Besnikeri dhe Drejtesi

Drejtësia është boshti qëndror i profetësisë. Profetësia lëviz në orbitën e drejtësisë. Çdo fjalë e dalë nga goja e profetit ka pamjen e diçkaje të vërtetuar për drejtësinë e saj, sepse profetët nuk bëjnë kurrë ndonjë deklaratë kontradiktore. Kur'ani bën fjalë për këto karakteristika të profetëve duke na folur neve për madhështinë e tyre.

"Përkujto në libër edhe Ibrahimin. Vërtet ai ishte një pejgamber i drejtë!" (Kur'ani, Merjem: 41).

Me fjalë të tjera, i thuhet Hz. Muhammedit (s.a.v.) të kujtojë në Levhi Mahfudh ose në Kur'an që është e vërteta e palëkundshme ose kopja e tij, Ibrahimin si një profet me fjalë, sjellje e mendime të drejta.

"Përkujtoju në këtë libër edhe Ismailin. Ai ishte njeri që e mbante fjalën, ishte i dërguar dhe profet." (Kur'ani, Merjem: 54).

"Kujto në libër edhe Idrisin. Ai ishte një pejgamber shumë i drejtë. Ne e lartësuam atë në një pozitë të lartë." (Kur'ani, Merjem: 56-57).

Duke përcjellë fjalët e shokut të burgut të Jusufit, Kur'ani bën fjalë përsëri për të njëjtat karakteristika: "O Jusuf, o ti i drejti..." (Kur'ani, Jusuf: 46)

E si të mos jenë të përgatitur me drejtësi ata, kur Allahu edhe njerëzit e zakonshëm i do që të jenë të drejtë dhe në Kur'an i ngre lart të drejtët:

"O ju që besuat! Kinie frikë Allahun dhe bëhuni bashkë me të drejtët!" (Kur'ani, Tevbe: 119).

"Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që i besuan Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që nuk dyshuan dhe që luftuan në rrugën e Allahut me pasurinë dhe shpirtrat e tyre. Vetëm ata janë të drejtë!"(Kur'ani, Huxhurat: ).

Besnikët janë të denjë për lavdërim

Besnikët që janë burra të fjalës, ngrihen lart në Kur'an: "Mes besimtarëve ka sa e sa burra që e mbajtën fjalën e dhënë, nga të cilët dikush dha jetën duke e çuar premtimin në vend e dikush pret atë ditë. Ata në asnjë rast nuk e ndryshuan qëndrimin." (Kur'ani, Ahzab: 23).

Dua të ndalem pak në këtë ajetin e fundit.

Enes b. Maliku ishte shërbyesi i të Dërguarit të Allahut. Kur Profeti e nderoi Medinën me vajtjen atje, e ëma e pati marrë për dore Enesin dhjetëvjeçar, e pati çuar te Profeti, të cilit i pati thënë: "O i Dërguari i Allahut! Le të të shërbejë im bir sa të jetë gjallë!"(65) Dhe Enes b. Maliku thotë se personat për të cilët aludohet në këtë ajet, janë i ungji Enes b. Nadr dhe shokët e tij.

Kur Enes b. Nadr e pati parë Profetin në Akabe, qe lidhur pas tij i mrekulluar dhe e pati dashur si i marrë. Mirëpo, megjithatë, nuk pati mundur të ndodhej në luftën e Bedrit. Ndërkaq, Bedri kishte një vend të veçantë në kauzën e Islamit. Për më tepër, ashtu siç konsideroheshin të zgjedhur midis sahabeve, pasuesve profetikë, ata që kishin marrë pjesë në Bedër, ashtu shiheshin si të zgjedhur edhe engjëjt pjesëmarrës të Bedrit. Kjo ishte fjala e engjëllit Xhebrail që kishte komanduar engjëjt në Bedër.(66) Shihni, tani, se Enes b. Nadri që e pati humbur këtë rast, digjej në vetvete e s'i hynte gjumë në sy. E, kështu, pati shkuar te Profeti e ia pati qarë hallin: "O i Dërguari i Allahut! Po qe se edhe një herë do të na mundësohet të përballemi me ta, atëherë do ta shohin qafirët se ç'kanë për të hequr prej meje!" Kjo lutje e brendshme e Enesit qe pranuar dhe ai qe vënë në Uhud ballëpërballë me mohuesit...

