Kur’ani dhe te vertetat shkencore

Ndërsa shkenca i konsideron “shkencore” çështjet që fitojnë vlerë kategorike pas provave dhe eksperimenteve, çështjet që s’kanë mundur të fitojnë vlerë kategorike, i sheh vetëm si teori ose hipoteza.

A. Ç’ka në Kur’an, sa ka dhe në ç’përpjestime ndodhet?

1. Në Kur’an i cili, si një libër që tregon për gjithësinë dhe njeriun, shprehet për gjithçka, nuk është lënë mangët asgjë (En’am, 6:59), çdo gjë e njomë dhe e thatë është përfshirë në përmbajtjen e tij. Ndërsa Ibni Mes’udi thotë se “edhe nëse në Kur’an është zbritur dije për çdo gjë dhe është shprehur çdo gjë, dija jonë nuk mjafton për ta kuptuar çdo gjë në të”, Ibni Abbasi thotë se “po t’i humbë litari i devesë, gjithsesi e gjej në librin e Allahut”, kurse Sujutiu pohon se në Kur’an zënë vend të gjitha dijet. (el-Itkan).

Meqë është libri i Islamit, fesë së përsosur, të realizuar si e tillë me Profetin e Fundit dhe, për rrjedhojë, meqë është universal, Kur’ani u përket të gjitha kohërave dhe hapësirave. Ai u jep mësim të gjithëve, njerëzve të çdo shekulli, shtrese e niveli, nga komentuesi i Kur’anit, te juristi, nga sociologu, te psikologu, nga mistiku, te filozofi, nga fizikani, kimisti, etj. Njeriu që e lexon Kur’anin duke e kërkuar veten në të, thotë: “Kur’ani më drejtohet mua, ai më tregon mua për mua!” Pa le sikur të mund ta lexojë duke e zbritur poshtë grykës, mu atëherë do t’i zbulojë në të të gjitha ç’i kanë rënë e kanë për t’i rënë në kokë, zigzaget në jetë, të gjitha situatat e errta e të ndriçuara dhe sëmundjet dhe, përsëri, në farmacinë e tij mundet t’i marrë ilaçet shëruese për lëngatat shpirtërore dhe sëmundjet trupore. Në Kur’an ndodhen edukimi i vetvetes, pastrimi i zemrës dhe shpirtit, llogaridhënia e ndërgjegjes, administrimi i familjes, edukimi i fëmijëve, marrëdhëniet shoqërore, rregullat e sjelljes e të edukatës, çështjet morale, e drejta juridike, ekonomia, aktet, ligjet që veprojnë në gjithësi, parimet e shkencave teorike e të natyrës, indeksi i mrekullive të qytetërimeve dhe sa e sa gjëra të tjera!

2. Në Kur’an ka çdo gjë sipas përbërjes, rëndësisë dhe vlerës së saj.

a) Po, në Kur’an ka çdo gjë, por sipas madhësisë, madhështisë, rëndësisë, përbërjes dhe vlerës. Cila është çështja më e rëndësishme? Besimi në një Zot të vetëm (tevhid), profetësia, ringjallja dhe grumbullimi pas vdekjes, adhurimi, fitimi i lumturisë së përjetshme, ruajtja nga ndëshkimi hyjnor, etj. Veç këtyre, veprimtaria e Allahut në gjithësi, ekspozimi i arteve të Tij, shfaqjet e atributeve dhe emrave të Tij, shprehja e këtyre nga sistemet dhe planetet përmes një rregullsie dhe harmonie të shkëlqyer. Të gjitha këto janë treguar krejt hapur gjer në imtësitë e tyre. Veçanërisht edhe zhvillimet shkencore dhe gjetjet teknike që do të dalin në shesh në periudha të caktuara kanë marrë vendin e tyre në Kur’an sipas rëndësisë dhe vlerës që kanë si dhe, në mos hapur, ose në mënyrë analogjike, ose simbolike. Po pse jo hapur? Sepse, për shembull, po qe se gjëra që i sheh shumë të rëndësishme njeriu, si rryma elektrike, avionat, raketat, etj., pyesin se “pse nuk përmenden hapur në Kur’an”, u dalin para menjëherë dielli, hëna dhe yjet, galaktikat dhe kuasarët dhe ua mbyllin gojën duke u thënë: “Njiheni veten se kush jeni, se një krah mize, madje, është shumë më i rëndësishëm, shumë më artistik e shumë më i mrekullueshëm se ju! Pra, mos e ngatërroni vendin tuaj në protokoll, se ju mund të zini vend në Kur’an vetëm sa ta keni hapin!”

b) Në Kur’an ka çdo gjë, por ka në gjendje parimesh shoqërore dhe ligjesh shoqërore e kozmike në nivele të ndryshme dhe identitete të ndryshme. Dhe shumë gjëra ndodhen në gjendje embrionesh, farash e bërthamash që u takojnë punës e përpjekjeve të njerëzve.

Në një hadith profetik të rrëfyer nga Dejlemiu, Profeti thotë: “Pa diskutim, çdo ajet ka anën e jashtme, anën e brendshme, një cak dhe kuptim; veç këtyre, secili nga këta elementë ka degë dhe sythe!”

c) Në Kur’an ka çdo gjë, por çdo njeri nuk mundet ta shohë çdo gjë siç ndodhet në Kur’an. Siç e thekson Gazaliu në veprën e tij, “Ihja”, kuptimet e hapura e të jashtme të Kur’anit mund t’i kuptojë si shtresa e lartë, ashtu dhe populli i thjeshtë, kurse kuptimet e brendshme e të fshehta janë të posaçme për njerëzit e dijes që meditojnë dhe hulumtojnë çdo gjë me imtësi. Zhytësit e cilësuar nga Kur’ani si “ata që lëshojnë rrënjë e thellohen në dituri” (Al-i Imran, 3:7), zhyten në oqeanin kur’anor dhe nxjerrin prej tij perla e margaritarë. Mirëpo çdokush nuk mund të zhytet në atë oqean, nuk mundet t’i shohë dhe vlerësojë perlat në të. Një sendi antik, në tregun e hekurishteve, i japin vlerë sa ç’peshon, kurse po ai send antik, pranë antikuarit ka vlerë të pallogaritshme! Kjo do të thotë se në Kur’an ka shumë gjëra, por në gjendje shenjash, mbresash, treguesish dhe fijesh orientuese që mund t’i kuptojnë vetëm njerëzit kompetentë me përpjekje, meditim dhe frymëzim!

d) Në Kur’an ka çdo gjë, por jo si qëllim dhe synim në vetvete, por në emër të aftësisë dhe madhështisë së Zotit. Ashtu siç shkronja “a” që, më tepër se veten, tregon artin dhe kapacitetin e atij që e ka shkruar, ashtu dhe ajetet e Kur’anit ekzistojnë që të bëhen nga një premisë dhe argument për ta njohur dhe gjetur Zotin, për të marrë mësim me anë të meditimit dhe gjykimit të gjithanshëm mbi to, sepse detyra esenciale dhe më e parë e Kur’anit është t’ia bëjë të njohur njeriut edhe veten e tij, edhe të Zotin e gjithësisë, t’ia mësojë detyrat e kuadrit të adhurimit, t’ia rregullojë jetën individuale, familjare e shoqërore, të bëhet pretekst që ai të fitojë lumturinë e përjetshme duke përfshirë në këtë funksion tërë jetën dhe njerëzimin. Po qe se s’do të kishte ndodhur kështu, por Kur’ani do të kishte bërë fjalë hapur dhe me hollësi mbi disa mrekulli qytetërimi të kthyera në tabu të shek. XX dhe mbi zhvillimet shkencore, atëherë do të ishte eliminuar e drejta e shumë synimeve shumë të rëndësishme për t’u diskutuar dhe njeriu, qënia më e përsosur dhe zëvendësi i Zotit mbi tokë do të ishte nënvleftësuar dhe lënë mënjanë, gjë që do të ishte krejt në kundërshtim me synimin esencial të Kur’anit dhe frymën e tij.

