Qellimi i Dergimit te Profeteve

Profetët, pavarësisht nga ndryshimi i nivelit mes tyre, janë shpirtra të zgjedhur, të denjë për shfaqjen e personit të Providencës Hyjnore. Allahu (xh.xh.) i ka pranuar ata si të posaçëm vetëm për veten, i ka rritur në mjedise të mbyllura për të tjerët, i ka zhvilluar dhe ka prerë mundësinë që në sytë e tyre të hyjnë, përveç vetes, iluzione të tjera.

Ashtu si te të gjithë profetët, për më tepër te Profeti ynë, syri i tij nuk ka parë gjë tjetër përveç Zotit të vet. Po, tjetërkushi nuk ka mundur ta mjegullojë shikimin e tij, nuk ka mundur t'ia turbullojë mendjen. Kur i hapte sytë, ai Zotin e vet shihte; po ashtu, edhe kur i mbyllte, duke e vështruar përsëri Atë, thoshte: "Allahu im, o miku më i Lartë!" Dhe tani le të dëgjojmë se ç'thotë vetë Hz. Aisheja:

"Kur sëmurej ndonjëherë, i Dërguari i Allahut më vinte pranë dhe më thoshte: "Lutu për mua!" Dhe unë merrja në njërën dorë dorën e tij të bekuar dhe, duke shprehur shpresën për shërimin e tij me begatinë e asaj dore, vija dorën tjetër mbi atë ballë që qëndronte mbi kohën dhe hapësirën dhe lutesha... Kur në sëmundjen e fundit desha t'ia marr dorën për të njëjtin qëllim, e tërhoqi me forcë dhe u lut: "Allahu im, o miku më i Lartë!"(35)

Ndoshta i Dërguari i Allahut nuk e kishte më mendjen te miqtë e tij tokësorë, por dëshironte Zotin, Mikun e tij të Vërtetë dhe kërkonte të shkonte tek Ai në një dimension tjetër.

Ja, pra, profetët që kanë bërë një jetë të tillë me ardhjen dhe shkuarjen e tyre, veçanërisht Profeti ynë, përse, vallë, kanë ardhur në këtë botë dhe në bazë të ç'qëllimi janë dërguar? Analiza e kësaj teme shumë të rëndësishme paraqet rëndësi edhe më shumë si rrjedhojë e veçanërisht dy parimeve kryesore:

E para: Duke vështruar pozitën e lartë dhe sublime të institucionit të profetësisë, profetët nuk duhen konsideruar si njerëz të zakonshëm.

E dyta: Duhet treguar se ç'rrugë dhe sistem duhet të ndjekin në ditët tona ata që ndodhen nën barrën e përfaqësimit të detyrës profetike.

Nga çfarëdo aspekti që ta trajtojmë çështjen, hapi i rëndësisë së temës nuk do të ndryshojë. Prandaj edhe ne do të përpiqemi që, pa zgjedhur ndonjë renditje të caktuar, t'i paraqesim mendimet tona lidhur me temën në fjalë në trajtën e disa nënçështjeve.

1. ADHURIMI

Qëllimi i dërgimit të profetëve bashkohet në të njejtën pikë me qëllimin e krijimit të njeriut. Dhe kjo pikë qëndron në vijën që përcakton pozitën e njeriut si rob i Zotit, për rrjedhojë, adhurimin e Tij nga njeriu.

Allahu urdhëron kështu në Kur'an: "Unë i krijova xhindët dhe njerëzit vetëm për të më adhuruar!" (Kur'ani, Dharijat: 56).

Kjo do të thotë se qëllimi themelor për të cilin jemi krijuar, është ta njohim Zotin dhe ta kryejmë denjësisht detyrën e robit ndaj Tij. Nuk është të hamë e të pimë, të vëmë mall e pasuri e të bëhemi pronarë ndërtesash të dimensioneve të kësaj bote. Ç'është e vërteta, këto janë nevojat tona të krijimit, por jo qëllimi i krijimit tonë. Ja, pra, profetët na kanë ardhur për të na treguar këtë rrugë enigmatike. Në Kur'an bëhet fjalë për këtë specifikë: "Nuk pati të dërguar para teje që të mos i kemi reveluar: "Nuk ka zot tjetër përveç Meje, prandaj më adhuroni!" (Kur'ani, Enbija: 25).

Edhe në ajetin e mëposhtëm preket e njëjta specifikë duke e lidhur qëllimin e dërgimit të profetëve me urtësinë e largimit dhe ruajtjes nga idhujt si dhe kryerjes së rolit të prijësit të njerëzimit në udhën e adhurimit të Zotit: "Ne i dërguam çdo populli nga një të dërguar me porosinë: "Adhuroni vetëm Allahun dhe largohuni prej djajve!" Allahu i orientoi një pjesë të njerëzve në rrugë të drejtë, por pati edhe prej atyre që u gjykuan me humbje. Udhëtoni, pra, nëpër botë dhe shihni sesi qe fundi i përgënjeshtruesve të së Vërtetës!" (Kur'ani, Nahl: 36).

