Bashkësia dhe koncepti i “Personalitetit Kolektiv”

Bazuar në gjithçka thamë më lart, mund të themi se Sufizmi është i pranishëm në lëvizjen Gylen jo në formën e një tarikati, por si praktikë individuale, ndaj theksi i tij është më tepër tek personaliteti kolektiv apo shahsi manevi. Ky theks bën që bashkësia të çmohet si një trup i madh që mbart vlerat e botës shpirtërore të personalitetit të njësuar. Ky trup përbën një përfaqësi kolektive të një sistemi të unifikuar vullneti, idesh, besimi dhe sjelljesh. Parimet e përbashkëta lindin si forma konkrete të këtij vullneti dhe këtyre përpjekjeve të njësuara. Ashtu si një copë akull që shkrihet në oqean duke u shndërruar në pjesë të tij, çdo person e ul shkallën e egos së tij për t’u bërë njësh me personalitetin shpirtëror kolektiv. Pjesëmarrja në këtë njësi shpirtërore nënkupton që një person duhet të lërë mënjanë ose të paktën nuk duhet t’u japë përparësi interesave, kënaqësive apo angazhimeve të tij personale. Kjo ndodh kryesisht në zonat ku bashkësia pret veprim nga pjesëtarët e saj.

Formimi i një personaliteti kolektiv kryhet përmes parimit të përhapjes së fjalës së Zotit. Çdo aktivitet, ritual, vlerë, parim dhe qëllim i përbashkët synon drejt këtij objektivi. Ideali i përhapjes së fjalës së Zotit tek të gjithë njerëzit, kërkon përpjekje, si nga individët e veçuar ashtu edhe nga trupi kolektiv i një bashkësie. Në të gjitha format bashkëpunuese, madje edhe në organizatat ideologjike apo politike, grupimet besohet të kenë një thelb metafizik apo mistik. Pasuesit apo anëtarët, pretendohet të jenë respektues ndaj këtij thelbi dhe të mos marrin parasysh interesat e tyre personale. Por, këto lloj grupimesh, janë të ndërtuara mbi bazën e përfitimeve konkrete, interesave dhe idealeve të kësaj bote. Ato nuk synojnë miratimin e Zotit e as nuk fokusohen në idenë e përjetësisë dhe të botës tjetër. Këto grupime ekzistojnë mbi bazat e zotërimit të pushtetit, kërkimit të një posti apo kërkimit të famës në një drejtim që do t’u mundësonte atyre të ushtrojnë presionin politik apo shoqëror mbi balancën shoqërore. Ne nuk duhet të ngatërrojmë konceptin e personalitetit shpirtëror të bashkësisë me atë të organizatave të ngritura për qëllime materiale të kësaj bote.

Nga ana tjetër, besohet se personaliteti kolektiv është bekuar në mënyrë të natyrshme me dashamirësinë dhe ndihmën e Zotit. Në traditën Sufi, iniciativat përfitojnë ndihmë hyjnore nëpërmjet përvojës dhe praktikësh shpirtërore. Në rastin e personalitetit shpirtëror kolektiv të një bashkësie, ndihma hyjnore është gjithmonë më e madhe krahasuar me ndihmën ndaj personave të veçantë dhe përvojave personale. Profeti thotë se miratimi, kënaqësia dhe bekimi i Zotit, bie gjithmonë mbi bashkësinë duke u shfaqur në formën e ndihmës dhe të bekimeve.[1] Në këtë pikë, do të përmendja këndvështrimin tradicional Sufi i cili mendohet të jetë në mbretërinë e dijes subjektive, në mënyrë që të kontribuojë në të kuptuarit e qartë të konceptit të personalitetit shpirtëror kolektiv. Në literaturën Sufi, njerëzit e shquar ,me botë shpirtërore të lartësuar, njihen si kutb, kutbu aktab, gavs, etj. Ata imagjinoheshin si transformues të fuqishëm qendror që mandej ia përcillnin ndihmën hyjnore dhe përparimin shpirtëror pasuesve. Ndihma dhe dashamirësia hyjnore u jepej së pari këtyre njerëzve dhe pastaj ata ia rishpërndanin dhe ua përcillnin këtë dhuratë të tjerëve në përputhje me afërsinë e tyre me Zotin. Ky fenomen, në traditën Sufi është i përfaqësuar nga personaliteti shpirtëror kolektiv në kontekstin e bashkësisë. Këto personalitete shpirtërore historike, ekzistojnë aktualisht në formën e bashkësive. Trupi i njësuar dhe i përbashkët i bashkësisë si dhe prezenca e tij shpirtërore, shprehin një domethënie shpirtërore dhe metafizike:

