Drejt botës sonë

Në epoka të ndryshme, në pjesë të ndryshme të botës, shumë njerëz kanë dalë me tezën e reformimit dhe rindërtimit nën emra dhe tituj të ndryshëm. Pretendime të tilla kanë qenë gjithmonë kontradiktore, me një përjashtim i cili përqafon gjithë krijimin, realitetin e fshehur që gjendet pas tij, njerëzimin dhe jetën. Kjo është pa dyshim bota jonë, veçanërisht kur shihet nën dritën historike.

Pas shumë periudhash të gjata krize dhe depresioni, pavarësisht gjithë periudhave të izolimit, ky popull është akoma në gjendje të përjetojë një rigjenerim. Ai e ka akoma potencialin për të realizuar një rilindje të re dhe ka grumbulluar dije të mjaftueshme për të udhëhequr rreth tij të gjitha formacionet e reja. Për më tepër, ai zotëron epërsinë e pranimit të pavullnetshëm nga njerëzit me të cilët ka ndarë historinë, një pozitë udhëheqëse e cila mund të përdoret përsëri në të ardhmen. Ai është i plotësuar dhe i mjaftueshëm, me përfaqësues nga të gjitha fushat për sa kohë që ai mund të përdorë në kohën dhe vendin e duhur edhe një herë tjetër forcën udhëheqëse e cila përbënte shpirtin dhe jetën e një të shkuare kaq të gjatë e të lavdishme.

Dikur, pothuajse në çdo shkencë, si natyrore, ashtu dhe fetare, kombi ynë qëndronte në ballë të epokës. Këto shkenca shtriheshin që nga sufizmi (tasavufi) tek logjika, nga planifikimi urban tek estetika, të mbushura me gjeni të mëdhenj të cilët studionin natë e ditë fenomene natyrore dhe shoqërore si Harizmi, Biruni, Ibn Sina, dhe Zehraviu; të tjerë që interpretonin çështjet e ligjit dhe jurisprudencës islame si Ebu Hanife, Imam Muhamedi, Serahsiu, dhe Merginani, talentet e tyre i tejkaluan normat njerëzore dhe e mundën logjikën me logjikë dhe zemër, duke jetuar jetët e tyre me ndërgjegje të pastër si Imam Gazali, Fahredin Razi, Mevlana Xhelaledin Rumi, Shah Nakshibendi, me heronjtë e arsyes dhe inteligjencës si Imam Maturidi, Taftazani, Sejid Sherifi e Devani, dhe me gjeni të tillë si Arkitekt Hajredini, Arkitekt Sinani, Itri dhe Dede Efendi. Aktualisht, duke mobilizuar gjithë mendjet dhe shpirtrat e tij të ndritur, kombi ynë mund ta realizojë në një kohë të shkurtër një rilindje të dytë, apo të tretë. Kjo mund të arrihet duke nisur me njohjen e shpirtit dhe thelbit të Islamit, duke shkuar drejt riinterpretimit të gjithë ekzistencës, duke rendur nga klima e pakufishme hyjnore e rrugës sufi, drejt metafizikës universale, me anë të vetëllogarisë dhe vetëkontrollit islam, por dhe të vigjilencës, kujdesit dhe vetëpërmbajtjes, cilësi të cilat e bëjnë njeriun të arrijë vlera të larta, nga qytetet dhe zonat urbane në të cilat bota jonë e brendshme gjen prehje dhe ku mund të marrim frymë lirisht, duke vazhduar me estetikën dhe të bukurën, të cilat duhet të jenë pronë e të gjithëve, me artin që e zbukuron thelbin dhe realitetin kudo, duke kërkuar përjetësi tek kënaqësia që të jep. Duke u bërë gjithmonë e më i kapshëm, gjithmonë e më i bukur dhe i integruar, duke u bërë gjithmonë e më tepër i afërt me të padukshmen dhe duke shfrytëzuar të gjitha potencialet në fushat e lartpërmendura, ky komb mund të çelë një kapitull të ri. Megjithatë, një detyrë e tillë madhore nuk është e lehtë të përmbushet…

Për shumë vite, jeta jonë shpirtërore ka qenë venitur në një shkallë të gjerë, bota jonë fetare e humbi funksionin, gjuha e zemrës sonë ka qenë e lidhur duke i bërë njerëzit ta harrojnë gjallërinë, dashurinë (ashk) dhe euforinë (vexhd), ne i kemi shndërruar në perverse të gjitha mendjet të cilat zhyteshin në të lexuarit dhe të menduarit sipas pozitivizmit të egër, fanatizmi zuri vend duke zëvendësuar forcën e karakterit, fuqinë e fesë dhe ruajtjen e së vërtetës, edhe duke kërkuar jetën e pasosur dhe parajsën, lutësit me mentalitet të ç’rregulluar përfytyruan modele të lumturisë së zakonshme të kësaj bote. Prandaj, është e pamundur të hapet një kapitull i ri pa ç’rrënjosur më parë jashtë vetes sonë mendime të tilla të pabaza dhe ide të tilla të mbrapshta.

