Politika

Politika është, në vijën e lënies të kënaqur të popullit dhe Zotit, arti i administrimit. Qeveritë konsiderohen të suksesshme dhe premtuese me aq sa e mbrojnë popullin me anë të pushtetit që kanë, nga të këqiat, kurse me anë të organeve të drejtësisë, nga padrejtësitë. Në të kundërt, qirinjtë e mbarësisë shuhen menjëherë, pastaj ikin e mbarojnë duke lënë pas vedi një rrëmujë të madhe me thirrje sharjesh e mallkimesh...

***

Qysh në krye të herës, masat i kanë drejtuar politikanë, njerëz të aksionit, të ditur e të zgjuar, kurse ata vetë, më të shquarit mes tyre. Edhe sundimi ynë botëror i përket periudhave kur patëm një kuadër të tillë...

***

Për një administrator dhe politikan të mirë, janë shumë të rëndësishme këto veçori: ide e Zotit, epërsi e drejtësisë, vetëdije e detyrës, ndjenjë përgjegjësie në punët e rënda e të vështira, mjeshtëri dhe kompetencë në punët delikate...

***

Qeveri do të thotë drejtësi dhe qetësi. Atje ku s'ekzistojnë këto, s'mund të bëhet fjalë se ka qeveri. Po qe se qeveria përngjasohet me një mulli, mielli i saj janë rregulli, qetësia dhe siguria. Kurse mulliri që s'nxjerr të tillë miell, s'bën gjë tjetër veçse zhurmë duke bluar në erë...

***

Më shumë se të thotë qeveria, "populli im", ka rëndësi të shprehet populli për të duke e quajtur "qeveria ime" dhe pandeh se kjo është ajo që kërkohet gjithmonë! Ndryshe, po qe se populli e sheh qeverinë që ka në krye si egjër që i ka rënë në qafë duke iu përdredhur nga të katër anët, qeveria i ngjet një koke të këputur nga trupi qëkuri...

***

Respekti në zemrën e popullit ndaj shtetit, respekti i tij ndaj qeverisë duhet përpjekur të fitohen jo me dhunën e nëpunësit të qeverisë, por me seriozitetin e qeveritarëve në sjelljet dhe veprimet e tyre, me sinqeritetin në punët dhe shërbimet e tyre. Gjer tani, me despotizmin e nëpunësve mizorë a me mashtrimin e masave askush nuk ka dalë i fituar!..

***

Po qe se nëpunësit që qeverisin një shtet të mirë e të virtytshëm, mund të zgjidhen sipas fisnikërisë së origjinës, fisnikërisë së mendimit dhe fisnikërisë së ndjenjave, ai shtet mbetet i mirë e i fuqishëm. Kurse qeveria e cila, duke emëruar nëpunës persona të mangët në këta tregues të lartë, ka rënë në fatkeqësinë për të pritur shërbim prej tyre, s'është një qeveri e mirë dhe kurrsesi nuk mund të jetë jetëgjatë! Sjelljet e këqia të nëpunësve të pafismë, herët a vonë do të reflektohen si njolla të zeza edhe në çehren e saj, për rrjedhojë, ajo edhe në ndërgjegjen e popullit do të nxihet!

***

Në detyrë, nëpunësit duhet të veprojnë brenda kuadrit të ligjeve, por duhet edhe të jenë të butë sipas butësisë së ndërgjegjeve të veta. Kështu ata do të ruajnë edhe respektin mbi veten, edhe respektin mbi ligjet, edhe respektin mbi shtetin! Nuk duhet nxjerrë nga mendja se ashpërsia e skajshme shkakton shpërthime të papritura, kurse butësia e skajshme, sjelljen e shoqërisë në gjendjen e një fidanishtjeje barërash të këqia...

