Thagma – qerasja hyjnore dhe shqetësimi i madhështimit

Thagma – qerasja hyjnore dhe shqetësimi i madhështimit

Pyetje: Cilat janë dallimet mes thagmës dhe qerasjes hyjnore? A vlejnë edhe për ikramin mendimet në lidhje me të moskërkuarit e thagmës?

Përgjigje: Gjendjet e mrekullishme që Allahu i krijon dhe i shfaq për të bërë të dukshme provat për vërtetësinë e profetëve (ala nebij'jina ve alejhimus'salatu uesselam) i quajmë muxhize. Fjala “ muxhize”, për nga kuptimi, shpreh të lënit e të tjerëve në gjendje pazotësie (axhz). Ajo është një rend hyjnor që Allahu na e sjell prej së jashtëzakonshmes. Nga njëra anë, ka një rend hyjnor të vazhdueshëm e të mrekullueshëm që e dëshmojmë dhe e lexojmë në urdhëresat krijuese, në ndërtimin tonë fizik dhe në nevojat e tij. Krahas kësaj, ka edhe një rend hyjnor në të cilin Zoti i Madhëruar i tërheq këto urdhëresa. Muxhizet apo mrekullitë e paraqitura nga Zoti i Madhëruar për të provuar profetësinë janë të kësaj kategorie. Po kështu, me krijimin e Allahut (xh. xh.) ka edhe disa ndodhi të pazakonta që shfaqen ndër evliatë e Allahut, të cilat, gjithashtu, i përkasin në tërësi rendit të mrekullueshëm hyjnor.

Thagma fshihet

Natyrisht, kur flas për “evliatë e Allahut”, këtu e kam fjalën për lartësimin në kuptimin terminologjik. Përndryshe, në kuptim të përgjithshëm, gjithsecili që beson fuqishëm e që kryen vepra të mirësishme, është rob i zgjedhur i Allahut, është mik i Allahut. Në vargjet e ndryshme të Kuranit Fisnik vërehet se të gjithë myslimanët, në njëfarë kuptimi, janë secili nganjë rob i lartësuar i Zotit të Madhëruar dhe Allahu është Mbrojtësi i të zgjedhurve. Për shembull ajetet që vijojnë, mund të përmenden si shembuj për këtë çështje: “Mbrojtësi im është Allahu që ka zbritur Librin; e Ai është Mbrojtësi i të gjithë robërve të mirë.” [146] Apo ajeti tjetër: “Kjo, pasi Allahu është Mevlaja dhe Ndihmuesi i njerëzisë. Ndërsa për jobesimtarët, nuk ka kurrfarë miku e mbrojtësi.” [147]

