Njerëzit e devotshëm: Arkitektët e shpirtrave tanë

Megjithëse disa njerëz sot i përçmojnë vlerat morale, thellësinë e brendshme të qenies njerëzore si dhe rëndësinë e të jetuarit me zemër dhe shpirt, s’ka dyshim se rruga e njerëzimit të vërtetë kalon nëpërmjet këtyre. Nuk ka rëndësi se çfarë mund të mendojnë disa njerëz, zbatimi i suksesshëm i këtyre prirjeve jetësore ofron zgjidhjen e vetme që mund ta shpëtojë njeriun e ditëve tona, i cili është goditur nga streset shoqërore, ekonomike, politike e kulturore. Ky deformim është shkaktuar nga një sulm i rreptë krizash dhe presionesh të cilat e kanë prekur njeriun e ditëve tona gjithandej. Prandaj, një mision vital mund të përmbushet vetëm me anë të personave të devotshëm, të cilët kurrë nuk mendojnë për veten e tyre, me përjashtim të rasteve kur ata e shohin shpëtimin e vet nëpërmjet shpëtimit të të tjerëve.

Në këndvështrimin tonë, që shpresoj se shpreh edhe këndvështrimin e gjithë atyre që synojnë të jenë myslimanë të vërtetë, shpëtimi në sytë e Zotit varet prej zellit, përpjekjeve dhe vendosmërisë për të qenë një shpëtimtar. Shpëtimi dhe siguria jonë në të ardhmen e afërt dhe të largët ka të bëjë me shndërrimin tonë në vendstrehim, apo faltore për shpirtrat e tjerë, në injektimin e fuqisë brenda vullnetit të të tjerëve dhe në gjallërimin e zemrave të tyre. Ne gjithmonë dëshirojmë të jemi mes atyre të cilët vihen përballë dhe luftojnë me zjarrin dhe të cilët i kthejnë shpinën interesave personale. Morali i sjelljeve dhe i veprimeve tona ka lidhje të drejtpërdrejtë me ndjenjën e përgjegjësisë e cila është idealizuar në shpirtrat tanë.

Një shpirt me të tillë përgjegjësi, një vendosmëri e tillë e lartë kontributi dhe një vullnet i tillë që prin drejt së mirës, që i kalon pothuajse përherë kufijtë e individualitetit, formon bërthamën e rregullit që përqafon tërësisht ekzistencën që konsiderohet edhe si burimi më domethënës i paqes universale. Njerëz të tillë janë gjithashtu burimi kryesor i shpëtimit tonë, si dhe zëri më efikas dhe gjuha më elokuente që do t’i shpallë njerëzimit shpirtin dhe thelbin, apo realitetin për të cilin ai ka nevojë.

Ata që i kanë kthyer shpinën ekzistencës si tërësi dhe rregullit të përgjithshëm dhe që kanë tretur gjithë jetën e tyre brenda labirinteve të errëta të egos, nuk kanë arritur tek shpëtimi, përkundrazi, janë bërë shkak që edhe njerëzit e tjerë të cilët i kanë vlerësuar ata, të shuhen nga pikëpamja shpirtërore. Periudhat gjatë së cilave njerëzimi ka bërë progres kanë qenë gjithmonë ato kur ka ecur dorë për dore me ekzistencën. Në kohën tonë, ata që synojnë të ecin drejt së ardhmes, duhet të braktisin egoizmin dhe të bëjnë përpara me zemër të plotë, dorë për dorë me çdo gjë dhe me çdo person. Vullneti dhe idealet do të zbulojnë vlerën e tyre të vërtetë, për sa kohë që ato të kenë pas mbështetjen e sinqertë të trupave, si dhe zellit të përbashkët, përpjekjet dhe ndërgjegjen kolektive. E vetmja rrugë për t’u bërë një bashkësi e shëndoshë duke qenë ende një individ, për t’u bërë det duke qenë ende një pikë uji, me një fjalë, për të arritur pavdekësinë, e vetmja rrugë për t’i bërë të tjerët të jetojnë dhe të lulëzojnë, si dhe për të jetuar me ta, është të shkrihemi me ta dhe ta mirëkuptojmë njëri-tjetrin, të bëhemi miq, të bashkohemi dhe të integrohemi me ta.