***

Ligjet duhet të jenë të vlefshme për të gjithë në çdo kohë e në çdo vend, kurse zbatuesit e tyre, edhe të guximshëm, edhe të drejtë në mënyrë që masat, po aq sa të kenë frikë para tyre, po aq edhe të ndjehen të sigurtë në saje të tyre!..

***

Një shtet është i fuqishëm dhe i qëndrueshëm, për pasojë, edhe me fat, me aq sa të përfaqësohet me individë besimtarë, të zgjuar, të fuqishëm e dinamikë.

***

Kopshtari i ushqen fidanat e i rrit, i mbron ata nga dëmtuesit dhe fatkeqësitë, pastaj, në kohën e të vjelave, mbledh frytet e tyre. Edhe marrëdhënia midis shtetit dhe popullit është po marrëdhënia midis kopshtarit dhe fidanëve...

***

Shtetet e shkëlqyer lindin nga kombet e shkëlqyer, kurse kombet e shkëlqyer, me pushtetin e tyre dituror, mundësitë materiale dhe njohjen e gjerë, nga brezat me shpirt si dhe nga individët e zgjedhur që luftojnë për të qenë "identitet i vetvetes"!

***

Qeverisja në një komb që nuk e ka vërtetuar ende pjekurinë e vet në çdo individ, duhet t'u dorëzohet personave më të informuar, më të aftë e më largpamës. Për një komb, nuk mund të përfytyrohet një fatkeqësi më e madhe se dorëzimi i punëve të shtetit njerëzve të paditur, të paaftë e miopë!

***

Po qe se të pafismët, të mangët nga kultura dhe soji e të paditur në punët e shtetit, janë sjellë gabimisht në krye të një detyre, nuk do të rrinë pa e përdorur fuqinë e shtetit për vete, pa e shpërdoruar pushtetin e tij, pa kërkuar në çdo gjë interesat e veta dhe pa sunduar si nga një mbret despot më vete. Në një vend ku në pushtet janë njerëz të tillë, do të dëgjohen vetëm bërtitjet e mizorëve dhe rënkimet e viktimave, për pasojë, fundi i dhimbshëm i atij vendi do të jetë i pashmangshëm.

***

Një shtet duhet të përpiqet të rregullojë jo vetëm punën, veprimtarinë dhe sjelljet e kombit, por edhe mendimin dhe botëkuptimin e tij, kurse parimi më i rëndësishëm në këtë rregullim është uniteti i mendimit, i ndjenjës, i arsimit dhe edukimit. Po qe se individët që përbëjnë kombin, ushqehen me kultura e mendime të ndryshme, bien në antagonizëm me njëri-tjetrin dhe luftojnë në interes të botëkuptimeve të ndryshme, ai komb është i dënuar me asgjësimin e vetvetes!

***

Që një komb të jetë i fuqishëm, sa ç'është i rëndësishëm uniteti i kulturës, ndjenjës e mendimit, po aq me ndikim është edhe prishja e unitetit moralo-fetar në copëtimin dhe shpërndarjen e kombit!

***

Në çdo gjë ka politikë, ndërkaq, politika e atyre që përgatisin rilindjen e një kombi, duhet të jetë politika e njerëzve të cilët, pa menduar asgjë, madje dhe kënaqësitë e veta, marrin forcë vetëm e vetëm me kënaqësitë e kombit dhe vuajnë vetëm me dhimbjet e tij!..

***

Administrimi i mirë dhe politika me nivel nuk duhen kërkuar as në flokët e bardhë dhe mjekrrat, as në servilizëm dhe postet e fituara me hipokrizi dhe as në popullaritetin artificial të shtënë në dorë me shtytjen e një sërë strukturash të dyshimta, por duhen kërkuar mes njerëzve shpirtlartë, mes truve që heqin e vuajnë dhe mes skllevërve të së vërtetës që nuk kërkojnë lirim...