Me anë të Kur’anit, Allahu bën interpretimin e librit të gjithësisë. Për rrjedhojë, edhe çështjet lidhur me njeriun i cili, si qenia më e përsosur, i përfton gjithësisë kuptimin e saj të vërtetë, edhe të vërtetat shkencore gjithsesi nuk lihen mënjanë, por zënë vend në Kur’an sipas përbërjes dhe rëndësisë që kanë. Megjithëse Kur’ani nuk është libër fizike, astronomie apo mjekësie, çështjet lidhur me këto shkenca, zbulimet, përcaktimet dhe konkluzionet shkencore që kanë për t’u bërë gjer në kiamet si dhe mjetet teknike të lidhura shumë ngushtë me jetën e njeriut, zënë vend nëpër faqet e tij, sipas peshës dhe rëndësisë që kanë, në forma dhe përmbajtje të ndryshme, herë si një farë, herë si një shenjë, herë si hipotezë, herë si simbole dhe herë si ligje dhe parime të formuluara. Duke mos e nënvleftësuar dhe lënë mënjanë asnjërën prej dijeve dhe shkencave që do të kenë marrëdhënie me njerëzit gjer në kiamet, Kur’ani ka thënë fjalën e fundit duke vënë në çdo fushë gurët shenjues dhe, duke ngulur flamurin në majat ku kanë për të arritur njerëzit, e nxit njeriun të cilit i është dhuruar mendje, aftësi njohëse dhe arsyetuese, të bëjë kërkime dhe përpjekje në këto fusha!

B. Pse Kur’ani nuk bën fjalë hapur për të gjitha shkencat?

1. Po qe se mendohet se, nëse Kur’ani do të bënte fjalë hapur për të gjitha shkencat, kjo do të përbënte një argument më të qartë se është fjalë e Allahut, do të ishte gabim, sepse, para së gjithash, Kur’ani, jo vetëm që s’është libër shkencash moderne, por edhe objekti bazë që ndjek, siç e prekëm më lart, është jeta e njeriut në tërësinë e saj të plotë për t’ia përftuar lumturinë e kësaj bote, veçanërisht të ahiretit, jetës së pasme. Ç’vend zënë shkencat në jetën e njeriut të çdo kohe e vendi, të çdo niveli e kushtesh, në raport me lumturinë e tij të të dy botëve, që Kur’ani t’ua kushtojë faqet e tij një për një? Veçanërisht, diskutimi i detajuar i shkencave do të binte në kundërshtim me karakterin konciz të një libri si Kur’ani. Prandaj, shumë tema shkencore e teknike, si rrumbullakësia dhe rrotullimi i tokës, forma e shtypur e poleve, krijimi i njeriut dhe fazat që kalon fëmija në barkun e nënës, atomet dhe gjurmët e gishtave, formimi i shiut, formimi i reve dhe transmetimi i zërit dhe pamjeve të cilat preken ose për të cilat aludohet shumë shkurt dhe në mënyrë koncize në Kur’an në kuadër të synimeve themelore si njohja e Zotit dhe afërsia intuitive hyjnore, monoteizmi, profetësia, ringjallja dhe adhurimet, kanë zënë vend në mënyrë të mjaftueshme pa e cënuar aspektin konciz dhe mrekullor të tij.

Edhe me këtë aspekt, Kur’ani e shpall dhe e vërteton se është fjalë hyjnore.

2. Krejt si njerëzit, edhe shkencat jetojnë periudhat e lindjes, foshnjërisë, ngritjes në këmbë, fëmijërisë, rinisë dhe pjekurisë. Në fillim parashtrohen teori, pastaj, pas vëzhgimeve, provave dhe eksperimenteve si dhe krahasimeve e gjykimeve, teoritë ose hidhen poshtë, ose pranohen në kuadër dhe në përputhje me njohuritë dhe zhvillimet bashkëkohore. Shpesh herë ndodh që edhe ky pranim, madje, është i dënuar të mbetet i kufizuar për një fragment kohor të kufizuar, sepse ndodh që kërkimet dhe zhvillimet e mëpastajme i përgënjeshtrojnë ato të vërteta për të nxjerrë në shesh të vërteta të reja. Ndërkaq, ka ndodhur dhe ndodh shpesh që edhe këto të vërteta të përgënjeshtrohen me kohë dhe vendin e tyre ta zënë të vërteta të reja. Në fakt, ka edhe të vërteta të pandryshueshme si ligji i tërheqjes dhe shtytjes së përgjithshme (ligji i gravitacionit universal), por këto janë shumë pak, kurse e përgjithshmja është se shkencat zhvillohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të vërtetat shkencore, me kohë e humbin vërtetësinë. Për shembull, një kohë është pranuar si e drejtë fizika e Njutonit, pastaj, bashkë me të, është pranuar si e drejtë edhe fizika e Ajnshtajnit, pastaj vetëm fizika e Ajnshtajnit, për të cilën sot është kuptuar se përmban gabime! Po e nesërmja, ç’do të sjellë? Këtë sot s’mund ta dimë. Të njëjtat dukuri i hasim edhe në kimi, biologji, astronomi, etj. Në këto kushte, për cilën periudhë të zhvillimit të shkencave do të deshim të fliste Kur’ani?

3. Po të thuhej që t’ fliste, bie fjala, njeriut të shekullit XX për zhvillimet e atij shekulli, atëherë do të shfaqeshin këto probleme:

a) Kur’ani nuk është libri i një periudhe të caktuar, por i të gjitha kohërave dhe vendeve, i të gjithë njerëzimit, madje, së bashku me njerëzit, edhe i xhindeve.

b) Kënaqja vetëm e njeriut të një shekulli të caktuar bie në kundërshtim me universalitetin dhe synimet kryesore të Kur’anit.

c) Po qe se Kur’ani do të bënte fjalë për pikën ku kanë arritur shkencat sot, ç’do të kuptonte njeriu i djeshëm nga kjo? Të flisje për nivelin dhe zhvillimet shkencore të sotme në një shekull kur në Perëndim njerëzit hidheshin në qelitë e errta ose çoheshin në gijotinë vetëm pse thonin se toka rrotullohet, a nuk do të thoshte t’i shtyje njerëzit e atij shekulli në mohim, fanatizëm dhe vlerësime shumë të gabuara? Veçanërisht, një libër që do të fliste për të sotmen, si do të mund të shpëtonte, në atë kohë, nga evaziviteti, turbullia, paqartësia dhe pamundësia për t’u kuptuar?

d) Po qe se Kur’ani do të fliste për zhvillimet dhe nivelin shkencor të shekullit XX, a nuk do të ndodhte që, pastaj, në shekujt XXI ose XXII, njerëzit ta shihnin si librin e shekullit XX të dalë jashtë mode?

e) Po qe se do të vinte një ditë që të dilnin në shesh anë të gabuara të shumë tezave shkencore të pranuara sot si të drejta, gjë që është jo vetëm krejt e mundshme, por edhe diçka e zakonshme në historinë e zhvillimit të shkencave, siç u prek kjo gjë edhe më lart, a nuk do të binte Kur’ani në gjendjen e një libri që përmban pasaktësi e gabime? E kush do ta pranonte, atëherë, se një libër me pasaktësi dhe gabime është libër hyjnor?

Kur’ani u drejtohet dhe u flet të gjitha kohëve dhe vendeve dhe të gjithë njerëzve të niveleve dhe kushteve të ndryshme, kështu që edhe gjuha, stili, temat dhe çështjet që përmban dhe trajton, janë në funksion të kësaj veçorie të tij.

4. Sa libra mund të lexoni nga biblioteka juaj apo, diçka tjetër, sa herë mundeni ta rilexoni një libër të bibliotekës suaj pa u ngopur dhe mërzitur? Veçanërisht, a keni menduar, ndonjëherë, se sa libra ka në botë të shkruar mbi fusha të ndryshme të shkencave? Po qe se Kur’ani do të fliste në çdo faqe për shkencat, sa vëllimesh do të dilte dhe sa biblioteka do të mbusheshin me vëllimet e tij? Dhe, atëherë, kush do ta lexonte dot këtë libër shumëvëllimësh dhe si mund të bëhej ai për njerëzit burim orientimi dhe lumturie në të dy botët?

5. Po qe se njeriut, të cilit i janë dhënë sa e sa ndjenja e aftësi tejet komplekse e që kërkojnë të zhvillohen, si mendje, arsye, njohje, gjykim, dëshirë dhe aftësi hetimi e kërkimi, ndjenjë e kërshërie e nevoje, si dhe i cili është vënë në provë me jetën e kësaj bote, do t’i parashtrohej me hollësi çdo gjë që ka të bëjë me shkencat, atëherë, ç’kuptim do t’i mbetej formimit të një njeriu të pajisur me kaq aftësi e dhunti? Pastaj, po qe se, si pasojë, mendja do të mbetej e detyruar ta pranonte gjithçka të dhënë duke ia hequr edhe vullnetit mundësinë e parapëlqimit dhe zgjedhjes, atëherë, a do të kishte më shkak dhe kuptim ekzistenca e kësaj bote?

