatshëm me rrugën e Zotit.
Zgjimi i ndjenjave
Fethullah Gyleni i jep një rëndësi të veçantë ruajtjes metafizike nga mëkatet, gjallërisë së zemrës e të vitalitetit të shpirtit, njëkohësisht, ai thekson edhe domosdoshmërinë e zgjimit dhe të revolucionit të ndjenjave në këtë vitalitet shpirtëror. Ai shprehet kështu gjatë këshillave të tij në lidhje me këtë evoluim shpirtëror.
- Meditimi i evenimenteve të brendshme e të jashtme në lidhje me fillimin dhe fundin e kësaj jete, Parajsën, Ferrin, urën e Siratit e gjërat e ngjashme, ndikon në zbutjen e zgjimin e ndjenjës.
- Zoti njihet me anë të besimit, po kjo njohje thellohet me praktika e me adhurim. Sado që teorikisht njeriu mund t’ia ketë detyruar besimin vetvetes, ai mund ta perceptojë seriozitetin e tij vetëm me anë të praktikave fetare. Ndaj edhe zgjimi i ndjenjave është i lidhur ngushtë me vazhdimësinë në këto praktika. Në këtë aspekt, nuk duhen neglizhuar absolutisht netët. Leximi i Kuranit dhe përmendja e Zotit nuk duhet lënë pas dore, përveç këtyre, të gjitha praktikat e adhurimit, duke filluar nga namazi, duhen përmbushur me një përkushtim e pastërti shpirtërore të tejskajshme, në mënyrë që ndjenjat të zgjohen dhe shpirti të shpëtojë nga burgu i shpirtit. Përveç këtyre, duhet treguar kujdes maksimal edhe në këto pika:
- Duhet t’i shmangemi mëkateve sa më shumë që është e mundur. Imam Sharani thotë: “Mjaft të rri disa çaste me një njeri pa namaz, dyzet ditë me radhë, mandej nuk e arrij kënaqësinë e duhur në namaz.” Ka shumë rëndësi përmbushja e urdhrave dhe përgatitja e gjithanshme për botën tjetër.
- Çdo ushqim që konsumojmë duhet të jetë absolutisht i lejuar-hallall. Ky është një faktor parësor në zgjimin e ndjenjave.
- Vizita e shpeshtë ndër spitale dhe varreza ka një ndikim të madh në zgjimin e ndjenjave.
Ekuilibri mes fizikes dhe metafizikes
Para se ta përfundojmë këtë temë, në kornizë të këtij studimi, është me vend të shohim shkurt edhe kriteret që parashtron Fethullah Gyleni për ekuilibrimin e fizikes me metafiziken.
“Jeta e vërtetë mund të konceptohet vetëm duke konceptuar jetën e zemrës dhe të shpirtit dhe nuk është gjë tjetër veçse jeta që jetojnë këta. Ata shpirtra fatlumë, që arrijnë ta konceptojnë jetën në këtë formë e të jetojnë në këtë stad, e shohin veten në një rrugë që përshkon të shkuarën e lavdishme mes froneve e triumfeve dhe që mbërrin në kopshtet e bekuara të parajsës dhe duke shuar etjen me burimet e parajsës që u rrjedhin nga shpirti, kalojnë e shtegtojnë nga kjo botë në mënyrën më fisnike.
Heronjtë e të vërtetës që e kanë arritur këtë stad të shpirtit e të jetës, mund t’i përshkruajmë në këtë mënyrë: Trupi i tij është aq i stërvitur, sa mund të përballet pa vështirësi me çdo rrezik e katastrofë; mendimi i tij i përpunuar dhe i zhvilluar, i ka kapërcyer limitet e epokës sonë, mendja e tij, si një kimist profesionist, përdor në çdo kombinim materien dhe normat e Librit të Zotit, duke arritur rezultatet më të vyera, ndërsa zemra e bota e tij shpirtërore, të përvëluara në enët shekullore të Mevlanave e Junusëve, janë pjekur e kanë marrë formën ideale shpirtërore dhe ai ka arritur më në fund të mishërojë filozofinë “një njeri prej njerëzve në mes të njerëzve” dhe ka harruar kënaqësitë personale në emër të kënaqësisë dhe lumturisë të të tjerëve.” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 98-100)
Majat e Smeraldta të Zemrës
Rëndësia e edukimit shpirtëror dhe metodat e tij më efikase, të klasifikuara nga Fethullah Gyleni, janë botuar për vite me radhë në të përmuajshmen Sizinti, kurse tani janë botuar edhe në katër vëllime me titullin “Majat e Smeraldta të Zemrës”. Me këtë seri shkrimesh, Gyleni shpjegon mes kornizës së termave, dimensionet morale e shpirtërore të Islamit. Fethullah Gyleni e trajton zemrën si qendër të të menduarit, të të konceptuarit e të të ndjerit. Ajo është e vërteta e realitetit njerëzor, subjekti i përgjegjësive të ngarkuara, të cilës i drejtohet Zoti, subjekti i ndëshkimeve dhe përgjegjësive, ajo që arrin të gjejë rrugën e drejtë e ajo që mund ta humbë këtë rrugë, ajo që cilësohet si e shenjtë e ajo që poshtërohet, ajo që është pasqyra e njohjes hyjnore. Sipas Gylenit, zemra është syri i shpirtit, ndërsa shikimi në vetvete, është vështrimi i zemrës, mendja është shpirti i saj, kurse vullneti është dinamizmi i saj i brendshëm. Shkaku i ekzistencës së zemrës dhe qëllimi i saj është besimi, njohja e Allahut, dashuria e Tij dhe kënaqësia shpirtërore që lind prej saj.
Zoti e sheh njeriun në zemër dhe vepron me të sipas zemrës së tij. Sepse zemra është kështjella e vetive më jetike të njeriut, e mendjes, e njohjes, e qëllimit, e besimit, e urtisë e afërsisë me Zotin. Nëse zemra është vitale, edhe këto veti janë vitale, po nëse zemra është vyshkur e shkatërruar, edhe këto veprimtari janë vyshkur e shkatërruar. Sikurse vitaliteti e gjallëria e trupit, që është e lidhur direkt me organin “zemër”, edhe ekzistenca thelbësore e njeriut dhe vitaliteti i jetës së tij shpirtërore është i lidhur me zemrën, në kuptimin engjëllor të saj dhe këto dy zemra përfaqësojnë dy aspektet e të njëjtit realitet me lidhjen që kanë ndërmjet tyre.
Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm i zemrës, janë shqisat e saj, njëra që kërkon mbështetje dhe tjetra që kërkon ndihmë, të cilat tregojnë vazhdimisht Zotin. Këto shqisa, të shifruara në librin e ekzistencës në mënyrë të detajuar, i kujtojnë zemrës së njeriut me gjuhën e plotësimit të nevojave më jetike, burimin e gjithë ekzistencës. Këtë teori e gjejmë edhe në literaturën e hadithit, edhe në këto fjalë të Ibrahim Hakki:
Nuk më zë, tha e Vërteta, as toka, as qielli
Veç zemra, me thesarin e vet më njeh.
Besimi është shpirti i zemrës, adhurimi është gjaku që rrjedh që aty nëpër damarët e saj, kurse vetëkontrolli, vetëllogaria dhe meditimi, janë themelet mbi të cilat qëndron vazhdimësia e ekzistencës së saj. Zemra e atij që nuk beson është plotësisht e vdekur dhe e mbyllur ndaj të përtejmes, zemra e mëkatarëve dhe e atyre që nuk adhurojnë Zotin prehet në rrjetën e vdekjes, copë-copë nga sëmundje të pashërueshme, kurse zemra e atij që ka humbur vetëkontrollin dhe meditimin, është e pambrojtur dhe e pasigurt ndaj çdo rreziku. (Kalbin Zümrüt Tepeleri, 1:44-5)
Kështu Majat e Smeraldta të Zemrës; është një studim që shpjegon gjithë elementet e nevojshëm për jetën dhe vitalitetin e zemrës, kriteret e këtij vitaliteti, virtytet dhe pozitat që përftohen me këtë vitalitet, me një tjetër fjalë, një studim që paraqet përmes koncepteve e terminologjisë së tyre gjithë jetën morale e shpirtërore të Islamit. Vetëm se ky studim nuk e trajton jetën si një objekt të një shkence konkrete, por si një praktikë e jetuar në aspektin moral e shpirtëror të Islamit,
Majat e Smeraldta të Zemrës, nga njëra anë skicon një kornizë të re, nga ana tjetër përjashton të gjitha kornizat. Jeta morale-shpirtërore i përket dimensioneve spirituale dhe ecja në këtë rrugë është edhe shumë e vështirë, po edhe me risk të lartë, prandaj edhe është i pashmangshëm trajtimi i saj nën një kornizë të vetme. Te Fjalët, libri i famshëm i Bediuzzaman Said Nursiut, ai bën një përcaktim të tillë: “Kam vënë re që në misticizëm, të gjithë grupet që kanë dështuar, kanë dështuar për faj të udhëheqësve të vet. Ata kanë përparuar pak në të padukshmen dhe pastaj kanë kujtuar se ia dolën mbanë, e duke lënë mënjanë edhe praktikën e Profetit, janë kthyer duke humbur vetë e duke humbur edhe të tjerët.”
E padukshmja, rruga spirituale, është shumë e përshtatshme për humbje e gabime të tilla. Kjo rrugë ka shumë veçori karakteristike. Ndaj edhe projektorët, ndriçuesit e vetëm të kësaj rruge, janë normat e Kuranit dhe praktikat e Profetit. Gjatë historisë, këto norma herë nuk janë kuptuar si duhet, herë janë lënë pas dore, si pasojë e kushteve diverse të shoqërisë, e herë janë nënvleftësuar. Kështu, në rrugën e Tasavufit (misticizmit) shpeshherë kanë dalë edhe sekte të dështuara, ose grupe e doktrina të dala rruge që kanë dashur t’i gjejnë vend vetes aty. Majat e Smeraldta të Zemrës, për këtë arsye, thekson kufirin e rrugës spirituale dhe hedh dritë mbi skutat e kësaj rruge, duke mos i lënë shkas asnjë lloj gabimi a rrëshqitjeje në jetën moralo-shpirtërore e duke e konsoliduar këtë rrugë mbi themelet e vërteta të Islamit.
Kështu, Majat e Smeraldta të Zemrës nga njëra anë shënon një kufi të tillë, por nga ana tjetër eliminon të gjithë kufijtë. Rruga spirituale ka shumë forma. Që nga dielli i njerëzimit, Profeti Muhamed e deri te besimtari më i thjeshtë, secili ka rrugën e rangun e vet gjatë saj. Njëkohësisht, kjo rrugë, sado që është e hapur për këdo, ka brenda vetes edhe ca korsi të veçanta, mbi të cilat arrijnë të ecin vetëm njerëz shumë të veçantë. Ekoli i Muhjiddin ibn Arabit mund të jepet si një shembull i kësaj korsie, me teorinë e vet të “unitetit të vetekzistencës”. Kjo korsi ka në vetvete disa veçori dimensionale krejt të ndryshme, të cilat mund të konceptohen vetëm nga udhëtarët te saj. Këto veçori, vetëm për faktin se nuk janë kuptuar prej atyre që ecnin me kritere konkrete eksterniale, janë bërë shkak i vrasjes së Halaxhit e Suhreverdit e sa e sa të tjerëve si ata. Porse Majat e Smeraldta të Zemrës i trajton këto veçori mes normave të lejuara, si nga aspekti i pafundësisë së rrugës moralo-shpirtërore, ashtu edhe nga aspekti i limiteve që duhen ruajtur gjatë udhëtimit mbi të.
