Sjellje të ndryshme kundrejt mundësive tokësore

Sjellje të ndryshme kundrejt mundësive tokësore

Pyetje: Mes njerëzve me mundësi të njëjta, që punojnë në një institucion apo në një firmë, ka nga ata që përpiqen t’i shërbejnë besimit me pasurinë e me shpirtin e tyre dhe në këtë kuadër, mundohen të vënë pasuri, të fitojnë të ardhura, truall, shtëpi. Këto investime vetjake mund të vënë në mendime njerëzit që nuk kanë pasur apo nuk kanë mundur të kenë fitime të ngjashme. Cilat janë hollësitë në të cilat duhet bërë kujdes për të mos lejuar cenimin e vëllazërisë prej paragjykimesh e mendimesh të këqija?

Përgjigje: Para së gjithash, duhet pranuar se natyra dhe karakteri i ndryshëm i gjithsecilit është një realitet. Po. Gjatë historisë së njerëzimit, ajo larmi e shumëllojshmëri që shpreh pyetja e ngritur, përbën një dukuri që lexohet në natyrën e në tiparet e e njerëzve, si dhe në jetën e tyre. Madje edhe mes njerëzve që kanë qenë më afër profetëve, në çështjen e pronës, të mallit e të pasurisë ka pasur njerëz në gjendje të ndryshme. Dikush e kalon gjithë jetën në asketizëm dhe nuk bën gjë prej gjëje për të vënë pasuri në këtë botë; dikush tjetër, mundësitë e krijuara prej Allahut (xh.xh.) i shfrytëzon në rrugë të Tij dhe kështu, ka siguruar Xhenetin; ndërsa një pjesë fatkeqësi, duke u dhënë e spitulluar pas mallit e pasurisë, janë bërë mendjemëdhenj e kanë përfunduar në humbje e rrënim. Për shembull, sikurse pranë Zotërisë sonë, Musait (a.s.), gjendej një hero i ri si Jusha ibn Nuni, shembullor në bujari, ka edhe njerëz si Karuni që, siç kuptohet nga shprehja: “Karuni, ishte prej fisit të Musait”, [224] gëzonte fatin e të gjendurit pranë Musait (a.s.), por që gjithsesi nuk ia dha dot hakun kësaj pozite, dhe përfunimi i të tillëve janë rrëzimi e rrënimi.

Karuni dhe samirinjtë, që nga rrethi i afërt u flakën larg

Musai (a.s.) është një ndër profetët e mëdhenj e të lartësuar. [225] Ai është nderuar me cilësimin Kelimullah” (njeriu, me të cilin ka folur Allahu). [226] Zoti i Madhëruar, kur dërgoi Musain (a.s.) për te Faraoni, e shoqëroi atë edhe me një gojëtar si Haruni (a.s.), që ishte në gjendje t’i magjepste njerëzit me fjalën e vet, dhe kështu, duke ia shndërruar ndjesitë thuajse në një gjendje korale, i krijoi mundësinë që t’u japë zë më së miri ndjenjave. [227] Mirëpo ja që edhe prej fisit të një profeti të madh si Musai (a.s.) dolën Karunë [228] dhe samirinj. [229] Kush e di, në fisin e tij, veç këtyre, mund të ketë pasur sa e sa njerëz që, edhe pse kanë jetuar në brezin e të fituarve, kanë dalë të humbur. Sepse brenda asaj shoqërie, ka njerëz të tillë që, pasi kaluan detin bashkë me të nderuarin Musa, ishin në gjendje të thoshin: “Na bëni edhe neve një hyjni që ta adhurojmë.” [230] Pra, edhe menjëherë pas mrekullive të jashtëzakonshme si çarja e detit në mes dhe mbytja në të e ushtrisë së Faraonit, mrekulli që trokasin në portën e mendjes dhe i mundësojnë njeriut të takohet me besimin, kishte në atë mes njerëz që, sapo hasën në dikë që i falej një idhulli, kërkuan edhe ata një idhull që ta adhuronin. [231]