Nga një këndvështrim tjetër, që një njeri të bëhet një qenie e vërtetë njerëzore, në kuptimin e plotë të fjalës, në shkallën që pretendojmë, varet nga qenia e tyre, pra a janë nën komandën e zemrës dhe në dëshirën për të dëgjuar zërin e shpirtit, pavarësisht dëshirave sensuale dhe trupore, pavarësisht dëshirës për të pasur një nivel të përshtatshëm jetese. Pra, nëse njerëzit duan ta njohin vetveten dhe ambientin që i rrethon më mirë, ata, në njëfarë mase, duhet të shikojnë gjithçka dhe këdo me sytë e zemrës si dhe t’i vlerësojnë dhe t’i çmojnë ata me anë të kriterit të zemrës. Mos të harrojmë se një person i cili nuk ka qenë në gjendje të ruajë sinqeritetin e shpirtit dhe pastërtinë e zemrës, që s’ka mundur të mbetet i pastër dhe i dëlirë si një fëmijë, pavarësisht pasurisë së tij mendore, intelektuale dhe emocionale, pavarësisht sa e gjerë është dija, kultura, apo përvoja e tij, nuk mund të frymëzojë, apo të injektojë besim tek njerëzit, e as të shpresojë t’i bindë ata. Kjo është arsyeja përse kaq shumë njerëz - me përjashtim të atyre që pretendojnë se besojnë dhe binden tek diçka për shkak të frikës, dhunës dhe shtypjes - nuk besojnë, apo i binden politikanëve të caktuar dhe njerëzve të cilët ushtrojnë pushtetin e tyre mbi logjikën, arsyen dhe zemrën. Shpirtrat e dëlirë dhe zemrat e pastra kanë ndjekur gjithmonë idetë e pastra dhe kanë vepruar gjithmonë me ndershmëri. Zemrat e pastra të cilat e kanë ruajtur pastërtinë e tyre natyrore, siç nënvizohet në disa fjalë të bekuara, konsiderohen si vendi që i përket Atij dhe ku Ai është i njohur si një thesar i fshehur. Të vërtetat hyjnore mund të kuptohen dhe të ndjehen përtej çdo sasie dhe cilësie, sipas shkallës së shenjtërisë dhe pastërtisë së atij vendi. Në fakt, ata që thonë “Unë e pashë të vërtetën”, gjithmonë këtë kanë nënkuptuar. Duke mbartur një bërthamë të tuba-i xhenet[1] në zemrat e tyre, këta shpirtra të pastër, kanë arritur kopshtet e parajsës në këtë botë, një vend që, ndoshta, apo me siguri, kushdo do ta shikojë në botën tjetër, ndaj ata e kanë vëzhguar universin në një atom dhe konsiderohen si njerëz të cilët pas kësaj kanë arritur horizontin e shikimit të Zotit.