Majat e Smeraldta të Zemrës, na njeh me Zotin nëpërmjet koncepteve të njësisë së Zotit, ekzistencës unike të Tij (Ehad-Vahid), nëpërmjet atributeve hyjnore e nëpërmjet rrezeve të emrave të Tij. Kjo veçori del në pah gjatë këtij studimi si njohje e thellë e Kelamit dhe Tasavufit, - nuk mund të themi si një filozofi e mirëfilltë-, Urtësisë dhe si shtjellim tërësor i tyre. Po në këtë studim, nuk përdoren koncepte e terminologji të koklavitura, shpesh të pakuptueshme, si në veprat e ibn Arabiut, po të gjitha këta koncepte e veti, paraqiten si një relacion i Krijuesit me krijesën dhe si një hartë e detajuar e gjithë cilësive të refleksioneve hyjnore te njeriu. Njëkohësisht, ai paraqet edhe një ontologji të mirëfilltë e nxjerr edhe hartën metafizike të këtyre koncepteve, bashkë me disa koncepte të tjera, që ai i quan të “botës sublime”, në një hartë që i tregon rrugën fare mirë edhe fizikës edhe astrofizikës. Nga njëra anë Majat e Smeraldta të Zemrës trajton në nivelin më të lartë relacionin Zot-njeri, duke përdorur edhe koncepte të tjera mistike si “Fisnikëria shpirtërore, Vetëkontrolli, Konsolidimi, Lartësimi mes njerëzve, Përsosmëria mes të lartësuarve, Shpëtimi”, duke e pozicionuar këtë relacion në një sfond universal. Nga ana tjetër e shtjellon këtë relacion edhe në lidhje me konceptet e botës së brendshme spirituale, duke e vendosur kryesisht mbi “njeriun e maturuar”, krijimin e njeriut në “formën më të bukur” dhe në veçorinë e njeriut si “mëkëmbës të Zotit në tokë”, mënyrë kjo që nxjerr në pah edhe formën më delikate të këtij relacioni.
Një tjetër veçori e librit “Majat e Smeraldta të Zemrës”, ndoshta edhe më e rëndësishme se ato veçori që përmendëm deri këtu, është fokusimi i jetës moralo-shpirtërore brenda Islamit, duke dhënë shembuj nga jeta e pasuesve të Profetit, duke e konkretizuar atë në misionin e tyre, për të bërë kështu të kuptueshme mundësinë e kësaj mënyre jetese në ditët tona, me gjithë mishërimin e praktikimin e saj. Duke paraqitur metodat që ka marrë kjo disiplinë gjatë historisë, vepra na paraqet shembullin e prekshëm të saj aktualisht.
Majat e Smeraldta të Zemrës ndërton edhe një rrugë origjinale mes besimit dhe mendjes. Kjo rrugë ka shumë domethënie për botën e së nesërmes, ku zhvillimet shkencore e teknologjike do të kenë arritur diku tej imagjinatës sonë dhe pushteti do të jetë i fjalës dhe i mirëqenies, sepse me anë të saj do të arrihet kuptimi në tërësi i urtisë dhe intelektit brenda Islamit, por edhe boshti i tij moralo-shpirtëror, si një themel i konsoliduar në jetën e çdo besimtari.
Dialogu dhe mirëkuptimi në veprimtarinë e Gylenit
Lëvizja e Gylenit duhet trajtuar në dy aspekte, për sa i përket dialogut e tolerancës. Njëri është aspekti i mirëkuptimit dhe i dialogut ndaj shoqërisë turke dhe ndaj gjithë botës, tjetri është dimensioni i mirëkuptimit dhe i tolerancës ndaj gjithë besimtarëve të besimeve të ndryshme në Turqi dhe në botën mbarë.
Mirëkuptimi dhe dialogu në shoqërinë turke dhe atë njerëzore
Për të arritur një vlerësim të saktë mbi thirrjen e Gylenit për dialog e mirëkuptim brenda shoqërisë së trazuar turke, është me vend t’i hedhim një sy disa fragmenteve të historisë së re të kësaj shoqërie.
a. “Një kristal i thyer”
Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, e cila zgjati shekuj me radhë, në 1923 Turqia zuri vend në arenën ndërkombëtare si një shtet-komb. Por modernizimi republikan, i cili ishte një modernizim më properëndimor se ai osman, u bë shkak në shoqërinë turke që të ketë polarizime të theksuara. Nga njëra anë ishte “elita e shoqërisë”, nga ana tjetër turmat e popullit. Humnera mes palëve sa vinte e thellohej. Një nga shkaqet kryesore të kësaj humnere ishte injorimi nga pala tjetër i besimit dhe i popullit besimtar. Nga ana tjetër, pakica që drejtonte, ndiqte një politikë të mbyllur dhe tejet nacionaliste. Kjo praktikë do t’i bënte edhe më të ashpra dallimet etnike e kombëtare në vend. Ato do të merrnin menjëherë trajtën e një problemi të hapur ndaj çdo spekullimi. Politika e Republikës ishte e përqendruar mbi një tezë krejtësisht “kombëtare” dhe donte që me çdo kusht, të shkëpuste çdo lidhje me të kaluarën. Mirëpo, në një kohë të tillë, kur forcat e huaja luanin pikërisht politikat e tyre mbi dallimet etnike, përqafimi i një politike të tillë nacionaliste nga shteti turk, nuk duket të ketë qenë një zgjidhje e drejtë. Aq më tepër kur kjo kryhej duke anashkaluar çdo raport të përbashkët mes shtetasve, duke lënë mënjanë çdo element unifikues mes tyre. Sistemi ishte bazuar mbi një parim të zhveshur nga të vërtetat historike, ekonomike e sociologjike, ndaj ishte shumë i vështirë që nga ana e tij të arrihej analizimi i problemeve të mirëfillta. Shpesh janë gjetur zgjidhje të përkohshme. Edhe pse në dukje i kanë qetësuar deri diku tensionet, në të vërtetë vetëm sa i kanë konservuar ato, duke i lënë të gatshme për shpërthim në rastin më të parë. Kështu, këto plagë nuk u shëruan asnjëherë plotësisht, fakt që e vërteton edhe përmasa e tmerrshme e terrorit njëzetvjeçar të PKK-së në Juglindje.
Karakteri i këtij sistemi shpeshherë i irritonte edhe besimtarët e pastër e të thjeshtë nën cilësimin si “fondamentalistë”. Këto aktivitete antifetare, bashkë me çekuilibrimet ekonomike që nuk munguan asnjëherë, e bënë të pashmangshëm polarizimin e shtetasve. Me kalimin në sistemin pluralist, këto përçarje zunë vend edhe në arenën politike, duke u rritur edhe më tepër nën ideologjitë intolerante të udhëheqësve të partive. Kjo anarki e hapur prej tyre dhe e mbështetur edhe nga disa instanca të jashtme, u bë shkak për humbjen e një potenciali të konsiderueshëm të burimeve njerëzore e natyrore në vend. Shkaku i gjithë këtyre negativiteteve i kishte rrënjët shumë thellë dhe zgjidhja e tyre ishte e mundur vetëm me edukim, kulturë, ekonomi e sigurim burimesh njerëzore. Meqenëse pushteti nuk mori masat e duhura në këtë fushë, ushtria ndërhyri, por ndërhyri me stilin e saj. Këto ndërhyrje ushtarake, të kthyera në një rutinë, një herë në dhjetë vite në Turqi, ndonëse treguan efekte pozitive në ndonjë fushë, e lodhën ushtrinë, por edhe u bënë shkak për thellimin në vend të përçarjeve sociale. Një tjetër problem që dilte shpesh në sipërfaqe me ngjarje aspak të këndshme ishte ai i ndarjes Suni-Alevi. Ky problem i ka rrënjët e thella në histori, pikërisht në Safevi-të e Iranit. Edhe në Turqi ai është shfrytëzuar si gjenerues konfliktesh, ka luajtur rol kyç në kryengritjen e Xhelalinjve dhe ndonëse është shuar disi me shtypjen e kryengritjes e me mbarimin e pushtetit Safevi në Iran, e ka ruajtur prapëseprapë ekzistencën e vet.
Gjatë Periudhës së Republikës, kryengritja e Dersimit ishte një faktor negativ në marrëdhëniet e shtetit me nënshtetasit Alevi. Duke vëzhguar me kujdes aktivitetet e majta, palë e anarkisë së viteve 68-80, veprimtaritë ende në vazhdim të disa organizatave, ngjarjet masive në Marash e Çorum dhe sidomos ngjarja e Hotelit Madimak në Sivas në 1993, sqaron më së miri se si dallimi Suni-Alevi u dëshirua të gjenerohet si problem.
Në këtë mjedis që e përshkruam shumë shkurtimisht, në vitet 90, u shtua edhe militantizmi laik e antilaik. Me rënien e Bashkimit Sovjetik e me dëshirën e disa instancave të jashtme, që gjetën padyshim edhe pasuesit e tyre të brendshëm, vendosja nën shënjestër e Islamit u bë shkak për lindjen e një sërë konfliktesh të reja. Krime me autorë të pazbuluar, që po zbardhen dita-ditës, duke nxjerrë në pah ekzistencën e disa forcave të huaja dhe vendase, të prirura për të thelluar edhe më tej konfliktet në popull. Mitingjet dhe shfaqjet e protestave në lidhje me ta, i dhanë një tjetër dimension këtyre përçarjeve. Shkurtimisht, gjithë ato pasuri të mrekullueshme që fati ia kishte servirur me tepsi Turqisë, në fund të viteve 80, u shkuan dëm nën debatet e pafund politike, inatet e grindjet, paudhësitë, dobësitë administrative, konfliktet artificiale Suni-Alevi, tensionet laike e antilaike, krimet e pazbardhura (!) dhe shamitë, e mbi të gjitha, terrori i PKK-së.. Tema që të gjitha këto, që me pak mirëkuptim e tolerancë mund të zgjidheshin pa pasoja. Ndërsa bashkëpunimi e investimet në republikat e formuara pas rënies së Bashkimit Sovjetik do ta bënin Turqinë brenda një kohe të shkurtër një vend ekuilibri në glob dhe do ta ndrisnin fytyrën e çdo nënshtetasi turk. Mirëpo krejt papritur, ngjarjet rrodhën së prapthi. Me këto vende nuk u arrit një bashkëpunim efikas ekonomik. Edhe marrëdhëniet me vendet fqinjë arritën tensione të tejskajshme. Në marrëdhëniet e jashtme, preferencat anoheshin tjetërkund...
b. Bazat e Mirëkuptimit dhe të Dialogut
Pikërisht në një periudhë të tillë, kur përbërja jonë shoqërore ishte bërë copë-copë dhe pajtimi i popullit me shtetin e mbi të gjitha, me Islamin ishte i domosdoshëm, Fethullah Gyleni bënte thirrje: duhet të pranojmë “çdo njeri, pa dallim feje, mënyre jetese, race, gjuhe, profesioni, statuti, pozite e pasurie, ashtu siç është, me idetë, opinionet, mënyrën e jetesës e të besimit” dhe duhet të tregojmë respekt për të dhe të hedhim kështu bashkarisht bazat e një dialogu të shëndoshë mes çdo shtrese të shoqërisë.
Edhe pse Fethullah Gyleni e ka bërë thirrjen në këtë formë në 1994, gjatë gjithë jetës së tij, në çdo shkrim e ligjëratë të tijën, dallohet e njëjta frymë. Për shembull, në veprën e tij “Kriteret ose Dritat e Rrugës”, të botuar për herë të parë në 1984-ën, ai shprehet kështu:
“Ata që duan të rregullojnë botën, duhen së pari të rregullojnë vetveten. Fillimisht duhet të pastrojnë botën e tyre të brendshme nga inatet, urrejtja e xhelozia, pastaj botën e tyre të jashtme nga çdo sjellje e veprim i pahijshëm. Vetëm në këtë mënyrë mund të jenë një shembull për mjedisin.
Ata që vrapojnë për të ndriçuar të tjerët e që përpiqen për lumturinë e tyre duke u zgjatur atyre dorën në cep të greminave të jetës, kanë një shpirt aq të lartë, sa si engjëjt mbrojtës të shoqërisë ku jetojnë, luftojnë me çdo të keqe që i vjen shoqërisë, përballen me furtunat, ecin mbi zjarre dhe janë të gatshëm për të parandaluar çdo tronditje të mundshme.
Botën e ndritshme e të lumtur të së ardhmes mund ta ndërtojnë vetëm heronjtë e dashurisë. Ata heronj dashurie, me buzëqeshje dashamirësie në buzë dhe me zemrat e mbushura me ndjenjë, me vështrime plot mirësi njerëzore e shkëndija mirësie që prekin këdo, të cilët marrin mesazhe dashurie nga dielli kur lind e perëndon dhe nga yjet sa herë ndizen e shuhen. (Kriteret ose Dritat e Rrugës)
Fjalët e Fethullah Gylenit në çështjen e mirëkuptimit dhe të dialogut, disa nga të cilat i kemi përmendur edhe më përpara, janë prekëse e domethënëse edhe nga mënyra e të shprehurit dhe origjinaliteti që i karakterizon, po edhe si zëri i një zemre që është vetësakrifikuar në këtë rrugë.
