Respekti për Kur’anin

Edhe mësimi i Kur'anit për fëmijët tuaj ka një rëndësi të ve­çantë. Por, të paktën po kaq e rëndësishme është që, duke e kënduar Kur'anin, të zgjoni ndjenjën se ai është Fjala e Allahut! Njëra prej gjërave që vëmë re në kohën tonë, është, për fat të keq, këndimi i Kur'anit pa e ndjerë atë, pa zbritur ai poshtë gry­kës. Ju mund të bëheni she­m­bull shumë i mirë për fëmijët tuaj në këndimin e Kur'anit. Duke parë këndimin tuaj shumë të ndjerë, ata do të ku­p­tojnë shumë gjëra. Unë kam mendimin se këndimi i Kur'a­nit pa ndjenja, pa shpirt, i ka bërë njerëzit tanë të pandjeshëm!

Në një hadith, Profeti (s.a.s.) thotë: "Njeriu që e këndon më bukur Kur'anin, është ai që e këndon seriozisht me hidhërim!"[1] Kurse në një hadith tjetër, thotë: "Ky Kur'an ka zbritur me hi­dhërim!"[2]

Po qe se Kur'ani e merr dhe e trajton njeriun, një qenie me shumë probleme, gjë për të cilën s'ka dyshim, edhe ne jemi të detyruar t'i japim zë këtij hidhërimi me qëndrimin dhe inter­pre­timin tonë. Vetëm se njëri prej kushteve të rë­ndësishëm për të ardhur në këtë nivel është njohja e ku­ptimit, e domethënies së Kur'anit. Ne e respektojmë Kur'a­nin si Fjalë të Allahut (xh.xh.), por përpjekja qoftë edhe e pakët për ta kuptuar dhe njohur për­mbajtjen e tij si Fjalë e Allahut, është një shprehje e veçantë e respektit ndaj Tij. Në mënyrë të veçantë, me këtë përpjekjen tu­aj, fëmija do t'i ndjejë më thellë në zemër e në mendje kuptimet e Kur'anit, do të mbushet me to dhe, sipas nivelit të vet, do ta plotësojë urinë shpirtërore për to.

Ai që mjaftohet vetëm me kuptimet e Kur'anit, konside­rohet i mangët në kuptimin dhe ndjenjën fetare. Kurse ata që nuk di­në edhe kaq, janë krejtësisht në humbje. Eshtë e dobishme ta kujtojmë edhe një herë se, për të marrë ato që Kur'ani u ka pre­mtuar njerëzve, duhen mësuar kuptimet e shenjta brenda fjalë­ve të Kur'anit dhe u duhen mësuar edhe fëmijëve pastaj!

Në kritikën e hadithit që cituam më sipër, Hafiz Munaviu përcjell një ngjarje të tillë:

"Një fëmijë i vogël e kishte plotësuar mësimin përmen­dësh të Kur'anit, pra, përgatitjen për t'u bërë hafiz. Fëmija e mbaron së kënduari Kur'anin për gjithë natën, pa vënë gju­më në sy, fal namazin e mëngjesit dhe del para mësuesit, por me fytyrën të zverdhur. Mësuesi i tij është një mjeshtër që mund t'i bëhet pri­jës material-shpirtëror fëmijës. Ai i pyet fëmijët e tjerë se pse e ka fytyrën të zverdhur djali. Dhe ata i përgjigjen: "O mësues, ky e këndon Kur'anin nga kreu në fund për gjithë natën pa fjetur fare dhe në mëngjes vjen në mësim!" Mësuesi që nuk dëshiron që nxënësi i tij ta këndojë Kur'anin kështu, e merr pranë dhe i thotë: "Biri im, Kur'ani duhet kënduar siç është zbritur! Duke filluar që sot, do ta këndosh Kur'anin sikur të më kishe para mua, sikur po më përgjigjeshe mua në mësim!"

