• Home
  • Nga Media
  • Lajmet
  • Fethullah Gülen: “Dështimi i përvojës demokratike turke nuk erdhi nga ndjekja e vlerave islame, por nga tradhtia ndaj tyre”
‘Turska demokratija nije uspjela jer je izdala islamske vrijednosti’

Fethullah Gülen: “Dështimi i përvojës demokratike turke nuk erdhi nga ndjekja e vlerave islame, por nga tradhtia ndaj tyre”

Ka qenë një kohë kur shteti turk konsiderohej si modeli i një demokracie myslimane moderne. Është e vërtetë, aty në fillim të viteve 2000, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) ndërmori një varg reformash për të arritur standardet demokratike të Bashkimit Europian (BE) dhe për të përmirësuar bilancin e vendit përsa i përket të drejtave të njeriut.

Për fat të keq, reformat demokratike u ndalën pas një farë kohe. Procesi u bllokua disa vjet më vonë, aty rreth vitit 2011, pak para fitores së tretë elektorale, kur kryeministri i kohës, Rexhep Tajip Erdogani, aktualisht presidenti i vendit, bëri një kthesë 180 gradë.

“Dështimi i përvojës demokratike turke nuk ndodhi sepse u ndoqën vlerat islamike, por përkundrazi, ai ndodhi për shkak të tradhtisë ndaj tyre.”

Rrëshkitja drejt autoritarizmit ia hoqi Turqisë privilegjin e të qenit “shembulli”, drejt të cilit mund të aspironin edhe vendet e tjera me shumicë myslimane.

Demokracia është sistemi i qeverisjes që përshtatet më së shumti me parimet e Islamit, përsa i përket formës së qeverisjes. Shumë njerëz mund të orvaten që ta përdorin shembullin negativ të Turqisë së presidentit Erdogan për të demonstruar edhe njëherë ‘mospërputhjen’ e vlerave demokratike me ato islame. Megjithatë, pavarësisht faktit se ata pretendojnë se janë ndjekës të denjë të Islamit, regjimi i Erdoganit përfaqëson një tradhti të plotë ndaj vlerave themelore islame.

Ajo që shohim nuk është veçse një reduktim në një stil veshjeje dhe përdorim i vazhdueshëm i sloganeve fetare, ndërkohë që ato duhet të përfshinin respektimin e shtetit të së drejtës, mundësimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, si edhe përgjegjësinë e udhëheqësve për të mbrojtur të gjitha të drejtat dhe liritë e patjetërsueshme të çdo qytetari. Dështimi i përvojës demokratike turke nuk erdhi si pasojë e ndjekjes së vlerave islame, por nga tradhtia e plotë karshi tyre.

Edhe kundërshtimi i represionit është një detyrë fetare

Ndonëse nëntëdhjetë e nëntë përqind e popullsisë së saj është myslimane, shoqëria turke mbetet një shoqëri jashtëzakonisht heterogjene. Qytetarët e saj u përkasin ideologjish nga më të ndryshmet, filozofive dhe besimeve të ndryshme, ndër të cilët mund të dallojmë alevitë, turqit, kurdët, apo komunitete të ndonjë etnie tjetër, myslimanë dhe jo myslimanë, praktikantë të devotshëm dhe shekullaristë.

Në një shoqëri të tillë, tentativat për homogjenizim, jo vetëm që nuk janë aspak produktive, por janë edhe vrastare për sa i përket arritjes së lirive të nevojshme. Forma e qeverisjes së demokracisë me pjesëmarrje, ku asnjëri prej grupeve shoqërore, qoftë ai mazhoritar, apo minoritar, nuk sundon mbi të tjerët, është e vetmja rrugë për një popullsi kaq diverse. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Sirinë, apo vendet e tjera fqinje në rajon.

Ashtu siç është parë përgjatë historisë, në Turqi, por edhe në shumë vende të tjera, nxitja e konfliktit mes grupimeve të ndryshme, duke përfituar prej dallimeve në mesin e shoqërisë, është një metodë e përdorur mjaft shpesh nga ana e liderëve despotikë, për të ruajtur pushtetin e tyre; cilatdoqofshin besimet apo botëkuptimet e tyre, qytetarëve u duhet mundësuar që të mund të bashkëjetojnë përreth të drejtave dhe lirive themelore universale, në mënyrë që të mund t’i kundërshtojnë me mjete demokratike të gjithë ata që orvaten t’ua shkelin këto të drejta e liri.