Një hero i zemrës, siç na ka thënë Kurani dhe i Dërguari i Allahut, është një person i së vërtetës. Ai shikon, mendon dhe vepron me të gjitha shqisat e një ndërgjegjeje të tillë. Qëndrimet dhe veprimet e njerëzve të tillë përftojnë mëshirë, fjalët dhe ligjëratat e tyre përftojnë butësi dhe mirëkuptim, sjelljet e tyre rrezatojnë edukatë dhe mirëkuptim të prekshëm. Ata janë njerëzit e zemrës dhe të së vërtetës. Ata na shpallin dhe na mësojnë sekretet e njohjes dhe të perceptimit të krijuesit nga brenda vetvetes. Ata janë të aftë të shprehin kuptimin e vërtetë dhe qëllimin e Krijimit. Qëllimi përfundimtar i një personi të tillë të devotshëm është i gjerë dhe shumë i përgjegjshëm: mbartja e çdo shpirti drejt jetës së pasosur, të ofruarit e esencës së përjetësisë çdo njeriu si dhe largimi i plotë nga dëshirat trupore, interesat personale dhe planet egoiste për të ardhmen, ata mund të hyjnë si në thellësitë e botës së tyre të brendshme, ashtu dhe të jenë prezentë në botën materiale, të jenë në brendësi të botës së tyre shpirtërore, ose në prezencë të krijuesit të tyre, duke vëzhguar dhe ruajtur kështu të gjitha këto marrëdhënie të ndryshme dhe domethënëse në të njëjtën kohë. Pavarësisht nevojave të tyre materiale dhe fizike, apo varfërisë, ata janë vullnetarë dhe altruistë të mëdhenj, gjithmonë të zënë dhe të preokupuar me planifikimin e lumturisë së njerëzve rreth tyre. Ata gjithmonë punojnë për bashkësinë në të cilën jetojnë, duke zhvilluar projekte paqeje, përparimi dhe mirëqenieje, si një qëndistar i mrekullueshëm që e zmadhon vazhdimisht pëlhurën e tij. Përballë vuajtjeve dhe mjerimit që përjetojnë njerëzit e komunitetit të tyre në veçanti dhe gjithë njerëzimi në përgjithësi, me një zemër të ngjashme me atë të një profeti, ata përjetojnë ethe, dëshpërim dhe brerje ndërgjegjeje.

Ata, pra, luftojnë me të keqen që rrethon popullin e tyre dhe mbarë botën. Duke vepruar kështu, nuk kanë kohë të argalisen me përshkrimin dhe rrëfimin e gjërave boshe dhe të kota, sepse “përfytyrimi i imoraliteteve, prish mendjet e pastra”, por, përkundrazi, tërë ankth dhe me padurim, mundohen të prodhojnë dhe të zbatojnë projekte që u japin zgjidhje çështjeve. Ata janë heronjtë e vendimeve të ngjashme me ato profetike, i përballojnë dhe i kapërcejnë problemet me një dashuri të vërtetë për ndjenjën e detyrës, me një ndjenjë të fortë përgjegjësie dhe ihsani[2]. Një hero i ringjalljes fluturon me krahët e dobësisë, përulësisë dhe varfërisë. Ai është gjithmonë i gatshëm për vepra të reja, i mbushur me zellin ngazëllyes të mirënjohjes dhe duke ndjerë thellë dhimbjen e përgjegjësisë dhe të llogaridhënies për detyrën e madhe të rigjallërimit të harmonisë dhe të vërtetës universale. Kjo përgjegjësi është e tillë sa përfshihet në botëkuptimin individual dhe në vullnetin e lirë, pa e shmangur veten nga përgjegjësitë për krijimin dhe ngjarjet, ndaj natyrës dhe shoqërisë, të shkuarës dhe të ardhmes, të vdekurës dhe të gjallës, të vjetrës dhe të resë, të shkolluarve dhe të pashkolluarve, administratës dhe sigurisë... gjithçkaje dhe çdo gjëje. Dhe sigurisht, ata e ndjejnë peshën e gjithë këtyre përgjegjësive në zemrat e tyre, e ndjejnë vetveten duke u dridhur me furi, të dëshpëruar në shpirt, gjithmonë duke luftuar për vëmendjen e njerëzve. Mua më duket se kjo është pikërisht mënyra e veprimit që i atribuohet të Dërguarve të Zotit. Është kjo devotshmëri që i bën njerëzit të luftojnë për atë çfarë është e vlefshme mbi çdo gjë të çmuar në sytë e Zotit, që i bën të arrijnë nivele të reja shpirtërore dhe afërsi tek Zoti i tyre.