E veçanta e Profetit tonë

Kurse gjendja e Profetit tonë është më e veçantë. I dërguar si mëshirë për të gjitha botët, ai është i ngarkuar me detyrën për të futur në rrugën e adhurimit edhe njerëzit, edhe xhindët. Abdullah b. Mesud e përcjell kështu një ngjarje të jetuar nga ai vetë:

"Shkuam bashkë me Profetin diku. Pasi vizatoi një rreth përreth meje, më tha të mos largohesha prej aty, kurse vetë u largua. Më pas fillova të dëgjoja zhurma. Po shqetësohesha seriozisht se mos i kishte ndodhur ndonjë e keqe të Dërguarit të Allahut, por edhe nuk mund të lëvizja sepse ashtu më kishte porositur. Pas një farë kohe, Profeti u kthye. E pyeta për shkakun e zhurmës: "O i dërguari i Allahut, ç'ishin ato zhurma e ato të goditura?" Dhe ai m'u përgjigj: "Fisi i xhindëve më shprehu besimin dhe më dha fjalën. Pastaj filloi polemika midis tyre. Besimtarët dhe mosbesimtarët u grindën. Ajo ishte zhurma që dëgjove ti. Përveç kësaj, m'u lajmërua edhe vdekja."(36)

Me fjalët e tij të fundit, Profeti donte të thoshte se qëllimi i dërgimit të tij ishte hapja e rrugës së drejtë për xhindët dhe njerëzit. Fakti që atë ditë atij i kishin shprehur besimin dhe bindjen edhe xhindët, do të thoshte se qëndrimi i mëtejshëm i tij në botë s'kishte më kuptim.

Kështu mendonte ai dhe, përmes pohimeve të veta, zbërthente enigmën e synimit e të qëllimit të kumtesës profetike të tij. Në të vërtetë, ai na pati mësuar një lutje neve lidhur me çështjen e zgjedhjes mes kësaj bote dhe jetës së pasosur: "Zoti im, më mbaj gjallë për sa kohë jeta ime të jetë e dobishme për mua. Kur të vijë çasti që vdekja të më jetë më e dobishme, merrma shpirtin duke i dhënë fund jetës sime!"(37)

2. KUMTESA

Një nga qëllimet e tjera të dërgimit të profetëve është edhe kumtesa fetare. Po të mos kishin ardhur profetët, ne nuk do të mund t'i dinim çështjet lidhur me adhurimin, nuk do të mund të merrnim urdhrat dhe ndalimet dhe nuk do të mund të konceptonim përgjegjësinë tonë. Ç'janë namazi, agjërimi, zeqati dhe haxhi? Ç'është statusi i ndalimeve të tilla si pijet alkoolike, kumari, adulteri, faizi, etj? Të gjitha këto dhe shumë çështje të tjera të ngjashme i njohim sot me anë të ndërmjetësisë së profetëve. Kësaj i themi shkurt "detyra e kumtesës" që ka qenë po ajo tek të gjithë profetët, të cilët kanë ardhur me të njëjtat mesazhe dhe kanë thënë të njëjtat gjëra në çështjet kryesore edhe nëse kanë pasur dallime në hollësirat.(38)

Qëllimi dhe detyra e përgjithshme e profetëve shprehet kështu në Kur'an: "Ata që kumtojnë fjalën e Allahut, frikësohen vetëm prej Tij e askujt tjetër. Mjafton Allahu si llogarikërkues!" (Kur'ani, Ahzab: 39).

Po ata kanë ardhur për të realizuar një qëllim të tillë. Pengesa që u ka zënë rrugën, kushdo qoftë dhe çfarëdo qoftë, nuk ndikon tek ata as sa grimca, sepse ata s'e njohin se ç'është frika. Sepse ata kanë frikë gjithmonë vetëm Allahun! Lidhur me këtë çështje, Profetit tonë i thuhet kështu: "O i Dërguar! Kumtoje atë që t'u revelua prej Zotit tënd! Nëse nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke kryer detyrën. Allahu do të të mbrojë prej njerëzve. Allahu nuk e fut në rrugë të drejtë popullin mohues!" (Kur'ani, Maide: 67).

Këtu kuptohet se plotësimi i detyrës së kumtesës prej profetit nuk ka të bëjë me atë si individ, pra, nuk kufizohet në planin individual, por ka përmasa mbarënjerëzore, sepse detyra e tij është të ndriçojë gjithë njerëzimin. Në të vërtetë, Profeti ynë ishte i vetëdijshëm për detyrën e tij.

Fundja, po të mos qe kështu, dërgimi i tij me një detyrë të tillë qysh më parë nuk do të planifikohej e miratohej.

