Endrrat dhe Kaderi

Edhe ëndrrat janë argumente të ekzistencës së kaderit. Ashtu siç e shpjeguam pjesërisht në temën mbi shpirtin, pamja në ën­drra që më parë e një ngjarjeje çfarëdo që do të ndodhë në të ardhmen dhe realizimi identik i saj kur i vjen koha vë në shesh se çdo ngjarje është e caktuar dhe vendosur qysh më parë. Po, ne e lexojmë në ëndërr qysh më parë një faqe të librit tonë të jetës dhe pastaj vërejmë se ajo që kemi lexuar vërtetohet në praktikë!

Edhe fakti që Kur'ani, Profeti dhe njerëzit e urtë të lartësuar shpirtërisht njoftojnë në këtë apo atë mënyrë për ngjarje që ka­në për të ndodhur në të ardhmen, tregojnë se në çdo gjë sun­don kaderi; ndryshe, si do ta dinin diçka që s'do të ishte e shkruar, e përcaktuar dhe e vendosur?

Pyetje: Pse kanë hyrë kaderi dhe vullneti mes gjashtë parimeve besimore?

Përgjigje: Shpesh herë, për shkak shprehie, njeriu ia dedi­kon vullnetit dhe mundësive të veta relative favoret që i ka bërë Allahu, duke thënë "unë e bëra, unë fitova, unë e gjeta, unë e mësova, unë e mendova", etj. Në këto raste, kaderi i del menjë­herë para dhe i thotë: "Eshtë Allahu që ju krijon ju dhe bëmat tuaja!" (Saffat, 37:96) Prandaj mos harro se kush je! A është e mundur t'i bësh të gjitha këto punë me atë buton të vogël që ke në dorë? Jo!" E kështu, duke e shpëtuar njeriun nga krenaria, i siguron barazpeshën dhe proporcionalitetin në jetë.

Në shpirtin e njeriut është ndjenja e përvetësimit të bukurisë, aftësive dhe produkteve, lavdërimi dhe krenimi me to, madje, më tej, rënia në ekstazë nga krenaria e lartë për to. Ja, kundër një ndjenje të tillë, për të treguar se i zoti i vërtetë i të gjitha bu­kurive, mirësive dhe dobive nuk është egoja, por vetëm Allahu, ndërkaq që të gjitha të këqijat dhe mëkatet burojnë nga egoja, kaderi bën këtë paralajmërim: "Çdo e mirë që të vjen ty, është nga Allahu, kurse çdo e keqe që të vjen, e ke nga vetja. Ne të dërguam ty përfaqësues te njerëzit dhe Allahu mjafton si dësh­mitar për këtë!" (Nisa, 4:79) Dhe ju kthejeni pas shiritin e kuj­tesës suaj për të parë në të kaluarën tuaj që, ndërsa ndodheshit mes mëkatesh, kaderi ju futi mes shokëve më të mirë, jua mje­koi mendjen dhe shpirtin, si përfundim, në zemrën dhe buzët tuaja çelën burbuqet e mëshirës, kurse në gjoksin tuaj u varën medaljet e moralit dhe adhurimit. Mendoni mbi të gjitha këto dhe, pastaj, nëse mund të thoni "unë i bëra", thoni!..

