Nga kaosi, tek rregulli - II

Harmonia ndërmjet krijimit dhe fenomeneve natyrore është e paravendosur. Rregulli midis njerëzve është vullnetar, bazohet në vullnetin e lirë që e ka origjinën tek frika dhe respekti. Rregulli përbën emërtimin tjetër të paqes, kënaqësisë dhe harmonisë shoqërore e po kështu edhe të së ardhmes premtuese. Meqenëse nuk mund të flitet për paqe dhe harmoni në kaos, atëherë nuk mund të bëhet fjalë, as për të ardhmen, apo efikasitetin e veprimeve në rrethana anarkike.

Në pamje të parë, rregulli ngjan të jetë produkt i një vullneti të thjeshtë dhe i mendjeve të izoluara ndaj besimit, por mendja e cila nuk është nën kontrollin e shpirtit, si dhe vullneti i cili nuk është i aftë t’ia presë rrënjët tendencave djallëzore dhe të nxisë prirje për vepra të mira, vështrohet të jetë më afër anarkisë, sesa rregullit.

Çdo krijesë përveç njerëzimit, ka ruajtur gjithmonë rregullin, që kur ka filluar të ekzistojë bota. Një rregullsi magjepsëse mbizotëron kudo dhe mbi çdo gjë, që nga lëvizja harmonike e elektroneve dhe atomeve, e deri tek peizazhi i mrekullueshëm i luleve, që nga balanca dhe harmonia ndërmjet gjallesave dhe jogjallesave, deri tek yjet të cilët xixëllojnë dhe na ndriçojnë duke zgjuar shpirtin poetik dhe emocionet që vijnë nga hapësira e pamasë, drejt e në zemrat tona, që nga domethënia që shprehin lulet, gjethet dhe degët e pemëve, deri tek jeta që lulëzon me vitalitet brenda dhe jashtë tyre.

Nëse ndërgjegjja e vëzhgon dhe e vlerëson librin e krijimit për një çast, ajo vëren dhe percepton rregullin dhe harmoninë që mbizotëron kudo, bukurinë magjepsëse dhe pasurinë vetëfrymëzuese të thelbit të gjithçkaje. Që ta kuptosh këtë nuk ka nevojë për ndonjë ndjeshmëri aq të thellë. Edhe një zemër me një ndjeshmëri të vogël dhe të kufizuar, mund ta ndjejë, përjetojë dhe perceptojë këtë poemë të recituar dhe të kënduar me notat dhe akordet e pafundësisë, në çdo formë, përmasë, ngjyrë, zë dhe tingull, që nga cicërima e gëzueshme dhe harmonike e zogjve e deri tek bubullima e frikshme dhe e tmerrshme që sjellin vetëtimat ndriçuese, që nga lulet delikate shumëngjyrëshe dhe të mrekullueshme e deri tek drita misterioze e yjeve dhe qiellit. Ndaj, ata të cilët janë një hap përpara të tjerëve, ata që dinë, i vëzhgojnë këto fenomene me anë të fizikës, kimisë, biologjisë dhe astrofizikës. Që nga thellësitë frymëzuese të detit, nga valët e tij të potershme, deri tek qetësia e freskët e lirishtës parajsore të pyllit, nga pamja madhështore e kodrave, deri tek majat e magjishme, të paarritshme dhe të pakapërcyeshme të maleve, nga burimi dhe rrjedhja e vazhdueshme e ujit, deri në thellësitë e qiellit, që shtrihet drejt pafundësisë, gjithçka flet për rregull dhe harmoni dhe i bën jehonë kuptimit të gjerë të shpirtit të krijimit.

Kështu, nëse rregulli qëndron kudo dhe në gjithçka, atëherë nga na erdhi ky kaos, të cilin ne e quajmë edhe çrregullim, rrëmujë dhe paligjshmëri? Bota e njohu kaosin dhe imoralitetin që qëndron pas tij, prej qenieve njerëzore, qenieve të cilat nuk ia dorëzuan mendjen e tyre Zotit, të cilat nuk ishin të aftë t’i vinin fre egos së tyre dhe t’i orientonin ndjenjat drejt së mirës. Njerëzit janë krijesa të ndjeshme ndaj një shkalle të gjerë lakmish dhe ata dëshmojnë një numër të madh dhe një shumëllojshmëri boshllëqesh në krahasim me krijesat e tjera. Ndjenjat e shkatërrimit, të anarkisë dhe vorbullave të çrregullimit, manifestohen në frekuenca të ndryshme në pothuajse çdo dobësi tonën si: lakmia, ambicia, zemërimi, urrejtja, keqdashja, dhuna dhe zilia. Është e pamundur për njerëzimin që ta shpëtojë veten nga rrjedhojat negative të këtyre veseve, pa zotëruar më parë kontrollin e gjithë këtyre ndjenjave djallëzore. Kjo mund të arrihet vetëm kur të kultivohet virtyti, fisnikëria dhe edukata. Ne nuk mund ta shpëtojmë veten, derisa të mos forcojmë dhe konsolidojmë ndjenjat tona humane, derisa të mos i themi, “po”, me ndërgjegjen tonë një “kontrate të heshtur shoqërore”. Këtë do ta arrijmë duke vlerësuar ekzistencën e të tjerëve gjatë ushtrimit të ambicieve, dëshirave, gëzimit, shqetësimit, lirisë dhe të drejtave tona.