Kumtesa te i Dërguari i Allahut

Pasi mori përsipër këtë detyrë të lartë, e gjithë jeta e Profetit kaloi me kumtesën fetare. Ai shëtiste derë më derë dhe kërkonte fytyra dhe zemra të njohura të cilëve të mund t'u kumtonte mesazhin e tij.

Kundërveprimi i frontit përballë, në fillim, qe në formën e indiferencës e të bojkotit. Pastaj vazhdoi me përqeshje e tallje dhe, në fund, me të gjitha format e mundimeve e torturave. I vinin gjemba në rrugën nga kalonte, e vinin në lojë kur falej dhe e konsideronin me vend çdo lloj sulmi dhe dhune ndaj tij. Kurse i Dërguari i Allahut nuk u mërzit e nuk u zbraps prej asnjërës prej tyre, sepse ai kishte ardhur në botë për një qëllim të caktuar. I shkoi disa herë me radhë secilit njeri, përfshi edhe armiqtë e tij vrasës dhe ua paraqiti mesazhin hyjnor. Po, s'dihet se sa herë u shkoi edhe armiqve të fesë e të besimit si Ebu Xhehl dhe Ebu Leheb dhe u tregoi se ç'ishte e drejta dhe e vërteta. Shëtiste nëpër panaire, vërtitej nga çadra në çadër për t'u bërë pretekst i orientimit edhe të një njeriu të vetëm. Portat ku trokiste, i mbylleshin para syve, por një radhë tjetër ai prapë trokiste në atë portë dhe përsëriste të njëjtat gjëra... Kur iu prenë shpresat në Mekë, shkoi në Taif. Taifi ishte një vend klimaterik e turistik. Të përkëdhelur prej rehatit dhe mirëqenies, taifasit dolën më brutalë se mekasit. U mblodhën gjithë fundërrinat dhe e përzunë me gurë të Dërguarin e Madh, atë diellin e diejve... Me vete ai kishte marrë birin për shpirt, Zejdin e Harisesë i cili, duke e bërë mburojë trupin e vet, u përpoq ta mbronte Profetin. Megjithatë, disa gurë që e goditën, ia përgjakën trupin e bekuar.

Duke u shmangur nga ajo atmosferë keqkuptimi, Profeti qe tërhequr në rrëzë të një peme kur ia behu Xhebrail Emini që i kërkoi leje t'u përmbyste mbi kokë malin atyre njerëzve azganë. Qoftë edhe në këto çaste kur ndihej i thyer keqas, nuk mendonte ashtu dhe i përgjigjej "jo" Engjëllit. Duke pasur parasysh se dikush nga ata do të mund të hapte sytë te besimi, ai kundërshtonte ndëshkimin...

Pastaj ai hapi duart dhe iu lut Zotit të tij:

"Zoti im! Të ankohem Ty për pafuqinë, dobësinë dhe për faktin që njerëzve u dukem i pavlerë! O Mëshirues e Bamirës! Ti je Zoti i atyre të pashpresëve që duken të dobët e të pavlerë! Ti je Zoti im! Atëherë, në dorë të kujt po më lë? Në dorë të gojëkëqinjve, të fytyrëprishurve apo të armiqve që përzihen në punët e mia? Nëse me këtë nuk kërkon të më ndëshkosh, nuk ua vë veshin fare belarave e mundimeve. Ndërkaq, mirësia Jote, ashtu siç dëshirohet, është shumë më prehëse, shumë më e gjerë. O Zot, për t'u mbrojtur nga përfshirja e ndëshkimit Tënd apo nga meritimi i pakënaqësisë Tënde, në kompetencën Tënde të merituar të punëve të të dy botëve strehohem, në Fytyrën Tënde-Dritë strehohem! O Zot, e pres faljen Tënde gjersa ta miratosh atë! O Zot, gjithë fuqia dhe transformimi vetëm në dorën Tënde janë!"

Ndërsa ai lutej kështu, dikush afrohet në heshtje dhe i vë përpara të Dërguarit të Allahut një tabaka me vile rrushi dhe thotë: "Urdhëro e ha!" Duke zgjatur dorën për të marrë rrush, Profeti thotë "Bismillah", "Në emër të Allahut!" Për skllavin me emrin "Addas" që solli rrushin, kjo ishte një ngjarje e papritur. Dhe pyet me habi: "Kush je ti?" I Dërguari i Allahut i përgjigjet: "Jam i dërguari i fundit dhe profeti i fundit!" Addasi i hidhet sipër dhe fillon ta puthë... Atë që me vite e kishte kërkuar në qiej, e gjeti tani para vetes, madje krejt pa pritur! Dhe i pohon besimin!(39)

Po të mos kishte ndodhur kjo ngjarja e fundit, Profeti do të kthehej shumë i mërzitur nga Taifi. Mërzitja dhe hidhërimi nuk ishin për shkak të qëndrimit kundër tij, por si rrjedhojë e faktit se ai askujt s'do të kishte mundur t'i kumtonte diçka. Kurse tani fluturonte nga gëzimi, sepse Addasi ishte vënë në rrugë të drejtë me dorën e tij!