Kjo s’do të thotë se marrëzia që ka pushtuar shpirtrat tanë për shekuj me radhë s’do mund të ç’rrënjoset. Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet pa e larguar veten nga kthetrat e veseve, të cilat përbëjnë arsyen e vërtetë të dështimit dhe shpërbërjes së një populli si: lakmia, dembelizmi, ambicia për famë, lakmia për pozitë, egoizmi dhe mendjelehtësia, dhe pa vendosur në vendin që u takon virtyte të tilla si fryma e përmbajtjes, kuraja, modestia, kryeultësia, altruizmi, spiritualiteti, mëshira dhe mirësia, të cilat janë të gjitha pjesë e thelbit dhe të vërtetës së Islamit. Pa drejtuar popullin drejt së vërtetës, pa pastruar dhe reformuar atë me ndjenjën e saj dhe pa bërë të mundur shkaqet e kuptimit të dobisë së ruajtjes së këtyre vlerave në shoqëri, do të jetë krejtësisht e pamundur të përfshihesh drejt rrugës së drejtë dhe ditëve të qeta.

Megjithatë, ky objektiv nuk është krejtësisht i pamundur. Në qoftë se do të kemi mes nesh heronj, të cilët janë luajalë ndaj realitetit thelbësor të Islamit dhe me vullnet të hekurt për ta përqafuar epokën në të cilën jetojmë duke përmbushur edhe kërkesat e saj, kjo rilindje dhe ky ndryshim, do të ndodhë me siguri. Në fakt, mes nesh ekzistojnë mjaft heronj të tillë, ndaj mendoj se transformimi sipas modelit të Kuranit dhe temperimi sipas ligjeve natyrore do të jetë i mundur. Kjo do të ndodhë në atë mënyrë që edhe ata të cilët janë pranë këtyre idealeve, por edhe masat e njerëzve që ngulin këmbë për të qenë pjesë e këtij mekanizmi, nuk do të mund ta shmangin atë. Të gjitha periudhat e rilindjes në botë kanë ardhur si rezultat i përpjekjes dhe punës së një grupi të vogël individësh gjenialë të konsideruar si arkitektët e tyre, ato nuk kanë ardhur si pasojë e përpjekjeve dhe lëvizjes së masave. Ashtu si në vitet e para që pasuan ardhjen e Islamit, disa momente rilindjeje dhe ndryshimesh erdhën si rezultat i angazhimit të jo më shumë se një duzine shpirtrash të jashtëzakonshëm, inteligjencës dhe ideve të tyre, shpirtra të cilët ishin rritur gjatë periudhës së Emevive dhe Abasive. Kështu ka ndodhur edhe në periudhat e mëvonshme. Po kaq të gjera ishin mendjet dhe shpirtrat e njerëzve të ndritur që qëndronin pas lëvizjeve centrifugale dhe rilindjeve të përjetuara gjatë periudhës së Ilhanëve, Karahanëve, Selxhukëve dhe Osmanëve. Rrugët e hapura nga shpirtra të tillë udhërrëfyes, të cilët buruan nga një vetëdije e plotë shpirtërore pothuajse në çdo epokë, duke u shndërruar me kalimin e kohës në shkolla mendimi, të cilët injektuan shpirtin e rindërtimit dhe reformimit tek masat e njerëzve. Gjithashtu, ata të cilët i pasuan këta njerëz, i ndoqën udhëzimet dhe idetë e tyre, duke u bërë pjesë e kësaj klime ndriçimi. Udhëheqës të tillë të mëdhenj u bënë frymëzimi dhe shpirti i popullit dhe jetuan me ta në po atë dimension shpirtëror. Megjithatë, gjatë periudhave, kur mendje të tilla të ndritura nuk ishin më dhe kur njerëzit me cilësi të mira nuk ishin ngritur në atë lartësi sa të zinin vendin e tyre, e tërë shoqëria u shndërrua në kufomë, idetë u bënë bërsi të kalbura dhe ëndrrat për rilindje u shndërruan në pamundësi.

Tashmë, kur ditët po u rikthehen lulëzimit dhe pengesat po bien një e nga një, ne po mbushemi gjithmonë e më tepër me shpresë duke iu lutur Zotit me fjalët: “Na jep vullnet të mbështetur tek vullneti Yt, i cili të mund të ngrejë statujën e shpirtit tonë, t’i bëjë zemrat tona të gjelbra si shpatet e parajsës dhe bëji shpirtrat tanë të arrijnë sekretet e pjesëve më të brendshme të Shenjtërisë Tënde. Tregoji popullit tonë shtigjet për të rijetuar sipas rrugës së Muhamedit, paqja qoftë mbi të!”