Dhimbja dhe vuajtjet që lindin nga ndjenja e përgjegjësisë, nëse nuk janë të përkohshme, përbëjnë një lutje, një kërkesë e cila nuk hidhet poshtë dhe një burim i fuqishëm për projekte të mëtejshme alternative, duke qenë thirrja më e madhe e ndërgjegjes që ka mbetur e pastër dhe e paprishur. Çdo njeri i shpirtit, ka potencialin të kapërcejë fuqitë e tij dhe të bashkësisë së tij në përpjesëtim me gjerësinë e kësaj dhimbjeje, ndaj ai mund të bëhet një pikë vatërore për fuqinë dhe forcën e brezave të shkuar dhe të ardhshëm. Më lejoni t’ju rikujtoj dallimin ndërmjet atyre që vetëm jetojnë dhe atyre të cilët i bëjnë të tjerët të jetojnë. Ajo që theksojmë vazhdimisht është se ata të cilët e kalojnë jetën e tyre me sinqeritet, besnikëri dhe altruizëm, në kurriz të vetes së tyre që t’i bëjnë të tjerët të jetojnë, janë pikërisht ata që konsiderohen trashëgimtarët e vërtetë të dinamikave historike dhe njerëzit të cilëve mund t’ua besojmë shpirtrat tanë. Ata nuk e kanë si pikësynim dhe dëshirë që njerëzit t’i ndjekin pas. Megjithatë, ekzistenca e tyre përbën një ftesë kaq të fuqishme dhe të pashmangshme, saqë të gjithë rendin pas tyre, kudo që ata të jenë, sikur këta njerëz të devotshëm të ishin një qendër rëndese.

E ardhmja do të jetë fryt i punës së këtyre njerëzve të devotshëm të cilët mund ta përfaqësojnë me dinjitet një mision të tillë kaq domethënës, duke i bërë të njohura përgjegjësitë e tyre dhe duke dëshmuar arritjet. Ekzistenca dhe vazhdimësia e kombit tonë dhe e kombeve të tjera që kanë lidhje me ne, do të mundësohet nëpërmjet mendimeve, frymëzimit dhe arritjeve të një qytetërimi të ri, si dhe me anë të dinamikave të gjera dhe rigjallëruese të një kulture të pasur, të lartësuar në të ardhmen dhe të mbartur mbi supet e këtyre njerëzve të devotshëm. Ata janë të besuarit e të vërtetave sublime dhe trashëgimtarët e pasurive tona historike.

Ajo që është thelbësore e trashëgimtarëve të historisë, është të qenit trashëgimtar i gjithë bagazhit të së kaluarës, të njohur dhe të panjohur, të madh dhe të vogël, dhe përdorimi dhe rritja e mëtejshme e këtij bagazhi, në mënyrë që të prodhohet një përbërje e re, e më pas kalimi i gjithë këtyre mirësive, te brezat e ardhshëm, pronarët e vërtetë. Në qoftë se një person i devotshëm nuk e përmbush detyrën historike të së sotmes dhe të së nesërmes, atëherë ai do të shkatërrojë të sotmen dhe do të gjymtojë të nesërmen tonë. Kjo përgjegjësi është e tillë që, nëse trashëgimtari është përtac, i pakujdesshëm, neglizhent, apo indiferent ndaj kësaj, apo nëse ai kërkon që dikush tjetër ta zëvendësojë, ose kur ai fillon të mendojë për poste më të larta, në vend të detyrave aktuale për arsye të tërheqjes prej bukurive të botës së përtejme, ky person duke vepruar kështu, tradhton kauzën dhe historinë, sepse shkatërron urat lidhëse ndërmjet nesh dhe së ardhmes. Përkundrazi, për të mirën e ekzistencës dhe të vazhdimësisë sonë, është i nevojshëm vitaliteti, vështrimi drejt së ardhmes dhe mendimi i palëkundur se e ardhmja na përket neve. Një këndvështrim i tillë është tepër i rëndësishëm për funksionimin dhe efikasitetin e veprave tona, me qëllim mbahen parasysh të tilla detyra mbi çdo gjë tjetër, ato vihen mbi ndjenjat, mendimet dhe planet tona. Alternativa ndaj kësaj mënyre veprimi është vetëm mosrespektimi i kombit tonë dhe tradhtia ndaj tij. Ne kemi qenë mbështetës të institucioneve tona në çdo fushë të shkencës, artit, ekonomisë, familjes, moralit dhe fesë, duke i përforcuar dhe ngritur ato në nivelet më të larta të gjithë historisë, ashtu siç u takon. Prandaj, ne kemi hedhur sytë përpara për të parë mbërritjen e këtyre njerëzve me vullnet, vendosmëri, përpjekje dhe zell të jashtëzakonshëm.