Të shprehesh kundër padrejtësisë që po të bëhet është një e drejtë demokratike, një detyrë qytetarie, kurse për besimtarët përbën një obligim fetar. Kurani Fisnik e shpreh mjaft qartë, se njerëzit nuk duhet të heshtin përballë padrejtësive: “O ju që keni besuar! Bëhuni njerëz që e mbani në këmbë drejtësinë dhe që kur dëshmojnë për të drejtën, dëshmojnë për hir të Allahut, qoftë kjo edhe kundër vetes, prindërve apo ndaj të afërmve tuaj të tjerë.”

Përdorimi i lirive themelore dhe i lirisë për t’u shprehur, pa u shkaktuar asnjë dëm të tjerëve, pikë së pari duke e jetuar besimin dhe bindjet e tij ashtu siç duhet, është ajo që e bën njeriun njeri në kuptimin e plotë të fjalës. Liria është një e drejtë, që njeriut ia ka dhënë Zoti, i Cili është i Gjithëmëshirshëm, kështu që askush nuk mund t’ia marrë. Për një njeri që lihet i privuar nga liritë e tij është e pamundur që të thuash se është duke bërë një jetë njerëzore në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Krejt përkundër pretendimeve të atyre që mbështesin tezën e një islami politik, Islami është një fe dhe jo një formë qeverisjeje, apo një ideologji që ka të bëjë me qeverisjen. Ndoshta është e vërtetë që parashtron disa parime që kanë të bëjnë me qeverisjen e njerëzve, mirëpo të gjitha këto parime nuk përbëjnë veçse një përqindje shumë të vogël të tërësisë së parimeve drejt të cilave ai i udhëzon njerëzit. Reduktimi i Islamit në një ideologji politike është një krim i madh që kryhet ndaj shpirtit të Islamit.

Ata që janë ndalur për të studiuar dhe që kanë folur për mendimin islam për politikën dhe shtetin kanë rënë në tri gabime. I pari, shumë herë ata e kanë ngatërruar Islamin e parashtruar prej Librit dhe Sunetit të Profetit me atë që myslimanët kanë arritur që të jetësojnë përgjatë përvojës historike të tyre. Do të ishte e një rëndësie shumë të posaçme, nëse myslimanët e sotëm do t’i kundronin me një sy kritik ato përvoja historike, si edhe vendimet e marra në kontekstin e atyre përvojave dhe, në dritën e burimeve kryesore, t’u ofrojnë konceptime të reja të gjithë myslimanëve sot nëpër botë për të drejtat e njeriut në Islam, për demokracinë dhe për përfaqësimin shoqëror në të. Gabimi i dytë që është bërë, nganjëherë prej përkthimit të ndonjë ajeti, e nganjëherë prej mbështetjes vetëm në një numër shumë të kufizuar hadithesh, besimtarët myslimanë i vihen punës për t’i gjetur justifikimin ndonjë botëkuptimi të caktuar dhe përpiqen që t’ua imponojnë atë edhe të tjerëve më vonë. Shpirti i Kuranit dhe filozofia e historisë islame mund të kapet vetëm nëpërmjet një këndvështrimi gjithëpërfshirës dhe me një qëllim të pastër e të sinqertë për të marrë pëlqimin e Allahut. Kurse gabimi i tretë ka qenë se, duke i qëndruar besnikë parimit se feja bazohet në sundimin e Zotit, ndërsa demokracia në votën e popullit, kanë qëndruar në mendimin se demokracia me fenë nuk do të mund të përputhen kurrë me njëra-tjetrën. Që Allahu është sundimtari i çdo gjëje në planin kozmologjik, për këtë nuk ka dyshim asnjë besimtar; vetëm se kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi vullnetin, prirjet dhe zgjedhjet tona të lira, apo se Allahu nuk i merr parasysh ato. Dhënia e sundimit ndaj popullit, - hasha - nuk do të thotë se po i merret Zotit, për t’ua kthyer atë njerëzve, por marrja e pushtetit nga duart e një despoti e njeriu të vetëm, për t’ia lënë në duar shumicës; pra kemi të bëjmë me diçka, kontrollimin e së cilës Zoti ua ka lënë  në dorë njerëzve.

Shteti nuk mund të jetë, as i shenjtë, as islam

Veç kësaj, fjala “shtet” që përdorim ne është emërtimi i sistemit që njerëzit janë mbledhur dhe kanë krijuar për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të tyre në komunitet. Shteti nuk është qëllim në vetvete, por një mjet ndihmues për të arritur lumturinë e njerëzve në të dyja botët. Nëse njerëzit që e përbëjnë këtë sistem kanë përvetësuar në njëfarë mase disa besime dhe vlera themelore, edhe shteti do të jetë po aq afër këtyre besimeve dhe vlerave. Prandaj, shprehja shtet islam është kontradiktor në vetvete. Duke qenë se në Islam nuk ekziston një klasë e klerit, edhe teokracia është diçka e huaj për shpirtin e Islamit. Shteti, i cili është rezultat i një kontrate shoqërore mes njerëzve, përbëhet po prej njerëzve në fund të fundit, ndaj nuk mund të jetë as ‘islam’, as ‘i shenjtë’.

