Veçoritë e Tjera të Karakterit dhe Jeta e Përditshme e Fethullah Gylenit

Njeriu gëzon një pozitë tërësisht të veçantë mes krijesave të tjera. Në universin e formuar prej botëve njëra brenda tjetrës, emrat e Zotit që i kanë dhënë ekzistencë botëve, pasqyrohen në çdo botë në mënyrë të veçantë. Edhe në botën tonë, emra të njëjtë të Zotit pasqyrohen në mënyra të ndryshme në fusha sociale, shkencore e fetare. Kjo gjë mund të trajtohet edhe si paraqitja e të njëjtës së vërtetë me ngjyra, forma e nuanca të ndryshme, nëpërmjet receptorëve të ndryshëm. Shkurt, gjithçka në univers, edhe njeriu, është rezultat i pasqyrimit të një emri apo atributi të Zotit. Për shembull, në një lule, atributet e Tij Musavvir (që jep formë), Mulevvin, (që jep ngjyrë), Xhemil (i bukur), Ahsenul-Halikin (krijuesi në formën më të bukur) janë të pasqyruara sipas kapacitetit e veçorive të lules. Kurse te njeriu mund të thuhet se pasqyrohen që të gjitha atributet dhe emrat e Zotit. Këta emra, të kundërt për nga rezultati, janë në një përshtatshmëri të plotë në vetvete dhe formojnë burimin e karakterit, aftësive e veçorive të njeriut, në kundërshtim me njëri-tjetrin, po në një ekuilibër të përsosur. Mëshira e dashuria e pafund duket si e papërshtatshme me ndëshkimin etern të Zotit. Po secili emër e atribut ka aspektin e tij të pasqyrimit. Edhe mëshira e pafund, edhe ndëshkimi i pafund kanë fushat e tyre të pasqyrimit. Pasqyrimi i tillë i këtyre emrave e atributeve te njeriu, shkakton `formimin e ndjenjave të kundërta me njëra-tjetrën. Detyra e njeriut është përdorimi me kriter i këtyre ndjenjave dhe thurja e një dantelle delikate me këto ndjenja të kundërta në vetvete.

Sikur çdo shqisë e jashtme e njeriut, si shikimi, dëgjimi, shijimi e prekja, që ka funksionin e vet e ushqehet me ushqim të llojit të vet, ashtu edhe shqisat e tij të brendshme e fakultetet e tyre, kanë funksionin e vet dhe ngopen me ushqim të llojit të vet. Gjithë funksionet si mendimi, memoria, gjykimi e vendimi, të cilat i përmbledhim me “inteligjencë”, kanë funksionet e veta specifike për njeriun, ndaj kanë edhe bazën e vet të aktivitetit e mjedisin e vet të të ushqyerit. Si në këtë rast, edhe shqisat e tjera e fakultetet e tyre të brendshme kanë specifikat e mënyrat e veta të ngopjes, plotësimi ideal i të cilave, lind ekuilibrin e brendshëm te njeriu. Duke formuar lidhjen e saktë mes mendjes e zemrës e mes intelektit e shpirtit, si dhe me përdorimin e drejtë të aspekteve të jashtme të tij, si forca, zemërimi e kënaqësia, njeriu arrin të kapë qëllimin e duhur të aktiviteteve të tij dhe përfton ekuilibrin e jetës së vet. Shkurt, vetëm pasi arrin ekuilibrin e përshtatjen e vet të brendshme, njeriu mund të jetë i drejtë e i ekuilibruar edhe në marrëdhëniet me të tjerët. në të kundërt, nëse mendja del jashtë loje për hir të shpirtit, ose shpirti për hir të mendjes, e nëse mendja e shpirti mënjanohen për hir të forcës, epshit e trupit, atëherë dalin në pah gjysma njerëzish, të cilët natyrisht ndikojnë e cenojnë edhe shoqërinë. Në këtë aspekt, përftimi i një ekuilibri dhe një përshtatshmërie në shoqëri, kalon nga edukimi tërësor i individëve të saj, duke i trajtuar ata me tërësinë e shqisave, mendjes e gjithë fakulteteve të tjera. Vetëm në këtë mënyrë arrihet ekuilibri, drejtësia e qetësia e shoqërisë.

