Kazaja dhe Kaderi nga Pikëpamja e Krijimit

Allahu është Ai që e krijon çdo gjë. Gjithçka që ne i themi "gjë", janë krijesa të Tij, përfshi edhe ne, edhe aktet tona. Eshtë për këtë arsye që në Kur'an thuhet: "Edhe ju, edhe aktet tuaja është Allahu që i krijon!"[1]

Edhe Profeti ynë, në një hadith të vetin, na tërheq vëmendjen kështu: "Eshtë Allahu që krijon çdo artist si dhe artin e tij!"[2]

A po gdhendni një gur apo mermer? Eshtë Allahu që ju ka krijuar ju, është po Ai që po e krijon atë punë për ju. Eshtë gjithashtu Allahu që ju ka dhënë një aftësi, pastaj që ju bën të mendoni dhe, më tutje, që t'i shprehni mendimet tuaja. Në është kështu, ç'i takon vullnetit tonë? Në një çështje të tillë, sa pjesë i është lënë vullnetit tonë?

Gjëja që i themi vullnet është aq e vogël, saqë sado të thella t'i keni shikimet dhe sado i gjerë të jetë horizonti juaj i pamjes, nuk mund ta dalloni e nuk mund ta përcaktoni atë, sepse ai nuk ka asnjë lloj trupi të jashtëm. Vullneti ynë është aq i vogël, sa është e pamundur të gjesh një lidhje shkak-pasojë mes tij dhe punëve të kryera me anë të tij. Ndërkaq, sa i vogël të jetë vullneti ynë, aq të mëdha janë favoret hyjnore që na rrinë pranë!

Ai që krijon është Allahu. Kur'ani, Sunneti dhe ndërgjegjet e zhvilluara dëshmojnë se kjo kështu është. Eshtë për këtë arsye që i Dërguari i Allahut dhe ne si ummeti, bashkësia e Tij, kërkojmë që Zoti të krijojë për ne gjëra të mira, të cilat për ne të mos e kenë burimin në vullnetin tonë, por në mëshirën e Tij! Sa për të dhënë një mendim, dëshiroj të përmend këtu nja dy lutje.

Në një hadith profetik të përcjellë nga Buhariu, Profeti na mëson si lutje istihare (këshillimi) këtë:

"Allahu im, i drejtohem për këshillim diturisë Tënde, kërkoj ndihmë nga fuqia Jote dhe atë që kërkoj, e kërkoj nga favori Yt i lartë!

Ti ke mundësi për çdo gjë, kurse unë s'kam mundësi për asgjë. Ti di çdo gjë, kurse unë nuk di asgjë! Ti je Njohësi i së Fshehtës!

Allahu im, po qe se kjo punë (përmendet puna për të cilën bëhet lutja) është, në emër të përfitimit tim në këtë botë dhe në botën tjetër dhe si fillim dhe përfundim, e mirë, e mbarë dhe e dobishme, dhe po qe se kështu e di Ti këtë, caktoje këtë punë për mua, ma lehtëso dhe pastaj ma bëj të begatë. Por po ta dish se kjo punë është për mua, për llogari të fesë dhe të jetës sime në të dy botët, në fillim e në fund, e dëmshme, largoje atë prej meje dhe mua mbamë larg prej saj. Cakto për mua atë që është e mirë, e mbarë dhe e dobishme dhe pastaj bëmë mua të kënaqur me vlerësimin dhe caktimin Tënd!"[3]