Devotshmëria ndaj personalitetit kolektiv nënkupton shkrirjen brenda bashkësisë dhe unifikimin me të. Bashkësia është një grup njerëzish të cilët janë bashkuar rreth të njëjtit mendim dhe ideal... ekzistenca e një bashkësie mund të arrihet vetëm nëpërmjet ekzistencës së ndërgjegjes kolektive. Ndërgjegjja kolektive e shkrin individin, përsa i përket ndërtimit të tij shumëdimensional, duke ia ndryshuar përmasat, në mënyrë që të mos ngelet më asnjë gjurmë e individualitetit absolut. Individi bëhet pjesë e grupit dhe bashkësia kthehet në një individ të vetëm... Ritet fetare të kryera brenda kësaj bashkësie rrjedhin tërësisht drejt të njëjtit rezervuar. Personaliteti kolektiv i bashkësisë përparon me shpejtësi drejt nivele më të larta shpirtërore... Kjo ngritje vazhdon për sa kohë që bashkësia ruan thelbin e saj cilësor dhe vijon të qëndrojë në këto maja në të cilat një bashkësi shfaq shkallën e saj më të lartë shpirtërore... Kur një bashkësi ngjitet në këto nivele, kapaciteti i përmbushjes shpirtërore, si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër, zgjerohet në të njëjtat përmasa dhe nganjëherë përfshin çdo pjesëtar të bashkësisë.[2]

Siç e kemi parë, Gyleni i kushton rëndësi personaliteti kolektiv të bashkësisë. Për të, personaliteti kolektiv shërben si një mjet që i bën veprimtaritë e përbashkëta të dobishme duke i pajisur me vlera shpirtërore. Për më tepër, ai thotë se lartësimi shpirtëror dhe udhëtimi nëpërmjet personalitetit kolektiv është më i mundshëm, më pak i rrezikshëm dhe larg nga arroganca shumë më tepër se nëpërmjet metodave të tjera. Ky udhëtim ecën drejt vilajetit, por në këtë rast kemi të bëjmë me velajetin e personalitetit kolektiv:

Përfaqësimi i velajetit nëpërmjet “personalitetit kolektiv” përbën rrugën më të drejtë dhe më të sigurt. Prandaj, nuk ekziston asnjë mundësi që t’i shpjerë pjesëtarët e saj drejt ndjenjës së mendjemadhësisë. Posti i arritur i përket personalitetit kolektiv; individi është i mbrojtur nga çdo mangësi dhe pengesë që mund ta shpjerë atë drejt arrogancës... Nga ana tjetër, sot, askush nuk mund të arrijë një nivel të tillë shpirtëror duke u mbështetur vetëm në përpjekjet e veta. Përkundrazi, ne mund të arrijmë majat vetëm nëpërmjet mbështetjes tek personaliteti.

Gylen flet në lidhje me tre parakushtet që i nevojiten një bashkësie të plotësojë, në mënyrë që ajo të shfaqet në nivelin më të lartë shpirtëror:

1. Pjesëtarët e bashkësisë duhet të jenë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin.

2. Secili duhet të ndajë plotësisht të njëjtat ndjenja.

3. Ata duhet t’i kushtojnë kujdes absolut kryerjes së riteve fetare, përkujtimit ndaj Zotit dhe çdo lloji tjetër shërbimi ndaj Tij.

