Shpirti i veprimit: sinqeriteti

Fethullah Gylen: Shpirti i veprimit: sinqeriteti

Pyetje: Në një hadith te bekuar, Profeti ynë i nderuar (pqmT) shprehet: “Kini gjithnjë parasysh kënaqësinë e Allahut në çdo veprim tuajin. Sepse Allahu vetëm veprimin e kryer për hir të Tij pëlqen.”[1] Si mund ta përvetësojmë ne këtë vetëdije dhe ndjeshmëri të lartë që i Dërguari i Allahut na e ka shpërfaqur si qëllim në vetvete me fjalët e “të pasurit parasysh të kënaqësisë së Allahut në veprim”?

Përgjigje: Të pasurit parasysh të kënaqësisë së Allahut (xh.sh.) në çdo veprim nga ana e një besimtari të vërtetë që i është dhënë me gjithë zemër Allahut (xh.sh.) do të thotë që ai të mos mendojë për as edhe një çast për veten, pa thënë “fola unë, e bëra unë, e kryeva unë”, madje duhet që t’i fshijë nga mendja edhe ato veprime në kryerjen e të cilave mund të jetë përfshirë. Besimtari nuk mund të kthehet kurrsesi në një llafazan të vetvetes teksa u bën thirrje njerëzve kah e drejta dhe e vërteta; nëse i duhet që të flasë diku në emër të së drejtës dhe të vërtetës, gjithçka që do të nxjerrë nga goja duhet të artikulohet medoemos me zërin e zemrës. Ndërsa kur të arrijë përfundimin, ai nuk duhet t’i atribuojë vetes as grimcën e suksesit të arritur.

Fjalë të vdekura që dalin pa leje prej zemrës

Patjetër që arritja e një vetëdijeje të këtillë nuk është diç kaq e lehtë. Ushtrimi vazhdimisht i vetes përsa i përket fshirjes së vetvetes, duke thënë: “A jam unë, apo jo, në këtë mes?” duhet të arrijë një cilësi të atillë sa njeriu të nisë e të mos e shohë me veten në kryerjen e punëve. Në të kundërt ndikimi i punëve të mbara që do të jenë bërë do të jetë tejet i ngushtë dhe jo aq pjellor sa ç’mund të jetë synuar. Edhe pse mund të bëhet fjalë për një aktivizim, ai ka për të qenë i përkohshëm dhe të gjitha shërbimet e kryera nuk do të premtojnë jetëgjatësi.

Në kohën e profetësisë së profetit tonë, Muhamedit (s.a.s.), nuk këndoheshin ndoshta as një e dhjeta e Kuranit, ezaneve, kameteve të zbukuruara apo sureve Ihlas për ta përgatitur përgatitur xhemaatin për në namaz që këndohen sot. Sot, duket sikur zërat e ezanit që shpërndahen nga minare të ndryshme do ta tundin vendit çdo copë të rruzullit. Në kursitë e xhamive, në ekranet e televizioneve mbahen fjalime të vyera ku këshillohen njerëzit. Mirëpo, prapëseprapë, të gjitha këto nuk lënë gjurmën që duhet të lënë në zemrat e njerëzve, me një fjalë, njerëzit nuk arrijnë t’i drejtohen dot Zotit ashtu siç ndodhte në Kohën e Lumturisë. Sepse fjalët që dalin prej gojës nuk kanë kaluar njëherë përmes zemrës. Nëse një njeri e mban mendjen tek madhështia e vet edhe kur thotë se “Allahu është më i madhi”, duke shprehur njëfarësoj po vetveten; nëse flet për Allahun (xh.sh.) dhe të Dërguarin e Tij (s.a.s.) dhe tregon se sa mirë di ai vetë të tregojë rreth tyre, atëherë kjo do të thotë se ai është duke artikuluar një gënjeshtër të mbuluar.

