Martesa dhe jeta familjare

Martesa dhe jeta familjare

Pyetje: Në ditët tona vihet re se prishja e harmonisë në familje dhe prishjet e martesave janë shtuar. Çfarë këshilloni për vënien e martesave mbi themele të sigurta dhe për ta bërë lumturinë familjare të vazhdueshme dhe të qëndrueshme?

Përgjigje: Në ditët e sotme, sikurse në shumë drejtime, fatkeqësisht, edhe në institucionin e familjes ka një ikje prej vetvetes, një ikje prej vlerave tona. Ndërkohë që në kohët kur gjithçka e jetonim sipas mënyrës sonë, nuk kishim ndonjë problem serioz në këtë çështje. Mirëpo më vonë, ndodhi si ndodhi dhe ne, duke i quajtur “zakone” vlerat që na përkisnin, i hoqëm ato porsi një rrobë e vjetër dhe i hodhëm mënjanë. Pikërisht pas kësaj, sikurse edhe në fusha të tjera, ndodhi që në institucionin e familjes filluan të shfaqen vështirësi serioze.

Pajtimi në bazë të vlerave të përbashkëta

Zotëria ynë, i Dërguari Fisnik (s.a.s.), në një hadith, urdhëron e thotë: “Gruaja martohet prej katër gjërash: prej pasurisë, prej prejardhjes së fisme, prej bukurisë dhe prej besimit fetar; zgjidh besimtaren, që të gjesh prehje.” [277] Kështu, ndër cilësitë e bashkëshortes që do të zgjidhet për martesë, këshillohet që t’i jepet përparësi anës fetare. Në këtë mënyrë, për një besimtar që mendon të martohet, vlera më jetike që ai duhet të marrë parasysh dhe të ruajë si etalon fjalët e vyera e të paçmuara të Profetit. Po kështu, edhe gruaja, kur bën zgjedhjen e bashkëshortit të saj, duhet të marrë parasysh këtë standard që vendoset në këshillën e Zotërisë sonë, të Dërguarit Fisnik (alejhis'salatu ues'selam). Sepse një martesë e lidhur vetëm mbi bazë të statusit e të pozitës shoqërore, të parasë, të rrogës, të bukurisë e të vlerave të tjera të ngjashme të kësaj bote, do të thotë humbje në brezin e fitores. Po, po. Një çerdhe që do të mund të ishte një kopsht prej kopshteve të Xhenetit, nëse ngrihet e mbështetur vetëm mbi vlera të përkohshme e kalimtare, mund të kthehet në një gropë prej gropave të Xhehenemit. Për këtë arsye, mund të thuhet se vijueshmëria e prehjes brenda familjes është e lidhur me një harmoni të plotë mes bashkëshortëve. Pra, për një harmoni të përhershme, para së gjithash ka nevojë për lidhje serioze e vlera të përbashkëta që t’i mbajnë bashkëshortët së bashku përgjithmonë.

Së dyti, lidhja martesore është një institucion që duhet ngritur mbi parime të qëndrueshme si arsyeja, logjika dhe gjykimi i shëndoshë. Për këtë arsye, një njeri që mendon të martohet, krahas mendimit të vet, duhet të marrë edhe mendimin e prindërve dhe të më të mëdhenjve me përvojë tek të cilët ka besim. Përndryshe, nëse njeriu mendon e vepron duke thënë me vete: “Kjo punë ka të bëjë vetëm me mua dhe vetëm unë duhet të interesohem për të”, atëherë mund të bjerë në gabime, korrigjimi i të cilave mund të jetë i vështirë. Në të vërtetë, në një çështje të tillë kaq të rëndësishme, që mund të shërbejë për të siguruar lumturinë në këtë jetë dhe në jetën e amshuar, sa më shumë mendime e këshilla të merren prej njerëzve që kanë më shumë përvojë, aq më i mbështetur është përfundimi në të cilin arrihet.

Njeriu nuk është një qenie e përbërë vetëm prej trupit dhe prej lëndës. Ai ka, gjithashtu, edhe shpirtin, zemrën, ndjenjat, ndërgjegjen, arsyen, gjykimin, idealet dhe pritshmëritë për të ardhmen. Veç kësaj, prej martesës do të lindë një brez. Ndaj edhe një njeri që ndodhet në prcesin e martesës duhet t’i fusë në llogari të gjitha këto dhe të marrë një vendim sipas kësaj.