Ndarja e ndjenjave të njëjta, vëllazërimi shpirtëror, kryerja e riteve fetare, kujdesi dhe marrja parasysh e shpalljeve dhe e ndalesave hyjnore konsiderohen të gjitha si përbërës që formojnë dhe përforcojnë personalitetin kolektiv të një bashkësie. Uniteti i ndjenjave, i mendimeve dhe i idealeve, ngrejnë themelet për një bashkësi të shëndetshme dhe përbën thelbin e ekzistencës së saj. Për të gjitha bashkësitë, parimet e përbashkëta që ndahen nga çdo njeri, përbëjnë themelet e saj materiale. Megjithatë, formimi i një personaliteti kolektiv, ka nevojë për një lloj zamke që mundësohet në formën e mënyrës shpirtërore të jetesës, të bazuar në besimin e sinqertë, të praktikuar nga çdo pjesëtar i bashkësisë. Pa këtë lloj ngjitësi, personaliteti kolektiv i bashkësisë mund të vihet përballë dobësimit, çmontimit dhe shpërbërjes. Çdo person i veçantë duhet të kuptojë që lidhja me bashkësinë nënkupton gjithashtu qenien pjesëtar i një bashkëpunimi shpirtëror: “Çdo person i lidhur me bashkësinë myslimane, pranohet gjithashtu si pjesëtar i një bashkëpunimi shpirtëror. Prandaj në çdo veprim të tij, ai zotëron epërsinë e të qenurit pjesëtar i këtij lloj bashkëpunimi. Një individ, nga pozita e tij vetjake, gëzon të gjitha epërsitë që i janë siguruar bashkësisë...”

Këtu, koncepti i “personalitetit kolektiv” shfaqet si një koncept me bazë Sufi. Megjithëse në traditën Sufi ekzistojnë njerëz të cilët e nënvizojnë këtë koncept, kjo nuk përbën një situatë të zakonshme. Koncepti fitoi gjerësi dhe thellësi në periudhën moderne në kohën kur u shfaqën bashkësitë moderne. Në fakt, ne kemi mjaft material social për t’u futur në një analizë intelektuale të konceptit, meqenëse ai duhet parë brenda parametrave të modeleve moderne. Konturi i përcaktimit të termave të tillë si: “trup i përbashkët” dhe “identitet institucional” është i dobishëm për të kujtuar “personalitetin kolektiv.” Ne e lidhim një trup të përbashkët me një rregull social apo koncept ligjor dhe arrijmë kështu që të kemi një konceptim rreth tij. Personaliteti kolektiv përfaqëson rëndom të njëjtën gjë. Në legjislacionin modern, koncepti i “personalitetit ligjor” hyn në fushën e të drejtave personale.

Koncepti i personalitetit kolektiv është bërë më i dukshëm në kohën tonë me formimin e bashkësive në kohët moderne. Ai përbën gjithashtu një nga konceptet më qendrore të Sufizmit për arsye se një nga qëllimet kryesore të Sufizmit është lartësimi i njerëzve në nivelin e velajetit nëpërmjet stërvitjes dhe pastrimit të vetvetes. Kjo shkallë mund të arrihet në kuptimin më të gjerë nëpërmjet personalitetit kolektiv të bashkësive. Udhëtimi i personalitetit kolektiv drejt valajas, bëhet i dukshëm nëpërmjet prezencës kolektive të bashkësisë shumë më tepër sesa nëpërmjet angazhimit personal të individëve të veçantë. Nëpërmjet angazhimit në personalitetin kolektiv, pjesëtarët e një bashkësie mund të përfitojnë të ardhura shpirtërore më intensivisht dhe me shpejtësi më të madhe se sa nëpërmjet praktikave individuale si në Sufizmin tradicional. Prandaj, në konceptin e bashkësisë moderne, konceptet e “personalitetit kolektiv” dhe të “velajetit” janë goxha të gjera dhe të thella për të rrethuar gjithë leksikun e terminologjisë tradicionale Sufi.

Bashkësia konsiderohet si marrëse e çdo forme bekimi. Në një bashkësi, çdo fjalë, praktikë dhe ndjenjë shërbimi, janë të dobishme dhe shërbejnë si transportues në udhëtimin shpirtëror të njerëzve drejt velajetit. Bashkësia funksionon si një bashkëpunim shpirtëror. Ajo funksionon si një ngjitës moral që bashkon shoqërinë por edhe si lartësuese ndjenjash bashkëpunimi, miqësie dhe devotshmërie.