Fëmija shkon, këndon edhe atë natë dhe, kur del para më­suesit të nesërmen, i thotë: "Mësues, mbrëmë munda të këndoj vetëm gjysmën e Kur'anit!" "Shumë mirë, - i thotë mësuesi, - kurse sonte këndo Kur'an sikur të ndodheshe pa­ra të Dërguarit të Allahut!" Fëmija shkon dhe këndon Kur'an atë natë me me­ndimin se ndodhet para njeriut që iu zbrit Kur'ani dhe, të nesër­men, kur del para mësuesit, i thotë: "Mësues, unë mbrëmë mu­nda të lexoj vetëm çerekun e Kur'anit!" Duke parë përparimin e nxënësit, mësuesi dëshiron ta përsosë atë më tej dhe i thotë që kësaj radhe ta këndojë Kur'anin si të ishte duke e dëgjuar kur engjëlli Xhebrail po ia përcillte Profetit. Nxënësi shkon dhe, të ne­sërmen i thotë mësuesit: "Vallahi, mësues, mbrëmë munda të këndoj vetëm një sure!" Më në fund, mësuesi e porosit: "O bir, tani këndoje sikur të qëndroje para Qenies Trans­cendentale të fshehur pas mijra perdesh, por që të dëgjon ty dhe t'i përsërit fjalët që ti i këndon!" Të nesërmen fëmija del para mësuesit du­ke qarë dhe i thotë: "O mësues, thashë elhamdulil'lahi rabbi'l-alemin, erdha gjer në maliki jeumiddin, por nuk arrita të them dot ijjake na'budu! Sepse kuptimi i kësaj është vetëm Ty të adhurojmë, kurse unë adhuroj aq shumë gjëra dhe u përulem aq shumë gjërave, saqë kur e mendoja Atë para vetes, nuk arrija ta thosha dot atë fjalë!"

Hafiz Munaviu shënon se fëmija nuk kishte rrojtur veçse edhe dy-tri ditë pas kësaj. Dhe mësuesi, ai mjeshtri i madh i fjalës që e kishte ngritur fëmijën në këtë nivel, tek qëndron mbi kokë të varrit të nxënësit, dëgjon dhe sheh me vë­me­n­dje mbi të, nxënësi i flet me një zë që të mund ta dëgjojë mjeshtri dhe i thotë: "Mësues, arrita gjer në një shkallë me rëndësi që i thonë tajjim dhe nuk m'u kërkua llogari!"

Këndimi i Kur'anit me respektin e posaçëm që duhet shpre­hur për të duke e menduar kuptimin dhe duke u për­qëndruar mbi fjalët e tij, duke shprehur konsideratën e lartë për to si fjalë të Zotit, madje edhe duke e vënë mbi ballë, të gjitha këto kanë shumë rëndësi për ta bërë atë tërheqës për zemrat, sepse i tër­heqin edhe kënduesin, edhe dëgjuesin në atmosferën e Kur'anit duke ua hapur atyre dyert e botës qiellore kat më kat!

Me citimin e rrëfimit të mësipërm nuk duam t'ju themi se, po të mos mendoni kështu, më mirë mos këndoni Kur'an, mirëpo mendoj se edhe përqëndrimi mbi përmbaj­tjen e Kur'anit, mbi ndryshimet që na shkakton ai në shpirt janë gjëra të domos­do­shme që ju të zgjidheni si bashkë­bi­sedues i tij. Nuk mund të mendohet se Kur'ani që nuk na shkakton transfor­mime në shpirt mund të bëhet ndikues në jetën tonë individuale e sho­qërore. Ne duhet të ndryshojmë me anë të Kur'anit, të ori­en­to­hemi në horizontin e tij, të ndjejmë me thellësitë ndjesore të tij që edhe ai të na e shpalosë para syve të fshehtën e tij!