Uhud... Kur përmendet kjo fjalë, njeriu rrëqethet. Sepse atje patën rënë dëshmorë shtatëdhjetë sahabe. Ndoshta me mendimin se mos Uhudi mbetet si një kujtim i keq për shkak të kësaj humbjeje të hidhur, një ditë, duke kaluar andej, Profeti pati thënë: "Uhudi është një mal i tillë që edhe ai na do, dhe ne e duam."(67)

Uhudi është një mal i rrëpirë. Edhe vetë lufta e Uhudit pati pasur një të rrëpirë. Gjithsesi, sahabet nuk e patën ruajtur përkohësisht, ashtu siç u ishte kërkuar, pozicionin, madje e patën braktisur atë duke dalë, kështu, jashtë taktikës së treguar nga Profeti. Në fakt, ajo ishte një kërkim strategjie dhe taktike. Nisur nga kjo, nuk është e drejtë që rasti të quhet disfatë. Në këtë vijë qëndron kuptimi i respektit që kemi ne për sahabet.

Në këtë luftë edhe i Dërguari i Allahut qe plagosur, dhëmbi i bekuar i qe thyer, trupi i qe larë me gjak. Por, pavarësisht nga çdo gjë, ai Profeti i mëshirës dhe faljes pati ngritur duart drejt qiellit e qe lutur gjatë e gjatë: "Allahu im! Fali njerëzit e mi, se nuk dinë..!"(68)

Enes b. Nadri vraponte andej-këtej dhe përpiqej të çonte në vend fjalën që i kishte dhënë të Dërguarit të Allahut qysh një vit më parë. Përpiqej, por si shumë të tjerë edhe ai vërtitej drejt një pike fundore. Trupi i ishte bërë copë e çikë dhe po jetonte çastet e fundit. Me buzëqeshjen e fundit në buzë, po i thoshte kështu Sa'd b. Muazit që i kishte shkuar pranë: "I bëj të fala prej meje të Dërguarit të Allahut! Për Zotin, këtë çast po ndjej pas Uhudit aromën e xhennetit..."

Sa e sa dëshmorë nuk pat qenë e mundur të njiheshin për shkak të plagëve të rënda atë ditë! Nuk qenë njohur Hamzai e Mus'ab b. Umejri. Vetëm kur ishin bashkuar copat e trupit të Abdullah b. Xhahshit, ishte bërë e mundur të thuhej "ai është"! Po në atë gjendje ndodhej edhe Enes b. Nadri. Kishte ardhur e motra, e kishte vërejtur në dorën ku mbante këllëçin -siç duket, i vetmi vend i paplagosur i trupit të tij- dhe me sytë e mbushur plot kishte mundur të thoshte: "Ky është Enes b. Nadri, o i Dërguari i Allahut!"(69)

Ja, pra, ajeti për këtë trim të madh tregonte. Ai e mbajti fjalën e dhënë! "Do të luftoj gjer në vdekje!" - tha dhe vdiq. As vdekja nuk mundi ta luante atë nga fjala e ta nxirrte gënjeshtar!

Ajeti ka për qëllim ta bëjë atë një shembull për besimtarët. Pasi të thuhet "Lailaheillallah", çdo individ duhet t'i mbetet besnik përmbajtjes sublime të kësaj fjale në mënyrë që feja të mos shkatërrohet, besimi të mos bëhet diçka iluzore dhe traditat e mira të mos merren nëpër këmbë...

Enes b. Nadri dhe Enesët e tjerë i qëndruan fjalës. Ata e vërtetuan se ishin të drejtë dhe burra të fjalës. Sepse mësimet i patën marrë prej Muhammed Eminit, zotërisë së gjithësisë. Ashtu siç ishte ai vetë i drejtë e i besueshëm, ashtu edhe miqtë e tij e patën treguar veten të drejtë e të besueshëm!

Injoranca e pati njohur atë si të besueshëm

Mekasit i drejtoheshin atij jo me ndonjë fjalë abstrakte, por me atributin konkret "Emin", "I besueshëm". Me këtë atribut ishte bërë i njohur ai.

