• Home
  • Veprat
  • Lëkundjet që solli shekulli
  • Profetësia
  • Ndërsa Profeti pati thënë një herë "nga kjo gojë del vetëm e vërtetë", shprehja e tij për rezultatin pas porosisë për shartimin e hurmave, "unë jam njeri", si duhet adoptuar?

Ndërsa Profeti pati thënë një herë "nga kjo gojë del vetëm e vërtetë", shprehja e tij për rezultatin pas porosisë për shartimin e hurmave, "unë jam njeri", si duhet adoptuar?

Në këtë pyetje bëhet fjalë për kontradiktën mes dy haditheve, porosive profetike. Njëri prej këtyre haditheve i paraqitur këtu në trajtën "Nga kjo gojë del vetëm e vërtetë", i plotë është si në vijim. Profeti, duke bërë fjalë për gojën e tij të bekuar, ka thënë: "Shkruaj! Betohem në Allahun që ka në dorë frymën time se prej këtu nuk del tjetër gjë veç të vërtetës!"

Ky është një hadith i rrëfyer nga shumë libra të vërtetë hadithi duke nisur me Buhariun dhe Myslimin. Rrëfyesi i parë i tij është Abdullah Ibni Amr Ibni As (r.a.). Mund ta kem prezantuar edhe më parë. Ai ndiqte çdo perlë që derdhej nga goja e margaritartë profetike duke mos e lënë asnjërën që t'i ikte. Madje Ebu Hurejre, për të treguar se ai pati transmetuar më shumë hadithe se vetë, thotë: "Unë nuk i shkruaja hadithet, kurse Abdullah Ibni Amri i shkruante. Për këtë, mund të ketë shënuar më shumë hadithe se unë." Abdullah Ibni Amr Ibni As qe një njeri shumë i përvuajtur, shumë i devotshëm. Në atë kohë njihej për adhurim dhe bindje. Profeti i thoshte: "Një ditë agjëro e një ditë, jo. Ky është agjërimi i Hz. Daudit." Kurse ai: "Mund të bëj më shumë, o i Dërguari i Allahut!" Profeti: "Një të tretën e natës falu e dy të tretat pusho." Kurse ai: "Kam mundësi për më shumë..." Ja, kështu, gjithmonë i përparuar kishte qenë ai në botëkuptimin e tij prej robi të Zotit. Po, në etikën e besimit, në adhurim dhe devocion një njeri i thellë ishte ai! Krahas kësaj, shprehte aq shumë respekt për çdo fjalë që dilte nga goja e Profetit, sa që e shkruante menjëherë atë që dëgjonte!

Ja, pra, këtë shpreh njëri prej këtyre dy haditheve. Abdullah bin Amr tregon: "Po më thoshin: "Ti shkruan çdo gjë që del nga goja e Profetit, por edhe ai njeri është. Qëllon që të jetë i qetë, por qëllon që edhe të jetë i zemëruar. Mund të ndodhë që të thotë edhe fjalë që s'do. Kurse ti shkruan çdo gjë pa e rregulluar..." Për këtë dhe unë e lashë të shkruarën. Pastaj, kur u takova me Profetin, i thashë: "O i Dërguari i Allahut, më thonë kështu e kështu..." Dhe ai urdhëroi: "Shkruaj! Betohem në Allahun që ka në dorë frymën time se nga kjo gojë nuk del tjetër gjë veç të vërtetës!"

Kjo është njëra ndodhi. Tjetra është kështu. Kur Profeti pati shkuar në Medine, pati parë se medinasit i lidhnin(1) pemët e pati thënë: "S'jam i bindur se kjo gjë do ta ndryshojë rezultatin." Por jo se "lidhja s'ka asnjë dobi". Ai thotë se nuk do të ndikojë mbi rezultatin. Dhe medinasit e patën lënë atë punë. Dhe në vitin e ardhshëm nuk qe marrë prodhim. Kush e di, ashtu pati dashur Zoti, atë vit nuk do të bënin pemët... Pastaj Profeti u pati thënë: "Ju i dini mirë punët e kësaj bote." Gjë që s'është e drejtë të nënkuptohet në trajtën " i dini më mirë se unë...".