Me anë të këtyre lutjeve Profeti ynë, jo vetëm që na mëson disa të fshehta të kaderit, por edhe na tregon se Allahu (xh.xh.) është e vetmja fuqi që do të na çojë në mirësi, mbarësi dhe dobi, gjithashtu që do të na mbajë larg nga e keqja. Eshtë Allahu ai që na bën ta ndjejmë në ndërgjegje hidhësinë e së keqes dhe na largon prej saj. Kurse për të mirën, mbarësinë dhe dobinë, na lëshon në botën tonë të brendshme një fllad e një kënaqësi të gjerë, ndërgjegjja jonë mbushet e derdhet me këtë kënaqësi dhe ne përpiqemi ta rrokim atë mirësi me të gjithë qenien tonë. Fundja, "bijedihi'l-hajru", "mbarësia është në dorën e Tij"! Fundja, është e pamundur që dikush tjetër veç Tij të na japë ne mirësi, mbarësi e dobi ose ta ndalojë apo ta largojë prej nesh mirësinë, mbarësinë dhe dobinë që është duke na ardhur!

Allahu e pati larguar të keqen që i pati rënë mbi kokë Hz. Jusufit. Cili është argumenti i kësaj? Ne s'kemi ndërmend ta debatojmë atë këtu. Vetëm se duam ta nënvizojmë se profetin e ardhur si esencë të principialitetit dhe sinqeritetit, Zoti e mbrojti nga e keqja e një gruaje. Për këtë arsye që në Kur'an, duke u treguar ky aspekt i çështjes, thuhet kështu:

"Ja, kështu e larguam prej tij të keqen dhe prapësinë! Me të vërtetë, ai ishte ndër robtë tanë të sinqertë!"[4]

Ja, këtu, mes së keqes dhe prirjes së vullnetit të njeriut, hyn bujaria dhe favori i Zotit, i cili e shpëton personin nga prirja drejt së keqes. Ndërkaq, shprehja e Kur'anit, "ai ishte ndër robtë tanë të sinqertë" tregon se është pikërisht sinqeriteti i Hz. Jusufit gjëja që ka tërhequr bujarinë dhe favorin e Zotit! Nga pikëpamja e lidhjes me këtë kuptim, fjalët e bekuara të Profetit, si më poshtë, janë shumë kuptimplote e të rëndësishme:

"Kujdes! Në trup është një copë mishi që, kur është mirë ajo, i gjithë trupi është mirë dhe, kur prishet ajo, i gjithë trupi prishet! ajo është zemra!"[5]

Po, sinqeriteti i zemrës dhe mbushja e saj me dashuri dhe respekt për Zotin konsiderohet shkak dhe mjet për largimin e të këqijave dhe shqetësimeve të ardhura një pas një.

Gjithashtu në një hadith të rrëfyer nga Buhariu, Profeti, me anë të një lutjeje, na e kujton me kujdes specifikën se është Allahu që i krijon aktet tona ashtu si edhe çdo gjë tjetër! Një pjesë e kësaj që disa imamë e këndojnë veçanërisht në namazin e agimit si lutje fillimi, është kështu:

"Allahu im, nuk ka kush që ta kthejë mbrapsht atë që jep Ti, apo që të japë atë që e ke penguar ti. Pranë Teje s'ka shmangie. Gjithë nderi dhe dinjiteti është i Yti dhe tek Ti!"[6]

Siç shihet, në këtë lutje mësohet se askush nuk mundet ta kthejë mbrapsht vendimin dhe zbatimin e Allahut. Atëherë, themi se ajo çka na takon neve, është vetëm një prirje dhe një nismë.

Në esencë, fakti që edhe aktet tona janë të krijuara nga Allahu, na jep ne një ndjenjë dhe siguri krejt të veçantë. Kjo është një ide dhe një besim i mbushur plot përgëzim i rrjedhur nga fakti që Zoti ynë që na ka krijuar, nuk na lë vetëm për vetëm me aktet tona, por, me dijen dhe fuqinë e Tij, na ndodhet gjithmonë më afër se vetja jonë! Ç'mund të jetë më e gëzueshme për njeriun se kjo? Me këto ndjenja, ne e hedhim veten në prehrin e mëshirës dhe të gjitha aktet tona ia lëmë krijimit të Zotit. Ja pra, ky nënshtrimi ynë bëhet shkak që dëshira hyjnore, si një dallgë mëshire, të na vërë para e të na hedhë mu në mes të oqeanit të afërsisë dhe konfidencës hyjnore. Me këtë shpresë e me këto dëshira e presim ne dëshirimin e vullnetshëm të Zotit. Zoti mos na dhëntë humbje e dështim në këtë pritje! Amin, ashtu qoftë!