Çështja ka edhe një aspekt të dytë. Kohë pas kohe njeriu mund të mendojë edhe kështu: "Meqë është Allahu që na ka krijuar edhe mua, edhe bëmat e mia, meqë unë nuk mund të dëshiroj gjë pa dëshiruar Ai dhe meqë unë jam pothuaj si një robot i programuar nga kaderi, atëherë cila është pjesëmarrja apo ndërhyrja ime në bëmat e mia që të jem përgjegjës dhe faj­tor (mëkatar)?" Kështu, ai mund të bjerë në gropën e fata­li­z­mit[1]. Dhe, përballë një rreziku të tillë, nxjerr para vullnetin e vet dhe, duke hipur në anën tjetër të peshores, thotë: "Jo! Je i përgjegjshëm dhe përgjegjës! Ashtu siç je përgjegjës për të besuar dhe adhuruar, je përgjegjës edhe për të gjitha të këqijat që ke bërë dhe të gjitha mëkatet ku ke rënë!" Në këtë mënyrë, siguron drejtpeshimin e duhur. Atëherë, themi se as kaderi s'ë­shtë mbështetje për t'ia ngarkuar drejtpërdrejt besimin, mosbe­simin, përgjegjësinë, pendimin dhe mëkatet dhe këllëf për t'i mbuluar shëmtitë e egos, as vullneti s'është mjet dhe shkak që njeriu t'ia dedikojë vetes aftësitë, mirësitë dhe bukuritë e kri­juara tek ai nga Allahu duke thënë faraonisht "unë" dhe, duke harruar tërë dobësinë dhe varfërinë e vet, t'i quajë të tijat dhuntitë e favorizuara pa shpërblim nga Allahu. Ne mund të shpëtojmë nga rreziku që vullneti ynë të hedhë të dy duart me­njëherë mbi tërë bukuritë, mirësitë dhe dobitë dhe të krenohet e të mbahet më të madh me virtytet dhe vlerat që i rrinë sipër si një këmishë e dhënë amanet, vetëm me anë të kaderit; në anën tjetër, mund të shpëtojmë nga rreziku që egoja jonë të tentojë të shmanget nga përgjegjësia dhe përgjegjësitë, vetëm me anë të vullnetit dhe është pikërisht kjo "sirati mustakim", "rruga e drej­të" e trajtimit të vullnetit dhe kaderit.

Njeriu ka dy duar mjaft të shkurtra për t'i arritur mirësitë dhe bukuritë, kurse dy duar mjaft të gjata për t'i arritur mëkatet dhe prishjet. Njërës prej këtyre dy duarve të gjata i duhet dhënë pendim dhe pendesë që t'i bëhen pengesë prirjes së egos ndaj të këqijave dhe mëkateve, t'ia thyejnë veprimet e përdhunshme dhe t'i mbyllen të gjitha rrugët që çojnë në xhehennem, kurse tjetrës, lutje, orientim dhe nënshtrim ndaj Zotit për ta aktivizuar drejt mirësisë, forcë dhe dëshirë ndaj bukurive për ta entuziaz­muar në rrugën e xhennetit.

Një kujtesë e rëndësishme:

"E kaluara dhe fatkeqësitë shihen nga këndvështrimi i kade­rit, kurse e ardhmja dhe mëkatet, nga këndvështrimi i vullnetit!"

Me një vështrim të tillë, njeriu edhe pajtohet me shqetësimet dhe fatkeqësitë e së kaluarës duke thënë "paska qenë kaderi im", dhe s'bie në pesimizëm, edhe tregon se është i vetëdijshëm për përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë e tij në vlerësimin e të ardhmes së vet.

Për njeriun që nuk mundet t'i shohë të kaluarën dhe fatke­qësitë e hequra në të kaluarën, nga këndvështrimi i kaderit, bë­het e pashmangshme që të mbetet i paralizuar para çdo ngjar­jeje shpresëthyese dhe persekutuese, që të ankohet vazhdimisht për gjendjen e vet, ta godasë kokën sa andej-këtej, për më te­për, si përfundim, të bjerë në batakun e mëkatit dhe dëfrimit. Kurse për njeriun që nuk mundet ta shohë të ardhmen nga këndvështrimi i vullnetit, bëhet gjithashtu e pashmangshme që t'ia ngarkojë të këqijat dhe mëkatet e veta kaderit dhe të fun­doset më thellë në batakun e dëfrimit. Ashtu siç ia dyfishon nje­riut fatkeqësitë dhe ia vyshk dhe than botën ndjesore dhe jetën shpirtërore ankesa ndaj fatit, ashtu dhe shmangia dhe çaktivi­zimi i vullnetit janë, në të njëjtën mënyrë, një gabim i madh dhe, për të keqe të vet, dorëzim i mendjes dhe zemrës egos, djallit dhe mëkateve. Në këto kushte, jemi të detyruar ta rregu­llojmë jetën duke vënë në një anë të peshores vullnetin dhe në anën tjetër, kaderin, për ta mbajtur peshoren e jetës në ekuili­bër.

Pyetje: A mund të lexohet kaderi i njeriut nga vijat e duarve ose të fytyrës?