Po rikthehem te citimi. Nxënësi nuk kishte vdekur, ai ki­shte arritur te Zoti i tij! Zemra i kishte ndaluar me emocionin që mund të zgjojë Kur'ani në zemrat e pastra dhe ai kishte ecur drejt Zotit të tij. Ai do të rronte përjetësisht! Atë natë ai s'e kishte kapërcyer dot ijjake na'budu, vetëm ty të adhu­rojmë, megjithë­se kishte ndenjur tërë natën duke e përsë­ri­tur... Të njëjtën si­tuatë shpirtërore e ka përjetuar edhe di­kush tjetër në Qabe. Kur e kishte mbështetur kokën në mu­rin e Qabes, kishte thënë me vete: "O Zot!" Dhe vetëm kaq! Sikur t'i ishte lidhur gjuha, s'ki­shte mundur të thotë asgjë më tej. Sepse e kishte pyetur veten: "A ke të drejtë ti ta thuash këtë? Pse tregohesh ende me dy fytyra?" Por këto përjetime as mund të rrëfehen saktë, as mund t'u përcillen të tjerëve. Ato janë ndjenja të një ashku disa ças­tesh!..

Dhe tani, po qe se mund ta ruajmë këtë vijë në shtëpitë tona dhe ta tregojmë në praktikë se ia kemi dhënë zemrën Kur'anit dhe se bëjmë pjesë në rrethin e Profetit (s.a.s.), mjedisi ynë do të rigjallërohet si blerimi në pranverë dhe shoqëria jonë do të rilindë përsëpari ashtu që ta kenë zili edhe engjëjt!

a) Të mos shkaktojmë neveri

Në historinë tonë të afërme, brezat e rritur tek ne dhe në ve­ndet e tjera islame nuk kanë mundur t'i kapin sa duhet mesa­zhet lehtësi dhe sihariqdhënëse të fesë, madje kanë mbetur larg tyre. Kur çështja shqyrtohet me zemër të pastër dhe gjykim të shëndoshë, shihet se shkaku i kësaj është mungesa e vetëdijes dhe përpjekjes në kuptimin e gjërave!

Në këtë periudhë, besimtarët, megjithëse kanë thënë "i be­su­am Allahut", nuk kanë qenë të vetëdijshëm për kupti­min e kësaj fjale, nuk kanë mundur ta bëjnë lidhjen mes bo­tës së ja­shtme dhe botës së tyre të brendshme dhe faktet fetare nuk ka­në mundur t'i kuptojnë në mënyrë thellësisht të ndërgjegjshme. Sa e hidhur është që edhe kur në shkolla qe futur mësimi i fesë, disa mësues të moralit e të fesë, në kundërshtim me këtë mun­dësi, qenë mjaftuar vetëm duke ua mësuar nxënësve Kur'anin përmendësh dhe, duke zba­tuar mbi nxënësit pa simpati ndaj fe­së metoda mësimore të gabuara, patën bërë që të shembej tek ta edhe ai pak res­pekt për fenë! Duke vepruar kështu, gjithsesi ata nuk patën pasur për qëllim t'i ftohnin fëmijët prej fesë; me­gjithëkëtë, njëri prej disa gabimeve tona të mëdha të vërtetuara tek ne dhe të ardhura gjer ato ditë qysh prej shumë shekujsh të shkuar, po përsëritej edhe një herë tjetër!

Unë personalisht, edhe në këtë çast, madje, nuk mund të them se ne i kemi vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme mun­dë­sitë që na ka falur Zoti neve. Po qe se mjaftohemi t'i kër­koj­më fëmijës të mësojë përmendësh ca gjëra sikur besimi dhe feja të përbëheshin vetëm prej disa formalitetesh, fëmija mund të ndjejë neveri ndaj fesë, mund të mos dëshirojë të futet në ndo­një mësim. Çështja është jo vetëm përputhja e programit dhe e metodave të mësimit me moshën, por, më tepër, edukimi i dashurisë së fëmijës për besimin dhe fenë, edukimi i aftësisë së tij për të menduar mbi to dhe për t'i përvetësuar me dashje, me dashuri. Në të kundërt, po t'ia rëndojmë fëmijës kokën me gjëra përmendësh, do të bëjmë që të nisë të ndjejë neveri për fenë, për rrjedhojë, në vend që t'i shërbejmë fesë, e dëmtojmë atë!

