Njoftimet e Hz. Muhammedit mbi te kaluaren janë argumente te profetesise dhe te dergeses se tij profetike

1. Historia është një degë shkence. Edhe pse mund të duket e lehtë në vështrim të parë, po të shihet thellë dhe me rrënjë, kuptohet se ç’degë shkence e vështirë dhe e koklavitur është! Historia nuk bëhet provë, nuk eksperimentohet në laborator dhe te ajo nuk arrihen përfundime të shpejta si në shkencat eksperimentale. Eshtë e pamundur që ngjarjet e kaluara, ndodhitë historike dhe heronjtë e atyre ndodhive të nxirren sërish në skenë për t’u vëzhguar si film. Prandaj, ato që dimë për historinë, janë, nga një anë, ato që parashtrojnë dokumentat dhe që tregojnë librat. Veçanërisht, meqë vlerësimi i personave varet vetëm nga ngjarjet ose fjalët e dëshmitarëve okularë, qëllimet dhe synimet e vërteta fshihen.

Mendoni një teatër. Lojtarët në skenë, pas saj regjizori me skenaristin dhe, përballë skenës, shikuesit. Janë edhe aktorët e vërtetë të lojës që po luhet. Tani, kur ta dëgjoni këtë lojë vetëm nga goja ose pena e shikuesve, ç’mund të kuptoni dhe sa mund ta kuptoni? Nga ana tjetër, a nuk do të jenë të ndryshme mendësia, kuptimi, vlerësimi dhe tregimi i çdo shikuesi? Pastaj, sa mund të dihen dhe njihen nga shikuesi qëllimi i lojës, individualiteti dhe qëlllimi i atyre që e kanë vënë lojën në skenë? Nëse puna qënka kështu në një lojë skenike të thjeshtë, do të jetë e pamundur të mësohen dhe vlerësohen me fytyrën e tyre të vërtetë ngjarjet e skenës me marrëdhënie shumë të ndërlikuara, me kurthe që s’t’i merr mendja, me përpjekje të atyre që i mbajnë fijet e lojës në dorë për t’i treguar xhuxhat diva e divat xhuxha. Dhe po e patëm kaq të vështirë për t’i kuptuar ngjarjet që na zhvillohen para syve, si mund t’i vlerësojmë saktë ngjarjet që shtrihen në errësirat e historisë?

2. Besueshmëria e dokumentave që kemi në dorë do të ndikojnë gjithmonë në raport të drejtë mbi saktësinë e vendimit që kemi për të marrë. Mirëpo, s’është aspak e mundur të flitet pozitivisht mbi besueshmërinë e historisë së vjetër. Prandaj ndodh që historia të mos ruhet dot nga pasaktësi të ndryshme. Mos shkoni shumë larg, por hidhini një vështrim Testamentit dhe Ungjillit me gjendjen e tyre të sotme dhe do të shihni ç’bestytni, ç’shpifje do të gjeni mbi ata njerëz të zgjedhur që edhe engjëjt i kanë pasur zili për nderin dhe virtytin! Po qe se, qoftë, kjo, korrigjim, ndodh kështu me librat që përmbajnë hyjnitet, në ç’gjendje janë, vallë, librat, tërësisht produkte të zbrazëtirave njerëzore? Dhe si do ta kapë njeriu të drejtën me informacionin që do të marrë prej këtyre librave? Ose ku do ta dijë se ajo që ka gjetur është e drejtë? Ja, pra, shumë çështje si kjo dhe të ngjashme me këtë e tregojnë mjaft hapur se ç’punë e vështirë është të konkludosh dhe të marrësh vendim të qëlluar mbi ngjarjet e vjetra historike!

Në duar s’kemi burime historike si librat e hadithit të Buhariut, Muslimit, etj., të mbështetur mbi dokumenta të sakta, që të mund të japim konkluzione të prera. Edhe pamundësia për t’u gjetur udhë të vërtetave historike duke përfituar nga burimet ekzistuese që kemi në duar, është sheshit.