Përgjigje: Personat që merren seriozisht me çështjen e shpirtit, krahas thënies se shpirti i njeriut është dublanti i tij ose ka një trup pre­cedencial, flasin edhe për fatin e paracaktuar e të parashkruar të tij. Pretendohet se, kur njihen entiteti dhe funksionet e caktu­ara të shpirtit, mund të njihen në një raport të caktuar edhe se ç'ka për t'i ndodhur njeriut në të ardhmen, të cilat, Allahu, po të dojë i bën të njohura dhe i tregon.

Gjithashtu, ata që merren me shkencën e fizionomisë[2], do­methënë me kuptimet që shpreh struktura materiale, munden të tregojnë qoftë edhe pjesërisht, nga vijat e dorës si shprehje të reflektimit të kaderit në materie (trup) në formë vijash, ato që kanë për t'i ngjarë njeriut në të ardhmen. Të mos keqkuptohe­mi, kjo nuk do të thotë njohje e të fshehtës, por vetëm, duke përfituar nga shenjat dhe gjurmët e vëna nga Allahu në trupin tonë, funksioni i mundësisë së njeriut për t'i njohur disa aspekte të jetës së vet. Vetëm Allahu mundet ta njohë të fshehtën në kuptimin e plotë të fjalës, ndërkaq që e fshehta nuk përbëhet vetëm prej këtyre lloj informacionesh!

Përpjekja për ta lexuar kaderin duke parë shenjat dhe gjur­mët e vendosura nga Allahu në trupin tonë është një ndër çë­shtjet ekzistuese edhe në periudhën e Profetit. Në atë kohë, nje­rëzit që e bënin këtë punë quheshin "kaifë", lexues të fatit. Në një kohë kur ishin përhapur thashetheme mbi birësinë e Usa­me-s ndaj Zejd bin Harithit, libertit të Profetit, Profeti pati sjellë një kaif për t'u dhënë përgjigje thashethemeve. I ati dhe i biri qëndronin shtrirë të mbuluar krejtësisht me përjashtim të shpu­tave të këmbëve. Kaifi pati parë vijat e shputave të këmbëve të të dy personave dhe pati thënë se ata kanë lidhje me njëri-tje­trin. Me këtë mënyrë, Profeti ua pati vërtetuar një të vërtetë që e dinte, atyre që merrnin vesh nga gjuha e kaifëve, dhe i pati thënë Hz. Aishesë: "O Aishe, Usame është i Zejdit!" Nuk mund të mendohet që Profeti i cili dinte gjëra edhe më të rëndësishme në bazë të njoftimeve të Allahut, të mos e dinte gjendjen e Usa­mes, por, duke sjellë një kaif, pati dashur të përdorte si argu­ment një institucion të pranuar nga populli dhe të shtresuar në jetën shoqërore. Sigurisht, nuk mund të dyshohej mbi prete­ndimin e Profetit[3] i cili, siç thotë Kur'ani, "nuk fliste nga vetja"! (Nexhm, 53:3)

Në këtë ngjarje mund të ketë edhe nxitje për t'iu drejtuar fja­lës së specialistëve. Po kështu, edhe në ngjarjen e lidhjes të pe­mëve, Profeti u pati thënë njerëzve: "Ju i njihni punët e kësaj bote!" Këtu nuk nënkuptohet "unë s'i di". Po s'diti Profeti, kush do të dijë? Në këto fjalë mund të jenë ndjekur këto synime:

a) Kompliment për sahabet, shokët e Profetit.

b) Në atë kohë, një pjesë sahabesh ende bartnin një sërë bi­ndjesh dhe botëkuptimesh në kundërshtim me besimin mono­teist, siç ishte dedikimi i ndikimit të vërtetë shkaqeve. Kështu, natën para paqes së Hudejbijes pati ndodhur një ngjarje e ngja­shme. Atë natë pati rënë shi dhe, të nesërmen, Profeti u pati thënë kështu sahabeve: "Sot disa u gdhinë besimtarë, kurse di­sa, mohues!" "Si ka mundësi?" – Patën thënë sahabet. Dhe Profeti u pati bërë këtë shpjegim: "Kush ka thënë se shiun e lëshoi ylli Sirius, ka gdhirë mosbesimtar, kurse kush ka thënë se shiun e lëshoi Allahu, ka gdhirë besimtar!" Po si kjo, në atë ko­hë pemët e hurmave lidheshin[4] duke patur bindjen se nga ky veprim ritual merreshin patjetër prodhime të mbara. Qëndrimi i Profetit ndaj kësaj bindjeje pati pasur dy qëllime: edhe t'u jepte mësim njerëzve se çdo gjë ishte në dorë të Allahut, prandaj shkaqet nuk kishin ndonjë ndikim të madh mbi përfundimet, edhe t'u sugjeronte me fjalët "ju i dini punët e kësaj bote" se nuk është kusht që shkaqet e mundshme të nënvleftësohen në mënyrë absolute.

