Harmonia Fetare Ndër Shqiptarët si Vlerë në Proceset e Integrimit Evropian

Ne vitin 1993, Profesori i njohur i shkencave politike Samuel Phillips Huntington, botoi një shkrim tejet provokativ në revistën prestigjioze amerikane për Çështje të Jashtme të titulluar “Përplasja e Qytetërimeve”. Artikulli ishte shumë influent dhe provokoi një debat të gjerë jo vetëm midis hartuesve të teorive të marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe midis profesorëve të shkencave politike. Debati i ngritur rreth kësaj çështjeje, si edhe zhurma e krijuar në mjediset akademike, e nxiti autorin që ne vitin 1996, të zgjeronte artikullin duke shkruar një libër për “Përplasjen e Qytetërimeve”.

Lexoni përmbajtjen...

Harmonia Fetare Ndër Shqiptarët si Vlerë në Proceset e Integrimit Evropian

Ne vitin 1993, Profesori i njohur i shkencave politike Samuel Phillips Huntington, botoi një shkrim tejet provokativ në revistën prestigjioze amerikane për Çështje të Jashtme të titulluar “Përplasja e Qytetërimeve”. Artikulli ishte shumë influent dhe provokoi një debat të gjerë jo vetëm midis hartuesve të teorive të marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe midis profesorëve të shkencave politike. Debati i ngritur rreth kësaj çështjeje, si edhe zhurma e krijuar në mjediset akademike, e nxiti autorin që ne vitin 1996, të zgjeronte artikullin duke shkruar një libër për “Përplasjen e Qytetërimeve”.

Ne themel të temës që debatohet, qëndron argumenti se gjatë Luftës së Ftohtë, pra për afro gjysmë shekulli, konflikti mendohej se do të formësohej midis bllokut perëndimor kapitalist dhe bllokut lindor komunist. Pra, konflikti në themel do të ishte një konflikt ideologjik. Por, në periudhën mbas Luftës së Ftohtë, duke konsideruar se Liberal Demokracia bëhet sistem dhe ideologji mbisunduese, (Francis Fukujama ka shkruar edhe për “Fundin e Historisë” nga pikëpamja e prodhimit të rendeve ekonomiko-shoqërore), Huntington dhe të tjerë studiues filluan të ndanin mendimet se konfliktet do të formoheshin më pak për diferenca ideologjike dhe me shume për diferenca kulturore dhe fetare. Megjithëse ka pasur kritika që hedhin poshtë tezën e përplasjes së Qytetërimeve, përsëri problematikat e konfliktit të lidhura me diferencat kulturore dhe fetare mbeten tejet të debatuara. Në këtë kuptim, bëra këtë hyrje paksa të gjatë për të evidentuar se harmonia fetare si një vlerë e institucionalizuar, sikurse ekspozon modeli shqiptar, merr një dimension të ri edhe më të vlerësuar në mjedisin Evropian dhe shumë më gjerë.

Referati im emërtohet: “Harmonia Fetare Ndër Shqiptarët si Vlerë në Proceset e Integrimit Evropian”.

Ndërsa përdor përcaktimin VLERË, në kuptimin kulturor, unë kam parasysh tërësinë e PRINCIPEVE, STANDARTEVE, NORMAVE dhe KUALITETEVE që drejtojnë veprimtarinë njerëzore. Pra, ky institucion i harmonisë fetare, që shqiptarët e kanë tashmë të konsoliduar, mbart në vetvete një punë të palodhur dhe shumë shekullore në formësimin e tij. Gjatë rrugëtimit tonë shumë-shekullor ne kemi ditur të investojmë për të projektuar dhe më tej konsoliduar këto norma, standarde, koncepte dhe kualitete të garantimit të harmonisë fetare.

Dhe këtu natyrshëm lind pyetja: Si është krijuar kjo vlerë e harmonisë fetare? Si është konsoliduar institucioni i harmonisë fetare ndër shqiptaret?

Populli ynë ka qenë një nga popujt e parë të Evropës që përqafoi krishtërimin me fillimet e lindjes dhe të përhapjes së tij. Që në këtë periudhë fillojnë e marrin jetë të dhënat e para që bëjnë me dije për bashkëjetesën mes popullsisë autoktone dhe grupeve të tjera të popullsisë të ardhura nga jashtë.

Që me fillimet e krishtërimit në trevat tona hasen gjurmë të kolonëve hebrenj, që jetonin në viset e Arbrit, popullsinë e të cilit studiuesit që nga shekulli i dyte e njohin me emrin Albane. (Ptolemeu që në shek. II e njeh me emrin Albanë). Në vendbanimet ilire apo qytetet Dyrrahium, Orikum dhe Aulon gjenden gjurmë të pranisë të kolonëve hebrenj. Një panoramë me e plote lidhur me këtë periudhë kohore jepet në botimin e Dhori Qirjazit, Krishtërimi në Shqipëri. Për objektivat e referatit dhe të simpoziumit të sotëm vlen të përmendet se nisur që nga ajo periudhë janë hedhur themelet e harmonisë fetare që flasin për bashkëjetesë midis grupeve apo popullsive të ndryshme.

