Vlerat tona dhe çerdhja jonë

Vlerat tona dhe çerdhja jonë

Pyetje: Vërejmë se institucioni ynë i familjes tradicionale, i ngritur mbi vlera kombëtare e shpirtërore të trashëguara prej së shkuarës, ka nisur të tronditet qysh prej periudhës së Reformave të Tanzimatit. Në cilat hollësi duhet bërë sot kujdes për ringjalljen e institucionit të familjes, që mbart një rëndësi jetike për shoqërinë?

Përgjigje: Fermani i Tanzimatit ishte përpjekja e elitës sonë të arsimuar e më së shumti të ushqyer me kulturën franceze, që t’i organizonte sipas asaj kulture jetën, sendet dhe ngjarjet në vendin tonë. Në këtë ferman-reformë, të hartuar nga Mustafa Reshit Pasha, duke marrë si bazë kriteret e Perëndimit, fatkeqësisht, vlerat e ngjizura e të prejardhura prej shpirtit dhe thelbit tonë nuk u morën parasysh. Është e vërtetë se Dokumenti Sulltanor i Gylhanes përmbante, ndoshta, përpjekjen për ta shpëtuar Shtetin e Lartë. Nëse Mustafa Reshit Pasha, që u përzie në këtë punë, ishte i sinqertë apo jo, nuk e di. Atë vetëm Allahu e di. Gjithsesi, mund të themi se brenda kësaj përfshiheshin edhe shumë njerëz të sinqertë. Mirëpo ja që rruga apo metoda që ata ndoqën nuk ishte e drejtë. U synua diçka, dëshirohej të mbërrihej diku; ndoshta ëndërrohej sërish epoka e një Ligjvënësi apo e një Ngadhënjimtari si Mehmeti II, por një mendim i tillë, që meriton të duartrokitet, nuk mund të gjente zbatim duke shkuar rrugëve të gabuara. Sepse me sistemin edukativ, me rregullsitë sociologjike e konceptet pedagogjike të Perëndimit, nuk mund të viheshin në jetë ato mendime e projekte të synuara, që na përkisnin neve. E pra, pikërisht në këtë pikë gaboheshin njerëzit e Tanzimatit. Sepse edhe rrugët e ndjekura duhet të jenë të drejta në masën e qëllimit, të mendimit dhe të drejtësisë së horizontit. Nëse pikësynimi juaj është që të mbërrini të sigurt e të shëndetshëm në Stamboll, atje nuk mund të mbërrini përmes shtigjesh dhish, por vetëm përmes autostradash. Nëse niseni nëpër shtigje, ato rrugë mund t’ju sjellin vërdallë, përpara mund t’ju shfaqen male; dhe kështu, ju mund të mbeteni rrugëve, pa mbërritur asnjëherë në destinacion.

Ndërkohë, më duhet të pohoj se në të vërtetë, shpërbërja te ne kishte nisur në një periudhë shumë më të hershme se Tanzimati. Tanzimati është vetëm emri i periudhës, në të cilën kjo punë u bë e dukshme. Është e gabuar që çështjen ta lidhim vetëm me Mustafa Reshit Pashën dhe me vitet e para të shekullit XIX. Ndoshta ajo çështje shkon gjer në kohët kur jeniçerët ngrinin krye, kur sulmoheshin sarajet, kur përmes atyre sulmeve bëheshin përpjekje që të hiqeshin e të viheshin sundimtarë; gjer në kohët e Osmanit të Ri dhe të Muratit IV. Që prej atyre kohëve, trazirat, mosmarrëveshjet dhe ngatërresat na gërryenin e na karbonizonin së brendshmi. Për këtë arsye, mund të thuhet se në vitet që u shpall Fermani i Tanzimatit, filozofia jonë e shtetit dhe e administrimit, koncepti ynë për të drejtën dhe drejtësinë ishin rrënuar krejt. Këto fjalë të të ndjerit Mehmet Akif Pejani duken sikur përshkruajnë atë periudhë:

“Koka pa mend, zemra pa ndjenjë, shpirtra me ndryshk;

Ditë shkuar punës në robëtim, netëve që s’presin agim,

Qaja së ikuri në largim; qaja së ndenjuri n'vajtim.

S’dëgjon e s’bëzan kush, i brita mëmëdheut në rrënim.”