E pra, nëse do ta shtjellojmë lartësimin në të zgjedhur të Zotit brenda kornizës terminologjike dhe jo në kuptim të përgjithshëm, vërejmë se për të mbërritur në një makam të tillë ka rrugë dhe metoda të caktuara. Për shembull, ndër personalitetet e mëdha si Ebu Hasan Shadiliu, Muhammed Bahauddin Nakshibendi, Abdulkadër Gejlani, Ahmed Rufaiu, Imam Rabaniu, secili prej tyre ka ndjekur një rrugë të ndryshme që e ka çuar në horizontin e lartësimit. Në këtë rrugëtim shpirtëror, edhe në rastin e Bediuzamanit, krahas pranimit të dobësisë e të pafuqisë, të adhurimit e të mirënjohjes së pakufishme kundrejt Hyjnisë, [148] është fjala për një rrugë e mënyrë të ndryshme në orbitën e meditimit, me përmasa të dhembshurisë e të mëshirës. [149] Natyrisht që edhe udhëtarët e kësaj rruge, të cilën Bediuzamani e ndërtoi duke e lidhur me gjashtë disiplina, ka shumë rëndësi që t’i pranojnë e t’i përvetësojnë këto disiplina dhe të rregullojnë vetveten në bazë të tyre. Pra, nuk mjafton vetëm që të themi: “Puna jonë është punë e dobësisë dhe e pafuqisë, e adhurimit dhe e mirënjohjes.” E rëndësishmja është që këto disiplina t’i përvetësojmë dhe t’i asimilojmë. Kjo do të thotë, që krahas lidhjes pas mendësisë se “po nuk më mbajti për dore fuqia hyjnore, unë s’bëj dot asgjë”, krahas pranimit të vetvetes si të dobët e të pafuqishëm, duke ia njohur krejt fuqinë Allahut, kundruall begative hyjnore që zbresin si shira të mëshirës qiellore, njeriu të gjendet vazhdimisht në një gjendje ndezullie e dëshire të zjarrtë. Siç shihet, për ta ngjitur njeriun në majën e lartësimit, ekzistojnë rrugë të ndryshme në bazë të tipareve, të karaktereve e të kohëve të ndryshme. E pra, një miku të të Vërtetit, që ka arritur një pastrim të tillë të egos e një dëlirësim të tillë të zemrës, Zoti i Madhëruar mund t’i dhurojë një pjesë më tepër prej mirësisë a qerasjes hyjnore Po kjo nuk do të thotë që ai mik i të Vërtetit e kërkon një mrekulli a thagmë të tillë. Sepse është tjetër gjë që Zoti i Madhëruar të dhurojë prej bujarisë së Vet një mirësi në formë të thagmës, sikurse është një çështje krejt tjetër që robi të zgjedhur e të lartë në fjalë të kërkojë vetë një thagmë të tillë. Për shembull, ta zëmë se një njeri fluturon në ajër apo ecën mbi det pa u zhytur në ujë. Sipas këndvështrimit të miqve të të Vërtetit si Hazreti Ahmed Rufaiu, një ngjarje e tillë duhet fshehur siç fshihet gjendja e gruas në ditët e saj menstruale. Në të vërtetë, ne nuk kemi kurrfarë të drejte që të kërkojmë diçka të tillë të mrekullueshme prej Allahut. Çdo ibadet që ne do të kryejmë ndaj Tij, është vetëm e drejta e Tij dhe detyra jonë. Sepse ai është i Adhuruari Absolut; dhe ne jemi robërit absolutë. E pra, ithtarët e Allahut, dukuritë e mrekullishme që u janë dhuruar në nivelin e thagmës i kanë parë gjithmonë në këtë mënyrë. Mirëpo pavarësisht se ata nuk kanë kërkuar asgjë dhe nuk kanë pasur ndonjë pritshmëri për mrekulli, nganjëherë prej duarve të tyre janë shfaqur disa thagma. Kundrejt kësaj gjendjeje, ata që gjithçka e interpretojnë nën dritën e profetësisë, janë sjellë me ndjeshmëri shumë të lartë dhe janë drithëruar tej mase me shqetësimin e vetëmadhështimit .

Madhështimi, për nga mënyra se si ndodh e si del në pah, është një gjendje e mrekullueshme sikurse thagma. Por ai nuk është përbën një dhuratë e mirësi, por një të keqe të madhe dhe fatkeqësi. Po, po. Madhështim do të thotë, që njeriu, pa kurrfarë merite të veçantë, të bjerë pre e të mirave dhe dalëngadalë të vijë në përballje me ndëshkimin e merituar. Në Kuranin Fisnik, kjo gjendje përmendet me këto shprehje: “Dhe ata që i mohojnë shenjat tona, dalëngadalë dhe pa e kuptuar i afrojmë drejt rrënimit.” [150] Edhe në ditët tona mund të shihni shembuj të gjendjeve të tilla. Nga ky këndvështrim, të flasësh për grada shumë të larta, t’i lidhësh punët me të pazakontën, është gjithmonë shumë e rrezikshme.

“Egoja nën gjithçka, detyra mbi të gjitha.”

Për të ardhur te dallimi mes thagmës dhe qerasjes hyjnore: në një kohë kur me egoizmin ishte tepruar shumë, me sa duket për arsyen se fjala “thagmë” sillte ndër mend edhe lartësimin pranë Allahut në kuptimin terminologjik, Bediuzamani e ka shtjelluar çështjen në këtë pikë në mënyrë më të kthjellët dhe mirësitë e bekimet e pazakonta, të dhuruara prej Zotit, i ka trajtuar në kuadrin eqerasjes hyjnore. [151] Duke e parë nga ky këndvështrim, ikrami duhet të ndezë te njeriu ndjenjën e mirënjohjes ndaj mirësisë hyjnore dhe duhet të entuziazmojë ndjenjat e lëvdimit e të falënderimit ndaj Zotit. Sipas shprehjes së Imamit të Allvarit, njeriu gjithmonë duhet të jetojë me mendimin: “Me meritë nuk i kam këto unë i varfëri, / Ky hir e kjo mirësi vallë pse më erdhi?” Ndërsa Said Nursiu e shpreh këtë mendim me një gjuhë disi më të ndryshme: “Egoja nën gjithçka, detyra mbi të gjitha.” [152] Po, po. Sipas tij, mund të na caktohet një detyrë e rëndësishme, por ai që e vë në zbatim atë detyrë është veçse një ushtar. Prandaj edhe ajo që ai thotë, në thelb, ka këtë kuptim: “Ai Zot i Madhërishëm nganjëherë edhe një ushtari mund t’i caktojë si detyrë që t’u vendosë një medalje të tjerëve. Edhe detyra ime është vetëm kaq.” [153] Duke thënë këtë, ai ka zgjedhur rrugën e përuljes, të thjeshtësisë, të ndrojtjes e të shumëzimit të vetvetes me zero, çka përbën thelbin e këtij mësimi. Sipas kësaj pikëpamjeje, njeriu nuk duhet t’i shohë qerasjet hyjnore si shfaqje të një pajisjeje me cilësi të jashtëzakonshme e të veçanta, por si një dhuratë hyjnore më tepër, e dhënë falas prej Hyjnisë.