Thellësia në besim

Kjo gjendje përbën një rrezik tejet serioz për njerëzit që e kanë lidhur zemrën e tyre me shërbimin e besimit dhe Kuranit. Nëse deri më sot është bërë si është bërë dhe disa punë janë realizuar si janë realizuar, nëse nuk është arritur që të përftohet një bërthamë e qëndrueshme, atëherë ajo që duhet bërë me përparësi është të rikthehemi edhe njëherë kah vetja, duke u përpjekur që ta rehabilitojmë sërish veten përsa i përket thellimit në besim. Kjo ka qenë e qenësishme në moralin dhe botëkuptimin e sahabëve. Sepse, kur takoheshin, ata i thoshin njëri-tjetrit: “Pa eja, t’i besojmë bashkë edhe një orë Zotit.”[2] Me një fjalë, “besimi që kishim deri sot kushte një domethënie të caktuar për jetën tonë, mirëpo mund të mos na premtojë asgjë për nesër. Kështu që, eja ta kontrollojmë edhe njëherë veten.” Nëse do ta shohim me kujdes, sahabët kanë përdorur shprehjen “eja t’i besojmë edhe një orë Zotit” dhe jo “të besojmë edhe njëherë”. E kuptimi i kësaj ishte i njëjtë me këshillën që i Dërguari i Allahut (pqmT) i pati dhënë Ebu Dher el-Gifarit (r.a.), duke i thënë: “Kontrolloje edhe njëherë dhe riparoje anijen, sepse deti është tejet i thellë.”[3] Me një fjalë, çdo ditë e re do të thotë të hapesh drejt thellësish të reja.

Njeriu, njësoj siç vepron me automjetin e tij kur do të niset për rrugë, duke e kontrolluar mirë e mirë në të gjitha pjesët e tij, nga motori e deri te gomat, poashtu duhet të kontrollojë vazhdimisht edhe anët e tij të besimit që kanë nevojë për t’u restauruar, në mënyrë që të mos të ketë asnjë të metë në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive që ai ka karshi Allahut (xh.xh.). Me pak fjalë, duhet ta rifreskojë besimin e tij çdo ditë, duke u përqendruar edhe më thellë mbi të. Sepse njeriu që hapet përnjëherësh në detin e kësaj jete, i cili është shumë i thellë, mund të mbytet nga çasti në çast. Kur ç’është e vërteta atë e pret një rrugëtim tejet i gjatë që nis me jetën e varrit e përfundon me përjetësinë në Xhenet ose në Xhehenem. Kështu që, kur i vihet një rrugëtimi të këtillë, të cilin nuk e njeh me të gjitha imtësitë e tij, duhet të dijë të përgatitet mjaft mirë.

Profeti ynë i nderuar (r.a.) i është referuar një udhëtimi tejet të gjatë kur ka këshilluar në vijim: “Merr ushqim të mjaftueshëm me vete[4], sepse padyshim që udhëtimi është shumë i gjatë.” Dhe ushqimi që duhet të ketë marrë me vete njeriu duhet të jetë aq i pasur, sa që të mund ta kalojë atë përmes urës së Siratit dhe të mund të bëhet shkas për hyrjen e tij në Xhenetin e mashuar. Ura e atjeshme e Siratit nuk i ngjan urave që njohim ne prej kësaj bote. Mund të mos jetë e mundur që ta kalosh nga njëra anë në tjetrën veçse me një lëvizje apo të hedhur të vetme. Nëse do të lexohen me kujdes fjalët e hadithit të bekuar profeti, ndoshta ai ka për të qenë një rrugëtim po aq i gjatë sa ai i jetës në këtë botë. E hyrja e njeriut në amshim varet pikërisht prej kalimit përmes kësaj ure.

