Në një fatkeqësi natyrore, a mos vallë të gjithë të vdekurit kanë pasur të njëjtin çast të fundmë?

Çast i fundmë, për një qenie, do të thotë fundi i periudhës që ka për të përshkruar ai brenda kushteve dhe dimensioneve të veta të posaçme si dhe mbarimi i aventurës jetësore të asaj qenieje. Çdo gjë e krijuar pas, vjen në këtë botë bashkë me një fund dhe mbarim të tillë të parashkruar.

Eshtë e pamundur që brenda procesit në të cilin ecën qenia, të ndahen nga njëri-tjetri fillimi me mbarimin. Çdo gjë, ashtu si pika e ujit, herët a vonë do të bjerë në tokë e do të tretet. Ose si një lumë, herët a vonë do të derdhet në det e do të përhumbet në të!

Dhe kjo është e shkruara në ballë e përbashkët e të gjitha qenieve! Çdo qenie me këtë të shkruar del në dritë të ditës e prapë me këtë të shkruar ndahet nga kjo botë e shkon.

Fillimi është simptomë dhe argument i mbarimit; shfaqjet e realizuara pas, janë baza, parimi i të marrurit fund. E kundërta, ajo që s'ka fillim, s'ka as fund. Eshtë i pafillimtë vetëm ai që është i pafundmë, që është Zoti.

Eshtë një Qenie e Lartë që konkludon mbi qenien e çdo gjëje që shfaqet pas, që e sjell në botë atë gjë me një program të caktuar dhe që ka nën vëzhgimin e vet çdo gjë, e Cila ndodhet jashtë gjithë këtyre vajtje-ardhjeve dhe lindje-perëndimeve si dhe të gjitha etapat dhe periudhat e kaluara e të ardhshme janë nën administrimin e Tij!

Dhe tani, nisur nga kjo konsideratë, mund të themi se, ashtu siç nuk do të ishte e drejtë t'i quanim "të natyrshme" as ardhjet, as edhe shkuarjet, ashtu edhe kategorikisht nuk do të ishte me vend të quheshin "të natyrshme" fatkeqësitë dhe dukuritë shoqëruese të tyre. Dhënia ekzistencë materies, ekzistenca e saj marrin udhë dhe, në të njëjtën kohë, ecin në saje të një urdhëri dhe vullneti të jashtëm.

Njeriu, kafshët, bimët dhe të gjitha qeniet e tjera dalin në dritë të ditës në saje të një fuqie që konkludon mbi ta, çojnë në vend detyrën e tyre të faktimit dhe pasqyrimit(1) dhe, pastaj, hiqen nga skena e fshihen duke ua lënë vendin të tjerëve.

Në këtë botë, edhe lindjet, edhe vdekjet kryhen si nga një ekspozim, faktim dhe provë më vete. Ashtu siç çdo gjë kur fiton ekzistencë si qenie, bëhet argument krejt i hapur i një Ekzistence të fshehtë dhe interpret i Saj, ashtu edhe largimi i saj në mbarim të periudhës përkatëse, është kah argumenton eternitetin e asaj Qenieje të fshehtë të pafillimtë dhe pavdekshmërinë e Saj.

Po, ne dhe çdo gjë tjetër që kemi fituar ekzistencë nga hiçi, nga e paqena,(2) me qenien tonë tregojmë për qenien e dikujt tjetër dhe, me të parët, të dëgjuarit dhe aftësinë njohëse tonën si dhe me ikjen tonë duke braktisur çdo gjë që bartëm mbi shpinë si amanet një jetë të tërë, tregojmë për NJESHIN e fshehtë, të kundërt me gjërat e përkohshme që vijnë e shkojnë e që shkojnë për të mos u kthyer më! Ai është "Ai që ka krijuar jetën dhe vdekjen që ju të jepni provën se cili prej jush do të bëjë punën më të bukur!" (Kur'ani, Mulk: 2, perifrazim i vetë autorit.)

Të arrish të konceptosh të fshehtën e ardhjes tënde këtu, të japësh provën dhe të bëhesh gati për të ikur, ja, pra, se ç'është e rëndësishme për njeriun!