Ishte meremetuar Qabeja dhe vendosja sërish në vend e Gurit të Zi ishte shndërruar në një çështje të madhe. Fiset kishin zhveshur shpatat dhe secili prej tyre kërkonte të kishte nderin për ta vendosur atë në vend. Më në fund vendosën kështu: do të pranonin gjykimin e të parit njeri që do të hynte, pas atij çasti, në Qabe. Çdo njeri priste me kureshtje se kush do të hynte dhe, në këtë mes, i Dërguari i Allahut s'dinte gjë. Me t'u dukur fytyra e tij e ndritshme që rrezatonte besueshmëri si për mikun, ashtu edhe për armikun, njerëzit që pritnin u hodhën përpjetë nga gëzimi duke thirrur: "Emini po vjen!" Dhe i thanë se do t'i nënshtroheshin pa kushte vendimit të tij...(70) Ata i besonin atij plotësisht. Atë ditë ai ende nuk ishte ngarkuar me detyrën e profetësisë, por ishte një njeri të cilit i bindej çdokush dhe bartte mbi vete të gjitha atributet përkatëse të një profeti.

Po, virtyt është ai që ta pranojnë dhe vërtetojnë edhe armiqtë! Ja, pra, vërtetimi i drejtësisë së tij nga armiku më i tërbuar i tij i asaj dite!

Ishte koha kur Profeti po u bënte thirrje sunduesve përreth. Një letër i kishte dërguar edhe perandorit të Romës, Heraklitit. Perandori e lexoi letrën gjer në fund. Pastaj thirri Ebu Sufjanin që ndodhej atë radhë në Damask dhe midis tyre u zhvillua kjo bisedë:

- Cilët e respektojnë atë më shumë, të pasurit apo të varfërit?
- Të varfërit.
- A ndodhi që të kthehet pas ndonjëri prej atyre që e kanë besuar?
- Deri tani, jo.
- Ata që e ndjekin, shtohen apo pakësohen?
- Çdo ditë shtohen nga pak.
- A keni dëgjuar ndonjëherë që të ketë gënjyer?
- Jo, asnjëri prej nesh s'e kemi dëgjuar ndonjëherë që të ketë gënjyer! Ja, pra, Herakliti i tronditur nga ndikimi i letrës pas përgjigjeve të marra nga Ebu Sufjani, armiku më i pamëshirshëm i muslimanëve, tha kështu:
- Nuk mund të mendohet që njeriu që nuk ka thënë kurrë gënjeshtër për njerëzit, të gënjejë për Zotin!(71)

Në këtë ndodhi që e prekëm shumë shkurt vetëm për të përcjellur thelbin e saj lidhur me çështjen që po diskutojmë, ka dy argumente mbi drejtësinë e të Dërguarit të Allahut. I pari është fjala e thënë nga perandori romak dhe e dyta, përgjigjja e dhënë nga Ebu Sufjani i panderuar ende atë ditë me Islamin, me anë të së cilës ai e pranon dhe e vërteton drejtësinë e të Dërguarit të Allahut. Ç'e do që Herakliti nuk pati mundur të kapërcente lidhjet me pozitën, nuk pati përfituar nga një "pasuri" e vërtetë dhe e amshuar që i pati ardhur gjer te këmbët dhe nuk pati mundur të bëhej musliman e të hynte në bashkësinë e fatlumturve. Pavarësisht nga kjo, fakti që e pati pranuar kumtesën e të Dërguarit të Allahut duke u sjellë me respekt, pati qenë një gjest mençurie nga ana e tij, kurse për ne, një pohim i gëzueshëm, pohimi i besnikërisë së të Dërguarit të Allahut!

Në fakt, thëniet e Heraklitit janë shumë të thella. Një njeri i cili gjer në moshën dyzet vjeç nuk ka gënjyer edhe para njerëzve më të zakonshëm qoftë edhe për shaka, a mund të mendohet se ka gënjyer para Zotit dhe në një periudhë kur qe rrethuar nga vdekja?

Jasiri ende nuk ishte bërë musliman. Një ditë e pyeti të birin, Ammarin se ku po shkonte.

- Te Muhammedi, - iu përgjigj Ammari.

Kjo përgjigje i kishte mjaftuar Jasirit:

- Ai është një njeri i besueshëm. Kështu e njohin mekasit atë. Nëse thotë se është pejgamber, e drejtë, ashtu është. Sepse askush nuk ka dëgjuar që ai të thotë ndonjë gënjeshtër!

