Mendja kuranore dhe funksionet e saj

Mendja kuranore dhe funksionet e saj

Pyetje: Feja e qartë u drejtohet zotëruesve të mendjes dhe vendos si kusht zotërimin e arsyes për të qenë të përgjegjshëm. [79]Nga ana tjetër, vërehet se konceptet dhe shkollat që e shohin mendjen sikur kjo të ishte gjithçka, përgjatë historisë, janë zvarritur në devijime të ndryshme. Në këtë pikë, si duhet të jetë vështrimi i një besimtari kundrejt mendjes dhe funksioneve të saj?

Përgjigje: Funksionet dhe kufizimet e mendjes janë një çështje që, në botën islame, kanë qenë dhe mbeten objekt mendimesh e diskutimesh të ndryshme që prej së shkuarës e gjer në ditët tona. Për shembull, shkolla mutezile, që e shihte mendjen sikur të ishte gjithçka, i jepte asaj vlerë të tepruar, duke i ngarkuar funksione përtej çdo mase. [80] Po kështu, në ditët tona mund të themi se ka individë dhe shkolla që pranojnë mendime neo-mutezie, që pohojnë se të vërtetat e Islamit mund t’i kuptojnë vetëm ithtarët e mendimit dhe se, po kështu, vetëm këta mund t’i konceptojnë vlerat e vërteta të mendjes. Këta e kanë parë mendjen gjithmonë, krahas shpalljes qiellore, si një burim të dytë që bën pjesë në argumentet hyjnore dhe në këtë mënyrë, i kanë njohur asaj një peshë më të madhe nga ç’i takon.

Nga ana tjetër, Imam Muhasibiu, duke shtuar shprehjen “kuranore”, ka folur për “mendje kuranore” dhe kështu, ka hyrë në rrugën e përcaktimit të disa kufijve për arsyen, çka përbën edhe më thelbësoren për mendjen. Pra, pasi na janë dhënë në dorë disa kritere, mendjes i duhet dhënë mundësia e vlerësimit dhe e interpretimit të tyre dhe kështu, asaj i duhet ngarkuar barra e të çuarit tek e vërteta. Në rast të kundërt, ata që ia lënë mendjes çështje si zbulimi i të vërtetave, mbërritja e së vërtetës së të vërtetave, duke i ngarkuar, kështu, asaj një barrë që ajo nuk e mban dot, atëherë ata nuk bëjnë tjetër pos tradhti, si ndaj mendjes, ashtu edhe ndaj së vërtetës. Sepse mendja edhe nëse mund të vërë në zbatim nga njëra anë disa funksione në vlerësimin e disa çështjeve të jashtme, në paraqitjen e një numri mendimesh pozitiviste, në shtjellimin e disa çështjeve brenda kornizës së natyralizmit, në kuadrin e botës fizike, nga ana tjetër, nuk është e mundur që ajo të shprehet e vetme për çështje që mbartin rëndësi të madhe për botën metafizike të besimtarit, si e vërteta e emrave hyjnorë, e vërteta e atributeve hyjnore, e vërteta hyjnore. Po kështu, në çështje si tjetërsimi dhe shndërrimi i kësaj bote që, përmes ndryshimit, shfaqet para njerëzve me pamje e forma të ndryshme, mendja mbetet e pamjaftueshme për të kuptuar. Sepse në rendin e urdhrave krijues që zotërojnë në gjithësi, pra në rendin e urdhrave të Allahut, për shkak të vazhdimësisë së veprimit me natyrë hyjnore, mendja mund të zhvendoset prej disa gjërave që i di, në disa gjëra që nuk i di. Sikurse në zbatimin e metodës krahasuese në lëmin e ligjshmërisë hyjnore (fikhut), duke ndërtuar analogji mbi ligjësitë ekzistuese, mund të arrijë në përfundime të caktuara. Por gjithsesi, ka një pjesë të vërtetash që nuk është e mundur të trajtohen brenda kritereve të kësaj bote, si rruga që çon te Qenia e Patëmetë, Qenia Supreme, Qenia Absolute (Qenia e Ekzistencës së Domosdoshme). Këto të vërteta nuk është e mundur të shpjegohen vetëm përmes mendjes. Në këto çështje, mendja mund të arrijë vetëm kuptimet abstrakte. Për shembull, njerëz si ungji i Omerit të nderuar (r.a.), Zejd ibni Amri, [81] apo të tjerë që jetuan në kohën mes dy zbulesave hyjnore (fetaret), [82] i besuan Qenies që e krijoi këtë gjithësi, por ata nuk ishin në gjendje t’u jepnin përgjigje pyetjeve si: “Kush është Ajo Qenie; cila është fusha e Providencës së Saj; Si ushtrohet adhurimi ndaj Saj?”