Ka shumë mundësi që qëllimi i Profetit ka qenë t'u thoshte medinasve se ata e bëjnë punën e tyre, por në fund të fundit do të ndodhë ajo dhe ashtu siç ka dashur Zoti. Ndodhi që vitin tjetër pemët nuk bënë. Edhe ulliri, një vit bën e një vit s'bën. Ndodhi viti pa prodhim. Profeti pa nga medinasit dhe kuptoi se ata s'e kishin rrokur urtësinë që fshihej në fjalët e tij. Dhe u tha: "Ju i dini mirë punët e kësaj bote!" Domethënë e hodhi fjalën se ishte ende herët për ta të fitonin diçka me anë të përvojës së ndërgjegjes.

Një specifikë e dytë e kësaj çështjeje është kjo. Në kohën e injorancës, shkaqeve të ndryshme u jepnin vlerën e ndikuesit të vërtetë, domethënë vlerën e autorit. Për shembull, siç e kemi parë edhe te Buhariu dhe Myslimi, ata e lidhnin rënien e shiut me ndonjë yll dhe besonin se me të dalë ai, formohen retë dhe u bie shi.

Në lidhje me këtë, Profeti pati thënë: "Ata që thanë se shiu erdhi me daljen ose fshehjen e filan ylli, u bënë qafirë, mohues, kurse ata që thanë se shiun e dha Allahu, besimtarë..." Po, një bashkësi, ashtu siç e di se çdo favor vjen prej Zotit, e beson edhe se shiu vjen prej Tij. Ata janë besimtarë. Të tjerët që, ashtu si çdo gjë tjetër, edhe shiun ua atribuojnë shkaqeve, bëjnë qufur, mohim ndaj Zotit. Në atë periudhë, trajtimi i shkaqeve si ndikues të vërtetë, ishte shumë i përhapur. Për ta prerë nga rrënja këtë bestytni e për ta hedhur tej duke treguar se çdo gjë ndodhet në dorën e Allahut, për të treguar se Ai është unik si në hyjnitetin ashtu edhe në veprën e Tij, janë nën zotërim jo vetëm shenjat dhe simptomat, por edhe shkaqet.

Po, ashtu siç është një i vetëm në individualitetin e Tij, Allahu është një edhe në aktet e Tij pa pasur nevojë për ndihmës. Lind apo s'lind dielli, Zoti është Ai që e jep shiun. Por shumë herë Zoti i sjell paralel rënien e shiut me daljen e ndonjë ylli apo me ndonjë shkak tjetër. Kjo është një çështje përputhshmërie dukurish me qëllim, për shembull, që njerëzit të përgatiten për ardhjen e shiut. Megjithatë, shiu mund të mos bjerë. Sepse Ai bën atë që do. Profeti ynë, për ta bërë popullin që ta besonte këtë të vërtetë, domethënë se shkaqet dhe mjetet nuk ndikojnë mbi dukuritë pasi çdo gjë ndodhet në dorën e Allahut që është Shkaktari i shkaqeve, shembte çdo gjë që populli e konsideronte si shkak të gjërave e dukurive dhe e orientonte shikimin e njerëzve kah Fuqia e Pafundme.

