Këshillimi ideal-2

Fethullah Gylen: Këshillimi ideal

Këshillimi nuk duhet të jetë vendi ku ne të imponojmë mendimet tona

Një tjetër kriter mjaft i rëndësishëm për t'i trajtuar çështjet sipas kritereve të pranimit të tjetrit dhe ndjekjes së ndërgjegjes si udhërrëfyes është edhe ky parim i Kuranit Fisnik, që ka të bëjë me peshimin e punëve tona: "Kushdo që bën një të mirë qoftë dhe sa një grimcë, e merr shpërblimin e tij; e kushdo që kryen një të keqe, qoftë dhe sa një grimcë, e merr dënimin e saj." (Zilzal, 99/7-8) Me një fjalë, çdo mendim i hedhur gjatë këshillimit, ana e keqe e të cilit peshon më shumë se e mira, duhet lënë mënjanë dhe në vend të tij, nëse keni në dorë edhe një mendim, ana e të mirës të të cilit peshon qoftë edhe një grimë më shumë se e keqja, atëherë atë duhet të merrni për bazë. Domethënë, ashtu siç e mira ka përparësi të natyrshme ndaj të keqes në peshimin e veprave të njeriut, e derisa edhe Zoti vendos për njerëzit në bazë të këtij parimi, pse të mos e kthejmë atë në një kriter tonin. Atëherë, nëse në një tryezë këshillimi bëhet fjalë për një mendim që peshon më shumë se të tjerët për nga e mira, atëherë aty nuk duhet të ketë ndikim as grada, as titulli e as të qenët një njeri që të gjithë të njohin e të respektojnë. Në të kundërt, të rrish e të pranosh si kredite dhe elemente trysnie në emër të mendimit tënd, kur e vërteta ka dalë në pah, bie kryekrejet ndesh me shpirtin e këshillimit.

Patjetër, gjatë këshillimi nuk do bërë fjalë kurrsesi për imponim të mendimit. Njeriu më i pranueshëm në Islam është ai që, brenda një mbledhjeje këshillimi gjysmëorëshe e dëgjon tjetrin me vëmendje dhe madje i thotë edhe dhjetë herë: "Ju keni shumë të drejtë. Unë e hedh firmën nën çdo fjalë a propozim tëndin. Mirëpo edhe mua më ka ardhur një mendim i tillë. Ç'mendim keni për të?" Ja, ky është statuja e nderit që përpiqet t'ia ruajë dhe lartësojë gjer në fund nderin virtytit të këshillimit. Në të kundërt, ai njeri që nuk tregon respektin e të dëgjuarit të atyre ç'thonë të tjerët, e që vazhdimisht sheh si të sakta veç mendimet e veta, është një i gjorë që e ka kthyer egon e vet në një tempull. Një i ngratë i tillë, që i duhet nga hera në herë t'i përkulet dhe t'i kryejë adhurimet e nevojshme vetes, edhe nëse pandeh se është duke folur në emër të shërbimit, tregon se në të vërtetë është duke folur në hesap të egos së tij. Andaj edhe mendimet e tij do të shkaktojnë gjithnjë reaksion, madje nganjëherë edhe do të ngjallin reagime të ashpra.

Pikërisht për këtë arsye njeriu duhet ta thyejë ashpërsinë në qëndrim, sjellje dhe në të folur gjatë këshillimit, t'i latojë pjesët e thikta të mendimeve, çka do të bëjë që të pranohet më lehtësisht. Kur, në një këshillim ku ashpërsia nuk është thyer, mendimet nuk janë artikuluar me një stil të butë, ndodhin veç bjerrje dhe rrënime të mendimit të qashtër.

Jo prestigji i pozitës dhe titujve, por hatri i Allahut (xh.sh.)

Nganjëherë nëpër mbledhje, ata që janë të dobët përpiqen të përdorin si kredo prestigjin e tyre, duke u sjellë mjaft herë imponueshëm. Kësisoj, qoftë edhe krejt pavetëdijshëm, për hir të prestigjit dhe pozitës që bartin, mund t'i çojnë dëm me një të rënë të lapsit të gjitha shërbimet e kryera gjer atë çast në emër të fesë. Mirëpo askush nuk ka të drejtë që ta çojë dëm mirësinë dhe begatinë e këshillimit me sjelljet dhe reagimet e veta egoiste dhe megalomaniake.

