DIALOGU DHE SAKRIFICA

Pyetje: Transmetohet se imam Sharani i nderuar ka thënë: “Nëse qëndroj për një kohë të shkurtër pranë një njeriu që nuk fal namaz, nuk e ndiej namazin tim për dyzet ditë.” Mirëpo, për shkak të përgjegjësive tona shoqërore, ndodh shpesh që ne të jemi bashkë me njerëz nga më të ndryshmit. A ka ndikime negative në jetën tonë shpirtërore një shoqëri e këtillë?

Përgjigje: Mendime të ngjashme me këtë fjalë të famshme të imam Sharanit të nderuar kanë shprehur edhe personalitete të tjera të mëdha. Opinione të tilla janë veçanërisht të përhapura mes njerëzve të përshpirtshëm. Imam Sharani thotë se nuk ka mundur të marrë kënaqësi shpirtërore, apo t’ja ndiejë lezetin namazit për shkak të qëndrimit për ca kohë në shoqërinë e dikujt që nuk fal namaz. Sido që ky është një përcaktim i drejtë për njerëzit e atij horizonti, atë nuk mund ta kuptojë dikush që nuk e di se çfarë janë kënaqësia shpirtërore dhe zelli fetar. Po ashtu, nuk mund ta kuptojë as ai që nuk thellohet me gjithë brendësinë e vet në namaz, apo që nuk i duket sikur po pi me gllënjka prej Keutherit të Xhenetit kur i drejtohet Allahut. Fjalë dhe qasje të tilla mund të mos kenë asnjë kuptim për ata që i kryejnë adhurimet e tyre sipërfaqësisht e sa për të thënë, sikur të ishin thjesht formalitete. Për këtë arsye, këto lloj ndjesish dhe përjetimesh duhen kërkuar mes atyre që, të dashuruar pas adhurimit, e jetojnë çdo ditë me entuziazmin e takimit me Allahun. Dhe, në këtë çështje, ata duhen marrë si kriter.

            Të mos keqkuptohet; adhurimet nuk kryhen për të ndier kënaqësi shpirtërore dhe detyrimi nuk çohet në vend nisur nga një qëllim dhe synim i tillë. Kënaqësia shpirtërore nuk duhet të jetë arsyeja për adhurimin, por rezultat i tij. Adhurimi duhet bërë posaçërisht dhe vetëm për Allahun, vetëm e vetëm për të fituar kënaqësinë e Tij. Kështu, kënaqësitë dhe qerasjet shpirtërore që na serviren pa i kërkuar pas një adhurimi të tillë të sinqertë, ne i shohim dhe i pranojmë si mirësi dhe dhuratë prej Allahut. Dhe për këtë falënderojmë. Ka edhe nga ata që mund të mos duan ta ndiejnë kënaqësinë e adhurimit të tyre të përkushtuar. Shqetësimi i tyre i vetëm është adhurimi i Allahut në një mënyrë sa më të denjë. Ata e shohin adhurimin si të drejtën e Zotit dhe detyrën e tyre. Marrjen e kënaqësisë prej jetës fetare e konsiderojnë si një shpërblim të kësibotshëm dhe duan që edhe kësaj t’i rrinë larg.

            Bediuzamani i nderuar thotë: “Qëllimi më i lartë i krijimit dhe rezultati më madhështor i qenies është besimi në Allah. Ndërsa pas besimit në Allah, shkalla më eprore e njerëzimit dhe pozita më madhore që raca njerëzore mund të arrijë është njohja e Allahut. Pas kësaj njohjeje, lumturia më e shkëlqyeshme dhe bekimi më i ëmbël për njerëzit dhe xhindet është dashuria për Të. Mandej, brenda kësaj dashurie, lumturia më e qashtër për shpirtin njerëzor dhe gëzimi më i kulluar për zemrën e njeriut janë kënaqësitë shpirtërore” (Bediuzaman, Letrat, fq. 252-254) Ashtu sikurse e përmendëm, në themel të çështjes qëndron besimi në Allah; pa të nuk mund të ketë njohje të Allahut, dashuri për Allahun, apo diçka tjetër. Po ashtu, njohja e Allahut është një dije e zemrës dhe kulturë e ndërgjegjes, që sistemon meditimet sipërfaqësore dhe të brendshme të njeriut, kërkimet dhe leximet e tij. Njohja e Allahut hap dritare flladitëse ndaj Individualitetit Hyjnor në zemrën dhe ndërgjegjen e njeriut. Njeriu e do Allahun duke e njohur, ashtu mbërrin në dashurinë për Të. Sa më shumë që ta njohë, aq më shumë e do. Kurse frytet më të bukura të kësaj dashurie janë ndijimet e këndshme të shpirtit. Në njëfarë mënyre, besimi dhe njohja e Allahut janë të vullnetshme, ato janë në raport me përpjekjen dhe mundin e robit. Ndërsa dashuria për Allahun dhe kënaqësia shpirtërore nuk janë në dorën e njeriut. Ato janë dhurata dhe mirësi prej Allahut, që ndikojnë pastaj edhe në besimin dhe njohjen e Zotit. Si të tilla, ndonjëherë mund të jepen, ndonjëherë tjetër jo.

