Qortim

Fethullah Gylen: Qortim

Le të hedhim një vështrim përreth, në çdo anë sulme të qëllimshme që i adresohen fesë Islame. Ata persona, të cilët, para një realiteti të tillë, nuk ndiejnë dhimbje sikur t’i ishte ngulur një thikë në zemër, madje që nuk vdesin në vend, duhet të rishikojnë edhe njëherë lidhjen shpirtërore me besimin e tyre. Atyre të cilëve shmangen duke thënë “Allahu nuk ua mundëson atyre” dhe që nuk e kalojnë jetën pa dëshpërim e dhimbje, por të shfrenuar, kam dëshirë t’i pyes; mos kujtoni vallë, se me këto fjalë po shprehni mbështetjen tuaj tek Zoti? Unë mendoj që jo; sepse niveli i atij personi që ia mundëson Allahu këtë gradë është e pamundur që të shprehet kësodore. Çfarë kemi bërë ne deri tani për Atë? Sa pika loti kemi derdhur ne në sexhaden tonë? Sa herë kemi rënkuar ne për fenë e shenjtë Islame? Sa herë na ka pikuar zemra për hir të Allahut?

Allahu (xh.xh.) si pasojë e urtësisë së pafundme të Tij, u jep mundësi madje edhe atyre që e mohojnë Atë. Mund t’i lejojë edhe të jetojnë një jetë me mirëqenie e luks. Nëse vështrojmë ata dhe themi “të na japë edhe neve”, kjo është një paturpësi ndaj Allahut dhe ndaj fesë së cilës i përkasim. Ne, le të shohim veten tonë, le ta shohim dhe të mundohemi të jemi rob të merituar të Tij dhe të mirësive që Ai na ka dhuruar.

Nëse ne nuk jemi në rregull, ç’kuptim ka nëse kemi mundur apo jo të jemi protagonistë në ekuilibrat ndërkombëtarë. Nuk mund të arrihet gjëkundi me gjysëm myslimanizmi. A nuk ishin ata gjysmë-myslimanë që e fundosën perandorinë Osmane? Të jemi realistë, para se të kërkojmë diçka nga Allahu, le të kërkojmë njëherë meritimin e atyre mirësive. “Allahumme ehsin âkibetenâ fi umûri kul’liha – Allahu im! Na e zbukuro përfundimin e çdo pune tonën”

Unë nuk besoj se jemi plotësisht të sinqertë.. në çdo anë pikon dyfytyrësi dhe mungesë sinqeriteti.. çdo vepër e jona është sa për të nxjerrë veten në pah.. kemi aq shumë boshllëqe epshore.. mangësitë tona arrijnë deri në gju. Porta e pendesës mbetet e hapur deri në momentin që i fryhet surit dhe nuk ka asnjë gjynah që Allahu të mos e falë. Atëherë çfarë presim për ta rregulluar veten tonë, për t’u penduar nga të këqijat që mund të kemi bërë, për të bërë edhe njëherë pendesën e pendesave, për të shtyrë veten tonë drejt rrugës së drejtë, për të jetuar një jetë të ekuilibruar? Përse shikojmë fytyrat e të tjerëve nga dritaret e hapura? Përse tregojmë shenja dyfytyrësie?

Nuk mendoj se këto fjalë i them vetëm për veten time. Sepse unë nuk përpiqem për veten time. Por s’mundem ta përtyp mospërfilljen e treguar karshi të vërtetave të besimit. Përse nuk kemi ndonjë qëllim, p.sh., si të thellohemi në besim më tej në besim? Përse jemi të huaj ndaj veprave të thesarta që kemi në duar. Përse kur i lexojmë ato thjesht sa i belbëzojmë, sikur të ishim të huaj? Përse adhurimet dhe bindja jonë ndaj Tij veprojnë nën hijen e hutesës. Përse i konceptojmë leximin, meditimin dhe përmendjen e Tij si barrë? Përse ngatërrojmë dyfytyrësinë në punët që bëjmë? Përse përjetojnë eklipse zemrat tona? Përse, përse? Nuk po mundem t’i gjej më përgjigje tërë këtyre përseve...

Kjo mërziti e shpirtit më merr mjaft kohë. Jam njeri shumë i ndjeshëm, përtej dimensionit të botëkuptimit të shumë prej jush. Edhe nëse nuk ia them hapur, por edhe rijaja e një personi madje ndodh të më shqetësojë për një ditë të tërë. Nëse njëri e ngre zërin gjatë namazit ose në tesbihat, e di se në atë zë nuk ka sinqeritet. I hedh acid përsipër punës së bërë, duke mos qenë në dijeni. Por nuk mund t’ia thuash. Të mos ia thuash është diçka që e ke në dorë, por ta ndjesh dhe ta kuptosh nuk është në dëshirën tënde. Dhe mua më ngjet ajo që më ngjet.