Në ditët tona, egoizmi ka shkuar aq larg, saqë mund të gjejë vend madje edhe brenda rrethit të ithtarëve të besimit. Për shembull, nëse dhjetë-pesëmbëdhjetë vetë mblidhen rreth një njeriu, ai menjëherë pushtohet nga dëshira e madhe për të rënë në sy e për ta shprehur vetveten brenda këtij rrethi njerëzish. Në të shkuarën, kanë dalë aty-këtu njerëz që e kanë shpallur veten Mehdi. Por duhet thënë, se kurrë më parë, në asnjë periudhë të së kaluarës, nuk është përjetuar një inflacion i tillë Mehdinjsh. Po, kanë dalë në të shkuarën mes karmative, batinive, fatimive mëtues të tillë; por në këtë shekull këta janë bërë aq të shumtë, saqë njeriu habitet e shushatet krejt përballë një tabloje të tillë.

Mjeshtri i nderuar, në një rast, pohon se shfaqja e qerasjes hyjnore është shprehje e mirënjohjes për Zotin, se në këtë çështje nuk ka të bëjë merita vetjake, ndaj edhe egoja nuk duhet t’ia njohë mrekullinë vetvetes si arritje. [154] E pra, në këtë këndvështrim, bëhet dallimi mes thagmës dhe qerasjes hyjnore. Domethënë, individi që ka përfituar një mrekulli si ikram hyjnor, sipas asaj çka është thelbësore në rrugën shpirtërore që ka zgjedhur të ndjekë, duhet të mendojë se një bekim i tillë i është dhuruar për të shprehur mirënjohje e falënderim ndaj Zotit dhe se, në të vërtetë, ai nuk ka kurrfarë merite vetjake për atë çka i është dhuruar. Mendimi i Bediuzamanit në lidhje me këtë çështje është ky: “Mos u kreno se po i shërben fesë. Ti nuk je i çliruar prej të fshehtës së shprehur në fjalët: ‘Allahu këtë fe, nganjëherë, e vërteton edhe me dorën e një njeriu të dalë udhe.’ [155] Ku i dihet, ndoshta je pikërisht ti ai njeri i dalë udhe.” [156] Siç shihet, Mjeshtri i nderuar nuk e përjashton as veten nga kategoria e njerëzve që mund të jenë të dalë udhe e që gjenden gjithsesi në shërbim të fesë.

E pra, një njeri që e sheh veten kësisoj, një njeri që e ka përcaktuar shumë mirë vendin, pozitën dhe marrëdhënien e vet kundrejt Allahut, një njeri që e ka nënshtruar e shumëzuar me zero veten krejt para Hyjnisë, e kupton se mrekullitë e ardhura si një qerasje prej Zotit të Madhuruar nuk vijnë për meritë personale. Kundrejt bekimeve e mirësive të mbërritura, ndjenjat dhe mendimet e tij janë kësisoj: “Unë jam një krijesë, që më dërgohet një rrobë prej atllazi. Mirëpo një rrobë e tillë nuk është për mua të varfrin as për nga cilësia, as për nga modeli e as për nga vlera. Ahere kjo për mua është veçse një ikram, një dhuratë.” Të njëjtat mendime shprehen prej Bediuzamanit edhe në veprën “Letrat” me këtë shëmbëlltyrë: “Nëse dikush vjen e të vesh një rrobë të përsosur, të shtrenjtë e të stolisur më së miri, pastaj njerëzia vijnë e të thonë: “Mashallah! Je shumë i bukur! U hijeshove shumë!” Nëse ti, me modesti, thua: “Kurrsesi!... Ç’jam unë! Hiçgjë! Ç’bukuri është kjo! Ku është hijeshia!”, atëherë kjo shpreh përçmim të mirësisë dhe përbën mungesë respekti kundrejt artistit të aftë që ta përgatisë e ta veshë atë rrobë. Nëse plot kreni thua: “Po, shumë i bukur jam! E ku ka më të hijshëm se unë! Tregomëni, a keni parë ndonjë kaq të bukur sa unë!”, atëherë kjo është një vetëlëvdatë mendjemadhe. E pra, për të shpëtuar edhe prej mendjemadhësisë, edhe prej mosmirënjohjes, duhet thënë: “Po, unë u zbukurova, por bukuria i përket rrobës, ndërsa rroba është e atij që ma veshi mua dhe nuk është imja.”” [157]

