Parathënie

Ata të cilët vërejnë me hollësi botën e ideve të Gylenit, do të shohin se ajo ç’ka shkruar, apo predikuar para 15, apo 20 vitesh dhe ideve që ai hedh në ditët e sotme, nuk kanë kurrfarë ndryshimi dhe nuk përbëjnë në asnjë rast kontradiksion. Përkundrazi, të gjitha veprat dhe diskutimet e tij shpjegojnë njëra-tjetrën dhe shkallë-shkallë të shpien drejt një ideje kryesore. Ai ka shkruar një bibliotekë të tërë me vepra përgjatë viteve dhe të gjitha këto janë fokusuar në çështje madhore si: tronditjet dhe kolapsi në të cilin ka rënë bota myslimane e në veçanti kombi turk, në dështimin e përfaqësimit dinjitoz të Islamit dhe në arsyet që çuan në këtë dështim, në të kuptuarit e nevojës për rilindje në botën myslimane, në përtëritjen e Islamit edhe njëherë tjetër si një nivel universal, si dhe në dinamikat bazë dhe karakteristikat e brezit që do ta kryejë këtë detyrë. E parë nga ky këndvështrim, vepra e Gylenit përmban të njëjtin mesazh që i shëmbëllen një simfonie të madhe, kur bëhet e gjitha bashkë. “Statuja e Shpirtrave Tanë” është një paraqitje sistematike dhe e hollësishme e ideve që autori ka sugjeruar për rigjallërimin dhe përpjekjet që duhen bërë në këtë aspekt. Piketa e tij e orientimit është rigjallërimi në mendim dhe veprim duke paraqitur konturet udhërrëfyese për ato që sipas tij quhen “Trashëgimtarët e Tokës”

Libri në fillim na jep një pamje të përgjithshme të kushteve aktuale të botës myslimane, duke na mundësuar që të shohim pozicionin aktual të myslimanëve, i cili përbën një paradoks. Nga njëra anë depresioni, plogështia, dobësia, fakti që njerëzit janë duke prekur fundin për shkak të injorancës dhe supersticionit, nga ana tjetër, njerëzit në përgjithësi janë më të prirur se më përpara, për t’u kthyer drejt Zotit, duke shtuar përpjekjet për Rilindje pothuajse kudo... Ju mund të vëreni njerëz të etur për paqe dhe siguri të cilat premtohen nga Islami. Depresioni të cilin autori e përkufizon si “periudha e tatëpjetës”, ka qenë vazhdimisht një plagë që ka pikuar dhe pikon gjak në botën myslimane gjatë shekujve të fundit.

Myslimanët, të cilët njëherë e njëkohë i dhanë botës “Një Dimension Parajse”, e sakrifikuan fenë, burimin e tyre të vërtetë të fuqisë, për hir të kësaj bote, duke humbur kështu peshoren e përkryer që ata vetë kishin vendosur ndërmjet universit, njerëzimit dhe jetës. Në këtë mënyrë ata e shkatërruan trashëgiminë njëmijëvjeçare dhe u përpoqën ta zëvendësojnë atë me tulla tepër të dobëta, të papërshtatshme me natyrën bazë të njerëzimit. Megjithatë, është fakt që, pavarësisht gjithë këtyre traumave, stuhish dhe depresioni të kësaj epoke tatëpjete, ideja e rigjallërimit ka qenë gjithmonë e pranishme në kindat e ndërgjegjes njerëzore duke pritur ditën e triumfit.

Me fjalë të tjera, e gjithë bota myslimane ka nevojë të ecë drejt një “Ringjalljeje” në mënyrë që të riparohet logjika e lëkundur e myslimanëve, të nisin rregullimet dhe të ecet drejt një jete të re dhe të shëndetshme. Ky gjallërim duhet të jetë i tillë që të mund të mbrojë origjinën e fesë brenda gjerësisë dhe universalitetit të premtuar nga parimet fleksibël të islamit, një rigjallërim i cili do të mund të plotësojë nevojat e të gjitha shtresave të njerëzve dhe të përfshijë çdo aspekt të jetës në çdo kohë dhe në çdo vend.

Është theksuar vazhdimisht se njerëzimi, jeta dhe universi duhet të përballohen duke u nisur nga këndvështrimi islam, ndaj është detyra jonë që shoqëritë myslimane të cilat i kanë flakur tutje logjikën, idetë dhe konceptet islame, të nxiten drejt një rilindjeje të plotë në të gjitha aspektet.

Ata të cilët do ta ndërmarrin këtë përgjegjësi të rëndë dhe që do të ndihmojnë në të kuptuarit e ndryshimit universal, duhet të jenë një tip i ri njerëzish. Autori i quan ata “Trashëgimtarët e Tokës” dhe i përshkruan si njerëz të cilët pasqyrojnë shpirtin e Profetit dhe moralin Kuranor.