6. Jo çdo njeri mund të merret me shkenca dhe hollësi shkencore dhe as që ka nevojë për këtë. Veçanërisht, këtë gjë e pengojnë edhe dallimet në zgjuarësi, në aftësinë kapëse e konceptuese, në nivelin arsimor e kulturor, si dhe kërkesat e jetës shoqërore. Pastaj, shkencat nuk përbëhen vetëm prej shkencave eksperimentale. Jo vetëm që ka degë shkencore shumë më të çmuara se to, por edhe më të dobishme për jetën e njeriut, por dhe numri i njerëzve që merren me shkencë, pavarësisht nga dega, është i pakët. Kurse Kur’ani nuk i drejtohet dhe flet një pakice të caktuar, por fëmijës dhe plakut, mashkullit dhe femrës, bujkut dhe artizanit, shkollarit dhe atij që s’di shkrim e këndim dhe, përgjithësisht, nëntëdhjetëpërqind, popullit të thjeshtë. Në këto kushte, të kërkosh nga Kur’ani që ta lërë mënjanë njeriun me shpirtin, zemrën, mendjen, ndjenjat komplekse, dëshirat dhe kërkesat, qëllimin final, jetën materiale dhe shpirtërore, problemet e shumëllojshme, adhurimin, marrëdhëniet dhe nevojat e shumanshme të tij për të bërë fjalë hapur dhe me hollësi për një pjesë çështjesh shkencore të shfaqura në një periudhë të caktuar dhe në çdo kohë të dënuara për ndryshim, do të thotë të mos e njohësh Kur’anin, por të mos e njohësh as njeriun, jetën e njeriut dhe gjithësinë. Ç’të drejtë kanë shkencat që t’u jepet vend në tërë Kur’anin?

Kur’ani bën fjalë për çdo gjë në drejtim të qëllimit final të krijimit të njeriut dhe synimeve kryesore që bart ai, me aq sa ç’e kanë ato gjëra fuqinë, vlerën dhe kuptimin. Kur’ani u jep vend rrëfimeve mbi profetët dhe popujt e vjetër si ekspozime shembujsh mësimdhënës që e interesojnë tërë jetën e njeriut, dhe si gurë themelorë të jetës së individëve e popujve, shkurt, të jetës së njeriut me të gjitha anët e saj individuale e shoqërore. Ai i prek të vërtetat shkencore si rrezatime të njohjes hyjnore, të besimit monotesit (tevhid), të të vërtetave besimore, të shumë veçorive të njerëzve dhe të kuptimeve kryesore të librit të gjithësisë dhe, me anë të metaforave, alegorive, simboleve e paralelizmave, në një mënyrë që të mos i hapë rrugë mohimit, ngopjes bezdisëse, mënjanimit të arsyes dhe vullnetit, vjetërimit, pamundësisë për t’u kuptuar dhe shpenzimit të tepër të fjalëve, ia parashtron çështjet njeriut të çdo periudhe, të çdo vendi, të çdo shtrese dhe të çdo niveli – nëse mund të shprehemi kështu - në gjendje koncentratesh, përmbledhjesh të ngjeshura e thelbësore. Kur’ani është si dielli: nuk u dërgon dritë të veçantë atij që është rritur në shpellë e, dritë të veçantë, atij që është rritur në universitet, por as këta nuk munden ta marrin dritën e njëjtë të diellit për të gjithë, në të njëjtin nivel. Gjithashtu, nga dielli përfiton ndryshe njeriu në ekuator dhe ndryshe njeriu në pole. Meritat e njeriut që hedh farën në arë dhe të atij që ha në tryezë frytet e asaj fare, janë të ndryshme. Urdhri për sulm drejt një objekti të caktuar që jep komandanti i gradës më të lartë mund të jetë i njëjtë me urdhrin për sulm drejt të njëjtit objekt që japin komandantë të gradave dhe funksioneve më të ulta, por mes tyre ka dallime të mëdha niveli kompetence e kulture, konsiderate, kapaciteti për zbatim praktik, universaliteti në njohjen e çështjeve ushtarake dhe peshe të personalitetit.

Për shembull, 14 shekuj më parë, Kur’ani ka thënë “fik”. Fiku përbën një të tërë me farën e mbjellë, rrënjët dhe kërcellin apo trungun, me degët dhe gjethet, me lulet dhe, më në fund, me frytin e vet. Mirëpo, le ta zëmë se njeriu i periudhës së parë, me fjalën fik ka kuptuar vetëm farën e fikut. Pastaj, njerëzit e periudhës tjetër, kanë kuptuar edhe rrënjët, pasardhësit e tyre, trungun, të mëvonshmit, degët, lulet dhe, më në fund, njeriu i sotëm, kur përmendet fjala fik, kupton, së pari, fikun si frut. Ja, pra, të vërtetat kur’anore, duke iu drejtuar syrit dhe zemrës së çdo njeriu të çdo kohe gjer në kiamet, ka cilësinë për ta kënaqur çdo njeri. Në çdo periudhë, njerëzit do të kërkojnë dhe marrin nga tërësia e të vërtetave të parashtruara nga Kur’ani, pjesë-pjesë dhe aq pjesë sa t’ua lejojë kapaciteti i tyre.

Kësaj ne i themi hollësi në esencë, me fjalë të tjera, ky është aspekti edhe i lehtë, edhe i vështirë i Kur’anit. Ta tregosh dhe shprehësh frutin te fara. Të krijosh një diell dhe të sigurosh që t’i ndriçojë gradualisht sytë e çdo gjallese, edhe të mos e lësh asnjë gjallesë pa ngrohtësinë e tij, edhe ta ushqesh dhe rritësh pa e djegur e pa e përvëluar nga nxehtësia e tij...

Dielli është një burim i tillë drite që nuk fiket e nuk vjetërohet. Njerëzit lindin dhe rriten, plaken dhe vdesin. Bota ndryshon, popuj e kombe duken në skenë të historisë e zhduken, kurse dielli është po ai diell dhe do të mbetet shembull rinie e bukurie gjer çastin kur do të shkatërrohet.

Kur’ani është më i shkëlqyer dhe më i gjallë se dielli. Për të s’ekziston ndonjë çështje si ruajtja e rinisë. Përkundrazi, Kur’ani, me kalimin e shekujve dhe zhvillimin e shkencave, rinohet, drita dhe nxehtësia i shtohen edhe një herë më shumë. Shkencat janë kah vrapojnë për të arritur flamurin e ngulur prej tij në majë, në horizont!

Si shprehje e ligjeve që veprojnë në gjithësi, Kur’ani ka zbritur gradualisht ose, e thënë nga e kundërta, ecuria e materies dhe e dukurive në natyrë është bërë e kuptueshme fund e krye duke u përputhur me Kur’anin dhe ky botëkuptim është kryer dhe kryhet gradualisht dhe dalëngadalë nga sperma te njeriu dhe nga fara te pema, siç është shndërruar toka nga gjendja e zjarrtë, në gjendjen e sotme. Duke zbritur për 23 vjet, Kur’ani ka zgjedhur rrugën më të përshtatshme të sugjerimit ndaj natyrës dhe krijimit të njeriut dhe, siç e racionon mjeku dozën e ilaçit për të sëmurin, ka hequr, sipas nevojës dhe gradualisht, moralin e keq, konsideratat dhe botëkuptimet e gabuara dhe bindjet bestyte dhe ka shtresuar në vend të tyre ato më të drejtat, të mirat dhe të bukurat. Edhe dituritë dhe shkencat zhvillohen duke fituar nivel në tërësinë e tyre në këtë drejtim dhe sipas këtij rregulli të përgjithshëm.