- “Hape zemrën sa të mundesh e për këdo, le të bëhet ajo sa një oqean. Mbushu me besim dhe duaje njeriun! Mos të mbesë asnjë zemër e trishtuar, të cilës nuk i ke treguar interes e nuk i ke zgjatur dorën!...
- Duartrokite mirësinë me mirësi, mbështeti zemrat e mbushura me besim! Sillu aq me butësi me mohuesit, sa urrejtja dhe inati i tyre të shkrihet i tërë! Bëhu një Mesih me frymën tënde!...
- Largoje ligësinë me mirësi, sjelljet e rënda mos i vër re. Secili paraqet karakterin e vet në sjelljen e tij. Ti zgjidh rrugën e tolerancës dhe rri fisnik ndaj të paudhëve…
- Duaje dashurinë dhe bëhu armik i armiqësisë. Kjo është cilësia më spikatëse e një zemre që beson. Urrejtja ndaj gjithçkaje, ose tregon se zemra është në dorë të djallit, ose është shenjë çmendurie totale. Ti duaje njeriun, magjepsu pas tij.
- As edhe njëherë mos u bëj pre e egos tënde duke ndjekur mësimet e tij. Sipas saj, çdo njeri veç teje është fajtor e i pafat. Ky do të ishte shkatërrim për ty. Ti duhet të jesh i ashpër me egon tënde e i butë me të tjerët.
- Vëzhgoji mirë sjelljet e të tjerëve që të zbusin e të bëjnë të ndihesh mirë. Të njëjtat sjellje mund të jenë një arsye edhe për të zbutur një zemër e për t’i bërë të tjerët të ndihen mirë.
- Kriteri yt në sjelljen me të tjerët duhet të jetë sjellja e Zotit me ty. Sillu me të tjerët si sillet Zoti me ty. Atëherë do të jesh mes njerëzve, me Zotin dhe do të shpëtosh kështu njëherë e mirë nga vetmia. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 107-8)
Që në ditën e parë, Fethullah Gyleni ka theksuar rëndësinë e dialogut dhe të mirëkuptimit në shoqëri, duke lartësuar një herë të tjerët, pastaj veten. Ai i ka dhënë shumë rëndësi parimit “të heqësh dorë nga jeta jote për hir të jetës së tjetrit”, duke e parë këtë virtyt të lartë si kusht kryesor të një shoqërie të shëndoshë. Bashkë me këtë, edhe pikat si dashuria, mëshira, respekti e vlerësimi për njeriun, bamirësia e modestia, të cilat i kemi analizuar më gjerësisht më përpara, janë pika të cilave Fethullah Gyleni u kushton një rëndësi të veçantë. Në këtë aspekt, thirrja për tolerancë e mirëkuptim që i bëri Fethullah Gyleni shoqërisë që në vitin 1994, duhet parë si ekspozimi i mendimeve të tij, të thurura e të vëna në jetë që kohë më përpara.
c. Aktivitete e Vlerësime
Thirrja me të cilën Fethullah Gyleni iu drejtua shoqërisë në vitin 1994, në një hark kohor shumë të shkurtër, iu përcoll çdo shtrese të shoqërisë edhe me mbështetjen e Fondacionit të Shkrimtarëve e Gazetarëve, i cili u formua nga shumë emra të njohur të botës së penës dhe të artit. Ndërsa Gjermania, e mundura e Luftës së Dytë Botërore arrin të bëhet një div i industrisë e i ekonomisë botërore, madje vetëm 20 vite pas lufte tërheq forcë punëtore edhe nga Turqia e nga ana tjetër e globit Japonia arrin një tjetër pozitë mahnitëse ekonomike, Turqia vazhdon të ngushëllohet me ndonjë zhvillim sporadik e me sllogane e pankarta. Ndaj edhe në këtë aspekt kjo thirrje mirëkuptimi ka një rëndësi të veçantë për kombin turk. Pikërisht kur flitej për “konfliktet mes qytetërimeve”, bile ndoshta edhe planifikoheshin konkretisht të tilla konflikte, kjo thirrje që u përhap valë-valë nëpër botë, gjeti shumë përkrahës edhe në Turqi, edhe jashtë saj. Aq sa edhe shumë emra të së majtës ekstreme, bile edhe nga anarkistët e dikurshëm, menjëherë shprehën mbështetjen e tyre për këtë lëvizje dhe në mënyrë aktive apo pasive, u bënë pjesë e saj. “Feja nuk qenka opium” thanë disa prej tyre, duke e pohuar se feja është një element që vërtet lidh popujt. “Për vite me radhë na është mohuar Islami, kështu që edhe ne kujtuam se nuk është, u shprehën disa të tjerë. Kemi mbetur krejt të paditur në këtë temë e nuk e kemi vënë re” duke dhënë kështu një shembull serioz të përgjegjësisë së intelektualëve në një shoqëri. “Shoqëria jonë ka vite që ndërlufton në fronte të ndryshme. Ndoshta nuk kemi gjuajtur me armë, po asnjëherë nuk kemi shpallur paqe. Po në të vërtetë, luftonim për paqen. Kërkonim parajsën”, ishin këto shprehje që tregonin se filizat e paqes po lulëzonin edhe tek ne.
Pak a shumë me këto fjalë, çdokush në vend, duke u nisur nga presidenti e deri te njeriu më i thjeshtë, nga media, deri te politikanët, artistët e këngëtarët, shprehte kontributin e vet në lëvizjen e dialogut dhe të mirëkuptimit. Në emër të mirëkuptimit dhe të dialogut u bë organizimi i shumë aktiviteteve që patën shumë jehonë në shoqëri. Këto mbledhje bashkuan përfaqësues të çdo shtrese të shoqërisë turke. Që nga kryeministri te ministrat, deputetët, prefektët, kryetarët e bashkive, krerët e partive politike e burokratët; përfaqësuesin e Vatikanit në Stamboll, Patrikun e Kishës Ortodokse, liderin e komunitetit çifut në Turqi; patrikët e kishave armene e Suriane, përfaqësuesit e misioneve të huaja në vend, akademikët e çdo fushe, gazetarët, shkrimtarët, artistët, biznesmenët e plot të tjerë njerëz, përfaqësues të çdo shtrese. Të gjithë pjesëmarrësit, edhe gjatë mbledhjeve, edhe në intervistat e bëra më pas, shprehnin të njëjtin mendim e të njëjtën kënaqësi që kishin marrë pjesë në një organizim aq me vend, duke theksuar fort rëndësinë e mirëkuptimit e tolerancës në shoqëri. Patriku i Kishës Ortodokse, Bartholomeos, ndër të tjera shprehet kështu, ndërsa përgëzon së pari themeluesit e këtij fondacioni që hedh hapa të rëndësishëm në rrugën e paqes dhe dashurisë: “Fethullah Gyleni është shembulli i vlerave të përbashkëta për çdo shoqëri, lider e njeri, i dashurisë, mirëkuptimit dhe paqes. (Zaman, 1-10-1996)
Përfaqësuesi i Vatikanit në Stamboll, Georges Marovitch, u shpreh se “faktori që i mbledh këta njerëz nga çdo shtresë e shoqërisë, me myslimanin, kristianin e çifutin, është dashuria që Fethullah Gyleni ka në zemër. Arma e tij e vetme është dashuria e Zotit. Ai është një shembull i madh për botën.” (Ergyn, 270)
c. Paqja dhe Dialogu mes Sunive dhe Alevive
Njëri aspekt i thirrjes së Gylenit për paqe i drejtohej krerëve të shtetit turk, që kishin të njëjtin qëllim me të dhe kryetarëve të partive politike, kurse aspekti tjetër ishte përpjekja për të shuar konfliktin Suni-Alevi, të ushqyer me kohë nga episode negative përgjatë historisë. Në intervistën që gazetari Ejup Xhani zhvilloi me Fethullah Gylenin, “Një Udhëtim në Horizont”, ai shprehet kështu: “Sikur ne si Suni, që kemi shumë anë që duhen gdhendur, ashtu edhe Alevitë kanë anët e tyre që duhen lëmuar e riformuar. Kemi shumë njerëz që kanë bërë kërkime mbi Alevitë, kur lexojmë studimet e tyre vëmë re se Alevizmi është një burim i vërtetë pasurie kulturore. Për mendimin tim, ajo kulturë nuk duhet flakur mënjanë, por duhet vënë në vendin që e meriton.” Pastaj Fethullah Gyleni tërheq vëmendjen mbi disa gjëra negative të historisë turke të viteve të fundit. “Sot nuk është momenti të flasim të shkuarën e të këqijat e saj, shprehet Gyleni. Ai propozon një marrëdhënie më të afërt e më të ngrohtë mes Alevive e Sunive, thellimin e dy palëve në vlerat shpirtërore të njëri-tjetrit dhe zbulimin e vlerave të përbashkëta. Pastaj ai shpreh mendimin e vet, se do të ishte më mirë sikur kultura alevite, e cila konsiston më tepër në transmetimin gojor, të përmblidhej e të botohej në libra shumë të vlefshëm për kulturën turke në përgjithësi. Gyleni e vazhdoi këtë nismë të tijën duke e konkretizuar me propozimin që i bëri Dedesë Alevi në Izmir, për të hapur një shkollë së bashku e për të ndërtuar një xhami e një shtëpi xhem (vendi ku mblidhen Alevitë), pranë e pranë.
Gyleni e përshkruan Alevizmin si “një dashuri e madhe për Aliun, duke ndjekur vijën e tij të sjelljes, veprës e mendimit dhe duke e vënë atë në një pozitë më të lartë se shokët e tjerë të Profetit”. Ai mbron idenë se “disa fise turke në Anadoll, e kanë përqafuar Alevizmin të magjepsura nga trimëria e heroizmi i Aliut dhe të ndikuara nga kushtet socialo-kulturore të zonave nga janë përhapur ato. Studimi i detajuar i aspekteve psiko-sociologjike të kësaj çështjeje, do ta nxjerrë më mirë në shesh këtë të vërtetë”. Ai thekson gjithashtu faktin se asnjë Sunit nuk duhet të ketë probleme me konceptin Alevi të grumbulluar rreth boshtit të Aliut e Ehli Bejtit.
Fethullah Gyleni mendon se disa grupe të ideologjive radikale e kanë thelluar gjithmonë konfliktin Sunnit-Alevi dhe ngjarjet e pakëndshme të ndodhura mes tyre, nuk janë veçse pasojë e këtyre ndikimeve përçarëse. Kombi turk, me Alevitë e Sunitë, bazohet në një shoqëri të konsoliduar, prandaj edhe ngacmime të tilla nuk do të kenë sukses. Gjithashtu Gyleni nuk lë pa përmendur se debati Alevi-Suni dhe imazhi i dallimit mes tyre në të mirë të Sunive, do të ketë pasoja të pakëndshme në rrugën e Turqisë drejt BE. (Sönmez, 152-7)
d. Shpresë dhe Ankth
Padyshim që Fethullah Gyleni, ndërsa i bënte thirrje Turqisë dhe botës për dialog e mirëkuptim, ishte i ndërgjegjshëm edhe për realitetin që e rrethonte. Shoqëria turke kishte në vetvete plot grupe që ushqeheshin me konfliktet dhe përçarjet shoqërore, të cilat nuk do ta pranonin lehtë këtë erë dialogu, dashurie dhe mirëkuptimi. Në fjalimet e tij, ndërsa bënte thirrje për tolerancë, Gyleni nuk ngurronte edhe të tërhiqte vëmendjen e shoqërisë, duke përmendur shqetësimet që e shoqëronin gjatë këtij procesi.