Në njëfarë mënyre, “Statuja e Shpirtrave Tanë”, përshkruan dhe analizon këtë rilindje, e cila tashmë ka filluar. Kjo rilindje përbën një proces që mund të realizohet vetëm atëherë, kur një komb i tërë i rikthehet rrënjëve të tij shpirtërore. Kombi ynë i cili ka përjetuar një rilindje kohë më parë, mund të shmangë sëmundje të tilla si: “pasioni, përtacia, etja për famë, egoizmi, dashuria për këtë botë, mendjengushtësia, përdorimi i forcës” dhe duke i zëvendësuar me vlera të tilla si të kënaqurit me pak, kuraja, modestia, altruizmi, dijet dhe virtytet si dhe me aftësinë e të menduarit universal”. Vetëm atëherë mund të themi se është arritur një rikthim drejt natyrës primordiale duke u mbështetur dhe orientuar tek Kurani.

Kjo ringjallje, apo rilindje e madhe duhet të bëhet nga tërë pjesëtarët e kombit dhe në tërësi duhet të ketë të njëjtin shpirt rigjallërimi. Në këtë mënyrë kombi ynë do të fitojë besimin e humbur për një kohë të gjatë dhe do të synojë ta kthejë botën në parajsë. “Statuja e Shpirtrave Tanë” rrezaton ideal dhe bëhet zëdhënës i horizontit të mendimit, por edhe analizon pengesat shoqërore dhe historike që ngrihen përpara rindërtimit të botës myslimane. Megjithatë, Gyleni nuk e humbet kurrë besimin te kombi i cili mbart përbrenda zjarrin e thellësisë së rilindjes, duke e ndier veten të lidhur me të nëpërmjet shpresës së përjetshme.

Në fakt, mund të vërehet se tema qendrore e kësaj përmbledhjeje shkrimesh të Gylenit, është nxitja e vetëpërmirësimit të orientuar të pasuesve të tij dhe të të gjithë myslimanëve në përgjithësi. Myslimanët duhet të përpiqen të bëhen të denjë dhe të mbajnë premtimet e dhëna. Ai aludon vazhdimisht për premtimin që Zoti u ka bërë besimtarëve: “Vërtet Ne shënuam në Zebur (Psalme), pas Teuratit, se tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë.” (Kuran, Enbija 21:105)

Gylen i bën jehonë mësuesit të madh Rumiut, kur thotë të mos injorojmë doktrinën e shkaqeve e as të mos rrimë më kot, pa bërë asgjë, duke pritur ndihmën nga Zoti, por, përkundrazi, të përpiqemi pa fund, në mënyrë që ta transformojmë këtë botë të prishur, drejt botës së paqes dhe drejtësisë, në përputhje me vullnetin e Zotit. Ashtu si Rumiu, Gyleni thekson se liria e vërtetë gjendet vetëm në nënshtrimin me dëshirë ndaj vullnetit të Zotit, prandaj paradoksalisht, është ky nënshtrim dhe vetëm ky, që mund të na çlirojë nga skllavëria e së kotës, rebelizmi shkatërrues, tekat, marrëzia dhe tundimi për të bërë gjëra të ndaluara. Ai na tregon shtegun që të çon tek liria dhe jeta e pasosur, herë duke na dhënë udhëzime të thjeshta dhe të drejtpërdrejta që mund të zbatohen në jetën e përditshme, herë e bën këtë me anë të përshkrimeve të bukura të dritës shpirtërore të gjendur gjatë këtij shtegu, deri në destinacionin ku duam të mbërrijmë. Është kjo arsyeja pse na porosit vazhdimisht të ndjekim me vullnetin tonë të lirë këtë rrugë të drejtë.

Vepra e Gylenit përbën një nxitje konstante për përpjekje, dije, vetëkontroll dhe disiplinë më të madhe. Ai na rikujton se këto përbëjnë cilësitë për të cilat Zoti do të na shpërblejë. Ai na rikujton vlerën e durimit dhe se sa herë nëpër faqet e Kuranit ne porositemi të jemi të durueshëm dhe të matur. Ai nuk e bën dhe madje nuk e ka bërë kurrë më parë avokatinë e përdorimit të dhunës për qëllime politike. “Ditët e përfitimit me anë të përdorimit të forcës kanë marrë fund”, na thotë. “Në botën e sotme të ndriçuar, rruga e vetme për t’i bërë të tjerët të pranojnë idetë tuaja është me anë të bindjes dhe argumenteve të pakundërshtueshme. Ata të cilët përdorin forcën për të arritur qëllimet e tyre, janë të degraduar intelektualisht.” Gyleni nuk është një “eksternalist”, një njeri që mendon se Islami mund t’u imponohet të tjerëve me anë të zbatimit me forcë të Sheriatit. Ai dëshiron që rinovimi i shoqërisë të nisë nga brenda zemrës. E ndërsa e pohon rëndësinë e ligjit dhe të rregullit në shoqëri, ai nuk beson se virtyti mund të injektohet me forcë dhe se shoqëria e virtytshme mund të ndërtohet me anë të dhunës. Përkundrazi, ai proteston, sa herë që liria kufizohet pa nevojë. Gyleni mbështet porosinë Kuranore, sipas së cilës, fiset dhe kombet e ndryshme të krijuara të gjithë nga Zoti, të mësojnë nga njëri-tjetri, kështu që nuk duhen hedhur poshtë aspektet teknologjike, politike dhe kulturore të modernizmit perëndimor, siç janë: demokracia, parlamentarizmi dhe edukimi shkencor. Përkundrazi, ai këshillon që këtyre institucioneve t’u jepet një dimension islam duke shmangur në këtë mënyrë, si efektet negative të një ideologjie tërësisht laike, ashtu edhe stanjacionin dhe fosilizimin e një shoqërie fetare që nuk i përshtatet mjedisit të vet.

