KUR DIJA KTHEHET NË JETË

KUR DIJA KTHEHET NË JETË

Pyetje: Sapo zbriste një ajet, apo një sure, vërejmë se sahabët fisnikë mundoheshin që ta kthenin menjëherë në pjesë të pandarë të jetës së tyre. Ndërsa ne nuk arrijmë dot të bëjmë dot atë që dimë, apo mësojmë. Cilat mund të jenë shkaqet që na pengojmë t’i kthejmë në vepra ato që dimë? Si mund të arrihet që të mund t’i jetojmë ato që mësojmë?

Përgjigje: Së pari, që dija të mund të kthehet në vepër, duhet të nxirret nga pozicioni i të qenit një dije sipërfaqësore. Ajo duhet kthyer në një dije “të përvetësuar brenda vetive të vetë asaj si e tillë, me një mendim sistematik dhe të vetëdijshëm.” Në të kundërt, të gjitha ato që dimë ngelen shumë sipërfaqësore e të cekëta, e ngase një dije e tillë nuk arrin të depërtojë në zemër, nuk mund të shkaktojë as lëvizjen më minimale. Andaj, ajo që është më e domosdoshme për t’u bërë më së pari, është të orvatemi që, me një dëshirë dhe pasion të papërshkrueshëm të drejtohemi kah dija e vërtetë, e së andejmi të qëllimojmë kthimin e saj në bindje (besim). Sepse edhe Allahu i Madhërishëm, i drejtohet kësisoj të Dërguarit të Tij alejhis’salatu ues’selam: “Thuaj: O Zot, shtoma dijen!" [90]

Atëherë, secili prej nesh duhet ta kërkojë dijen me një dëshirë profetike, duke u lidhur me kërkesën “hel min mezid” - “A nuk ka më?”, e duke mos i parë asnjëherë të mjaftueshme ato që zotërojmë, duhet të themi, “Vallë mos ka edhe ndonjë gjë tjetër pas kësaj?”, dhe duhet të rendim pa reshtur në drejtim të thellësive. Për shembull, neve na është urdhëruar absolutisht që të lexojmë Kuran. Mirëpo, ne edhe në qofshim hafizë, e ta kemi mësuar Kuranin përmendësh nga fillimi në fund, nëse nuk jemi në një orvatje të përhershme për ta kuptuar si duhet qëllimin e Kuranit, portat e thesareve të tij na mbyllen, e kësodore ne nuk mund të përfitojmë prej asaj drite që ndriçon gjithë botët. Sepse në një lexim të realizuar duke u thelluar në të, me një besim vështrues ka aq shumë përmbajtje të thella që shkrijnë në zemrën e njeriut, të cilat, është e pamundur të arrihen me ndonjë tjetër rrugë.

Të kryesh falënderimin e dijes

Pas hapit të parë të përftimit të dijes, që mund ta quajmë edhe periudha e kthimit të informacionit në dije, është e domosdoshme që të tregohet kujdes mbi këto çështje: Ju, në plan të parë mund të arrini në një thellësi të konsiderueshme njohjeje, e që andej mund të nderoheni dhe me gradën e njohjes informative (ilme’l jakin), apo me edhe me njohjen empirike (ajne’l jakin). Mirëpo, pasi të keni arritur në këto horizonte, nëse këtë dije nuk e ktheni në veprim, atëherë as Allahun nuk mund ta njihni me tërë emrat, cilësitë dhe gjendjet e Tij, duke mos u bërë edhe një rob i besuar i portës së Tij. Veç kësaj, siç thuhet edhe në një hadith të Profetit tonë (s.a.s.), “Atij që vepron me dijen e arritur, Allahu ia mëson edhe ato që ai nuk i di.” [91] , të vepruarit në bazë të dijeve të përvetësuara është mënyra më e mirë që të çon më tej në këtë rrugë. Kështu që, nëse Allahu ju ka prurë deri në një gjendje të caktuar dijeje, atëherë ju duhet të kryeni falënderimin e dijes që zotëroni, duke i dhënë atë që meriton veçanësisë suaj, duke mos hyrë nëpër lajle-lulet e ndryshimit prej të tjerëve. Andaj, nëse të tjerët falin dyzet rekate namaz nafile në një ditë çfarëdo, ju duhet të mendoni, “Si falënderim për të gjitha këto mirësi që më ka falur Allahu, unë duhet të fal tetëdhjetë rekate namaz nafile.”, duke u hapur sakaq në horizontet e përgjegjësisë subjektive.