Po, nëse është me vend të thuhet, ai ishte pëllumbi i profetëve. Kërkonte pa pushuar e në çdo vend fytyra dhe zemra të pastra e të shtëna pas së vërtetës dhe, kur i gjente, u frynte atyre frymëzimet shpirtërore. E, kështu, rrethi dritësor i mjedisit të tij zgjerohej çdo ditë, gjë që e bënte të tërbohej herezinë.

Ashtu si tërbimi mes përçartjeve i herezisë përballë ekzistencës së Islamit në lindje e perëndim të botës sot, edhe në atë periudhë kështu e tërbonte herezinë zgjerimi i rrethit të mjedisit të Hz. Muhammedit.

Ky tërbim i çoi ata në një marrëzi të tillë, saqë erdhi dita dhe u ngritën ta shuanin krejtësisht këtë pishtar si të deshin të shuanin me të fryrë diellin në qiell! Ç'po them dhe unë! Dielli është për ne vetëm një mjet metafore e paralelizmi figurativ, kurse drita e sjellë prej Profetit, është që t'i japë shkëlqim vetë diellit, sepse ajo është drita, është nuri i Allahut (xh.xh.)! Kur'ani e përshkruan kështu situatën qesharake të heretikëve: "Ata kërkojnë ta shuajnë nurin e Allahut me gojët e tyre. Edhe nëse mosbesimtarëve nuk u pëlqen, Allahu nuk dëshiron gjë tjetër veçse ta plotësojë dritën e Vet!" (Kur'ani, Tevbe: 32).

Ai ndezi një pishtar edhe në shekullin XX dhe me të pothuaj na futi prush në zemra. Mijëra dhe qindramijëra vetë vunë ballin në rrugën e tij dhe nisën shërbimin për të lartësuar kauzën e tij. Kjo do të thotë se Providenca Hyjnore deshi të sendërtonte përsëpari një situatë Muhammediane, një rreth drite dhe një zinxhir të artë, gjë që s'mundet ta ndalë as zemërimi, tërbimi e dhuna e herezisë, as dhe sulmi i ushtrive të djallit. Sigurisht, këto farëra të hedhura me pastërti, edhe nëse jo sot, nesër me siguri do të marrin zhvillim dhe drita e shpërndarë prej të Dërguarit të Allahut kurrë nuk do të shuhet!

Kur Meka, më në fund, nuk mundi ta pranonte të Dërguarin e Allahut, ai mërgoi në Medinë. Përhapjen e dritës atje do ta vazhdonte. Do të merrej me çifutët dhe hipokritët, do të organizonte ushtri kundër mohuesve e heretikëve e do të ndodhej vetë në krye të atyre ushtrive, do të vërtitej në fushat e luftës me dhëmbë të thyer, me fytyrë të plagosur, i uritur e i etur, por i vendosur të ecë në rrugën e tij. Dhe ashtu pati bërë. Ai nuk e la qoftë edhe për një çast të vetëm detyrën e kumtesës profetike. E kumtoi, e tregoi, e përshkroi, e sqaroi çdo gjë gjer në çështjen më të vogël të fesë. Edhe në kohët kur ndodhej në Medinë, edhe kur përleshej me shtetet, kurrë nuk e la pas dore orientimin e individit. Nëse një beduin do të vinte e ta pyeste për një çështje që ai e kish rrëfyer qindra herë, ai do t'i përgjigjej me të njëjtën dëshirë dhe pasion pa shfaqur as më të voglën mungesë dëshire!

Kumtesa profetike ka vetëm një kuptim: t'i fusë njerëzit në rrugë të drejtë. Dhe, në esencë, ky është edhe qëllimi i ardhjes së të gjithë profetëve si dhe i Mbretit të Profetëve. Rrugën e drejtë që ne e quajmë "Sirati Mustakim", duhet ta njohë çdo musliman dhe e njeh. Çdo ditë ne, në namazet tona, e lusim Zotin që të na orientojë në "Sirati Mustakim", domethënë në rrugën e profetëve, e besnikëve, e dëshmorëve. Ajo është një rrugë e gjerë dhe çdokush e ka pjesën e vet të paracaktuar në të, sepse, sipas pohimit të ajetit-argument përkatës të Kur'anit, Profeti i Fundit është dërguar si mëshirë për të gjithë botët!

Veçanërisht ai është dëshmues, myzhdedhënës dhe paralajmërues e qortues, gjë që e shpreh ajeti-argument i mëposhtëm: "O ti Nebi, Ne me të vërtetë të dërguam ty dëshmues, myzhdedhënës e qortues!" (Kur'ani, Ahzab: 45).