c) Nisur nga cilësia e Hz. Muhammedit si profet dhe imam i njerëzve gjer në kiamet, kjo fjalë mund të merrej si prirje për t'i dhënë asaj karakter juridik. Mirëpo në jetën e njeriut ka një sërë çështjesh që s'kërkojnë interpretime dhe zgjidhje juridike, siç ja­në çështjet e zakonshme të jetës që i përkasin përvojës së për­ditshme dhe rutinës dhe kalohen ose kapërcehen në heshtje. Ndërkaq, shkencat përparuan aq shumë, saqë për të nxjerrë zogj, vezët nuk lihen 21 ditë nën klloçkat. Tani inkubatorët nxjerrin zogj me metoda teknologjike me produktivitet të lartë. Po kështu, për të marrë prodhim të pandërprerë dhe me ren­diment e cilësi më të lartë, përdoren serat. Kush e di, ndoshta në të ardhmen, me anë të pasqyrave gjigande të vendosura në stacionet kozmike, do të mund të reflektohet drita dhe energjia diellore në vendet e ftohta për të marrë, siç thotë Kur'ani, fruta në çdo stinë. Në përfundim, do të arrihet një bollëk i tillë saqë nuk do të gjendet njeri për t'i dhënë zeqat!

d) Duke thënë "ju i dini punët e kësaj bote", Profeti lë portë hapur për të ardhmen! Nga një aspekt tjetër, duke mos u thënë në mënyrë të përcaktuar "lidhini" ose "mos i lidhni", Profeti ua ka lënë të lirë njerëzve ndërgjegjet dhe vullnetet si dhe i ka nxi­tur të përpiqen e të bëjnë kërkime për ta gjetur vetë se si është më e mira!

Shkurt, besimi te kaderi është domosdoshmëri e të qenit be­sim­tar i plotësuar. Ashtu siç u besojmë Allahut, të dërguarit të fundit, profetit Muhammed, profetëve të tjerë, engjëjve, librave të shenjtë dhe ringjalljes, ashtu jemi të detyruar t'i besojmë edhe kaderit. Këto parime besimi janë si rregulla dhe shtylla të jetës së këtushme në emër të fitimit të jetës së amshuar. Kur ta trondisim njërin prej rregullave ose njërën prej shtyllave, kemi tronditur ndërtesën që jemi përpjekur të ngremë ose, në rastin më të keq, e kemi shembur. Kur'ani dhe hadithet përqëndrohen seriozisht mbi kaderin. Pas ringjalljes, çështjet mbi të cilat ndo­shta përqëndrohet më shumë, janë dëshira, dija dhe vendimi i Allahut. Në shumë hadithe, kaderi trajtohet jo brenda parimeve të tjera fetare, por, mbështetur mbi kuptimin dhe rëndësinë, atje ku flitet mbi Individualitetin Hyjnor dhe atributet e Tij dhe ba­shkë me to. Kjo do të thotë se besimtari që kërkon t'i besojë Allahut në atë kuptim që do Allahu, është i detyruar t'i besojë kaderit. E thënë ndryshe, besimi te kaderi është domosdosh­mëri e përsosmërisë së besimit në Individualitetin e Zotit, dome­thënë, ai që nuk i beson kaderit, nuk konsiderohet se i beson ashtu siç duhet Allahut dhe madhështisë së Tij.