Vitet në vazhdim do të jenë vitet e dashurisë dhe të mirëkuptimit. Ne do ia hapim kraharorin gjithkujt me dashuri e do të realizojmë diçka për të cilën bota ka shumë nevojë. Vetëm se më shoqëron ankthi se një grup margjinal, duke thirrur e ulëritur e duke u orvatur të manifestojë pseudo-pushtetin që ka, do të kërkojë të mbrojë interesat e veta, duke prishur qetësinë e shoqërisë. Tashmë ata do t’i ngrenë kurth mirëkuptimit. Është e qartë se do të sprovohemi me prova edhe më të rënda. Po populli ynë do t’ia dalë mbanë edhe kësaj sprove, duke u mbështetur në vetvete, me dashuri e me mirëkuptim. Do t’i shtrëngojmë dhëmbët sërish edhe përballë kësaj prove do të themi: “Në qoftë vuajtje nga ndëshkimi Yt/Apo gëzim nga mirësia Jote/Të dyja kënaqësi janë për shpirtin tonë/Të bukur e ke mirësinë, të këndshëm e ke ndëshkimin” dhe me parimin “pa dorë ndaj atij që godet e pa gjuhë ndaj atij që shan”, të përqafuar fort me dashuri e mëshirë, do të ecim drejt të nesërmes duke e dashur vërtet njëri-tjetrin. (Ergyn, 242)
Edhe në një fjalim tjetër Fethullah Gyleni shpreh pak a shumë të njëjtat ndjenja:
“Kemi rënë copë me njëri-tjetrin. Nuk kemi ditur ta pranojmë njëri-tjetrin ashtu siç është, e si përfundim, kemi humbur edhe unitetin, edhe parajsën. Rifitimi i atyre që kemi humbur kalon vetëm nga një rrugë, të pranojmë sërish njëri-tjetrin. Kjo është ajo që njeriu ynë sot, ka më tepër nevojë se kurrë.
E pamë vetë se shoqëria jonë është vërtet e hapur edhe për mirëkuptim edhe për dialog. Hapat e hedhur drejt mirëkuptimit, na udhëhoqën drejt moralit hyjnor. Allahu e tregon moralin e vet me këto fjalë: “Nëse robi im vjet drejt Meje duke ecur, Unë shkoj drejt tij duke vrapuar.” Edhe në këtë dialog, kujt t’i jemi afruar duke ecur, ka ardhur drejt nesh duke vrapuar. Si njerëz të mirëkuptimit, shoqëria jonë e ndien thellë në shpirtin e saj mallin dhe mërgimin e Profetit Jakup dhe dhimbjen e dëshmorit të Qerbelasë, Hysenit. Ndaj dhe padyshim këta njerëz do të përqafohen mes njëri-tjetrit, media dhe intelektualët do të prijnë këtë lëvizje, administrata dhe udhëheqësit do të rishikojnë qëndrimet e veta dhe mirëkuptimi, intelekti e toleranca do të jenë vlerat më të përbashkëta të shoqërisë. Ne këto ditë po presim… Dhe duhet të jemi të bindur të mos i lëmë rrugë atyre që me planet e tyre të mbrapshta duan ta kthejnë Turqinë në arenë të përgjakshme. (Ergyn, 250)
Në një tjetër fjalim, Gyleni thotë se mirëkuptimi dhe dialogu i ka rrënjët në thelbin e Islamit.
Mirëkuptimi është karakteri ynë, mendimi i Mevlanës, botëkuptimi i Junus Emres... Nëse e kuptojmë më së miri thelbin e fjalëve të Profetit të Islamit, Muhamedit (a.s.), do ta konceptojmë edhe themelin mbi të cilin qëndron Islami. Jam i bindur se kjo botë do ta kuptojë të vërtetën, veç pasi të jetë përplasur majtas e djathtas. I lutem Zotit që vitet në vijim të jenë vitet e dashurisë dhe të mirëkuptimit, jo vitet e ndikuara nga dhuna, urrejtja dhe luftërat.” (Ergyn, 254)
e. Pikëtakimet
Në Turqi vetëm dy grupe shprehën një farë paragjykimi dhe reaksioni ndaj thirrjes së Gylenit për dialog e mirëkuptim. Njëri prej tyre ishte ai grup që interesat e veta i shihte mbi interesat e kombit dhe të ardhmen e vet e kishte të bazuar mbi konfliktet e përçarjet në vend. Disa të tjerë, të cilët iu bashkëngjitën këtij grupi, ishin ata që e trajtonin Lëvizjen Gylen si lëvizjen e një klase të ndryshme prej tyre. Fakti që Gyleni ishte një imam xhamie dhe përkrahësit e parë të tij ishin populli i thjeshtë, i shtonte më tepër paragjykimet e tyre. kurse grupi tjetër që reagoi ndaj thirrjes së Gylenit, përbëhej nga disa myslimanë margjinalë, që mbronin idenë se ndaj myslimanëve nuk po tregohej as tolerancë e as dëshirë për dialog, kështu që një thirrje e tillë ishte një kompromis nga ana e myslimanëve. Në të vërtetë, sado që Fethullah Gyleni njihej prej vitesh nga ky grup, nuk kishte arritur të tërhiqte edhe aq simpatinë e tyre. Shkaku kryesor i këtij reagimi ishte se Fethullah Gyleni asnjëherë nuk e kishte politizuar lëvizjen e tij dhe asnjëherë nuk kishte shprehur mbështetje për Islamin e politizuar, duke ndjekur një tjetër linjë në bashkimin e njerëzve e ideve në vend. Megjithatë, shkakun e vërtetë të këtij reagimi e di vetëm Zoti…
Porse Fethullah Gyleni asnjëherë nuk ka kryer ndonjë veprimtari që mund të cenonte lëvizjen e ndonjë grupi tjetër mysliman, sidomos në shërbimet e tyre në emër të Islamit. Ai gjithmonë ka përkrahur në mënyrë të hapur ose të mbyllur, dialogun dhe mirëkuptimin mes të gjithë grupeve që vepronin në emër të Islamit. Në parathënien e librit të Prof. Dr. Ibrahim Xhanan, “Linja e paqes”, të botuar në 1979, vëmë re se Fethullah Gyleni, që në atë kohë, e ka shprehur më se qartë mendimin e tij në këtë temë. Parathënia titullohet “Pikëtakimet” dhe përmban pak a shumë këto pika:
Në fillim të shkrimit Gyleni thotë: “tema më aktuale e ditëve tona është uniteti dhe diferencimi. Sado që rëndësia e kësaj teme është vënë në dukje gjatë çdo periudhe, sot, në prag të ndërtimit të një bote të re, ajo ruan përparësinë dhe seriozitetin e saj më shumë se çdo herë tjetër dhe është maja e problemeve tona shoqërore. Pa ngurrim, them se rreziku më i madh i ringjalljes sonë si shoqëri, qëndron pikërisht te uniteti dhe diferenca. Më tej, pasi thekson rëndësinë e unitetit në shoqëri dhe rrezikun e diferencimeve të mundshme në të, Fethullah Gyleni, tërheq vëmendjen mbi këto pika, si shkaqe kryesore të përçarjeve në shoqërinë në përgjithësi dhe mes myslimanëve në veçanti:
- “Gjendja e dobët intelektuale e mendore e shoqërisë, varfëria shpirtërore dhe gjendja e përvuajtshme e udhëheqësve.
- Fanatizmi i shtyrë nga kjo gjendje
- Egocentrizmi, si një reflektim i egoizmit, shirku i fshehtë dhe pozicionimi i shkaqeve në vendin e qëllimeve.
- Një padije dhe mosmirënjohje e shprehur “As të mirat e të tjerëve dhe as rrugët e tyre nuk i dua, për sa kohë që nuk i kam sjellë me dorën time.”
- Një fanatizëm e arkaizëm i shprehur në mendimin “Vetëm unë jam në rregull, gjithë të tjerët janë drejt shkatërrimit, të mbytur në mëkate e mosbesim.
- Konkurrenca e pakuptimtë mes grupeve, e shtyrë nga liderët e tyre.
- Një përpjekje e bazuar mbi shkatërrimin e një grupi që punon në emër të Islamit.
- Pritja e shpërblimeve të veprave në këtë botë, duke harruar se ato vepra i japin frytet e tyre në të Përtejmen.
- Humbja e ndihmës hyjnore. Ata që i shërbejnë popullit duhet të kenë parim kryesor në profesionin e tyre dashurinë e mirëkuptimin. Për sa kohë që në vend të kësaj ata ushqejnë urrejtjen e përçarjen, humbasin edhe ndihmën e Zotit.
Përveç këtyre faktorëve, Fethullah Gyleni tërheq vëmendjen edhe mbi disa aspekte të tjera që janë shkak i përçarjes mes myslimanëve.
- Për një kohë të gjatë religjioni u la pa mbështetje. Ky mision u mor përsipër nga individë e komunitete të ndryshëm, po mungesa e një lideri dhe e një udhërrëfyesi të përbashkët, solli përçarjen mes tyre.
- Çdo anëtar i një grupi nisi ta shohë liderin e vet si një shpëtimtar e rinovues të besimit. Sado që kjo mund të duket normale, shpeshherë, këto vlerësime të bëra nga njerëz të paaftë e të paautorizuar, u bënë shkak për përçarjen e moskuptimin ndërmjet grupimeve.
- Besimi i ardhjes së Mehdiut, në prag të fundit të botës dhe misioni i tij i shenjtë për të shpëtuar besimin, shpesh është konkretizuar me liderin e grupit. Ai është perceptuar si Mesih-Mehdi dhe është pranuar si i tillë nga pasuesit e vet, duke u bërë shkak për ndarjen e thellë mes grupeve.
- Një tjetër shkak është futja e elementëve përçarës, si medhheb, sekt apo prejardhje etnike mes grupeve dhe emërtimi i tyre sipas kësaj terminologjie.
- Largimi i individëve dhe i grupeve nga jeta shpirtërore, zbrazëtia e brendshme, idetë fantastike e utopike të disa grupimeve janë gjithashtu një faktor i rëndësishëm në këtë përçarje.
Fethullah Gyleni sheh si një kusht kryesor edhe për unitetin turk edhe për atë Islam, bashkimin e grupimeve që punojnë në emër të Islamit. Po nga ana tjetër ai është i qartë se një propozim “Ejani, le të bashkohemi!”, është i papranueshëm nga të gjithë dhe nuk ka arsye që t’i bëhet kujtdo. Aq më tepër që një propozim i tillë, i bërë si një ftesë për të pranuar edhe metodën, edhe botëkuptimin e një grupimi të caktuar, është vërtet një mungesë respekti për tjetrin. Edhe njeriu më i drejtë do të bëhej një mbrojtës i flaktë i grupit të vet përballë një propozimi të tillë. Një bashkim i tillë do të kishte më tepër pasoja negative se sa pozitive. Fethullah Gyleni pohon se konsensusi, së pari, duhet pranuar me mendje e me logjikë.
Sipas Fethullah Gylenit, ndjenja e grupimit është në natyrën e njeriut dhe është më se normale që njerëzit të ndiejnë përkatësi etnike, ideologjike, doktrinore e teorike. Vetëm se njeriu është i detyruar që këtë përshtatshmëri e rregullsi të cilën bota e ka që në krijim, ai ta vendosë vetë në jetën dhe shoqërinë e tij. Në makrobotë janë në fuqi ligjet e determinizmit, kurse në botën njerëzore janë ligjet e vullnetit e të shkaqeve. Edhe pse ekzistenca, së pari, është një mirësi e dhuruar, çdo mirësi që vjen më vonë, është e lidhur me një lloj shkaku. Për këtë arsye, kushti i parë i bashkimit dhe i unitetit shoqëror është shoqërizimi i ndërgjegjeve dhe mbjellja në çdo zemër e dashurisë, e mbështetjes të njeriut ndaj njeriut. Vetëm në këtë mënyrë dituria e urtia, toleranca e mirëkuptimi mund të gjejnë një ambient ku të përhapen. Pas këtij kushti primar, Fethullah Gyleni tërheq vëmendjen edhe në këto pika shumë të rëndësishme për një jetë shoqërore të shëndoshë:
- Mendimet që kanë ndryshime që nuk përmbajnë kundërshti themelore duhet të konsiderohen si normale dhe njerëzit e ndryshëm mes shtresave të ndryshme të shoqërisë duhet t’i tregojnë njëri-tjetrit të paktën aq delikatesë sa i tregojnë edhe një të huaji.