Edhe kur shqyrtojmë kohën e Zotërisë sonë, të Dërguarit Fisnik (s.a.s.), vërejmë natyra e karaktere të ndryshme. Për shembull, pranë Krenarisë së Njerëzimit (s.a.s.), kishte personalitete si Ebu Bekri (r.a.) që e ngriti e çoi përpara flamurin e çështjes së Islamit; si Omeri (r.a.), që qëndronte një hap pas Ebu Bekrit të nderuar, por që mund të thuhet se nuk mbetej pas tij dhe që, për nga veprat e kryera, kalëronte kokë më kokë me të. Kështu, Kreu i Dashur i Krijimit (alejhi elfu elfi salatin ue selam), në një hadith, duke tërhequr vëmendjen te vlerat e mëdha të këtyre sahabëve, urdhëron e thotë kështu: “Në të vërtetë, prej tokësorëve unë kam dy mëkëmbës dhe prej qiellorëve kam, gjithashtu, dy mëkëmbës. Dy mëkëmbësit e mi prej tokësorëve janë Ebu Bekri (radijallahu anh) dhe Omeri (radijallahu anh), ndërsa dy mëkëmbësit e mi prej qiellorëve janë Xhibrili (alejhis'selam) dhe Mikaili (alejhis'selam).” [232] Mirëpo pranë këtyre njerëzve, që rendin kokë më kokë me Xhibrilin dhe Mikailin, shihni edhe njerëz që janë trazuar në ngjarjet e braktisjes së fesë. Për shembull, një ditë, një sahab që erdhi pranë Omerit të nderuar (r.a.), e gjeti atë duke qarë. Kur pyeti për arsyen, mësoi se ai kishte humbur në luftë të vëllanë, Zehdin, i cili kishte rënë dëshmor. Atëherë ai i tha Omerit të nderuar: “O i Besuari i besimtarëve! Yt vëlla ra dëshmor në rrugë të Allahut. Kurse im vëlla ishte në ushtrinë e Musejlemes. Ti hesht e të qaj unë!” [233] Prandaj, duke qenë se edhe në atë periudhë janë përjetuar zikzake të tilla, para së gjithash, kjo gjendje duhet pranuar si një realitet. Po, po. Siç ndodhte në ato ditë, edhe sot, mes një bashkësie që i shërben fesë mund të dalin njerëz që sillen gabim. Për shembull, dikush hiqet sikur po rend në shërbim të kombit, por në të vërtetë bën një numër llogarish të brendshme dhe ushqehen shpresa të tjera. Ai individ, duke u gjendur brenda një lëvizjeje të tillë, mund të shkojë pas disa qëllimesh të kësaj bote. Por nëse nuk ka ndonjë anë negative që ta shfaqë për së jashtmi, duke qenë se ne nuk jemi në gjendje ta njohim botën e tij të brendshme, nuk mund të mendojmë keq për të e ta paragjykojmë. Nëse kemi gjë në dorë, mund të përpiqemi që atë njeri që ka devijuar e ka rënë në të shtrembrën, duke marrë parasysh edhe ndjenjat e tij të brendshme, ta shpëtojmë nga bataku në të cilin është zhytur.

Përfitimet tokësore brenda kornizës së të lejuarës

Një tjetër anë e çështjes është edhe kjo: disa jepen vërtet me mish e me shpirt pas shërbimit ndaj fesë. Por njëkohësisht, i kuptojnë shumë mirë edhe punët e kësaj bote. Po. Disa njerëz, pa e lënë pas dore shërbimin dhe krahas rendjes plot zell në rrugë të Allahut, mund të jenë të pajisur edhe me aftësi për t’u marrë siç duhet me punët e kësaj bote. Për shembull, në kohën e Shekullit të Lumturisë, Zoti i Madhëruar i zbriti porsi shi i begatë mundësitë e të mirat tokësore mbi personalitete madhështore si zotërinjtë tanë sahabë Abdurrahman ibni Aufi dhe Osmani (radijallahu anhuma). Në përfundim, edhe ata u bënë njerëz të kamur e plot pasuri.

E njëjta gjendje është jetuar e do të jetohet edhe në periudhat e mëpasme. Në këtë pikë, çështja që nuk duhet harruar është që këta njerëz, në zotërim të mundësive e të pasurive të shumta, me sukseset e tyre, me mendimet e qëllimet e tyre të brendshme, do të dalin para Allahut. Nga ky këndvështrim, kundrejt këtyre gjendjeve, mendimi i besimtarit duhet të jetë ky: “Me sa kemi parë e me sa dimë, këta vëllezër, kur i kanë hyrë kësaj rruge, nuk kanë pasur ndonjë mendim a pritshmëri egoiste. Përkundrazi, kanë qenë njerëz të mençur e të aftë. Duket se ata i hynë një sipërmarrjeje dhe Allahu (xh.xh.) ua mundësoi atyre këto mirësi.”