Dhe tani, pas kësaj hyrjeje përgatitore të shkurtër, le të merremi me çështjen tonë, çastin e fundmë të përbashkët të të vdekurve në një fatkeqësi.

Ashtu është, të gjithëve u ka ardhur çasti i fundit menjëherë së bashku! E, për të ndodhur kështu, nuk ka asnjë pengesë serioze e që të vlejë për t'u shënuar. Individualiteti i Lartë që mban në dorë ekzistencën të tërë, ashtu siç i ka krijuar çdo njeri dhe çdo gjë, nga grimcat e gjer te sistemet, secilin brenda paracaktimit të vet të posaçëm, së bashku menjëherë, po ashtu edhe mund t'i vdesë të gjithë së bashku menjëherë! As fakti që gjërat apo qeniet mund të ndodhen veç e veç në vende të ndryshme, as edhe ndryshimet karakteristike e cilësore, në lidhje me këtë, nuk mund të përbëjnë pengesë.

Megjithëse për ta treguar efektivitetin e Qenies me fuqi të pafundme, nuk mund të gjendet ndonjë shembull që ta reflektojë plotësisht atë fuqi, prapëseprapë mund të bëhet fjalë edhe për shumë gjëra që mund t'i bëhen pasqyrë Asaj, që mund të japin një ide.

Përgjithësisht, qeniet me karakteristika dhe cilësi të ndryshme që orientohen kah dielli, e vazhdojnë jetën e tyre duke parë kah ai pa shkaktuar ndonjë pështjellim, marrin ngjyra të ndryshme nën dritën e tij, në gjendjen më të shkëlqyeshme me të vijnë dhe me lindjen e perëndimin e tij zbehen, shkoqen, shuhen e shkojnë. Krejt ashtu si ai, çdo gjë barset në prehrin e të njëjtës pranverë, zhvillohet e përhapet në të njëjtën verë dhe në të njëjtën vjeshtë zverdhet e, megjithatë, fati i paracaktuar i secilës qenie dhe i të gjithave është i ndryshëm. Të gjitha së bashku dhe veç e veç, e shfaqin ekzistencën dhe efektivitetin e tyre sipas planit dhe programit të asaj diturie të gjerë, sipas orientimit të atij vullneti e të asaj dëshire të pafund, jo në mënyrë spontane, por në atë drejtim që kërkon Vullneti dhe Dëshira e Lartë. "Ai di për çdo gjë që ndodhet në tokë e në det... Nuk ka gjethe që bie dhe gjë të fshehur në errësirën e thellësive që të mos ndodhet në librin e hapur!" (Perifrazim nga Kur'ani – përkth.).

Në se jeta dhe vdekja, zhvillimi dhe produktiviteti i drurëve, barërave, farërave e kokrrave ndiqen kaq seriozisht, a mund të ndodhë që një qenie e përkryer si njeriu të lihet pa orientim e kujdes? I Zoti i Lartë i universeve që nuk pengohet të shohë një gjë kur sheh një gjë tjetër, të dëgjojë një gjë kur dëgjon një tjetër, sigurisht që do t'i japë rëndësi çdo gjendjeje të njeriut si krijesa më e vlerë, vepra artistike më e çmuar dhe, duke i favorizuar një individi të tij gjërat që ndodhen tek të gjitha tipet e llojet e qenieve të tjera, do ta trajtojë posaçërisht njeriun që është indeksi ose shembëlltyra në miniaturë e të gjitha universeve, do ta bëjë të merituar të konsideratës së Tij të posaçme dhe, me rrugë të posaçme, do ta nderojë në audiencën e Vet!

Kjo ftesë dhe bartje për atje mund të ndodhë disa herë në shtrat, disa herë në fushë të luftës dhe, disa herë, mund të ndodhë edhe në ndonjë fatkeqësi. Madje, mund të ndodhë edhe në masë ose një e nga një nëpër vende veç e veç nga njëri-tjetri. Këto, nga këndvështrimi i Krijuesit ndaj njeriut, kurrsesi nuk ndikojnë në përfundim. I Zoti i Dijes dhe i Fuqisë së Pafundme që ka në dorë frerët e çdo njeriu, që e mban një qenie në jetë sa të dojë e, pastaj, e lëshon, sipas librit pranë tij, është krejt normale dhe e pranueshme që t'ua marrë shpirtrat individëve dhe shtresave të caktuara. Ashtu siç u prek edhe më parë, kjo është diçka si puna e një komandanti epror, që, për një njësi ushtarake për të cilën është përcaktuar se po e mbaron afatin e shërbimit ushtarak, të kryejë, kur t'i vijë dita, lirimin e tyre.