***

Po qe se çdo shtëpi shërben si një shkollë për mësimin dhe edukimin e pjesëtarëve të shtëpisë, çdo shkollë shërben si një garnizon i vogël që zhvillon shpirtin ushtarak, çdo garnizon shërben si një kuvend ku diskutohen qenia, vazhdimësia dhe qetësia e kombit dhe çdo kuvend shërben si një laborator shoqëror që vlerëson, duke e kaluar nëpër prizmin e shpirtit dhe mendimit kombëtar, çdo çështje të përcjellë atij kuvendi sipas detyrës dhe kompetencave të tij, do të thotë se ai komb zotëron kuadrin administrativ dhe politik më ideal!

***

Zotërimi i mendimeve të ndryshme dhe i konsideratave të ndryshme është punë e njerëzve të pjekur. Ndërkaq, askush s'ka të drejtë të tregohet liberal e lëshues ndaj mendimeve e konsideratave të ndryshme që e përçajnë kombin duke e ndarë në kampe, sepse një liberalizëm dhe lëshim i tillë do të thotë të mbyllësh sytë para shembjes dhe asgjësimit të kombit!

***

Sado mirë të mendoni e sado optimistë të jeni për njerëz që u përkasin mendimeve e ndjenjave kombëtare të tjera, nuk duhet të mbani larg syve se mund t'ju sjellin edhe dëm. Dhe në asnjë mënyrë të mos u jepni rast të shtien në dorë pikat që vlerësohen si aortë e kombit dhe shoqërisë, sepse njeriu mund të bëjë lëshime që mund ta hedhin atë personalisht në rreziqe, por kurrsesi s'ka të drejtë të sillet kështu në emër të kombit dhe shtetit!

***

Duke u nisur nga konsiderata se ka edhe njerëz shumë të sinqertë e të dobishëm megjithëse kanë një botëkuptim të ndryshëm e mendojnë ndryshe nga ju, nuk duhet t'i dilni me nxitim kundër çdo mendimi të kundërt si dhe t'i humbni ata që mendojnë ashtu. Për më tepër, duke kërkuar rrugët për të përfituar nga mendimet dhe konsideratat e tyre, duhet hyrë në dialog me ta. Ndryshe, këta të pakënaqur, të larguar nga ana jonë me mendimin se nuk mendojnë si ne, ose të larguar vetë, ju dalin para me turma gjigande dhe ju shtrijnë për tokë. Edhe nëse gjatë gjithë historisë së njerëzimit nuk mund të tregohet ndonjë vepër pozitive e kryer prej të pakënaqurve, shtetet që kanë shembur janë të panumërueshëm!

***

Nga kushdo që të vijë, le të vijë, njeriu duhet të dijë të përfitojë nga informacionet dhe konsideratat e dobishme për sistemin e vet, për mendimin e vet, për botën e vet dhe sidomos kurrë nuk duhet ta nënvleftësojë përfitimin nga përvoja e njerëzve me përvojë!

***

Duke marrë parasysh veçorinë e saj bashkuese e njësuese, feja është një institucion jetësor që duhet ta kenë parasysh ata që drejtojnë kombet dhe në fuqinë e pamposhtur të së cilës duhet mbështetur vazhdimisht!

***

Lidhur me sigurimin e qetësisë dhe garancisë për kombet dhe shtetet, është e pamundur të gjesh një forcë të dytë sa të fesë. Ashtu siç është fuqia më ndikuese mbi ndërgjegjet e njerëzve, feja është edhe elementi më vendimtar për të marrë nën kontroll sjelljet dhe veprimet e individëve. Eshtë për këtë arsye që drejtuesit, duke e njohur jetën fetare si jetë të kombit, janë përpjekur vazhdimisht ta mbajnë gjallë atë në ndërgjegjen publike.

***

Lartësimi i kombit varet nga aftësimi i të rinjve për ta kuptuar kohën që jetojnë brenda kuadrit të besimit dhe mendimit tonë, nga mbrojtja e besueshmërisë para masave duke bërë përpjekje të vetëdijshme për të kapërcyer varfërinë dhe nevojat si dhe nga mbajtja e industrisë dhe tregtisë gjithmonë pas dijes dhe aftësisë.