Ndërsa në vitet e mëpasme kjo gjendje u thellua edhe më, dhembjet u shtuan akoma më tej. Vlerat tona themelore, në tërësinë e tyre, siç shprehet Mjeshtër Nexhip Fazëlli, u rrëzuan njëra pas tjetrës. Ndërkohë, edhe vatra familjare u shkatërrua; sikurse edhe filozofia jonë e jetës, e ngritur mbi themele të fuqishme në marrëdhënien mes bashkëshortëve, në lidhjen e ngrohtë e të sinqertë mes prindërve dhe fëmijëve.

Por megjithatë, përballë kësaj tabloje të dhimbshme e të zymtë, në vend që të biem në mungesë të shpresës, secili prej nesh duhet të bëjë përpjekjet që kemi në dorë për ta ringjallur sërish institucionin e familjes. Dhe nuk duhet harruar as fakti se familja është e lidhur me një shoqëri të tërë, ndaj edhe përmirësimi dhe ringjallja e saj në kuptimin më të plotë ka lidhje edhe me përmirësimin dhe me ringjalljen e të gjitha institucioneve të shoqërisë. Mirëpo nëse rruga nuk e dhuron atë frymë e atë domethënie, atëherë çështjet që ju u jepni zgjidhje jua rrëmben sërish rruga dhe i bën ato sërish të ngjashme me të. Në të njëjtën mënyrë, nëse faltorja nuk i bëhet mbështetje në këtë kuptim vatrës familjare, nëse shkolla nuk është pranë saj, atëherë ato tipare të bukura që iu i sillni familjes bëhen sërish të padobishme e të kota dhe ju ikin nga duart. Për këtë arsye, asnjëherë nuk duhet harruar se rilindja e institucionit të familjes është e lidhur me rilindjen e gjithë shoqërisë.

Qëndrimi serioz krahas frymës revolucionare

Për t’u kthyer sërish në thelbin e çështjes sonë, pasi gjithçka u rrënua e na iku duarsh, besoj se tani ka ardhur koha e kthimit sërish në vlerat tona. Në këtë pikë, çështja që duhet pasur kujdes është që në daljen për zot ndaj vlerave tona duhet të shpërfaqim qëndrimin më serioz të mundshëm. Emri i kësaj nuk është as kthim pas, as prapambetje, as reaksion. Sepse ne, krahas përpjekjes për t’u dalë për zot vlerave tona, besojmë edhe se duhet ta lexojmë botën drejt e sipas kohës në të cilën jetojmë dhe se në këtë çështje duhet të ushqejmë një frymë shndërruese. Në të vërtetë, kjo gjendje për besimtarin përbën një dilemë dhe një kundërthënie prej së cilës është e vështirë të çlirohet; por ai pa tjetër duhet të ketë vullnetin për ta jetësuar gjithë këtë. Domethënë, nga njëra anë duhet t’u dalë për zot vlerave të tij aq sa të mos pranojë të heqë dorë për tyre edhe nëse i premtohet një botë e tërë, duke thënë: “Sikur njëmijë shpirtra të kisha, të gjithë u qofshin falë atyre vlerave!”; dhe nga ana tjetër, nuk do të lërë pas dore tefsirin e kohës si më i madhi komentues, si dhe të bërit kujdes që erën e atij tefsiri ta mbajë kurdoherë pas vetes. Përndryshe, vijnë njerëz që i interpretojnë më mirë kohën dhe ligjësitë e natyrës; dhe të tillët, duke ushtruar trysni mbi ju, nisin t’ju sundojnë. Pas kësaj, siç ndodh në ditët tona, detyroheni të hyni nën tutelën e tyre dhe jeni të dënuar të shtypeni. E pra, në këtë drejtim, gjithsecili prej nesh duhet të përpiqet të jetë revolucionarizues dhe i përkushtuar në vazhdimësi ndaj zhvillimit të aftësive. Duke qenë se stanjacioni në mendim, në meditim, në hulumtim, në leximin e kohës në mënyrën e duhur, na ve në gjendje robërie, duhet që sendet dhe ngjarjet t’i shtjellojmë në vazhdimësi siç shpështillen pambuku a leshi prej furke.