- Ti konsiderosh të tjerët si mëkatarë e qafirë, është një botëkuptim sa i panevojshëm, aq edhe i rrezikshëm. Çdo grup duhet të ketë si parim kryesor paraqitjen e idesë së vet e të botëkuptimit të vet, pa cenuar ndjenjat e të tjerëve, duke shpërndarë dashuri dhe pa ushqyer armiqësi për të tjerët, përkundrazi, duke i pranuar ata si vëllezër, duke i përgëzuar për sukseset e tyre e duke ia kursyer kritikat. Asnjëherë nuk duhet kërkuar suksesi personal në humbjen apo disfatën e tjetrit.
- Sidomos liderët e udhërrëfyesit e grupeve, një gabim i të cilëve shumëzohet për njëmijë në aspektin shoqëror, duhet të jenë shumë të kujdesshëm me deklaratat e tyre dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të sulmojnë të tjerët e t’i cilësojnë ata si jobesimtarë.
- Edhe dashurinë, edhe zemërimin, duhet të dimë ta kanalizojmë në emër të Zotit. Duhet t’i japim fund veprimtarisë në emër të egos dhe t’i vlerësojmë ndryshimet mes nesh, jo si një shkak armiqësie e urrejtjeje, por si pjesë përbërëse të pasurisë sonë kulturore.
- Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj farave të përçarjes që armiqtë duan të hedhin mes nesh.
- Duhet të sjellim edhe një herë në mend faktin që urrejtja dhe inati nuk kanë zgjidhur ende ndonjë problem gjer më sot. Triumfi mes qytetërimeve mund të arrihet veç me bindje, dialog e propagandë.
- Duhet të duartrokasim edhe veprimtaritë e të tjerëve dhe duhet të kemi respekt edhe për udhëheqësit e prijësit e tyre.
- Duhet të mësojmë të vëzhgojmë universin me syrin e besimtarit, të dallojmë djepin e vëllazërisë e të dashurisë në të dhe duhet të jemi gjithnjë të butë e të dashur me njerëzit që besojnë.”
Këto mendime të Gylenit nuk kanë ndryshuar asnjëherë. Edhe pse në të vërtetë ai ka ruajtur gjithmonë njëfarë distance me grupet që politikën dhe Islamin kanë dashur t’i mbajnë së bashku, sidomos gjatë periudhës së famshme të 28 shkurtit, si shkak për këtë ai ka treguar shkurtimisht pamundësinë e ndërtimi të një politike me bazë Islamin në kushtet aktuale. Ndonëse disa herë është shprehur për pasojat që mund të ketë një ndërmarrje e tillë në shoqërinë aktuale, nuk i ka sulmuar e as kritikuar në publik të tilla grupime. Vetëm kur kaosi i krijuar politik e ka bërë të pashmangshme një gjë të tillë, ai është ndier i detyruar të shprehë haptas ndryshimin e vet nga kjo ideologji. Një tjetër fakt të cilin unë personalisht e kam vënë re me kohë e që dua ta përmend këtu, është se mirësia e afërsia që Fethullah Gyleni i ka shfaqur gjithmonë grupimeve të tjera të myslimanëve në vend, shpesh ka mbetur pa përgjigje. Pyetjes sonë në lidhje me këtë ai iu përgjigj:
“Myslimani ka përgjegjësi të sillet gjithmonë mirë me myslimanin. Nëse vini re ndonjë gjë që nuk shkon, fillimisht kontrolloni vetveten dhe shkakun e vizitës tuaj te ata. A i vizitoni ata si vëllai viziton vëllain, apo shkoni me mendimin ja ta kryejmë edhe këtë detyrë. Pastaj, a luteni për ta? Unë personalisht lutem gjithmonë për gjithë myslimanët, për grupimet e tyre e për liderët e tyre, kudo që janë. Së treti, dua të përmend një fjalë të Profetit, kur e pyesin “Si të sillemi me atë që na bën keq?” dhe Profeti i përgjigjet “Bëji mirë!” edhe pse e pyesin disa herë, Ai i jep të njëjtën përgjigje. Detyra juaj është të bëni gjithnjë mirë.”
Veprimtaria e dialogut ndërmjet besimeve të tjera e besimtarëve të tyre
Një nga lëvizjet që Gyleni ka ndërmarrë në Turqi për herë të parë i është edhe lëvizja për dialog. Kjo lëvizje synonte dialogun mes njerëzve brenda e jashtë Turqisë si dhe dialogun mes besimtarëve myslimanë, kristianë e hebrenj kudo nëpër botë. Sado që ndezi shumë polemika, kjo nismë ka shumë rëndësi për sa i përket myslimanëve, sidomos në aspektin e autokritikës.
a. Pika e volitshme në sfond të dialogut
Qytetërimi modern, sidomos pas zhvillimeve shkencore e teknologjike të nisur që në shek. XIX dhe pas komentimit të cekët të materializmit e pozitivizmit, mendoi se do ta shuante tërësisht evenimentin e religjionit nga shoqëria. Por zhvillimet fizike të fillimit të shek. XX u bënë shkak për ndryshimin e opinioneve në këtë aspekt. Në perëndim, shkencëtarë e filozofë si Max Plank, Pasternak, Schvartz, Alexis Carrel, James Jeans e Eddington, pse jo edhe Einstein, përvetësuan një linjë të thellë besimi, kurse Turqia, fatkeqësisht, përvetësoi dhe bëri pjesë të paradigmës zyrtare pozitivizmin e egër dhe materializmin e shek. XIX. Megjithatë, nga ana tjetër shkrimtarë e filozofë, njerëz të thjeshtë e liderë komunitetesh mundoheshin me gjithë shpirt të bënin diçka në rrugën e Kuranit, përpjekje në saje të të cilave, nga gjysma e dytë e shek. XX, u arrit në një farë mase zbutja e kësaj ngurtësie. Po prapëseprapë një grupim antifetar e vazhdoi autoritarizmin e tij pa ndërprerje. Ndërkohë, në perëndim religjioni po rimerrte pak e nga pak kështjellat që kishte humbur, ndërsa te ne vazhdonte përçapja e një pjese pseudo-intelektuale për të konsoliduar një botëkuptim të modernizmit, brenda të cilit religjioni, aq më tepër Islami, nuk kishte vend.
Sipas vlerësimit të antropologut amerikan Prof. Dale F. Eickelman, disa mendonin se Islami duhej mbytur në rrjedhën e modernizmit, si Manfred Halpbern, kurse disa të tjerë ishin të mendimit se rruga për në modernizëm kalon nga thyerja e autoritetit të liderëve tradicionalë fetarë dhe institucioneve të tyre dhe zëvendësimi i tyre me liderë politikë.
Pa kaluar as 20 vjet, zhvillimet që do të ndodhnin në botë i përgënjeshtruan që të gjithë këta “intelektualë”. Me rënien e Bashkimit Sovjetik dhe rrëzimin e perdes së hekurt, me shprehjen e Gylenit, ortodoksët e vjetër u bënë sërish ortodoksë dhe katolikët e vjetër iu kthyen sërish kishës. Natyrisht që në këtë rikthim në religjion edhe budistët do të kërkonin Budën, edhe myslimanët Islamin. Pikërisht duke cituar këto zhvillime dhe duke dhënë shembuj nga aktivitetet sociale të katolikëve në Peru, evangjelistëve në Guatemala dhe komuniteteve të ndryshme fetare në SHBA, Eickelman nxjerr në pah falimentimin e doktrinave të lartpërmendura të viteve ’60. Më tej, ndërsa trajton rëndësinë e besimit në jetën shoqërore dhe në atë politike, ai citon presidentin çek Vaclav Havel, i cili thotë: “ Të drejtat e njeriut, liritë njerëzore dhe dinjiteti human i gjejnë vlerat e kuptimet e tyre më të thella jashtë botës materiale. Njeriu është ai që krijon shtetin, po njeriun e krijon Zoti.” Më tej Haveli thekson se doktrinat moderne, të cilat mbronin idenë se bota mund të njihet objektivisht dhe se këto njohje të fituara në këtë mënyrë mund të përgjithësohen e të zbatohen kudo, morën fund me një krizë jo të lehtë për popujt. Rrugëdalja prej saj është ndërtimi i politikës të së ardhmes me individë që kanë besim në moralin dhe shpirtin individual.
Pas këtyre shënimeve Eickelmani prek rolin e kristianizmit në formimin e vlerave kulturore e shoqërore të perëndimit dhe në sistemet politike aktuale, pastaj kritikon idetë anti-islame të disa “militantëve laikë” në vendet myslimane.
Historiani Dominique Colas është i mendimit se doktrina religjioze është faktori kryesor i formimit të sferave publike moderne në Evropë. Gjer më sot rolin determinant në shoqëri e ka luajtur padyshim kristianizmi, me shenjtërimet, ligjet e mbështetura në to, festat fetare e lutjet e përbashkëta. Ndonëse fanatikët modernë të laicizmit mbrojnë idenë se institucionet laike janë të hapura e kanë largpamësi, në vendet myslimane të Lindjes së Mesme, e veçanërisht në Turqi, kemi dëshmuar vetëm aspektin shtypës e persekutues të tyre.
Eickelman bën edhe një analizë të zhvillimeve fetare në vendet myslimane, veçanërisht në Turqi dhe shënon si më poshtë:
“Lëvizjet fetare në Turqi i drejtohen më tepër besimtarëve modernë dhe nxjerrin në pah cilësinë unifikuese të Islamit, duke u bërë një urë mes Islamit, shkencës dhe zhvillimit, lindjes dhe perëndimit. Këto lëvizje kanë në plan të parë veprimtaritë arsimore dhe edukuese dhe çdo ditë e më tepër përfshijnë turq të rinj. Sfera publike e formuar në pikëprerjen e religjionit, jetës shoqërore dhe politikës, ndikon për mirë në formimin e shoqërisë civile. Në botën Islame flitet se si do të bëhet adoptimi i një jete sociale e politike me vlerat e Islamit. (Islam and the Languages of Modernity, Dadalus, Dimër 2000, 120-32)
“Tashmë nuk janë qeveritë ato që kontrollojnë popullin. Monopolet intelektuale të të shkuarës rrënohen çdo ditë dhe tashmë shumë besimtarë marrin pjesë aktive në rindërtimin e sferës fetare, shoqërore e publike.” (The Coming Transformation in the Muslim World, Current History, Janar 2000, 16)
Thirrja e Fethullah Gylenit për mirëkuptim e dialog do të vinte pikërisht në një pikë të tillë kyçe të fatit të botës. Në njërën anë të kësaj pike kyçe qëndronin vlerat shpirtërore dhe virtytet e simbolizuara nga këto vlera, si paqja, dashuria, mirëkuptimi, toleranca e respekti, të cilat kishin rolin më të rëndësishëm në formimin e botës së re, që mezi po pritej. Nga ana tjetër ishte Islami dhe bota e tij, i konceptuar dhe i shpallur si pol armik, një raport i Hantingonit që e shpallte gjithë gjeografinë Islame, veçanërisht kufirin Rusi-vende Islame, si sferën e përplasjes së civilizimeve dhe lëvizjet terroriste që synonin ta paraqisnin Islamin si armik të vlerave humane, të lirive e të drejtave njerëzore. Gyleni ishte i ndërgjegjshëm se shumë sfera lokale e ndërkombëtare, të pushtetshme e të zonjat e fjalës në arenën ndërkombëtare por edhe grupet e interesave të ushqyera prej tyre do të shqetësoheshin nga atmosfera e mirëkuptimit, dialogut, paqes e respektit. Ai nuk do të ngurronte t’i shprehte të tilla shqetësime që në hapat e parë të kësaj lëvizjeje në Turqi. Jo shumë vonë u bë e qartë se ai kishte të drejtë të shqetësohej. Krimet e tmerrshme ndaj myslimanëve në Algjeri dhe shumë vende të tjera, orvatja e disa grupeve në Turqi për ta minuar që në nisje lëvizjen e Gylenit për dialog e mirëkuptim dhe atmosfera militare në botë, e nisur me 11 shtatorin dhe së cilës nuk i dihet vazhdimi, nga njëra anë vërtetojnë shqetësimet e Fethullah Gylenit, po nga ana tjetër dëshmojnë edhe një herë sa me vend e jetike ishte lëvizja e tij për mirëkuptim e dialog.
b. Përse Dialog?
