Ç'na tregon ajeti "Ve al-leme Âdem'el esmâe kul-leha"?

Kuptimi i lartë i këtij ajeti-argument(1) është kështu: "Dhe ia mësoi Ademit të gjitha emrat..."

Siç dihet, mësimi i emrave të sendeve Hz. Ademit trajtohet në Kur'an atje ku flitet për misionin e tij si zëvendësi i Zotit mbi tokë. Engjëjt, duke u nisur nga disa elementë natyrorë e cilësorë të njeriut, i drejtohen Zotit me parandjenjën se ajo krijesë ka për të shkaktuar intriga, grindje e ka për të derdhur gjak mbi tokë. Krejt ashtu siç ndodh sot që, duke u nisur nga shprehja e fytyrës së njeriut, arrihet të lexohen cilësitë shpirtërore të tij, edhe atëherë, engjëjt, duke parë kah pamja e Hz. Ademit, parandjenë një të ardhme të keqe lidhur me njeriun. Një e ardhme e tillë ishte shkruar në fytyrën e krijesës së marrë prej baltës, prej brumit të tokës. Tek ai ishin shkruar edhe gjëra që i përkisnin frymës së lartë, por shikimin e engjëjve e kishte tërhequr aspekti i parë. Po, tek njeriu i përbërë edhe nga aspekti tokësor, edhe nga aspekti hyjnor, në njërën anë, që i përkiste aspektit tokësor të tij, barteshin tekat, pasionet, epshet, ambiciet, neveritë dhe urrejtjet, kurse në anën tjetër, që i përkiste aspektit hyjnor të tij, bartej dhuntia, mundësia për t'u ngjitur në sferat e botës sublime, për të marrë trajtën e krijesës së përsosur e për të hyrë mes banorëve të Botës së Lartë.

Ja, pra, engjëjt, duke e ndjerë këtë karakteristikë lidhur me aspektin material të Hz. Ademit, iu drejtuan Zotit: "A po krijon dikë që ka për të shkaktuar grindje e ka për të derdhur gjak mbi tokë?" Dhe Zoti, me qëllim që t'i provonte engjëjt, në fillim ia mësoi Hz. Ademit emrat e sendeve. Mirëpo, me që ata emra, në atë fazë, të zhveshur nga konkretizimi, pra, në gjendjen e koncepteve abstrakte, nuk do të shprehnin gjë, Zoti ia mësoi atij, shkurtimisht, edhe se ç'fshihej pas atyre emrave. Në fakt, çdo gjë në gjithësi është një unitet që përbëhet nga dy aspekte: nga emri dhe i emërtuari. Nisur nga kjo, kur themi se Zoti ia mësoi emrat Ademit, do të thotë se ia mësoi edhe sendet që emërtojnë ata emra. Hollësitë e emrave të mësuara shkurtimisht Hz. Ademit, Zoti ia ka mësuar Hz. Muhammedit (a.s.). Po, indeksi i komunikuar Ademit, i është komunikuar si një libër i hollësishëm Hz. Muhammedit (a.s.).

Duke i dhënë titullin "nxënës i emrave",(2) Zoti ka treguar se Hz. Ademi është "zëvendës".(3) Hz. Ademi i krijuar me elementë të marrë nga toka dhe i thirrur me emrin Adem,(4) siç e thotë Muheddini Arabiu në veprën e tij, Fususul Hikem, Bërthamat e Urtësive, është zëvendësi i Zotit mbi tokë si dhe zotëruesi i nivelit të njohjes së gjërave në tërësi.(5) Po qe se shihet materia me lenten e Ademit, duket si një e tërë.(6) Njeriu është epiqendra e vështrimit të Zotit mbi tokë dhe një emër i përgjithshëm, kompleks. Favorizimin e njeriut me këtë post dhe funksion të rëndësishëm Zoti e ka shprehur duke i dhënë atij titullin "nxënës i emrave".