Përveç përgatitjes së një ushqimi të mjaftueshëm, njeriu duhet t’u rrijë larg çdo lloj gabimi apo mëkati që mund t’i kthehet në trajtën e barrës gjatë kalimit përmes kësaj ure. Dhe edhe këtë përmbajtje, Profeti ynë i nderuar (s.a.s.) e ka shprehur me fjalët: “Mbaje sa më të lehtë shpinën prej barrës së kësaj bote, sepse tatëpjeta që do të ngjisës ka për të qenë mëse e thepisur.” Pra, njeriu duhet të përpiqet që të mos hyjë në botën e varrit, në ditën e gjykimit apo në urën e Siratit me një barrë të rëndë llogarish të mbyllura prej jetës së kësibotshme.

Në fund të këshillës që i jep Ebu Dherit të nderuar (r.a.), i Dërguari i Allahut (pqmT) i thotë atij: “Ji i sinqertë në veprimet e tua dhe mendo vetëm Atë. Sepse Zoti yt që e sheh çdo gjë mjaft mirë dhe e vlerëson drejt është në dijeni të çdo gjëje që bën ti.” Nëse do ta shprehnim këtë me fjalët e Bediuzamanit, atëherë do të thoshim kështu: “Veproni në emër të Allahut, takohuni në emër të Allahut, punoni në emër të Allahut. Veproni vetëm për Allahun, në emër të Allahut, për hir të Allahut.”[5] Sepse Ai që vlerëson dhe kritikon çdo veprim tuajin dhe që u jep atyre vlerën që u takon ju sheh në çdo çast. Asnjë veprim i juaji nuk mund të jetë i fshehtë prej Tij. Ai është në dijeni të gjithçkaje tuajën.

Llogari gjatë gjithë kohës

Ja, kështu do vlerësuar jeta në këtë botë. Kjo është një çështje jetike për të cilën nuk mund të mendohet, as shyrja për më vonë, as përgjumja, as harresa e as shpërfillja. Siç e thotë edhe Esued ibni Jezid en-Nehaiu, një prej miqve të Zotit: “Nuk është aspak ashtu siç mendoni ju; është shumë shumë serioze!”[6] Pra, kjo nuk është një çështje e thjeshtë dhe e rëndomtë, për t’u nënvlerësuar apo për t’iu lënë në dorë rastësisë. Sepse këtu bëhet fjalë për të shpëtuar ose jo nga një ndëshkim i përjetshëm. Ndaj duhet që njeriu ta vlerësoj pikërisht kësisoj, me një vetëdije të këtillë, namazin e tij, agjërimin dhe adhurimet e tjera karshi Allahut (xh.sh.). E ndërsa i kryen të gjitha këto duhet ta kontrollojë pandërprerë veten.

Kështu që, nëse gjatë shpjegimit të një çështjeje të caktuar, njeriu thotë: “Zoti më bëftë që të them veç të vërtetën, të shprehem saktë, t’u falë ndikim fjalëve të mia dhe t’i bëjë ato që të hyjnë lehtësisht në zemrat e njerëzve.” – kjo është vetëm një anë e çështjes. Çlirimi i kësaj çështjeje prej egoizmit dhe kryerja e saj me sinqeritet i përkasin një tjetër dimensioni të saj. Nuk do harruar kurrë, që fjalëve të mësipërme t’u shtohen edhe këto: “O Zot, bëj që fjalët e mia të dalin vetëm ashtu siç e kërkon kënaqësia Jote!” Me fjalë të tjera, lutja me përgjërim e Musait (a.s.) që na mëson Kurani Fisnik - “O Zot! Zgjeroma mua zemrën dhe lehtësoma punën. Zgjidhma gjuhën që të më kuptojnë njerëzit.”[7] – duhet të kthehet në një përmendje të pareshtur për ne. Mirëpo, krahas kësaj, nuk duhet të harrojmë assesi që të shtojmë edhe: “Bashkë me kënaqësinë Tënde, o Zot!”

