Pengesat përpara lëvizjes

Ndërsa thekson principet kryesore dhe dinamikat më të rëndësishme të lëvizjes që udhëheq, Fethullah Gylen tërheq vëmendjen edhe mbi pengesat përpara kësaj lëvizjeje dhe vështirësitë që ajo mban në vetvete. Ai përqendrohet sidomos mbi dobësi të tilla si dorëzimi para kënaqësive trupore, dhënia pas pozitës së lartë dhe rehatisë, egoizmi, indiferentizmi, mungesa e durimit dhe mëkatet, dobësi ku secila është e aftë të shkatërrojë edhe individë, edhe shoqëri.

a. Dhënia pas pozitës shoqërore dhe famës

Sipas Fethullah Gylenit, çdo njeri përmban në vetvete thelbin e shumë ndjenjave të mira, si ndershmëria, sinqeriteti, bujaria e mirësia, po bashkë me to përmban edhe thelbin e shumë ndjenjave negative siç janë afeksioni pas famës e pushtetit, dëshira për t’u dukur, mendimi për ngritje në pozitë, ndjenja të cilat vrasin zemrën e paralizojnë shpirtin. Kushti më i rëndësishëm i pranimit të një vepre a shërbimi nga Zoti është kryerja e tyre me një ndjenjë sinqeriteti shpirtëror shumë të lartë, pa pritur shpërblim e lëvdata nga të tjerë.

Megjithatë ka raste kur ndjenja të tilla si dëshira për t’u dukur apo për t’u ngritur në pozitë, nëse nuk janë latuar e përmbushur në rrugë të lejuara, mund të bëhen shkatërruese edhe për veprën e individit, po edhe për shoqërinë. Këtë vlerësim objektiv Gyleni e konkretizon edhe me shembullin e një këngëtari, që ka një zë të mrekullueshëm dhe e ka të hapur rrugën e suksesit. Ai mund të zgjedhë rrugën e famës e të pasurimit, me këngë të pamoralshme e me sjellje kundër normave të shoqërisë, por mund ta përdorë atë zë në këngët që i thurin lavde virtyteve, besimit dhe në këngë që kanë vlera të larta edukuese për shoqërinë.

Më tej, Gyleni shpreh aspiratën e tij të vërtetë: “Ah sikur zemrat të dinin të mjaftoheshin me atë që iu ka dhënë e do t’u japë Krijuesi i Lartësuar dhe të kërkonin në çdo anë e kënd rrugën për ta kënaqur Atë!” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 226-8)

b. Vorbulla e egoizmit

Duke shtjelluar këtë temë Fethullah Gyleni së pari tërheq vëmendjen mbi karakterin e vërtetë të ndjenjës së unit dhe të egos te njeriu. “Uni që i është dhuruar njeriut është një dhuratë e shenjtë që i është dhënë atij në rrugën drejt njohjes të së vërtetës. Me anë të unit individi njeh Krijuesin e Lartësuar, kupton pafundësinë e diturisë, pushtetit e vullnetit të Tij, kupton se të metat e gabimet nuk kanë vend pranë Tij dhe me anë të unit arrin të ndezë në gjoksin e vet zjarrin e njohjes dhe të dashurisë, të shkrihet e të bëhet një me Të, të ekzistojë me Të, të mendojë veç Atë e të njohë veç Atë.” Vetëm se kjo dhuratë, nëse bëhet burimi i egoizmit dhe i personales, atëherë ajo fryhet e deformohet e kthehet në një demon të aftë që ta gëlltisë të zotin e vet.

Sipas Gylenit, egoizmi i vazhdueshëm është shenja e mosnjohjes të së vërtetës, mos-hedhjes së asnjë hapi në rrugën drejt pafundësisë dhe gjendja statike në të njëjtin vend, pa i zgjidhur dot sytë. Të gjithë ata që i bëjnë planet e llogaritë në emër të egos së vet dhe e kërkojnë “atë” që kërkojnë në atmosferën e egoizmit të vet, edhe pse mund të kapërcejnë maja e shkrepa për vite me radhë, në fakt nuk kanë ecur as edhe një hap përpara. Edhe nëse vepra që kryhet është më e rënda e më e vështira e veprave, për sa kohë që ajo nuk shpëton nga kurthi i egos, ajo nuk ka aspak vlerë pranë Zotit dhe nuk premton asnjë virtyt. Pasi shprehet kështu: “Egoizmi ka shumë forma; njëri derivon nga dituria, një tjetër nga pasuria e pushteti, njëri nga zgjuarsia, një tjetër nga bukuria e shumë të tjera. Por asnjë prej këtyre cilësive nuk është diçka që njeriu e ka fituar vetë, të gjitha këto janë dhurata të Mëshirës Hyjnore, pronësia e tyre i përket Atij dhe çdo pretendim prone në pronën e Tij nuk është veçse paburrëri, shkak që nxit zemërimin e tij dhe shkatërrimin e shpirtrave arrogantë”. Gyleni vazhdon me cilësimin e vlerave të vërteta humane:

“Gjendja shpirtërore që karakterizohet me mburrje e fjalë të mira për vetveten, në çdo rast, është treguesi i komplekseve dhe i mangësive në personalitetin e njeriut. Kjo gjendje vazhdon kështu deri në ditën kur personi e kupton se burimi i çdo mirësie që ai ka, është pikërisht Ai, Pronari i Vërtetë i gjithçkaje. Të tillë njerëz e kalojnë çdo çast duke menduar e planifikuar rastin për t’u lavdëruar, çdo fjalë e tyre është për veten, çdo shfaqje modestie e përuljeje nuk është veçse hipokrizi e investim për të prezantuar vetveten te të tjerët.