Profeti ynë është një njeri i jashtëzakonshëm i cili pati bartur për njëzet e tre vjet me radhë një barrë shumë të rëndë si profetësia, përgjegjësitë e së cilës i pati çuar në vend në atë mënyrë që në histori nuk e kishte arritur dhe nuk do të mund ta arrinte asnjë burrë që i kishte dalë për zot një kauze. Dhe me këtë shpirt e me këtë vetëdije ai i afrohej çdo ditë e nga pak fundit të tij të bekuar.

Po kryente haxhin e ndarjes...Le që vetëm një herë pati bërë haxh në jetën e tij! Meqë në atë rast bashkoheshin umreja me haxhin, ne i themi edhe "Haxhi Ekber", "Haxhi i Madh". Ja, në këtë haxhin e fundit të tij, i Dërguari i Allahut i hipi edhe një herë tjetër devesë së vet dhe u përpoq të thoshte çdo gjë që duhej thënë e t'i jepte fund. Po, foli për çdo gjë, nga gjakmarrjet te të drejtat e grave, nga faizi te marrëdhëniet midis fiseve. Pastaj, në fund, e pyeti xhemaatin, bashkësinë: "A e kryeva kumtesën?" Dhe, pasi mori përgjigjen "po, e kryeve", e kërkoi Zotin për dëshmitar duke thirrur tri herë: "Ji dëshmitar, o Zot!"(40)

Ai e kishte kryer detyrën drejtësisht. Prandaj edhe ishte me ndërgjegjen të qetë, me zemrën të kënaqur dhe përgatitej hap pas hapi të shkonte te Zoti i tij. Por ai në përgjithësi kishte qenë njeriu i vetëkontrollit dhe më i ndjeshmi ndër të ndjeshmit. Për rrjedhojë, të gjithë jetën në një të tillë përgatitje e kishte kaluar duke pyetur vetveten: A munda ta jetoj, vallë, në përshtatje me qëllimin për të cilin më dërgoi Zoti im?

3. SHEMBULL I BUKUR

Një tjetër specifikë që do ta quanim si qëllim të dërgimit të profetëve, është edhe që ata të bëhen një shembull i bukur për bashkësitë e tyre.

Në Kur'an Allahu thotë: "Ishin ata që Allahu i vuri në rrugë të drejtë, prandaj edhe ti përshtatiu atyre!" (Kur'ani, En'am: 90). Duhet të na vërë në mendime fakti që edhe vetë Profetit tonë, pasi i përmenden profetët e kaluar emër për emër, i thuhet që të ecë në rrugën e tyre! Edhe neve kështu na bën zë Kur'ani: "I Dërguari i Allahut është një shembull i bukur për ata që shpresojnë shpërblimin e Allahut në Ditën e Ringjalljes, për ata që e përmendin shpesh Allahun." (Kur'ani, Ahzab: 21)

Profetët janë për ne prijës dhe imamë. Ashtu siç i shkojmë pas imamit në falje, po ashtu veprojmë në përputhje me shembullin e Profetit edhe në çdo fragment të jetës. Sepse për ne, jetën e vërtetë ai dhe profetët e tjerë e kanë përfaqësuar. Ata që e patën përjetuar periudhën e parë të Islamit, e patën ndjekur Profetin milimetër për milimetër. Prandaj edhe ata si dhe pasardhësit e tyre patën pasur fatin të cilësohen si më poshtë nga Profeti i Dy Botëve. Profeti urdhëron e thotë:

"Do të vijë një kohë që një grup njerëzish do të luftojnë dhe atyre do t'u bëhet kjo pyetje:
- A ka midis jush që ta kenë parë të Dërguarin e Allahut?
- Po, - do të përgjigjen dhe pas kësaj atyre do t'u bjerë në pjesë fitorja.
Pastaj një grup tjetër njerëzish do të luftojnë dhe, gjithashtu, atyre do t'u bëhet pyetja:
- A ka midis jush që të ketë parë pasuesit e të Dërguarit të Allahut?
- Po, - do të thonë. Edhe atyre do t'u bjerë në pjesë fitorja.
Pastaj përsëri një pjesë njerëzish do të shkojnë në luftë dhe do të pyeten:
- A ka midis jush që të jetë shok me ata që i kanë parë pasuesit e të Dërguarit të Allahut?
- Po, - do të përgjigjen edhe ata. Pastaj atyre do t'u hapen portat e kalave dhe do t'u bjerë në pjesë fitorja."(41)

Në një hadith, porosi të tijën, Profeti ynë urdhëron: "Më të dobishmit e njerëzve janë ata që kanë jetuar të njëjtën kohë me mua. Pastaj pasardhësit e tyre dhe, më pas, pasardhësit e këtyre të fundit."(42) Me këtë ai kërkon të theksojë vlerën dhe virtytin e periudhave të afërta me periudhën e tij. Sepse njerëzit që patën jetuar në ato periudha, qenë sjellur shumë të ndjeshëm e të kujdesshëm për t'i përngjarë të Dërguarit të Allahut në jetë, në ndjenja e në mendime. Në të vërtetë, dëshira për t'i ngjarë atij njeriu që Allahu kishte zgjedhur si model, si shembull, duhet të përbënte një qëllim dhe ashtu ngjau.