Përfaqësues si përmendore të sinqeritetit

Nëse do ta shtjellojmë disi më tej këtë çështje, njeriu duhet të gjejë përherë brenda vetes guximin për të thënë: “Thelloji të thënat e të bërat e mia me kënaqësinë Tënde, o Zot! Kurorëzoji ato me pëlqimin Tënd! Falu atyre thellësi të pamata me shikimin, ndihmesën dhe mbështetjen Tënde! Në të kundërt, unë jam një kalimtar dhe, kur të kaloj në amshim, gjithçka do të ketë përfunduar. Ç’kuptim ka, nëse nuk gjendesh Ti në ato gjëra që unë mund t’i bëj edhe pesëdhjetë a njëind herë në ditë!”

I ndjeri Nureddin Topçu i quante “llomotitës” të gjithë ata që e shprehnin veten duke kënduar meulide, naat-e apo lutje të rralla. Sepse ai ka qenë përherë i prirur kah sinqeriteti dhe e theksonte vazhdimisht domosdoshmërinë e tij. Po i tillë, marramendës, është edhe qëndrimi i Bediuzamanit në këtë pikë. Ai nuk pati dashur asnjëherë të pranonte diçka që nuk ishte e sinqertë; e pati refuzuar menjëherë çdo gjë që nuk buronte prej thellësive të zemrës, madje edhe duke e përbuzur. Dhe sot ka më shumë se kurrë nevojë për një duzinë përmendoresh të tilla të sinqeritetit. Ata janë që mund t’ia ndryshojnë çehren botës së sotme. Edhe pse mund të vërehet një përparim i ngadaltë dhe i përkohshëm, deri më sot nuk është parë kurrë që ata që e kryejnë detyrën dhe i përmbushin përgjegjësitë e tyre në këmbim të rrogës, të vlerësmit apo duartrokitjes të kenë arritur ndonjë gjë të qëndrueshme e jetëgjatë. Po, edhe pse mund të duket sikur kanë një ndikim të përkohshëm, njerëzit që e trajtojnë jetën brenda kornizës së të kësibotshmes, që e lidhin çdo gjë pas vlerësimit, lavdërimit, duartrokitjes, përfitimeve dhe interesave nuk do të mund të realizojnë dot ndonjë gjë jetëgjatë, siç nuk e kanë bërë dot gjer më sot.

Të gjithë ata që erdhën pas të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe Kalifëve të Tij të Mëdhenj, si Emevitë, si Abasitë, si Harzemlijtë, si Ejubët, si Selçukët, ashtu edhe Osmanët, i kanë ofruar shumë shërbime Islamit. Secili prej tyre ka kryer detyrat e veta si një përfaqësues i epokës së trëndafiltë në një periudhë të caktuar të historisë e mandej kanë fluturuar kah horizonti i shpirtrave, duke u kthyer kështu në nga një emër që do të përmendet përjetësisht për mirë. Mirëpo asnjëri syresh nuk pati arritur dot sukseset e Kalifëve të Mëdhenj. Dhe shkaku i kësaj është pikërisht sinqeriteti dhe përshpirtmëria aq e thellë e marramendëse e tyre. Sot, kur njerëzimi i është dhënë tërësej formës, dukjes, populizmit, duartrokitjeve dhe pohimeve të tepruar, bota ka më shumë se kurrë nevojë për një të jetuar të sinqertë të Islamit, për një përfaqësim sa më të përzemërt të tij dhe përfaqësim sa më të denjë në çdo aspekt të jetës së përditshme.

[1] Shih: ed-Darakutni, es-Sunen 1/51; el-Bejhaki, Shuabu’l-iman 5/33.
[2] Ahmed bin Hanbel, el-Musned 3/265; Ibni Haxher, el-Isabe 4/83.
[3] Ed-Dejlemi, el-Musned 5/339.
[4] Shënim: Bëhet fjal
[5] Bediuzaman, Shkrepëtimat, fq. 21, Shkrepëtima e tretë, Kreu i tretë.
[6] Ebu Nuajm, Hiljetu’l-eulija 2/104.
[7] Taha, 20/25-27.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.