E pra, ky është mendimi i mirënjohjes ndaj bekimit të dhuruar. Nëse çështjes i qaseni në këtë mënyrë, besoj se as nuk bini në kryelartësi, as nuk shkisni në mohim e mosmirënjohje ndaj mirësisë hyjnore.

Qerasja hyjnore të mos kthehet në madhështim

Mirëpo, për shkak të teprimit të skajshëm me egoizmin në ditët tona, unë kam disa shqetësime të veçanta në çështjen e shfaqjes së qerasjes hyjnore apo të dhuratës hyjnore. Për shembull, ta zëmë se morët një vendim apo një nismë për një punë të caktuar. Ta zëmë se, sipas shprehjes popullore, vendimi që morët zuri vend. Në një gjendje të tillë, mund të pushtoheni nga mendimi: “Edhe kjo është një dhuratë hyjnore. Por gjithsesi, Zoti i Madhëruar urdhëroi dhe e çoi në vend këtë dhuratë nëpërmjet dorës sime.” Mirëpo ky mendim mund të kthehet në madhështim. Nga ky këndvështrim, kundrejt një gjendjeje të tillë, duhet thënë: “O Allahu im! Këtë qerasje e dhuratë që ma dërgove e vë mbi krye dhe e pranoj me mirënjohje të heshtur si një mirësi prej Teje. O Zoti im! Mos qoftë kjo madhështim për mua! Unë e kam një shqetësim të tillë në këtë çështje. O Allahu im, në qoftë kjo një madhështim e mashtrim prej thagmave, ahere kërkoj mbrojtjen Tënde.” Sepse Allahu (xh. xh.), me të tilla ngjarje, mund t’i vërë njerëzit në provë. Po, është e vërtetë se Zoti i Madhëruar i njeh karakterin, natyrën dhe shpirtrat e njerëzve; por duke jua treguar juve veten tuaj, neve veten tonë, për të mbyllur derën e kundërshtimeve dhe të preteksteve, na vë në provë dhe na thotë: “Ja pra, shihe karakterin tënd. Sapo të bie diçka në dorë, menjëherë diç nis ta kujtosh veten. Sapo t’u dhurua një madhështi e hijeshi, menjëherë nise të përpiqesh të biesh në sy. Kur u begatove me mirësinë e një horizonti, të një vetëdijeje e të një konceptimi të lartë, sapo nisën t’i falen fryte punës dhe përpjekjes sate, ti nise menjëherë t’ia njohësh vetes meritat e të tilla mirësive. Ndaj edhe ti je një njeri kaq i kotë e i pavlerë.” Nga kjo pikëpamje, sipas këndvështrimit tim të përulur, njeriu duhet ta ruajë gjithmonë veten prej një shqetësimi të tillë. Kundrejt qerasjeve hyjnore që i vijnë, duhet të shprehë mirënjohje e pranim duke thënë: “Këto më erdhën prej Zotit tim. Mijëra lëvdata e falënderime i qofshin Atij!” Por nga ana tjetër, duhet ta shohë veten edhe me këtë mendim: “Duke qenë se në këtë punë madhështore që bëri Zoti i Madhëruar, këtë qerasje hyjnore e dhuratë hyjnore mendja nuk ma rrok dot, nuk di në më duhet të qaj a të qesh. Nganjëherë, Ai edhe gomarit i vesh samar prej atllasi.”