Po, sahabet, pasuesit e Profetit; tabiinët, pasardhësit e pasuesve dhe tebe-i tabiinët, pasardhësit e këtyre të fundit, të gjithë këta, kanë qenë më të ndjeshmit në këtë çështje. Dhe në këtë aspekt, ata janë më të dobishëm se njerëzit që kanë jetuar në shekujt e tjerë. Hz. Mesihu thoshte: "Flamurët ndodhen në duart e shenjtorëve." Me këtë fjalë ai aludonte për bashkësinë e Profetit tonë. Dhe ky ishte një vlerësim i madh. Në një porosi tjetër, i Dërguari i Allahut thotë: "Dijetarët e ummetit tim janë si profetët e të bijve të Izraelit."(43)

Po, në përngjasimin me Profetin ata i ishin afruar një niveli të tillë, pak pas të cilit fillonin kufijtë e profetësisë.

Ja njëri prej këtyre, Omeri, është shembulli më i goditur! Ai e pati pranuar plotësisht Profetin si një prijës dhe udhëzues për vete dhe gjithë jetën ia pati përngjasuar atij. Ishte njeriu i pashoq, trajta e jetesës së të cilit i përngjante plotësisht asaj të Profetit! Megjithëse i qenë hapur kat më kat dyert e Romës e të Bizantit, megjithëse popuj dhe sundimtarë pranonin t'i bëheshin skllevër, në jetesën e tij nuk pati ndodhur as ndryshimi më i vogël. Jerusalemi në kohën e tij ishte triumfuar; ai Jerusalem sot i mërzitur, i brengosur, i robëruar, njollë e zezë në ballin e botës Islame. Megjithëse ishte realizuar praktikisht pushteti ushtarak, priftërinjtë ngulmonin të mos i jepnin çelësat e qytetit duke thënë: "Nuk i japim sepse nuk e shohim midis jush atë fytyrë që duhet t'i marrë çelësat e qytetit..." Kur situata i njoftohet Kalifit Omer, ai niset për udhë. Meqë nuk kishte deve të vetën, merr hua një deve nga prona e familjes profetike dhe, duke u shkëmbyer rregullisht me shërbëtorin, shkojnë në Jerusalem. Për ironi të fatit, kur do të hynin në qytet, radha për të hipur në deve i takon shërbëtorit. Pavarësisht nga këmbëngulja e shërbëtorit, kalifi zbaton radhën, e hip këtë të fundit në deve, merr kapistrën në dorë dhe ashtu hyjnë në qytet...

Ata që e shohin këtë pamje, shkrijnë në çast si qiriu dhe thonë: "Ja, ky është njeriu që përmendet në librat tanë!" Dhe ia dorëzojnë çelësat e qytetit!

Ai Omeri i madh shtrihej i sëmurë nga plagët e hanxharit të një iranasi adhurues të zjarrit. E nxirrte çdo gjë që hante e pinte, s'bënte zë e rrinte indiferent ndaj zërave. Kur shërbëtori vinte për ta pyetur nëse donte të hante a të pinte gjë, ose nuk i jepte përgjigje, ose i përgjigjej negativisht vetëm me vështrim. Kurse kur e lajmëronte me fjalët "O emiri i muslimanëve, është koha e namazit!", i përgjigjej në çast: "Ja, po ngrihem. Kush e lë namazin, s'ka pjesë nga Islami!" Dhe ashtu, me plagë të përgjakura ngrihej e falej.(44)

Vepronte kështu, sepse kështu kishte parë te i Dërguari i Allahut. Do t'i përshtatej atij, do të vepronte si ai, do t'i përngjante atij dhe, kështu, do të bëhej shembull për pasardhësit. Po, njëri prej qëllimeve të dërgimit të profetëve ishte që ata t'i bëheshin shembull bashkësisë së tyre...

4. SIGURIMI I DREJTPESHIMIT BOTE - AMSHIM

Profetët kanë ardhur për të realizuar drejtpeshimin botë - amshim.

Me drejtpeshimin e sjellë prej tyre do të shpëtonte njeriu nga qëndrimet ekstremiste të indiferencës dhe teprimit dhe do të gjente kahjen e duhur. Po, as tërheqje nëpër manastire duke braktisur çdo gjë të kësaj bote siç bëjnë priftërinjtë dhe murgjit, as dhe shtënie me gjithçka duke u bërë skllav i saj, por gjetje e udhës së mesme dhe një jetesë e tillë që, në vetvete, është një meritë që mund të shtihet në dorë vetëm nën ndriçimin e revelacionit hyjnor. Sa për mendjen dhe ndërgjegjen, me këto nuk mund të arrihet një drejtpeshim i tillë. Veçanërisht me shkencat abstrakte nuk mund të ngjitet njeriu në një nivel të tillë.