Në vitin 1054 kemi skizmën e madhe (great schism) që prodhoi ndarjen e kristianizmit duke i lënë njerëzimit dy degët më të vjetra të tij, Kishën Katolike Romane dhe Kishën Ortodokse. Natyrshëm kjo ndarje solli edhe ndarjen e parë të shqiptarëve në ndjekës të riteve perëndimore latine dhe të riteve lindore ortodokse. Megjithëse ndarja midis dy kishave u pasua edhe me konflikte të përgjakshme, në trevat shqiptare shikojmë se ndjenja e mirëkuptimit dhe respektit reciprok, rezultoi mbisunduese duke margjinalizuar opsionin e konfliktit ndërfetar.

Gjatë shekujve lehtësisht konstatohet se harmonia fetare e shqiptareve transformohet në një veçori kombëtare. E ndihmuar dhe konsoliduar nga elemente të tjerë si kultura, gjuha dhe zakonet e përbashkëta, ajo transformohet në një tipar që kontribuon në ruajtjen e njësisë së kombit shqiptar. Testi i parë serioz për këtë karakteristikë të harmonisë fetare të shqiptarëve, do të bëhej me përhapjen e fesë islame në trojet shqiptare. Kuptohet që fillimi i procesit të islamizimit të popullsisë shqiptare krijoi edhe premisa për ballafaqimin reciprok të feve, si element ky i pashmangshëm i bashkëjetesës ndërfetare. Ky ballafaqim mund të sillte edhe përçarjen, apo shpërbërjen e kombit shqiptar. Në disa vende të Ballkanit shihet se islamizimi bashkudhëton edhe me tendenca të ndërrimit të kombësisë, por në Shqipëri është shumë e rëndësishme të theksohet se ndërgjegjja fetare nuk mundi të asimilonte ndërgjegjen kombëtare. Kjo do të thotë se thellimi i diversitetit fetar nuk e cënoi asnjëherë karakterin etnik të popullit shqiptar. Në të vërtetë, vlerat që mbartin të treja besimet fetare thjesht vetëm sa pasuruan botën shpirtërore të shqiptareve. Pra, institucioni i harmonisë fetare i përforcuar përgjatë historisë nga faktorët përbashkues të etnisë, kulturës dhe gjuhës ka kontribuar që besimet e ndryshme fetare të asimilohen nga shqiptarët në rrethana të caktuara historike dhe vetë harmonia fetare të integrohet në kulturën shqiptare si vlerë e trashëgimisë sonë kombëtare.

Për rolin parësor që ka ndjesia kombëtare në raport me fenë ka shkruar edhe poeti romantik Hobhaus. Ai thotë: “Vetëm shqiptarët e kane ndjenjën e kombësisë: asnjë prej kombeve të tjerë të mbretërisë osmane nuk ndjen gjë tjetër përveç fesë”. Hobhause. Një udhëtim përmes Shqipërisë dhe provincave të tjera të Turqisë Evropiane (Perandorisë Osmane, shën. i red.) dhe Azisë. Po kështu, shprehet edhe anglezi i apasionuar me shqiptaret Lordi Bajron që ka vizituar Shqipërinë në kohën e Ali Pashës (1741-1822). Ai thotë: “I dua shqiptarët nuk janë të gjithë myslimanë, disa nga fiset e tyre janë të krishtera. Feja nuk i bën të ndryshojnë zakonet e tyre” (Lord Bajron. Letërkëmbime të Lordit Bajron. Firence, G. Ducci). Pra, vetëdija kombëtare e shqiptarëve gjithmonë ka qenë prioritare dhe ka shërbyer edhe për t’i identifikuar ata para të huajve. Kjo shprehet më së miri edhe nga studiuesi Thomas Arnold. Ai duke folur për islamin ndër shqiptarët lartëson tiparin e tolerancës fetare ndër shqiptarët kur thotë: "Krenaria kombëtare e shqiptarëve është e madhe. Kur dikush pyet një shqiptar se ç’është, para se të përgjigjet se është mysliman a i krishterë, ai do të përgjigjet se është shqiptar. Kjo mënyrë e shprehjes së individualitetit është shkak i veçantë, i ndjenjave kombëtare, sepse ato mënjanojnë atë grindjen e ashpër midis ithtarëve të këtyre dy feve, e cila mbretëronte në pjesët e tjera të Perandorisë Osmane. Shqiptarët myslimanë dhe të krishterë flasin të njëjtën gjuhë, kultivojnë tradita të njëjta dhe kanë qëndrime e zakone të njëjta. Krenaria e përbashkët nacionale është e fuqishme, saqë nuk lë mundësinë për ndikimin e kundërthënieve fetare ndaj pjesëtarëve të një kombi” (Thomas Arnold, Rreth Përhapjes së Islamit ndër Shqiptarët).