Besimtarët duhet të tregohen syçelë në këtë drejtim dhe du­het të bëjnë çmos për t'ua bërë të dashur fenë fëmijëve. Në vend të mbushjes së kokës së fëmijës me gjëra sasiore, duhen edukuar ndjenjat e tij me anë të kuptimeve të larta. Ata duhet ta duan aq shumë Kur'anin, saqë mësimin e tij ta bëjnë ideal!

b) Kryerja e rregullt e adhurimevetë detyrueshme e suplementare

"Urdhëroje familjen tënde për namaz, edhe ti vazhdoje atë me durim. Ne s'duam gjë prej teje, jemi Ne që të japim ty. Përfundimi i mirë arrihet vetëm me takva (devocion)!" (Kur'ani, Ta-Ha, 20/132)

Pavarësisht nga kushtet, prindërit nuk duhet t'i lënë ma­ngut detyrat e tyre fetare dhe fëmija nuk duhet të vërejë as­një mun­gesë në çëshjet e adhurimit. Profeti (s.a.s.) kurrë nuk e pati lënë pa kryer namazin e pasmesnatës (tehe­xhxhud), gjithashtu ai ki­sh­te virde, zikre dhe lutje të po­saçme që i këndonte kur ngrihej natën dhe që, kur nuk i bënte në kohë, i plotësonte (kaza) në një kohë tjetër, me­gjithëse përsëritja (kaza) e tyre nuk kërkohej. Kështu para­shtrohej sheshit se një adhurim i filluar brenda dhe jashtë shtëpisë nuk lihej kurrë dhe në asnjë mënyrë!

Sahabet, shokët e Profetit (s.a.s.) e patën kuptuar shumë mi­rë se një adhurim i filluar duhej vazhduar. Një ndër fi­gurat më të shquara të asaj kohe, Abdullah ibn Amr ibn As dëshironte të agjëronte çdo ditë dhe të falte namaz gjithë natën, gjer në më­ngjes. Ai e pati vazhduar këtë ritëm edhe pasi e pati martuar i ati dhe s'pati shkuar te e shoqja për ditë të tëra. Pastaj, kur çë­shtja i qe parashtruar Profetit, ai e pati thirrur ibni Asin dhe i pati kërkuar t'i pakësonte adhu­rimet e tjera veç farzeve (dety­rimeve) ndërsa ky këmbë­ngulte se mund të bënte edhe më shu­më. Më në fund, Pro­feti e pati bindur të agjëronte një ditë po e një ditë jo, kurse një të tretën e natës të flinte e pjesën tjetër të merrej me adhurim. Ndërkaq, Buhariu dhe Muslimi thonë[3] se, kur qe plakur, ibni Asi i pati thënë kështu një sahabiu: "Eh, sikur t'i kisha pranuar këshillat e të Dërguarit të Allahut, sepse tani në pleqëri e paskam shumë të vështirë të vazhdoj në atë mënyrë. Prapëseprapë, nuk dua t'i pakësoj adhurimet e bë­ra nafile (suplementare). Dua që i Dërguari i Allahut të më gjejë siç më pati lënë!"[4]

Abdullah b. Amr është një shembull i mirë; njeriu nuk duhet t'i lërë adhurimet që i ka bërë zakon dhe shprehi. Fu­ndja, edhe Profeti, në një hadith sahih (autentik), ka thënë kështu: "Më i vyeri i adhurimeve është adhurimi i vazhduar, qoftë edhe i pa­kët!"[5] Po qe se s'kemi fuqi, për të mos u ulur në sy të fëmijës, duhet të mjaftohemi me aq sa mund të bëj­më përveç farzeve (detyrimeve). Po qe se mund t'i bëjmë vetëm farzet dhe sunne­tet, duhet t'i bëjmë pa të meta. Po qe se e kemi filluar namazin tehexhxhud, duhet ta vazh­dojmë patjetër. Po qe se vaxhibi i Vi­trit duhet falur para syve të fëmijës, ashtu duhet bërë, por po qe se do të ishte më me ndikim, duhet ngritur nga gjumi dhe falur natën.

