Ndjenja dhe Nijimi

Ndjenjë dhe ndijim do të thotë rrokje nga njeriu e gjërave që hyjnë në nivelin njohës dhe përceptues të tij të brendshëm e të jashtëm, domethënë konceptim me anë të shqisave të brendshme e të jashtme; kështu, ai që arrin të rrokë disa ose shumë gjëra në të njëjtën kohë, quhet "i ndjeshëm".

***

Mendja është forma konceptuese e trurit, kurse ndërgjegjja, e shpirtit. Po qe se të parën do ta përkufizonim "njohje", të dytën do të ishte e përshtatshme ta quanim "ndjerje". Nisur nga kjo, kurrsesi nuk mund të mendohet që personat mendjetrashë e ndërgjegjevdekur ta ndiejnë dhe përjetojnë ekzistencën si dhe t'i njohin dhe kuptojnë gjërat që ndodhin brenda saj!

***

Nga aspekti filozofik, ndjenja është ndërgjegjja, mekanizmi njohës vetiak i shpirtit. Kështu, njeriu i pandjenjë, në një kuptim, është i pandërgjegje, kurse njeriu i pandërgjegje, në një kuptim, është i pandjenjë!

***

Në një kuptim më të hollë, ndjenja është kuptimi diferencues, me anë të një mekanizmi të brendshëm, i të mirës dhe të bukurës nga e keqja dhe e shëmtuara dhe në këtë rrugë mund të dalin në pah shumë karakteristika njerëzore. Për shembull, pasi ta kemi zënë rob armikun, ne vendosim për vrasjen ose faljen e tij më shumë me ndjenjë se sa me arsye. Po ashtu për një person që na ka njollosur nderin: ta njollosim edhe ne atë, apo të sillemi njerëzisht ndaj tij!

***

Ndjenja edukohet dhe zhvillohet me urtësi. Kurse filozofia materialiste e qorron ndjenjën dhe e shuan. Prandaj ndodh që ata që e trajtojnë një çështje duke e mbështetur në arsyen, asnjëherë nuk munden ta njohin botën e ndriçuar të ndjenjës.

***

Ndjenja e drejtë kërkon një ndjeshmëri të pacen, të pamëri. Kështu, ndjeshmëria e plotë dhe e vërtetë lind prej një ndjenje të plotë e të vërtetë!

***

Të gjitha fitoret e të pandjenjëve e të të pandërgjegjshmëve janë krejtësisht fitore kafshërore si dhe nga një varg shëmtish më vete, ashtu që teprimi në aspektin material dhe egoistik finalizohet me thyerje shpirtërore dhe me paralizimin e mekanizmit ndërgjegjësor.

***

Ata që i ndjejnë në ndërgjegje dhimbjen dhe ankthin e fatkeqësive të rëna mbi fenë, atdheun dhe kombin, janë ca shpirtra të lartë me botë të brendshme të ndjeshme të cilët nuk druhen ta flijojnë me gjithë dëshirë edhe jetën për këto vlera të larta të cilave ua kanë falur zemrën. Sa për personat e pandjenjë, edhe sikur të shpenzojnë shumë fjalë për flijimin, nuk u mjafton fuqia për të bërë edhe më të paktën prej gjërave që zënë në gojë...

***

Prania te njeriu, edhe në dëm të vetes, e vetive të larta si altruizmi, pra, mendimi për tjetrin para vetes, jetesa për tjetrin, marrja pjesë në gëzimet dhe hidhërimet e tjetrit, që janë secila vlera më vete, rrjedhin nga prania tek ai e ndjeshmërisë shpirtërore të lartë. Kurse te njerëzit të privuar krejtësisht nga një pasuri e tillë ndiesore, është krejtësisht e pamundur të shohësh jo më tërësinë e këtyre vlerave, por as edhe njërën prej tyre! Sa për gjërat si virtyte apo burrëri të dukura në njerëz të tillë, ato u ngjajnë më shumë mërmëritjes nga dikush të një pjese të kompozuar nga dikush tjetër...

***

Përparimi dhe lartësimi i një kombi varet nga uniteti ndiesor dhe thellësia emocionale e individëve të tij të cilët, nëse kanë botë shpirtërore të thellë, e flijojnë pa iu trembur syri çdo gjë që kanë në dorë për hir të ideve dhe kauzës së vet, kurse, kur mbeten të pashpresë, vuajnë e treten si qiri...

***

Shkalla më e lartë e ndjenjës është një emfazë e ndezur e shfaqur kur dhunohen vlerat fetare e kombëtare, e cila i dridh shpirtrat e ndjeshëm si një ethe e i hedh përpjetë. Kësaj ne mund t'i themi edhe atdhedashuri e zjarrtë.

***

Atdhedashuria është vuajtje e përpëlitje e një shpirti në atë vend ku vlerat janë shembur e kthyer përmbys dhe janë këto vuajtje e përpëlitje si veçoria më e dallueshme që i ndan nga njëri-tjetri njeriun e vërtetë nga qenia me trajtë njeriu.Të gjitha kokat e vuajtura, nga Shpirti më i Lartë që ndodhet në majë[1] e gjer në të vuajturit e ditëve tona, kanë vuajtur e rënkuar, vuajnë e rënkojnë nën ethet e kësaj sëmundjeje duke rënë e ngritur e duke u përsjellë maleve, shpellave e varrezave... Sipas meje, ata që kanë krijuar epokat më të shkëlqyera të historisë, janë pikërisht këta heronj të ndjenjës dhe atdhedashurisë!


[1] Eshtë fjala për profetin Muhammed.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2021 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.