Padyshim që nisma e Gylenit për dialog ndërfetar nuk kishte zënë fill me të. Në vitet ’60, Kisha Katolike e Romës kishte hedhur një hap të rëndësishëm zyrtar për nisjen e dialogut me Islamin dhe Hebraizmin. Nën këtë hap të Kishës mund të kërkohen shumë arsye. Prof. Dr. Suat Jëlldërëm e cilëson këtë hap të Kishës si një përpjekje për të rifituar reputacionin e cenuar dhe e sheh ekzistencën e Kishës të lidhur domosdoshmërisht me hapjen e saj ndaj botës. Gjithashtu, një dialog e bashkëpunim mes tre feve të mëdha monoteiste, të mbështetura në autoritetin e monoteistit të parë, të pranuar edhe nga këto fe, Ibrahimit, do të ishte një mbrojtje më efikase ndaj mohimit (ateizmit) absolut, që synon mohimin e çdo lloj manifestimi religjioz. Nga ana tjetër, dëshira për përhapjen e misioneve kristiane në rrugë më efikase, pamundësia e vazhdimit të tezave të rreme të hedhura mbi Islamin në mesjetë, nxjerrja në pah e disa studiuesve myslimanë, që e analizojnë Kuranin në aspektin historik e hemenotik dhe përforcimi i pushtetit perëndimor si dhe kristianizimi i elementeve të distancuar nga Islami, si dhe përpjekjet e Kishës Katolike për t’u pajtuar me Hebrenjtë, (Yeni Ümit, No.16-17) janë disa nga faktorët më të pranueshëm të kësaj ndërmarrjeje. Megjithatë, çfarëdo që të ishte qëllimi i Kishës, myslimanët kishin përgjegjësinë e vet dhe nuk mund të rrinin pasivë.
Po prapëseprapë ky fakt nuk pengoi reaksionin e disa sferave myslimane, të cilat të ndikuara dhe të terrorizuara nga sulmet shekullore të perëndimit ndaj Islamit, ishin mësuar ta shihnin me dyshim çdo përçapje mirëkuptimi të kishës e të perëndimit. Këto sulme e fyerje të vazhdueshme kishin lënë gjurmë të thella në memorien e tyre, ndaj çdo ngacmim të jashtëm e konsideronin si një sulm ndaj Islamit dhe çdo reaksion ndaj tij, si një shërbim ndaj Islamit. Këto sfera kishin vite që kishin hequr dorë së qeni një autoritet i pavarur në emër të Islamit, ndaj edhe përpjekjet dhe iniciativat e Gylenit i perceptuan më shumë si një lëshim rruge ndaj të huajve dhe u bënë bashkë me disa forca të tjera, të cilat i trembte mirëkuptimi e dialogu dhe vendosën të kundërshtonin këtë nismë, sado që ishte shumë e rëndësishme. Arsyet pse ishte e rëndësishme mund t’i rendisim kështu:
“Edhe nëse e trajtojmë këtë çështje veç në aspektin e shpjegimit, prezantimit e manifestimit të Islamit, tabloja që na del para sysh është kjo:
Aktualisht, në globin tonë mungon një platformë mbi të cilën mund të mbështetemi për të shpjeguar Islamin. Bota moderne është shumë më përpara se Islami në ekonomi e në politikë, dy sfera këto shumë të rëndësishme për njeriun e ditëve tona. Përparësia e dikurshme e myslimanëve në këto fusha tashmë është veç një detaj historik, konkretizimin e të cilit ne nuk jemi në gjendje ta bëjmë sot. Prandaj edhe në njohjen dhe paraqitjen e Islamit, ato që duhet të nxjerrim në plan të parë janë vlerat morale e shpirtërore, për të cilat bota sot ka aq shumë nevojë, sistemi i adhurimit, perspektiva e universit dhe e njeriut, si dhe doktrinat që i japin fund, apo të paktën nxjerrin në pah pavlefshmërinë e konflikteve mes besimit e shkencës, konflikte të cilat ka shekuj që vazhdojnë në perëndim. Manifestimi dhe paraqitja e këtyre vlerave e bën të domosdoshëm ekzistencën e një atmosfere dialogu, paqeje dhe pajtimi. Asgjë nuk mund të shpjegohet në mjedise lufte dhe kaosi. Ato instanca që e kundërshtojnë kaq të ndërgjegjshëm dialogun e mirëkuptimin, i dinë shumë mirë këto dhe asnjëherë nuk do të donin paqe e mirëkuptim.”
“Imazhi që i është paraqitur botës në emër të Islamit që nga ’90 e këtej, është imazhi i dhunës, terrorit, krimit e vrasjes, një imazh krejt i kundërt me atë që ka në bosht Islami. Skenat e terrorit e të krimit, të vëna në jetë në gjeografinë Islame, vetëm sa e kanë nxirë më shumë këtë imazh të rremë që duan ta ngjeshin në fytyrën e pastër të Islamit. Vetëm se, sado që në botën e sotme nuk shihen shembujt e kësaj, Islami është mbështetja e çdo të drejte dhe lirie njerëzore, demokracisë, dashurisë, tolerancës, mirëkuptimit, vlerave njerëzore dhe çdo prone private. Paraqitja e këtyre vlerave, si vlera të kundërta me Islamin, dhe paraqitja e Islamit si armik i këtyre vlerave, ndërkohë që edhe normat, edhe doktrina, edhe praktikat e Islamit në histori dëshmojnë krejtësisht të kundërtën, është kthimi i botës për së prapthi. Po në këtë botë të bazuar mbi luftëra e konflikte, myslimanët nuk janë të aftë të mbrojnë të vërtetën. Prandaj edhe nxjerrja në pah e vlerave të vërteta të Islamit, atyre vlerave që do ta magjepsin botën e sotme, është e mundur vetëm në një ambient dialogu, paqeje e tolerance.”
“Jemi përballë një realiteti. Sipas këtij realiteti, perëndimi është ku e ku më përpara se bota Islame nga aspektet politike, ekonomike e ushtarake. Padyshim që besimi, adhurimi e morali kanë vlera të jashtëzakonshme, po në këtë botë, ku gjithçka është e lidhur me një shkak logjik, forca ekonomike, ushtarake e politike, janë padyshim shkak i pushtetit botëror. Një tjetër realitet është se perëndimi, sado që të përpiqet, nuk e fshin dot Islamin nga faqja e dheut dhe as nga zemra e miliona besimtarëve, si dhe myslimanët, nuk e kanë forcën materiale për të shtrirë pushtetin mbi perëndimin. Ndaj dhe bashkëjetesa duke respektuar besimin e mendimin e tjetrit, si dhe shkaqet që realizojnë këtë bashkëjetesë në botën tonë tashmë të zvogëluar nga zhvillimi i mjeteve të komunikimit e të transportit, ku çdo marrëdhënie është interaktive e çdo eveniment, kudo që të ndodhë, ka ndikime në të gjitha aspektet, janë edhe të domosdoshme, edhe në të mirë të myslimanëve. “
“Gjatë pushtetit të tyre afro 11 shekullor në botë, myslimanët kanë mësuar të bashkëjetojnë në paqe e harmoni me besimtarët e feve të tjera. Historia e ka dëshmuar këtë në nivelin e saj më të lartë pikërisht gjatë kësaj periudhe.
Nga ana tjetër, perëndimorët nuk kanë më shumë se treçerek shekulli që bashkëjetojnë me myslimanët, si zotër shtëpie. Perëndimorët, të cilët deri treçerek shekulli më parë nuk e pranonin Islamin si religjion dhe e fyenin Profetin e nderuar me lloj-lloj epitetesh, sot kanë nisur, të paktën në aspektin shoqëror, t’i pranojnë myslimanët si nënshtetas me të drejta të barabarta, të njohin Islamin, Kuranin dhe Profetin. Nëpër qytete janë kultivuar disa marrëdhënie deri diku të ngrohta mes fqinjësh dhe kjo dëshirë për njohje të mëtejshme ka ardhur në rritje. Tashmë është normale që shumë intelektualë, prijës fetarë a priftërinj ta pranojnë këtë të vërtetë e të ndiejnë një zbutje apo afrim ndaj Islamit. Bashkë me Karen Armstrong, autoren e famshme angleze të librit “Muhammad: A Biography of the Prophet”, mund të rendisim gjithë ata shkrimtarë e autorë që janë përpjekur në këtë fushë, si Massignon, Charles J. Leddit, Y. Moubarac, Irene M. Dalmais, L. Gardet, Norman Daniel, Michel Lelong, H. Maurier, Olivier Lacombe, Thomas Merton, Sidney Griffith, Thomas Mitchel, John Esposito e Dale F. Eickelman, disa teologë dhe shumë sociologë të njohur. Këta njerëz edhe ushqejnë ndjenja të ngrohta për Islamin e për Profetin Muhamed, edhe janë mbështetësit më të fortë të dialogut mes besimtarëve të feve të ndryshme. Vijueshmëria e kësaj atmosfere është shumë e rëndësishme edhe për të sotmen, edhe për të ardhmen e botës, njerëzimit e mbi të gjitha për të ardhmen e myslimanëve dhe Islamit. Dialogu, mirëkuptimi e paqja janë elementët më të rëndësishëm të kësaj atmosfere.”
“Islami është feja e mendjes dhe e shkencës, feja që çdo normë të sajën e provon me ta. Në një botë ku pushteti, me shumë mundësi do të jetë në dorën e shkencës dhe të teknologjisë e që po nis epokën e dijes, për një mysliman të bindur në parimet e besimit të vet, është e pashmangshme, bile e detyrueshme të hyjë në dialog me besimtarët e çdo feje tjetër, pasi vetëm kështu, mund ta përmbushë detyrën që i ngarkon atij besimi i vet në lidhje me konceptin e misionin e Islamit në këtë botë. Gjer më sot myslimanët kanë ushqyer një psikozë të bazuar në frikën se të huajt do t’i cenojnë e do t’i bëjnë për vete. I rrethuar nga çdo anë vetëm me armiq, myslimani e ka njohur si kusht të besimit, këtë pozicionim të përhershëm në frontin e mbrojtjes. Por tani ka ardhur koha që myslimanët të dalin nga pozicioni i mbrojtjes ku e kanë ndryrë vetveten e të mësojnë çka ndodh në botën përreth. Ka vite që kjo botë është bërë vend i progresit për të tjerët dhe i regresit për ne. Pse duhet që kjo të vazhdojë kështu, pse Islami të jetë feja e të humburve, kokave që nuk mendojnë, zemrave që janë ngrirë, e të poshtëruarve që kërkojnë shpëtim nëpër vendet e botës, e atyre që përjashtohen nga sistemi i botës së re, e humbëtirave e poshtërsive? Vetëm me një kusht mund të shpëtojmë nga gjithë këta. Mjaft që myslimanët të mos e përdorin Islamin si një shkallë për të arritur përfitime politike e ekonomike, të mos e shohin atë si një shkak për të konsoliduar pozitat e pushtetet e veta, as edhe si shkak epërsie e mendjemadhësie ndaj të tjerëve, si një pjesë e identitetit apo e përkatësisë që shpesh është i nevojshëm në përfitimet e kësaj bote, por ta shohin si një besim të mirëfilltë në Zot, ta zbulojnë nga fillimi, të dinë ta paraqesin e ta përfaqësojnë këtë fe ashtu si duhet. Po për këtë, kushti primar është të ndryshojnë imazhin e gabuar të Islamit, duke e filluar këtë ndryshim fillimisht me kokat e veta. Ky imazh, që as nuk është dhe as nuk mund të jetë imazhi i Islamit.
Fethullah Gyleni e bazon doktrinën e lëvizjes së tij për mirëkuptim e dialog në Kuran, Sunet e në Historinë Islame. Këtë mund ta shohim më hollësisht në librin Atmosfera e Dialogut dhe e Mirëkuptimit në Bisedat e Shkrimet e Fethullah Gylenit, të shkruar nga Kudret Unal e Selçuk Camci. Në një artikull të tijin, Fethullah Gyleni, i ka shprehur kështu arsyet që e kanë shtyrë në këtë lëvizje dialogu e tolerance:
“Njeriu është krijuar i bekuar, ai gjithmonë rend pas gjërave të bukura e të mira. Vetëm se ndonjëherë, pa e pasur në dorë e pa e vënë re, bëhet pre e gurëve që i bien mbi kokë. Ai që më fton në dialog, është pikërisht ky bekim që ka çdo njeri në vetvete, që na shtyn drejt së mirës e së bukurës. Kam besim e shpresë të plotë se një ditë njerëzimi nuk do të mund t’i rezistojë më gjatë tërheqjes së bekimit, mirësisë e bukurisë që ka në vetvete dhe do të rendë në linjën ku e ftojnë këto ndjenja të bukura.