Në njerëz si Fethullah Gyleni, të aftë të ndikojnë masat e të tjerët, pasqyrimi i emrave të Zotit dhe kapaciteti i përcjelljes së tyre është më i lartë se ai i njerëzve normalë. Ky kapacitet është në një nivel më të lartë, jo vetëm në aftësitë shpirtërore e intelektuale, po edhe në fakultete e ndjenja të tjera. Për shembull Fethullah Gyleni ka natyrë energjike, shumë aktive e shumë të guximshme; gjithashtu është shumë i rregullt e sistematik, shumë i ndershëm, i vendosur, shumë i ndjeshëm e i mbushur me atdhedashuri. Gjithashtu, ai ka një karakter familjar, është i lidhur me të afërmit e tij, shumë sentimental dhe i mbushur me dashuri ndaj çdo njeriu, bile çdo krijese, aq sa arrin të thotë: “Kur shoh një gjethe që këputet nga pema në vjeshtë, ndiej një dhimbje e trishtim të thellë, thua se është krahu im ai që këputet”, përpiqet për një gjysmë ore të nxjerrë një milingonë nga gropa që ka rënë, e i këputet shpirti e sa nuk i bie të fikët, ndonëse është duke u falur, ndërsa dëgjon të qarat e një fëmije. Kjo dhimbsuri e mëshirë e tij, e përflakur me dashurinë që ai ushqen për gjithë krijesat, është formuar që kur ka lindur, ndërsa ditë pas dite njihej me varfërinë, mungesat e dhimbjet, ndërsa shihte ata që hiqte i ati, edhe ai i ndjeshëm e shpirtbutë, ndërsa emigronte nga qyteti në qytet e ndërsa shpirti i tij fëminor shijonte hidhësinë e vdekjes së njerëzve të dashur. Më vonë, këtyre ndjenjave iu shtua edhe dhimbja e plagëve të botës islame, e hallet e njerëzimit, duke shkaktuar kështu vuajtje që sa vinin e thelloheshin. Gjithë këto ngjarje kanë efekte të ndryshme në karakterin e njeriut, bile shpesh ndikimet e tyre mund të bëhen shkak për thyerje të personalitetit, nëse nuk ekuilibrohen si duhet. Megjithatë, Zoti e ndihmoi Fethullah Gylenin t’ia dilte mbanë dhe të formonte një ekuilibër në mes të ndikimeve të ndryshme të mënyrës së tij të rritjes e edukimit.

Fati e tërhoqi Gylenin në të njëjtën kohë mes shkencave religjioze e atyre pozitive, mes edukimit shpirtëror e atij artistik, duke i dhënë atij mundësinë që njëkohësisht të formohet edhe në letërsi, histori e filozofi. Jeta e tij shkollore e pat pikënisjen në shtëpinë e të atit, pastaj vazhdoi në Erzurum. Po ashtu, edhe edukimi i tij shpirtëror, nisi në shtëpinë e të atit, vazhdoi në gju të Muhamed Lutfi Efendiut dhe ashtu si edukimi i tij fetar, vazhdoi pa ndërprerje gjatë gjithë jetës. Edhe Risale-i Nur, vepra të cilat ai i njohu që në rininë e hershme, patën një ndikim të madh në këtë edukim. Si përfundim, ai vazhdoi pa ndërprerje zhvillimin e aftësive që i kishte falur Krijuesi, në ekuilibër me zhvillimet bashkëkohore. Edukimin modern që nisi të merrte në shkollën fillore, e vazhdoi në mënyrë autodidakte, kryesisht në lëndët e filozofisë, shkencave pozitive, letërsisë e historisë. Ndërsa nga njëra anë arriti të përftonte njohuri të thella në parimet themelore të shkencave moderne, që nga fizika, te kimia, biologjia e astronomia, nga ana tjetër u njoh seriozisht me filozofinë ekzistencialiste e me rrymat kryesore të filozofisë lindore e perëndimore. Të gjithë këta faktorë, nxorën në pah një pasion e njohje të jashtëzakonshme, të shoqëruar me një dije të rrallë, logjikë të mprehtë e gjykim të thellë e njëkohësisht me urtësi, emocion, me largpamësi e qetësi që ekuilibron gjithçka; pastaj me kthjellësi, zemërbutësi, bujari e përkushtim, me ndershmëri, dashuri, mëshirë e mirëkuptim e bashkë me këto, me një atdhedashuri pafund, me shpresë, ideal e disiplinë, duke formuar kështu një karakter kaq të mirënjohur nga opinioni publik, një shembull durimi e përkushtimi, një aktivist edukimi e mirësie; atë që njerëzit do ta njihnin si mësuesin e tyre, Hoxha Efendi.

