Leksione për dialogun nga Fethullah Gylen
Në një kohë kur bota është e trazuar dhe më shumë se kurrë kemi nevojë për paqe, na vjen në ndihmë përvoja e mendimtarit Fethullah Gylen. Përgjatë dy ditëve, nesër dhe pasnesër, do të mbahet një simpozium mbi diversitetin dhe dialogun ndërfetar, ku do të marrin pjesë 35 akademikë të njohur nga vendi e rajoni. Referimi bazë do të jetë vepra e Fethullah Gylen, mendimtar turk, teolog, opinionist, aktivist në fushën e arsimit dhe avokat i paqes. Ai konsiderohet si nismëtari dhe frymëzuesi i rrjetit shoqëror mbarëbotëror të vlerave njerëzore të njohur si lëvizja “Gylen”, e cila është e fokusuar në fushën e arsimit, dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor, paqes, drejtësisë dhe harmonisë sociale. Gyleni ka publikuar më shumë se 60 libra në gjuhën turke, një pjesë e mirë e të cilave është përkthyer në shumë gjuhë të tjera, mes të cilave dhe në gjuhën shqipe. Në maj të 2008-s, Foreign Policy e përfshiu atë në listën e 100 intelektualëve publikë më me ndikim në botë, ndërsa votimi online e shpalli atë të parin. Gylen është i njohur për qëndrimin e tij filozofik dhe aktiv në lidhje me të drejtat e njeriut, demokracinë, dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor, shkencën, botën shpirtërore, si dhe për qëndrimet e tij kundër dhunës, anarkisë dhe përdorimit të fesë si ideologji politike. Gylen nuk është vetëm një dijetar i fesë islame. Të gjitha ngjyrat e Lindjes dhe të Perëndimit konvergojnë në prizmin e tij, ndaj botëkuptimi i Gylenit përsa u përket qenieve njerëzore, shoqërisë dhe qytetërimit, përfshin gjithë njerëzimin. Gylen e nisi karrierën si një teolog dhe aktivist edukativ. Me kalimin e kohës vijoi aktivitetin e tij me mobilizimin e qindra mijëra njerëzve, për t’i shërbyer njerëzimit, duke qenë njëkohësisht të bashkuar rreth vlerave të larta njerëzore. Në vitet ‘90, Fethullah Gylen dhe idetë e tij nisën të tërhiqnin interesin e masave të njerëzve nga një bazë e gjerë sociale, të cilët iu përgjigjen thirrjes së tij me anë të angazhimit të tyre aktiv. Është angazhuar në mënyrë aktive në nxitjen e dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor duke filluar shumë kohë përpara tragjedisë së 11 shtatorit. Përpjekjet e tij për dialog dhe tolerancë iu bënë të njohura edhe Papa Gjon Palit II nëpërmjet një pritjeje personale që ky i fundit i bëri Gylenit, kreut të Patriarkanës së Fenerit grek, Bartholomeos, ashtu dhe kreut Sefardik të rabinëve të Izraelit. Gyleni është i njohur për dënimin e vazhdueshëm që i ka bërë përzierjes së dhunës me retorikën fetare. I ka kushtuar gjithmonë vëmendje të veçantë edukimit të brezave të rinj. Mësimet e tij kanë frymëzuar dhe vazhdojnë të frymëzojnë mijëra njerëz të punojnë për edukimin global, paqen dhe përhapjen e tolerancës.
- Publikuar më .