Demokracia është vënë në realitet në forma shumë të ndryshme. Ideali demokratik që qëndron në themel të këtyre praktikave të ndryshme, me një fjalë, që një grup të mos ushtrojë trysni mbi një grup tjetër, është njëherazi edhe një ideal islam. Thelbi i botëkuptimit të barazisë së qytetarëve përpara ligjit është të treguarit e respektit ndaj çdo njeriu si një krijesë fisnike dhe vepër arti e krijuar prej Zotit, duke e cilësuar atë si diçka të shenjtë. Duke pasur parasysh këto, të krahasuara me monarkinë dhe oligarkinë, format e qeverisjes të demokracisë me përfaqësim dhe republikanizmi përshtaten më shumë me shpirtin e Islamit.

Qeverisja aktuale e Turqisë i ngjan më shumë oligarkisë se sa demokracisë. Si përfundoi Turqia në këtë gjendje? Presidenti Erdogan i mblodhi të gjitha organet shtetërore, duke i shndërruar ato në monopol personal; ai i vuri të gjithë zotëruesit e kapitalit nën kontrollin e vet dhe duke i shpërblyer njerëzit përreth vetes, e çoi Turqinë, e cila përbënte dikur një shpresë për demokracinë, drejt një rruge të gabuar. Për të krijuar opinionin publik të nevojshëm që do ta ndihmonte në arritjen e qëllimit të grumbullimit të të gjithë pushtetit në një dorë, për të monopolizuar gjithçka, ai na shpalli, mua dhe të gjithë të dedikuarit e shërbimit, armiq të vendit, duke na cilësuar si përgjegjës të të gjitha të këqijave që kishin ndodhur në historinë e afërt të vendit. Ky është një shembull tipik i refleksit të zgjedhjes së dikujt, apo të një grupi, si një dash kurbani, për t’i atribuuar gjithë ç’ka ndodhur.

Qeveria e Erdoganit ka vënë në qendër të shënjestrës së saj çdo njeri që e ka kundërshtuar, me në krye ndjekësit e lëvizjes Hizmet, të cilët ia kanë dedikuar veten paqes dhe tolerancës. Protestuesit ambientalistë, gazetarë, studiues, kurdë, alevi, jomyslimanë, si edhe disa grupime fetare që i kritikonin veprimet e Erdoganit, vuajtën pasojat e kësaj politike. Largimet padrejtësisht nga puna, arrestime, burgime, tortura, konfiskime dhe sa e sa padrejtësi të tjera, që ua shkatërruan jetën shumë njerëzve.

Me mijëra të dedikuar të Hizmetit, të cilët i janë arratisur padrejtësisë së shtetit ndaj tyre kanë gjetur strehë nëpër vende të ndryshme të botës, përfshi këtu edhe Francën. Detyra që u bie mbi supe këtyre njerëzve të dedikuar është që të integrohen me vendin ku u ka qëlluar që të strehohen, të jetojnë sipas ligjeve të atij vendi, duke dhënë kontributin e tyre në zgjidhjen e problemeve shoqërore me të cilat mund të jenë përballur dhe të bëjnë çdo përpjekje, duke përdorur rrugë paqësore, kundër përhapjes së interpretimeve radikale të Islamit nëpër Evropë.

Në Turqi po vijon një fushatë padrejtësie e madhe, ku po shpallet armik kushdo që ndien simpati ndaj një individi, apo një grupimi të caktuar. Numri i të flijuarve si pasojë e kësaj fushate po rriten nga dita në ditë. Më shumë se 150.000 qytetarë të pafajshëm janë larguar nga puna padrejtësisht. Atyre që janë në shënjestër të kësaj padrejtësie që bëhet për qëllime politike dhe që duan të braktisin vendin, u janë anuluar pasaportat, duke bërë që ata të jetojnë të privuar nga të gjitha të drejtat themelore të njeriut që njihen prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Edhe pse Republika e Turqisë mund të ketë përjetuar shumë lëkundje që prej vitit 1923 deri më sot për shkak të grushtave të shtetit, ajo ishte duke përparuar çalë-çalë në rrugën e demokracisë. Hapat e hedhur prej qeverisë aktuale po e zhbëjnë të gjithë integritetin e Turqisë në arenën ndërkombëtare, duke e shtyrë Turqinë drejt kategorisë së shteteve që janë armiq të lirive dhe që i burgos qytetarët e vet që përdorin të drejtën e kritikës. Ata që e drejtojnë vendin janë duke i shpërdoruar të gjitha mundësitë e shtetit dhe të gjitha burimet i kanë vënë në dispozicion për të abuzuar me të dedikuarit e lëvizjes Hizmet në të gjithë botën, për t’i përndjekur ata, madje edhe për t’i marrë peng ata, që t’i kthejë në Turqi.