Modestia, thjeshtësia dhe “një njeri si të tjerët”

Një nga veçoritë më spikatëse të Fethullah Gylenit është modestia e tij. Një modesti që mund të imagjinohet vetëm duke pasur parasysh edukimin që ai ka marrë dhe karakterin e tij fisnik, e që është një prej cilësive të tij më të veçanta. Ai është shumë larg prej dëshirave të kësaj bote e të aspiratave për udhëheqje; ai ka një “profil dervishi”, që manifestohet te ai duke harruar fare vetveten, ose duke e shumëzuar me zero, sikur shprehet ai vetë.

Fethullah Gyleni është një person që mendon kështu: “Edhe nëse e rrënoni këtë botë nga fillimi e ndërtoni në vend të saj një parajsë, ju duhet të tërhiqeni mënjanë, të uleni nën hijen e një peme, duke menduar se “nuk jam unë që i kam bërë këto” e t’i vini mënjanë ata që keni bërë në emër të njerëzimit duke thënë: “gjithë këta janë arritur në sajë të ndihmës së Zotit e kontributeve të njerëzve të mirë”. “Asnjëherë nuk kam menduar se unë meritoj ndonjë lloj vlerësimi a konsiderate”, shprehet Gyleni dhe nuk i lejon njerëzit t’i puthin dorën, ndërsa ndihet i trazuar nga shfaqjet e ekzagjeruara të respektit e konsideratës. Dëshira e tij është që njerëzit të jenë sa më të natyrshëm pranë tij dhe nuk duron dot sjellje të ndryshme nga ajo që njerëzit kanë brenda vetes. Megjithëse preferon sjelljet e matura e delikate, i pëlqen ato vetëm nëse janë bërë pjesë e natyrës së njeriut. Nga ana tjetër, ka një natyrë që nuk thyhet nga fjalët e sjelljet e vrazhda, po të sinqerta. Ai ndihet i shqetësuar nëse aktivitete të ndryshme, vepra e suksese i dedikohen atij personalisht dhe nuk i pëlqen të jetë në krye të shoqërisë; preferon të qëndrojë mbas atyre që i konsideron si më të mëdhenj dhe i respekton ata thellësisht. “Një njeri mes njerëzve” është mënyra e tij e preferuar e jetesës dhe ai do të ndihet i lumtur për sa kohë që jeton si i tillë. Aq sa arrin të thotë, “Po të ishte e lejuar të ndërroja formën e fytyrës me ndonjë operacion plastik, do ta bëja këtë vetëm për të mos rënë në sy të njerëzve”