            Dikush që ka nisur të shijojë kënaqësi shpirtërore mund të përjetojë një shkëputje prej tyre për shkak të preokupimeve, lidhjeve dhe shoqërizimeve të ndryshme në jetën sociale. Kjo është një ndërprerje e asaj mirësie prej Allahut. Edhe pse devotshmëria në adhurime mund të mbetet e njëjtë, tashmë personi nuk i ndien dhe nuk i përjeton më ato që ka ndjerë dhe përjetuar më parë. Që do të thotë se ai për vete zë e përjeton një lloj pamjaftueshmërie dhe varfërie shpirtërore. Pra, njerëzit me të cilët rri mund të kenë ndikim në botën e tij të shpirtit dhe zemrës dhe mund të ndikojnë edhe në lidhjen e tij me Allahun. Pikërisht këtë ka dashur të shprehë edhe imam Sharani.

            Po, qëndrimi me njerëz që janë larg Allahut, larg fesë dhe besimit, mund të ketë disa efekte negative në jetën shpirtërore, ndjesore dhe fetare të njeriut. Konstatimet e miqve të Allahut për këtë çështje synojnë qëndrimin me njerëz të drejtë dhe punëmirë dhe janë një paralajmërim i rëndësishëm për ne. Krahas kësaj, përpara se të mbahet një qëndrim përfundimtar për këto raste, duhet që patjetër të merren parasysh nijeti dhe synimet e njerëzve, të shihet se me çfarë qëllimi dikush formon shoqëri, si dhe të bëhet dallimi mes atyre që veprojnë sipas qejfeve të tyre dhe atyre që ecin pa u lëkundur në rrugën e Allahut.

            Sekush bën llogaritë e veta në lidhje me të tjerët dhe marrëdhëniet që ndërton me ta. Dikush dëshiron të formojë një rreth të ri. Dikush synon të përfitojë prej afërsisë me persona që kanë post dhe pozitë. Dikush thjesht kërkon që të kalojë një kohë të kënaqshme sipas dëshirës së vet. Përveç këtyre, ka edhe nga ata njerëz qëllimi i vetëm i të cilëve është që t’i njoftojnë edhe të tjerët për idealet e tyre, t’i ndajnë me ta të gjitha bukuritë që i kanë bërë pjesë të natyrës së tyre, apo të gjejnë zgjidhje për problemet e përbashkëta të njerëzimit. Këto janë qasje që duhen diferencuar nga njëra-tjetra. Praktikat mbeten të njëjta; të ulurit me njerëz me botë nga më të ndryshmet, vizitat e ndërsjella, urimet, përgjigjja ndaj ftesave, prania në ditët e rëndësishme… janë po ato sjellje, por qëllimi dhe synimet janë të ndryshme. Domosdo edhe gjykimin e kanë të ndryshëm.

            Ka njerëz që kanë ideale të larta: të jenë të dobishëm për njerëzimin dhe të fitojnë kënaqësinë e Allahut në këtë mënyrë. Për t’i realizuar këto ideale ata hyjnë në dialog me njerëz të sferave të ndryshme; bie fjala, bëjnë takime me njerëz të klasës aristokrate, bëhen bashkë me ndjekës të feve të ndryshme, formojnë lidhje të shëndosha me ta. Shembuj të kësaj mund të gjejmë edhe në Epokën e Lumturisë. I pari është vetë i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi Të!) që i ka mbledhur të gjithë përreth vetes për t’u përcjellë kauzën e vet, është takuar me çdolloj njeriu dhe është përpjekur që të hapë kamare të së vërtetës në zemrat e tyre. Me të njëjtin synim qe dërguar edhe Musab ibn Umejri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) në Medinën e atyre ditëve, ku më së shumti kishte hebre dhe idhujtarë. Musabi i nderuar qe takuar me kë pati mundur dhe qe përpjekur të bënte udhërrëfyesin drejt të vërtetave që kishte besuar.