Zilia, imitimi, përngjasimi, mendimi i tjetërsimit, ndjenja e kundërshtimit, mosmarrja parasysh e mëkatit edhe në qoftë i vogël, mosmendimi i krenarisë/prestigjit të një lëvizjeje, mungesa e seriozitetit dhe sjelljet e shfrenuara kanë marrë revanshin këto kohë. Të gjitha këto janë plagë. Nëse janë plagë sipërfaqësore ikin me kohën, por nëse janë të brendshme e të thella? Po nëse janë strehuar në zemër? Këto nuk mund të largohen me ndërhyrje të thjeshta, ato kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale tejet të ndërlikuara. Said Nursiu thotë se, “Nëse do të pasqyrojmë jashtë anën tonë të brendshme, do të vërehet se jemi më në hall se dhe vetë Profeti Ejub (a.s).”

Ka nga ata që i shpërfillin gjynahet. Gjynahet janë ngulitur në zemër si mbetje. Dikush ka debolesë paranë. Dikush ka dobësi dëshirat e thjeshta trupore, si të ngrënët e të pirët. E tek të tjerët ndodhen të tjera dobësi epshore. Dhe më tej, janë ata që në çështjet e ndaluara nga Allahu (xh.sh.) thonë: “Ah, sikur të ishte e lejuar.” Këto gjëra janë sikur të thuash: “Sikur mosbesimi të mos kishte pasoja”.

Ndërkohë që njeriu mund t’i shikojë dobësitë e tij në një farë mënyre, dhe duhet t’i shikojë. Duke e parë gjithnjë veten në dritën e Profetit Muhamed (s.a.s.), me sahabët e Tij, me njerëzit që kanë shërbyer si shembull në çdo kohë, ai person mund t’i plotësojë ato mangësi me kalimin e kohës. Përndryshe këto dobësi dhe boshllëqe mund të shndërrohen e të kthehen pa u ndier në pjesë të karakterit . Dhe kjo bëhet shkak për vulosjen e zemrës. Edhe gjendja e shejtanit pak a shumë e tillë është. Sepse shejtani nuk është se nuk e dinte të vërtetën. Ai kishte njohuri të mjaftueshme rreth Allahut (xh.xh.) dhe Fuqisë së Tij të pashtershme. “Betohem në Madhështinë Tënde se Ti do të triumfosh”, i drejtohej shejtani Allahut. Betohej në nderin e Tij. Por ishte kundër Kuranit, kundërshtonte urdhrat e Allahut. E ruan veten e tij si errësira pranë dritës. Shejtani vepron në këtë mënyrë sepse kështu i është shndërruar karakteri. E mban veten në një pikë të tillë që e ka të pamundur të shkëputet, sikur t’i kishte vendosur drynin vetes së vet. Edhe njeriu i tillë është, nëse kyçet brenda diçkaje, i kundërpërgjigjet edhe gjërave më të buta që i sheh si të kundërta. Pra, shejtani është i kyçur në mosbesim dhe kryerja e gjynaheve i është shndërruar në pjesë të pandashme të natyrës së tij.

Allahu e di brendinë tonë sikurse të jashtmen tonë, dhe të jashtmen tonë sikurse di brendinë tonë. Prandaj duhet që t’i edukojmë këto dobësi dhe mangësi ende pa u shndërruar në karakter për ne, duhen t’i fshijmë një orë e më parë, madje edhe gjurmën e tyre më të fundit. Për këtë, personi duhet t’ia dorëzojë veten disa edukuesve të mirë. Gjithashtu, nuk duhet lejuar që shejtani të afrohet e të na pëshpërisë dokrrat e tij të kahershme. Njeriu nga shumë gjëra ndjen kënaqësi pa e ditur shkakun, si psh., nga namazi. Por kjo mundet të jetë një sprovë hyjnore. Ai superioritet që ndjen ai mund ta shtyjë atë t’i besojë vetes, që kjo është një tjetër sprovë hyjnore, dhe si rrjedhojë është istidraxh . Të shumtë janë ata që janë mashtruar kësimënyre.