Aktualisht, njerëzimi është lodhur nga luftërat, konfliktet, gjakderdhjet e dhuna, ai është i gatshëm për një dialog e një paqe universale. Edhe konjukturat e nevojshme për këtë qëllim sublim janë më se të mbara. Nëse nuk hedhim ndonjë hap të gabuar, jam i bindur se ndodhemi pikërisht në pikën optimale të fatit.
Tashmë bota e ka provuar se nuk arrin dot asgjë pozitive me armiqësi, platforma konfliktesh, reaksionesh dhe urrejtjeje. Njeriu është krijuar në një natyrë civile, ndaj dhe nga ky aspekt, në ditët tona, kur vlerat civile janë aq prioritare, sa edhe vetë qëllimet, nuk ka asnjë çështje që njeriu të mos e arrijë ta zgjidhë duke folur. Ja, ky është dialogu. Është një realitet, të cilin e kemi kuptuar me kohë, po bota e ka kuptuar veç pas rënies së perdes së hekurt: në shekullin e ardhshëm religjionet do të kenë një ndikim të paparashikueshëm. Ky është një qëllim natyral, ndaj të cilit ecën njerëzimi. Aktualisht, Kristianizmi dhe Islami janë dy religjionet që kanë më shumë pasues. Edhe Budizmi e Hinduizmi kanë shumë besimtarë. Hebraizmi, edhe nëse nuk ka një numër të madh pasuesish, ka një ndikim të konsiderueshëm. Ndaj edhe dialogu mes këtyre religjioneve, duke u nisur fillimisht nga pikat e përbashkëta që kanë, do të ketë një efekt të jashtëzakonshëm në ndërtimin e paqes, qetësisë e ringjalljes universale në këtë kohë, pak para fundit të botës. Ne as nuk kemi dyshim në vlerat tona, as nuk kemi për qëllim të shkojmë pas dikujt tjetër. Po as të tjerëve, që mund t’ju shkojë ndërmend një gjë e tillë. Kurani ia ka bërë që para 14 shekujsh këtë thirrje për dialog besimtarëve të feve të tjera. Por shekujt e mëvonshëm, të kushtëzuar nga koha e historia, kanë qenë të tillë ku kanë sunduar konfliktet e luftërat. Sot është koha të fitojmë zemrat e mendjet e të bashkohemi, të paktën me respekt e dashuri reciproke. Në këtë temë, të interesuarit mund të gjejnë plot analogji në periudhën dyvjeçare që nga para-Hudejbija e deri në triumfin e Mekës. Në Kuran, nuk quhet triumf ai i Mekës, po ai i Hudejbijes. Hudejbija ka mbyllur dyert e konflikteve dhe ka hapur dyert e zemrave. Ja, ky është triumfi i vërtetë.” (Aksion,14-20 shkurt 1998)
c. Aktivitetet e Dialogut
Në emër të dialogut brenda dhe jashtë Turqisë, Fethullah Gyleni bëri takimin e parë me Patriarkun e Kishës Ortodokse, Bartholomeos. Natyrisht që ky takim do të pasohej nga një jehonë e jashtëzakonshme, dhe ashtu ndodhi. Në Turqi shumë sfera zyrtare, myslimane dhe nacionaliste vazhdimisht e kanë parë Patriarkatin Ortodoks dhe kristianizmin brenda tij, si një agjenturë që punon për hesap të Ortodoksëve, me qëllim që të fitojë ekumenizmin e të ringjallë Republikën Rume të Pontusit, ndaj edhe këto sfera e kanë parë gjithnjë me dyshim këtë Patriarkat. Edhe sistemi zyrtar, i cili kishte vite që për hir të politikave, frynte psikozën e vendit të rrethuar nga armiqtë por edhe të sulmeve të brendshme e të jashtme dhe rrinte pasiv e i paaftë për iniciativë, mesa duket si rrjedhojë e kësaj psikoze, kishte gjithashtu shqetësimet e veta për këtë takim të Gylenit me Bartholomeosin. Po në të vërtetë, këta takime kishin dobi të mëdha dhe konkrete.
Fillimisht, takimi i një mendimtari mysliman me një patrik, ishte një goditje e rëndë për autoritetet “e thella”, të cilat, ndonëse pretendonin se ishin “laike”, donin edhe ta kishin në dorë religjionin, edhe ta përdornin atë sipas interesave të veta, ndonëse ishte në kundërshtim me laicizmin. Një takim i tillë cenonte rëndë pushtetin e këtyre forcave mbi fenë. Kurse ky takim, ishte potenciali i një lëvizjeje që do të përhapej valë-valë në të gjithë vendin, do të përqafohej nga masat dhe do të ishte një ndër hapat kryesorë të civilizimit. Këtë fakt e kuptuan shumë mirë ata që nuk donin kurrsesi që Turqia të dilte nga lëvozhga e saj, të pozicionohej në vendin që i takon në ekuilibrin ndërkombëtar, të demokratizohej në mënyrë transparente e të drejtohej vërtet nga populli. Politikat e tyre të jashtme ishin bazuar në armiqësinë me fqinjët, ish-vilajete të dikurshme dhe nuk donin kurrsesi ndërmarrje që mund të sillnin zhvillime pozitive për Turqinë… Po shumica e administratës naive të Turqisë, intelektualët myslimanë dhe liderët e tyre, nuk e kuptuan dot.
Takimi i Gylenit me Bartholomeosin, ashtu si shumë takime që do të bënte ai në aspektin e dialogut dhe të mirëkuptimit, ishte një ndërmarrje shumë e rëndësishme, e aftë për t’u ndjekur edhe nga të tjera të tilla në emër të Turqisë. Sepse ndonëse patriarkati nuk ka shumë pasues brenda Turqisë, ai është një patriarkat, dhe patrik Bartholomeosi është një teolog me shumë ndikim në perëndimin, që çdo ditë e më shumë po i kthehet religjionit. Një administratë është e aftë nëse di të favorizojë evenimente të tilla. Ky hap i Fethullah Gylenit, i cili e ka konceptuar më së miri kahun nga po shkon bota, ishte një mundësi për të hapur horizonte të reja për Turqinë, si trashëgimtare e një perandorie shumëkombëshe. Për mendimin tim, këtë e kuptuan shumë mirë instancat që donin vazhdimësinë e sistemit të mbyllur statuquo-ist dhe menjëherë e komentuan këtë takim si një përpjekje të Gylenit për të rritur ndikimin e vet në arenën ndërkombëtare.
Takimet e Gylenit në prizmin e dialogut dhe të mirëkuptimit ndërfetar ishin një hap i mahnitshëm dhe një rast shumë i volitshëm edhe për botën Islame, e cila ka vite që është e detyruar të mbartë mbi vete imazhin e gabuar që të tjerët i kanë veshur Islamit. Kjo botë vazhdon të jetë e lidhur me shembujt e gabuar, vazhdon të jetë objekt sulmesh të brendshme e të jashtme por edhe pre e praktikave të gabuara. Në këtë mënyrë, Islami do të gjente një shans përfaqësimi me një emër të mirënjohur nga publiku, tepër larg administratave të turpshme e militariste të kësaj bote, duke arritur kështu një progres tej mureve të historisë. Edhe në atë kohë, përpjekjet për dialogun ndërfetar ishin të dukshme, aktivitete të tilla mbështeteshin në arenën ndërkombëtare dhe herë pas here shtroheshin platforma të tilla. Gjatë këtij procesi, lënia mënjanë e bijve të një populli që për shekuj me radhë e kanë përfaqësuar Islamin në mënyrën më të mbarë, është vërtet e paimagjinueshme dhe me pasoja të rënda në emër të Islamit. Nga ana tjetër, nga njëra anë theksohet universalizmi i Islamit, nga ana tjetër Islami kufizohet vetëm me praktikat e dy-tre vendeve, duke ndjekur sërish një rrugë në përkeqësim të Islamit. Edhe sot e kësaj dite, perëndimi me Islamin nënkupton ose botën arabe, ose ndonjë organizim në Indi, ose një religjion të përfaqësuar nga Iran, ose ditëve të fundit nga Talebanët. Në këtë perspektivë, në këtë konceptim të Islamit nuk kishte vend për bijtë e popullit turk, që e kishin përfaqësuar këtë fe në mënyrën më të mirë, që pas Epokës së Lumtur të Profetit.
Kur shprehem kështu, dua të theksoj se Islami asnjëherë nuk ka lidhje as me racizmin, as me ngjyrën. Asnjëherë nuk kam për qëllim, as të nënvleftësoj ndonjë popull, as të përmend armiqësinë iraniano-arabe, as dallimet turko-arabo-iraniano-pakistaneze e as të ushqej paragjykime negative ndaj popujve të tjerë myslimanë. Këto jo vetëm që janë në kundërshtim me Islamin, por janë edhe një kurth i armiqve të Islamit. Po vetëm dua të theksoj faktin se Turqia ka një potencial të jashtëzakonshëm në botëkuptimin e saj fetar, për të ndryshuar këtë imazh që qëllimisht i është qepur Islamit në botë dhe për ta paraqitur atë në botëkuptimin më të afërt me vlerat e sotme të përbashkëta, njëkohësisht në formën më besnike me të. Dhe bota perëndimore është thuajse e painformuar për këtë.
Përveç kësaj, një prej rrugëve më të shkurtra për shuarjen e përçarjes dhe zhdukjen e keqkuptimeve mes myslimanëve, është drejtimi i tyre nga bota e jashtme. Dialogu me botën e jashtme, është një derë e rëndësishme për këtë. Një dialog i tillë mund të trembë ose ata që nuk duan zhvillimin e myslimanëve dhe vendit të tyre, ose të atyre që nuk janë të bindur në besimin e tyre dhe i tremb kontakti me jashtë, ose ata që nuk kanë ndonjë aspiratë për të përfaqësuar Islamin në botë dhe që një përfaqësim dhe zhvillim i tillë kundërshton interesat e tyre personale.
d. Takimi Historik në Vatikan
Pas takimit me Patriarkun Ortodoks Bartholomeos, në verën e 1997, Fethullah Gylen u takua me liderët e komunitetit hebre amerikan dhe me kryerabinin Safardit, Elijahu Bakshi Doron, të cilët ndodheshin për vizitë në Turqi. Pastaj vazhdoi takimet e tij dhe shkëmbimin e mendimeve dhe të ideve me liderët e komuniteteve Armene e Suriane. Sërish në verën e 1997, në SHBA u takua me Kryetarin e Katedrës së Studimeve për Kristianizmin e Lindjes në Universitetin Katolik të Amerikës, Prof. Dr. Sidney Griffith, me arkidukën e Kishës Katolike të Romës në New York dhe arkipeshkvin e New Yorkut, kardinal O’Connor dhe asistentin e tij Alex.
Po takimin më të rëndësishëm në kuadrin e veprimtarisë së dialogut e mirëkuptimit fetar, Fethullah Gylen e ka bërë me Papën Gjon Pali II. Themelet e këtij takimi u hodhën që në takimin me kardinalin O’Connor. Më tej, me mbështetjen e Ambasadorit të Vatikanit në Ankara, Pier Luigi Gelata dhe të përfaqësuesit të tij në Stamboll Marovitch. Me ftesën personale të Papës Gjon Pali II, ky takim u realizua më 9 shkurt 1998, në Vatikan. Pas shprehjes së respektit reciprok dhe fjalëve të rastit, Fethullah Gylen i paraqiti Papës këto propozime:
Organizimin e vizitave të përbashkëta në vende të shenjta si Efes, Antakia, Tarsus e Jerusalem, me rastin e mijëvjeçarit të tretë të kristianizmit;
Shpalljen e Jerusalemit zonë të lirë ndërkombëtare, e cila është e hapur ndaj vizitave të myslimanëve, kristianëve e hebrenjve, mundësisht pa viza.
Organizimin e konferencave të përbashkëta me bashkëpunimin e besimtarëve të tre feve të mëdha në vende të ndryshme të botës, duke nisur nga SHBA.