Dua të përmend një shembull në lidhje me këtë çështje. Hasan Basriu i nderuar gjendej në një hallkë bashkëbisedimi me disa prej sahabëve të nderuar të Profetit tonë (s.a.s.). Ata që vinin në këtë hallkë u drejtonin pyetje sahabëve, dhe këshilloheshin me ta. Zaten kjo ishte gjëja më e natyrshme që mund të ndodhte. Sepse sahabët ishin njerëz që kishin jetuar në prani të Krenarisë së Njerëzimit, çka u kishte përftuar edhe nuanca të vetë ekzistencës së Tij. Ma merr mendja, se sikur edhe njëherë të vetme të gjendeshe në praninë e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) ishte shkak begatie dhe përftimi shpirtëror sikur ta kishe lexuar Kuranin Fisnik dhjetë herë të plota nga fillimi në fund. Sepse në praninë e Tij ishte i dallueshëm përherë i Vërteti. Në vështrimin, në mënyrën se si i dëgjonte të tjerët, në mënyrën si e hapte gojën për të folur, shiheshin përherë veç të vërtetat e besimit në Zotin (xh.sh.). Një poet e paraqet kështu këtë qëndrim Tijin me vargjet e tija: "Sa herë bënte sexhde Ai, Allahu pasqyrohej." Me një fjalë, një njeri që e shihte Atë, nëse Ai do të zhdukej si vetvete nga ai vend, do të mbetej sikur të ishte përballë vetë Allahut. Hasha, kuptimi i kësaj nuk është konceptimi identifikues apo përngjasues i individualitetit profetik me Qenien e Epërme. Por do të thotë, që Ai, me çdo fjalë dhe çdo sjellje të Tijën shprehte pikërisht Allahun (xh.xh.). Si rrjedhojë, ata që ishin të nderuar me praninë e Profetit fisnik, jetonin një tjetër dimension afrie me Allahun e Madhërishëm (xh.xh.). Veç kësaj, nëse do të mendohet se njerëzit që ishin më përzemërsisht të lidhur me Të nuk e privonin veten për të shkuar deri edhe disa herë në ditë pranë Tij, kuptohet menjëherë rëndësia që përfton marrja parasysh e mendimit të tyre rreth çdo çështjeje për të cilën mund të pyeteshin. Veç kësaj, jeta sociale, ekonomike dhe politike e asaj kohe qerthullohej rreth boshtit të fesë, ndaj edhe ishte e nevojshme mbajtja e lidhjeve gjithnjë e më të forta me parimet themelore të saj. Si rrjedhojë, të gjithë njerëzit u drejtoheshin ligjësive të patjetërsueshme dhe të palëkundshme të fesë për të zgjidhur problemet e ndryshme në lidhje me jetën. Së këndejmi buronte edhe dëshira e epërme e njerëzve të periudhës së Hasan Basriut për t'i vizituar sahabët e nderuar, në mënyrë që të ushqeheshin drejtpërsëdrejti prej burimit të fesë.

Ja pra, pikërisht në një mexhlis të këtillë, poende, një sahabi të nderuar i qe bërë një pyetje, të cilës ai i qe përgjigjur menjëherë. Pasi mbaron fjala e sahabit të nderuar, radha i vjen Hasan Basriut, në ato ishte në moshën 25-30 vjeçare, i cili ishte ulur diku në radhët e pasme. Sapo filloi të fliste, sahabi fisnik u magjeps prej fjalëve të tij. Ky sahabë kaq i dhembshur dhe kaq i drejtë, i cili e kishte përftuar moralin prej moralit të Profetit tonë të nderuar (s.a.s.), shihni se me ç'fjalë iu drejtua të tjerëve që gjendeshin aty: "Pse vini të na pyesni neve, kur pranë jush keni një njeri të këtillë?" Siç edhe shihet prej këtij shembulli, sahabët fisnikë, as prestigjin e lidhjes së drejtpërdrejtë me Profetin Muhamed (s.a.s.) nuk e përdornin si kredo për të imponuar mendimet e tyre në mexhliset ku mblidheshin. Por i drejtoni vështrimet dhe pritshmëritë e njerëzve ndaj atij djali të ri, fjalën e të cilit dhe forcën e tij të gjykimit e shihnin si më ndikuese dhe më me vend, duke e parë fjalën e tij atëherë e tutje si më të vyer për t'u dëgjuar prej njerëzve. Për mendimin tim, një qasje e këtillë është shumë e rëndësishme për të arritur konceptimin e saktë të shpirtit të këshillimit.