I tillë është edhe istidraxhi* tek mohuesit. Mendoni, Dexhali zotëron diçka të magjishme si seancat spirituale (forca e ndikimit tek njerëzit). Ata që hyjnë në atmosferën e tij magjepsen, dhe nuk mund të dalin dot më nga ai rreth edhe nëse duan. Duhet të zotërojnë një fuqi të shenjtë që të mund të shpëtojnë. Prandaj, njeriu kurrë nuk duhet ta pandehë veten të pastër, dhe nuk duhet t’i dalë për zot çdo ngjarjeje të shenjtë, por t’ia adresojë Atij; t’ia japë Allahut dhe të thithë sinqeritet nëpërmjet saj. Nëse zemra e njeriut nuk është e mbushur me ndjenjën e sinqeritetit, nëse e ndot adhurimin me gjëra të tjera, atëherë ato mirësi që i jepen këtij rijaqari dhe hipokriti (mynafiku) kanë për ta fundosur atë. Është gjysmak, ka një besim të sipërfaqshëm, nuk e meriton, nuk i jep hakun uniformës që ka veshur përsipër, si rrjedhojë edhe Allahu ia merr atë besim nga dora.

Ashtu si gjërat e mira, ka edhe gjëra të këqija që ndiejmë, të cilat nuk mundemi dot t’i japim një emër. Papritur, pa patur asnjë arsye, njeriun e kaplojnë disa gjëra të këqija së brendshmi. Disa sende që shikoni mund t’ju shtyjnë drejt një pike apo mendimi të tillë, që brenda tij mund të mbyteni. Këto gjëra e dërgojnë njeriun në porte të tjera, në brigje që nuk mund të kthehet më pas. Për këtë arsye Profeti ynë i Dashur (s.a.s.) thotë: “Kur të jeni përballë diçkaje që ju shtyn drejt të keqes, ejani në vete dhe pendohuni menjëherë.” Edhe në psikologji ekziston diçka e tillë: psikologët në këto gjendje këshillojnë ndryshim të vendit dhe situatës.

Po, “Drejt oqeanit të kundërshtimit velat kam hapur / Në breg nuk më lejon të dal.” Gjithmonë kështu nisin lundrimet drejt oqeanit të kundërshtimit. Në fillim këndi është shumë i ngushtë, njeriu nuk e dallon dot atë. Zë vend sa thoi i gishtit në këmbë, por me kohën arrin e bëhet sa vetë gjurma e këmbës. Më pas sa gjerësia e hapit, derisa arrin një kënd që bëhet i pamundur për t’u përfshirë prej vështrimit. Largohet aq shumë prej vendit ku duhet të qëndrojë, saqë edhe sikur të dëshirojë të kthehet pas, e ka të pamundur.

Dhe më e rrezikshme se kjo është kur një person i tillë, pasi arrin njëfarë niveli, nuk mund ta dallojë dot më gjendjen e arritur. Nuk mundet ta dijë se ku mund ta zvarrisë diçka e ndaluar. Prandaj largimi i vështrimit, mbushja me pambuk e veshëve dhe mbyllja e gojës, nuk e mundëson të dallojë gjërat e duhura. Kur flet, gjithmonë flet në emër të dëshirave të tij personale, që janë egoiste.. kur hap sytë, shikon gjërat që Allahu (xh.sh.) i ka mallkuar Allahu.. kur dëgjon diçka, veshët i mbushen veç me melodi djallëzore..

Allahu na mundësoftë një amnisti të vazhdueshme, një falje gjithëpërfshirëse dhe një mëshirë të përsosur. U dhëntë mend, arsye dhe sedër njerëzve, të cilët teksa janë në namaz, agjërim dhe adhurim nuk i përfillin gjynahet e vogla. Duke marrë shkas nga “Lâ sagîrate mea'l israr, ue la kebirate mea'l istigfar – nëse përsëritet gjynahu i vogël s’është më i tillë, nëse bëhet pendim gjynahet e mëdha falen”, gjynahet më të mëdha janë gjynahet e vogla të cilat përsëriten. Sepse gjynahu i madh për sa kohë konsiderohet i madh nuk është i madh. Sepse nëse njeriu ia njeh madhësinë mëkatit, vrapon në brigjet e pendimit, kërkon falje, mundohet të largohet një sahat e më parë prej saj. Por nëse nuk e njeh gjynahun e vogël, ose e di dhe nuk e përfill atë, thotë “vetëm një, edhe një herë, edhe njëherë dhe kjo është hera e fundit, nuk kam për ta bërë më” derisa mbyllet brenda një çarku pa shpëtim. Kjo është strategjia e shejtanit. I tregon të bukura gjynahet, e mashtron nefsin. Ashtu siç thuhet në suren Jusuf “Bel sevvelet lekum enfusukum”, zbukuron gjynahet, e hipnotizon dhe ia lidh sytë njeriut. Ndërkohë që njeriu nuk është një krijesë kaq e ulët sa të bjerë pre e gjynaheve kaq të vogla. Është i denjë për gradën më të lartë, zotëron një aftësi sa për gjithë botën. Prandaj nuk duhet që t’i çojë dëm vlerat e larta për gjëra kaq të ulëta. Allahu (xh.sh.) duhet të jetë synimi dhe qëllimi i tij. Ose le ta themi në këtë mënyrë, përderisa nga ana e krijimit ai ka një ego, duhet që egon e tij ta kënaqë me mirësitë dhe shijet e lejuara, e të mundohet të mos dalë jashtë kësaj kornize. Duhet të durojë, të shtrëngojë dhëmbët e të thotë “la haule – fuqia i përket Atij”.