Ne nuk kemi nevojë për përfitime, ndere, apo ideologji provinciale, apo të huaja. Ne kemi nevojë për shkencëtarë të mendimit dhe të shpirtit, të cilët do të ndjellin tek çdo njeri vetëdijen për vlerën e përgjegjësisë, sakrificës dhe vuajtjeve për të tjerët, të cilët do të mund të na përftojnë thellësi mendore dhe shpirtërore, si dhe sinqeritet të pashoq në vend të premtimeve për lumturi kalimtare, kush të mundet, me një përpjekje të vetme, të na bëjë të arrijmë pikën e vëzhgimit të fillimit dhe fundit të krijimit.

Tani, ne jemi duke pritur me sytë e ngulur drejt pikës se mbërritjes së këtyre njerëzve, të cilët kanë kaq shumë dashuri për përgjegjësitë dhe kauzën e tyre, saqë nëse do të ishte e nevojshme, ata do të jepnin në këmbim edhe biletën e hyrjes për në parajsë. Njerëz si këta, edhe nëse do të hynin brenda, do të kërkonin mënyra për t’u larguar nga parajsa. I Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja qoftë mbi të!, ka thënë: “Sikur ata të vendosin diellin në krahun tim të djathtë dhe hënën në të majtën time, unë nuk e braktis këtë kauzë!”... ky është horizonti i të Dërguarit të Allahut. Bediuzzaman Said Nursi, një mendje rrezatuese me dritën që buron nga ai horizont profetik, i kërrusur nga dhimbjet që i shkaktonte vështirësia e ndjekjes së kauzës së tij, ka thënë: “Në sytë e mi, unë nuk kam as dashuri për xhenetin e as frikë për xhehenemin. Nëse do ta shikoja të sigurt besimin e popullit tim, do të isha i gatshëm që tani të digjesha në flakët e xhehenemit.” Në mënyrë të ngjashme, edhe Ebu Bekri i ngriti duart lart dhe u lut në një mënyrë që do të trondiste qiejt: “O Zoti im, bëje trupin tim aq të madh, saqë unë i vetëm të mund të mbush krejt xhehenemin dhe të mos ketë më vend për askënd tjetër aty!

Njerëzimi ka tmerrësisht nevojë për njerëz me thellësi dhe sinqeritet të brendshëm tani, shumë më tepër se për çdo gjë tjetër, ka nevojë për njerëz të cilët vuajnë dhe lotojnë për mëkatet dhe gabimet e të tjerëve, të cilët shohin përpara për të falur dhe për të kërkuar faljen e të tjerëve përpara vetes së tyre, të cilët në vend që të hyjnë në xhenet dhe të gëzojnë kënaqësitë e tyre individuale atje, preferojnë të qëndrojnë në A’raf[3] dhe nga aty të përpiqen t’i marrin të gjithë njerëzit për në xhenet së bashku me ta, të tillët edhe pasi kanë hyrë në xhenet, nuk mund të gjejnë kohë për t’u kënaqur me kënaqësitë e saj për shkak se mendja u rri tek të tjerët, duke planifikuar vazhdimisht shpëtimin e tyre nga zjarri i xhehenemit.


[1] tuba-i xhenet: Një pemë në xhenet, me rrënjët në qiell e degët të varura poshtë, me lule dhe fruta të shijshëm të çdo lloji të imagjinueshëm dhe të paimagjinueshëm.

[2] ihsan: Vetëdija se Zoti të shikon në çdo vepër që ndërmerr, pavarësisht se ti nuk e shikon Atë.

[3] A’raf: Vend i sheshtë, fushë e cila ndodhet ndërmjet, apo ndan xhenetin dhe xhehenemin.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.