Hapjen e një universiteti në Harran, me qëllim që të plotësohen nevojat akademike të tre religjioneve dhe sigurimin e alterimit të studentëve mes botës kristiane e Islame.
Kjo vizitë dhe këto propozime të Gylenit u pritën shumë ngrohtë nga media e populli, përveç grupeve kundërshtare, arsyet e të cilëve i kemi përmendur me sipër. Në gazetën Akşam, analisti Ahmet Tezcan, shpreh opinionet e tij në lidhje me këtë takim historik si më poshtë:
“Nëse këto propozime do të vihen në jetë, edhe dialogu e mirëkuptimi mes tre religjioneve do të realizohet më së miri, duke shmangur fanatizmin e obskurantizmin, edhe Turqia do të jetë në fokus të të gjithë religjioneve në botë. Sidomos propozimi i një universiteti të përbashkët në Harran, është një projekt fantastik, që do ta bënte këtë zonë një qendër të akademive botërore dhe do të ndikonte shumë pozitivisht edhe paqen në botë, edhe problemet që ka vite që na shqetësojnë në atë zonë, duke i fashitur këto probleme me “mirësinë hyjnore”. Ky projekt duhet mbështetur gjer në fund.” (Akşam, 11,02,1998)
Kurse Ahmet Turan Alkan bën këtë analizë, të botuar në gazetën Zaman.
“A mund të imagjinohet një njeri me mend në kokë që të mos emocionohet kur dëgjon propozimin e Fethullah Gylenit për një universitet në Harran? Mbyllini sytë dhe imagjinoni këtë universitet; ku ndiqet një program cilësor, që nga kurikula universitare deri në nivelet e post-doktoraturës, ku nxënësit myslimanë, kristianë dhe hebrenj janë së bashku nëpër auditorë, oborre, e kafe, ku akademikët bisedojnë së bashku dhe planifikojnë zhvillime të mëtejshme, ku studentë të ndryshëm vijnë në statusin e vizitorit dhe marrin pjesë në seminare të ndryshme, ku çdo vit organizohen kongrese shkencore dhe akademike në rang botëror, ku studentë nga e gjithë bota konkurrojnë për të studiuar në një universitet të tillë... E të gjitha këto ndodhin në zemër të një hapësire gjeografike që simbolizon atdheun e traditës abrahamike, në Harran. Jo vetëm zbatimi i këtij projekti madhështor e prestigjioz, po edhe vetëm imagjinimi i tij ngjan si një ide abrahamike. E nëse ky universitet do të realizohet një ditë, a nuk do të ishte respekti më i madh për të, që t’i jepej emri “Ibrahim”, si përkujtimi më i bukur që mund t’i bëhet shpirtit të tij?”
Le të shpresojmë se ky takim është pikënisja e një bashkëpunimi afatgjatë në një atmosferë mirëkuptimi; sikur thotë edhe Sheh Sadiu, të gjithë bijtë e Ademit janë si gjymtyrët e njëri-tjetrit dhe ajo ditë e madhe e ringjalljes, përfshin të gjithë njerëzimin. Kishte kohë që kishim harruar të mendonim gjëra të mëdha; i jemi mirënjohës atij që na ringjalli një emocion universal e na hapi perspektiva të reja, duke na e çliruar mendjen dhe largpamësinë tonë, të kufizuar nga gjëra të rëndomta e pavlerë.” (Ergyn, 288-289)
Hadi Uluengin e nis artikullin e tij duke shprehur antipatinë që ka për Papën Gjon Pali II. Pastaj vlerëson veprimtarinë e Fethullah Gylenit, duke shkruar: “Në një mjedis ku Islamofobia përjetohet më thellë se kurrë dhe ku teoria e përplasjes së civilizimeve ka kaq shumë simpatizantë, Fethullah Gylen e ngriti në shkallën më të lartë ndërmarrjen e tij për dialog e tolerancë me takimin e tij me Papën. Përpjekjet e Gylenit për paqe e mirëkuptim duhen trajtuar në të njëjtën perspektivë me shkollat turke që janë hapur anekënd botës, përpjekje të cilat janë gjeneruese edhe të emrit të mirë të Turqisë në botë, por edhe të një dialogu e mirëkuptimi mes masave brenda saj.” Uluengin bën një vlerësim të tillë për ata që janë kundër këtyre ndërmarrjeve: “Poli që kundërshton këtë ndërmarrje masive mirëkuptimi, në njërën anë ka brenda vetes Jakobinët e nga ana tjetër fondamentalistët fetarë. Vëllezërit armiq pajtohen këtu. Aq më tepër që lançimi prej tyre i maoistëve dhe i anarkistëve të njohur nga publiku, tregon më së miri se ky komunitet është në rrugë të drejtë. (Ergyn, 283, 285)
Një nga vlerësimet më domethënëse në lidhje me takimin e Gylenit me Papën ka ardhur nga Kryetari i Katedrës së Studimeve për Kristianizmin e Lindjes në Universitetin Katolik të Uashingtonit, Prof. Dr. Sidney Griffith. “Qëllimi i dialogut është prezantimi i Islamit te kristianët që nuk e njohin atë.” Thotë Griffith dhe prek disa pika shumë të rëndësishme në lidhje me imazhin e Islamit në botë.
“Ne e lamë pas dore Turqinë, sepse mendonim se Islami është arab. Po Turqia është shumë e rëndësishme në aspektin e këtij dialogu, edhe me backgroundin e saj historik, edhe me potencialin e saj aktual. Shumë perëndimorë nuk kanë dije për kryqëzatat e përjetuara në histori. Shumë perëndimorë as mund të quhen kristianë. Nëse ka një vend në botën Islame të gatshëm për ta kuptuar perëndimin, me një mundësi të madhe, ai është Turqia. Edhe për kristianët është shumë më i thjeshtë integrimi në botën Islame nëpërmjet Turqisë. Në universitetet perëndimore Islami është studiuar përgjithësisht në degët e marrëdhënieve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Islami është trajtuar gjithmonë si një eveniment politik, i parë me syrin e orientalizmit. Në fakultetet teologjike, Islami nuk është studiuar asnjëherë si religjion. Për mendimin tim, këtu qëndron edhe zanafilla e problemit.” (Zaman, 30.01-01,02-1998)
Analistë e politikanë si Nazllë Ilixhak e Ajhan Katërxhëkara, ndërsa vlerësojnë takimin e Gylenit me Papën, shprehin çudinë dhe indinjatën e tyre ndaj instancave që e kritikuan këtë takim, duke analizuar hollësisht faktet dhe arsyet që qëndrojnë në themel të këtyre kritikave. Nga njëra anë përçarja e disa kastave të ngurtësuara e të paarritshme për popullin e thjeshtë, nga ana tjetër etatizmi që karakterizon politikën turke të atyre ditëve, i bashkuar për herë të parë, rastësisht, me fondamentalizmin e arkaizmin “fetar” janë ndër arsyet kryesore të kundërshtive ndaj këtij takimi.
“Fethullah Gylen nuk është dikush që kufizohet me Turqinë, shërbimet e tij nuk njohin kufi. Ku shkon, ai dhuron paqe e mirëkuptim.
Ai nuk ka asnjë lloj pasurie në këtë botë, që mund t’i bëjë njerëzit të mendojnë ndryshe.
Në vend që Turqia të krenohet me një teolog, emrin e të cilit e nderon bota, laicistët e fondamentalistët kërkojnë instanca të reja për të shfryrë mllefin e tyre”
Pas gjithë këtyre diskutimeve, nga të cilat ne u mjaftuam vetëm me një perspektivë të shkurtër, Prof. Dr. Suat Jëlldërëm, me një artikull goxha të gjatë, e trajton çështjen nga një këndvështrim tjetër dhe arrin në disa konkluzione mjaft befasuese. Në hyrjen e artikullit të tij, profesori thekson rëndësinë e komunikimit edhe te zhvillimet shkencore e teknologjike të botës së sotme, evenimente të cilat e bëjnë të detyrueshëm kontaktin mes njerëzve dhe masave dhe thekson rëndësinë e rinovimit të ideve dhe ruajtjen e aktualitetit në to, përndryshe, në ritmin marramendës të zhvillimeve akademike, edhe idetë e mendimet mund të zhvleftësohen brenda dite. Pastaj, prof. Jëlldërëm nxjerr këto tre konkluzione:
1. Aktualisht, bota Islame është shumë e dobët në aspektin politik, ekonomik e ushtarak ndaj perëndimit. Edhe po të dojë, nuk ka mundësi të përdorë forcë.
2. Tashmë është e qartë se asnjë religjion nuk mund të fshihet dot nga faqja e dheut. Prandaj edhe besimtarët e këtyre religjioneve janë të detyruar të bashkëjetojnë në këtë botë në paqe e respekt reciprok.
3. Që në kohën e shpalljes, Islami i bën thirrje për një dialog ekumenik kristianëve dhe hebrenjve, thirrje që për 13 shekuj nuk ka pasur pasues, përkundrazi, gjatë kësaj periudhe imazhi i gabuar që ka ndërtuar perëndimi për Islamin, është bërë pengesë për këtë. Megjithatë, që nga vitet ’60, Kisha Katolike ka nisur një projekt për dialog.
Më vonë Jëlldërëm shpjegon se thirrjes së kishës për dialog fillimisht myslimanët nuk i janë përgjigjur, për shkaqe e arsye që mund të analizohen edhe nga ata vetë, po edhe përgjigjet që nisën t’i vinin më vonë, ishin përgjigje të myslimanëve jashtë Turqisë. Kisha synonte ta kishte vetë në dorë timonin e dialogut dhe ishte e parapërgatitur për këtë, ndaj edhe shumica e këtyre përgjigjeve ishin veçse një ndërhyrje e dorës së dytë. Kurse Turqia dhe myslimanët e saj ishin tërësisht jashtë këtyre veprimtarive. Po është fakt që tashmë në botë ka një aktivitet dialogu, të cilin e udhëheq kisha dhe në të cilin myslimanët, gjithmonë që nga jashtë Turqisë, kanë veç një rol të dorës së dytë e të tretë. Në këtë sens, Jëlldërëm thekson domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së Turqisë në këtë aktivitet, qoftë në emër të Islamit, qoftë edhe në emër të Turqisë.
Më tej profesori u përgjigjet kritikave në lidhje me takimin e Gylenit me Papën dhe në fund të artikullit bën një vlerësim për cilësinë e këtij takimi.
“Një sjellje që nuk i përshtatet dialogut dhe që synon të ndërpresë çdo diskutim që pa nisur mirë, ka në vetvete dëshirën e rikthimit të palëve në mendimet e tyre. Dialogu është përpjekja e palëve për të kuptuar njëri-tjetrin, kuptimi i saktë i mendimeve dhe pozicioneve dhe gjetja e vlerave të përbashkëta dhe bashkëpunimi për zhvillimin e tyre.
Një tjetër tezë e gabuar është edhe kjo: “Perëndimi është kalbur, tani do të na kalbë edhe ne.” Ky është një opinion pa vend. Ndoshta ka kristianë që mendojnë se shumë probleme aktuale në vendet e tyre mund t’i zgjidhin përmes një shkëmbimi eksperiencash me analogët e tyre myslimanë. Oliver Lacomb, Michel Lelong, M. Watt janë disa prej tyre, të cilët pasi kanë vënë re qorrsokakun në të cilin e ka futur shoqërinë e tyre materializmi dhe sekularizmi, shprehen haptazi se ajo që kanë nevojë, është forca morale e besimit që kanë dëshmuar myslimanët. Kurani e ka çelur që në fillim derën e takimeve me “pasuesit e skripturave”, që ndryshe njihen si besime monoteiste.”
Gjatë zhvillimeve historike, bota kristiane është ajo që ka preferuar të jetë më e mbyllura me jashtë. Po thirrjet e bëra së fundi nga Këshilli Ekumenik Universal i Kishave e nga Vatikani, nuk duhet të mbesin pa përgjigje nga myslimanët. Besimi është thesari më i vlefshëm i çdo njeriu, ndaj pa e cenuar këtë thesar, por duke përcaktuar fushat e bashkëpunimit të përbashkët e të vlerave të përbashkëta, besimtarët kanë shumë gjëra për të bërë së bashku. Prandaj dhe takimi i Fethullah Gylenit me Papën në Vatikan është një ngjarje e lumtur. (Zaman, 11-12.04.1998)
- Publikuar më .