Edukimi, i cili do ta ngrejë njerëzimin nga shkalla e njerëzimit potencial, në nivelin e njerëzimit të vërtetë, duhet të priret drejt Hyjnores dhe nga Hyjnorja. Ai duhet të bazohet në dhuntitë dhe talentet me të cilat jemi bekuar nga Zoti. Kultura jonë duhet të ushqehet nga trëndafilat e rritur në kopshtin tonë dhe me nektarin që buron nga thelbi dhe rrënjët tona shpirtërore. Kështu nuk do të lindë ndonjë kundërshti nga ndërgjegjja kolektive, apo nga verdikti i historisë. Kontrata shoqërore duhet të realizohet sipas kushteve dhe kërkesave të kohës dhe brenda kornizës së lirive dhe të drejtave të nivelit më të lartë, në mënyrë që qarqet dhe sektorët e ndryshëm të shoqërisë të mos e humbasin forcën, autoritetin, respektin, kredon, vetëvlerësimin, apo vlerën nominale brenda lëmshit të kundërshtimit, e as të mbyllen brenda rrethit vicioz të neutralizimit të njëra-tjetrës nëpërmjet kontradiktave. Ajo që ne nënkuptojmë me këtë kontratë, nuk është një kontratë kolektive e hedhur në letër me gjithë ato firma njerëzish që zbukurojnë fundin e faqes, por e tillë që të ketë lidhje dhe të përmbajë respektin për konceptin e lirisë dhe të drejtave dhe nga dashuria për të vërtetën nga ana e njerëzve, të cilëve u janë zgjuar vlerat njerëzore në ndërgjegjet e tyre. Kufijtë dhe korniza e kësaj kontrate përcaktohen me anë të strukturës së zemrës së individëve, gjerësisë së shpirtit të tyre, si dhe të kuptuarit që feja dhe ajo çfarë besojnë ata përbën një dispozitë, apo një pjesë të natyrës së tyre. Kjo është arsyeja përse kontrata e ndërgjegjes së çdo personi i korrespondon nivelit të tij të ndjenjave njerëzore. Një bashkësi e cila përbëhet prej individëve të pjekur, që kanë shmangur dëshirat trupore për hir të jetës së tyre shpirtërore, përbën një shembull të shkëlqyer të asaj çka thamë më sipër. Një rregull i tillë në botën njerëzore është i qëndrueshëm dhe premtues për të ardhmen, sepse ai përbën një përmasë të harmonisë universale që rrethon gjithë krijimin.

Në botën tonë, shteti është si kapiteni në timonin e anijes, ekuipazhi i saj presupozohet i përbërë prej njerëzish me merita, virtyte dhe moral. Detyra e kapitenit është të bëjë më të mirën për të nxjerrë në pah cilësitë e ekuipazhit, nën autoritetin e tij, të vendosë harmoninë dhe mirëkuptimin ndërmjet tyre dhe përputhjen me ligjet e universit, duke bërë që anija të arrijë në destinacion, pa u përplasur me dallgët e egra të ngjarjeve. Ashtu siç nuk mund të krijohet një shoqëri e shëndoshë dhe një shtet i përkryer nga një bashkësi me anëtarë të privuar prej virtyteve dhe të cilët zhgërryhen në moçalet e imoralitetit, ashtu do të ishte ide e gabuar dhe zhgënjyese që masat popullore të zhytura në rrëmujë dhe kaos, të sulmuara nga të gjitha anët prej sëmundjesh shpirtërore, të sillnin të ardhmen e ndritur. Prandaj, është një supozim, një iluzion dhe një ngushëllim i gabuar dhe i pabazë shpresa për arritjen e diçkaje që ka kuptim ta emërtosh, si arritje në fushat e administrimit dhe sigurisë nga masat e gjera të njerëzve, thjesht për shkak të fatit të tyre të verbër, pavarësisht i çfarë forme është ai. Si autoriteti, ashtu dhe shteti mund të rivendosen vetëm duke piketuar një ideal të lartë i cili do të marrë shtat dhe do të ruhet brenda shoqërisë, duke planifikuar gjithçka në përputhje me këtë ideal dhe nëse mund të flitet për përpjekje, apo veprime, ato duhet të jenë të tilla që të burojnë nga “i Vetmi.”

Çdo individ dhe çdo njësi vitale duhet të planifikohen dhe të përgatiten për të mbartur mbi supe, apo për të ngritur lart gjithë popullin në majat më të larta, në mënyrë që interesat e vogla, skemat dhe llogaritë brenda planeve individuale, të mos mund ta prishin harmoninë e përgjithshme dhe për rrjedhojë, të mos lindin grupe dhe qarqe të ndryshme, të cilat pastaj rriten, përplasen dhe shkrihen në dëm të njëri-tjetrit, si valët e detit. Dikur, kur shpirti i Islamit mbizotëronte mbi tërësinë e jetës, ky objektiv ishte përcaktuar dhe vendosur aq mirë, saqë pjesëtarët dhe njësitë të cilat ndërtonin shoqërinë ishin shndërruar gjithsecila në një kolonë rregulli, ndaj ecja drejt majës u arrit brenda rrjedhjes natyrore të jetës.

Dhurata më e madhe e brezave të sotëm për botën e së nesërmes është të vepruarit dhe të rishikuarit e idesë sonë në lidhje me rregullin, rigjallërimi i besimit se harmonia Hyjnore brenda krijimit, do të mbartet tek bota njerëzore nëpërmjet vullnetit tonë, duke vendosur në këtë bosht balancën midis kombeve. Për një mision të tillë, kaq të rëndësishëm, unë besoj se do të vërejmë edhe njëherë, se si vullneti ynë për të vendosur dhe siguruar vendin tonë të merituar në praninë e Zotit, do të bëjë që ne të përcaktojmë objektivat për njerëzit dhe kombin tonë, të konsolidojmë gjykimin, vijueshmërinë, strategjinë dhe rregullat, duke realizuar, apo sjellë në jetë dinamika të cilat tashmë ne i zotërojmë.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.