Referencat e mësipërme dëshmojnë qartë se institucioni i harmonisë fetare ka kontribuar që fetë të jenë në shërbim të ndërgjegjes kombëtare dhe jo të konkurojnë apo të mbisundojnë mbi të.

Kur analizojmë faktorët historikë, që luajtën rol në krijimin e institucionit të harmonisë fetare dhe të vlerave të saj, nuk duhet lënë në harresë edhe roli që kane luajtur individë të caktuar përgjatë historisë. Vlen të përmendet se ne krye të bashkësive fetare në vijimësi kanë qenë klerikë të mëdhenj të cilët i orientonin predikimet e tyre edhe drejt ruajtjes dhe forcimit të ekuilibrit të brendshëm tek besimtaret e feve të ndryshme. Drejtuesit fetare institucionalizuan si element formues të harmonisë fetare edhe bashkëpunimin qytetar që përfshinte vlerësimet dhe promovimet reciproke me rastin e festave të besimeve të ndryshme. Etnografi Austriak Waldkampf shkruan se: “Shqiptaret festoje bashkë me të krishterët pashkët, po ashtu edhe ortodoksët shqiptarë marrin pjesë në festën myslimane të ramazanit” (Waldkampf, Greqia Maqedonia dhe Shqipëria e jugut”, Lajpcig, 1897). Po kështu, Justin Godart shprehet: “Shqiptaret në ditën e pashkëve mblidheshin para derës së kishës dhe kur besimtarët dilnin nga mesha, ata përsëritnin lutjet e gëzimit të katolikëve për të marrë pjesë përzemërsisht në festën e tyre. Katolikët nuk humbasin rastin nga ana e tyre që tua kthejnë këtë myslimanëve kur ata vizitojnë xhamitë e tyre gjatë festes së bajramit. E njëjta gjë praktikohet gjithashtu midis myslimanëve dhe ortodoksëve në Shqipërinë e mesme” (Justin Godart, Shqipëria ne 1921, France University Press).

Sa më lart u përpoqëm të argumentojmë bazuar edhe në referenca historike se historia e popullit shqiptar në rrjedhën e shekujve, ofron një model pothuajse unikal për veçoritë e kompozicionit fetar dhe të bashkëpunimit ndërfetar. Ne dallojmë nga popujt e tjerë të rajonit për instrumentet që kemi përdorur përgjatë historisë për të mundësuar funksionimin normal të diversitetit fetar brenda një identiteti të vetëm kombëtar.

E nisa këtë referat me konsideratat se mbas Luftës se Ftohtë po flitet gjithnjë e më shumë për përplasje kulturash dhe Qytetërimesh dhe kuptohet që mungesa e dialogut prodhon përplasje kulturash. Kjo sepse përplasja e Qytetërimeve është produkt i mendësisë se kultura e një grupi shoqëror është superiore karshi grupit tjetër. Dhe natyrshëm kjo ndjenjë superioriteti të ndersjellë lind nga vakumi që krijohet nga mungesa e dialogut. Sikurse edhe u përpoqa të hedh dritë, dialogu i vazhdueshëm dhe respekti për vlerat që kane fe apo kultura të ndryshme, krijon mirëbesimin reciprok duke formësuar dhe konsoliduar institucionin e harmonisë fetare. Dialogu është e vetmja alternative e qëndrueshme që transformon diferencat midis feve dhe kulturave të ndryshme në mundësi për të rritur bashkëpunimin me përfitim reciprok dhe jo për të provokuar konflikte. Qëllimi i institucionit të harmonisë fetare është që të mësojmë për të jetuar në harmoni me diferencat dhe kjo është rruga e vetme që shmang përplasjen midis kulturave dhe feve të ndryshme. Shqipëria dhe historia e saj janë një dëshmi reale e mirëfunksionimit të institucionit të harmonisë fetare. Dialogu ndërkulturor apo ndërfetar midis shqiptarëve duket se ka qenë një proces, një përpjekje e vazhdueshme shumë shekullore, një seri aktivitetesh që janë përsëritur për të krijuar shërbimin madhor të harmonisë fetare ndër shqiptaret. Kjo vlerë e krijuar ndër shekuj na bën sot të ndjehemi krenarë sepse vërtetë kemi shumë për të kontribuar në një shoqëri botërore që i sheh me shume sensibilitet problematikat e marrëdhënieve ndërkulturore dhe ndërfetare. Pra, shqiptaret për gjatë historisë kanë ndërtuar një model të harmonisë fetare tek i cili vlen të vështrohet.

Dr. Ferdinand Xhaferi
Deputet, Akademik
Sot Ministër i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve,
Drejtor i Institutit për Dialog dhe Mirëkuptim

Pin It
  • Publikuar më .
© 2021 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.