C. A mos Kur’ani dhe shkenca ose feja dhe shkenca janë gjëra të ndryshme që e hedhin poshtë njëra-tjetrën?

Para së gjithash, duhet ta sqarojmë se gjëja për të cilën e kanë fjalën ata që pretendojnë për kontradiktën fe-shkencë nuk është shkenca në përgjithësi në kuptimin e dijes, por ajo pjesë e dijes së përgjithshme ku futen shkencat e natyrës ose, edhe më ngushtë, vetëm shkencat eksperimentale.[1] Dije, dituri, është një fjalë që i vjen era “ndriçim”, që i vjen era “besim”. Dituria është një varg, një vargëzim poetik të vërtetash që frymëzon të vërteta dhe një burim drite që e çon personin në Rrugën e Drejtë. Kurse gjëja e quajtur shkenca eksperimentale, me rrobën që i është prerë, me funksionin që i është ngarkuar dhe me kuptimin që i është përftuar, është një varg errësirash, kaosi dhe vrimash të zeza. Ndërsa dituria ka lindur dhe është rritur tek ne dhe e ka marrë farën dhe esencën tek ne, shkencat pozitive, me racionalizmin dhe pozitivizmin e tyre, janë produkt i Perëndimit. Ato e fillojnë punën me mohimin e të vërtetës absolute, burimit të të vërtetës dhe të gjitha të vërtetave dhe përpiqet kinse të arrijë të e drejta hap pas hapi duke u mbështetur mbi gabimet, të metat dhe mundësitë. Mirë, po si mund të arrihet te e drejta pa pasur në dorë një të vërtetë ku të goditen të gjitha gabimet, ku të peshohen të gjitha të shtrembrat? Shkencat eksperimentale që e shohin çdo gjë të ndryshueshme, si mund të punojë mbi ndryshimet dhe gjërat që ndryshojnë pa pranuar ekzistencën e një të pandryshueshmeje? Pa rregullat e pandryshueshme dhe të vërtetat e qëndrueshme (konstante), vëzhgimi, prova dhe eksperimentimi nuk mund të zgjidhin asgjë! Me to është e pamundur ta ndriçosh botën e njeriut!

Gjithësia mbi të cilën shkencat e natyrës përpiqen e studiojnë me mundësitë e veta, në fakt, është libri i materies dhe dukurive të shkruar nga Zoti me fuqinë dhe vullnetin e Tij dhe të rregulluar sipas një plani, programi, mase dhe ekuilibri, kurse shkencat e vërteta janë raporte të nxjerra nga veprimtaria e Allahut në gjithësi, nga marrëdhëniet mes ligjeve hyjnore në gjithësi dhe materies dhe dukurive. Veç kësaj, është edhe libri i Kur’anit i ardhur nga atributi Fjalë i Allahut, me të cilin Allahu tregon se ç’është gjithësia dhe u bën dritë materies dhe dukurive në gjithësi. Krijuesi që e ka ngritur gjithësinë brenda një rregullsie dhe harmonie, e shpreh këtë rregullsi me anë të Kur’anit. Edhe njeriu është forma e shkruar ndryshe e këtyre dy librave: librit të gjithësisë dhe librit të Kur’anit. Kur’ani, gjithësia dhe njeriu si vendshfaqja, në këtë mënyrë, e emrave dhe atributeve të Allahut në forma të ndryshme, janë tre përshkrues të përgjithshëm, tre libra të përgjithshëm me një lidhje të brendshme të jashtëzakonshme me njëri-tjetrin, që e sqarojnë dhe e shpjegojnë njëri-tjetrin dhe, në përfundim, e bëjnë të njohur Allahun, Zotin e vetëm të gjithësisë. E, tani, këta të tre, si mund të jenë të kundërt me njëri-tjetrin, si mund ta kundërshtojnë njëri-tjetrin dhe si mund të mendohen veç njëri-tjetrit?

Diturinë e vërtetë, njeriu mund ta fitojë duke e lexuar gjithësinë dhe Kur’anin dhe, si rezultat i kësaj diturie të fituar, e njeh veten ose, me një rrugë tjetër, në fillim e njeh veten, pastaj i lexon gjithësinë dhe Kur’anin. Krejt si shikimi i njeriut me anë të dy syve, gjithësia, dituritë dhe Kur’ani bashkohen në një pikë të avancuar. Ashtu siç sytë e njeriut nuk shohin tjetër për tjetër dhe nuk janë të aftë për të parë secili gjëra të tjera, edhe Kur’ani dhe dituritë apo shkencat e vërteta nuk ndryshojnë nga njëri-tjetri. Ndryshimi që pretendohet në këtë çështje, nxjerr në pah vetëm vëngërsinë e atij që bën një pretendim të tillë. Atëherë, gjëja që duhet rregulluar e para janë këto lloj shtrembërime shikimi. Njerëzit e kuptimit dhe dritës, të cilët janë në gjendje që në laboratore t’i shohin gjithësinë, materien dhe dukuritë me lenten e Kur’anit, do t’i vënë diturinë dhe shkencat në vendin e vet të vërtetë, do t’i shpëtojnë dituritë dhe njeriun nga rruga pa krye ku e kanë lënë shkencat eksperimentale dhe do t’u japin fund materializmit çifut dhe spiritualizmit krishter. Ne jo vetëm s’do ta lexojmë dot Kur’anin duke lënë mënjanë librin e gjithësisë, por dhe s’do t’i hapim dot rrugë materializmit vulgar, të ngurtë e të ftohtë duke i mbytur mendjet në gjithësi.

Kjo është sinteza e Islamit që i jep jetës jetë. Nga njëra anë, përqafim i të gjitha degëve të shkencave që janë interpretë të shfaqjeve të emrave të Zotit dhe, nga ana tjetër, lidhje pas Kur’anit që i ndriçon me rrezet e veta të rrugës së drejtë të gjitha rrugët që çojnë në lumturinë e kësaj bote e të jetës së pasme pas ringjalljes. Ja, pra, kjo sintezë është përmbledhja më e thjeshtë e më e shkurtër e idealit të lartë që kërkon Islami t’ia përftojë njerëzimit.

Në Perëndim feja kurrë nuk ka mundur ta përfshijë jetën tërësisht dhe të bëhet për jetën jetë. Edhe dje, edhe sot, ajo çka del nga kisha, zhytet përsëri në botën e vet të mohimit, blasfemisë dhe perversitetit. Si rezultat i mbylljes së krishterizmit nga Konstantini brenda mureve të mugëta dhe të pakëndshme të kishës pas periudhës treshekullore të puritanizmit dhe pranimit, krahas Ungjillit të korrigjuar, edhe të Testamentit gjithashtu të korrigjuar, si Libër i Shenjtë, fesë krishtere s’i ka mbetur gjë për t’i dhënë gjë njeriut europian përveç disa rregullave morale ditore. Për këtë shkak, duke e marrë diturinë (shkencat teorike dhe të natyrës) prej nesh, njeriu perëndimor i mori duke i zhveshur prej kuptimit dhe përmbajtjes së vërtetë dhe, bashkë me Rilindjen, i burgosi brenda kallëpeve të ngushta dhe të ngurta të një bote krejtësisht materiale. Sigurisht, njeriu perëndimor që e pranon se e ka marrë diturinë prej nesh, siç e pohojnë edhe mendimtarë dhe shkencëtarë si Moris Bukejl, Aleks Karrel, Karlajl dhe Garodi që e mohonin më parë një gjë të tillë, duke e lënë mënjanë cilësinë e saj si dritë që të çon te Zoti, e shndërroi shkencën në një mjet të ftohtë të një jete krejtësisht materiale e të errët. Për pasojë, përplasja mes fesë së larguar prej kuptimit dhe përmbajtjes së saj të vërtetë dhe shkencës së bërë rob të pasioneve materiale, është mjaft e natyrshme dhe normale.

Çështja ka edhe një anë tjetër. Testamenti dhe Ungjilli të korrigjuar përmbanin shumë gabime si fjalë e Zotit. Libri i Shenjtë i shkruar nga burrat e fesë për t’u sjellë zgjidhje çështjeve fetare të kohës së vet dhe për t’u folur besimtarëve, me ta humbur karakteristikën si bashkëbisedues i çdo kohe, i çdo niveli dhe i çdo vendi si dhe gjuhën hyjnore, iu nënshtrua, përballë zbulimit të të vërtetave hyjnore të pastra nga ndryshimi dhe korrigjimi në gjithësi, pluhurit të dyshimit dhe erës së mohimit. Për shembull, Libri i Shenjtë jepte një numër vitesh të caktuara për krijimin e botës dhe ardhjes së njeriut mbi tokë, krijimin e gjithësisë e shprehte me ditët e javës dhe marrëdhëniet Zot-njeri, në rrëfimin e nxjerrjes së Adamit prej parajse e paraqiste si marrëdhënie të dy mbretërve kundërshtarë. Në fakt, ky libër nuk kishte ç’t’i jepte njeriut të drejtuar për zbulimin e gjithësisë. Nga ana tjetër, njeriu perëndimor nuk ishte fort i gatshëm të pranonte që feja t’i ndërhynte në jetë qoftë edhe nga ana morale. Ja, pra, shkaqe të tilla i tërhoqën në Perëndim fenë dhe shkencën në dy drejtime të ndryshme të kundërta dhe armiqësore dhe në dy pole të ndryshme. Përballë kushteve jetësore në zhvillim e sipër dhe përparimeve të shënuara në emër të shkencës, krishterizmi, si një gjethe e mbetur nën gur që nis të zverdhet e të kalbet në pamundësi për të siguruar nevojat e saj themelore për ngrohtësi, dritë dhe ujë, nuk po gjente dot mundësi për ta bërë të pranueshme ekzistencën e vet të mefshët e të mangët. Dhe, kur deshi të dilte në sy të ditës, ishte shumë vonë: shkenca po përparonte me shpejtësi pa parë më pas, materia dhe dukuritë e refuzonin. Krishterizmit i kishte mbetur vetëm një element force në dorë: çkishërimi! Si përgjigje ndaj kësaj, njeriu perëndimor që e kishte futur dikur me duart e veta krishterizmin nën gur duke e izoluar nga jeta dhe, si rezultat duke e zbehur, përsëri me duart e veta, me anë të reformës, e nxori krishterizmin mbi platformën e ekzekutimit me vdekje. Dhe ky ishte shpagimi me të njëjtin mjet i shkishërimit që kishte ushtruar kisha mbi të!