Mendja aktive

Pa dyshim që Islami i ka njohur mendjes, sipas nivelit shpirtëror përkatës, një vlerë të madhe. Në shumë raste, Kurani i Shenjtë i referohet drejtpërdrejt mendjes. [83] Për shembull, në një rast, çështja është cekur me shprehjen [84] , përmes përdorimit të një mënyre që tregon edhe kohë të tashme, edhe të ardhme. Pra, në kontekstin “Në të sotmen e në të nesërmen, a nuk mendojnë, a nuk e përdorin mendjen?”, i është ngarkuar mendjes në funksion dhe kështu, është tërhequr vëmendja në të mbajturit e mendjes vazhdimisht në gjendje aktive. Dhe kjo është shprehje e e rëndësisë që Zoti i jep përdorimit të mendjes.

Një tjetër pikë që tregon vlerën që i është dhënë mendjes, është edhe llogaritja e saj si baza dhe thelbi i përgjegjshmërisë. Kështu, personi që nuk ka mend, [85] që nuk di ç’bën, që nuk është në gjendje të dallojë e të kuptojë atë çka e rrethon, [86] nuk është konsideruar përgjegjës për respektimin e kushteve të fesë. Të gjendurit në pozitën e njeriut të përgjegjshëm është një çelës si për një pjesë të të fshehtave të kësaj jete, ashtu edhe për të hapur dyert e jetës së amshuar. E pra, të gjitha këto janë funksione dhe detyra shumë të rëndësishme që i janë ngarkuar mendjes.

Vija e drejtë

Por në këtë pikë, me daljen në pah të instinkteve e të zemërimit, duhet treguar udha për te forcat e mendjes e të arsyes dhe të siratal-mustekimit apo të rrugës së drejtë. [87] Për shembull, nëse te njeriu nuk gjendet një ndjenjë e zemërimit, e kundërvënies dhe e kryengritjes, atëherë përballë një shkeljeje të truallit të intimitetit, në rast të shfaqjes ditën për diell të dhunimeve e të përdhunimeve, ai nuk do të shpërfaqë asnjë përpjekje njerëzore, fetare e morale. Po, po! Një njeri që e ka lëshuar veten dhe që ka mbetur i zhveshur prej këtyre ndjesive, edhe nëse do të përballet me shfaqjet më boheme përballë syve të vet, thjesht do të bëjë sikur s’shikon e do të shpërfillë gjithçka. Prandaj, ndërsa disa nga njëra anë vrapojnë pas epsheve të unit si fluturat që rendin pas zjarrit, nga ana tjetër, të tjerë njerëz, duke ndenjur të heshtur përballë kësaj tabloje, bien në gjendjen e një djalli gojëkyçur. Nga ky këndvështrim, edhe forca e zemërimit ka një vend të caktuar në kuadrin e ligjeve që ka përcaktuar Allahu i madhëruar. Në daçi, këtij mund t’i thoni edhe “zemërim kuranor”. Kështu, Zoti i Gjithëfuqishëm në Kuranin e Shenjtë urdhëron e thotë: “Allahu është zemëruar me ta, i ka mallkuar e u ka përgatitur Xhehenemin. Sa vend i keq që është ai!” [88] Me këtë rast, Ai është shprehur duke pohuar të jetë zemëruar (duke bërë atë çka kërkon zemërimi). Nga ky këndvështrim, mund të themi se përballë mizorisë, dhunës e padrejtësive, ndjenja e zemërimit te njeriu është pa dyshim e nevojshme në kuptimin e respektimit të një vullneti.