Veçanërisht, ashtu siç është bërë e qartë edhe në vendin ku është prekur çështja e karakterit gjithëpërfshirës të detyrës së engjëllit të ngarkuar me marrjen e shpirtrave, ka aq shumë engjëj përgjegjës për të marrë shpirtrat, sa në të gjitha vendet të përfshira në mijra fatkeqësi që ndodhin në të njëjtin çast, me çdo të vdekur mund të takohen, sipas vullnetit dhe miratimit të Zotit, jo një, por disa engjëj dhe, sipas librave që mbajnë në dorë, mund t'i drejtojnë kurbanët e tyre në perspektiva të ndryshme.

Kur këto lloj fatkeqësish merren në analizë në mënyrë shumë serioze, me të vërtetë është e pamundur të mos shohësh edhe një miratim të parë, edhe ardhjen e çastit të fundit për të gjithë të vdekurit menjëherë. Duhen vëllime të tëra për të përcaktuar dhe përshkruar tërë ndodhitë interesante e të mrekullueshme të kësaj natyre. Mbi gjithçka, edhe ato që janë shkruar, janë aq shumë sa i kalojnë vëllimet. Nuk kalon ditë që të mos shoh të shtypur disa prej ngjarjeve të tilla të jashtëzakonshme që do të bëheshin subjekte librash.

Për shembull, në një tërmet që e kthen qytetin përmbys, në kundërshtim me faktin që mijra vetë, pavarësisht nga të gjitha përpjekjet, nuk arrihet të shpëtohen, shumë ditë më vonë nxirren nga gërmadhat qindra fëmijë të padëmtuar... Ose diku një rimorkio rrokulliset në kanal, të gjithë punëtorët e hipur mbi të mbyten, kurse tej, mbi ujë, qëndron një foshnjë e lidhur në dizga, pa pësuar asgjë... Ose në një aksident ajror, ndërsa njerëz të aftë e të stërvitur nuk arrijnë dot t'u shpëtojnë flakëve, një bebe e fluturuar dyqind metra më tej gjatë rrëzimit shpëton pa marrë asnjë gërvishtje... Të gjitha këto e qindra ndodhi janë kah vërtetojnë se si jeta, ashtu edhe vdekja nuk janë dukuri spontane, por, përkundrazi, realizohen me anë të masave të marra prej dikujt që di, sheh dhe drejton.

Të gjitha qeniet që vijnë në jetë individualisht ose në grup, gjer në afatin kur u mbaron detyra e shënuar në regjistrat përkatës dhe kur do t'ju vijë çasti i fundit, e mbushin jetën duke çuar në vend përgjegjësinë për të konceptuar të fshehtat e imta të krijimit, për të zbuluar enigmat e përtejnatyrës, për t'iu bërë pasqyrë dhe interpret Individualitetit që na ka dërguar këtu ne dhe ata dhe, pastaj, lirohen nga detyra një e nga një, copë-copë ose në grup.

Kjo e ditur, ky përcaktim dhe saktësim dhe, pastaj, çuarje në vdekje e krijesave, domethënë sjellja në një e çasteve të fundit dhe dhënia fund e punës së tyre janë mjaft të lehta për Allahun (Xh.Xh.) që e di në trajtën më të mirë çdo gjë nga kreu në fund. Mbetet të themi se prej Atij që di çdo gjë të hapur a të fshehur e mësojmë se përreth çdo njeriu ndodhet një tufë engjëjsh dhe se, përveç këtyre, ndodhen edhe shumë engjëj nga ata që marrin shpirtrat.