Kur'ani e karakterizon kështu këtë drejtpeshim: "Dhe me ato që të ka dhënë Allahu, kërko të fitosh botën tjetër pa lënë mangut atë që të takon nga kjo botë. Dhe bëj mirë ashtu siç të ka bërë mirë Allahu ty e mos syno për të këqia, se Allahu nuk i do ata që shkaktojnë të këqia e çrregullime në tokë." (Kur'ani, Kasas: 77)

Në njërën anë të peshores së këtij drejtpeshimi hyjnor ndodhet e vërteta "Me të mirat që të dha Zoti, trego (udhëzo)" (Kur'ani, Duha: 11), kurse në tjetrën anë ndodhet ajeti "...atë ditë do të pyeteni për të gjitha të mirat e kësaj bote" (Kur'ani, Tekathur: 8) me shprehjen e tij paralajmëruese. Ja, brenda këtyre kritereve do të ruhet drejtpeshimi!

Hz. Ebu Bekri e pati shpenzuar tërë pasurinë për Allahun. Sepse besnikëria* këtë e kërkonte. Në kohën e hilafetit të tij, një ditë, i patën dhënë një gotë me ujë të ftohtë, e pati pirë dhe, pastaj, papritmas, pati nisur të qante me ngashërim, aq sa i kishte bërë edhe të tjerët të qanin. Pastaj e patën pyetur për shkakun dhe u qe përgjigjur kështu: "Një ditë kur isha bashkë me të Dërguarin e Allahut, m'u duk sikur shtynte diçka me duar sikur të donte t'i thoshte "Largohu prej meje, qëndro larg meje..." E pyeta: "O i Dërguari i Allahut! Diçka po largon me duar, por unë s'po shoh gjë..." Dhe ai urdhëroi e tha: "Përballë m'u shëmbëllye bota me tërë shkëlqimin e saj duke më kërkuar që ta pranoja, kurse unë i thashë të qëndronte larg meje. Duke u tërhequr tutje për në një breg, po më thoshte: "Edhe nëse ti shpëton prej meje, të betohem se ata që do të vijnë pas teje, nuk do të munden të shpëtojnë nga dora ime!" Edhe unë qava se m'u duk sikur bota më bëri për vete me këtë gotë uji të ftohtë!"

Po, ai dhe të tjerët si ai, megjithëse i kishin mundësitë të bënin një jetë të qetë e të begatë, patën jetuar vazhdimisht një jetë të matur, sepse ashtu kishte jetuar shembulli i tyre, ai Shembulli i Përgjithshëm, ai Udhëzuesi i Përsosur!(45)

5. MBYLLJA E DERES PRETENDIMEVE

Profetët janë dërguar që Ditën e Gjykimit njerëzit të mos kenë asnjë pretendim ndaj Providencës Hyjnore.

Një ajet-argument i Kur'anit e shpjegon kështu këtë specifikë: "Dërguam pejgamberë myzhdedhënës dhe paralajmërues në mënyrë që pas tyre njerëzit të mos kishin pretendime para Allahut. Allahu është Sovran dhe i Gjithëditur!" (Kur'ani, Nisa: 165).

Përjashtuar profetët, liderët e tjerë rregullisht nuk kanë mundur t'i bëjnë masat t'u besojnë. Edhe në qoftë se i kanë bërë, meqë mesazhet dhe propozimet e tyre kanë qenë të mangëta nga mbështetja hyjnore, me asnjë mesazh, me asnjë fjalë dhe me asnjë sjellje nuk kanë mundur ta kapërcejnë njerëzoren dhe mjedisi i tyre me kohë është shpërndarë si gjethet e zverdhura në vjeshtë...

Kurse prijësia e profetëve nuk është e tillë. Ashtu siç thamë edhe më parë, ata janë njerëz të porositur. Ata janë pejgamberë qysh në mitrën amësore. Jetesa e tyre është harmonike si muzikë, po ashtu edhe të folurit e tyre pothuaj si një poezi! Kur flasin ata, qenia e tërë ngreh veshët dhe i dëgjon. Sa e sa ngjarje e dukuri ndërrojnë ecuri me ardhjen e tyre dhe sa e sa ndjesi lidhen pas tyre. Ligjet efektive në gjithësi disa herë për hir të tyre nuk funksionojnë dhe disa herë ndërrojnë funksion me dëshirën e tyre...

Hidhini një shikim Mbretit të Profetëve! Gur, dhe, dru si dhe kafshë të ndryshme secili pothuaj në hesap të vet kanë hyrë në marrëdhënie me të dhe kanë paraqitur një gjendje sikur të vërtetonin profetësinë e Tij. Ashtu siç përmend edhe Busajriu, "Druri vinte me vrap tek ai dhe, me gjuhën e vet të posaçme, i thoshte: "Ti je i Dërguari i Allahut!"(46)

Me ardhjen e tij materja kishte fituar kuptim dhe kishte dalë nga gjendja e të qenit kaos. Me gjuhën e Kur'anit ai thoshte "...nuk ka asnjë send që të mos e madhërojë Atë, por ju s'e kuptoni (sepse s'është në gjuhën tuaj)..." (Kur'ani, Isra: 44) dhe me këtë sikur i frynte shpirt e jetë çdo qenieje.