3. Informacioni historik më i drejtë është informacioni i dhënë nga njeriu më i drejtë. Mes njerëzve, njeriu më i drejtë në histori, i pranuar si i tillë edhe nga armiqtë, është Hz. Muhammedi (s.a.s). Atëherë, informacioni më i drejtë do të jetë informacioni i dhënë prej tij. Para kësaj teze dhe konkluzioni nuk mund të ketë asnjë njeri me mend në kokë që të kundërshtojë, dhe nuk ka. Vetëm se ai nuk pati lexuar asnjë libër historie ose vepër historike, sepse dihet që s’dinte shkrim e këndim, pra, gjërat që kishte mësuar, s’i kishte mësuar me këtë rrugë.

Ndërkaq, në kohën e tij, shumë dijetarë çifutë dhe krishterë i patën bërë shumë pyetje mbi çështje të ndryshme të Testamentit dhe Ungjillit dhe patën marrë gjithmonë përgjigje bindëse. Disa herë, duke i kritikuar dhe shpjeguar pikat kontradiktore, u pati dhënë atyre informacion të saktë. Gjithashtu, ai nuk ndalonte dhe mendohej duke dhënë përgjigje për pyetjet, as bënte përgatitje për bisedat e këtij karakteri që kishte për të zhvilluar. Në këto kushte, jetën e profetëve të kaluar dhe rrëfimet mbi bashkësitë e tyre i tregonte gjer në hollësitë më të vogla, si mënyrat e tyre të të folurit e gjer te ndjenjat e brendshme dhe gjendjet psikologjike. Veçanërisht, ato që tregonte, i tregonte jo si ngjarje historike dhe ngjarje të mbetura e të mbyllura në histori, por, meqë natyra dhe karakteri njerëzor i shfaqur me njeriun e parë, Ademin, do të mbeteshin të pandryshuar gjer në kiamet, jetën e profetëve dhe të bashkësive të tyre si dhe ngjarjet e jetuara prej tyre i tregonte dhe i paraqiste si parime dhe ligje shoqërore, njerëzore dhe historike, se dhe të vërteta dhe skena shembullore që do të përjetoheshin gjer në kiamet duke u përsëritur vazhdimisht. Gjithashtu, tregimi i tij nuk ishte një parashtrim i thjeshtë. Në të njëjtën kohë, ai bartte një pasuri të jashtëzakonshme kuptimi, një shprehje dhe oratori të pashoqe, një delikatesë stili të paparë dhe një bukuri shprehjeje.

Asnjëri prej informacioneve të dhëna prej tij mbi popujt e kaluar nuk është përgënjeshtruar nga kërkimet shkencore dhe gërmimet arkeologjike katërmbëdhjetë shekuj me radhë, përkundrazi, janë vërtetuar çdo ditë me gjetje dhe zhvillime të reja.

Po, para këtij Personi të pashkolluar që ka treguar për shekuj para tij dhe për shekujt pas tij me një drejtësi dhe stil të përsosur, nuk mund të bëjmë pa u përkulur edhe një herë tjetër duke thënë “enneke Resulullah”, “ai është i Dërguari i Allahut”!

4. Po qe se një ose disa libra që popujt e botës për qindra vjet i kanë pranuar dhe vënë në krye të vendit, kërkoni t’i kritikoni me pretekstin se “kanë shtesa dhe mungesa dhe se vuajnë nga gabime të ndryshme”, objekti i kritikuar jo, kritikuesi merr plafë dhe bie në vlerë nëse një punë e tillë e rëndësishme dhe e vështirë nuk mbështetet në argumente kategorike. Prandaj, një kritikë e tillë s’bëhet spontanisht. Ndërsa e vërteta qëndron kështu, fakti që Profeti që s’dinte shkrim e këndim, ka kritikuar libra të tillë me burim hyjnor si Testamentin dhe Ungjillin, duke ua miratuar të vërtetat dhe rregullluar gabimet dhe korrigjimet, me ç’mund të shpjegohet veçse me qenien e tij profet?

5. Gjer në mesin e këtij shekulli, historianët e mohonin ekzistencën historike të fiseve Ad, Themud dhe Irem për të cilët flitet në Kur’anin e sjellë e të kumtuar nga Profeti, madje duke sfiduar gjithë botën. Por kur u gjet Historia e Ptolemeut, historianëve mohues u mbeti goja hapur, por ç’e do se, për shkak të krenarisë dhe mendjemadhësisë, zemra s’iu hap dot kurrë ndaj të vërtetës së përjetshme!

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.