Biseda, metoda dhe lidhja me bashkëfolësit

Fethullah Gyleni ka një natyrë delikate, të ndjeshme ndaj çdo lloj gabimi por e miratuese ndaj çdo të drejte, sado e vogël ajo qoftë. Në këtë aspekt ai ndien kënaqësi të veçantë në relacionet intelektuale e sentimentale me njerëzit. Në mënyrë paralele me natyrën e tij modeste e të tërhequr, ai nuk parapëlqen të flasë pa u pyetur. Një tjetër shkak për këtë mund të jetë edhe panevojshmëria e të folurit dhe të shpjeguarit atyre njerëzve që nuk kanë ndonjë telash për të mësuar a për të aktivizuar mendimin e nuk janë në pozicionin e marrësit. Ai i shpreh një kujdes të veçantë bashkëfolësit, edhe kur i përgjigjet pyetjeve që i bëhen, edhe kur flet në ndonjë temë të caktuar a freskon kujtesën e njerëzve në lidhje me ndonjë çështje. Njëkohësisht, ai nuk ndodhet kurrsesi në pozicionin e ati që shet mend dhe që nxjerr në pah vetveten dhe dijet personale, po tregon një kujdes specifik ndaj çdo bashkëfolësi, duke synuar sqarimin e çështjes e tregimin e rrugës së drejtë. Në këtë mënyrë, edhe ai që drejton pyetjen, edhe audienca, duke gjetur përgjigje për një çështje që është e pazgjidhur në mendjet e tyre, përfton edhe një ndikim të drejtpërdrejtë në botën e vet shpirtërore. Kështu, ndodh shpesh që përgjigjja nuk është ekuivalentja e pyetjes një më një, po është e tillë, që edhe ai që pyet, edhe audienca kanë shansin të përfitojnë më së miri prej saj. Bashkë me këtë, shpeshherë Fethullah Gyleni duke u nisur nga një pyetje, i shpreh bashkëbiseduesve disa tema që ai mendon se duhet t’ia shprehë, të cilat mund të mos jenë të lidhura drejtpërsëdrejti me atë pyetje, po janë një mesazh, një kujtesë, një tërheqje vëmendjeje e bërë në sajë të asaj përgjigje dhe garantojnë kështu edhe zgjidhjen e ndonjë teme tjetër.

Fethullah Gyleni nuk kritikon direkt, ai më tepër flet në mënyrë të përgjithshme dhe i përmend gabimet apo pikat që duhen rregulluar, pa i adresuar drejtpërsëdrejti, duke synuar që të gjithë të përfitojnë diçka prej atyre fjalëve. Megjithëse nuk ua përmend gabimet në sy të tjerëve, ka njerëz të tillë, me të cilët flet më hapur dhe e di se nuk fyhen e trazohen nga diçka e tillë, të cilëve ia përmend këto gabime me mënyrën e vet. Shpesh këta njerëz i përmend edhe si një “tabelë shkrimi”, siç thotë edhe vetë, duke folur me ta sikur janë ata që kanë gabuar, po duke pasur për qëllim dikë tjetër. Ai pret që edhe tjetri ta marrë në këtë mënyrë mësimin e vet. Sikur e kemi përmendur edhe më sipër, Gyleni përdor në mënyrë shumë profesioniste personifikimin, figurat letrare e metaforat, duke i dhënë kështu fjalës në të njëjtën kohë edhe kuptime, edhe funksione të ndryshme. Kështu, një njeri që e dëgjon për herë të parë, mund ta marrë këtë mënyrë të tij të fjalës si kompliment, kur në fakt është qortim, ose mund ta marrë për qortim, kur është lëvdatë. Nëse nuk merret parasysh kjo mënyrë e tij e të folurit, shpeshherë fjalët e tij mund të interpretohen në forma të ndryshme nga audienca. Në këtë pikë, është e rëndësishme që të njihet edhe gjuha e tij, edhe kjo metodë e tij e të folurit, edhe struktura e tij e mendimit edhe këndvështrimi që ka ndaj çështjeve, duke shmangur kështu keqinterpretimet që mund t’i bëhen fjalëve të tij.

Fethullah Gyleni preferon ndonjëherë të tregojë edhe anekdota të përshtatshme me temën që shpjegon, edhe të bëjë ndonjë shaka, po asnjëherë duke i shkelur kufijtë e seriozitetit.