Një ndodhi tjetër. Një ditë, një beduin vjen pranë të Dërguarit të Allahut dhe i thotë: "O i Dërguari i Allahut, devesë sime i ra zgjebja nga që u lidh pranë deveve me zgjebe." Dhe ai urdhëroi e tha: "Mirë kjo deve e mori zgjeben nga ajo pranë së cilës u lidh, po ajo vetë, nga e mori?  Këtu nuk ka mohim të dukurisë së përhapjes së sëmundjes. Ndryshe, a do të paralajmëronte Profeti: "Mos hyni në një vend ku ka sëmundje ngjitëse dhe mos dilni jashtë në se ndodheni aty brenda."? Në fakt, Profeti ynë bënte luftë kundër mendjes dhe logjikës së injorancës. Ai nuk mohonte shkaqet. Sipas tij, shkaqet kishin urtësinë e ekzistencës së tyre. Ai aludonte se viruset e mikrobet mund të shkaktonin edhe sëmundje. Vetëm se shkaqet nuk ishin gjithçka. Kurse besimi se respektimi i shkaqeve ishte përgjegjësi, ishte detyrë, ndërkaq që përfundimi ndodhej në dorën e Zotit, ishte besimi unik, monoteist, në një Zot të vetëm, diametralisht i kundërt me besimin apo besimet e tjera politeiste e idhujtare. Ja, pra, për ta bërë të dukshme e të kuptueshme këtë gjë, Profeti, duke bërë atë pyetjen se nga e kishte marrë sëmundjen deveja e parë, e mbërthente çështjen në bazën e vet, në futjen e zinxhirit të shkaqeve në një rreth vicioz, duke treguar se ky ishte një konceptim i gabuar, një bestytni. Arsyetimi që bënte Profeti i shtynte njerëzit të kërkonin "shkakun e parë" të të gjitha gjërave e dukurive, Zotin. E kjo do të thoshte të kuptoje e besoje se dukuritë që merrnin udhë më pas në vazhdën e shkaqeve të njëpasnjëshme, e kishin origjinën në urdhërin dhe vullnetin e Zotit dhe zhvilloheshin në atë vazhdë po me urdhër dhe vullnet të Zotit! Eshtë Zoti që e ka krijuar dhe e krijon çdo gjë! E kështu, Profeti lëshonte një goditje mbi politeizmin lidhur me Unitetin e Aktit Hyjnor, i paralajmëronte shpirtrat për rrezikun e politeizmit dhe tërhiqte vëmendjen e njerëzve për këtë çështje shumë të rëndësishme.

Dhe tani le të vijmë në çështjen e lidhjes së pemëve. Në periudhën paraislamike të injorancës, ekzistonte një besim i tillë për lidhjen e pemëve, sa që mendohej se, po të lidhej, hurmaja jepte dhjetëfish, ndryshe, nuk jepte asgjë. Në këtë bindje kishte një idhujtari, një politeizëm të fshehur, sikur lidhja ishte shkaku i vetëm i prodhimit të frutit të hurmasë. Profeti e shkuli dhe e hodhi këtë bestytni dhe tregoi se shkaqet janë vetëm një perde pas së cilës fshihet madhështia e Zotit. Ai ua tregoi këtë gjë sahabeve, shokëve e pasuesve të tij, por në vijën logjike të tyre. Në krye, u dha një mësim atyre. Dhe kur ata i dolën përpara me një botëkuptim të caktuar, ai u tha: "Ju i dini punët e kësaj bote..." Mos vallë këtu ka një kontradiktë serioze?

Apo kjo thënie është një paralajmërim, një tërheqje vëmendjeje si pasojë e faktit që e vërteta e parashtruar prej tij nuk u rrok në kuptimin që ai deshi vetë? E vlen të qëndrohet mbi të...

Një specifikë e tretë e kësaj çështjeje. Çdo fjalë e thënë prej Profetit ishte e orientuar kah qëllimi për t'ua mësuar njerëzve jetën. Por ama në esencën dhe në tërësinë e saj. Për shembull, në se do të merrte pjesë dhe do të përzihej drejtpërdrejt në çdo moment të jetës së njerëzve me qëllim për të bërë ligjin në të, ta zemë t'u tregonte se si duhej derdhur uji, se si duhej përdorur gota e ujit në sofër, se si duhej qëndruar kur të pihej ujë, se druri duhej prerë nga poshtë, se si duhej rrahur hekuri, etj. njerëzit, duke i konsideruar këto ligj, ashtu si urdhërat e tjera ligjore, në veprimtarinë e zakonshme të jetës do të vepronin uniformisht gjer në kiamet, pra, do të bënin, edhe ne gjithashtu do të bënim të njëjtat gjëra. Mirëpo, me që Njohësi i të Fshehtës ia kishte treguar, ai e dinte se, ashtu siç merrej dhjetë për një tek gruri, mund të merrej edhe njëqind për një dhe se me anë të shartimeve e përvojës, p.sh., shega mund të bëhej sa një shalqi! Kështu, ai u jepte atyre besimin dhe bindjen për t'i shtuar vëzhgimet, njohuritë dhe mjeshtërinë e tyre.