Në sytë dhe në jetën e Gylenit, Islami nuk është ajo relike muzeale e brishtë dhe e fosilizuar, çka laikët modernë do të dëshironin të ishte. Për të dhe për shumë të tjerë që bashkohen me mendimet e tij, Islami nuk është vetëm i gjallë dhe vital, por është rruga jonë e vetme, lidhja jonë e vërtetë me të Vërtetin, Realin, me Burimin e jetës sonë. Prandaj, porositë e Zotit në Kuran, Sunet dhe kozmos, duhet të riegzaminohen, rindërtohen dhe t’i përshtaten çdo epoke nën dritën e përparimit të dijes dhe ndryshimit të situatave. Xhihadi i Tij nuk është dëshpërimi i errët dhe mëkatar, apo beteja e pashpresë e ekstremizmit, i cili e sheh vetveten të rrethuar nga shumë armiq imagjinarë, por, përkundrazi, një përpjekje që mbështetet tek besimi dhe optimizmi i njeriut që mendon se Zoti ka vendosur në zemrat e njerëzve dëshirën për mirësi dhe plotësim, duke e pajisur atë me mirëkuptim. Ai beson se detyra e myslimanit është që të nxjerrë në pah me butësi këto virtyte dhe t’i ndihmojë ato të lulëzojnë.

Një koncept madhor që trajtohet si temë e veçantë përgjatë këtij libri, është kuptimi i Gylenit për “kombin.” Edhe pse ky koncept i referohet në mënyrë të veçantë botës myslimane dhe popullit turk, në kontekstin e rolit të tyre në modelimin e historisë njerëzore si përfaqësuesit dhe lojtarët më të mëdhenj të paqes globale, është fjala për shumë më tepër, sesa thjesht koncepti i një kombi të veçantë, sidomos kur hedhim sytë nga vizioni dhe idealet e Gylenit për dialog dhe tolerancë. Në këtë libër, Gyleni jep këshilla për zgjidhje të vlefshme përsa i përket lirisë dhe pozicionit të nderuar që çdo popull duhet të synojë të arrijë. Etika motivuese e karrierës së Gylenit, siç del në pah mjaft qartë në aktivitete të shumta dialogu dhe iniciativa edukative, synon një paqe botërore tek e cila mund të arrijmë me pjesëmarrjen e të gjithë popujve. Përkufizimi i Gylenit për kombin nuk përfshin një racë të vetme. Anadolli gjithmonë, përgjatë gjithë historisë, ka qenë një vend i grupeve të ndryshme etnike, të cilat sot formojnë një komb të bashkuar. Larg çdo tipari shovinist, ai i referohet mozaikut shumëngjyrësh të Anadollit i cili i ngjan një kryqëzimi ku takohen njerëz nga Azia Qendrore, Ballkani dhe Mesopotamia.

Në fund, si një nga mendimtarët dhe aktivistët më të shquar të Turqisë e madje të mbarë botës së sotme islame, Gyleni është përqendruar në veprat e shkruara përgjatë jetës së tij, në gjetjen e zgjidhjeve për ndjesi të tilla shpirtërore si: ndjenja e përjashtimit, indiferentizmi, dobësia, fataliteti dhe mungesa e integrimit, që janë prezente në botën myslimane që nga rënia e Osmanëve, në fillim të shekullit të njëzetë. Megjithatë, në kundërshtim nga shumë udhëheqës të tjerë myslimanë, ai as nuk e mohon realitetin duke i kthyer shpinën modernizmit, as nuk bie në kthetrat e kryeneçësisë, moskuptimit dhe inatit, por, përkundrazi, u bën thirrje myslimanëve të shkollohen, të kontrollojnë vetveten dhe të përdorin burimet dhe aftësitë e tyre për të rifituar dhe rikthyer kulturën, identitetin dhe vëmendjen ndaj fesë së tyre. Mesazhi i tij në thelb, është një mesazh paqeje dhe shprese, i dhënë më së miri në librin “Statuja e Shpirtrave Tanë”.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.