E pra, një njeri që zotëron atë ndjenjë të zemërimit të fuqishëm brenda kornizës së asaj çka është pranuar prej Kuranit, di të ngrejë krye aty ku duhet ngritur krye; di të mos përkulet aty ku duhet ndenjur kryelartë; shprehet e flet aty ku duhet folur dhe nuk tregon kurrsesi mangësi në respektin ndaj vlerave. Të gjitha këto janë hollësi që duhen mbajtur parasysh në çështjen e zemërimit. Ndërsa një njeri që e lëshon veten dhe nuk tregon kujdes ndaj këtyre përmasave, nuk ka ndryshim prej një të vdekuri. Prandaj edhe Bediuzaman Said Nursiu thoshte: “O ju fatkeqë, varre lëvizëse me dy këmbë, braktisës të Islamit që i jep vlerë shpirtit të të dy jetëve! Mos rrini në derë të brezit që po vjen. Ju pret varri, largohuni. Ashtu që të vijë ai brez i ri që ta shpalosë e ta valëvisë në univers Islamin e vërtetë!” [89] Kështu, njerëzit e përmendur më sipër, ai i sheh si të vdekur. Po, po! Njerëzit që nuk ngrenë krye aty ku duhet ngritur krye, që as edhe në kuadrin e mendimit nuk japin shenja gjallërie, që nuk përgjigjen e nuk reagojnë ndaj kurrgjëje, nuk ka ndonjë dallim nëse ekzistojnë apo jo. Edhe i ndjeri Mehmet Akifi, gjendjen e këtyre njerëzve që e lëshojnë veten dhe bien në një mediokritet të tillë të frikshëm, e ka përmendur përmes këtyre vargjeve:

“ O xhenaze e gjallë, ‘dy duar për një kokë.’

Tundu... Duar e kokë janë tuat!

Pa ndjenjë, pa jetë e dhimbë... a meit je?

Krejt po më habit... Ti s’ishe kësodore.

Pse s’e ke më vullnet të çlirimit, nuk e di.

A ti vetë, a shpresa jote nuk ësht burrnore?”

Por ashtu sikurse rënia nën nivelin e nervit e të zemërimit të drejtë ka pasoja, edhe teprimi me zemërimin ka ndërlikimet e koklavitjet e veta. Të pushtuarit e menjëhershëm e i papritur prej zemërimit, të vepruarit përmes ndjesish duke shpërfillur urdhërat e fesë dhe arsyen e shëndoshë, përbën kapërcimin e masës dhe teprimin me zemërimin. Për shembull, në ditët tona, lëshimi i bombave të gjalla mbi njerëzit e pafajshëm është pasojë e teprimit në ndjenjat e zemërimit. Ndërkohë që në fenë tonë, kundërvënia ndaj dhunës dhe padrejtësive, lufta kundër tyre, kanë rregullat dhe ligjësitë e veta të përcaktuara. Mirëpo ja që shihni se një individ i çfarëdoshëm ngrihet dhe me lehtësi të madhe mund të shpallë edhe luftë. Natyrisht që pas tij, shpërthen një egërsi e mizori e tillë, që përballë asaj tabloje zemrat na lotojnë gjak, ndërsa fytyra e ndritur e Islamit nxihet. E pra, këto ndërlikime që i shohim me kaq hidhërim, janë shfaqur si pasojë e teprimit me ndjenjën e zemërimit. Përballë kësaj tabloje të dhimbshme, detyrë jona duhet duhet të jetë që të mundohemi sa më shumë dhe të bëjmë të gjitha përpjekjet, që feja jonë të njihet e të dihet me identitetin e saj të vërtetë. Po, po! Është detyrë e çdo besimtari që t’u shpjegojë njerëzve të drejtën, që t’u thotë “Islami nuk është ky!”, që në fenë tonë nuk ka vend kurrsesi asnjë koncept si lëshimi i bombave të gjalla për të masakruar njerëzit e pafajshëm.

Nga ana tjetër, edhe forca e epshit është një tjetër ndjesi e rëndësishme që gjendet te njeriu. Sikurse Allahu (xh.xh.) e pohon në Kuranin Fisnik këtë të vërtetë, [90] ashtu edhe Suneti i Pastër e përforcon atë. Për këtë arsye, shpërfillja e plotë e kësaj ndjesie do të thotë impotencë dhe shterpësi, kështu që një qasje e tillë është në kundërshtim me Kuranin dhe me Sunetin, sepse Zotëria ynë, Profeti (alejhis’salatu ues’selam) urdhëron e thotë kështu: “Martohuni, shumohuni, sepse unë, në ditën e gjykimit, do të krenohem me numrin tuaj të madh.” [91] Ndaj edhe është shumë e rëndësishme që të mos mbyllet dera që ka hapur Kurani dhe çështja të vlerësohet brenda disiplinave të trashëguara prej Kuranit. Në daçi, kësaj mund t’i thoni edhe “epsh kuranor”. Në të vërtetë, Imam Muhasibiu, që ka përdorur shprehjen “mendje kuranore”, për këto forca nuk ka thënë asgjë. Megjithatë, përdorimi i shprehjeve si “zemërim kuranor”, “epsh kuranor” apo edhe “ambicie kuranore”, “konkurrim kuranor”, nuk duhet të përbëjë kurrfarë shqetësimi. Kështu, Bediuzaman Said Nursiu, në lidhje me secilën prej ndjenjave që gjenden te njeriu, bën fjalë për një “gajetu’l-gajat” (pikësynim të pikësynimeve). [92] E pra, çështja thelbësore është që këto ndjenja, të vendosra në natyrën e njeriut, të mund të orientohen drejt qëllimeve të fundme. Për shembull, te njeriu ka një dëshirë për të jetuar në përjetësi dhe një ndjenjë të dëshirës së pambarim. Ndërsa vendi ku duhen orientuar, në të vërtetë, këto ndjenja është bota e ahiretit. Sepse kjo botë ku jetojmë është e kufizuar. Kush vjen, shkon, kush mbërrin, ikën. Nga ky këndvështrim, që dëshira e përjetësisë të gjejë përmbushje në një botë kalimtare, nuk është e mundur. E pra, edhe mendja duhet trajtuar brenda kësaj kategorie dhe pa rënë as në nënvlerësim e as në mbivlerësim, duhet nxjerrë në pah ana e saj kuranore. Përtej kësaj, mendjes nuk i duhet ngarkuar një barrë e përgjegjësi që i zë frymën e s’e mban dot.