Termi i “personalitetit kolektiv” nuk përbën një koncept imagjinar, të përdorur vetëm për të shprehur strukturën institucionale të bashkësisë. Toka, qielli, yjet, malet, etj, besohet se kanë personalitete shpirtërore në terminologjinë sufiste. Një interpretim i kozmologjisë islame, mbështet idenë se bazat për këtë realitet gjenden në vargun kuranor “ Gjithçka që ekziston në qiej dhe në tokë e lartëson Zotin nëpërmjet qëndrimit të tyre.[3]

Sipas disa thënieve profetike, ekzistojnë engjëj me dyzet mijë (apo edhe me njëqind mijë) koka dhe gojë të cilat përdoren të gjitha për të falënderuar Zotin. Të tillë engjëj mbartin gjithë përkujtimin dhe adhurimin e yjeve, hënës, maleve, etj, ndaj Zotit. Një mal dhe një pemë, kanë një personalitet shpirtëror i cili vëzhgohet nga një engjëll i caktuar për këtë detyrë. Nëse një mal me njëqind mijë pemë, ka një personalitet shpirtëror, atëherë sigurisht një bashkësi me njëqind mijë anëtarë duhet të ketë gjithashtu një personalitet shpirtëror. Kjo nuk lidhet vetëm me aspektin epistemologjik dhe atë interpretativ; ajo ka lidhje të drejtpërdrejtë me perceptimin mysliman për njerëzimin, ekzistencën dhe universin.

Thënia e mësipërme profetike ka kuptimin “Dora e Zotit, fuqia, ndihma dhe dashamirësia e tij janë për bashkësinë.” Në Tokë, pika në të cilën Zoti e vë theksin, është njeriu i përkryer “insani kamil”. Shfaqja më e qartë e ndihmës dhe e bekimit të Zotit është ajo për njeriun e përkryer. “Njeriu i përkryer” përfaqëson modelin ideal të njerëzimit, të paraparë nga sufitë përgjatë historisë së Islamit. Qëllimi i të gjitha betejave shpirtërore dhe morale është shndërrimi në një “njeri të përkryer.” Megjithatë kur e krahasojmë me bashkësinë, një “njeri i përkryer” nuk mund të arrijë kurrë të përfitojë të njëjtin nivel ndihme dhe bekimi nga ana e Zotit. Një gjeni nuk mund të krahasohet kurrë me performancën dha aftësinë e një bashkësie shkencëtarësh. Po kështu, performanca shpirtërore e një personi nuk mund të arrijë kurrë atë të një bashkësie. Manifestimet më bujare dhe më të qarta të mëshirës, ndihmës dhe bollëkut të Zotit, i janë dhënë personalitetit shpirtëror kolektiv të bashkësisë. Prandaj, bashkësia dhe personaliteti kolektiv, kanë përbërë dy nga elementët më të rëndësishëm të traditës myslimane dhe të veprimtarisë për përhapjen e mesazhit të Islamit në kohët moderne.


[1] Tirmidhi, Fitan, 7.

[2] Gülen, Fasıldan Fasıla, Vol. 1. F. 171-2.

[3] Shih Kur’anin, Isra (17 : 44); Xhuma (62 : 1); Tegabun (64 : 1); Hadid (57 : 1); Hashr (59: 1, 24); Saf (61: 1). “... meqenëse i tërë globi lavdëron Hyjninë me numrin e llojeve të Tij të gjallesave, me gjuhën e numrit të pjestarëve të këtyre specieve, si dhe pjesët, gjethet dhe frutat e këtyre pjestarëve; sigurisht do të ketë një ëngjëll të pasaçëm me dyzet mijë koka dhe dyzet mijë gjuhë në çdo kokë, çdonjëra prej të cialve do të shprehë dyzetmijë lavdërime hyjnore, e cila do ta dijë se adhurimi i shkëlqyer, i ndërgjegjshëm dhe i lindur i shprehur me vetëdije, kryhet ndaj Sjellësit të Lajmeve të Sigurta, Pregatitësit të Gjyqit Suprem i Cili na ka informuar ne me korrektësi absolute” (Nursi, Rrezet, Çështja e njëmbëdhjetë, Istanbul: Sőzler Publications, 2002, f. 283).

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.