Dhe kurrë mos thoni unë nuk mbytem. Sepse egoja e njeriut është çark i dhunshëm. Ka gjunjëzuar shumë mbretër e mjaft herkulë. Edhe një Profet si Jusufi i nderuar madje a nuk deklaron se “Innen nefse le emmaratun bis’sui – Vërtet që nefsi (egoja) gjithmonë të shtyn drejt të këqijave”, duke na njoftuar se kurrë nuk i duhet besuar nefsit/vetes.

Në historitë e njerëzve të lartë tregohet se: Ishin dy vëllezër që jetonin njëri në qytet e tjetri në fshat. Ai që jetonte në qytet e ruante veshin, syrin, gojën dhe gjuhën e tij nga gjynahet nderin. Ndoshta, ngase ia kishte kushtuar veten një shërbimi të shenjtë, Allahu e mbronte atë. Ose ndoshta parimet e atij shërbimi e kishin kapluar të tërin dhe duke thënë “Nuk më shkojnë mua këto gjëra” arrinte të ruante veten. Në derën e shtëpisë së këtij qëndronte e varur një bucelë. Bucela ishte e mbushur me ujë, por çuditërisht nuk rridhte asnjë pikë. Vëllai tjetër i cili jetonte në mes të vuajtjeve dhe vazhdimisht i lidhur me Zotin, vjen një ditë për vizitë në qytet. Edhe ai kishte një bucelë me ujë në fshat, mirëpo kjo e tija nuk rridhte kurrë. Kur vjen, e var bucelën e tij përbri bucelës së vëllait. Pasi kalojnë disa minuta bucela fillon t’i pikojë. Këtu është zotësia. Në qytet, pra në vendet më të rrezikshme, të vazhdosh me tërë sinqeritetin lidhjen me Allahun pa e lëshuar veten për asnjë moment.

Po, nëse shejtani edhe në ambiente jashtëzakonisht të përshtatshme, larg gjynaheve, duke jetuar një jetë asketi, e duke u marrë vetëm me adhurim arrin të vendosë frerët e tij në gojën e njeriut.. nëse gjynahet gjejnë rrugë e hyjnë nga vrimat e veshëve dhe gropat e syve, nëse nefsi e shtyn atë çdo ditë në të tjera gremina nga më të ndryshmet, ai person nuk mundet kurrsesi të qëndrojë në këmbë në ato pika të rrezikshme. Rrëzohet e merr fund.

Duhet me qenë usta e i zoti, ashtu si kovaçët e zotë që mbajnë hekurin nga ana e nxehtë e tij, ose si furrtarët e zotë që nuk i ngjitet brumi asnjëherë në dorë. Ejani dhe bëhuni edhe ju ustallarët e këtij profesioni dhe ngjitini majat më të larta të tij. Muhjidin b. Arabiu, duke ecur rrugëve të Shamit shikon një person të varur. Pyet ata që kishte përreth për krimin e tij. “Pije, imoralitet, vrasje…të gjitha i kishte kryer dhe erdhi dita që e varën”, - i thanë. Dijetari vrapon dhe puth këmbët e kriminelit, sepse kishte ngjitur majat në profesionin e tij. A nuk duhet edhe ne të jemi të tillë? Të bëhemi ustallarët e profesionit tonë?

Si përfundim; a kam unë të drejtë për një qortim kaq të thellë? A e merituat vallë ju këtë? Nuk e di, por nëse dëshironi, këtë më mirë faljani ashpërsisë sime ose nevojës për t’u shprazur. E nëse dëshironi, konsiderojeni si një etalon për të bërë një vetëllogari dhe vetëgjykim, të cilën duhet ta kryeni çdo ditë, dhe vendoseni veten tuaj në këtë peshore...

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.