Kërkimi dhe shpresa për një mision të tillë përbën një të drejtë dhe një detyrë tonën, por edhe një rrjedhojë natyrore të besimit tonë. Duke ushtruar këtë të drejtë dhe duke e përmbushur këtë detyrë, ne duhet t’i referohemi vazhdimisht të kaluarës sonë të lavdishme dhe të pajisemi me ato vlera të cilat na ofruan një të kaluar madhështore. Kjo është mënyra me anë të së cilës qytetërimet e tjera kanë ringjallur vetveten. Kur Evropa Perëndimore përjetoi Rilindjen e vet, e cila u bë premisë për ekzistencën e qytetërimit aktual, ajo gjeti mbështetje tek krishterimi, mori për model grekët e lashtë dhe shpalosi vlerat e Romës antike. Duke ndjekur të njëjtën rrugë, bëhet i mundur zhvillimi për çdo qytetërim. Prandaj, ne gjithashtu duhet të kthehemi drejt së kaluarës sonë, atje ku gjenden rrënjët tona të ekzistencës, duke marrë shembuj nga gjerësia e Hyjnores të cilën koha nuk mund ta errësojë kurrë. Që nga mendimi filozofik deri tek e vërteta e sufizmit, që nga pikëpamjet bazë të fesë deri tek dimensioni i saj real, ne duhet të nxjerrim në pah modelet tona që të mundësojmë ardhjen e epokës më të ndritur për të cilën jemi gjithmonë krenarë. Epoka të cilën duhet ta marrim si model konsiderohet epokë e artë e historisë. Tek ajo duhet të endim dantellën e të ardhmes sonë, fije pas fijeje mbi pëlhurën e kohës. Në këtë dantellë, Mevlana Xhelaledin Rumi, do të vijë së bashku me Taftazanin, Junus Emre do të ulet në të njëjtin rresht me Mahdum Kullin, Fuzuli do të përqafojë Mehmet Akifin, Ulug Bej do të përshëndesë Ebu Hanifen, Hoxha Dehani do të ulet gju më gju me Imam Gazaliun, Muhjidin ibn Arabi do të hedhë trëndafila drejt Ibn Sinës, Imam Rabbani do të entuziazmohet prej sihariqeve të Bediuzzaman Said Nursiut. Nga një e kaluar e tillë e lavdishme, me panoramën e saj të gjerë, njerëzit me peshë do të vijnë së bashku dhe do të na pëshpërisin bukurinë e shpëtimit dhe të rilindjes.

Për sa kohë që ne mund të përmirësojmë mendimet, ndjenjat, metodat dhe filozofinë tonë, kjo do të jetë e mjaftueshme për t’i bërë ata bashkë, në mënyrë që të gjejmë atë stilin tonë qiellor e të pavdekshëm që kërkojmë. Kjo është arsyeja, sipas meje, përse duhet që më së pari të riekzaminojmë të gjitha hapat që kemi ndërmend të ndërmarrim, duke i riparuar dhe përforcuar ato përsëri. Gjëja më thelbësore për rilindjen tonë janë frymëzimi dhe efikasiteti i zellit fetar, atmosfera shpresëdhënëse, vendosmëria, maturia dhe mençuria në arsyetim dhe logjikë, qëndrueshmëria dhe humanizmi që do të na garantojë lirinë për të qenë vetvetja, thellësia filozofike, dukuria dhe soditja e abstraksionit në artet dhe filozofinë tonë. Të gjitha këto, duhet të zotërojnë cilësinë e të qenit në thelb logjike dhe të frymëzuara nga Shpallja Hyjnore.

Në këtë rilindje, kënaqësia e Zotit përbën qëllimin final, shpirti ndodhet i pozicionuar mbi trupin, egoja (nefsi) përbën një dinamikë thelbësore e cila do të ndezë ndjenjën e detyrës nën udhëheqjen e zemrës, dashuria për njerëzimin dhe atdheun përbën një pasion të domosdoshëm, ndërsa morali përbën një ushqim udhëtimi jetik që s’mund të braktiset kurrë. Njerëzimi, jeta dhe universi përbëjnë një libër të mistershëm, me kapituj të ndryshëm, fletët e të cilit ne i studiojmë vazhdimisht nëpërmjet prizmit të Kuranit. Njerëzimi përbën një burim kuptimplotë fuqie me karakterin dhe vlerat e tij të vërteta. Qëllimi dhe objektivat duhet të jenë të ndershme, të drejta dhe të shenjta dhe rrugët që të shpien në realizimin e këtyre qëllimeve dhe objektivave duhet të ecin nga Kurani dhe Suneti, sepse këto përbëjnë një barrierë të pazëvendësueshme kundër gabimeve.

Ajo të cilën ne mund ta quajmë një recetë për shpëtimin tonë, konsiston në këto pika të veçanta: përqendrimi i përpjekjeve për të ardhmen e njerëzve dhe vendit tonë, shpenzimi i energjive në ndryshimin e fatit tonë të pafavorshëm të shekullit të fundit, ndërtimin e shpirtit që do të modelojë dhe formojë shoqërinë tonë duke e bërë atë pjesë të jetës dhe trupit tonë, duke kthyer kështu një faqe të historisë së popullit tonë. Këto përbëjnë vetëm disa prej elementeve thelbësore të ëndrrës sonë për qytetërim dhe rilindje, e cila dallohet së tepërmi nga utopia.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.