Në një kohë të caktuar, në lidhje me një çështje, ju mund të keni arritur më të mirën e më të përsosurën. Cila është ajo, më e përsosura që keni arritur? Për shembull, zbërthimi dhe kuptimi më i qëlluar që mund të arrini në lidhje me një çështje duke lexuar shumë mirë Kuranin dhe Sunetin e Kulluar. Por, në njëfarë mënyre, edhe pas kësaj që keni arritur nuk duhet të qëndroni të lidhur e të mjaftoheni me aq, por sipas kohës dhe rrethanave në të cilat ndodheni, duhet ta rilexoni situatën dhe të rishikoni nëse ajo çka ishte gjykimi më i goditur është vërtet i tillë. Të mos keqkuptohemi, kuptimi i kësaj kurrsesi nuk mund të jetë që të hyhet në reforma e ndryshime sipas kohës në çështje të ritit e të ibadetit. Në fakt, e kemi fjalën për t’i lexuar siç duhet urdhëresat hyjnore, për t’i parë jetën dhe edukimin shoqëror nga këndvështrimi i këtyre urdhëresave dhe krahas asaj që do t’u japim të tjerëve, edhe ne, duke kalibruar gjithçka saktësisht dhe me kushtin që të mos biem në kundërshtim me vlerat tona themelore, të marrim dhe të përfitojmë prej të tjerëve. Të gjitha këto janë pjesë e nevojës së të qenit bij të kohës në të cilën jetojmë.

Për këtë arsye, nga ky këndvështrim, duhet t’u drejtohemi edhe një herë vlerave tona dhe pasi t’i rishikojmë, t’ia paraqesim ato mendimit të përgjithshëm të njerëzve. E pra, atëherë, dituria, faltorja, familja do të çlirohen prej tëhuajëzimit; dhe pasi të çlirohen, do ta ngrenë sërish mbi vlerat e veta përmendoren e shpirtit. Natyrisht, këto nuk janë punë që kryhen në një çast, me një lëvizje e me një frymë. Shikoni, Zëtoria ynë, i Dërguari Fisnik (alejhissalatu vesselam), që kishte në biseda dhe në praninë e vet një bashkësi me një dëlirësi të thellë që atë dëlirësi e përfaqësonte në mënyrën më të drejtë në mjedisin shoqëror, është përpjekur në mënyrë të jashtëzakonshme për njëzet e tri vite që gjithçka të zërë vendin e vet dhe morali i Ibrahimit të përhapet sërish.

Ç’dashuri për të Drejtën është kjo, për hir të Zotit!

Dhe tani, nëse dëshironi, le të njihemi me disa fragmente të zgjidhjes së problemeve familjare nga jeta e Atij Shembullori të çdo Kohe, që na tregon rrugën e zgjidhjes së të gjitha problemeve që do të na ndodhin gjer në Ditën e Gjykimit: fakti se Zotëria ynë, i Dërguari Fisnik (s.a.s.), i trajtonte pjesëtarët e familjes së vet në paqe të plotë e pa kurrfarë të mete, është shprehje e një urtësie shumë të madhe që ai zotëronte. Edhe sikur i Dërguari i Allahut (alejhis'salatu ues'selam), si argumentim të profetësisë së vet, të mos kishte shfaqur mrekulli si të buruarit e ujit prej gishtërinjve, [118] ndarja e hënës duke i bërë një shenjë të vetme me gisht, [119] të ngopurit e njëmijë njerëzve me mishin e një keci [120] etj., trajtimi i njëkohshëm pa sherre e pa zhurmë i nëntë nënave tona të bekuara do të mjaftonte plotësisht për të mbështetur e argumentuar profetësinë e Tij. Veç kësaj, bashkëshortet e tij të dëlira ishin gra që sapo kishin dalë prej errësirës injorante të kohës. Por ja që ato Nënat tonat të bekuara, që mbartnin ende mbi vete disa tipare karakteristike të asaj periudhe, sapo hynin në vatrën e lume, ndryshonin sa hap e mbyll sytë. Thuajse dilnin prej njerëzores për të arritur engjëlloren. Nisur nga të qenët qenie njerëzore, pa dyshim që edhe ato kishin një numër ndjesish të caktuara; por ato, të gjendura në prani të Joshjes së Bekuar, i kapërcyen ato ndjesi dhe krijuan një atmosferë paqeje. Zotëria i Zotërinjve (alejhis'salatu ues'selam) i trajtoi ato pa i dhënë mundësi lindjes së kurrfarë problemi serioz. Po, po! Ia vlen ta përsërisim se edhe sikur Zotëria ynë, Nderi i Gjithësisë, të mos kishte shpërfaqur asnjë mrekulli, do të mjaftonte trajtimi i nëntë bashkëshorteve me të cilat lidhi jetën, si një mrekulli e plotë, si një argument i qartë dhe si një provë e padyshimtë e profetësisë së Tij. U bëftë shpirti ynë fli edhe për Të, edhe për bashkëshortet e Tij të dëlira! Secila prej tyre e ka vendin mbi kryet tona.

