E Keqja e Gjuhës

Të folurit e shumtë është një sëmundje që shërben si provë e çekuilibrit mendor e shpirtëror. Fjalë e përshtatshme është ajo që, me rrugën më të shkurtër, i tregon diçka bashkëbiseduesit pa i trazuar kokën. Për t'i treguar ca gjëra bashkëbiseduesit, nuk është nevoja të flasësh gjerë e gjatë, madje, e folura e gjatë shpesh sjell me vete një sërë dëmesh sepse krijon mundësi për kontradikta që nxjerrin në shesh pyetje të reja gjë që, për bashkëbiseduesin, përbën dëm e jo dobi!

***

Njeri i mençur është ai që, në vend që të flasë vetë, vë të flasin persona që do të ishin të dobishëm si për vete, ashtu edhe për të tjerët. Në fakt, fjala e dikujt tjetër në vend të personave, mendja e të cilëve është e mbushur dhe pjekur me shkencat e natyrës, kurse zemra, me kulturën hyjnore, është mungesë respekti dhe dëm për shoqërinë që i përkasin.

***

Të flasësh pak e të dëgjosh shumë është virtyt dhe shenjë lartësimi shpirtëror, kurse dëshira e vazhdueshme për t'u dëgjuar, edhe nëse s'quhet çdo radhë marrëzi, nuk ka dyshim se është çekuilibër absolut e paturpësi!

***

Çdo fjalë që do të thuhet, duhet të jetë e tillë që të sqarojë ndonjë çështje dhe t'i japë përgjigje ndonjë pyetjeje. Dhe, duke folur, duhet ruajtur me çdo kusht nga shkaktimi i mërzitjes si tek pyetësi, ashtu edhe tek dëgjuesit.

***

Eshtë normale dhe e natyrshme që njeriu duhet të heshtë atje ku s'duhet të flasë dhe duhet të hapë gojën atje ku duhet të flasë. Ndërkaq, çdo herë duhet të parapëlqehet fjala e personave me më përfitim. Dhe kjo, para së gjithash, është një çështje edukate dhe varet nga njohja e vlerës së heshtjes. Sa bukur kanë thënë etërit tanë: "Fjala është argjend, heshtja është flori!"

***

Njeriu e rrit vlerën e vet jo duke thënë shumë fjalë, por kur fjalët që thotë, janë me vend e me vlerë. Në të kundërt, personi që flet mbarë e prapë e kudo, sidomos nëse tema e bisedës ka të bëjë me koncepte të larta e që kërkon kompetencë, bie në shumë gabime dhe e rrëzon edhe vlerën e vet. Sa me vend është fjala që thotë se "ai që flet shumë, bën shumë sakatllëqe!"

***

Me fjalët që thotë, njeriu e tregon veten dhe me sjelljet reflekton lartësinë e shpirtit. Llafazanët që nuk ia lënë fjalën askujt tjetër sikur të ishte e nevojshme që çdo fjalë duhet ta thoshin ata vetë, me kohë nisin të ndjejnë neverinë dhe përbuzjen e të gjithë miqve. Dhe një situatë e tillë bën që të mos u vihet veshi fjalëve të bukura që herë-herë do t'u takojë atyre t'i thonë, për rrjedhojë, të nënvleftësohen të vërtetat e larta pikërisht pse i tha një llafazan, gjë që do të thotë mungesë respekti për ato të vërteta të larta.

***

Ashtu si e ngrëna e paktë dhe e fjetura e paktë, edhe e folura e paktë është bërë që në krye të herës tipar i njerëzve të pjekur. Porosia e parë e dhënë njeriut për zhvillimin e aftësive shpirtërore është sundimi i gjuhës dhe ruajtja prej fjalëve të pavend e të panevojshme. Kështu, gjuha e atyre që kudo që të ndodhen, e hapin gojën e flasin mbarë e prapë, e cila u është më e madhe se koka dhe zemra, do të bëhet vazhdimisht shkak për humbje edhe këtu, edhe në botën tjetër...

***

Sidomos puna e atyre që thonë gjëra që s'i kanë bërë, është krejt e hidhur dhe të vë në mendime...

***

Njeriu bëhet i afërt e i dashur për Krijuesin dhe krijesat në atë masë sa të qëndrojë larg sëmundjes së të folurit të shumtë, të pëlqimit të fjalës së vet dhe mosnjohjes të tjerëve të së drejtës së fjalës. Në të kundërt, nuk e gjen dot atë që shpreson as te Zoti e as te njerëzit!..

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.