Këto fjalë, këto miratime nuk u përkisnin vetëm disa vetëve. Njerëzit që e patën njohur atë para profetësisë si dhe në periudhën e pasme të dritës, të gjithë dhe unanimisht e patën vërtetuar drejtësinë e tij.

Ai pati këshilluar gjithmonë për drejtësi

Ashtu siç pati jetuar gjithmonë me drejtësi, edhe ummetin, bashkësinë e tij, e pati këshilluar gjithmonë për drejtësi. Dëshiroj të përmend këtu disa prej atyre këshillave:

"Më jepni fjalën për këto gjëra dhe unë t'ju jap fjalën për Xhennetin:

- Kur të flisni, flisni drejt!

- Kur të premtoni, çojeni premtimin në vend!

- Tregohuni të besueshëm në ruajtjen e amanetit!

- Ruani nderin!

- Mbyllni sytë para haramit ( gjësë së ndaluar e që s'ju përket)!

- Mbani duart larg nga harami!(72) Po, ai gjithmonë drejt pati jetuar, drejtësinë pati këshilluar dhe me drejtësinë që ishte diçka e posaçme për të, pothuajse ishte afruar në një pikë mes mundësisë dhe domosdoshmërisë, në një pikë të tillë, pas së cilës qëndronte vetëm e vetëm besnikëria e Allahut. Me fjalë të tjera, në drejtësi, i Dërguari i Allahut shihte nga horizonti afër sa dy kut. (Kur'ani, Nexhm: 9). Në një aspekt, ai ndodhej në kuadrin e mundësisë, kurse në një aspekt tjetër, e pati kapërcyer botën e mundësisë. Me rastin e Miraxhit, siç ka thënë edhe Kadi Ijazi, ai erdhi në një vend ku nuk po dinte se ku ta vendoste këmbën. Atij iu tha që ta vendoste njërën këmbë mbi tjetrën. Gjithsesi, në çdo specifikë ai ishte një njeri. Mirëpo drejtësia në një nivel të tillë e pati lartësuar atë. Edhe ne një të tillë drejtësi na këshillon ai: "Jepni fjalën se do të flisni drejt, se nuk do të fusni në jetën tuaj gënjeshtrën që edhe unë t'ju premtoj xhennetin!"

Edhe në një tjetër porosi të tij kështu urdhëron: "Hiqni dorë nga gjërat që përmbajnë dyshime. Drejtësia prodhon në brendësi të njeriut siguri dhe qëndrueshmëri, kurse gënjeshtra është shtrembërim, është turbullirë."(73)

Dhe prapë urdhëron: "Kërkoni vazhdimisht drejtësinë! Edhe nëse në drejtësi shihni shkatërrimin tuaj, pa asnjë diskutim që aty është shpëtimi juaj!"(74)

Edhe në një porosi tjetër po kështu konkludon: "Mos u ndani nga e drejta. E drejta ju çon në mirësi, kurse mirësia në xhennet. Nëse personi tregohet i drejtë dhe e kërkon të drejtën, shkruhet mes besnikëve në lartësinë e Allahut.

Ruhuni nga gënjeshtra. Gënjeshtra e çon njeriun në mëkat, kurse mëkati në xhehennem. Nëse personi vazhdimisht gënjen dhe e kërkon gënjeshtrën, shkruhet si gënjeshtar në lartësinë e Allahut!"(75)

Shpëtimi dhe fundi i mirë janë te drejtësia. Edhe sikur njeriu të vdesë duke thënë të drejtën, një herë vdes, kurse çdo gënjeshtër është një vdekje më vete!

Ka'b b. Malik thotë: "Unë shpëtova në sajë të drejtësisë sime." Po, kur thuhet "drejtësi", është e pamundur të mos e kujtosh atë.

Ka'b b. Malik ishte një njeri me fjalën të mprehtë si shpata dhe me shpatën të mprehtë sa fjala. Ishte poet. Me poezitë e tij mund ta kthente përmbys botën morale të njerëzve...

Pat ardhur në Akabe dhe i pati dhënë besën të Dërguarit të Allahut. Për rrjedhojë, pati qenë ndër parësinë e Medinës. Por nuk pati marrë pjesë në luftën e Tebukut. Tebuku pati qenë një luftë e vështirë. Në atë luftë, një grusht njerëzish do të përleshej me armatën e Perandorisë Romake. Dhe ku, pikërisht në të nxehtët përvëlues e shfarosës të shkretëtirës! Me atë mendim u bë nisja për atje, u tregua ajo trimëri e jashtëzakonshme për t'u nisur, u fitua ajo mirësi, por ajo luftë e frikshme vetëm në mendime mbeti.