Duke lexuar në tekstet e historisë islame, vërejmë se Osmani i nderuar (r.a.) ka dhuruar 500 deve bashkë me ngarkesën. [234] Secila prej këtyre deveve mjafton për të vënë në dukje shkallën e lartë të përsosmërisë njerëzore të një njeriu si Osmani (r.a.). Por në të njëjtën kohë, mësojmë edhe se si ai flinte mbi truall ranor në Xhaminë e Profetit, se si i Dërguari i Allahut (alejshis'salatu ues'selam) shtrihej të pushonte e të flinte mbi hasër. [235] E pra, kur e vështrojmë në tërësi jetën e zotërisë sonë, Osmanit (r.a.), shihet qartë se pavarësisht gjithë atyre mundësive e pasurive të mëdha, ai zgjidhte të bënte një jetë të thjeshtë e pa kurrfarë luksi, ndërsa ato mundësi që kishte, i përdorte në rrugë të Allahut, pa rënë kurrsesi në shpërdorim.

Por për nevoja të jetës njerëzore, edhe mes njerëzve që i janë kushtuar shërbimit ndaj së vërtetës, mund të dalin disa që kanë dëshirë të përfitojnë prej disa mundësive tokësore. Sikurse në rastin e asaj shmangieje të pjesshme që u vërejt gjatë luftës së Uhudit, kjo është si të thuash: “Meqë të tjerët po përfitojnë plaçkë lufte, të shkojmë të marrim edhe ne!” [236] Por nga ana tjetër, pati disa njerëz si Amr ibnu’l-Asi, që kur do t’u jepej plaçkë lufte, do të thoshin: “O i Dërguar i Allahut! Unë nuk u bëra mysliman për plaçkë!” [237] Në të njëjtën mënyrë, kur Krenaria e Njerëzimit (alejhis'salatu ues'selam) deshi t’i japë një sahabi që nuk ia dimë emrin pjesën e vet prej plaçkës së luftës, ai burrë i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë këtë nuk mund ta pranoj. Unë u bëra mysliman që të më godasë një heshtë këtu (dhe tregoi grykën) e të bie dëshmor.” E në fund, siç dëshiroi, ra dëshmor, duke rendur drejt përjetësisë. [238] E pra, ka sa e sa heronj të tillë.

Edhe rreth aureolës së Krenarisë së Njerëzimit, i cili përfaqësonte Islamin në thelbin e vet dhe me ngjyrimin e tij shpirtëror rrëzëllente mbi këdo e i linte pas madje edhe engjëjt, kishte njerëz që nga pikëpamja materiale ishin në gjendje të ndryshme krahasuar me njëri-tjetrin dhe është normale që të tilla ngjarje të përjetohen edhe sot. Për shembull, dalin disa njerëz që ia kushtojnë krejt qenien e tyre shërbimit ndaj fesë, dhe një jetë të tërë as që u shkon mendja të vënë pasuri. Mirësitë që i vijnë në njërën dorë, ata i dhurojnë me dorën tjetër dhe e kalojnë jetën gjithnjë me të njëjtin asketizëm. Pra, krahas kësaj, ka edhe disa që, përveç kryerjes së detyrës që u bie mbi shpatulla, nuk ngurrojnë edhe të fitojnë brenda kornizës së të lejuarës. E pra, këtu është e rëndësishme që të mjaftohen me të lejueshmen, të mos dalin prej kufirit të saj as edhe me një gjysmë hapi, të mos bien në spekulime dhe njëkohësisht, ato që fitojnë t’i përdorin në rrugë të së Vërtetës, si dhe të mundësojnë që edhe të tjerët të kenë dobi e të përfitojnë prej tyre.

Rreziku i vërtetë është njollosja e nijetit

Këtu dua të tërheq vëmendjen edhe te një çështje e veçantë: Vendi i njerëzve besimtarë, që atë çka besojnë duan t’ua përçojnë edhe zemrave të të tjerëve, duhet të jetë në një nivel ekonomik për t’u pasur zili, madje duhet të kthehet në një vend, në të cilin, në njëfarë mënyre, të gjithë të vrapojnë për të investuar. Sepse këto përbëjnë një argument shumë të rëndësishëm në shpjegimin e Islamit. Nëse të tjerët ju shohin të dobët e të vegjël në fushat e shkencës e të ekonomisë, nëse ju vlerësojnë si njerëz që i shtrini dorën botës e që qaheni në derë të FMN-së e të Bankës Botërore, mos harroni se ata edhe fenë tuaj do ta shohin me po këtë sy. Nga ky këndvështrim, për mendimin tim, pjesëtarët e një feje të lartë duhet të jenë të lartë e në epërsi në çdo fushë. Nëse edhe çështjen e të fituarit të pasurisë e shohim me këtë sy, atëherë besoj se bëhet e qartë që ajo nuk është diçka për t’u hedhur poshtë.