Si një intermexo, le t’ju tregoj një kujtim timin, që më duket i dobishëm për çështjen. Tek nëna ime mund të shkoja vetëm në të rrallë. Njëherë, më pati thënë: “Haxhi efendì, unë e lexoj Xhevshenin nga njëherë për çdo ditë, mirëpo nëse ke ndonjë gjë tjetër të dobishme që mund ta lexoj... ” Ja, këto janë zëri dhe fryma e “hel min mezid”-it. Një njeri i nderuar me mirësinë e Allahut, duhet t’i drejtohet Allahut po sipas nivelit të asaj mirësie.

Nëna jonë e nderuar, Aishja (r.a.), teksa tregonte adhurimin e të Dërguarit të Allahut alejhis’salâtu ues’selâm, shprehej se Ai falte namaz derisa i fryheshin këmbët. Busajriu e tregon kështu këtë çështje në kasiden e tij: “Unë e dëmtova atë sunet të Profetit, bëra padrejtësi, se ku u pa që Ai të qetësohej pa iu fryrë këmbët (kurse unë bie për të fjetur.)”

Përballë kësaj tabloje që shihte nëna jonë, Aishja e nderuar, i thoshte: “O i Dërguar i Allahut, pse e torturon kaq shumë veten, megjithëse Allahu t’i fali të gjitha mëkatet e shkuara dhe të ardhshme?” Ndërsa Profeti Fisnik i përgjigjej: “Përballë gjithë këtyre mirësive që më ka dhënë Allahu, pse të mos jem një rob falënderues?” [92]

Në fakt, këtu jepet një mesazh shumë i rëndësishëm për vetëdijen e adhurimit: Çdo rob i Allahut është i ngarkuar me detyrën e adhurimit, falënderimit dhe mirënjohjes, të paktën në masën aq sa është nderuar me mirësitë e falura prej Allahut. Andaj edhe veprimi që duhet të shtrojmë përpara çështjeve që na rrethojnë duhet të jenë në raport me dijet që na janë falur.

Mendje vepruese

Nëse doni, mund të kujtoni pak mendimin e Kantit në veprën e tij “Kritika e arsyes së kulluar”, kur na thotë se është e pamundur që ta njohim Allahun nëpërmjet arsyes sonë, se njohja e vërtetë e Allahut dhe horizonti i njohjes mund të arrihet vetëm nëpërmjet veprimit. Prandaj, njeriu, vetëm pasi ta thellojë dijen me kthimin e saj në veprim mund të arrijë një njohje më të thellë të Allahut, dhe si përfundim i kësaj të fundit, edhe një dashuri të thellë për Të. Asisoj, që kur ai njeri të kujtojë atë Individualitet të Njësuar, kanë për t’iu lagështuar hunda, derisa me një dashuri e pasion të thellë, do të klithë: “ritakimi me Ty o Zot, ritakim!”, për t’u larguar edhe njëherë prej ashpërsisë së kësaj bote, me dëshirën e vetme të zemrës për t’u takuar me Zotin e tij.