Fatkeqësisht, në ditët tona është shumë e vështirë që të sendërtohet një dashuri për të vërtetën e këtyre përmasave. Edhe një njeri, i vlerave të këtilla apo të atilla, do që vetëm ai ta ketë të drejtën e fjalës, dhe për më tepër, që kur të flasë ai, të tjerët të kthehen në dele të urta e ta dëgjojnë me vëmendje. Ndër të tjera, individët që e përbëjnë një tryezë këshillimi, në vend që të rrinë aty veçse për të dëgjuar të tjerët, duhet që edhe ata të arsyetojnë me mendjet e tyre, që edhe ata të ofrojnë gjykimet e tyre. Nganjëherë hyhet në disa inate dhe pakënaqësi të atilla, që disa ndjejnë edhe nevojën për të thënë medoemos diçka vetëm e vetëm që ta kundërshtojnë mendimin e tjetrit. Madje, nganjëherë, vetëm e vetëm për ta bindur e për të mos dalë mendimi i tij, i hyhet disa arsyetimeve të përbëra prej trillesh djallëzore.  E për rrjedhojë, edhe sikur fjalët e artikuluara gjatë kësaj mbledhjeje këshillimi të jenë të vërtetat e të vërtetave, bëhet i pamundur përftimi syresh.

Kur, ç'është e vërteta, "hatri i Allahut është i lartë, ndaj ai nuk mund të sakrifikohet për hatër të askujt." Andaj duhet, që të gjitha mendimet të thuren veçse prej lëndës së të vërtetës. Edhe Bediuzamani i nderuar, një personalitet si ai, u thoshte nxënësve të tij se nuk duhet ta pranonin një fjalë vetëm e vetëm pse e thoshte ai, pasi edhe ai vetë ishte i gabueshëm. Ja, ekzaktësisht një thellësi e këtillë mendimi do arritur. Përderisa asnjëri prej nesh nuk është profet i nderuar me aftësinë privilegj të revelacionit, të gjithë jemi të gabueshëm dhe mund të zhgënjejmë; kjo nuk do nxjerrë për asnjë çast nga mendja.

Mjafton që të jetë e Vërteta që flet!

Nga ana tjetër, nuk do shqetësuar pse e vërteta del në pah prej fjalës së të tjerëve, apo pse sendërtimi i diçkaje arrihet prej duarsh të tjera. Nëse është dikush që arrin të japë një mendim të mirë e të pranueshëm për nga kriteri i të vërtetës, sepse nuk është sjellje prej myslimani që t'i hysh mendimesh të ngjashme me "jo, aty duhet të jetë vetëm zëri im që dëgjohet; vetëm unë duhet ta kem simpatinë dhe pëlqimin e të tjerëve përsa i përket mendimit." Vetëm se, nëse askush tjetër nuk ka ndofarë mendimi në lidhje me çështjen e marrë në diskutim, e kjo nuk artikulohet prej të gjithëve, të cilët mund të privohen prej ndonjë gjëje prej kësaj, atëherë do folur, e madje për hir të së vërtetës. Asisoj, që edhe në një rast të këtillë duhet të merret fillimisht parasysh se sa të hapura janë ndjeshmëritë e atyre njerëzve përreth ndaj këtij mendimi, në mënyrë që të mos shkaktojë reagime të pakëndshme. Të heshtësh në një vend ku nuk tregohet respekt ndaj fjalës është më afër mendjes dhe është diçka që ta kërkon vetë mendimi që ke për të artikuluar. Sepse, sado e vërtetë qoftë fjala jote, po u prit me reagime negative në krye, e vështirë është që të pranohet më vonë. Madje, mund të ndodhë që njerëzit që largohen së andejmi për shkak të kësaj gjendjeje, dhe veprojnë e përpiqen si e si që vetëm ai mendim të mos zbatohet, e për këtë mund të stisen justifikimet nga më të ndryshmet. Andaj do folur pikërisht në çastin kur ndjeshmëritë e të tjerëve janë më të përshtatshme, e që duket se do të tregojnë respekt ndaj të vërtetës, në mënyrë që të mund të përfitojnë sa më shumë njerëz prej mendimit.