Prandaj, një njeri që gjenden në procesin e martesës, duhet të vendosë duke marrë parasysh pikërisht këto kritere Maturia është prej të Gjithëmëshirshmit. [278] Zoti i Madhëruar e krijon gjithçka duke i njohur kohë. Edhe kur shpërblen, edhe kur dënon, i jep kohë njeriut. Nga ana tjetër, ngutja është prej shejtanit. [279] Puna e kryer prej ngutjes, në shumë raste na bëhet bela mbi krye. Nga ky këndvështrim, nuk duhet harruar martesa nuk është një punë për t’u kryer me ngut, por për të duhet marrë vendim me arsye të shëndoshë, vetëm pasi të jetë menduar mirë rreth saj.

Njerëzve që më rrethojnë, gjithmonë u kam thënë: Unë, kur përgatitem të bëj një punë, u kushtoj shumë rëndësi mendimeve të njerëzve që më duan e që i dua si sytë e ballit. Sepse në punën që planifikoj të bëj, unë mund ta shoh çështjen nga një këndvështrim i ngushtë, për një çast mund të veproj sipas ndjesive të çastit. Kurse ata njerëz mendojnë për mua më mirë nga sa mendoj unë për veten, ndaj edhe bëjnë për mua një zgjedhje më të sigurt e më të shëndetshme. I njëjti mendim vlen edhe në çështjen e martesës. Sepse duke qenë se martesa përqafon një jetë të tërë, nuk duhet të vendoset për të mbi bazë të ndjesive të çastit; ajo patjetër duhet të mbështetet në një parim logjik. Një jetë të tërë do të jeni bashkë, do të ecni dorë për dore, do të kaloni së bashku një jetë. Teksa jetoni jetën, do të jetoni edhe fenë dhe do t’ua lini atë si trashëgim fëmijëve tuaj. Në një çështje kaq të rëndësishme, unë zgjedh t’i lë pas dore dëshirat e mia vetjake dhe të pranoj vështrimin, pikëpamjen, vlerësimin dhe gjykimin e njerëzve më të mëdhenj, tek të cilët kam besim.

Sa njerëz ka që mund të thonë: “E kam lexuar ilmihalin tri herë”?

Fatekqësisht, sot myslimanët nuk i njohin në masën e duhur Islamin dhe parimet e tij themelore, që rregullojnë jetën tonë. Për më tepër që për ta ndier Islamin në kuptimin e tij të vërtetë, nuk mjaftojnë vetëm njohuritë doktrinare. Feja duhet të bëhet jetë prej jetës dhe duke u jetuar, të kthehet në pjesë të karakterit. Por ja që duke qenë se Islami nuk njihet në thellësinë dhe në gjerësinë e tij dhe nuk jetohet një jetë e mbështetur në të, njerëzit nuk e dinë e as mund ta dinë se ç’vështirësish duhet t’u nënshtrohen në çështjet për të cilat kanë marrë përgjegjësi me vullnetin e tyre. Ta zëmë se në marrëdhëniet brenda familjes, njëri nga bashkëshortët ka një të metë, një dobësi. Kundrejt një problemi të tillë, individi duhet të pyesë veten: “Si mundem unë, vallë, ta largoj këtë të metë dhe me ç’mënyrë mund të çlirohem prej këtij problemi?” E në këtë pikë, duhet të hulumtojë për urdhëresat, këshillat dhe porositë që jep feja. Por në këndvështrimin tim, nuk më duket se për këtë çështje ka ndonjë shtjellim serioz mendimi. Po. Fatkeqësisht, në ditët tona askush nuk mendon me seriozitet që të mësojë fenë e vet. Sa njerëz prej nesh, vallë, ka që mund të dalin e të thonë, “Për të mësuar fenë time, e kam lexuar ilmihalin tri herë”? Sa njerëz ka që të mund të thonë, “Unë i kam lexuar ato çfarë thuhen në lidhje me martesën në veprat “Multeka” dhe “Nimetu’l-Islam””?

Po. Fatkeqësisht, ne nuk i njohim vlerat tona themelore. Si rrjedhim i kësaj, një moral i huaj për vlerat tona ka ardhur e ka shtrirë sundimin në shpirtin tonë. Një herë e një kohë diskutohej në formën: “Nëse hyjmë në Bashkimin Evropian, a prishemi apo jo?” Por ndërkohë që merreshim me këso diskutimesh, ne paskëshim qenë prishur me kohë. Dhe në ditët e sotme, puna erdhi në një pikë të tillë që burra e gra bëjnë një jetë të lëshuar. Shtëpitë janë kthyer në mensa. Nëpër shtëpi, babai është në rolin e rojës, nëna në rolin e kuzhinieres dhe fëmijët në atë të njerëzve që ushqehen në mensë. Natyrisht që në një çerdhe të tillë nuk gjenden vlera shpirtërore si vetëdija e përgjegjësisë, e durimit, e përballimit, e pranimit të njëri-tjetrit, e të sakrifikuarit për njëri-tjetrin, e të jetuarit për njëri-tjetrin, si dhe dashuria, vlerësimi e respekti që lindin prej këtyre. Kur të gjitha këto nuk gjenden, në atë çerdhe nuk ka as prehje të qëndrueshme e të përhershme.