Po, është e vërtetë se në ditët e sotme individualizmi dhe egoizmi janë kthyer në një sëmundje ngjitëse, aq sa – Allahu na ruajtë! – edhe ithtarët e namazit e të kiblës, kundruall qoftë edhe pak lëvdatash, nisin menjëherë të mendojnë se meritojnë vende e nivele të caktuara. Ndërkohë që, kur Allahu (xh. xh.) e lartëson njeriun, ky i fundit duhet të përgjunjet e të përulet krejt kundrejt një mirësie të tillë. Masa që Bediuzamani ka përcaktuar mes thjeshtësisë dhe vetëvlerësimit është shumë e rëndësishme. Ai thotë: “Për çdo njeri, ka një dritare që shërben si përshkallëzim për të parë e për t’u parë në rrethin shoqëror. Në qoftë ajo dritare më e lartë se shkalla e vlerës shpirtërore, atëherë ajo do të arrihet përmes kryelartësisë. Në qoftë më e ulët, atëherë egoja do të ulet e do të përkulet përmes thjeshtësisë, gjersa të arrihet niveli në të cilin sheh dhe shihesh. Etaloni i madhështisë tek një njeri është vogëlsia, domethënë, thjeshtësia. Ndërsa njësia e vogëlsisë është madhështia, domethënë kryelartësia.” [158] Kjo qasje paraqet edhe një harmoni të plotë me kuptimin e hadithit, pasi Zotëria ynë, i Dërguari Fisnik (s.a.s.) urdhëron e thotë: “Këdo që gjendet vazhdimisht në modesti, përulësi e ndrojtje dhe sillet kokulur për hir të Allahut, Allahu e lartëson. Ndërsa atë që krenohet, që mban hundën përpjetë e përpiqet të duket, Allahu (xh. xh.) e poshtëron.” [159]

Në këtë çështje, ajo çka duhet bërë kujdes është që në një rreth a grupim shoqëror, ne nuk duhet t’i shohim me syrin e dëshirës për madhështi rezultatet e nxjerra prej punëve, qëndrimeve dhe sjelljeve të njerëzve që gjenden në të, sepse një këndvështrim i tillë do të thotë që të vësh nën paragjykim gjithë grupin. Nëse me mijëra e miliona njerëz i dalin për zot një ideali, realizojnë një mision të rëndësishëm dhe i vihen punës me mundim e përpjekje serioze në atë drejtim, të mendosh se ata e bëjnë këtë prej dëshirës për madhështi, do të thotë të paragjykosh një bashkësi të tërë, çka përbën mëkat të madh. Por brenda atij grupimi, çdo individ për veten e tij, me mirënjohje të thellë ndaj Zotit të Madhëruar, duhet të mendojë e të thotë me vete: “Kundrejt një mirësie e bekimi të tillë unë nuk kam kurrfarë merite. Nuk i meritoj gjithë këto unë i varfri. Por pavarësisht gjithçkaje, unë do ta njoh atë si mirësi dhe do të lëvdoj e falënderoj Zotin.” Me të tilla mendime e mirënjohje duhet të jetë i mbushur çdo individ i tillë dhe në çfarëdo posti e pozite që të arrijë, gjithmonë duhet të ruajë ndjenjën e thjeshtësisë e të përuljes, si dhe shqetësimin e rënies në kryelartësi.


[146] Araf, 7/196.

[147] Muhammed, 47/11.

[148] Shih: Bediuzaman, Letrat f. 17 (Letra e Katërt).

[149] Shih: Bediuzaman, Fjalët f. 518 (Fjala e Njëzetegjashtë, Shtojcë).

[150] Araf, 7/182.

[151] Shih: Bediüzzaman, Letrat f. 30 (Letra e Nëntë).

[152] Bediüzzaman, Rrezatimet f. 424 (Rrezatimi i Katërmbëdhjetë).

[153] Shih: Bediüzzaman, Letrat f. 400-401 (Letra e Njëzetetetë, Çështja e tretë).

[154] Shih: Bediüzzaman, Letrat f. 30 (Letra e Nëntë).

[155] Buhari, xhihâd 182; Muslim, îmân 178.

[156] Bediüzzaman, Fjalët f. 515 (Fjala e Njëzetegjashtë, Përfundim).

[157] Bediüzzaman, Letrat f. 416-417 (Letra e Njëzetetetë, Çështja e shtatë).

[158] Bediüzzaman, Letrat f. 536 (Farat e së vërtetës); Fjalët f. 791 (Lulet prej farave); Diskutimet f. 64.

[159] Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-evsat 5/140. Për hadithe me kuptim të përafërt, shih: Ahmed ibn Hanbel, El-Musned 3/76; Ebj Ja’la, El-Musned 2/358.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.