Kjo do të thotë se Zoti ia frymëzoi Hz.Ademit përmbledhjen e të gjitha diturive, shkencave. Për rrjedhojë, Hz. Ademi mësoi me anë të revelacionit, zbulimit hyjnor, në njërën anë përmbledhjen e të vërtetave fetare e, në anën tjetër, përmbledhjen e shkencave të tilla si kimia, fizika, astronomia, mjekësia, etj., vetëm se rregullat themelore dhe parimet bazë, jo hollësitë e shkencave gjer në kufirin e tyre të fundit. Po, këto ishin gjëra të përgjithshme, mbase edhe gjëra të shprehura me ca simbole. Edhe kaq gjë ishte diçka tepër e madhe që, kur iu parashtrua engjëjve, nuk ditën se ç'të thonin.

Në këtë çështjen e paaftësisë së engjëjve për të ditur atë çka u ishte pyetur, pra atë çka dinte Ademi, ka një specifikë.

Bota e trupave(7) është gjithmonë e ndryshme nga bota e shpirtrave.(8) Në një aspekt, ne jemi qenie që i përkasim botës së trupave. Po kështu, edhe çdo fragment i këtij libri të natyrës që shohim, është diçka që i përket botës së trupave. Tablotë e gjalla apo jo të gjalla trupore (materiale), në një dimension të caktuar, nga ana e qenieve jomateriale (jotrupore) nuk mund të njihen plotësisht. Për shembull, në botën e trupave ekzistojnë dimensionet e shikimit dhe dëgjimit, jashtë të cilave nuk mund të dilet. Për shembull, njerëzit shohin vetëm pesë për milion të gjërave që mund të shihen. Dhe prapë ky shikim dhe dëgjim ndodh brenda botës së trupave. Mirëpo dimensioni i shikimit dhe dëgjimit të engjëjve është diçka krejt tjetër, sepse ata janë qenie shpirtërore. Prandaj ndodh që një pjesë trupash të brishtë, madje shpirtrat dhe xhindët, për ta vëzhguar botën e dëshmisë (konkrete),(9) të futur nën hijen e një qenieje trupore, përdorin veshjen trupore (kufomën, trupin) të saj dhe e shohin botën trupore me syrin e saj. Në shikimin tënd, esenca e procesit të vazhdueshëm të krijimit dhe shkatërrimit (lindjes-vdekjes, mbirjes-lulëzimit-tharjes) është krejt tjetër nga ajo çka duket materialisht. Engjëjt i shohin krejt ndryshe prej teje pranverën dhe verën, lulet, bimët e kafshët. Po, me që ata shohin nga dimensione të tjera, vëshgojnë gjëra shumë të ndryshme nga shikimi, dëgjimi, ndijimi dhe shijimi yt. Emrat që Zoti ia mësoi Hz. Ademit, ishin të vërteta të përmbledhura nga ligjet e krijimit dhe ligjet vepruese në gjithësi. Engjëjt që janë trupa të brishtë e të tejdukshëm, pikërisht pse s'i njihnin në një dimension të caktuar gjërat përkatëse me karakteristikë të trupit të ngurtë, masiv e jotransparent (opak), i thanë Zotit: "Ne nuk mund të dimë gjë tjetër veç atyre që na ke mësuar Ti. Ne të përmendim dhe të vërtetojmë Ty!" (Bakara:32)

Pasi i kemi trajtuar këto dy çështje, arrijmë në këtë përfundim: Zoti ia mësoi Ademit të vërtetën e përmbledhur të gjithësisë. Ky mësim erdhi duke u zgjeruar e plotësuar gjersa iu vu pika te Hz. Muhammedi (a.s.), i Përsosuri Absolut dhe zotëruesi i Pozitës së të Përlavdëruarit. Me aspektin e tij të të merituarit të çdo gjëje që duhet mësuar, ai u bë Muhammed, Ahmed, Mahmud dhe Hamid.(10) Domethënë doli si një person që, me gjithçka të tij, tregonte rrugën dhe e ndriçonte çdo anë. Askush gjer më sot nuk ka merituar ato gjëra që ka merituar ai. Ashtu si Kur'ani, i merituari i të gjithë emrave, Ai u dërgua për të përfaqësuar emrat në përgjithësi. Ç'të jetë Fatiha-ja për Kur'anin, ashtu edhe ai u bë fatiha për të gjithë profetët.