Fethullah Gyleni dëgjon çdo fjalë të thënë me sinqeritet e dashamirësi, nëse i pëlqen diçka, në fytyrë e në buzë i ravijëzohet një buzëqeshje e lehtë; shpesh përgjigjet me kompliment. Kurse përballë një fjale a sjelljeje që nuk i pëlqen, sidomos nëse është një sjellje artificiale, hipokrite ose dëshirë për të dalë në pah, në fytyrën e tij vihet re menjëherë një ngrysje, si ajo e qiellit që mbushet me re.

Besnikëria ndaj miqve, sendeve e kujtimeve

Fethullah Gylenin e karakterizon një ndjenjë besnikërie ndaj miqve, sendeve që përdor, një vendi ku mund të ketë qëndruar një herë të vetme e ndaj gjithçkaje me të cilën ka pasur një kontakt qoftë edhe fare të shkurtër. “Nëse jemi ndalur dikur gjatë një udhëtimi nën një pemë e kemi pushuar me shokët, pastaj vite më vonë kalojmë sërish andej me të njëjtit shokë, sinqerisht ndihem shumë i thyer shpirtërisht nëse këta shokë nuk thonë “dikur jemi ndalur e kemi pushuar te kjo pemë”. Kështu, ai nuk pranon as t’ia ndërrojnë dekoracionin e një vendi ku ka kaluar një pjesë të jetës, dëshiron që ai vend të ruhet ashtu siç është. Nëse ai vëren se dikujt i është thyer zemra, edhe në qoftë se ai vetë nuk është shkaktar, gjithmonë e gjen një mënyrë të përshtatshme për t’ia ngrohur zemrën atij njeriu.

Bujaria e Dhuratat

Fethullah Gyleni është një njeri shumë bujar. “Familja e mjedisi ku unë jam rritur ishin gjithmonë të mbushur me atmosferë heronjsh që kryenin vepra të mëdha në emër të bujarisë. Bile mund të them se unë nuk kam njohur asnjë njeri cingun gjatë jetës sime. Unë nuk jam një njeri që i marr e i ruaj gjërat, ndaj dhe nuk kam arritur asnjëherë ta kuptoj atë gjendje shpirtërore që i shtyn njerëzit të ruajnë e të fshehin gjërat, që i bën të dridhen kur i kërkohet diçka e që nuk e dinë çdo të thotë të ndash diçka me tjetrin. Bujaria është një virtyt i tillë që e çon njeriun në parajsë edhe në pastë devijuar nga rruga e drejtë. Për të hyrë në parajsë duhet të jesh në rrugë të parajsës. Ja, bujaria është një nga ato rrugë.” (Fasıldan Fasıla, 3:47-8) thotë Gyleni, për të cilin mund të themi hapur se asnjëherë nuk ka pasur më shumë se dy palë rroba. Veshjet e tjera, këmishë, çorape, kostum a pardesy, i dhuron menjëherë. Gjithashtu, sa herë vë re një sjellje të denjë të njeriut, një sukses në emër të sinqeritetit e pastërtisë shpirtërore në rrugën e Zotit, një progres intelektual a sentimental, preferon që ta vlerësojë këtë menjëherë me anë të dhuratave të ndryshme. Me sa kam vënë re, secila dhuratë e tij ka një domethënie të veçantë. Ai gjithashtu, i pranon dhe i respekton dhuratat që i bëhen dhe pothuajse gjithmonë i përgjigjet atyre me dhurata të ngjashme. Po ashtu, ai mundohet të mos lërë pa përgjigje edhe numrin e madh të letrave që i vijnë atij.