Njëherazi, çdokush që merr pjesë në këshillim duhet të jetë shumë i dhënë pas të vërtetës. Pasi, çfarëdo që të thonë këta njerëz, fjalët e tyre priten gjithnjë me respektin më të madh. Padyshim, që edhe në mesin e fjalëve të tyre mund të gjenden të meta e gabime. E kësodore, ajo që u takon më të mëdhenjve të bëjnë në emër të dashurisë për të vërtetën, është kjo: Kur e kuptojnë se fjala e thënë prej tyre qenka e gabuar, duhet të dinë si të tërhiqen menjëherë prej gabimit, dhe përherë duhet të ndihen shumë rehatshëm dhe të gatshëm për ta bërë diçka të këtillë sa herë që të jetë nevoja. Pa harruar, që aty ku do të flasë dikush që i takon për të folur, të folurit e njerëzve që nuk u takon të flasin, jo vetëm që e shtyjnë mendimin e vyer prej të cilit mund të përfitohet tej mase andej nga radhët e fundit, por bëhen sebep edhe për gjithfarë thashethemesh e pakënaqësish të panevojshme.

Të qëndrosh larg përgojimit sikur i rri larg gjarprit dhe nepërkës

Një tjetër çështje mjaft e rëndësishme që duhet pasur kujdes përsa i përket këshillimit është edhe sjellja e kujdesshme për të mos rënë në përgojim gjatë kohës së këshillimit, e aq më pak t'i nxitësh të tjerët drejt padurimit. Në të kundërt, në rrugën e fitores do të jemi duke humbur, dhe duke pandehur se jemi duke shërbyer në rrugë të Allahut, do të jemi duke ndotur gjuhën që na është bërë më e madhe se zemra, e kësisoj do të jemi duke e shuar jetën tonë shpirtërore dhe botëkuptimore. Kësisoj, duhet të jemi më delikatë se delikatët përsa i përket qëndrimit larg përgojimit, e nëse diku ta zëmë se është bërë përgojim, atëherë duhet të shkojmë menjëherë tek ai që kemi përgojuar për t'i kërkuar ndjesë. Madje, kur fliten disa çështje të caktuara, korniza e bisedës do përcaktuar shumë mirë qysh në krye, në mënyrë që njerëzit të mos marrin drejtimin e gabuar dhe t'i hapet udhë keqpandehjes. E për të mos iu dhënë shkas diçkaje të këtillë, edhe njerëzit që mendojnë më pranë të vërtetës së madhe duhet të dinë si të heshin. Ata fillimisht duhet të heshtin, dhe mandej, duke thënë: "Vallë si mund ta shpreh aksh të vërtetë pa fyer askënd?", të mendohen mirë e mandej të flasin atë ç'kanë për të folur.

Po, heshtja e besimtarit është meditim, ndërsa fjala e tij mishërim i urtësisë. Domethënë, vetëm nëse fjala e tij do të jetë bartëse e urtësisë le të flasë, në të kundërt është më mirë që të heshtë. Siç e thotë mjaft bukur edhe poeti "Fol për të Dashurin, ose më mirë hesht!" Me një fjalë, vetëm nëse do bësh fjalë për të Dashurin fol, në të kundërt hesht! Sa herë që shfaqet mundësia e të llomotiturit rreth çështjesh që nuk të nxjerrin në rrugët që shkojnë kah Allahu, apo për nga Profeti i nderuar (s.a.s.), e që nuk nxjerrin gjë në dritë përsa i përket, ai duhet të dijë si ta kafshojë atë gjuhën e tij të panevojshme, që e ka rritur më shumë se zemrën, atëherë atëherë ajo do të vazhdojë t'i kafshojë të tjerët. Nuk do harruar kurrsesi, se plagët e saçmeve mjekohen dhe shërohen; mirëpo riparimi i zemrave të plagosura prej fjalëve është shumë i vështirë.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.