Edukata dhe i riu

Edukata është një bukuri më vete dhe, te kushdo që të ndodhet, imitohet. Sigurisht, edhe nëse dikush është i padi­tur, po qe i edukuar, duket. Kombet të mangët në kulturën kombë­tare e në edukatën kombëtare u ngjasin individëve injorantë, të trashë e rrugaçë, të cilët as besë kanë në mi­qësi, as seriozitet në armiqësi! Ata që u besojnë të tillëve, gjithmonë pësojnë zhgë­njim, ata që mbështeten në ta, herët a vonë mbeten pa mbë­shtetje!

* * *

Edukatorët që s'kanë punuar si çirakë pranë një mjeshtri dhe s'kanë marrë edukatë nga një burim i shëndoshë, janë si shër­bëtorë që u mbajnë pishën rrugës së të tjerëve. Pa­turpësia dhe përkëdhelia e dukur në fëmijët është pasojë e turbullisë së buri­mit ku ai është zhvilluar e zhvillohet. Pa­rregullsia ndiesore, ide­ore dhe e veprimit në familje reflek­tohet e përforcuar në shpirtin e fëmijës. Dhe, natyrisht, nga ai në shoqëri...

* * *

Në shkolla, të paktën po aq sa në mësimet e tjera, duhet që­ndruar mbi edukatën dhe kulturën kombëtare në mënyrë që të përgatiten breza me shpirt e karakter të shëndoshë, të cilët do ta kthejnë vendin në parajsë. Arsimimi është tjetër gjë, edukimi, tjetër gjë. Shumica e njerëzve mund të bëhen arsimtarë, por ja­në të paktë ata që mund të bëhen me plot kuptimin e fjalës katorë!..

* * *

Mësimet që u jepet më pak rëndësi, në një kohë që janë më të rëndësishëm, janë kultura kombëtare dhe edukata kombë­tare. Po qe se një ditë do të kthehemi për ta vënë në shfrytëzim këtë rrugë, do të kemi marrë vendimin më të që­lluar për për­parimin e kombit.

* * *

Poeti është poet që në lindje. Imrul Kajsi[1] nuk pati bërë shkollë. Ajnshtajni ikte nga shkolla, sepse mendimet i kishte të tjera. Njutoni pati marrë notë të dobët në matematikë, por teoria e tij është matematike. Kurse ne përpiqemi të tra­zojmë në kazanin e të tjerëve me qepshen tonë...

* * *

Shkolla e parë e fëmijëve, që e kanë shpirtin të shkëlqyer si pasqyrë e që regjistron shpejt si makinat fotografike, janë shtë­pitë e veta, kurse edukatorët e parë, nënat. Përgatitja e nënave si edukatore dhe jo konsumimi i tyre majtas-djathtas është baza më e rëndësishme për ekzistencën dhe vazh­di­mësinë e një ko­mbi.

* * *

I riu është fidani i forcës dhe zgjuarësisë. Po qe se edu­kohet e mësohet, mund të bëhet një Anté, një fuqi që u premton zemrave ndriçim e botës, harmoni...

* * *

Shoqëria është një enë kristali, kurse të rinjtë, brenda saj si një lëng që merr formën dhe ngjyrën e enës dhe me atë duket. S'e di, apostujt e rregullit dhe harmonisë, të cilët u bëjnë thirrje atyre për përulje dhe bindje, a janë në gjendje të kthehen e të hedhin një vështrim mbi veten e vet?..

* * *

Dëshirat u përngjajnë të ngrënave të ëmbla, kurse virty­tet, të ngrënave pak të tharta a të kripura. Po qe se i riu lihet i lirë të zgjedhë, a është e nevojshme të thuhet se cilat do t'i zgjedhë e cilat do t'i lërë? Kurse ne jemi të detyruar t'i për­gatisim ata si miq të virtytit e si armiq të imoralitetit dhe fë­lliqësisë...

* * *

Gjer në çastin kur t'i shkohet në ndihmë me anë të edu­kimit, i riu është satelit i dëshirave dhe kënaqësive boshe të mjedisit ku është rritur, një i marrë e i përgjakur që përsillet diku shumë larg personalitetit dhe logjikës. Edukata e mirë që, duke e lidhur atë me të kaluarën e vet, do ta përgatisë për të ardhmen, do ta shndërrojë atë në hero të perspe­k­tivës!..

* * *

Lartësimi ose rënia poshtë e një kombi varen nga shpirti dhe vetëdija me të cilat do të pajisen brezat e tij, nga arsimi dhe edukata që do të marrin. Në kundërshtim me faktin që kombet me brezat e rinj të përgatitur mirë, janë të paracak­tuar të për­parojnë paprerë, regresi i kombeve që i nënvleftë­sojnë ata, është i pashmangshëm!..

* * *

Ata që kërkojnë të japin orakull mbi të ardhmen e një ko­mbi, po t'i hedhin sytë edukatës së dhënë të rinjve, kanë për të dhënë një orakull qindpërqind të saktë!..



[1] Imrul Kajsi, emri i vërtetë i Mexhnunit, heroit të poemës "Mexhnuni dhe Lejlaja" të Fuzuliut.
Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.