Cilësia e ringjalljes

Mahsheri ose vendgrumbullimi i llogaridhënies është vendi ku njerëzit do të ringjallen shpirtërisht dhe trupërisht. Duke na e parashtruar neve çështjen, Kur’ani na e parashtron në formë tablosh të veçanta por në këtë formë. Atje ku fiton rëndësi shpirti, flitet për shpirtin, kurse atje ku fiton rëndësi trupi, flitet për trupin.

Në Kur’an thuhet: “O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt i kënaqur e i pranuar (i kënaqur ti me Zotin për të mirat që të ka dhënë dhe i kënaqur edhe Zoti me punët e mira që ke bërë) dhe hyr mes robve të Mi dhe hyr në xhenetin Tim!” (Fexhr, 89/27-30) Këtu flitet vetëm për kthimin e shpirtit te Zoti, por në përshkrimin e përgjithshëm të kiametit, në dhënien e shembujve nga pranvera, pemët, gjërat lëndore dhe të patejdukshme, bëhet fjalë për rilindjen edhe të shpirtrave, edhe të trupave dhe se grumbullimi pas ringjalljes do të jetë shpirtëror dhe trupor.

Ne nuk kemi ndërmend këtu të bëjmë polemikën e çështjeve si kjo e të shqyrtojmë argumentet e pikëpamjeve të veçanta a të kundërta. Edhe pse ndërmjet dijetarëve islamë 2-3 persona thonë se “ringjallja është e posaçme vetëm për shpirtrat”, shumica e madhe e dijetarëve janë të bindur se shpirti me trupin do të ringjallen dhe grumbullohen së bashku. Veçanërisht nuk do të hyjmë as në shqyrtimin gjer e gjatë të hollësisë se “a do të ringjallen të gjitha molekulat e trupit, apo vetëm ato që përbëjnë esencën e njeriut”. Në këtë çështje janë parashtruar mendime të ndryshme mes imam Gazaliut dhe Fahredini Raziut. Ne i besojmë të vërtetës së ringjalljes dhe grumbullimit ashtu siç thonë dhe siç e përshkruajnë Kur’ani dhe hadithet, kurse aspektin që nuk na takon neve, ia lëmë në kompetencë diturisë së Zotit!

Xheneti dhe xhehenemi janë dy përfundime të rëndësishme. Emrat dhe atributet e Zotit i bëjnë të dyja të nevojshme e të domosdoshme. Dhe për besimtarët, edhe xheneti, edhe xhehenemi janë mëshirë. Në suren Rrahman thuhet:

“Mbi të dy dërgohet flakë zjarri e përhapur dhe një tym krejt i kuq (ose bakër i shkrirë), kurse ju nuk mundeni ta mbroni veten. Dhe, tani, cilën nga të mirat e Zotit tuaj e mohoni?” (Rrahman, 55/35, 36)

Këto ajete na tregojnë neve këtë: Mbi ta do të lëshohen zjarre të frikshme që mund të krahasohen vetëm me efektin e bombës atomike ose temperaturën në qendër të diellit. Ja pra, menjëherë pas lajmërimit të dërgimit të një zjarri të tillë, Kur’ani i pyet njerëzit dhe xhindet: “Cilën nga të mirat e Zotit tuaj po përgënjeshtroni?” Ç’është e mira për të cilën aludohet këtu? Po qe se xhehenemi me të gjithë tmerrin e vet, duke shkaktuar frikë dhe drojë në zemrën e besimtarit, për pasojë, duke ndikuar te ai për ta rregulluar jetën, kjo do të thotë se frikësimi dhe paralajmërimi me anë të xhehenemit është një e mirë.

Ashtu siç është xheneti faktor për t’i shtyrë njerëzit e pjekur drejt majave të larta, edhe xhehenemi është shkak që njerëzit ende të paformuar ta fusin nën një kontroll serioz jetën e tyre nga frika e tij. Po, xhehenemi është si një zjarr i ndezur në një rrugë të rrezikshme. Ai e ruan njeriun për të mos hyrë në atë rrugë. Kurse xheneti është një sofër e shtruar në rrugën e drejtë e të orientuar dhe e fton njeriun në atë rrugë. Kështu, që të dy bëhen mirësi veç e veç për njerëzit që janë në gjendje ta mendojnë përfundimin!

Të vërtetën e xhenetit dhe xhehenemit, Kur’ani e trajton në mbi njëqind e njëzet vende, duke e përshkruar në mënyrë të përmbledhur ose të hollësishme. Në këto përshkrime, duke bërë tablotë përkatëse edhe të xhenetit, edhe të xhehenemit, Kur’ani aludon për bashkëshoqërimin shpirt-trup. Fytyra e njeriut që hyn në xhenet është e lumtur, gjë që është shprehje e kënaqësisë shpirtërore. Ndërkaq, atje ka edhe nga të gjitha të mirat që ia do zemra. Atje ai shoqërohet nga gratë dhe hyritë, gjë që është shprehje e kënaqësive trupore.

Pendimet e njerëzve të xhehenemit, vuajtjet që ua bëjnë ndërgjegjet t’u kullojnë gjak, janë gjithmonë shpirtërore, vetëm se specifika të tilla si hyrja në zjarrin që flakëron, ndërrimi i lëkurëve të djegura menjëherë me të reja me qëllim që t’u vazhdojë vuajtja dhe mundimi, dëshmimi i gjymtyrëve kundër tyre janë lloje ndëshkimesh e mundimesh krejtësisht të posaçme vetëm për trupin.

Fakti që ne prekëm nën këtë titull çështjet e xhenetit dhe xhehenemit, ishte vetëm për të tërhequr vëmendjen për aludimet e Kur’anit në bashkëshoqërimin shpirt-trup. Kurse kjo temë është e veçantë, më vete dhe e gjatë.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.