Çdo njeri i beson kaderit sipas nivelit të vet, sepse afërsia in­tuitive[5] ndaj Allahut dhe marrëdhëniet me Të janë të ndrysh­me. Ai që është në fillimet e besimit ose ka mbetur aty ku e ka filluar, duhet t'i besojë kaderit si një formulë fetare para së cilës e ndjen veten, për inerci, të detyruar, dhe si një parakusht të besimit. Kurse një besimtar i përplotësuar, me një përvojë të gjatë besimi, që ka arritur ta ndjejë në thellësitë e ndërgjegjes veprimin dhe administrimin e Allahut mbi çdo gjë, për çka dhe ka merituar të shohë sesi "Allahu është bërë syri i tij që i sheh, veshi që i dëgjon, dora që i kap, ...", thotë pa asnjë lëkundje dhe mundësi për të kundërtën, "më duket sikur Allahu ma lëviz gishtin". Dhe kjo është një çështje kuptimi, njohjeje dhe kënd­vështrimi.

Kaderi nuk është çështje dijeje dhe veprimi, por ndërgjegjeje dhe statusi. Një njeriu që s'ka shijuar mjaltë, sado që t'i flisni për shijen, përmbajtjen dhe dobitë e mjaltit ose çfarëdo që të shkruani lidhur me këtë, nuk do të bëni mbi të as efektin që mund të bëjë sikur ai të shijojë vetëm një gisht mjaltë! Ndërsa ekzistenca e Allahut, profetësia dhe çështjet kur'anore mund të shpjegohen me analiza shkencore, për ta njohur kaderin me ve­tëdijen e mirësisë, sikur e shihni si akt të Allahut, ju duhet të trazoni fletët e ndërgjegjes.

Kaderi është një subjekt delikat që të bën të të rrëshqasin kë­mbët. Ashtu siç njeriu mund të rrëzohet për çdo çast kur ndo­dhet mbi një truall rrëshqitës, ashtu dhe kaderi është një truall rrëshqitës që mund të të çojë në humbje. Disa dijetarë i kanë ndaluar nxënësit e tyre të flasin mbi çështjen e kaderit, kurse atyre që u kanë thënë "por ju flisni, ama", u janë përgjigjur kështu: "Flas për të folur, por sikur mbi krye të më kishte qën­druar një zog dhe të dridhesha nga frika se mos më ikte!"

Për të dhënë një mendim ose për të arritur në një mendim mbi kaderin, duhet që këto katër specifika kryesore të kuptohen mirë. Ne jemi të opinionit se çdo çështje lidhur me kaderin mund të shpjegohet me këto katër baza:

1) Nivelet e kaderit janë: plani dituror, shkrimi, dëshira, kriji­mi.
2) Dija e Allahut i njeh të kaluarën, të tashmen dhe të ardh­men si një moment i vetëm.
3) Kuptimi, përmbajtja dhe argumentet qenësore të vullnetit të pjesshëm.
4) Përputhja mes kaderit dhe vullnetit të pjesshëm dhe ma­rrëdhëniet mes tyre.



[1] Në origjinal: xhebrilik, fatalizëm.
[2] Në origjinal: ilm-i kijafet.
[3] Ndërkaq, edhe për këtë rast, fakti që thënia e kaifit qe përputhur me prete­ndimin e Profetit, tregon se Profeti ishte absolutisht i sigurtë se kaifi do të tho­shte ashtu, ndryshe, nuk do të rrezikonte para opinionit publik.
[4] Në origjinal përdoret fjala "aşılama" që ka disa kuptime: shartim, lidhje, vaksinim, ngjitje, etj. Në ngjarjen përkatëse bëhet fjalë për zakonin e arabëve, zakon që e gjejmë edhe tek të gjithë popujt, për t'i lidhur pemët në pranverë. Siç dihet, riti i lidhjes së pemëve në pranverë, i mbetur nga paganizmi, është një lloj nomatisjeje me qëllim që pemët të japin atë vit prodhim të mbarë. Ndërkaq, në pranverë, bimëve dhe pemëve u bëhen edhe shumë shërbime të tjera praktike e reale si krasitja, shartimi, etj. Vetëm se, bie fjala, nëse krasitja është një trajtim masiv i bimëve, shartimi është një trajtim edhe jomasiv, edhe shumë i kufizuar. Kështu, as që mund të mendohet që arabët u bënin hurma­ve shartim masiv në pranverë, prandaj, më tepër se për shartim, në këtë ngja­rje bëhet fjalë për ritin e lidhjes së pemëve që është një trajtim masiv i tyre.
[5] Në origjinal: marifet.
Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.