Ndërsa Profeti të gjitha fushatat luftarake i mbante të fshehta, atë radhë qe nisur haptas dhe çdo njeri e pati ftuar haptas. Ja, pra, me gjithë këtë ftesë të hapët, Ka'bi atë radhë nuk pati mundur të merrte pjesë.

Dhe tani le ta tregojmë shkurt aventurën e tij nga goja e tij:

"Të gjithë u ftuan për në luftë. Sepse përplasja do të ishte e ashpër. Por Allahu nuk e miratoi dhe lufta mbeti vetëm si një nismë. I ishte bërë apo jo e ditur, i Dërguari i Allahut i jepte një rëndësi të veçantë asaj lufte.

Ashtu si çdokush, edhe unë i përfundova përgatitjet. Madje, si atë radhë s'isha përgatitur për asnjë luftë tjetër gjer atë ditë.

Profeti i të Dy Botëve dha urdhër për nisje dhe ushtria u nis. Unë nuk dola bashkë me të tjerët duke thënë me vete se, sido që të ishte, do t'i arrija ata. Dhe nuk kisha ndonjë punë. Por më pengonte vetësiguria. Hë sot, hë nesër, kur ç'të shohësh, ditët ikën si pa u kuptuar. Tani më ishte e pamundur ta arrija të Dërguarin e Allahut. Kisha mbetur i detyruar të prisja dhe prita. Dhe prita çdo orë në një pritje që zgjati me ditë.

Më në fund filloi të dëgjohej nga të gjitha anët se Profeti po kthehej. Kështu ndodhte çdo radhë. Afër kthimit të tij Medina gjallërohej edhe një herë tjetër. Ja, tani, në sytë e çdokujt kishte një gëzim: po kthehej i Dërguari i Allahut!

Më në fund, erdhi koha e shumëpritur. Ushtria u kthye në Medinë. Edhe Profeti, ashtu siç ishte bërë rregull, fillimisht kishte shkuar në faltore, kishte falur dy reqate namaz dhe kishte nisur takimet me popullin. Njerëzit shkonin në faltore grupe-grupe, e vizitonin, kurse ata që s'kishin marrë pjesë në ushtri, i kërkonin falje. Edhe shumica e atyre që ndodheshin në gjendjen time, kishin paraqitur justifikime që ishin pranuar nga i Dërguari i Allahut. Edhe unë mund të bëja një gjë të tillë. Mes tyre, unë isha një ndër më të aftët për të folur dhe me fuqinë bindëse më të madhe. Mirëpo si mund të ndodhte që, duke mos pasur asnjë justifikim, ta gënjeja të Dërguarin e Allahut? Nuk e bëra një gjë të tillë. Nuk munda ta bëja! Kur u takuam, Profeti më priti me një buzëqeshje të rrudhur që ma shpoi zemrën tej e tej. Dhe më pyeti: "Ku ishe?" Ia tregova situatën ashtu siç ishte, pa lënë gjë mangut. E ktheu kokën anash dhe më tha me majë të gjuhës: "Ngreu, shko!"

Dola jashtë. Më rrethoi fisi im: "Gjej dhe ti një justifikim e shpëto!" Për një moment sikur fjalët e tyre më zunë vend në zemër. Mirëpo erdha menjëherë në vete dhe pyeta: "A ka të tjerë në gjendjen time?" "Ka", më thanë dhe më përmendën dy emra. Që të dy kishin marrë pjesë në Bedër dhe ishin ndër sahabet, pasuesit profetikë me emër e me zë: Muare b. Rebi dhe Hilal b. Umejje. Edhe ata nuk kishin paraqitur asnjë justifikim dhe kishin rënë në pozitën time. Kishin mbetur në pritje. Për mua ishin njerëz që mund t'u shkoje pas, prandaj vendosa të bëj si ata dhe hoqa dorë nga gjetja e një justifikimi.