Po. Në të fituarit e pasurisë, ajo çka është e rrezikshme është njollosja e nijetit dhe përzierja në të e disa llogarive të brendshme. Nëse dikush vepron me mendimin, “Vallë ç'mund të kap prej kësaj lëvizjeje, nëse bëhem pjesë e saj?” dhe nëse do të gjendet prapa në shërbim dhe përpara në shpërblim, atëherë ekziston shqetësimi që ai të gjendet në një dyfytyrësi e hipokrizi. Ndërkohë, në lidhje me këtë çështje, duhet marrë për bazë standardi i vendosur prej Bediuzaman Said Nursiut, sipas të cilit duhet të gjendemi përpara në shërbim dhe prapa në shpërblim. [239] Po, po. Një njeri që ka besuar, edhe duke marrë parasysh çmimin e humbjes së jetës e të pasurisë, duhet të rendë përpara në shërbime, ndërsa kur të vijë puna te pagesa e shpërblimi, duhet të tërhiqet prapa, sa më prapa, duke mos hyrë në kurrfarë pritshmërie për mundimin dhe përpjekjen e vet. Zoti i Madhëruar, kundrejt një qëndrimi të tillë, e shpreh kënaqësinë dhe dashamirësinë e Vet duke mundësuar prej mirësisë së Tij hyjnore një bekim e bereqet të tillë, që si shpërblim në jetën e përjetshme, individi në fjalë të mund të gjendet, ndoshta, gju më gju e në një sofër me Zotërinë tonë, Nderin e Gjithësisë (alejhi salauatullahi ue selamuh), apo me Kalifët e Drejtë. Për mendimin tim, sikur gjithçka të bëhet për të përfituar prej një fati të tillë të bardhë, ia vlen.

Për një fat të tillë të bukur, jam i mendimit se duhet të përballemi shpesh me nijetet tona e me botën tonë të brendshme, t’i shqyrtojmë të gjitha këto e të kontrollojmë vetveten. Po, po. Që prej të kënduarit të ezanit e deri tek recitimi i ikametit, që prej të drejtuarit e namazit e deri te thirrja për të vërtetën, në çdo çështje, nuk duhet të heqim kurrsesi nga mendja hetimin e vetvetes me pyetjen e brendshme: “Vallë, a mos egoja ime po përfiton diçka këtu? A mos po i ndaj vetes diç prej plaçkës?” Sepse ne, në punët e mira, sa më shumë që ta mbajmë jashtë vetveten, aq më shumë bëhemi pjesë e atyre punëve. Por sa më shumë që të marrim e të përfitojmë në brendi të atyre punëve, edhe e vërteta e sinqeriteti mbeten aq më shumë jashtë tyre.

Në këtë çështje, ruajtja e drejtpeshimit është që njeriu të rehabilitojë vazhdimisht vetveten, të këshillohet paprerë për çështjet fetare, të përpiqet që të mbajë mbi shpatulla përgjegjësinë ndaj një shoqërie a një bashkësie dhe ta vërë në jetë me frymë të përkushtimit e të këmbënguljes detyrimin ndaj asaj përgjegjësie. Zoti ynë na bëftë prej atyre që e kalojnë jetën në këtë linjë!


[224] Kasas, 28/76.

[225] Shih: Ahzab, 33/7; Shuura, 42/13; Ahkaf, 46/35.

[226] Shih: Buhari, Teuhid 36; Muslim. Iman 322.

[227] Taha, 20/42-43; Shuara, 26/15-16.

[228] Shih: Kasas, 28/76.

[229] Shih: Taha, 20/95-97.

[230] Shih: Isra, 17/138.

[231] Shih: Bekare, 2/50; Araf, 7/137; Junus, 10/90.

[232] Tirmidhi, Menakib 16; el-Hâkim, El-Mustedrek 2/290.

[233] Ibn Sa’d, Et-Tabakatu’l-kubra 3/377-378.

[234] Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-kebir 18/231; İbn Asâkir, Tarihu Dimashk 39/63.

[235] Shih: Buhari, Tefsiru sure (66) 2; Muslim, Talak 31.

[236] Shih: Buhari, Xhihad 164; Ebu Davud, Xhihad 116; Ahmed ibn Hanbel, El-Musned 4/293.

[237] Ahmed ibn Hanbel, El-Musned 4/197, 202; Ibn ebi Shejbe, El-Musannef 4/467; Ebu Ja’la, El-Musned 13/321.

[238] Nesai, Xhenaiz 61; Abdur'rezzak, El-Musannef 7/271; Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-kebir 2/271.

[239] Shih: Bediuzaman, Fjalët f. 519 (Fjala e Njëzetegjashtë, Shtojcë).

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.