Dituria Hyjnore dhe Marredhenia e Saj me Kaderin

Me dijen e Tij të pafundme, Allahu i di të shkuarën, të tash­men dhe të ardhmen si një pikë të vetme.

Me qëllim për t'i rrokur dhe kuptuar më mirë marrëdhëniet vullnet-kader, le t'u hedhim një sy disa ajeteve kur'anore në rrugën për të mund ta kuptuar sado pak dijen e pafundme të Allahut që e ka nën vëzhgim dhe kujdes gjithçka.

"Allahu e di gjithçka që bëjnë!" (Nur, 24:41) "Ndodh që juve të mos ju pëlqejë diçka, mirëpo ajo është në të mirën tuaj; dhe ndodh që ta doni diçka, mirëpo ajo është për të keqen tuaj. Allahu di, ju s'mund të dini!" (Bakara, 2:216) "Ai e di çdo gjë që është në tokë e në qiej!" (A. Imran, 3:29) "Nuk ka gjallesë në tokë që të mos ta ketë Allahu në dorë ushqimin dhe furnizimin e saj. Allahu e di vendin ku ndodhet dhe ku është lënë amanet ajo! Të gjitha këto janë të shënuara në një libër të qartë!" (Hud, 11:6) "Allahu e di edhe të kaluarën, edhe të ardhmen e tyre, kurse ata nuk mund ta rrokin diturisht Atë!" (Ta-Ha, 20:110) "Allahu ia mësoi njeriut ato që nuk dinte!" (Alak, 96:5) "Çelësat e të fshehtës janë tek Ai; Ai e di gjithçka që ka në tokë e në det!" (En'am, 6:59) "Po qe se detet do të ishin bojë për t'i shkruar fjalët e Zotit tënd dhe t'i shtonim edhe me aq, do të mbaroheshin pa mbaruar fjalët e Zotit tënd!" (Kehf, 18:110)

Këto nuk janë tjetër gjë veç po atyre të vërtetave për të cilat flet libri i gjithësisë. Ashtu siç fakti që në gjithësi, nga makrokoz­mosi në mikrokozmos, në çdo gjë, sundon një ekuilibër mate­matik i ndjeshëm dhe masë, është tregues i një dijeje të pafund­me, ashtu dhe mijra libra të shkruar në çdo degë të dijes i vënë gishtin të njëjtës të vërtetë. Ndërsa gjer dje, gjithë dijet mbi ana­tominë e trupit të njeriut mund të përmblidheshin në vetëm një libër, sot shkruhen libra të tërë veç e veç për sytë, mëlçinë, ze­mrën, organet e tjera, madje për qelizat dhe në universitete ngrihen katedra e degë studimi për to si specialitete më vete. Edhe sikur për mijra vite të tjerë të vazhdojnë të shkruhen libra mbi dijet duke shpenzuar bojë më shumë se ç'kanë ujë detet dhe lapsa më shumë se ç'kanë drurë pyjet, ato që do të jenë mësuar dhe treguar, do të jenë a s'do të jenë ende sa një pikë ujë nga oqeani në sqepin e një zogu!

S'e di, a keni menduar ndonjëherë, duke u parë në pasqyrë, se fytyra nuk ju ngjan me asnjë prej fytyrave që keni njohur gjatë gjithë jetës? Po për shenjat e gishtave ose përbërjen e sy­ve? Kush e di ç'dallime nga të tjerët do të vini re në të ardhmen në veten tuaj dhe do të mbeteni të çuditur! Sigurisht, po t'i shqyrtoni me kujdes pemët, do të dalloni ndryshime serioze mes tyre si në trungun, ashtu dhe në gjethet. Shkencëtarët që i kanë vëzhguar me thjerza zmadhuese flokët e borës, kanë vënë re se asnjë flok bore nuk ka ngjashmëri me ndonjë flok bore tje­tër në numrin e molekulave të ujit që përmban dhe në konfi­guracionin kristalor.

Ç'kuptim kanë të gjitha këto? Për ekzistencën, në një çast të dhënë, të një fytyre ose të konfiguracionit të gishtave të një nje­riu, të pangjashëm me asnjërën prej fytyrave ose konfiguracio­nit të gishtave të njerëzve që kanë ekzistuar gjer atë çast dhe do të ekzistojnë pas atij çasti, është e domosdoshme ekzistenca e një qenieje me dije gjithëpërfshirëse e të pafundme që i njeh të gjithë njerëzit me fytyrat dhe konfiguracionet e gishtave, të po­saçme për secilin, pa i ngatërruar e pa e harruar asnjërin! Ashtu siç i ngulisim ne fytyrat e njerëzve tanë të njohur në kujtesën tonë që është një model shumë shumë i vogël i Tabelës së Kuj­tesës, dhe, kur i shohim, i njohim, domethënë, i dallojmë nga të tjerët në sajë të cilësive dalluese, ashtu dhe Allahu – krahasimi mos qoftë i pavend – i njeh në pafillimshmëri me dijen e tij të pafundme fytyrat dhe konfiguracionet e gishtave të të gjithë nje­rëzve që kanë shkuar e do të vijnë dhe i ka shënuar, gjithashtu, në pafillimshmëri, në Librin e Kaderit. Historiku i jetës sonë, i ngulitur në kujtesën tonë, është realiteti i jetuar i asaj që është shkruar për ne; po kështu, edhe fytyrat dhe konfiguracionet e gishtave që shfaqen në jetë me kalimin e kohës, janë realitet i krijimit të asaj që është shkruar.

Me dijen e Tij të pafundme e gjithëpërfshirëse, Allahu i sheh dhe i di të shkuarën e të ardhmen si një moment të vetëm. Ta zëmë se jeni ngjitur në majë të një mali, prej ku mund të hidhni poshtë një shikim konik duke përfshirë me një vështrim aq shu­më gjëra që, për t'i parë së afërmi, do t'ju duhej kohë dhe për­pjekje. Po kështu, vetëm se përtej çdo lloj mase dhe shpjegimi material, Zoti i di të gjitha ç'kemi bërë në të shkuarën e ç'kemi për të bërë në të ardhmen bashkë me përfundimet e atyre bë­mave dhe vullnetin tonë, prandaj përcakton dhe vendos për ne qysh në pafillimshmëri, kurse ne, kur vjen koha, i realizojmë bëmat tona me anë të vullnetit tonë.

Të gjithë e dimë që çdo vit shtypen kalendarë ku shënohen kohët e namazeve të 365 ditëve të ardhshme duke i ditur ato që më parë me hollësi minutash e sekondash. Pastaj, kur vjen ça­sti, këndohet ezani dhe ne, me vullnetin tonë, lidhim duart para Zotit dhe e kryejmë faljen. Ja, pra, kalendari është njohja dhe përcaktimi që më parë i veprimeve tona, konkretisht i adhu­rimeve tona!

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.