Mirë, po mendimi për ta ekzekutuar edhe Islamin mbi të njëjtën platformë, pse? A mos ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Islamit që dikush të nxirret nga feja pse ka thënë që bota rrotullohet? A mos ka ardhur ndonjë sistem i dytë veç Islamit që t’i tregojë njerëzimit për 11-12 shekuj me radhë se ç’është jeta? Ta nxjerrësh Islamin që ka qenë mësues i shkencave për shekuj me radhë për njerëzimin, në platformën e ekzekutimit me akuzën se është kundër shkencës dhe pengesë për zhvillimin, a nuk është, kjo, mungesë maturie, padrejtësi dhe shfaqje e një marazi armiqësor? Apo shkaku i kësaj është që, duke e izoluar Islamin nga jeta, të bëhet një jetë sensuale e orentuar nga dëshirat dhe pasionet? Apo mos po bëhemi vegël e stërkëmbëzës së qëllimshme të hedhur nga Perëndimi për interesat e veta?

Pa dyshim, ne kurrë nuk u shmangëm asnjë fije në emër të shkencës nga besimi, adhurimi dhe besnikëria ndaj Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, përkundrazi, dituritë dhe shkencat u dhanë forcë besimit, adhurimit dhe besnikërisë sonë ndaj Allahut dhe të të Dërguarit të Tij! Ne kishim pikëdaljet tona të ndriçuara, ne vepronim me mendimin për ta zbuluar gjithësinë në emër të Zotit. Çdo zbulim i ri na krijonte në shpirtra një besim, pasion dhe emocion të ri, na e nxiste sërish shpirtin e veprimit dhe, duke thënë “a s’ka më?”, zhyteshim gjithnjë e më thellë në kërkim dhe zbulim. Dhe ato që nxirrnim, ishin gjithmonë perla e margaritarë. Edhe binim në sexhde, edhe vraponim në observator, duke i harmonizuar besimin me diturinë dhe shkencat, krijonim rathë të hapur, me zgjidhje, jo rathë viciozë! Ne shkruanim, vizatonim, projektonim, kërkonim e studionim po me atë dëshirë dhe hare që adhuronim sepse i quanim ato punë si pjesë të adhurimit. Në qiellin tonë të shkencës nuk kishte kaos, vrima të zeza dhe ngecje apo bllokim. E besonim miraxhin përtej një fantazie shkencore, përpiqeshim të udhëtonim në të njëjtën rrugë duke e konsideruar namazin bazën këtij udhëtimi, i njihnim dhe i pranonim mrekullitë dhe vazhdimisht ndiqnim synimin për t’iu afruar Allahut. Po, tek ne, qëllimi final i diturive dhe shkencave të zhvilluara mbi këto baza, ishte njohja (intuitive) e Zotit, kurse përfundimi, konfidenca dhe dashuria hyjnore, kënaqësia shpirtërore.[2]

Njëri prej gabimeve seriozë e të rrezikshëm të menduar mbi marrëdhëniet mes Kur’anit dhe shkencave është vrapimi me Kur’anin pas shkencave aktuale për t’ia përshtatur atyre. Vështrimi i shkencave veç, të shkëputura dhe të ndara nga Kur’ani, feja dhe besimi, është një qëndrim ekstremist; po kështu, edhe vënia e Kur’anit pas shkencave për ta përshtatur me to dhe vështrimi i tij pothuaj si një libër fizike, kimie, mjekësie, astronomie, matematike, etj., është një qëndrim ekstremist në kah të kundërt.

Si mund ta bëni diellin shumë të madh e të ngarkuar me energji, satelit të një meteori të vogël e të zbehtë? Si mund ta shihni Kur’anin që i trajton dhe shqyrton gjithësinë dhe njeriun nga fillimi gjer në kiamet me të gjitha aspektet duke ua bërë hartën, më të vogël se një hartë e vogël e botës apo vizatimi i një vargmali? Sa e gabuar që të jetë të thuash “ja lumi” duke e parë vetëm aty ku del nga burimi dhe t’i vlerësosh kuptimin, dobinë dhe sipërfaqen që zë vetëm nga një kopësht që ujit apo nga shtresat e arit në një pjesë të shtratit të tij, pa marrë parasysh luginat dhe fushat nga kalon e që i ujit, kopshtet e vreshtat që u jep jetë, malet dhe kodrat nga zbret në formë ujvarash, detrat apo oqeanet ku arrin duke formuar delta, po aq gabim është ta identifikosh Kur’anin me shkencat aktuale që janë në ndryshim të vazhdueshëm, madje, t’i bësh shkencat ende të pavërtetuara dëshmuese të Kur’anit dhe të përpiqesh të gjesh zbatimin e ajeteve të Kur’anit në këto zbulime dhe teori shkencore, madje gabim shumë më i madh! Nuk duhen bërë përpjekje për t’ua përshtatur ajetet e Kur’anit zhvillimeve dhe teorive shkencore. Sigurisht, të përpiqesh që, për hir të dinjitetit të Kur’anit, të kërkosh menjëherë mbështetje dhe përforcime shkencore, pajandra dhe paterica, do të thotë ta nënvleftësosh e ta ulësh atë. Gjithashtu, të përpiqesh për të gjetur në Kur’an argument për një çështje shkencore të caktuar gjatë shekullit XX duke thënë “Kur’ani fliste për këtë”, ta bësh Kur’anin që t’i mbështesë me çdo kusht shkencat eksperimentale, të bësh pretendime të tilla, si “edhe kjo ishte në Kur’an; ky ajet kishte lidhje me këtë e atë”, etj., të gjitha këto janë shprehje të një kompleksi ndaj shkencave dhe të shikimit të Kur’anit në shkallë të dytë. Shkencat dhe teknologjia ndryshojnë vazhdimisht, shumë gjëra të pranuara si të drejta sot, nesër del në shesh se janë të gabuara, vazhdimisht prodhohen teori dhe ajo që një shkencëtar e paraqet si të vërtetë, një tjetër e hedh poshtë shumë mirë. Kurse të vërtetat e shprehura nga Kur’ani janë të qëndrueshme, konstante, të pagabueshme dhe të përjetshme.

Megjithëse nga dita kur u zbrit e gjer më sot kanë kaluar 14 shekuj, në Kur’an ka çështje aq të virgjëra e të pashembullta, sa jo vetëm që duart shkencave nuk i janë afruar ende të vërtetës së tyre, por dhe niveli shkencor ndodhet shumë pas tyre. Gjersa t’u afrohen horizonteve të treguara nga Kur’ani, shkencat eksperimentale kush e di sa herë do të tronditen, sa herë do të ndryshojnë! Në historinë e njerëzimit ka shumë e shumë teori që janë imponuar si të pranueshme, por që, me kohë, janë harruar dhe vendin e tyre e kanë zënë të tjera. Po kështu, do të vijë një ditë që edhe këto do të hidhen patjetër jashtë nga dera e çerdheve shkencore dhe në këtë mënyrë, me tronditje të njëpasnjëshme, shkencat do t’i arrijnë të vërtetat që përmban Fjala e patronditshme dhe e pandryshueshme e Allahut. Për këtë shkak, nuk duhet vrapuar me atë deklaratë madhështore që s’di se ç’është tronditja dhe ndryshimi, në dorë pas shkencave eksperimentale që tronditen e ndryshojnë vazhdimisht dhe nuk duhen bërë përpjekje për ta rregulluar atë sipas tyre. Po ç’duhet bërë, atëherë?