Përshtatja e bashkëshortëve me natyra të ndryshme

Unë, në kohë të shkuara, kam qenë dëshmitar se si burra e gra kanë jetuar si individë e anëtarë familjesh të lidhur fort me çerdhen e tyre familjare. Nëse më lejoni, po ju jap nja dy shembuj: Gjyshi im mund të thuhet se ishte një njeri i rëndë dhe shumë i ashpër. Nuk e kam parë kurrë gjyshin të qeshte. Ishte shumë serioz. Kur dilte nga shtëpia dhe shkonte në xhami, të gjithë druheshin prej hijes së tij të rëndë dhe thoshin: “Po vjen Shamil Agai!” Jetonte një jetë prej asketi. Ndoshta çdo natë falte nga 50-100 rekate namaz. Ndërsa gjyshja ime, ishte një zonjë e butë porsi emri i vet, Munise, që do të thotë e dashur, e ëmbël. Ajo e jetonte jetën me drojën prej Allahut. Një herë të thoshit nga shpirti në prani të saj “Allah!”, lotët e saj i njomnin rrobat. Mirëpo këta dy njerëz, që për nga natyra mund të quhen të ndryshëm, ishin aq të lidhur me njëri-tjetrin, saqë, siç rrëfente ime më, gjyshja lutej gjithmonë: “O Allahu im! Mos më lër as edhe një orë pas këtij burri! Të përgjërohem, unë s’jetoj dot pa të.”

Kur iu afrua vdekja, gjyshja u sëmur. Lëngoi në shtrat për një periudhë prej më se dhjetë muajsh. Edhe në atë gjendje nuk la pa falur as edhe një vakt të namazit. Siç më tregonte nëna, pak para vdekjes, gjyshja kërkoi që t’i sillnin ujë për abdest. Pasi mori abdest, qeshi dhe pastaj iu drejtua gjyshit duke i thënë: “S’paskemi fituar gjë prej dynjasë. Sonte do të na falin xhenazen të dyve.” Gjer atë ditë, gjyshi nuk kishte ndonjë shqetësim për nga shëndeti. Nuk kaloi shumë dhe gjyshja ndërroi jetë. Ndërsa ime më i mbyllte sytë gjyshes, nga dhoma tjetër u dëgjua vajtim. “Gjyshi vdiq!” E pra, mes gjyshit dhe gjyshes sime kishte një harmoni e lidhje të këtillë.

Me lejen tuaj, po ju jap edhe një shembull tjetër: Një ditë, im atë, për shkak të një meseleje, u zemërua me nënën. Në jetën time, ndoshta, veç një herë e kam parë babanë ashtu. Atë çast, gjyshja ndodhej aty. Babai ngrysi vetullat dhe mori qëndrim ndaj nënës. Mirëpo nëna aq shumë i kishte hyrë në zemër vjehrrës së vet, saqë gjyshja ndërhyri e i bëzajti babait: “Ramiz! Në e preksh me dorë, t’i kam bërë haram qumështin e mundin tim!”

Ja pra, kjo është kultura jonë në përgjithësi dhe në këtë kulturë, bashkëshortët janë amanet për njëri-tjetrin. Secila nga palët duhet ta ruajë këtë vetëdije. Ndërsa kjo lidhet me një edukim të shëndoshë. Sot, ky edukim nuk përçohet në rrugë e në shkollë. Për këtë arsye, vërehet se disa prej të rinjve e prej motrave tona e marrin përsipër këtë nismë të rëndësishme pa qenë të vetëdijshëm për pjekurinë që kërkon martesa. Për këtë arsye, unë i varfri prej kohësh kam këmbëngulur që njerëzit të edukohen e të mësojnë duke u pajisur edhe më dëshmi në formë diplome a certifikate për dy çështje. Njëra është haxhi dhe tjetra martesa.

Po, po. Për njerëzit që do të shkojnë në haxh ose që do të martohen, pa u lëshuar një dëshmi që të vërtetojë se “Ky individ mund të shkojë në haxh” apo “Ky individ mund të martohet”, jam i mendimit që atyre s’u duhet lejuar të shkojnë në haxh ose të martohen. Ndoshta ndaj këtij propozimi mund të propozohet e të thuhet se “për nga forma e stili, në fe diçka e tillë nuk ka vend.” Mirëpo duhet ditur se në fe as nuk ka lejim për padijen dhe për të kaluarit e jetës si i paditur.