Funksionet e mendjes dhe urtësia

Po ashtu, produktet dhe funksionet e tjera të mendjes, të trajtuara në ajetet e ndryshme të Kuranit të Shenjtë, si përkujtimi (tedhek’kur), [93] mendimi (tefek’kur) [94] dhe thellimi (tedeb’bur), [95] duhen përdorur, gjithashtu, mirë dhe me efikasitet. Për shembull, të ushtrosh thellimin në çështje të ndryshme, do të thotë që të bësh veprimet e ecejakeve mes nisjes dhe fundit apo shkakut dhe pasojës së diçkaje, të prekësh ingranazhin e nisjes dhe kështu, të mbërrish në një rezultat, e kësodore të fitosh një produkt. Pra, të thellohesh do të thotë që të shohësh kreun dhe fundin e diçkaje, më pas të ndërtosh lidhje mes kreut e fundit dhe sipas kësaj, të mund të nxjerrësh një punim dantelle. Në këtë aspekt, kjo përbën një funksion të rëndësishëm të mendjes. E pra, këto aspekte dytësore kanë të tilla thellësi e përmasa të ndryshme, që jo vetëm nuk bien në kundërshtim me konceptin e nënshtrimit ndaj Zotit në fenë tonë, por përbëjnë edhe një urdhëresë të kësaj feje.

Po, po! Kurani i jep vlerë mendjes. Pa të, nuk ka përgjegjshmëri. Pa pasur mendjen, nuk mund të bëhet fjalë për përkujtim, për mendim e për thellim. Hapësirat e lira për gjykim të lirë (ixhtihad) e për deduktim (istinbat) mund të plotësohen vetëm nëpërmjet mendjes. Por nëse i njihni mendjes një vendndodhje mbi të gjitha këto, atëherë nuk bëni tjetër, veçse bini në pozita qesharake. Teksa dyzet herë në ditë, në namazet tona përsërisim fjalët “Na udhëzo ne në rrugën e drejtë, në rrugën që mbërrin tek Ti.” [96] , i lutemi Zotit të Madhëruar që të urdhërojë e të na udhëzojë në rrugën e kthjelltësisë e të drejtësisë, duke përfshirë këtu edhe shpëtimin prej rënies në teprim, qoftë në drejtim të mbivlerësimit, qoftë të nënvlerësimit në çështjen e mendjes. Sepse mendja, që ndodhet në pozitën e një mjeti për arritjen e Zotit dhe të së Vërtetës, sikurse mund të përdoret në çështje pozitive si mendimi, përkujtimi e thellimi, mund të shfrytëzohet edhe për demagogji e dialektikë. Nëse dikush thotë diçka, përpjekja për t’i mbyllur sakaq gojën, për t’ia zënë fjalën në grykë, për t’i vënë zinxhir në gojë e për t’i prerë fjalën, është gjithashtu teprim me aftësitë e mendjes. Ndërsa ajo që duhet bërë është që, duke qëndruar të lidhur fuqishëm me frymën kuranore, me respektin e duhur ndaj njeriut, të dimë të ndalemi në vendin ku duhet ndalur. Nëse dikush që ia ngul sytë një ofiqi a posti, që rend pas përfitimit të një pozite të lartë ose që përpiqet të ruajë atë që ka shtënë në dorë, përdor ndaj kundërshtarit të vet një arsenal dialektik fjalësh që mbartin demagogji, kjo është rrjedhojë e shfrytëzimit të tepruar e të skajshëm të mendjes.