  • Duhet të ndjekim jo përputhjen e Kur’anit me zhvillimet shkencore, por përputhjen e zhvillimeve shkencore me Kur’anin.
  • Duhet t’i bëjmë gjetjet dhe zhvillimet shkencore të vrapojnë pas Kur’anit.
  • Kur’anin duhet ta vëmë si një pasqyrë në këmbë përballë gjetjeve dhe zhvillimeve shkencore, pra, duhet t’u themi atyre: “O shkenca, ja, shihni, ju do ta gjeni bazën dhe thelbin tuaj te ky Kur’an! Sepse Kur’ani lajmëron formën tuaj finale dhe të vërtetën ku do të arrini dhe vizaton fatin tuaj! Vështroni dhe shihni në këtë Kur’an veten tuaj me formën dhe përbërjen e vërtetë tuaj! Nëse s’keni ardhur ende në këtë nivel, ejani përpiquni dhe shihni të fitoni formën finale dhe përbërjen e vërtetë që keni në Kur’an!”

Edhe sikur të shohim që një çështje e parashtruar nga shkencat përputhet identikisht me një ajet të Kur’anit, duhet të themi, brenda mundësive, mund të jetë edhe kështu, mund të jetë edhe ashtu, dhe s’duhet të nxitohemi për ta komentuar dhe interpretuar ajetin në favor dhe mbështetje të çështjes shkencore në fjalë. Edhe sikur të shihet një përputhje e plotë mes një të vërtete shkencore ose një çështjeje të pandehur si e vërtetë, dhe një ajeti ose hadithi, jemi të detyruar që të tregohemi shumë të vëmendshëm e të matur duke futur në llogari edhe ndryshimet e mundshme në çdo kohë si drhe botëkuptimin dhe nivelin tonë vetiak. Dhe, tani, le të japim një shembull për ta konkretizuar çështjen edhe më shumë.

Në ditët tona është në rend të ditës çështja e identifikimit të AIDS-it me dabbetul ard-in që përmendet në Kur’an. Në Kur’an deklarohet se, kur të jepet urdhri përkatës i Allahut, do të shfaqet dabbetul ard-i (Neml, 27:82) dhe, qoftë nga mënyra e shprehjes, qoftë nga ecuria e saj, kuptohet se dabbetul ard-i është shenjë kiameti. Thuhet se bashkë me shfaqjen e tij mbi tokë, jeta besimore do të shuhet plotësisht dhe do të nisë një ecje me shpejtësi drejt një periudhe mosbesimi. Me fjalë të tjera, kur të shfaqet dabbetul ard-i, toka do ta ketë plotësuar detyrën dhe ata që thotë Allah, do të jenë pakësuar gjer në fund. Dhe në një periudhë të tillë kur shpirtrat e margaritartë do të kenë ikur, kurse shpirtrat e qymyrtë do të jenë përhapur gjithandej, dalja e dabbetul ard-it do të jetë urdhër asgjësimi dhe shpirtrave të qymyrtë do t’u thuhet se këtej e tutje, njerëzit do të rrinë larg besimit dhe se besimtarëve nuk do t’u tregohet asnjë shenjë mbi besimin. Dhe, tani, me këtë informacion të shkurtër të dhënë nga Kur’ani dhe në kuadër të haditheve përkatëse, le t’i kërkojmë përgjigje pyetjes se a është, me të vërtetë, AIDS-i dabbe?

Para së gjithash, megjithëse dabbetul ard-i do të dalë patjetër, cilësia e tij është e paqartë. Duke parë hadithe të ndryshme dhe kuptimin e fjalës, mund të thuhet se dabbe mund të ketë natyra të ndryshme, nga virusi, gjer te rinoceronti.

Dabbe mund të jetë mikrob që shkakton sëmundje epidemike mes njerëzve, por nuk mund të thuhet se patjetër është AIDS, sepse nuk ka ndonjë pengesë që edhe sëmundje veneriane të tilla si sifilizi që ka shkaktuar daljen jashtë kufijve të shënuar nga Kur’ani, madje dhe sëmundje të tilla si malarja, murtaja dhe tuberkulozi që dikur shfarosnin njerëzimin, të trajtohen në të njëjtin kuadër. Pastaj, në hadithet që përshkruajnë gjendjen fill pas shfaqjes së Mesihut, flitet për sëmundje aq të rënda që do të bien mbi njerëzimin, saqë edhe mikrobeve të tyre mund t’u thuhet dabbe. Fundja, si tuberkulozi dje, edhe kanceri të cilit, me gjithë zhvillimet në mjekësi, ende nuk i janë zbuluar të gjitha shkaqet dhe mjekimi, dhe i cili është një anarki qelizash, është, të paktën, po aq sa AIDS-i i rrezikshëm, vrasës dhe akoma më i përhapur. Po qe se AIDS-in e quani dabbe sepse s’ka shërim, tani për tani edhe kanceri s’ka shërim, kurse të pretendosh se në të ardhmen nuk do t’u gjendet shërimi as AIDS-it, as kancerit, s’është e drejtë. Ndërkaq, një pretendim i tillë bie në kundërshtim me hadithin e Profetit që thotë se, me përjashtim të vdekjes, çdo sëmundje e lëngatë ka shërim.

Prandaj, kufizimi i dabbes vetëm te AIDS-i ose te një sëmundje tjetër e ngjashme, bie në kundërshtim me pamjen e objektive dhe shumëdimensionale të gjerë, të gjithanshme dhe që i përfshin të gjitha kohët, të ajetit dhe e ngushton kuptimin.

Deklaratat e ndritshme dhe gjithmonë të freskëta të Kur’anit dhe haditheve profetike nuk kanë nevojë për mbështetëse dhe paterica. Edhe nëse s’shfaqen jashtë, në ndërgjegjen e njeriut ato janë të ndritshme sa të ndjehen krejt qartë. Këto lloj rezultate dhe deduksione pozitive mund të jenë, shumë shumë, fshesa të afta për të fshirë pluhurin dhe dheun të vënë mbi mendjen tonë të mjerë. Këto çështje të brishta nuk kanë fuqi për të mbajtur mbi supe ato të vërteta të larta!

Pastaj, përqëndrimi dhe kufizimi i ajetit te AIDS-i apo ndonjë sëmundje tjetër, do të thotë goditje mbi shpresat tona, sepse në ajet thuhet se, pas daljes së dabbetul ard-it, vendin e besimit dhe bindjes së plotë do të zënë heshtja, regresi dhe humbja. Mirëpo, nën njoftimet përgëzuese të haditheve profetike, ne besojmë nga zemra se Islami do të zotërojë edhe një herë mbi botë, se do të hapë edhe një herë tjetër flatrat në horizontet e gjithësisë dhe do të rifitojë peshë në ekuilibrin e botës, se, pasi krishterizmi të kthehet në origjinën e vet, do të lidrhet pas Islamit dhe njerëzit e të katër anëve të botës do ta përmendin Profetin tonë! Nga ky këndvështrim, dabbetul ard-in e presim në kohët e errta kur kiameti do të shpërthejë mbi kokat e mohuesve. Në këto kushte, nëse edhe në çështjen e dabbetul ard-it duhet të vëmë ekuilibrin mes dy qëndrimeve ekstreme, mund të themi kështu: “Si një sëmundje tjetër e rrezikshme, edhe AIDS-i mund të jetë një individ i dabbetul ard-it. AIDS-i mund të jetë njëri ndër shumë individët që do të kryejnë një pjesë të detyrave të dabbetul ard-it, një kuptim nga kjo e vërtetë si dhe një individ i këtij lloji që i përket çdo shekulli. Por nuk mund të thuhet se dabbetul ard-i është patjetër dhe absolutisht AIDS!”

Po qe se e shohim çështjen nga një tjetër këndvështrim, sot, teknologjia, teknologjia e kozmosit dhe sistemet kompjuterike u zhvilluan aq shumë, sa, si fabrikat dhe orët e dorës që janë bërë pjesë e jetës sonë, krahas rrezeve lazer që gjer dje kanë qenë temë e fantazive shkencore, edhe robotët që kanë filluar dalëngadalë ta zënë në shumë gjëra vendin e njeriut, janë bërë, tashmë, temë e biseduar nga të gjithë. Ata që e kanë në dorë njerëzimin e ditëve të sotme dhe, veçanërisht, teknologjinë, çdo gjetje dhe zbulim shkencor e përdorin menjëherë në dëm të njeriut dhe për ta asgjësuar atë. Atëherë, kush mund të thotë se një ditë nuk do të formohen toga ekzekutimi me robotë të programuar, se një robot i vetëm do të administrojë dhe drejtojë mijra njerëz dhe mijra institucione dhe se do të vijë një ditë që në krye të institucioneve të shohim robotë-drejtorë me puro në gojë? A mund të pretendohet se nuk do të bëhen dabbetul ard robotë të pamatur, të pamëshirshëm e të paarsyeshëm që bisedojnë, sipas nevojës, me mikrofonë, kompjutera, me një teknikë tjetër kozmike ose me anë të telepatisë?