Çdo gjë që mësuam, ne prej tij e mësuam dhe materja hipi në fronin e urtësisë.(47) Natyrisht që në këtë mes edhe njeriu arriti të kuptojë se s'ishte diçka e kotë e pa ndonjë qëllim!(48)

Çdo pejgamber ka ardhur me një pjesë mrekullish për t'i bërë njerëzit që të besojnë dhe për të mos u dhënë mundësi pretendimeve të atyre që s'besojnë. Kurse më i madhi i pejgamberëve i pati sjellë të gjitha mrekullitë e paraardhësve të tij dhe pati treguar se ishte Shembulli i Përgjithshëm. Po, çdo bashkësi i pa vetë ose dëgjoi për mrekullitë e profetit të vet. Edhe ne kemi dëgjuar për mijëra mrekulli të të Dërguarit të Allahut, ndërsa e kemi parasysh gjithmonë një mrekulli të amshuar si Kur'ani. Pas kësaj, askush nuk ka të drejtë për të kundërshtuar apo pretenduar. Allahu (xh.xh.), të vërtetat që ka dashur t'i besojmë, i ka parashtruar para syve të njerëzve me anë të profetëve të vet në një formë mjaft të hapët e të qartë. Sepse kjo ka qenë edhe një nga qëllimet e dërgimit të tyre. Eshtë edhe një moment veçanërisht i rëndësishëm, thënia e Providencës Hyjnore: "Ne nuk dënuam askënd para se t'i dërgojmë profetin!" (Kur'ani, Isra: ). Kjo do të thotë se, meqë u dërguan profetët, do të ngrihet edhe peshorja dhe secili do të merret nën përgjegjësi pa iu marrë parasysh justifikimet.



(35) Buhari, Megazi, 83; Myslim, Selam, 50, 51; Ebu Davud, Tib, 19; Ibni Maxhe, Tib, 38.
(36) Taberi, Xhamiu'l-Bejan, 24/33 e në vazhd.; Mysned, 1/449.
(37) Buhari, Merda, 19; Myslim, Zikr, 10.
(38) Profetët janë të një mendjeje në parimin kryesor të fesë, unitetin e Zotit. Kurse në hollësirat ndryshojnë se kanë sjellë gjëra të ndryshme. (Buhari, Enbija, 48; Myslim, Fezail, 145).
(39) Ibni Hisham, Sire, 2/60-63; Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/166 e në vazhd.; Buhari, Bedu'l-Halk, 7.
(40) Ibni Maxhe, Menasik, 84; Ebu Davud, Menasik, 56.
(41) Buhari, Fezailu'l-Ahsab, 1; Myslim, Fezailu's-Sahabe, 208-209.
(42) Buhari, Fezailu'l-Ahsab, 1; Myslim, Fezailu's-Sahabe, 212.
(43) Axhluni, Keshfu'l-Hafa, 2/83.
(44) Ibni Said, Tabakat, 3/350; Hejsemi, Mexhmau'z-Zevaid, 1/295.
* Në origjinal: sidkijjet, niveli më i lartë i vërtetësisë, drejtësisë, fjalëmbajtjes, besnikërisë. Ky është edhe parimi themelor i Islamit. Atributi "Sadik", "Besnik" i qe dhënë Hz. Ebu Bekrit, të parit musliman ndër burrat, shokut të pandarë të Profetit (s.a.v.) dhe kalifit të parë në historinë Islame.
(45) Myslim, Eshribe, 140; Ebu Nuajm, Hilje, 1/30.
(46) Shih Myslim, Zyhd, 74; Mysned, 1/223; Ibni Kethir, el-Bidaje, 6/135 e në vazhd.
(47) "...ashtu siç dërguam nga mesi juaj një Përfaqësues t'ju lexojë ajetet tona, t'ju pastrojë e t'ju mësojë librin dhe traditën si dhe atë që nuk e dinit". (Kur'ani, Bakara: 151. Veçanërisht shih Bakara: 129; Al-i Imran: 164; Xhum'a: 2. Nga veprat e tjera, Mysned, 1/202, biseda mes Hz. Xhaferit dhe Nexhashiut).
(48) Sa bukur e shpjegojnë këtë specifikë këto ajete: "A mos pandeh njeriu se do të lihet pa përgjegjësi?" (Kur'ani, Kijame: 36); "A menduat se ju krijuam për lojë dhe zbavitje dhe se nuk do të ktheheni prapë tek Ne?" (Kur'ani, Mu'minun: 115.)
Pin It
  • Publikuar më .
© 2021 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.