Ashtu siç e thamë edhe në krye të fjalës orientimi edhe çorientimi janë në dorë të Allahut dhe realizimi dhe konkretizimi i tyre varen nga dëshira e vullnetshme e Zotit dhe akti krijues i Tij!

Në Kur'an kjo e veçantë është trajtuar me hollësi. Ne do të prekim nja dy ajete vetëm si shembull.

"Kë ta orientojë Allahu, ai orientohet dhe vihet në rrugë të drejtë. Dhe kë ta lërë të çorientuar, për të s'mund të gjesh një udhëzues që ta orientojë e ta vërë në rrugë të drejtë!"[7]

"Vetëm ai që e ka orientuar Allahu është në rrugë të drejtë!"[8]

"Nuk ka kush që ta çorientojë atë që e ka vënë Allahu në rrugë të drejtë! A s'është Allahu i shenjtë e shpagues?"[9]

Për cilin të dëshirojë Allahu orientim, rrezet e dritës së orientimit rrjedhin për në zemrën e tij dhe e bëjnë atë të vendosur në rrugën e drejtë. Dhe cilën të dojë ta zvarrisë në mbrapshti, edhe sikur të mblidhen të gjithë vaizët dhe hatibët për ta shpëtuar, t'i shkojnë në ndihmë, t'ia tregojnë dhe shpjegojnë çdo gjë që duhet treguar e shpjeguar, madje të fitojnë me këtë përpjekje mirësinë e kumtimit të rrugës së drejtë, nuk do të mund të bëjnë asgjë për ta shpëtuar atë nga çorientimi dhe mbrapshtia. Sepse atij i është hequr denjësia për t'u orientuar dhe vënë në rrugë të drejtë. Tashmë, çfarëdo që të bëhet për të, s'ka asnjë dobi. Pamja e përgjithshme e ditëve tona pandeh se mjafton për ta treguar këtë, madje tepron!

Ndërkaq këtu, kjo specifikë s'duhet mbajtur larg nga vështrimi. Orientimin dhe çorientimin i krijon Allahu, por qoftë edhe konvencionalisht, i krijon sipas dëshirës dhe kërkesës së vullnetit të pranishëm.

Njeriu dëshiron dhe kërkon (shfaq dëshirë e vullnetshme), kurse Allahu (xh.xh.) që është orientues e çorientues, krijon orientimin dhe çorientimin. Për rrjedhojë, njeriu është vetë çorientuesi i vetvetes!

Për këtë arsye në çdo namaz ne, duke kënduar Fatihanë, i lutemi Zotit të mos na zvarrisë në rrugën e atyre që kanë tërhequr mbi vete ndëshkimin e Zotit dhe të atyre që janë çorientuar, janë shmangur nga udha e drejtë![10] Në një hadith të tijin, Profeti thotë se ata mbi të cilët ka rënë ndëshkimi i Allahut, janë çifutët, kurse ata që janë shmangur nga udha e drejtë, janë krishterët.[11] Pasi e prumë temën në këtë pikë, duhet të qëndrojmë mbi nivelet e orientimit në mënyrë që të mos lihet hapësirë për keqkuptime!


[1] Saffat, 37/96.
[2] Kenzu'l-Ummal, I, 263.
[3] Buhari, Tehexhxhud, 25; Ibni Maxhe, Ikame, 188.
[4] Jusuf, 12/24.
[5] Buhari, Iman, 39.
[6] Buhari, Kader, 12.
[7] Kahf, 18/17.
[8] Isra, 17/97.
[9] Zumer, 39/37.
[10] Fatiha, 1/7.
[11] Musned, IV, 378.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.