Leximi dhe lidhja e tij me letërsinë

Gyleni është një njeri që lexon së tepërmi. Ato ditë që duket se e ka shpirtin më të qetë nga vuajtjet e shqetësimet që shpesh duken si të pakapërcyeshme, ai lexon mesatarisht 150-200 faqe. Kjo veti ka nisur që në fëmijërinë e tij, kur lexonte jetën e Profetit e ndodhitë e shokëve të tij, pastaj ka vazhduar me libra shkencorë, ideologjikë e filozofikë. Ndërkohë, përveç klasikëve të lindjes, pas këshillës së një komandanti të tij gjatë ushtrisë, ai lexon pothuaj edhe të gjithë klasikët e perëndimit. Sikur ka studiuar e njohur klasikët e lindjes si Mevlana, Sadi, Hafiz, Molla Xhami, Firdevsi e Enveri, po ashtu njeh edhe Shekspirin, Balzakun, Volterin, Rusoin, Kantin, Zolan, Gëten, Kamynë e Sartrin. Përveç këtyre ai ka studiuar shumë edhe Bertrand Rasëllin, Pushkinin, Tolstoin e të tjerë. Shpeshherë në bisedat e tij ai citon e përdor si referencë Logjikën e Bakonit, Logjikën Teorike të Rasëllit, Dialektikën e Paskalit e të Hegelit, Komedinë Hyjnore të Dantes, e pse jo, edhe lidhjen objekt-subjekt të Pikasosë. Gjithashtu ai njeh me hollësi klasikët e letërsisë turke si Fuzuli, Baki, Nef’i, Sheh Galip, Lejla Hanëm, kolosët e kësaj letërsie si Jahja Kemal, Nexhip Fazëll, Mehmet Akif Ersoj e Sezai Karakoç, po ashtu edhe emrat e mirënjohur të letrave si Namik Kemal, Tevfik Fikret, Shinasi e të tjerë. Po fusha kryesore e Fethullah Gylenit janë shkencat islame, ndaj edhe ai qëndron më tepër në kuptimin e komentimin e Kuranit, elokuencën e filozofinë e tij, shpjegimet e haditheve, njohjen e Allahut, zemrën e aspektet e saj dhe në mënyrën e jetesës së Islamit, ndaj dhe boshti kryesor i bisedave të tij formohet kryesisht nga këto tema. Megjithatë, ai pëlqen edhe bisedat rreth artit, letërsisë e muzikës, pasi këto janë nga fushat e tij të preferuara.

Për sa kohë që nuk është i preokupuar me të tjera çështje, Fethullah Gyleni përpiqet që çdo ditë t’i ndajë një hapësirë kohore diskutimeve shkencore me emra të njohur të profileve të ndryshme, studimit e leximit të të rejave të fundit. Gjatë një Ramazani, bashkë me disa emra të njohur të shkencave islame, kanë studiuar e diskutuar së bashku veprën më të gjerë të hadithit, 16 vëllimet e Kenzul Ummalit të Myttakil Hindit, e cila përfshin rreth 46.000 hadithe. Gjithashtu, në këtë mënyrë ai ka marrë pjesë në studimet e shumë enciklopedive të së drejtës islame, fikhut, tefsirit e veprave të tilla voluminoze të kolosëve të kësaj fushe.

Veshja, Sjellja, Ushqimi, Sëmundjet dhe Jeta e Përditshme

Fethullah Gyleni është një njeri sqimatar që vishet bukur, pastër e me shije. Pothuajse përherë vihet re se veshja që preferon i shkon së tepërmi. Ai tregon që edhe në vitet e shkollës, kur nuk gjente dot hekur për të hekurosur pantallonat, i vinte ata në darkë nën dyshek që të ruanin vijën. Ai vishet pastër e me rregull dhe asnjëherë nuk është me mjekër të parruar. Ka një mënyrë të veçantë të të ecurit; ec drejt, me hapa të gjerë e të mëdhenj, me krahët drejt dhe pa i tundur. Aktiv e entuziast, deri pak vite më parë, kur ende shqetësimet e zemrës nuk i kishte në nivele serioze, i ngjiste shkallët nga dy e nga tre, tipike kjo për njerëzit e shkathët, të ndjeshëm e të gatshëm për zgjidhjen e çdo problemi. Ai thotë se nuk kishte dot durim t’i ngjiste shkallët një e nga një ato kohë kur e lejonte shëndeti.