Pozicionimi i një njeriu në një nivel të lartë njerëzor dallohet përmes modestisë së tij, me ruajtjen e pozitës së tij të mëparshme edhe pas kësaj modestie, edhe pas pasurisë, pozitës, dijes e gjërave të tjera që kanë vlerë në sytë e njerëzve. Nëse një person, pëson ndërrim të karakterit pasi arrin njërën prej këtyre cilësive, e ka të pamundur të jetë vërtet modest e të përparojë sadopak në rrugën e njerëzimit. Modestia është si çelësi i pothuajse të gjitha ndjenjave pozitive që ka njeriu. Kushdo që e arrin atë, arrin edhe rrugën për të fituar të gjitha ndjenjat e tjera të mira. Kurse ai që nuk posedon këtë ndjenjë, në përgjithësi nuk arrin të posedojë as virtyte të tjera.” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 229)

c. Rehatia personale

Fethullah Gyleni e cilëson dhënien pas rehatisë personale si një prej shkaqeve kryesore të kalbëzimit njerëzor dhe e quan atë “pasion për vetveten”.

“Sikur ujërat kur nuk rrjedhin nisin të kundërmojnë, ashtu edhe njerëzit që mësohen me rehatinë e pasivitetin, padyshim që kalben e prishen. Dëshira për rehati është alarmi i parë i afrimit të vdekjes. Vetëm se njeriu të cilit i janë paralizuar ndjenjat, nuk ka se si e percepton këtë alarm, as nuk nxjerr dot mësim prej tij. Ai nuk do mund t’i vërë vesh as fjalëve të miqve…”

Gyleni thekson faktin që pasioni për vetveten dhe dembelizmi janë ndër shkaqet kryesore të humbjeve dhe disfatave. Shpirtrat e përgjumur që e kanë braktisur veten në prehrin e rehatisë e të prehjes, janë të destinuar të presin një ditë edhe plotësimin e çdo nevoje të tyre nga të tjerët. Sipas Gylenit, sa më i madh të jetë ky pasion për rehatinë, aq më e madhe është edhe shuarja e dëshirës për të shërbyer në rrugën e Zotit. Në përgjithësi, ata njerëz që largohen nga kjo rrugë, mbartin ndjenjën e fajit në vetvete dhe gjithmonë gjejnë një justifikim për distancimin e tyre dhe një lloj kritike për njerëzit e asaj rruge. Njëkohësisht, ndikimi i këtyre njerëzve që kanë pësuar një defekt të rëndë në vullnet e karakter, është goxha negativ mbi botën shpirtërore e mbi guximin e njerëzve përreth. Për sa kohë që ata nuk ia pohojnë vetvetes këtë dobësi të tyre dhe nuk kërkojnë një rrugëzgjidhje, nuk mund të shpëtojnë nga gjendja e moçaltë ku kanë rënë. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 223)

d. Paradokset

Pasi bën një përmbledhje të “sëmundjeve” si dhënia pas rehatisë, mburrja dh egoizmi, të cilat janë shkaqet kryesore të dështimit të një lëvizjeje, Fethullah Gyleni jep një sintezë paradoksale të boshtit të mendimit dhe përshkruan formimin tërësor dhe maturimin e njeriut mes negativiteteve dhe pozitiviteteve, duke u shprehur kështu:

“Si mund të arrish divinizimin e vetive njerëzore, kur nga njëra anë mundohesh të kthjellosh botën e ndjenjave dhe të mendimit, nga ana tjetër, ende nuk je rebeluar ndaj dobësive trupore e dëshirave që i përkasin kësaj bote? Nga njëra anë kërkon në zemër “tevhid”-in dhe kënaqësitë shpirtërore, nga ana tjetër, si mund t’i arrish këta kur brenda teje ende shëtit dëshira trupore dhe nuk di t’i thuash “jo” asnjërës prej mundësive që na jepen për të plotësuar këto dëshira? Ëndërron të hapësh flatrat e të fluturosh në botët tejqiellore, por si fëmijët, ende vazhdon të luash me baltën e pluhurin e kësaj bote! Pret gjithë mall lindjen e agimeve të reja në horizontin tënd, po si mundet, kur ende zemrën nuk e ke frymëzuar me ideale, ende nuk je bërë një ofshamë në gjoksin e botës dhe ende nuk ke rinisur vetveten nën të tjerë qiej... Kaq vite që kërkon një zgjidhje për stivën e problemeve të grumbulluara, kur ende nuk e ke treguar vendosmërinë për të ecur në atë rrugë me shpresë e vullnet? Shpreson të arrish ekzistencën me ndjenjat e tua, pret me mall atë çast kur të jetosh vetëm nën kënaqësitë shpirtërore, po kjo nuk arrihet po nuk pate forcë për të mos e prishur atë vendosmëri të agjëruari në këtë rrugë deri në perëndim. Të duket vetja i patëmeta, kështu hiqesh edhe mes njerëzve, por nuk mund të jesh kështu kur çdo ditë ngarkon në shpinë peshën e njëmijë mëkateve të reja, përditë ndryshon fjalë e sjellje...” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 217)

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.