Në këtë diskutim mund të lindë veçanërisht një kundërshtim i tillë i vogël: Në këto lloj ndodhish fatkeqe, bashkë me ata që e kanë bërë hak, dëmtohen e shkojnë edhe një numër i madh të pafajshmish. A mund të na thoni diçka rreth kësaj?

Le ta them menjëherë se edhe kjo pikëpyetje lind nga një mahitje në besim dhe në përfytyrim. Po qe se jeta do të ishte identitet vetëm i jetës së kësaj bote dhe vendi i njeriut do të ishte krye e fund këtu, ndoshta ky kundërshtim do të kishte një aspekt të pranueshëm e do të ishte i mbështetur. Mirëpo kjo botë për njeriun është një vendmbjellje, një fushë ku tregohet zelli dhe një sallon pritjeje, kurse bota përtej është vendi ku korret e shihet në lëmë, është koha kur mblidhen frutat dhe, më në fund, i shpëtimit nga shqetësimet dhe i arritjes së lumturisë. Dhe sipas kësaj konsiderate, në vdekjen e të mirit me të keqin bashkë, e fajtorit me të pafajshmin nuk ka asgjë të panatyrshme. E kundërta, një ecuri e tillë e gjërave është më e pranueshmja dhe më logjikja. Sepse, në ringjalljen e dytë, secili do të marrë një trajtë të posaçme qenieje sipas qëllimit dhe sjelljeve të veta, sipas tyre do të trajtohet, sipas tyre do t'i nënshtrohet ndëshkimit ose do të meritojë favor.

Përmbledhtaz, çasti i fundit dhe vdekja janë identitet i mbarimit të periudhës së ndodhjes dhe shërbimit në këtë botë. Një periudhë e tillë, në cilësinë e një plani të parapërgatitur në linjën e mosinjorimit të vullnetit të njeriut, të regjistruar e të kaluar në arkiv, s'është gjë tjetër veç ekzekutimit të tij kur t'i vijë stina, sipas urdhërit dhe fermanit të Individualitetit që di, sheh e dëgjon çdo gjë. Mes ekzekutimit individual dhe kolektiv nuk ka asnjë lloj ndryshimi logjik.

Pandeh që, ashtu si në çështje të tjera, edhe këtu, mosnjohja e dijes, fuqisë dhe vullnetit të pafund të Krijuesit të Lartë përbën një prej shkaqeve kryesore të deviacionit. Dhe një tjetër shkak është gabimi në këndvështrimin e gjërave e të dukurive. Në se përballë ndodhive, nuk mundemi t'i zhveshim kokat nga kuptimi i gabuar i natyrës e i shkaqeve si dhe të mbyllemi vetëm për vetëm me ndiesitë tona, bota jonë e brendshme, me besime të dobëta, do të shndërrohet në shesh lufte të lëkundjeve e drojeve djallëzore.

Shtuar kësaj edhe faktin që, si rezultat i varfërisë së botës tonë ndiesore dhe ushqimit të saj të pamjaftueshëm, qoftë edhe të pambështetur, pirja çdo ditë tas pas tasi e dyshimeve dhe lëkundjeve është një fatkeqësi e tillë e frikshme, sa që nuk duhet çuditur për prishjen e orientimit të brezave, por për faktin që brezat ende nuk kanë arritur ta mbrojnë orientimin e tyre.

Për këto çështje që duken si të parëndësishme, mund të pretendohet se u qëndrua më shumë se ç'i takonte. Por ne nuk do të jemi dakord me këtë mendim për asnjërën prej çështjeve që kanë lidhje me besimin. Në sytë tonë, edhe çështja më e vogël lidhur me besimin është në madhësinë e maleve dhe e shtrenjtë sa bota. Nisur nga kjo konsideratë, sado pedantisht që të qëndrohet mbi të, e vlen dhe është me vend.

Shpresojmë se shokët tanë që e kanë në konsideratë këtë çështje, nuk do të mërziten dhe do të na falin ne!


[1] Sipas misticizmit, gjithçka e kësaj bote e shtruar në faqe të dheut si një ekspozitë, fakton dhe pasqyron fuqinë dhe madhështinë krijuese të Zotit, qenien e Tij eterne. (Përkth.)
[2] Latinisht: Ex nihilo. (Përkth.)

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.