Çështjet që u përpoqëm t'i sqarojmë gjer këtu, janë për ata që mendojnë si ne. Nëse dëshirojmë që fëmijët tanë të na bë­hen të ndjeshëm, fetarë, të vetëdijshëm, të mençëm dhe ta më­sojnë islamin, kjo është rruga sipas nesh. Çdo gjë arrihet nëpër rrugën e saj dhe vetëm duke ecur në rrugën e saj arrihet rezultat në lidhje me të. E thënë ndryshe, nëse duam që fëmijën ta kemi në rrugë të drejtë dhe kjo të bëhet për të mënyrë jetese, edhe ne duhet të jemi në rrugë të drejtë dhe këtë ta kemi mënyrë jetese. Mendimet dhe sjelljet duhet t'i kemi gjithmonë po ato, në mënyrë që edhe fëmija, duke na parë ne, të jetë konsekuent në mendimet dhe sje­lljet e tij. Këtu bëhet fjalë për rregullimin e jetës sonë në këtë botë, për fitimin e jetës tjetër dhe të lumturisë në të si për vete, ashtu dhe për fëmijët tanë! Në fakt, këto du­ken si një lloj diete dhe porosie mjeku, vetëm se nuk duhet të bëhen të mërzitshme. Këto duhet të bëhen diçka e zakonshme, si marrja e ilaçeve të duhura në kohë të caktuara pa i harruar ose ngatërruar kurrë! Kështu, ju do të bëni një jetë të ekuili­bruar, do të silleni në mënyrë të ekuilibruar dhe këtë eku­ilibër do ta bëni sundues edhe në shtëpi!

c) Ndjenja e nderimit për simbolet e shenjta

Ekzistojnë disa koncepte, sipas nesh, të shenjta, pas të cilave ka shumë kuptime gjithashtu të shenjta. Koncepti Allah (xh.xh.) është për ne shumë i shenjtë dhe një shtyllë e besimit. Ai që nuk i beson Allahut (xh.xh.), nuk ka as jetë besimore, fetare is­lame. Kurrsesi nuk duhet të harrojmë se kemi përgjegjësi që kë­të koncept të shenjtë, në raport të drejtë me lartësinë sublime dhe madhështinë e tij, ta shtre­sojmë në mendjen e fëmijëve qysh në një moshë fillestare që pranohet ajo 7-9 vjeç, ta bëjmë që t'i zërë vend në ndjenja dhe ta preokupojë të gjithë botën e imagjinatës së tij. Ta bësh fëmijën që të jetojë vazhdimisht me imagjinatën për Profetin, duhet që në shtëpi të bisedohet vazh­dimisht për të. Po qe se në shtëpi bisedohet vetëm për artistët e ki­nemasë e të televizionit dhe në horizontin e vështrimit të fë­mijës ndodhen në çdo kohë kinemaja dhe televizioni, edhe në imagjinatën e tij do të sundojnë ca artistë dhe, kur të py­etet fë­mija për personalitetet që njeh, do të përmendë shu­më emra artistësh, këngëtarësh, muzikantësh, por nuk do të jetë në gje­ndje të kujtojë qoftë edhe katër emra sahabesh tejet të njohur. Kujtesa dhe nënvetëdija e fëmijës do të mbu­shen në tërë kapa­citetin e tyre me gjëra të kota jo vetëm të padobishme, por edhe të dëmshme, shkaktare për perver­si­vitetin e imagjinatës së fëmijës!

Çdo gjë që njihet në fe si e shenjtë, duhet gjithashtu të shprehet si e shenjtë në mendimet dhe sjelljet tona. Për shem­bull, Qabeja është një mjedis i shenjtë. Edhe ju, kur të flisni për Qaben në prani të fëmijës, duhet të tregoheni ja­shtëzakonisht respektues ndaj saj. Po ashtu kur të për­shkruani Faltoren Profe­tike dhe mënyrën se si duhet ecur dhe sjellur kur vizitohen ato vende. Nga përshkrimet tuaja plot ndjenja dhe respekt të thellë, edhe zemra e fëmijës do të mbushet me dashuri e respekt për ato simbole të shenjta!