Dikur, në një film fantastiko-shkencor, dy-tre shkencëtarë hipnin nëpër anije mikroskopike njerëz mikroskopikë dhe, duke hyrë në enët e gjakut të një njeriu, përpiqeshin të rregullonin një prishje në trurin e tij. Mësojmë se një mendim i tillë që të sjell ndërmend hadithin sipas të cilit, “djalli përsillet bashkë me gjakun nëpër damarët e njeriut”, tani sikur po vihet në fushën e zbatimit. Me përpjekjet për të rritur njeri në inkubator dhe për të bërë ndërhyrje të caktuara te spermatozoidet, njeriu planifikon të zhvillojë një aparat, siç thuhet sot se po bëhet në Japoni, në dimensione disa të mijtat e milimetrit me qëllim për të hyrë brenda enëve të gjakut për hapjen e bllokimeve në to dhe për të realizuar brenda trupit çdo lloj operacioni me urdhër nga jashtë. Ndërhyrjet me aparate të tillë që do të bëhen në të ardhmen ndoshta gjer në tru ose në spermatozoidet, do ta shtyjnë njeriun ta teprojë aq shumë sa të pretendojë se “ka krijuar një gjallesë dhe se ka krijuar njeri me anë të kabllove”, duke u bërë shkak për shpërthimin e kiametit. Dhe, tani, po të thuhet dabbetul ard për aparate të tillë, a mund të kundërshtohet duke thënë “nuk ka mundësi”? Gjithashtu, po të ngrihet dikush e të thotë se komunizmi i dalë nga Lindja është më i madhi dabbetul ard, si do t’i përgjigjemi? Atëherë, të thuash në mënyrë të prerë “kjo është” për një qenie që Kur’ani e emërton në një formë tejet të përgjithshme dhe lakonike, flet vetëm për një fragment të funksionit të tij dhe nuk ia shpjegon natyrën dhe përbërjen, a nuk është një konkluzion i dhënë në nxitim e sipër dhe tejet i gabuar?

Gabimet që bëhen sot nuk mbeten të kufizuara vetëm me dabbetul ard-in. Del një shkencëtar dhe, me mendimin se po tregon mjeshtëri në shkencë, e komenton kështu hadithin profetik “ikni nga lebra si nga luani”: “Mikrobi i lebrës i ngjan krejt luanit. Këtë të vërtetë të zbuluar sot me anë të mikroskopit, Profeti e ka parë 14 shekuj më parë!” Mirëpo ai mikrob nuk i përngjan aspak luanit! Dhe, pasi të kuptohet gabimi i një shpjegimi të tillë, a nuk do të krijohet mbresa se Profeti ka bërë një deklaratë kontradiktore? Atëherë, duke u përpjekur për t’i shpjeguar ajetet dhe hadithet sipas shkencave, nuk duhet ta lëmë pas dore maturinë, por duhet të mendojmë gjithmonë se mund të ketë edhe mundësi të tjera. T’i zbatosh ajetet dhe hadithet te shkencat eksperimentale dhe të vraposh me ajetet dhe hadithet pas tyre sot, kur pozitivizmi është vendosur në platformën e ekzekutimit me vdekje dhe këpucët e racionalizmit janë hedhur në çati, jo që s’u përfton shkëlqim ajeteve dhe haditheve, por është krim kundër tyre! Dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet më pas do të dalë në shesh në të gjithë qartësinë e saj se mbi ç’themele të gabuara janë shkruar sot shumë vepra me këtë temë dhe atëherë, autorët e tyre do të mbeten të detyruar të heqin dorë nga fjalët dhe pretendimet e tyre! Kurse nuk ka asnjë çështje që Kur’ani ta ketë trajtuar në emër të së vërtetës dhe pastaj të ketë hequr dorë prej saj, dhe nuk mund të ketë. Po qe se një çështje shkencore e shohim në Kur’an si kontradiktore, ose ne jemi duke e kuptuar gabim Kur’anin, ose shkenca është duke u gabuar në atë çështje!

Eshtë një e vërtetë e padiskutueshme se, kur të kuptohen të vërtetat shkencore që Zoti i ka mbjellë në gjithësi të mbështjella në gjendje farërash e bërthamash dhe kur, në këtë fushë, të jenë arritur maja, Kur’ani do të rinohet edhe një herë më shumë, do të hapet si një lule që merr çdo ditë më shumë ujë, dritë e ngrohtësi, dhe do të përhapen ndër mendje e zemra me një pranueshmëri dhe shkëlqim edhe më të madh. Dhe, kushedi ç’të vërteta dhe të panjohura që i bart në gjoks do t’ua paraqesë njerëzve dhe kushedi ç’argumente rreth kësaj çështjeje do të ekspozohen! “Dhe do t’ua tregojmë atyre argumentet tona në botën e jashtme dhe në veten e tyre që të kuptohet qartë se Kur’ani është i vërtetë! A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Fussilet, 41:53) Po të bëhet një analizë e hollësishme gramatikore e këtij ajeti, nga përdorimi i disa fjalëve të caktuara, kuptohet se sahabeve, shokëve të Profetit, u thuhet: “shumë argumente tonat ju ende nuk i dini, ato do t’jua tregojmë më pas”; “do t’ua tregojmë jo juve, por të tjerëve, atyre që do të vijnë më vonë” dhe “ndoshta jo menjëherë, por në përfundim të kërkimeve të njëpasnjëshme e plotësuese të njëra-tjetrës dhe të plotësimit të kuadrit ideor, do të dalë në shesh se Kur’ani është i vërtetë”.

Tani për tani, shkencat ende përpiqen të shpëtojnë nga heqja këmbadoraz për të qëndruar në këmbë. Nga shumë teori të parashtruara gjer tani, ndoshta shumë pak prej tyre ka dalë në shesh si e vërtetë dhe ka mundur të përputhet me Kur’anin. Me përparimet në çdo fushë që do të bëhen në të ardhmen, do të realizohet një afrim më i madh ndaj të vërtetave të Kur’anit dhe të vërtetat që do të parashtrojë shkenca, duke gjetur shprehjen e vet në Kur’an, do të mbeten, më në fund, si të vërteta të pandryshueshme. Sot, bie fjala, fjalët e thëna mbi yjet apo yjësitë shumë të largëta tani për tani mund të jenë larg nga e vërteta sa ç’jemi ne larg tyre. Por, ndoshta, me kohë, kur njerëzit t’u afrohen atyre, njohuritë dhe fjalët tona mbi to do t’i jenë afruar të vërtetës po aq dhe, si rezultat, do të qëndrojnë si të vërteta të pandryshueshme. Me afrimin, në këtë mënyrë, të shkencave te e vërteta, për rrjedhojë te Kur’ani, do të dalin në shesh të vërteta të pandryshueshme dhe përsëri Kur’ani do të jetë ai që thotë të vërtetën. Atëherë njeriu do të flasë jo për hipotezat, por për të vërtetat dhe objekti i diskutimit të tij do të jenë argumentet e krijimit. Atë ditë do të dalë në shesh në mënyrë krejt të hapur e të qartë se Kur’ani, njeriu dhe gjithësia që duket sikur ecin në tri rrugë të ndryshme dhe pa ditur gjë për njëri-tjetrin, bëjnë fjalë, në themel, për të njëjtat të vërteta dhe se pulsi i Kur’anit rreh për njeriun dhe gjithësinë, kurse pulsi i gjithësisë rreh për Kur’anin. Sigurisht, atë ditë, ai që e kupton gjithësinë, do të fitojë botën, ai që e kupton Kur’anin, do të fitojë përjetësinë, kurse ai që u vë supet të dyve së bashku, do të fitojë edhe botën, edhe përjetësinë!

Dhe tani le të vështrojmë të sotmen dhe historinë dhe le të shohim se ç’fatkeqësi i ranë në kokë njerëzimit si individë dhe kombe kur Kur’ani, gjithësia dhe njeriu u shkëputën nga njëri-tjetri, si dhe, në kundërshtim me këtë, ç’lule lumturie çelën në tokën e njerëzimit në ato shekuj të ndritshëm të Islamit, kur këta tre elementë u afruan me njëri-tjetrin dhe kur u sigurua harmonia e tyre në praktikë. Dhe, pas kësaj, le të vendosim, duke dëgjuar ndërgjegjen, se ku janë e vërteta dhe lumturia!