***

Janë tre elementë të rëndësishëm që i mbajnë gjallë kombet: feja, urtësia, arma. Urtësinë mund ta interpretojmë si përvetësim të filozofisë duke e lidhur atë ngushtë me jetën.

***

Bota është një vend prove dhe çdo gjë këtu zë vend sipas kuptimit të marrë me anë të përvojës dhe vlerave të fituara. Për mua, duke u dhënë, nga një anë, rëndësi gjërave të kaluara nëpër prova, nga ana tjetër nuk duhet lënë gjë mangut në provat dhe vlerësimet e reja që informacionit t'i ruhet edhe saktësia, edhe pjelloria.

***

Në qeveritarët e lartë janë parim ndjeshmëria, dhembshuria dhe ndjenja e përgjegjësisë, në drejtuesit lokalë, sigurimi i rregullit në jetën e përditshme, i sigurisë dhe qetësisë, në gjykatësit, ideja e së drejtës, paanshmëria dhe guximi qytetar.

***

Eshtë e natyrshme që mes kombeve e shteteve të ketë fërkime. Nisur nga kjo, politika mes tyre vërtitet ose rreth miqësisë së sinqertë, ose interesit. Që të dyja mënyrat janë të justifikueshme me kusht që të mos dëmtohet tjetri si dhe të mos dëmtohesh vetë. Ndërkaq, edhe nëse s'mendohet që ne ta mashtrojmë dikë, është një aspekt i politikës që të rrihet vazhdimisht zgjuar për të mos u mashtruar nga të tjerët!

***

Bëjnë gabim ata që e kuptojnë politikën vetëm në formën e partisë, propagandës, zgjedhjeve dhe luftës për pushtet. Politika është art i administrimit me perspektivë të gjerë, si mendimi në të njëjtën kohë i të sotmes me të nesërmen dhe i të nesërmes me të pasnesërmen si dhe i trajtimit të kënaqësisë së popullit së bashku me pëlqimin e Zotit.

***

E kaluara është një shkollë e mbushur plot me shembuj nga jeta dhe tablo mësimdhënëse. Ata që janë të aftë ta njohin dhe vlerësojnë shumë mirë këtë shkollë me gjërat që jep dhe që përfton, do ta zotërojnë edhe të nesërmen me sukses. Sepse e sotmja është identikja e së djeshmes e kështu me radhë; çka ndryshon, janë vetëm ngjyrat...

***

Sundimi i forcës është kalimtar. I përjetshëm është sundimi i të drejtës dhe drejtësisë. Edhe nëse jo sot, është jashtë çdo diskutimi se në një të ardhme të afërt këta do të dalin fitues! Prandaj, politika më e madhe duhet kërkuar në anësinë ndaj të drejtës e drejtësisë!..

***

Sipas kritereve të pranuara, të thuash "nuk përzihem në politikë, mos u përzje në politikë", do të thotë "nuk përzihem, mos u përzje në punën e atdheut dhe kombit, në jetën dhe të ardhmen e kombit"!

***

Në ditët tona, një pjesë e madhe e njerëzve, ndryshe nga ata që i konsiderojnë politikë lojrat politike ditore, mashtrimin e masave popullore, luftën për interesa dhe pushtet dhe, për hir të kësaj, tregimin si legale të të gjitha veprimtarive e akteve jolegale, e shohin si të detyrueshme që, në emër të jetës së tyre ndiesore, të drejtimit të tyre ideor dhe të marrëdhënieve me Zotin, të rrinë larg çdo lëvizjeje politike. Eh, ku politika e njësuar me idenë e së drejtës dhe drejtësisë e ku sharlatanizmi i rrugëve!..

Pin It
  • Publikuar më .
© 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.