Keqpërdorimi i mendjes, përdorimi i saj në gjëra negative dhe rënia në teprim, nënkupton zhveshje të mendjes nga prodhimtaria. Ndërkohë që një orë mendim e meditim, për besimtarin është në vlerën e një viti adhurim ndaj Allahut. [97] Ndaj edhe mendimi është bërë njëri prej dy objektivave që i paraqiten besimtarit. Pra, nëse në heshtjen e tij ka thellim, përkujtim e meditim, në të folurit e tij ka urtësi. Urtësi do të thotë të vihet në dukje e vërteta për sendet dhe pas sendeve. Në fund të fundit, një njeri që në heshtjen e vet nuk ka thellim, përkujtim e meditim, që nuk i lidh siç duhet sendet dhe ngjarjet, nuk e lexon siç duhet kohën në të cilën jeton, pra, që nuk zotëron një proces sistematik dhe të disiplinuar të të menduarit, nuk është e mundur që të shpërfaqë diçka në emër të urtësisë. Nga ky këndvështrim, mendimet, thellimet, përkujtimet, meditimet, janë të pazëvendësueshme në çështjen e gjetjes së të vërtetës, të arritjes së interpretimeve të drejta dhe, në njëfarë mënyre, të të qenit në krye të ideve të kohës. Edhe njerëzit e mëdhenj, gjithmonë e kanë jetën e tyre sipas këtij koncepti, sepse ata, para se të flisnin një herë, mendoheshin dhjetë herë. Dhe kështu, Zoti i Madhëruar i ka lartësuar ata me urtësinë. Po, po! Ai urdhëron e thotë: “Nëse një njeriu i është dhënë urtësia, pra, nëse është në gjendje të lexojë të vërtetat përtej natyrës, nëse mund t’i ndërthurë sendet dhe ngjarjet, nëse mund të gjejë rrugët e të ecë kah e vërteta e së të vërtetave, atëherë kjo do të thotë se atij njeriu i është dhuruar një mirësi shumë e rëndësishme.” [98]


[79] Shih: Buhari, Hudud 22; Ebu Davud, Hudud 17; Ibn Maxhe, Talak 15.

[80] El-Xhuvejni, Et-Telhis 1/157-158, 3/471-472; El-Gazzali, El-Mustasfa f. 45.

[81] Buhari, Menakib 24; En-Nesai, Es-Sunenu’l-kubra 5/54; El-Bezzar, El-Musned 4/165.

[82] Për shembull, Uaraka ibni Neufeli është një ndër ta. Shih: Buhari, Bed’u’l-Vahj 3, Tefsiru sure (96) 1, Tabir 1; Muslim, Iman 252.

[83] Shih: Bekare, 2/44, 73, 76, 242; Ali Imran, 3/65, 118; En’am, 6/32, 151…

[84] Ja Sin, 36/68.

[85] Shih: Buhari, Hudud 22; Ebu Davud, Hudud 17; Ibn Maxhe, Talak 15.

[86] Shih: Tirmidhi, Hudud 1; Ebu Davud, Hudud 17; Darimi, Hudud 1.

[87] Shih: Bediüzzaman, Shenjat e mrekullisë f. 21-22.

[88] Fet’h, 48/6.

[89] Bediüzzaman, Jetëshkrimi f. 82 (Fillimet e jetës).

[90] Shih: Nisa, 4/3, 25.

[91] Abdurrezzak, El-Musannef 6/173; El-Bejhaki, Ma’rifetu’s-suneni ve’l-asar 5/220.

[92] Shih: Bediüzzaman, Hutbeja e Damaskut f. 181; Letrat f. 253-254 (Letra e Njëzetë, Parathënie).

[93] Shih: En’am, 6/80; Ra’d, 13/19; Ta Ha, 20/44; Sexhde, 32/4…

[94] Shih: Bekare, 2/219, 266; En’am, 6/50; Sebe, 34/46; Hashr, 59/21…

[95] Shih: Nisa, 4/82; Muhammed, 47/24.

[96] “Na udhëzo ne në rrugën e drejtë, në rrugën që mbërrin tek Ti.” (Fatiha, 1/6)

[97] Shih: El-Gazzali, Ihyau ulumi’d-din 4/423; El-Kurtubi, El-Xhami’ li ahkami’l-Kur’an 4/314.

[98] Bekare, 2/269.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.