Fethullah Gyleni ushqehet pak, po shqetësimet e diabetit e detyrojnë të konsumojë edhe vakte të ndërmjetme, gjatë së cilave gjithashtu merr shumë pak ushqim. Që në vitet e rinisë, sikur thonë edhe të afërmit, edhe ai vetë, Gyleni është i detyruar të marrë një sërë ilaçesh. Pothuajse çdo sëmundje ka kaluar nga trupi i tij, është vendosur aty për njëfarë kohe, pastaj është larguar duke ia lënë vendin një tjetre. Gjatë viteve të rinisë, ka vuajtur rreth 15 vjet me shqetësime në formë plagësh në duar, këmbë e trup, të cilat e kanë trazuar së tepërmi.

Pas ushtrisë Gyleni ka kaluar një hepatit të rëndë, i cili më vonë është kthyer në cirrozë, kurse shqetësimet e aparatit tretës nuk e kanë lënë të qetë asnjëherë. Po ashtu, ka vuajtur për një kohë të gjatë me këmbën e djathtë, dhimbjet e së cilës ishin aq të padurueshme, sa mjekët e kishin këshilluar ta priste.

Shqetësimet e diabetit Gyleni i ndien fillimisht gjatë periudhës së muajit shtatorit të 1980 (grushti i shtetit në Turqi, 12 shtator 1980); po ashtu edhe problemet e zemrës i korrespondojnë të njëjtës periudhë. Kohët e fundit ka shumë komplikacione të këtyre sëmundjeve, si rezultat ndien dhimbje të vazhdueshme në trup e krahë dhe fryrje të gishtërinjve, gjë që e pengon të përdorë lirshëm duart.

Një shqetësim tjetër kronik i Gylenit është djersitja. Ai djersin edhe pas aktivitetit më të lehtë dhe në mënyrë tipike, ka shumë ftohtë. Ndërsa gjatë natës pjesën e sipërme të trupit e ka ujë në djersë, pjesën e poshtme të trupit nuk e ngroh dot, megjithë çorapet, batanijet e ngrohësit që përdor.

Fethullah Gyleni, deri vonë, kur shqetësimet e zemrës, tensionit e sheqerit iu shtuan aq sa i ndikonin mënyrën e jetesës, edhe ushqimet e veta, edhe ata të miqve, edhe pastërtinë e banesës e të rrobave e kryente vetë. Ai gatuan shumë mirë; që në moshë të vogël ka ndihmuar të ëmën në çdo punë të shtëpisë, pastaj jeta e konviktit, jeta vetëm si mësues e kujdestar në Izmir e kanë bërë të aftë në shumë aspekte të tilla të jetës. Ai vetë thotë se mund të gatuajë dhjetë gjellë të ndryshme me patate.

Shpeshherë Gyleni nuk arrin të flejë natën. Sidomos gjatë natës, ndërsa bota hesht në errësirë dhe ai është vetëm, ai mendon e vret mendjen mbi problemet që i dalin gjatë kësaj rruge të cilës ai i ka dedikuar jetën, mbi hallet e vendit e të njerëzve të vet, mbi probleme personale të njerëzve që presin një përgjigje prej tij, mërzitet e vuan nga ndonjë sjellje a fjalë e papritur, që e ka dëgjuar a ndier, po që nuk e sheh të përshtatshme për njerëzit e kësaj rruge dhe nata e vetmia ia bëjnë edhe më të thellë vuajtjen. Aq më tepër që shqetësimet shëndetësore natën janë edhe më të rënda. Megjithatë, durimi e përkushtimi që ai tregon, janë mahnitës. Ndonjëherë pas faljes së sabahut, preferon të shtrihet sërish, po shpesh lexon, diskuton rreth temave të ndryshme e vazhdon kështu deri në drekë.

Fethullah Gyleni është vetmitari i kësaj epoke, që jeton fatin e vet, si në vetminë e heshtjen e vet, qoftë edhe në mes të njerëzve. Në këtë pikë, duke mbajtur për vete edhe shumë mendime e opinione të tjera të miat, dua të mbyll edhe unë fjalën time, që ndonëse për disa mund të duket subjektive, për mua është më se objektive.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.