Eshtë edhe një specifikë e katërt që është shumë e rëndësishme. Zoti i ka dhënë njeriut të drejtën për të ndërhyrë në ligjshmërinë e krijimit. Me që njeriu është zëvendësi i Zotit mbi tokë, do të ketë edhe të drejtën për të bërë disa ndërhyrje të thjeshta në gjërat e krijuara nga Ai. Kjo specifikë, në të njëjtën kohë, është edhe urtësia e ekzistencës së vullnetit dhe një rezultat i të qenit të njeriut zëvendës i Krijuesit. Mirëpo, në se Profeti do t'u përzihej njerëzve në punën e lidhjes apo shartimit të pemëve, bie fjala, ata do të bënin si ai dhe do të thoshin: "Mos shartoni - na tha, nuk shartuam; shartoni - na tha, shartuam." Kështu interesimi njerëzor dhe burimet e dijeve e të informacionit do të thaheshin, përvoja e grumbulluar do të shkonte kot dhe personi i ardhur me detyrën për t'ua mësuar dhe praktikuar krijimin të tjerëve, do të vihej në opozicion me vetë krijimin. Kurse kur thoshte një fjalë Profeti (a.s.), e thoshte në atë mënyrë që të vazhdonte gjer në kiamet. Ligjet e vëna prej tij janë efektivë gjer në kiamet. Për rrjedhojë, ai duhet të thoshte gjëra kategorike, të tilla që në të ardhmen të mos i linin shteg kuptimit të shtrembër të tyre dhe që çdokush dhe çdo herë t'i drejtohej me një siguri të madhe atij burimi jetësor. Prandaj prej asaj goje duhet të dilte gjithmonë e drejta dhe e vërteta. Dhe nga ajo gojë gjithmonë e vërteta dhe e drejta doli. Asgjë tjetër veç tyre.

Dhe një tjetër specifikë. Profeti ynë ishte një njeri dhe e dinte mjaft mirë se çdo të thotë liri e njeriut. Në se njeriu s'është i lirë, ai s'është as njeri! Njeriut rob nuk i thuhet njeri. As edhe njeriut që jeton në errësirë. Edhe të ndodhesh në një errësirë të tillë si jetesa e një jete si të atyre që jetojnë nën autoritetin dhe shtypjen e mohimit e të herezisë si dhe pamundësia e një jete të ndryshme nga ç'e njohin dhe jetojnë ata, do të thotë se s'je njeri. Te Allahu mbështetemi nga një jetë e tillë! Allahu i ndreqtë ata që pranojnë të jetojnë jo si njerëz!

Po, njeriu është njeri në saje të vullnetit të tij, me vullnetin e tij. Dhe vullneti është një çështje shumë e rëndësishme. Ai është krejt si fara që sapo bie në gji të tokës, atë copëz vend ku ka rënë e lë shtatzënë për një pemë gjigande në krahasim me veten. Profeti ynë (a.s.) nuk i vuri zinxhirë vullnetit të njerëzve. Në fillim i dëgjoi ata e pastaj u tha: "Për rezultatin e vullnetit tuaj, për frytet e tij, madje edhe për frytet e mëvonshme të tij ashtu është e drejtë të veproni!"

Duke u thënë "Ju i dini punët e kësaj bote", këtë të vërtetë u tregoi ai, gjë që është vetë e vërteta!


[1] Lidhja e pemëve: një rit shoqëruar edhe me masa konkrete në vjeshtën e vonë si mbështjellja e trungut me kashtë për ta ruajtur pemën nga ngrirja, bërja e shartesave, etj. me qëllim për të marrë prodhim të bollshëm në pranverë, i përhapur në shumë popuj të botës.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.