Tani, se si ia doli me sukses kësaj Zotëria ynë, i Dërguari Fisnik (alejhi elfu elfi salatin ues'selam), se çfarë rruge ndoqi për këtë, është një çështje e rëndësishme, tek e cila duhet të ndalemi. Para së gjithash, duhet thënë se Ai, mes bashkëshorteve të tij të bekuara, ruajti gjithmonë ekuilibrin dhe mishëroi drejtësinë. Kështu, në një hadith që na transmeton Nëna jonë, Aisha (r.a.), mësojmë se shkonte një muaj, më pas një tjetër e më pas një tjetër muaj dhe në vatrën e lumturisë nuk ndizej zjarr në oxhak. [121] Kjo është diçka shumë e rëndë, sepse Ai, prej nevojës së misionit profetik, e jetonte jetën e Tij në varfëri të detyruar dhe nuk krijonte asnjë mundësi që në mendjen e njerëzve ta njolloste qoftë edhe dyshimi i vogël për misionin e tij profetik. Po, po! Ai jetonte i lidhur fuqishëm pas së vërtetës: “Sepse unë as që pres shpërblim prej jush! Shpërblimi im është vetëm tek Allahu.” [122] Ai ishte mishëruesi i gjallë i së vërtetës: “Ndiqni ata që nuk kërkojnë shpërblim prej jush për ftesën në besim dhe që janë të udhëzuar!” [123] Kur shpirti i Tij shkoi drejt horizontit të shumëpritur, siç e dini, mburojën e kishte lënë peng te një hebre. [124] Për të siguruar jetesën e familjes, nuk kishte gjetur të holla dhe kishte marrë borxh te një hebre, të cilit i kishte lënë mburojën si peng. Vetë flinte në një dysheme të fortë e të thatë. [125] Madje një sahab që, me rastin e “Ngjarjes së propozimit të divorcit”, quajtur ndryshe "Ngjarja e ila-së", pati shkuar në praninë e Tij, duke rrëfyer për pamjen që pa, na bën të ditur se Ai qëndronte i shtrirë në një dalëz mbi një hasër dhe hasra ishte aq e ashpër, saqë i kishte lënë gjurmë mbi trup. [126] Dhe teksa shihnin se Ai, bashkë me bashkëshortet e tij të bekuara, jetonte në një thjeshtësi të tillë, askush nuk kishte mundësi të thoshte asnjë gjysmë fjale për Të. Pra, brenda asaj familjeje kishte një ekuilibër e drejtësi të tillë që askujt nuk i lindte e drejta të protestonte për asgjë ndaj Tij.