            Nuk dimë që i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi Të!) ta ketë ndaluar takimin, bisedimin apo shoqërimin me njerëz pa namaz, pa lutje apo pa besim, apo edhe që të ketë thënë fjalë si: “Mos u takoni me idhujtarë dhe jobesimtarë, përndryshe do të humbisni prej ndjeshmërisë suaj.” Përkundrazi, Ai (Paqja qoftë mbi Të!) ka thënë: “Emri im do të mbërrijë kudo ku lind dhe perëndon dielli” duke i inkurajuar besimtarët me këto fjalë që të përhapen në të katër anët e botës dhe ta bëjnë kështu realitet myzhdenë e dhënë. Ai ka dashur që Islami, feja e padyshimtë, t’i shpjegohet kujtdo, qoftë ky i krishterë, hebre, budist, brahman, zjarradhurues, apo anëtar i cilësdo fe tjetër.

            Është e pamundur t’i bëni t’ju dëgjojnë, apo t’u shpjegoni diçka njerëzve që nuk ju njohin, nuk ju duan dhe nuk ju besojnë. Nëse doni t’ju tregoni diçka, më së pari duhet që të lidheni me ta, të dialogoni, të shkëmbeni vizita mes jush dhe të përgatisni terrenin për miqësi. Si fillim, duhet t’u tregoni bashkëbiseduesve tuaj se ju jeni një njeri me të cilin mund të shoqërohen dhe bisedojnë. Me vazhdimin e dialogut të ndërsjellë, pas pak kohe paragjykimet do të thyhen, kushtëzimet do të sheshohen dhe ndjenjat negative si urrejtja, mëria, armiqësia, frika e dyshimi do të zëvendësohen nga ndjenjat e dashurisë, respektit, mirëbesimit dhe vlerësimit. Atëherë, të gjithë do ta dëgjojnë njëri-tjetrin dhe do të përpiqen ta njohin më nga afër bashkëbiseduesin. Pa e përgatitur mjedisin kësisoj, edhe po të shpjegoni të vërtetat më të sigurta në mënyrën më elokuente të mundshme, sërish nuk do t’jua vënë veshin.

            Duke vepruar në këtë mënyrë, a mund të humbim prej ndjenjave të begatshme siç thotë imam Sharani? Edhe mundet. Por qëllimi ynë nuk është që të jetojmë mes përkëdhelive materiale e shpirtërore, por që të çojmë në vend një detyrë të lartë si ajo e profetëve duke u vënë gjoksin shqetësimeve dhe mundit për të ftuar kah e mira e për të ndaluar të keqen. Duhet të jemi të gatshëm për çdo sakrificë materiale në emër të këtij qëllimi të lartë, siç është bërja e Zotit të njohur dhe të dashur tek robërit e Tij.  Në terminologjinë tonë këtë e quajmë flijim të begative materiale dhe shpirtërore. Sikurse e thamë në fillim, kënaqësitë shpirtërore janë rezultat i besimit në Zot, njohjes dhe adhurimit të Tij dhe nuk duhen vendosur në vendin e qëllimit.

            Ata, që në marrëdhëniet e tyre me të tjerët veprojnë sipas dëshirave të egos dhe pritshmërive personale, mund të bien pre e humbjes dhe zvetënimit që vë në dukje imam Sharani. Ndërsa çdo nismë dhe përpjekje që bëhet për të larguar pengesat mes njerëzve dhe Individualitetit Hyjnor, që zemrat të paqtohen me Allahun, konsiderohet si një luftë më vete. Një përleshje e tillë jo vetëm që nuk i zmbraps begatitë ndjesore, por mund të bëhet shkak edhe për shtimin e tyre. Njerëzit që ecin në rrugën e profetëve nuk privohen nga asgjë dhe as nuk përjetojnë humbje dhe zhgënjime.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.