Edhe në ditët e sotme që po përjetohen kaq shumë padrejtësi, populli turk duket se është lënë pasiv përsa i përket çështjes së artikulimit të të drejtave dhe kërkesave demokratike. Shkak për këtë sjellje mund të jenë edhe shqetësimet për stabilitet ekonomik. Vetëm se nëse do të bëjmë një kthim pas, nga panorama e sotme drejt së shkuarës, do ta shohim se cili është shkaku i vërtetë.

Edhe pse qeverisja demokratike është një ideal i Republikës së Turqisë, deri më sot nuk është bërë asnjë përpjekje sistematike që vlerat demokratike të nguliten në bazë. Bindja ndaj shtetit dhe një lideri të fortë ka qenë një nga principet më të rëndësishme në kurrikulat e arsimit. Grushtat e shtetit që kanë ndodhur thuajse çdo decade nuk i kanë lënë mundësi demokracisë që të hedhë rrënjë dhe të zhvillohet normalisht. Qytetarët e harruan, ose u bënë që ta harronin, se nuk janë njerëzit që ekzistojnë për shtetin, por është shteti që ekziston për njerëzit. Fare lehtë mund të thuhet se presidenti Erdogan ka përfituar nga psikologjia e kësaj shoqërie.

Demokracia turke mund të jetë në koma, si pasojë e regjimit aktual, megjithatë unë jam shpresëplotë. Zullumi dhe padrejtësitë nuk kanë qenë asnjëherë jetëgjata. Unë besoj fort, se një ditë Turqia do t’i rikthehet sërish rrugës së demokracisë. Vetëm se, që demokracia të hedhë rrënjë dhe të jetë jetëgjatë duhen ndërmarrë një sërë masash të nevojshme.

Në krye të çdo gjëje qëndron rishikimi i të gjithë kurrikulës arsimore në vend. Shumë çështje, si barazia përpara ligjit dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut duhet të mësohen qysh në vitet e shkollës fillore, në mënyrë që ata të jenë mbrojtësit më të mëdhenj të këtyre vlerave në të ardhmen. Së dyti, një nevojë shumë e rëndësishme është edhe hartimi i një kushtetute të re, që i mbron të drejtat themelore të njeriut, të cilat përmenden në Marrëveshjen e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, ku, as pakica, as shumica, të mos kenë mundësi për të ushtruar një pushtet despotik mbi të tjerët. Po ashtu, edhe shoqëria civile dhe media, të cilat janë secila nga një element ekuilibri kundër shkeljes së autoritetit të qeverisë, të jenë të mbrojtura në kushtetutë. Së treti, opinion-bërësit publikë duhet t’u japin sa më shumë zë vlerave dhe lëvizjeve demokratike.

Sot për sot, në Turqi, si demokracia, ashtu edhe të drejtat e njeriut, gjenden të pezulluara. Një vend me një popullsi me shumicë myslimane ka humbur një rast historik për të arritur një demokraci të standardeve të Bashkimit Evropian.

Klasa drejtuese e një shoqërie është si ajka në sipërfaqen e një lëngu. Ajo është gjithmonë e të njëjtës natyrë me lëngun prej të cilit krijohet. Ajka e qumështit është prej qumështi, ajka e kosit prej kosi dhe ajo e shapit prej shapi. Ata që qeverisin një shoqëri, edhe pse mund të mos jenë në çdo çast duke treguar një ndjeshmëri të plotë njëqind përqind, në njëfarë kuptimi, ata reflektojnë besimin dhe vlerat e shoqërisë që përfaqësojnë. Kam shpresë dhe lus Zotin që ngjarjet e hidhura që po përjetohen në botën islame të bëhen një shtysë e mirë për një vetëdijesim kolektiv dhe të na nxjerrin në pah liderë dhe qeveri me mendësi demokratike, të cilat organizojnë zgjedhje të lira e të drejta dhe i mbrojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Le Monde, 25.02.2019

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.