Nga ana tjetër, edhe në njohjen dhe në respektimin e të drejtave të familjes, ai tregonte një ndjeshmëri shumë të lartë. Po ashtu, e dimë mirë se çfarë përmallimi e ndezullie shfaqte Tabloja e Krenarisë Njerëzore në marrëdhënie me adhurimin dhe me nënshtrimin ndaj Zotit. Për shembull, në një hadith, Ai urdhëron e thotë: “Mua më janë bërë të dashura (tri gjëra): Gratë, aroma e këndshme; ndërsa namazin e kam dritën e vërtetë të syve.” [127] Ndërsa tjetërkund thotë kështu: “Epshi im është që të fal namaz netëve.” [128] Kuptimi i kësaj është kështu: kënaqësinë që ju përpiqeni ta shijoni prej të ngrënit, të pirit e prej plot dëshirash të tjera trupore, unë e marr prej kryerjes së adhurimeve ndaj Zotit. Mirëpo pavarësisht gjithë kësaj, vërejmë se Profeti ynë (s.a.s.), para se të ngrihej nga shtarti për të kryer ibadet gjatë natës, i kërkonte leje Aishes fisnike (r.a.). Po, po! Ai, edhe kur ngrihej nga shtrati për të kryer ibadetin e natës, thoshte: “O Aishe! A më jep leje që këtë natë t’i bëj ibadet Zotit tim?” Kundrejt kësaj, Nëna jonë, Aishja e nderuar (r.a.), i jepte këtë përgjigje: “Më pëlqen të jem me Ty, por më pëlqen edhe gjithçka që do të të pëlqente Ty.” [129] O Zot! Ç’përkushtim ndaj të Drejtës! Sepse në atë kohë është fjala për të drejtën e nuses së tij të bekuar; në atë kohë duhet të jetë bashkë me të. Por nga ana tjetër, ka një ndezulli e dëshirë të thellë për t’i kryer adhurime Zotit të vet. Siç shihet, Zotëria ynë, Profeti (s.a.s.) e kapërcen këtë kundërthënie duke kërkuar leje prej bashkëshortes.

Delikatesa, brishtësia dhe besnikëria

E pra, në marrëdhëniet mes bashkëshortëve, një delikatesë, brishtësi e mirësjellje e tillë është e një rëndësie të veçantë. Të tregosh një lidhje e afri të këtyre përmasave ndaj zonjës së nderuar... Në të vërtetë, shoqëria jonë e tillë ka qenë. Nëse më lejoni, dëshiroj t'ju tregoj disa gjëra që i kam parë në rreth të ngushtë, brenda familjes sime. Ata, megjithëse ishin mbetje e një shoqërie që në një masë të madhe u prish e u degjenerua, mbeteshin sërish një familje që ende jetonin shumëçka prej asaj çka kishte mbetur prej shoqërisë osmane. I ndjeri gjyshi im ishte një burrë aq i ashpër, saqë kur dilte nga shtëpia për të shkuar në xhami, nuk mbetej njeri pa u ngritur, që të qëndronte drejt në shenjë mirësjelljeje. Kur thuhej se po vjen Shamil agai, i zinte frika. Ndërsa gjyshja ime, Muniseja, ishte një njeri me një natyrë krejt tjetër. Ajo ishte një grua me zemër të butë, që nëse përmendnit një herë Allahun në prani të saj, qante njëzet e katër orë. Kur unë arrita moshën njëmbëdhjetë apo dymbëdhjetë vjeç, ata të dy ishin ende gjallë. E pra, atë burrë të sertë e të rëndë nuk e pashë qoftë edhe një herë të vetme që t’i ngryste vetullat së shoqes.

Ajo grua zemërmirë e sypërlotur, në fund të jetës së vet, u paralizua e zuri shtratin. Ime më, çdo ditë te koka e krevatit, e ndihmonte që të merrte tejemum dhe të falte namazin. Nëna thoshte: “Në natën e së premtes para ndarjes nga jeta, më kërkoi që t’i mundësoja të merrte abdest. E ndihmova. Pas kësaj ia dha një të qeshure dhe tha kështu: ‘Kurrgjë s’paskemi fituar prej kësaj bote. Xhenazja e ne të dyve do të falet këtë natë në shtëpi.’ Në fakt, gjysh Shamili nuk kishte asnjë shqetësim. E megjithatë, në çastin që gjyshja ndërroi jetë dhe ra mbi jastëk porsi një pupël, teksa unë i mbyllja sytë, në dhomën tjetër u dëgjua grahma e gjyshit që gjithashtu ndërroi jetë.” E pra, një lidhje e tillë ekzistonte mes atyre të dyve.

I ndjeri im atë ndërroi jetë në vitin 1974. Në atë kohë unë isha tridhjetë e pesë, tridhjetë e gjashtë vjeç. I ndjeri baba, gjatë gjithë jetës, veç një herë mbaj mend t’i ketë ngrysur kërcënueshëm vetullat sime mëje. Në atë çastë, gjyshja ime ndërhyri menjëherë e i tha: “Ramiz! Nëse i bën gjë asaj, t’i bëj haram qumështin dhe mundimet që kam hequr për të të rritur.” E pra, struktura e familjes sonë, të mbetur prej shoqërisë tashmë të prishur osmane, ishte ende në këto nivele.