Kjo vlen edhe për Kur'anin. Në Kur'an thuhet: "Kush tre­gon respekt për shenjën e Allahut, e ka, këtë, pa dyshim, nga përku­shtimi i zemrës!" (Kur'ani, Haxh, 22/32) Përku­shtimi i zemrës ose, i quajtur ndryshe, takva, devocion, mund të realizohet me njohjen e Allahut (xh.xh.), me drejtimin plot respekt ndaj Alla­hut të madh, me bindjen ndaj Tij dhe me konceptimin e plotë të së Vërtetës Hyjnore!

Shkurt, po qe se i besojmë Allahut dhe e duam Atë dhe në zemër kemi ndjenjë devocioni dhe nderimi e respekti për sim­bo­let e Tij, këto duhet t'i derdhim në zemrën e fëmijës, duhet t'i tregojmë atij për madhështinë e Allahut dhe duhet ta bëjmë Atë të dashur për fëmijën. Në një hadith të për­cjellë nga Taberani prej Ebu Umames, Profeti ka thënë: "Bëjuani Allahun të dashur robve të Allahut që edhe Allahu t'ju dojë juve!"[6] Allahu (xh.xh.) duhet vetëm duke e njohur, sepse njeriu do atë që njeh ndërsa bëhet armik i atij që s'njeh. Ateistët apo mosbesimtarët tregohen armiq të Alla­hut sepse s'e njohin, por, po ta njihnin, do ta donin!

Allahu dekreton kështu në Kur'an: "Unë i krijova njerëzit dhe xhindët vetëm për të më adhuruar Mua!" (Kur'ani, Dhari­jat, 51/56) Ibni Abbasi dhe Muxhahidi (r. anhuma) e komen­tojnë shprehjen lija'budun (për të më adhuruar Mua) të këtij ajeti në formën lija'rifun (të më njohin Mua).[7] Kjo do të thotë se, po ta njohin Allahun, njerëzit edhe e adhu­rojnë Atë, kurse, po të mos e njohin, tregohen mosmi­rënjohës. Atëherë, në fillim ne do t'ia bëjmë të njohur fë­mijës, pastaj fëmija do ta njohë dhe kuptojë dhe do të mbu­shet plot ndjenja për Allahun për të treguar respektin dhe dashurinë e duhur për Të! Ndërkaq, çdo nivel duhet të ketë stilin e vet të njohjes, pra, njohja e Allahut duhet bërë sipas moshës dhe aftësisë kuptuese të fëmijës.

Në një hadith, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë kështu:

"Duajeni Allahun për të mirat dhe dhuntitë e Tij për ju. Edhe mua duamëni për hir të Allahut sepse jam i dërguari i Tij, kurse familjen time duajeni ngaqë më doni mua!"[8]

Të duash dikë apo diçka dhe t'i bësh edhe të tjerët ta du­an atë dikë apo diçka, nuk duhet të jetë e vështirë kur njihet mëny­ra për ta dashur si dhe për t'i bërë të tjerët që ta duan. Dhe, mënyra më e mirë, është njohja dhe kontakti i vazh­dueshëm. Prandaj, në këndin kryesor të çdo shtëpie tonën duhet të jenë Kur'ani, pastaj librat mbi jetën dhe vep­ri­m­tarinë e Profetit (s.a.s.) dhe pastaj librat mbi jetën dhe veprimtarinë e sahabeve në mënyrë që zemrat e fëmijëve tanë të ushqehen me to e ata të bëhen të dashur për fëmijët tanë.