U shpall një urdhër për ne të tre. Tanimë asnjë musliman nuk do të takohej e të bisedonte me ne. Dy shokët e mi u mbyllën nëpër shtëpitë dhe qanin natë e ditë. Unë isha i ri e i fuqishëm. Dilja në treg, në sokak dhe mund të hyja edhe në faltore në kohët e namazeve. Vetëm se me mua asnjeri nuk bisedonte. Shumicën e kohës e kaloja në faltore. Ndodhte që të prisja shumë gjatë për të mundur të kapja një buzëqeshje nga i Dërguari i Allahut. Por ç'e do që çdo ditë kthehesha në shtëpi vetëm me vetminë time. Ai, të cilit kurrë nuk i mungonte buzëqeshja në fytyrë, qoftë edhe një herë të vetme nuk m'i kishte hedhur sytë të më buzëqeshte! I jepja selam dhe ia ngulja sytë buzëve të tij se mos dalloja ndonjë lëvizje, por më kot!

Gjatë namazit shumë herë e shihja atë me bisht të syrit. I hidhte sytë nga unë kur filloja të falesha, por, sapo mbaronte namazi, menjëherë i hiqte sytë. Kështu do të vazhdonte plot dyzet ditë. Njerëzit dhe vendi ku ndodhesha më ishin bërë të huaj në atë mënyrë, saqë fillova të pandehja se ndodhesha në një vend të huaj.

Një ditë u hodha nga muri i avllisë drejt e në bahçen e Ebu Katades, djalit të xhaxhait, të cilin e doja shumë e që edhe ai më donte me shpirt. I dhashë selam, por nuk reagoi fare. E pyeta: "Më thuaj, për Zotin, a e beson që e dua të Dërguarin e Allahut?" Nuk m'u përgjigj fare. Ia përsërita tri herë pyetjen. Pas herës së tretë, më tha: "I Dërguari i Allahut e di!" Vetëm kaq dhe u largua. Më ishte shembur bota mbi krye! Nuk i prisja kurrë këto fjalë prej Ebu Katades! M'u mbushën sytë dhe fillova të qaja me ngashërim.

Një ditë tjetër, duke u vërtitur i vetëm sokakëve të Medinës, dëgjova një njeri të pyeste për mua. Personat që kishte pyetur, i kishin bërë me shenjë nga unë. Njeriu më erdhi pranë dhe në dorë mbante një letër që ishte për mua. Vinte nga sundimtari i Gassanit. Sundimtari më ftonte në vendin e tij. Më shkruante: "Dëgjova se ytzot të ka braktisur të vetëm. Eja tek ne. Njerëzve si ti pranë nesh u rritet vlera..." "Edhe kjo një provë" - thashë me vete, e grisa letrën dhe e hodha në zjarr.

Ishte dita e dyzetë. I Dërguari i Allahut më kishte dërguar një njeri. Njeriu thoshte se duhet të rrinim larg nga gratë. "Ç'të bëj, a ta ndaj?" - e pyeta. "Vetëm rriji larg" - më tha dhe shkoi. I thashë gruas të shkonte te prindët. Në këtë mes, gruaja e Hilalit kishte shkuar te Profeti e i kishte kërkuar leje t'i rrinte të shoqit pranë për t'i shërbyer, pasi ishte plak dhe nuk i përgjigjej detyrës së tij si burrë. Dhe i Dërguari i Allahut i kishte dhënë leje. Disa më thanë që edhe unë të kërkoja leje. Por unë nuk pranova, pasi nuk e dija se si do ta priste Ai një kërkesë të tillë.

Kaluan ditë dhe u mbushën pesëdhjetë. Kisha arritur në një pikë që më ishte mbaruar durimi. Më ishte nxirë bota dhe më ishte bërë varr. Si çdo ditë, edhe atë mëngjes, pasi kisha falur namazin, po rrija në ballkon. Dëgjova se dikush po përmendte emrin tim me zë të lartë: "Myzhde, o Ka'b!" E kuptova si qëndronte puna. Menjëherë rashë në sexhde. Atë ditë, pas namazit të agimit, i Dërguari i Allahut kishte shpallur faljen tonë. Shkova në faltore. Të gjithë u ngritën në këmbë dhe po më uronin. Talhai m'u hodh në qafë e po më puthte. Sikur po përjetoja sërish një Akabe! I shkova pranë Profetit dhe ia kapa dorën. Edhe ai ma kapi. Pandehja se nuk do të ishte gëzuar më shumë edhe sikur ta kishin uruar për xhennetin. I Dërguari i Allahut urdhëroi: "Allahu ju fali!" Dhe këndoi ajetin e zbritur për ne:

"Dhe Allahu pranoi edhe pendimin e atyre të treve. Toka u ishte ngushtuar aq shumë, edhe shpirtrat u ishin ngushtuar aq shumë, sa ishin bindur se nuk ka strehim tjetër veç Allahut. Allahu e pranon pendimin, është mëshirues i madh!" (Kur'ani, Tevbe: 118).