Said Nursiu, na tregon adhurimin si qëllimin e vetëm të besimit në Zot. Mandej njohjen e Tij, mandej dashurinë për Të, dhe si përfundim kënaqësinë shpirtërore, si një mirësi shtesë e ardhur po nga Allahu i Madhërishëm. [93] Pikërisht, kur vjen kjo kënaqësi shpirtërore, të gjitha bukuritë do të na duken si hije të hijeve të hijeve të pasqyrimit të bukurisë së Tij... derisa ky pasion të na kthehet në një ujëvarë ndjesish. Nëse brenda nesh nuk ndjejmë një dëshirë dhe pasion të tillë, atëherë kjo do të thotë se nuk e kemi arritur atë fazë, dhe jemi veç duke u kuturisur nëpër korridore. Nuk dua kurrsesi që ta shtyj ndokënd në pesimizëm me këto fjalë, por duhet ditur se kjo është rruga e vetme për t’i dhënë atë që i takon kësaj kështjelle në të cilën ndodhemi. Andaj, ta përmendim edhe njëherë, thellojeni sa të doni vështrimoren, por nëse nuk arrini ta ktheni në vepra, keni për të ngelur në vendnumëro, duke ngelur vetëm në suazat e formales. Asisoj që edhe adhurimin e bëni veç sa për të kaluar radhën, çoheni dhe bini, e nuk e ndjeni dot as dashurinë për Allahun, dhe si rrjedhojë, as kënaqësinë shpirtërore buruar prej saj.

Kurani Famëlartë i përngjason me “gomerë të ngarkuar” [94] njerëzit e ngarkuar me dije që nuk i kthejnë në jetë. Çdonjëri duhet të tregohet tejet i kujdesshëm dhe të përpiqet në këtë çështje. Po, njeriu, kur nuk i vë në jetën e tij personale dhe shoqërore ato që di, atëherë njohuritë e zotëruara kthehen në një ngarkesë për të. Kjo mund të hyjë edhe në kategorinë e dijeve të pafrytshme dhe të padobishme, e cila nuk është asgjë veç një barre të rëndë. Pikërisht në këtë pikë, i Dërguari i Allahut sal’lallâhu alejhi ue sel’lem duke kërkuar mbrojtje prej Allahut për dijen e pavënë në jetë, është lutur kësodore: “O Zot, mbrohem tek Ti prej dijes së padobishme!” [95] Kjo duhet të jetë një shembull për të gjithë ne, në mënyrë që të përfitojmë prej thellësisë së lutjes, për t’u lutur që dija e arritur të na kthehet edhe në jetë.

Horizonte të hapura nga lexime të përbashkëta

Megjithëse të gjitha leximet, mendimet, kërkimet shkencore, analizat dhe sintezat individuale përbëjnë veprime të bukura dhe të dobishme për të kaluar edhe njëherë nëpërmjet vështrimit marrëdhënien njeri, gjithësi dhe Zot, të gjitha përftimet e dala falë punës së vyer të një bashkësie të lartë, dhe gjendjes në një ambient aq të përshtatshëm janë krejt të ndryshme. Një njeri që hyn në mesin e një bashkësie të tillë, do të jetë në marrëdhënie të vazhdueshme me anëtarët e tjerë të saj, dhe kësodore do të hapet, falë lidhjesh nga më të ndryshme, në disa horizonte njëkohësisht. Sepse Allahu shprehet kësisoj në suren Fet’h: “ Dora (ndihmesa, fuqia, mbështetja, administrimi, kujtesa) e Allahut është mbi duart e tyre." [96]

Ndërsa i Dërguari i Allahut (s.a.s.) thoshte: “Mbështetja dhe ndihmesa e Allahut është me bashkësinë.” [97] , duke shenjuar kësitrajtshëm se të bashkuarit e njerëzve në një ambient të përbashkët është një virtyt, teksa në një tjetër hadith tregonte rrezikun që përbënte të qëndruarit vetëm: “Ujku ha atë që ndahet nga kopeja”. [98] Me këto fjalë shprehet figurativisht, se ata që veprojnë në të kundërt me ndërgjegjen kolektive, që largohet nga hallka, e që nuk hedh të njëjtët hapa me bashkësinë, mund të hahen nga ujku. Andaj, të bëjmë ç’të bëjmë, duhet qëndruar brenda bashkësisë, duke përbërë mbështetje për njëri-tjetrin, për ta ruajtur veten nga të vepruarit në mënyrë individuale.