Ademi qe i merituari i 7 ajeteve-argumente të Fatihasë dhe një epiqendër (fokus) e 7 ajeteve. Po, Hz. Ademi qe edhe fokusi i 7 atributeve. 7 ajetet, me aspektin e tyre hyjnor (si dituri e fshehtë hyjnore) shohin kah 7 atribute.Tregojnë 7 të vërteta. Kur njeriu e plotëson këtë punë në namaz, bën sexhde me 7 organe dhe sheh kah 7 ajete. Kurse i Dërguari i Madh (a.s.) e zotëron të tërën e Fatihasë të zbërthyer në detaje me anë të Kur'anit. E thënë ndryshe, Fatihaja te i Dërguari i Madh është zbërthyer. Prandaj edhe atij i është thënë "Ahmed", ummetit, bashkësisë së tij, "Hammadun" dhe flamurit të ngritur e të valëvitur rreth tij i është thënë "Livau'l-Hamd".(11)

Po, mësimi i emrave në hollësi Hz. Muhammedit (a.s.) i është frymëzuar! Ç'lumturi për Të, ç'lumturi për ne!

Në fakt, edhe dituritë dhe shkencat pozitive prapë nën titullin e nxënies së emrave janë kah tregohen. Ashtu siç ka thënë edhe Prijësi i madh,(12) "në shprehjen e këtij ajeti, nën titullin e nxënies së emrave, të të gjithë përsosmërisë diturore, të zhvillimit të shkencave e të mrekullive të artit, për të cilat është bërë i merituar njeriu në saje të dhuntive e mundësive të tij të përgjithshme, një të tillë simbol sublim dhe të lartë ka, që, në çdo përsosmëri, në çdo dituri, në çdo përparim e në çdo shkencë ka një të vërtetë të lartë që mbështetet në një emër hyjnor. Ndryshe, çdo gjë mbetet identitet i një trajte gjysmake e i një hijeje të metë.

Për shembull, gjeometria është një shkencë. E vërteta e saj, duke arritur emrat Adl ( i Drejtë) dhe Mukaddir (Përcaktues) të Zotit, reflekton, në tërë shkëlqimin e vet, në pasqyrën gjeometrike, shfaqjet urtësiplote të atij emri. Mjekësia është një shkencë dhe një art. Kurse të kapësh të vërtetën dhe kufirin e fundit të saj është e mundur, mbështetur në emrin "Shafi" (Shëronjës) të atij Mjeku Absolut, duke parë shfaqjet e mëshirës

së Tij në barnatoren e pamatë të Tij në faqe të tokës e duke ditur se është Ai që jep shërimin e vërtetë!  

Po kështu, edhe secilës prej shkencave e arteve të tjera do t'i hapet udha, nuk do të bllokohet e do të njihet me vlerat e veta të vërteta në atë masë që do të mbështetet në njërin prej emrave të ndritshëm të Allahut, më drejtë, në atë masë sa do t'i kuptohet cilësia e konstruksionit të saj. Ndryshe, nën errësirën e teorive e të hipotezave shumë shumë mund të arrihet gjer në dyshime e supozime.

Ai është që e di më mirë të drejtën e çdo gjëje!


[1] Kur'ani, Bakara: 31.
[2] Në origjinal: Talim-i esmâ.
[3] Në origjinal: Halife, kalif.
[4] Adem: Njeri (arabisht).
[5] Në origjinal: Makami xhem.
[6] Në origjinal: Vahdet-i vuxhud.
[7] Në origjinal: Alem-i xhismanijet.
[8] Në origjinal: Alem-i ervah.
[9] Në origjinal: Alem-i shehadet.
[10] Emra që vijnë nga e njëjta rrënjë: lavdërim.
[11] Ahmed: më shumë i lavdëruari; Hammadun: shumë falenderues, shumë mirënjohës; Livau'l-Hamd: Flamuri i Profetit.
[12] Eshtë fjala për Said Nursiun që është cituar edhe më parë në vëllimet e tjera të këtij libri.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.