Pas këndimit të ajetit, iu drejtova Profetit: "O i Dërguari i Allahut! Mua e drejta më shpëtoi! Jap fjalën se sa të jem gjallë, do të them vetëm të drejtën e të vërtetën!"(76)

Po, e vërteta profetike që e quajtëm "besnikëri", qëndron mbi fundamentin "vërtetësi dhe drejtësi". Çdo profet flet drejt. Dhe kjo gjë është e detyrueshme. Sepse, po qe që në cilindo prej këtyre personave që sjellin nga bota e panjohur urdhra dhe ua kumtojnë njerëzve, do të ndodhte edhe gabimi ose shtrembërimi më i vogël, çdo gjë do të kthehej me kokë poshtë. Të gjitha të vërtetat që na duhet t'i mësojmë në emër të njerëzimit, me anë të profetëve na përcillen. Dhe kjo është një çështje shumë delikate që s'lejon shtrembërim as sa grimca. Prandaj edhe Providenca Hyjnore urdhëron kështu lidhur me këtë çështje: "Sikur të trillonte ai (Muhammedi) për Ne ndonjë fjalë, do ta mbërthenim me forcë, do t'ia këputnim aortën dhe askush prej jush nuk do të mund t'i dilte në mbrojtje!" (Kur'ani, Hakka: 44-47).

Përballë urdhrave dhe ndalimeve hyjnore Profeti ishte si i vdekuri në duart e larësit të kufomave. Revelacioni e vërtiste atë nga të donte dhe Profeti atë kahje merrte. Nga kjo ndjeshmëri dhe bindje e pakufishme ai s'kishte humbur asgjë edhe kur kishte fituar intimitetin hyjnor dhe kishte arritur në pikën e fundit. Jo që s'kishte humbur, por e kishte thelluar edhe më atë ndjeshmëri duke e kthyer në diçka të patjetërsueshme!

Ai pati qenë burrë i fjalës

Gjer në moshën dyzetvjeçare askush nuk kishte dëgjuar e parë që ai të thoshte ndonjë gjë kontradiktore apo të mos qëndronte në fjalë. Një person që kishte fituar nderin të bëhej pasues i tij më vonë, tregon: "Ishte periudha e injorancës. Ishim marrë vesh me të Dërguarin e Allahut që të takoheshim në një vend. (Siç kam theksuar edhe në krye, ashtu quhej ajo periudhë, kurse Profeti nuk e pati jetuar atë në veçoritë e saj, por pati ndjekur një vijë tjetër jetese, të posaçme vetëm për profetët). Mirëpo unë e harrova fjalën e dhënë. Kur u kujtova pas tri ditësh, shkova me vrap atje ku e kishim lënë takimin dhe pashë se i Dërguari i Allahut po më priste! As u nxeh e as m'u zemërua. Më tha vetëm kaq: "O djalë i ri! Më mundove! Kam tri ditë që të pres këtu!"(77)



(65) Myslim, Fezailu's-Sahabe, 143.
(66) Buhari, Megazi, 11; Ibni Maxhe, Mukaddime, 11.
(67) Buhari, Zekat, 54.
(68) Myslim, Xhihad, 101, 105; Buhari, Enbija, 54.
(69) Myslim, Imare, 148.
(70) Mysned, 3/425; Ibni Hisham, 1/209.
(71) Buhari, Bedu'l-Vahj, 6.
(72) Mysned, 5/323.
(73) Tirmizi, Kijame, 60; Mysned, 1/200.
(74) Kenzu'l-Ummal, 3/344; Fejzu'l-Kadir, 3/232.
(75) Buhari, Edeb, 69; Myslim, Birr, 105.
(76) Buhari, Megazi, 79; Myslim, Tevbe, 53.
(77) Ebu Davud, Edeb, 82. (Personi i përmendur është Abdullah b. Ebi'l-Hamsa).
Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.