Vetëm se një kriter i rëndësishëm që nuk duhet larguar prej mendjes është që t’i mbajmë ambientet ku rrimë të larguara prej llomotitjeve dhe broçkullave të pavlera, për t’i vlerësuar në maksimum për të arritur dije dhe njohje, pa lejuar as sekondën të na shkojë dëm. Po, sa keq që edhe në vendet ku mblidhemi për të folur për besimin, fenë, shërbimin ndaj tyre, flasim për çfarëdo çështjesh të padobishme, që nuk kanë kurrfarë vlere për jetën e përtejme, që për më tepër, vetëm sa e zhysin njeriun në një topitje, a më e keqja, veprime të pakontrolluara aspak të pëlqyeshme. Për mendimin tim, një zemër që ka besuar duhet ta kalojë gjithë jetën e saj si e mbyllur në një teqe, pa i dhënë leje këtyre gjërave të kota, që të hyjnë në jetën e saj. Në një hadith të saktë, thuhet se Krenaria e Njerëzimit ka qeshur vetëm tri herë me të madhe në jetën e Tij. [99] Ashtu siç e dini edhe ju, buzëqeshja zaten nuk largohej asnjëherë prej fytyrës së Tij, por as nga serioziteti nuk ndodhte që të largohej. Kishte një qëndrim të atillë që i pasqyrohej në krejt qenien e Tij se ishte krejtësisht i vetëdijshëm që gjendej përballë Allahut për çdo çast, dhe me çdo qëndrim a veprim të Tijin, u kujtonte Allahun të gjithëve, madje edhe nëpërmjet shikimit të Tij kundrues.

Thelbi i thelbit, për t’ia arritur pajisjeve të domosdoshme për sa i përket besimit, dhe mandej për t’i kthyer ato në jetë të jetës, duhet t’i përdorim me sa më tepër rendiment ambientet ku gjendemi, vendet ku biem e ngrihemi, apo që mblidhemi bashkë, në mënyrë që në horizontet tona të përftojmë një riagim. Po, pa u ndotur në asnjë ambient të papastër, pa u përplasur sa majtas djathtas, pa devijuar në gjithfarë rrugicash qorre, e për të ecur vetëm drejt, të gjitha ndjenjat, mendimet, ndjesitë, diskutimet dhe bashkëbisedimet tona, duhet t’i kemi të sa më të drejta e të mirëorientuara kah thellimi dhe pasurimi i horizontit të zemrës dhe mendjes.

[90] Taha, 20/114.

[91] el-Munaui, Fejzu'l-kadir, 4/388.

[92] Buhari, tehexhud, 6; Muslim, sifatu'l-munafikin, 79-81.

[93] Shih: Bediuzaman Said Nursi, Letrat, fq. 253-254 (Letra e Njëzetë, Hyrja)

[94] Shih: Xhum'a, 62/5.

[95] Muslim, dhikr, 73; Ebu Daud, uitr, 32; Tirmidhi, daauat, 68.

[96] Fet'h, 48-10.

[97] Tirmidhi, fiten, 7; Ibni Hib'ban, es-Sahih, 10/438; et-Taberani, el-Mu'xhemu'l-eusat, 6/277.

[98] Ebu Daud, salat, 46; Nesai, imamet, 48; Ahmed bin Hanbel, el-Musned, 5/196.

[99] Shih: Buhari, tefsiru sure, (39) 2, teuhid, 19, 36, rikak 44, 51; Muslim, iman, 308-310, sifatu'l-munafikin, 19, 30.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.