Me që i erdhi vendi, le ta mbyllim këtë diskutim duke iu përgjigjur një pyetjeje të bërë shpesh.

“A është e nevojshme të përfitojmë nga shkencat për të treguar për Zotin dhe fenë tonë? Po qe e nevojshme, cilat janë anët justifikuese të kësaj? Cili duhet të jetë orientimi në këtë çështje?”

Gjithsesi do të ishte me vend që kësaj pyetjeje t’i jepej kjo përgjigje: “Në tri drejtime, e nevojshme, dhe në tri drejtime, e justifikueshme!” Pra, edhe e nevojshme, edhe e justifikueshme. Sepse:

1. Ashtu siç u japim drejtim mendimeve, ndjenjave, bindjeve dhe veprimeve tona duke lexuar Kur’anin, librin e Zotit tonë, ashtu dhe në rreshtat, fjalitë dhe faqet e librit të gjithësisë, nga njëra anë gjejmë dhe e njohim veten tonë, nga ana tjetër, me shikimet, mendimet dhe shkencat, sodisim me habi dhe mahnitje veprimtarinë, urtësinë dhe artin e Zotit tonë dhe themi: Allahu Ekber, Allahu është më i Madhi! Adhurim është ky, madje, me një orë meditim të tijin, ndoshta më i lartë se dy mijë sexhde!

2. Në fakt, çdo shkencë, si një gjuhë e veçantë, flet për Zotin, për rrjedhojë, edhe ne, me anë të atyre gjuhëve, në një aspekt, i bëhemi intepretë Zotit. Pastaj, sot jemi të detyruar nga çdo këndvështrim t’i përdorim shkencat, sepse as jetojmë në kohën e Fatihut apo Kanuniut,[3] as ndodhemi në një kohë kur sundojnë zikri dhe dallditë mistike! Ne sot jetojmë në një ditë të tillë kur veprimtaria dhe arti i Zotit tonë pothuaj përdoret kundër Tij! Edhe shkenca të tilla si mjekësia që karakterizohen si altari i besimit, janë duke u konsideruar si mjete për mohimin e Allahut dhe gjërave të shenjta dhe duke sulmuar Kur’anin që sot u prin shkencave dhe njofton të panjohurat. Për këtë shkak, në kundërshtim me përdorimin e materies dhe shkencave nga materialistët në emër të mohimit, përdorimi në emër të besimit i fizikës, astrofizikës, kimisë, biologjisë, mjekësisë, matematikës, shkurt, i të gjitha shkencave të formuara nga shfaqjet e emrave të Allahut dhe të përbëra nga fryma e ligjeve të vëna prej Tij, si dhe i të vërtetave shkencore duke u dhënë kuptimet dhe funksionet e vërteta, duhet të jetë një shërbim me përfitime shpirtërore!

3. Ashtu siç ndodh që shkencat, me nivelin e tyre të sotëm, nuk janë të vërteta bazë dhe përfundimtare, ashtu do të ndodhë që, edhe nesër, kur, ndoshta, do të arrijnë nivelin e tyre më të lartë, nuk do të përbëjnë dot çudi, por vetëm do të jenë mjete që e tregojnë Zotin dhe pretekste për të fshirë pluhurin nga kokat, prandaj dhe duhet të mbeten mjete dhe pretekste, nuk duhet t’u jepen detyra bazë veç si fshirës të dyshimeve dhe lëkundjeve drejtuar atyre vetë, vënës në mendime dhe dhënës idesh dhe kurrë nuk duhet të zënë vendin e rregullit që e mban në këmbë njeriun, domethënë, vendin e kur’anit dhe besimit. Dhe për sa kohë që të përdoren në këtë kuadër, ne mund të përgfitojmë në çdo kohë nga shkencat në emër të Islamit dhe besimit.

Tre lloj dëmesh të rëndësishme që mund t’u hapë rrugë përdorimi i shkencave.

1. Për shkencat nuk mund të flitet për të bërë shkencë dhe duke shitur mend. Sigurisht, nuk mund të filtet për të vërtetat shkencore në emër të Kur’anit dhe besimit me një frymë dhe pamje për të bërë origjinalitet. Një qëndrim i tillë, siç do të jetë mëkat për folësin, s’do të ketë dobi as për dëgjuesin, sepse një qëndrim i tillë do të bartë synimin për ta zënë mat dëgjuesin, për ta detyruar, për t’ia mbyllur gojën dhe për ta burgosur brenda paditurisë së vet. Edhe bashkëbiseduesi, përballë një qëndrimi të tillë, do të ndjejë nevojën për ta mbledhur veten, për ta plotësuar dijen e vet dhe për t’u përgatitur për kundërpërgjigje me ndjenjën e papranueshmërisë së faktit që ia mbyllën gojën.

2. Në themel të shembjes së pësuar nga bota islame në shekullin e fundit dhe të krizës ideore e shpirtërore ku u rrokullisën edhe personalitete shumë të rëndësishëm, në një aspekt, qëndron rënia në kompleksin e inferioritetit ndaj shkencave eksperimentale. Sigurisht, rënia në qëndrime e sjellje të buruara nga kompleksi i inferioritetit, si “kjo e vërtetë shkencore përmendet edhe në Kur’an; këtë gjë Kur’ani e ka thënë 14 shekuj më parë”, etj., është një gabim i madh i bërë në emër të Kur’anit dhe besimit. Kjo gjendje ndodh edhe me ne që herë pas here bëjmë të njëjtin gabim duke kërkuar mbështetje në ndonjë shkencëtar amerikan apo europian dhe, për rrjedhojë, bëjmë gabimin e madh të peshimit të të vërtetave kur’anore dhe besimore në peshoren e shkencave që s’kanë arritur ende te të vërtetat përfundimtare. Në ditët tona, nxjerrja e shkencave në plan të parë duke e menduar Kur’anin në plan të dytë dhe duke e treguar atë sikur të ishte nevojtar për mbështetjen dhe miratimin e shkencave, është aq i përhapur, sa njeriu ikën ashtu i dëshpëruar thellë kur e sheh dhe e dëgjon një gjë të tillë.

3. Nuk duhet ta humbim veten në shkencat duke e harruar Zotin në zemrat dhe ndërgjegjet. Preokupimi vetëm me shkencat pa i vizituar herë pas here shtresat e zemrës dhe ndërgjegjes, mund ta shtrëngojë njeriun brenda një lëkure materialiste dhe natyraliste. Pamundësia për t’u shmangur nga shkencat pas përdorimit të tyre të rregullt si fshesë, si çelës, si shkallare e si mjet, bëhet pengesë për përparimin ndjesor dhe shpirtëror. Duhet të jetë parim që, pas një pike të caktuar, të lihet çdo gjë dhe, drejtpërdrejt nën rrezet ndriçuese të Kur’anit, të ecet në klimën e ndritshme të Kur’anit, të bëhen përparime dhe të mbetet kokë më kokë me besimin te Allahu!


[1] Në origjinal, ndërsa gjer këtu u përdor fjala ilm duke nënkuptuar me të dijen, në përgjithësi, dhe shkencat e natyrës, në veçanti, në këtë pikë, shkencat e natyrës, posaçërisht ato eksperimentale, emërtohen me fjalën bilim, ashtu siç përdoret kjo fjalë në turqishten e sotme për të emërtuar kryesisht shkencat e natyrës dhe eksperimentale, përgjithësisht edhe të gjitha shkencat teorike (materialiste) me përjashtim të shkencave fetare. Ndërkaq, duhet bërë e qartë se autori nuk është kundër shkencave eksperimentale në vetvete dhe teknologjisë, por aspektit filozofik mohues e ateist të shkencave eksperimentale apo pozitive si dhe përpjekjeve filozofike për t’i shfrytëzuar këto shkenca për qëllime filozofike, ideologjike e politike, siç edhe ka ndodhur gjer më sot. Megjithëkëtë, autori tregon në armiqësi me shkencat nuk ka qenë kurrë Islami, por Kisha. Opinioni dhe mendimi i autorit bëhet i qartë në vazhdim gjatë zhvillimit të çështjes.

[2] Në origjinal, me radhë: marifet-i ilahi, njohje intuitive e Zotit; muhabbet-i ilahi, konfidencë dhe dashuri hyjnore; zevk-i ruhani, kënaqësi shpirtërore.

[3] Fatihu, Ngadhnjimtari, sulltan Mehmeti II (1432-1481); Kanuniu, Ligjvënësi, sulltan Sulejmani ()

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.