Një tjetër shembull dëshiroj ta jap prej xhaxhait të tim eti. Se ç’jetë kishte me të shoqen, nuk e di fort mirë. Por pasi i ndërroi jetë e shoqja, ai çdo javë i hipte karrocës në Erzurum, shkonte të vizitonte varrin e saj në fshat dhe qante gjysmë ore në krye të varrit. Pastaj, i hipte sërish karrocës dhe kthehej në Erzurum. Madje një herë, më erdhi motra e m’u lut: “Sikur t’i jepje ndonjë këshillë xhaxhait! A është mirë që të qajë kaq fort pas një të vdekuri?” Të gjitha familjet që kam njohur në një rreth të ngushtë ishin kështu. Po, po! Edhe struktura e familjes sonë, që ishte cenuar e kishte pësuar shformime aty këtu, ishte e tillë.

Nuk e kam hallin këtu që të rrëfej as për Shamil aganë, as për zonjën Munise, as për tjetërkënd. Me këto shembuj, dua të tërheq vëmendjen në një çështje: besnikërisë i duhet përgjigjur me besnikëri. Nëse ju nuk tregoheni të besës në ato përmasa, as të tjerët nuk do të sillen me besë ndaj jush. E pra, nëse pas aq shumë goditjeve që kanë ndodhur në shoqërinë tonë, mes bashkëshortëve ka ende kaq shumë besnikëri, për mua kjo më duket shumë e rëndësishme.

Shkurt, ju duhet t’i frymëzoni siguri e garanci palës tjetër dhe duhet ta bëni të besojë që edhe ajo të mund t’ju besojë. Duhet të jeni të besës që tjetri të sillet me besë ndaj jush. Duhet që tjetrin ta ndiqni e ta shikoni që edhe ai t’ju shohë e t’ju ndjekë. Kjo gjendje, në atë që mund t’i themi strukturë molekulare siç është jeta familjare, duhet të jetë brenda kësaj kornize edhe në përmasat e fshatit, të qytetit, të shtetit. Besës i përgjigjemi me besë, buzëqeshjes me buzëqeshje, vështrimit me vështrim, ndershmërisë me ndershmëri. Në të vërtetë, ajo që bënte Profeti ynë (s.a.s. ) ishte pikërisht kjo. Ai, në Hutben e Lamtumirës, ka urdhëruar e thënë: “Ato janë amanet për ju dhe ju jeni amanet për to.” [130] Nëse e shihni çështjen nga këndvështrimi i këshillave të Tij, do të vëreni se ata që mbrojnë sot të drejtat e grave kanë mbetur pas edhe në krahasim me të prapambeturit. Mijëra përshëndetje e selame të Allahut qofshin mbi Të! Dhe Allahu qoftë i kënaqur në përjetësi prej kujtdo që i beson Atij me drejtësi, që e pranon Atë me drejtësi dhe që e ndjek Atë në drejtësi!


[118] Shih: Buhari, Menakib 25, Megazi 35, Eshribe 31; Muslim, Fedail 6, 45.

[119] Shih: Kamer, 54/1; Tirmidhi, Tefsiru sure (54) 1, 2, 5; Ahmed ibn Hanbel, El-Musned 3/165, 4/81.

[120] Buhari, Megazi 29; Muslim, Eshribe 141.

[121] Buhari, Hibe 1, Rikak 17; Muslim, Zuhd 26, 28.

[122] Junus, 10/72.

[123] Ja Sin, 36/21.

[124] Buhari, Xhihad 89; Tirmidhi, Buju’ 7; Ibn Maxhe, Ruhun 1.

[125] Buhari, Rikak 17; Muslim, Libas 37.

[126] Buhari, Mezalim 25 Tefsiru sure (66) 2, Nikah 83, Libas 31; Muslim, Talak 30, 31.

[127] Nesai, Ishretu’n-nisa 1; Ahmed ibn Hanbel, El-Musned 3/128, 199, 285.

[128] Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-kebir 12/84.

[129] Ibn Hibban, Es-Sahih 2/386; Ibn Kethir, Tefsiru’l-Kur’an 1/441.

[130] Ebu Davud, Menasik 56; Ibn Maxhe, Menasik 84.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.