Këtu dua t'jua tërheq vëmendjen mbi një pikë. Edhe nëse e kërkon arsyeja dhe logjika që të përdoren argume­nte të ndry­shme kundër lëkundjeve e dyshimeve të lëshu­ara mbi besimin tonë me forma filozofike dhe rrugë raci­onale, lëshimi pas lo­gji­kës abstrakte e ngecja në të mund, disa herë, t'ia shuajnë nje­riut jetën ndjesore e ta shtyjnë në pesimizëm. Pasi ta kryejë de­tyrën e tij ndaj mendimit dhe arsyes dhe pasi t'i plotësojë të gji­tha funksionet li­dhur me këto, njeriu do dhe duhet të nisë të hulumtojë shembujt mbi shfaqjen e mendimeve dhe ndjenjave për­katëse në jetën praktike. Për rrjedhojë, edhe nëse ju, du­ke u kapur, me gjuhën e fizikës, kimisë, astronomisë, etj., pas mijra argumenteve objektive e subjektive mbi ekzis­tencën dhe njësinë e Allahut (xh.xh.) të ngjiteni lart me anë të një shkalle të ndri­çuar që ju zgjatet nga lart, po të mos jepni dot shembuj praktikë nga jeta dhe po të mos jua kuptojë fëmija, idetë dhe mendimet fetare që do t'ia përcillni atij, do të rroken në mendjen e tij si të ishin teori filozofike.

Po qe se gjykimet e vlerave fetare dhe virtytet kombëtare për të cilat u flisni fëmijëve, nuk mundeni t'i konkretizoni në periu­dha të ndryshme të historisë, ato mund të duken si utopi. Pra, ju jeni të detyruar t'ua tregoni atyre me shembuj se këto vlera janë jetuar dikur dhe mund të jetohen!

Ezani është simboli më i rëndësishëm i ndjenjave të larta muslimane dhe pretekst për t'u përqëndruar para namazit. Në të njëjtën kohë, ezani është shprehje e vlerës së madhe të na­mazit si adhurim ndaj Allahut, është ftesa e Tij për ne! Po qe se ju i përgatisni fëmijët të mbushur me ndjenja të tilla, edhe ata, kur të dëgjojnë ezan, do të emocionohen, do t'u mbushen sytë, do t'u shpërthejnë ndjenjat si ujët e lumit që shpërthen nga shtrati dhe do të fillojnë të dridhen me dashuri të thellë për atë ftesë!

Si përfundim, mund të themi këtë: në shtëpitë tona, adhu­rimet duhet të kryhen pa mangësi, lëkundjet dhe dy­shimet e fu­tura në kokat e fëmijëve duhet të sqarohen dhe mënjanohen pa u bërë vonë për këtë dhe duhet të ketë orë të caktuara kur të gjitha zemrat t'i drejtohen vetëm Allahut, kur në përfytyrimet të ekzistojë vetëm i Dërguari i Allahut (s.a.s.)!

Nderimi dhe respekti i thellë për shenjat dhe simbolet e she­njta do të thotë vlerësimi i lartë me fjalë dhe veprime i gjërave dhe vlerave të pranuara si të larta nga feja. E Vër­teta e Lartë, Allahu Ekber, e shprehur ashtu siç duhet vetëm me anë të eza­nit, do të pasqyrohet me një ndjenjë të thellë në sytë e fëmijës suaj dhe ju do t'i buzëqeshni atij për atë meritim fatmirë!



[1] Munavi, Fejzu'l-kadir, 2/529.
[2] Ibni Maxhe, Ikame, 176.
[3] Buhari, Savm, 55; Fezailu'l-Kur'an, 34; Muslim, Sijam, 182.
[4] Ebu Nuajm, Hilje, 1/285-286.
[5] Buhari, Iman, 32; Rikak, 18; Muslim, Musafirin, 216, 218; Munafikin, 78; Ebu Davud, Tatavvu, 27; Nesei, Kijamullejl, 19; Ibni Maxhe, Zuhd, 28.
[6] Taberani, Mu'xhemu'l-Kebir, 8/90; Ali el-Muttaki, Kenzu'l-Ummal, 15/777.
[7] Kurtubi, el-Xhamiu li Ahkami'l-Kur'an, 17/55.
[8] Tirmidhi, Menakib, 31.
Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.