Fëmijët e mbetur jetimë me prindërit gjallë

Për këtë arsye, dua ta shpreh edhe një herë se një njeri duhet të jetë i pajisur me aftësi së paku në nivelin më minimal që t’i vërë në vend përgjegjësitë dhe detyrat që mbart martesa; nëse nuk është i pajisur kësisoj, atëherë nuk duhet të martohet. Në të kundërt, në institucionin e martesës ndodhin thyerje e krisje që në krye të herës. Sepse struktura, për më tepër, ngrihet mbi një themel që mund të thyhet lehtë. Në përfundim, gjithë ç’ndodh u ndodh fëmijëve dhe ata mbeten në mes të një dyzimi të thellë.

Nëse në një shtëpi ka një nënë dhe një baba që grinden, kjo do të thotë se ata i shpërbëjnë e i konsumojnë vazhdimist vlerat, respektin dhe besueshmërinë e vet në kurthin e zënkave e të përplasjes. Fëmijët, sikurse mësojnë prej nesh jetën, po ashtu mësojnë prej nesh edhe moralin. Gjatë këtyre debateve, fjalët zemërthyese që nxjerrin nga goja sjellin ndikime shumë negative në shpirtrat e fëmijëve. Kundrejt një panorame të tillë, fëmija fillon t’i shohë prindërit si të pavlerë. Si pasojë e kësaj, na shfaqen plot e plot fëmijë me nënë e babë, por që kanë mbetur në mes të një dyzimi të tillë, që i ka bërë t’i humbasin prindërit për së gjalli.

Si hollësi të fundit, po shpreh edhe këtë: Një çështje e rëndësishme si martesa duhet ngritur mbi ato parime e baza të mendimit e të logjikës që feja i ka përcaktuar që në krye. Mirëpo individi, pavarësisht gjithçkaje, në disa çështje mund të gabohet. Atëherë individi duhet të përdorë urtësinë dhe mençurinë, të përpiqet ta zbusë çështjen duke pyetur veten: “Ku bëra gabim, vallë?” Dhe në këtë mënyrë, duhet të gjejë mangësitë e boshllëqet e veta, të përcaktojë pikat e thyerjes dhe më pas, me udhërrëfimin e përvojës së më të mëdhenjve, duhet të përpiqet t’i zgjidhë problemet.

Kur dëgjoj për shqetësimet familjare, veçanërisht për lëndimin që pësojnë gratë, hidhërohem shumë. Në ditët tona, gruaja, për fat të keq, nga njëra anë synohet të kthehet në idhull prej një grupi feministësh dhe për pasojë, kjo e bën atë që të ndeshet me një numër handikapësh në kundërshtim me natyrën e saj. Nga ana tjetër, disa të tjerë sillen rëndë ndaj gruas; i kthejnë paditurinë, zbrazëtinë dhe dobësitë e veta në një mllef e zemërim dhe ia zbrazin asaj. Kjo gjendje më prek aq shumë, saqë duke parë butësinë dhe delikatesën e tyre, më vjen të qaj. Nëna ime, për çdo të shtypur e të dhunuar, thoshte: “E varfra!” Ta keqtrajtosh bashkëshorten, më pas edhe ta kërcënosh! Kjo s’është gjë që mund të pranohet. Askush s’ka të drejtë ta bëjë këtë. Ata që shkaktojnë një mizori të tillë, duhet t’ia kenë frikën Allahut e t’i drejtohen Atij me pendesë, të kërkojnë falje me kryet përdhe. Zotëria ynë, i Dërguari Fisnik (s.a.s.), në “Hutben e Lamtumirës”, për bashkëshortet, urdhëron e thotë: “Ato janë amanet pranë jush.” [280] Dhe çfarëdo lloj fjale e shëmtuar e thënë ndaj tyre, çdo vepër e shëmtuar e kryer ndaj tyre, janë shkelje e amanetit. Ahere njeriu duhet të mendojë drejt, të sillet drejt dhe të mos e shkelë amanetin e Allahut.


[277] Buhari, Nikah 15; Muslim, Rada 53.

[278] Shih: Tirmidhi, Birr 66; Er-Rujani, El-Musned 2/227; Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-kebir 6/122.

[279] Shih: Tirmidhi, Birr 66; Er-Rujani, El-Musned 2/227; Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-kebir 6/122.

[280] Ebu Davud, Menasik 56; Ibn Maxhe, Menasik 84.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.